Petrit Bejdoni

Prishtinë | Date: 12 shkurt, 2018 | Duration: 4 minuta

Petrit Bejdoni (1988), punëtor social, Gjakovë


Aurela Kadriu (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Petrit Bejdoni

Petrit Bejdoni: Unë jom Petrit Bejdoni. 30 vjet, sociolog. Sociologjinë e kom kry. Punëtor social.

Aurela Kadriu: A mundesh me na tregu a të kujtohet ose qysh e kujton verën e vitit 2007?

Petrit Bejdoni: Kur përmenet në kontekstin me pavarësinë, më kujtohet Plani i Ahtisaarit. Më kujtohet qysh tri-katër herë u shkru e u rishkru veç me iu përshtatë interesit të Rusisë e Serbisë për me e ba nji marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, po që nuk u bo ma në fund. Me plot trazina, me plot protesta. S’dishim a është mirë a është keq, s’dishim çka është plani i Ahtisaarit. Dikush e dojke, dikush s’e dojke. Kështuqë qato ma kujton

Aurela Kadriu: A e man n’mend kur ke ni për herë të parë, ose kur e ke kuptu për herë të parë që ka me e shpallë pavarësinë Kosova?

Petrit Bejdoni: Po qatëherë në fund të 2007-ës, kur si ma në fund nuk u bo, s’po realizohet, s’dishim a është mirë a s’është mirë. Tani domethonë kah fundi i janarit, fillimit të shkurtit ia nisi me u përdorë si term që ka me u shpallë pavarësia.

Aurela Kadriu: E ku ke qenë ditën e pavarësisë?

Petrit Bejdoni: Unë vij prej Gjakovës po atë ditë jom kanë në Prishtinë se banoj, jetoj edhe punoj këtu. Po atë ditë jom kanë këtu edhe e kom pa nëpërmjet televizionit. Unë kom qenë i vogël në kohë të luftës edhe me nji vend si Gjakova që është shumë i shkatërrum edhe i ndikum prej luftës, përnime u kanë nji ndjenjë e përzime. Sinqerisht nuk jena gëzu, e kena ditë që nuk ka me kanë lule të nesërmit. Ka pasë nji tollovi në qytet si zakonisht në atë kohë që për senin ma të vogël u bojshin tollovi edhe dasma e sirena të veturave kështu festë pa nevojë ndoshta në do raste, ndoshta në raste tjera me nevojë se në mungesë të festave qysh e shprehim krejt. Kështuqë jom kanë në Prishtinë edhe e kom pa në televizor.

Aurela Kadriu: A na tregon ma gjansisht çka ke ndje qat’ ditë, çka ke bo atë ditë masi që u shpallë, a mban në mend, çka ke menu?

Petrit Bejdoni: Diqysh pak a shumë u kanë nji lloj ndjenje sikur kur ka hi NATO, nuk dishe a me u gëzu, a përfundoi, e tash a ndreqet nesër, çka po ndodhë? Po gjithmonë këto momente historike që kanë ndodhë nashta në këtë periudhë të kthejnë mbrapa edhe me kujtimet e luftës, edhe me hekat që kena kalu. Si fëmijë i vogël, jo me vetëdije të plotë, po me nji përceptim prej kandit tem ashtu të luftës, edhe t’i sjellin qato kujtime, edhe nuk din a me u gëzu, a me u trishtu, a po bohet nesër mirë tash kur çohem në mëngjes, çka ndodhë masi u nënshkru? Mirëpo t’u konë i qasshëm, edhe t’u konë aktiv, si i ri aktiv nëpër punë edhe organizata të ndryshme e kem ditë edhe nuk jena gëzu, e kem ditë që nuk ka me ndodhë kurgjo nesër, nesër kem me vazhdu me rutinën e njëjtë, nesër kem me i pasë të njëjtit udhëheqës, nesër kem me i pasë të njëjtat probleme edhe ma shumë të cekuna. Kështuqë njifarë forme jemi gëzu pak si fallc, jena gëzu…Bile më kujtohet kemi dalë me festu në mbramje me shokët e mi, kemi dalë ma shumë me festu si pjesë e presionit që krejt kanë dalë me festu, jo pse na ka ardhë me festu po…se e kem ditë në ndërdijen tonë që nesër nuk ka me ndodhë kurgjo edhe na kena me pasë problemet e njëjta.

Aurela Kadriu: Falemnderit shumë!

Petrit Bejdoni: Falemnderit juve!

Download PDF