Panikë. Panikë. Panikë.

Nga Renea Begolli

Unë jetoj me familjen me nji banesë në Prishtinë. E kom nji motër që është dy vjet ma e vogël se une edhe një vëlla, ai është në klasën e katërt, kështu që ai është ma i vogli. Java kur filloi mbyllja ka qenë e pakjartë, se filloi njifarë panike në familje. Sidomos babi filloi me u brengos, “Jo, mos po mshelën krejt vendet, s’kena me pasë bukë”. Atë e kaploi panika e miellit. E mu m’u doke e çuditshme krejt kjo, nuk mujsha me pranu. Në momentin kur vendosën m’u mbyllë, unë kom qenë jashtë, kisha dalë edhe gjithçka ke normal. Kur u ktheva në shtëpi, prindërit më pyetën, “Ku je? Nesër mbyllën shkollat, krejt fakultetet, nuk po dihet çka është ka bohet”.

Kjo situatë ishte shumë e çuditshme. Ishte vështirë me mendu që, “Okej, po mshelën amo çelën mas nji jave”. Për prindërit ishte nji përgjegjësi ma e madhe, se ishte ai aspekti bukës. Shpesh na thojshin, “Ju s’e keni përjetu luftën, ju nuk e dini qysh është me qenë pa kurgjo hiç. Tash qysh me ia bo që po mshelën dyqanet?” Kjo ka qenë njifarë panike. Kur u mbyll fakulteti, diqysh ke pak çuditshëm se krejt shpejtë gjithçka ndodhi, sot ishim aty edhe të nesërmen u tha, “Jo, mos hajdeni!” Përderisa prindërit i kapi panika e bukës, mu më kapi panika e materialeve të punës, se unë krejt i kisha në fakultet.

Shkova në fakultet me kqyrë a muj m’i marrë materialet. Rojet thanë, “Tash po e mshelim edhe nuk e dijmë mo kur ka m’u çelë”. E po më kujtohet që e kom pasë njifarë dhjetë minutëshi me panikë në klasë, ku veç kom mbledhë çka kom mujtë. Do pëlhura që i pata të thata, do ngjyra, do brusha, një çantë veç sa me mujtë me funksionu. Në banesë kisha shumë ma pak materiale, veç do elementare. Këto tre vjet e fundit unë vetëm në fakultet kom punu piktura, ideja mos m’i pasë ato, mu më kapi panika, çka tash? Kjo ke fillimi, t’u mos ditë çka ka me ndodhë, nuk dishim as qysh me reagu aq shumë, çka tash? Krejtve na dukej diçka shumë momentale që ka me zgjatë disa ditë edhe ka m’u kry. Por nuk shkoi ashtu, mbyllja shkoi t’u zgjatë, e t’u zgjatë.

Në fillim dukej si njifarë pushimi i zgjatun. Mami nuk punon, vetëm babi shkon në punë. Atij i dukej pak si pushim, krejtve i dukej si njifarë lloj pushimi. Tani filloi me m’kap njifarë panike, sa ka me zgjatë kjo? Njifarë panike ndaj pasivitetit edhe nuk më pëlqejke veç me ndejt. Mandej fillum me mbajtë veten aktivë brenda familjes. Marrëdhëniet i kemi të tilla që konstant bëjmë gjana bashkë. Sidomos vëllau gjithë merret me organizime familjare. Ai i ka idetë e veta dhe thotë, “Hajde po bojmë diçka?” I ka do kuize që i organizon. Kemi koncerte familjare që veç hajde me u mbledhë edhe me ia bo atij qejfin, por edhe na mes veti me kalu pak kohë bashkë.

Kur filluan aktivitetet online, filloi m’u vërejtë stresi. Në përgjithësi u rrit presioni, krejt jetën që e kemi bo jashtë, filloi me u koncentru brenda shpisë. Edhe dinamika mes neve ndryshoi. Për shembull, ishte problemi i hapësirës, të gjithëve na duhej hapësira personale. Hapësira në banesë nuk mjaftojke që secili me pasë qetësi, sepse ishte hapësirë jetuese, jo hapësirë për me mbajtë ligjerata edhe për me punu. Kjo menjiherë e krijoi një dinamike shumë ma ndryshe.

Mu filloi me më pëlqy mësimi online, sepse mujsha me qenë pjesë e ligjeratave. Profesorët fillunë me qenë ma aktivë. Ka pasë landë që s’i kemi mbajtë deri në atë moment në mungesë të klasëve, profesorëve ose organizimit. Tamam i zhvillojshim do landë siç duhet, por që ua kisha ndje mungesën deri në atë moment. Kjo më motivojke me qenë edhe ma produktive, se përveç kësaj që e bojsha për qejfi tash kisha detyra specifike që i kryjsha. Filloi me më pëlqy sepse mësojsha shumë prej tyne. E kisha mundësinë me pasë nji komunikim me profesorë që deri në atë moment nuk e kishim pasë. E çuditshme, por nuk kishim qasje.

Në këtë periudhë, ata nuk kishin obligim tjetër përpos me dalë para kamerës edhe me folë me studenta. Kështu që, na ofrojshin mësimin që është dashtë me na ofru në normalitet. Në fillim kjo më pëlqejke se mujsha me ndjekë. Po tani me kalimin e kohës, filloi m’u bo pak si shumë. Njifarë plan—programi i ngarkum, shumë landë, detyra, puna, obligimet tjera. Filloi kadal—dale, ajo koha që e kisha për veten me u zhdukë, dhe deri në maj u zhduk komplet. Mirëpo, unë dojsha me i mbrri krejt këto punët që i kisha, se më pëlqejshin detyrat që m’u jepshin, edhe krejt ajo dinamikë e mësimit.

Fakti që mbaheshin online edhe unë isha pranë llaptopit prej mëngjesit deri në mbramje, kjo më shkaktojke shumë lodhje fizike edhe psiqike. Fillova m’u bo shumë pasive t’u ndejt tonë kohën para llaptopit. Edhe për motrën edhe për vëllaun gjithçka ndodhke online. Për shembull, vëllau i kishte në mëngjes me kqyrë në televizor spjegimet e mësimeve. Njifarë atmosfere interesant, “Çu se mësuset në televizor!” Najhere i përcjellshim edhe na. Tani filloi edhe ai me mbajtë mësimin në platformën zoom, aty u takojshin krejt klasa. Interesant, për shembull, tu ia uru dikujt ditëlindjen edhe krejt ata fëmijët në zoom t’u knu ose t’u mbajtë aktivitete. Për vëllaun fillimi ke i mirë, po tani puna e detyrave na ka shkaktu mjaft probleme edhe kjo ndikojke keq.

Thjeshtë, ai nuk ishte i interesum në çka mësohej, nuk i pëlqejshin detyrat çka u jepshin, nuk gjejke kurrfarë interesimi. Tani i kishte dhe ai afatet e dorëzimit të detyrave, kjo krijojke njifarë panike edhe brenda neve. Na tu i thonë, “Boni detyrat!” E ai tu refuzu. Kjo është diçka që përnime e mbajë në mend se ka ndiku në përgjithësi, u krijojke nji situatë palidhje. Na tu e detyru vëllaun me i bo detyrat, ai t’u mos dashtë me bo detyra. Tani kolektivisht angazhoheshim me ia bo detyrat, kjo shkaktojke dembeli te ai. Kështu që, çdo ditë rreth orës 19:00, ka qenë njifarë momenti i panikës për m’i dorëzu detyrat në 18:59, pak para se me kalu afati se ma vonë mësusja nuk i pranojke.

Kohën për dalje prej një orë e gjysmë nuk arrijsha me shfrytëzu çdo ditë, sepse kisha angazhime, detyra ose ndonjë ligjeratë. Kjo ndikojke shumë keq kur nuk mujsha me dalë, kisha nevojë pak me pasë nji shkëputje prej krejt ambientit të brendshëm. E nëse najhere dilsha veç me ecë pak, prapë kjo e ecmja ma jepke nji ndjenjë shumë të keqe të zbraztisë. Jom mësu me pa Prishtinën gjithmonë të mbushun, me njerëz t’u kalu. Për shembull, pamja nga ballkoni gjithmonë ka kerre, kolona, tash ishte zbrazët, si me pa nji vend tjetër. Kisha nevojë për këtë ecje, po në anën tjetër ishte njifarë qyteti ndryshe ku nuk ishin njerëzit, ndërsa hapësirat si sheshi ishin të bllokume, të rrethume me shirita. Kështu që, veç sa me thonë, “Ok, dola!” Prapë ndjenjë e izolimit, se edhe vet qyteti ishte në karantinë.

Kur ndodhi drama politike, konstant e kemi ndjekë, ishim mjaft të informum. Atëherë kanë qenë edhe protestat prej ballkonit. Politikën e kom ndjekë shumë në fillim, se nuk mujshe pa u interesu çka po ndodhë. Mirëpo, u bo e tepërt, ra qeveria, filloi njifarë jo stabiliteti. Edhe une e vërejta që kjo po më lodhë shumë, m’u doke si me kqyrë najfarë telenovele. Nuk e kuptojsha çka është ka ndodhë veç ma shumë u krijojshin drama, sesa ndonjë zgjidhje konkrete.

Mandej fillova me kqyrë veç lajme ma të përgjithshme. Si është gjendja? Sa janë të infektum? A u gjetë vaksina, a po dihet, a ka ndonjë zhvillim? Kjo ma shumë më interesojke, sesa, “Ai tha këto, ky e boni këto”. Dukej njifarë harxhimi i kohës, krejt e panevojshme edhe nuk na ndimojke në asnji mënyrë. Fillova me u distancu prej sallonit, sepse gjithmonë ishin t’u folë disa analista, edhe veç u bojsha nervoz me sendet çka u diskutojshin. Tani thjeshtë iu thashë prindërve, “Okej, kqyrni ju, kur të kryhet më lajmroni”. Unë nuk mujsha, më jepke stres shumë të panevojshëm. Ata t’u pasë debate të pakuptimta në mes veti edhe t’u mos e ngu njoni—tjetrin, t’u mos ofru kurrfarë zgjidhje, t’u thonë veç fjalë të kota.

Te dhoma jem është njëfarë hapësire e ballkonit që e kemi izolu. Para fakultetit ajo ka qenë vendi jem i punës, po tani jom bartë në atele të fakultetit. E këtu e kisha si njifarë shpajzi. Kur u mbyllëm gjatë pandemisë m’u deshtë prapë m’u kthy. E shfrytëzojsha sa mujsha se vendi është shumë i vogël, u mbush tash edhe me sende, nuk kisha fort hapësirë. Isha konstant aty për me pikturu. Zakonisht e kom pasë të shtuneve që ia kom përkushtu pikturës edhe jom marrë veç me punime për veti. Ditëve tjera isha ma shumë t’u marrë me detyra edhe me sende të fakultetit. Ballkoni ishte nji hapësirë që më ndihmojke me pa jetën jashtë, nëse dojsha pak me dalë jashtë, ajo ishte njifarë hapësire e cekët ku mujsha me marr ajër prej jashtit. Definitivisht më mundësojke një shkëputje prej hapësirës tjetër të banesës.

Zakonisht skicat edhe vizatimet i kom të ngjashme me njena—tjetrën. Instiktivisht pikturat janë t’u kriju me një stil pak ma ndryshe prej skicave. Skicat i punoj konstant, por zakonisht skicat që i filloj për pikturë ndërrohen komplet. Prej skicave nxersha elemente, tani në ato elemente vazhdojsha me i përpunu tutje. E qysh më ka shku procesi ma herët ka qenë, i fillojsha disa punime në të njejtën kohë. Për mu ka qenë me rëndësi hapësira ku punojsha, sepse u shpërndajsha nëpër klasë edhe nëpër vende të ndryshme edhe e fillojsha njo, punojsha, iu kthejsha tjetrës, deri sa ajo u terke, dhe kështu më pëlqejke. E t’u mundu m’i nxjerr ato forma, t’u eksperimentu me ngjyra.

Përgjatë mbylljes kjo shumë më mungojke, se prej ateliesë mjaft të madhe që e kom pasë, hina me njifarë vendi që veç nji hap ma mbrapa mujsha me bo për me pa tanësinë e punimit. Kjo mjaft shumë më pengojke. S’mujsha me e pa mirë se pëlhura e madhe, kështu që vend nuk kisha. E për këtë arsye fillova ma shumë në letër me punu. Kjo më pëlqejke. E kom punu nji lloj cikli, nja pesë punime, nji reflektim i andrrave. Në atë kohë fillova me i pa do andrra shumë intenzive, ato u mundojsha me i definu edhe i punojsha si skica. Tani ato skica i kom kthy në vizatime, se përndryshe skicat që i punojsha në piktura nuk më ndihmojshin, nuk më pëlqejke si u reflektojke.

Në këtë kohë i shihsha andërr hapësirat e fakultetit, po ishin shumë ma ndryshe, do koridore shumë të gjata, i shihsha njerëzit që nuk i kom pa tepër moti. E shihsha nji figurë me dorë të zezë edhe ajo më ka mbetë. Prej asaj periudhe fillova me e vizatu nji figurë me dorë të zezë edhe tash ajo ka vazhdu me qenë pjesë e vizatimeve. Kom pa andrra me dollapa, koridore. Zakonisht m’u përsëritshin motivet. E vërejta që në andrra fillunë m’u zhvillu shumë enterieret.

Zakonisht më inspirojnë andrrat sepse janë njëfarë reflektimi shumë ma i thellë i përditshmërisë. Shoh motive të përditshme, dhe prej asaj çka mbajë në mend mundohem me i interpretu. Mendojsha që përmes tyne po mundem pak me reflektu edhe për këto që jom tu i përjetu në këtë mbyllje, ndoshta mu me më jep pak kuptim. Mbyllja ndikoi mjaft, ndodhi shumë shpejt edhe nuk pata shumë kohë me procesu krejt situatën, se m’u duke shumë e pamundur deri në momentin kur ndodhi. E tani u mundojsha me i jep kuptim përmes punimeve. Skicat më ndihmojshin me i zhvillu punimet edhe me kalu kohën në ballkon me muzikë edhe veç t’u mundu me nxjerrë figura.

Ka muaji mars, prill, shkrepsha fotografi, xhirojsha video brenda shpisë, për shembull dikush t’u mësu, dikush në kuzhinë. Nuk e mendojsha si një lloj dokumentimi, “Okej, kjo ka me qenë diçka”, por bëja fotografi të ballkoneve që më bënin përshtypje, sidomos disa përballë ndërtesës që i kom. Nji ballkon e kom në sy, se është shumë i thatë edhe doket sikur nuk jeton kërkush aty, po gjithmonë veç nji teshë është që ndrrohet brenda ditës. Për nji periudhë e kom përcjellë përafër atë ballkon, se më dukej si njifarë shtëpie e shpirtërave.

I kisha do ideja, por prapë në atë kohë isha shumë e vetëdijshme çka jom t’u përjetu. E kishe vetëdijen që jom tu e jetu nji moment që ndoshta edhe shumë shpejt ka me kalu. Nuk e dishe, ishte sot për sot, por prapë shkojke veç t’u përsëritë. Kjo ishte një përsëritje e kohës, por në të njejtën kohë e hupi krejt kuptimin. Harrojshe çfarë ditë e javës është ose në çfarë muji je, një humbje kohe që filloi me u ndje t’u qenë brenda. E në këtë formë u mundojshim me xhiru video, me shkrep fotografi brenda shpisë. Nji kohë shumë patëm bo, po tani edhe këto aktivitete u zbehën, se kjo periudhë zgjati shumë.

Gjatë kësaj kohe kom fillu projekte online që me mbajtë vetën aktive. E kemi pasë nji projekt me nji profesor, bashkë me të dhe studenta tjerë patëm fillu me shkru nji libër. Ka qenë një proces mjaft interesant që filloi dikun ka fundi prillit edhe vazhdoi deri në korrik. Do të thotë, çdo mbramje rreth nji orë e gjysë u mbledhshim nji grup i studentave, që si projekt nuk ka qenë në kuadër të fakultetit. Kjo ka qenë diçka që veç e patëm fillu për qejfi edhe propozojshim tema. Ideja ka qenë që dikush fillojke, tjetri e vazhdojke mendimin.

Ka qenë njifarë procesi interesant, se asnjeni prej neve nuk merret me shkrime edhe nuk është që njiheshim aq mirë mes veti. Përgjatë këtij procesi u zhvillum, fillum me ia ditë mendimet njeni—tjetrit, se duhej me përcjell procesin sesi i krijojshim ato mendime. Përpos fakultetit, detyrave që fillunë mos me pasë kuptim, do fillunë me pasë, dhe kjo ishte diçka krejt e re për neve, sidomos me atë profesor që nuk u patëm taku asnjeni prej studentëve ma herët, për shkak të problemeve administrative, e nisëm një projekt t’u mos u njoftë, por krejt kjo u zhvillu përmes komunikimit online.

Definitivisht ka dalë diçka shumë abstrakte. Ndonjiherë s’kishte kuptim se dikush vazhdojke diçka krejt ndryshe prej mendimit paraprak. Por u kriju njifarë lidhje në mes neve studentave në aspektin e temave që u trajtojshin, se reflektojshin në mënyrë ma ndryshe përpos artit pamor. Tash fillum me shkru për përvojat që i jetojshin. Dikush i shkrujke dy—tri fjali, nji paragraf, diku deri në pesë minuta edhe tani dikush tjetër thojke, “Po e vazhdoj une”. Edhe veç në këtë formë tu ia vazhdu fjalitë njeni—tjetrit, u krijojke nji tekst. Çdo ditë për dy muj gati e kemi pasë këtë proces.

Tash që nuk jemi në karantinë është nji përgjegjësi ma e madhe, secilit po na bjen me dalë, po mundohemi gjithmonë me u rujtë. Jemi të vetëdijshëm që nuk është njejtë sikur kur kemi qenë të mbyllun. Unë e kom përgjegjësinë për prindër ma shumë se për veti. Shumë moshatarë të tyne kanë humbë jetën, për mu ka qenë vështirë me pa këtë. Kom ndëgju për shumë shokë të babit që kanë qenë në spital në gjendje mjaft të keqe. Ndoshta jo vetëm prej koronavirusit, por ajo u lidhke tani me sëmundje tjera. E vërej te prindërit nji frikë ma të madhe. Kjo ka qenë dhe është njifarë përgjegjësie që m’u rujt për ta ma shumë. Për veti ndoshta s’e kaloj ose e kaloj, por e di që unë e kom shëndetin shumë ma të fortë për me përballu virusin.

Fatmirësisht, na s’kemi pasë kontakte të afërta me familjarët që janë infektu. Kemi pasë frikë për ata pjesëtarët e familjes që kanë qenë të infektum, madje e kemi pasë njo ma të vjetër që ka ndërru jetë. Normal, në momentin që është infektu e kemi ditë që ka me qenë vështirë për të me shpëtu. Por prapë është përnime ndryshe kur je e vetëdijshme për krejt përvojat që i kalon nji person, vjen nji virus edhe e mund. Kjo e rritke përgjegjësinë për neve. Përndryshe, për mu ka qenë ma lehtë me përballu prej momentit që kemi fillu pak me dalë, se mo nuk mujsha me përballu këtë mbyllje.

Definitivisht, ka qenë njifarë periudhe jo e lehtë. Mirëpo, përgjithësisht ka qenë produktive. Kom pasë mundësi me mësu shumë sende edhe me pa shumë sende, po në të njejtën kohë mbyllja ka qenë shumë ma e shprehun. Kurrë ma e izolume s’jom ndi për veti, por edhe në raport me Kosovë. Kom pasë me shku në Amerikë gjatë kësaj kohe, kom prit nji kohë të gjatë me pasë nji ndërrim edhe me përjetu diçka të re. Me vizitu muze dhe galeri. E tash ky bllokim, gjithçka po ndodh veç online. Kjo më ka afektu sepse isha shumë ma e vetëdijshme që kom me mbetë këtu edhe për nji kohë. Shumë kom pasë nevojë me pa diçka, me përjetu diçka të re që më ndihmon si krijuese, me pasë nji proces personal edhe m’u zhvillu si njeri.


Renea Begolli (1998) është artiste pamore nga Prishtina. Në pikturat, vizatimet, dhe video artin e saj të inspiruar nga kujtesa dhe jeta e përditshme, objekte dhe ëndërra, Begolli hulumton pytjet rreth izolimit dhe mungesës së lirisë së lëvizjes në hapësira mentale dhe fizike. Së fundi, ajo ka prodhuar një video art të titulluar “Loja e Pritjes” për ekspozitën e kuruar nga Blerta Hoçia, “Additions” dhe “Infrared” të organizuar nga Fondacioni 17 në Prishtinë dhe Mitrovicë, në shkurt 2020. Në dy vitet e fundit, puna e Begollit është shfaqur në vende të ndryshme të regjionit. Ajo tani studjon pikturën në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe punon si kameraperson dhe montazhere.