Stacioni i Trenit

Hekurudha e parë për në Kosovë është ndërtuar nga një kompani osmane në vitin 1873, e cila lidhte Selanikun me Mitrovicën. Rrjeti hekurudhor më pas u zgjerua nga kompania anglezo-franceze në mes të viteve 1931-1936, vite këto kur edhe stacioni i trenit në Prishtinë u ndërtua. Ndërtesa përfaqëson stilin francez të kohës, stil të cilin mund ta rastisim edhe në Lindjen e Mesme e deri në Indi, vende këto ku kompanitë franceze kanë ndërtuar hekurudhat. Stacioni i trenit në Prishtinë ka përjetuar skena të migrimeve masive të popullatës turke dhe shqiptare për në Turqi gjatë viteve 1945-1960. Stacioni hekurudhor është drejtuar nga hekurudha Jugosllave deri në vitin 1992 dhe më vonë ishte marrë nën kontrollin e hekurudhës serbe deri në vitin 1999, ku në marsin e po atij viti, ushtria e regjimit të Millosheviqit kishte deportuar qytetarët shqiptarë për në Han të Elezit. Edhe pse tani rrjeti hekurudhor menaxhohet nga Republika e Kosovës, ajo operacionalizon lidhjet brenda shtetit dhe një lidhje jashtë vendit, atë në Shkup; pjesa veriore e rrjetit është nën kontrollin e hekurudhës serbe dhe është e lidhur me rrjetin e Serbisë.