Shkolla fillore “Elena Gjika”, më parë e njohur si Vuk Karaxhiq, është njëra ndër të vetmet që nuk ka pësuar ndryshime domethënëse në planimetrinë e saj fillestare. E dizajnuar nga arkitekti Momir Korunoviq është ndërtuar mes viteve 1926 dhe 1928. Dekoret në pjesën ballore të fasadës janë trajtuar me forma gjeometrike harkore dhe mendohet se regjistrojnë influenca të stilit austro-hungarez. Sidoqoftë, iniciativat e ndërmarra për mirëmbajtjen e objektit kanë afektuar dukshëm fasadën origjinale, dritaret dhe kulmin. Sot mësimi në këtë shkollë zhvillohet në dy gjuhë, atë shqipe dhe turke. Gjithashtu është një nga institucionet e rralla të edukimit primar që ofron mësim për fëmijë të shurdhër. Nga viti 2014, ky objekt është në listën e trashigimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.