E ngritur në vitin 1978, në vendin ku ka qenë qendra e qytetit të vjetër, Banka Popullore e projektuar nga Millan Tomiq, Millan Pavlloviq dhe Svetlla Putiq ishte deklaratë e një kohe të re dhe të begatshme. Moderniste në stil, fasada e saj transparente me xhama me linja horizontale ngjyrë blertë mori frymëzim nga distriktet bankare perëndimore. Platoja rreth saj, e hapur për këmbësorët, lidhi ndërtesën me Kuvendin, Postën Qendrore dhe Institucionin e Sigurimeve Shoqërore. Për shkak të dyshimit se Zyra Qendrore e Postës po shërbente si bazë ushtarake serbe, ndërtesa u bombardua gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe si pasojë ndërtesat përreth u dëmtuan rëndë duke përfshirë edhe Bankën Popullore. Më pas, ndërtesa iu nënshtrua transformimeve serioze dhe platoja u mbyll për këmbësorët. Sot, banka e dikurshme shërben si godinë kryesore e qeverisë.