Gjimnazi “Sami Frashëri”

I ndërtuar mbi rrënojat e shtëpisë së Sylejman Efendisë, gjimnazi “Sami Frashëri” dikur njihej si gjimnaz turk. Me hapjen e Shkollës Normale në vitin 1941, në këtë ndërtesë  filloi për herë të parë edhe mësimi në gjuhën shqipe. Përveç rëndësisë së tij arsimore, gjimnazi i jipte një dimension estetik a la franga Prishtinës së para Luftës së Dytë Botërore. Dizajni i ndërtesës është tre krahësh në formë të shkronjës “U”. Ndërsa pjesa qendrore është e dallueshme me motivin “avant-corpse”, e që zakonisht e gjejmë në ndërtesat e periudhës së Barokut. Përgjatë viteve 1955-1989, gjimnazi kishte marrë emrin e heroit jugosllav të Luftës e Dytë Botërore, Ivo Lola Ribar, dhe në ndërkohë ishte shpallur gjimnaz shumë-gjuhësh. Emri aktual, “Sami Frashëri” i është vënë në vitet e ‘90-ta, kur arsimtarët dhe nxënësit shqiptarë u larguan nga ndërtesa dhunshëm nga regjimi i Millosheviqit. Mësimi në gjuhën shqipe vazhdoi në shtëpitë-shkolla, gjegjësisht në shtëpinë e familjes së Herticëve. Pas luftës së vitit 1999, komuniteti shqiptar u kthye në objektin shkollor, dhe tani mësimi mbahet në gjuhën shqipe, por përfshinë edhe mësimin në gjuhën turke.