Pjesa e Shtatë
Anita Susuri: Zoti Nuhi, ju keni punu nifar’ lloj iniciative për me bo ni grup të xhirimit kur kanë fillu në Drenicë kto ngjarjet, kur ka fillu lufta. Nëse mundeni për kta me na tregu?
Nuhi Bytyçi: Po. Pas bejetës së njohur të Likoshanit dhe të Çirezit me 28 shkurt të vitit ‘98 dhe pastaj pas epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandatin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në Prekaz me 05, 06 dhe 07 mars të vitit po ashtu ‘98. Opinioni botëror u informua për kto zhvillime dramatike të cilat paralajmëruan ni luftë t’hapur, luftë frontale në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake dhe policore serbe.
Kshtuqë Kosovën e vërshuan shumë media botërore kurse në Televizionin Shqiptar nuk kishte imazhe nga ekipi i Televizionit të Prishtinës që punonte në Prishtinë për lajmet e Televizionit Shqiptar. Unë nuk isha pjesë e atij ekipi. Mirëpo si gazetar m’dukej se po rri kot në shtëpi edhe s’po bëj asgjë për ta informu opinionin se çka po ndodhë në të vërtetë në Drenicë. Kshtuqë mora iniciativën që ta, të gjej mundësitë për krijimin e një ekipi të xhirimit për të gjetur ni kameraman, ni kamerë dhe për të shkuar në Drenicë vet dhe për të raportuar dhe për të realizuar ndonjë dokumentar lidhur me kto ngjarje.
Kshtuqë mora n’telefon Xhafer Shatrin, ministrin e informatave të Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe i thashë, “Xhafer, Televizioni Shqiptar nuk ka imazhe nga Kosova po shërbehet me imazhet e mediave t’huja. Lufta osht’ intensifikuar dhe ne kemi obligim si gazetar dhe ju si Ministri e Informacionit të gjeni mundësi për të krijuar një ekip xhirimi dhe për të sjellë imazhet e ekipit tonë nga Drenica”. Xhaferi e përkrahu mendimin tim. Tha, “Do ta gjej një kamerë digjitale edhe kasetat edhe”, tha, “ju në bashkëpunim me Migjen Kelmendin”, i cili ishte shef i redaksisë së Televizionit të Prishtinës në Prishtinë për Televizionin Shqiptar. “Në marrëveshje me Migjenin gjeni ni kameraman”.
Bisedova me Migjenin, i tregova për bisedën me Shatrin edhe Migjeni përkrahu idenë time edhe tash ishte përpjekja që t’sigurohet ni kameraman. Disa kameraman ishin jashtë Kosove, disa ishin jashtë Prishtinës në Mitrovicë e qytete tjera. Kshtuqë kisha vështirësi edhe ta siguroj kameramanin. Ndërkohë pas disa konsultimeve, disa koleg të Televizionit të Prishtinës përmes Qemajl Hasanit, ish drejtorit të përgjithshëm të RTP-së e sigurova numrin e telefonit të vllaut të tij, Sadik Shaborit i cili ka qenë kameraman në Televizionin e Prishtinës. Ai jetonte në Mitrovicë n’atë kohë.
E marrë n’telefon Sadikun i them, “T’lutem”, se nuk dojsha me folë n’telefon mos po përgjohen bisedat atëherë. I thashë, “Kom ni punë shumë me rëndësi nëse munësh me ardhë në Prishtinë, me pi nga ni kafe, m’u konsultu”. Sadiku erdh në Prishtinë. Shkuam në Kafe Dora ktu në Prishtinë biseduam. I tregova për çka e kom thirrë e përkrahu iniciativën time. Tha, “Unë jam i gatshëm vetëm gjeje kamerën”. E gjetëm kamerën edhe meniherë kom shku jom marrë vesh me Sadikun që nga Prishtina të nisemi me autobus. Jemi nisë me autobus për Mitrovicë.
Kur kom mrri në Nedakovc ka qenë ni punkt famkeq i policisë serbe aty. Filloj kontrolla e udhëtarëve. Unë nuk tregova që jom gazetar normalisht se kta kërkonin akreditimin. Akreditim ne s’kërkonim n’atë kohë, Ministria e Informatave të Serbisë. Kshtu kalova pa pasoja. Mrrina në Mitrovicë. U takum me Sadikun, me Halit Baronin edhe me ish luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani dëshmor i kombit, Agim Rrahim Ramadani. Me prejardhje nga Prekazi i Epërm i Drenicës me vendbanim në Mitrovicë.
Kshtuqë bashkarisht me ta jemi nisur dhe kemi shkuar në Polac fillimisht. Pastaj kemi bo plane që të xhirojmë rreth Prekazit të Ulët dhe Prekazit të Epërm. Në atë kohë Prekazi i Ulët ishte i rrethuar i tëri me forca policore dhe ushtarake serbe. Ishte e pamundur me hy në shtëpi të Jasharëve. Kshtuqë kemi bo përpjekje prej lagjes së Prekazit të Epërm atje kemi ba disa imazhe. Aty m’kujtohen imazhet Shkollën Azem Bejta edhe kemi fillu nga poshtë te shtëpitë afër Jasharëve. Atje nga largësia kemi marrë disa imazhe. Kemi marrë disa rrëfime shumë interesante nga Bahtije Jashari që ka qenë kojshi e familjes së Adem Jasharit. Edhe disa rrëfime tjera…
Anita Susuri: Çka kanë tregu ata?
Nuhi Bytyçi: Kanë tregu për ngjarje për 05, 06, 07 marsin çka kanë pa aty krejt. Tmerr çfarë veprimi kanë bo policia serbe natën. Ishin ato rrëfime tronditëse për mu, të cilat i kemi regjistru me kamerën e Sadik Shabanajt. Pastaj i kemi regjistru edhe rrëfimet e tjera edhe për pjesëmarrësit e betejës së Likoshanit dhe Çirezit. Atje kishin vra edhe gra shtatzana, fmi, pleq. Kshtu kemi realizu ni dokumentar me titull Sërish Drenica. Unë e kom lexu tekstin, e kom shkru tekstin. E kemi montu bashkë me Migjen Kelmendin dhe Ekran Dobergjanin dhe Ergyn Dobergjanit në shtëpinë e Dobergjanëve në Arbëri.
Ishte dokumentar që pasqyronte ato ngjarje në Prekaz edhe Likoshan. Pastaj edhe rrëfimin e historianit Zekerija Cana për kto ngjarje. Dhe kshtu përgatita ni dokumentar t’cilin e transmetuam në Televizionin Shqiptar. Kjo ishte do të thotë puna e parë që e bëm për betejën Epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz dhe Likoshan dhe Çirez. Ndërkohë, meqenëse Sadiku ishte në Mitrovicë, ishte e pamundur tash unë nga Prishtina me çarkullu niherë në Mitrovicë e Drenicë e tjera. Kshtuqë bona përpjekje ta siguroj ni kameraman tjetër ktu në Prishtinë dhe t’nisemi bashkë nga Prishtina.
Kur na ftoj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut me Shaban Shalën, i cili ka qenë nënkryetar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në nivel të Kosovës. Më informoj Shabani që ai tash osht’ aktiv në kuadër të zonës operative të Drenicës dhe ai shprehi gatishmërinë që t’na ndihmoj për të xhiruar imazhe në Drenicë dhe në zona të tjera. Bisedum me Shabanin dhe ndërkohë unë e sigurova bashkë me Migjen Kelmendin kameramanin e rregullt Abaz Zekën. I cili ishte ni kameraman i studios por kishte vullnet të jashtëzakonshëm për të ardhë bashkë me mu dhe për të xhiruar gjithë ato imazhe nga Drenica, pastaj nga Llapusha, nga Anadrenija, nga Dukagjini, nga Llapi, Shala dhe zona të tjera të luftës.
Në bashkëpunim me disa shokë që ndihmonin me logjistikë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me të cilët unë takohesha në Prishtinë, Shaban Hoxhën, Profesorin Ymer Halimin. Pastaj me Zenel Kastratin, Sali Zariçin dhe disa të tjerë. Kshtuqë u morëm vesh që ata t’na ndihmojnë me na siguru transportin për të shkuar në Drenicë. Ni ditë bashkë me Shabanin, Profesorin Ymer edhe Zenelin u nisëm në drejtim të Drenicën bashkë me Abazin. Ni mbrëmje ata kishin marrë me veti edhe ni kombi në të cilin vendosë edhe ni aparat të rentgenit të cilin e dërgonin në spitalin ushtarak të UÇK-së në Likoc.
Ne ishim me ni makinë tjetër. Kemi depërtuar, kemi kaluar Fushë Kosovën kemi hyrë nga ajo pjesa Guri i Plakës që i thojnë në drejtim të Dritanit, ish Dubroshevcit. Kemi shkuar, kemi kaluar në pjesën e Drenicës afër Drenasit në Baicë. Prej Baicës pastaj aty kemi takuar për herë t’parë Musa Jasharin në uniformë të UÇK-së. Ishte ni përjetim i veçantë për ne. Pastaj kemi shku në Obri të Epërme në familjen e Hajdin dhe Afrim Hysenaj. Ku ishte ni pjesë e luftëtarëve, komandantëve të UÇK-së. Aty kemi takuar për herë t’parë Komandant Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevë Lladrovcin.
Pastaj jemi takuar edhe me Rexhep Selimin, kemi biseduar me Rexhep Selimin, Ilaz Selimin dhe disa luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Biseda kishte të bënte që ne jemi, unë e Abazi jemi t’gatshëm m’i xhiru të gjitha imazhet që janë të randësishme për t’i prezentuar në Televizionin Shqiptar. Në atë kohë nuk kishte ende qëndrim nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndonjë gazetar me kamerë t’vijë edhe të xhiroj gjitha zhvillimet në zonat e luftës.
Kshtuqë bisedum me Rexhep Selimin, tha, “Ne”, tha, “kemi shumë vrejtje në informimin që e bën Televizioni Shqiptar që e bën për luftën në Kosovë. Atje”, tha, “po raportohet kinse popullata shqiptare po e mbron pragun e shtëpisë e nuk po thuhet që po lufton Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Unë i thashë, “Po m’vjen keq”, thashë, “Rexhep”, thashë, “po unë nuk jom pjesë e redaksisë edhe nuk kom dhanë informacione të tilla. Kshtuqë pikërisht për atë kom ardhë unë ktu me xhiru, me raportu në mënyrë objektive çka po ndodhë, kush po lufton, për çka po lufton”.
Ndërkohë jom takuar me Musa Jasharin. Musa m’thotë, “Nuhi”, thotë… na aty kemi fjetë edhe kemi bisedu me Fehmi Lladrovcin gati tërë natën për zhvillimet në Kosovë. Fehmiu ishte ni idealist i jashtëzakonshëm, një luftëtar komandant i vendosur, njeri i gatshëm për t’u flijuar për lirinë e Kosovës. Bile aty ato ditë unë s’e kisha ditë e kishe dhënë ni intervistë për BBC-në edhe kishte kasetën origjinale të intervistës dhe e lshum aty në videon. M’ka fasionu paraqitja e tij publike për BBC ku thoshte, “Unë me dëshirë ma t’madhe do të vdisja për lirinë e Kosovës, ku me pasë atë fat me vdekë për lirinë e Kosovës”.
Kshtuqë unë mora ni vullnet edhe une që si gazetar t’kontriboj në afirmimin e luftës për liri dhe pavarësi. Ndërkohë thashë, Musa Jashari m’tha, “Nuhi”, tha, “ni shok i yti”, tha, “po ka dëshirë me të taku”, tha, “shok i studimeve në Likoc”, tha, “osht’”. Po s’po ma tregon emrin fare, don me ma bo si befasi. Unë i kisha pasë disa shokë të studimeve nga Drenica po nuk e dija saktë kush mund t’jetë. Shkum aty bashkë me Musa Jasharin në Likoc edhe kur e takoj ni shok t’studimeve, Avdullah Qorraj nga Tica e Skenderajt.
Ishte i angazhuar në Këshillin e Emergjencës në zonën operative të Drenicës. I ndihmonte luftëtarët e lirisë me ushqim, me karborante me t’gjitha nevojat logjistike që kishte nevojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kshtuqë bisedum aty u takova edhe me Sami Lushtakun dhe Samiu si Samiu i tregova thashë, “Ende Shtabi i Përgjithshëm nuk paska ndonjë vendim se kush duhet të raportoj”. Samiu ishte i gatshëm tha, “Unë mund t’jep intervistë kur t’dush”, thashë, “Du me marrëveshje me punu, nuk du pa marrëveshje”.
Kshtuqë ndërkohë kemi bo marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm dhe unë edhe Abazi kemi pasë pëlqimin nga Shtabi i Përgjithshëm që për t’gjitha zhvillimet që ndodhin në zonat e luftës ne të jemi ata që raportojmë në mënyrë profesionale për zhvillimet e luftës në Kosovë. Ndërkohë, takoj Shaban Shalën, i cili ishte përgjegjës për moral dhe informim në zonën operative të Drenicës. Shabani na ka ndihmuar shumë me mjete logjistike duke na siguruar çarkullimin e lëvizjes në zona të luftës.
Kshtuqë vendosëm bashkë me Shabanin, tha, “Unë ka me shku”, tha, “Nuhi në Ratkoc të Rahovecit”. Atje ishte vra nipi i, Muhedin Morina. Tha, “Nëse doni me ardhë mund t’ju marrë me makinë”, thashë, “Koka rast i mirë shumë me shku edhe unë në Drenoc të Rahovecit”. Atje kisha dhëndrin e familjes tonë Jusuf Gashin, i cili ishte i angazhuar në mënyrë aktive në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Jom shku bashkë me nipin, me djalin e Isuf Gashit, Florim Gashi i cili n’atë kohë ishte gazetar në Revistën Zëri.
Bashkë u nisëm n’drejtim të Malishevës edhe kur u ofrum te Gryka e Llapushnikut po na tregon Shabani thotë, “Në maj të vitit ‘98 ktu ka qenë ni betejë shumë e ashpër mes forcave të UÇK-së dhe forcave policore serbe”. Po na tregon krejt çka ka ndodhë. Aty ishte ni pizgaver i forcave serbe, të cilin UÇK-ja e kishte dëmtuar dhe ishte i djegur dhe s’kishin arritë as forcat serbe ta tërheqin. Kshtuqë për ne ishte ni rast i mirë që ta xhirojmë pizgaverin. Unë e luta Shabanin thashë, “Shaban, osht’ mirë ni deklaratë”, në uniformë ishte Shabani, “ni deklaratë”, thashë, “me dhanë çka ka ndodhë në maj të ‘98-tes për atë betejë”.
Shabani tha, “Nuhi”, tha, “osht’ mirë marrëveshjen me Shtabin e Përgjithshëm se ashtu jemi marrë vesh mos m’u prononcu askush niherë derisa”, se hala s’ishte caktu zëdhënësi i UÇK-së. Unë thashë, “Po xhirojmë kta pastaj unë ndërkohë merrna vesh me Shtabin e Përgjithshëm, s’besoj që do t’kemi problem”. Shabani foli për ato ngjarje edhe ne u nisëm në drejtim të Malishevës…
Anita Susuri: M’fal, veç ni pytje e kom…
Nuhi Bytyçi: Po.
Anita Susuri: Kur kanë folë ata, a kanë pasë maska?
Nuhi Bytyçi: Jo, Shabani ka dalë kshtu me ftyrë me dalë, me ftyrë, “Edhe emrin”, tha, “qitma, lirisht. Vetëm duhet m’u marrë vesh me Shtabin e Përgjithshëm”. Jo, s’ka pasë maskë. Ka qenë eprori i parë që ka dalë publikisht. Vazhdojmë ne rrugës për Malishevë, Abazi merr disa imazhe nga makina aty edhe bisedën nga Shabani, bisedën në mënyrë t’lirë. Mbrrijmë në Malishevë, xhirojmë në mbramje. Xhirojmë atë stacionin e policisë në Malishevë, aty ishin UÇK-ja në Malishevë, nuk ishin policia serbe, nuk kishte n’atë kohë. Ishte territor, qendër e territorit t’lira.
Vazhdojmë rrugën për Drenoc të Zatriqit. Kemi mrri në Drenoc të Zatriqit. Jom shku te Jusuf Gashi kom bisedu me Jusuf Gashin. Aty pashë që ishin shumë luftëtar të UÇK-së edhe nga Rahoveci edhe nga viset e tjera. Nuk kishte vend ku me fjet te Jusuf Gashi, ishte aty vajza e axhës e martune për Jusuf Gashin, Dada Selë. Kshtuqë tha, “Shkoni”, tha, “te Bedri Zymberaj”. Edhe ai ishte i angazhun në UÇK edhe njihesha me Bedriun, babën e Bedriut Bajramin. Aty kemi shku unë e Abazi kemi bujtë ni natë, kemi bisedu.
Të nesërmen Florim Gashi, nipi jonë, tha, “Dajë”, tha, “hajde ktu te shpija jonë”, tha, “se së shpejti pritet me ardhë ni njeri shumë i rëndësishëm për UÇK-në”. Nuk tregonte as për emrin, as për pozitën e tij se qashtu ishte ajo kohë. Unë nuk pytsha ma tepër. Isha i vetëdijshëm që mos ta marrin si provokim. S’kanë shku disa minuta edhe ka ardhë Hashim Thaçi. Aty për herë t’parë e takoj Hashim Thaçin, nuk e dija kush osht’ as çfarë pozite ka.
Kemi bisedu, i tregova, thashë, “Unë kom ardhë me kontaktu me përgjegjësit e Shtabit të Përgjithshëm edhe nëse ju pajtoheni mund, unë edhe Abazi jemi për me ndihmu me i xhiru gjitha ato imazhet që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës por edhe me jetën e civilëve edhe me zhvillimet që ndodhin në zonat e luftës”. Hashimi e ka përkrahë idenë time edhe tha, “Së shpejti Shtabi i Përgjithshëm do t’merr vendim për caktimin e zëdhëndësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Bile në atë kohë, sipas mendimeve të tyre, ata kishin mendu në Prishtinë me publiku, zëdhënësi m’u paraqit nga Prishtina. Po ka analizu rrethanat e asaj kohe dhe ka vendosë që zëdhënësi të paraqitet nga Shtabi në Kleçkë dhe Devjakë. Kshtuqë tha, “Ma jep telefonin”, tha, “edhe unë t’lajmëroj. Kur ta marrim vendimin, kur t’caktohet zëdhënësi i UÇK-së”, nuk tregonte kush. Tha, “Unë ju marrë n’telefon edhe mirremi vesh”.
S’kanë kalu ni javë ditë edhe Hashim Thaçi ni mbramje t’vonë ka thirrë në telefonin e shtëpisë time, banesës time edhe receptorin e telefonit e ka ngrit Arianiti, djali. M’tha, “Babi”, tha, “po t’kërkon studenti”, se ashtu u morëm vesh. Tha, “Me shifër t’thom studenti ose Bashkimi”, tha, “dije që unë jom”. Kto kanë qenë pseudonimet e tij n’fillim. Unë e dita, s’i tregova Arianitit çka se ishte ashtu që nuk mund të tregohet as familjes as kërkujt, me majt diskret.
Tha, “Nuhi”, tha, “a munësh me ardhë nesër”, tha, “me dalë në Grykën e Llapushnikut me u taku”, tha, “te pllumi”, bash ashtu po m’thotë. Unë thashë, “Po bon hajgare, ku me zanë pllumin n’hava”, a din (qeshë). Pseudonimi i Komandant Ferat Shalës ka qenë Pllumbi, Njësiti Pllumbi, ka qenë komandant i Njësitit Pllumbi. Tha, “Ti lype pllumbin, mos ki gajle ta gjojnë ushtartë aty”. Ata ty të presin. Thashë, për me qenë i sigurt, se ishte luftë edhe m’i thanë nesër, nëse s’muj me ardhë nesër atëherë ishte ma problem. Thashë, “P’e lojmë për masnesër se bisedoj me kameramanin a munet nesër e mos ka ndonjë obligim ose ka ndonjë pengesë. Duhet edhe makinën me siguru kush na çon deri atje”.
Kshtuqë sigurova unë makinën, Zenel Kastrati tha, “Unë iu çoj, pa problem”. Edhe Abazi ka ardhë me mu. Masnesërmen jemi nisë në drejtim kah Magurja edhe kemi hy aty në fshatra kah Nikoci edhe fshatra që të shpijnë për Grykë të Llapushnikut, po jo nga rruga kryesore do të thotë rrugë anësore. Kemi mrri atje në pozicione të UÇK-së në male të Llapushnikut. Aty kemi takuar disa luftëtarë të UÇK-së. M’kujtohet si sot ka qenë Shefqet Buqaj nga Lladrovci, Komandant Msusin të cilin e njifsha dhe e kena mik t’familjes.
Pastaj, Shani Hotin e kisha djalin e dajës t’babës edhe ishte në uniformë të UÇk-së. Kshtuqë meniherë hasa në njerëz të më njifshin edhe i njifsha. Thashë, “T’lutem a po na siguroni Komandant Pllumbin”, thashë, “se kshtu e kemi ni marrëveshje”. Kanë thanë, “Po, tash ju dërgojmë te Komandant Pllumbi”. E kemi marrë rrugën në drejtim të Arllatit. Aty kemi, në anë të djathtë rruga për Negroc që shkon, aty pa shku te shtëpitë e Jakup Krasniqit, knej hyrjes t’fshatit Negroc. Kemi taku në ara Ferat Shalën, i cili u prezentu me emër, me mbiemër.
Tha, “Nuhi”, tha, “unë jom Ferat Shala, Komandant Pllumbi”, tha, “unë ty t’njoh prej xhaxhallarëve t’mi Beqirit edhe Islamit”, t’cilët kishin qenë mjeshtër, kishin punu në Arbëri te ni shok i imi, kishin punu në shtëpinë e tij. Kshtuqë u kriju ni raport shumë i mirë mes meje edhe Feratit. Tha, “Zëdhëndësi”, tha, “jom i informuar që keni me bo intervistë me zëdhëndsin”. Jakup Krasniqi ishte caktuar zëdhëndës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe zëdhëndësi donte, sipas marrëveshjes me Hashim Thaçin, donte që për herë t’parë t’paraqitet në Televizionin Shqiptar e pastaj në mediat tjera.
Pritshin ato ditë gazetarët e BBc-së, CNN-it, Zërit të Amerikës, Deutsche Welle edhe media tjera. Por ishte qëndrimi që fillimisht për hrë t’parë t’paraqitet në Televizionin Shqiptar. Ky ishte ni nder dhe respekt i veçantë që mund t’mu kishte bërë mua personalisht dhe Abaz Zekës. Kshtuqë e morëm me shumë përgjegjësi që ta kryjmë këtë detyrë. Aty kemi shkuar në shtëpinë e Halim Krasniqit, ku ka qenë të vendosur ni pjesë e Shtabit të Njësitit Pllumbi. Pastaj kemi kontaktu me Kadri Veselin për herë t’parë edhe tha, “Tash mund të shkoni”, edhe na caktun, nuk tregohej vendi ishte i msheft, mbahej sekret vendi. “Mund t’shkoni”, tha, “me xhiru”.
Erdh për me na marrë Hysenaj, ka qenë ni i burgosur politik, shok i Jakup Krasniqit. Ai me makinë na ka marrë na ka dërgu deri në hyrje të fshatit Tërpezë. Aty t’u shku rrugës po i thom, “Ku po na çon komandant?” Tha, “Në Likoc”, tha, “po shkojmë”. Unë në Likoc isha kanë para do ditëve që tregova edhe tash e disha që… thashë, “Jo po m’vjen keq”, thashë, “Likoci knej s’osht’”. Ishte rruga për Malishevë kah ana ime atje, kah fshati im. Thashë, “Mos bon hajgare”, tha, “Qy zoti gazetar, mos pyt ku po shkojmë”, tha, “se osht’ sekret nuk deshtëm me ua lidh sytë me shami”, tha, “osht’, janë do vendime sekrete nuk duhet me tregu vendin se osht’ situatë shumë e rrezikshme”.
Kshtuqë unë nuk fola masanej, e pashë situatën qysh osht’. Vetëm i tregova që nuk osht’ qiknej Likoci. Aty kemi shku në Terpezë te ni depo me materiale ndërtimore edhe ka ardhë edhe Haxhi Shala nga Shtabi i Kleçkës edhe na ka marrë me makinë të tij na ka çu në Kleçkë. Ishte mbramje vonë krejt. Ishin ato rrugë, për herë t’parë në ato rrugë kisha shku. Ni vend shumë fantastik. Kleçka është ni vend piktoresk. Ishte qershori domethonë ‘98, pikërisht me 13 qershor. Në orët e para të 14 qershorit, do të thotë pas mesnatës, me 14 qershor ‘98 i bëjmë përgatitjet bashkë me Abazin.
Tham, “Ku kemi me xhiru?” Ishte ni si lloj ode e vogël aty, pranë odës së madhe ku rrishin ushtarët. E kishin qit’ ni tavolinë, ni kompjuter edhe ishte ni oxhak. E kishin punu në mënyrë me gur shumë bukur. Ishte ajo prapavija aty edhe kemi fillu me testu zanin, ndriçim nuk kishim edhe mikrofon po ashtu special s’kishim. Ni kamerë digjitale Sonny e vogël edhe unë frikësohesha që nëse nuk na del xhirimi mirë do t’bohemi hor. Tash e dishim që ata mund ta marrin edhe mediat botërore, atë intervistë. Po qato ishin kushtet tona n’atë kohë.
Bile ata luftëtarët tentun që të sigurojnë diçka. Do drita t’luleve aty, n’ballkon aty. Po ato s’bojshin punë se ishin shumë ashtu me kapacitet t’vogël. Po mirë, kamera digjitale nuk kërkohej shumë ndriçim edhe kemi xhiru intervistën. Aty bile mas Jakup Krasniqit u paraqitën me armë moderne Fatmir Limaj edhe Ferat Shala. Unë thashë, “Çka po kërkojnë ata mrapa teje aty?” Tha, “Qashtu është vendimi i Shtabit të Përgjithshëm”, tha, “duhet me dalë”. Thashë, “N’rregull, ju vendosni”. Po tash unë u frikësojsha a e transmetojnë Televizioni Shqiptar a jo. Ato ishin probleme tona tjera.
Qëndrimi i shtabit ishte që ata t’dilnin në prapavijë. Jakupi ma bon mu tha, “Nuhi, cilat janë pytjet që do t’mi bësh?” N’atë situatë ishte ni nder që m’bënte mu që si gazetar i parë ta intervistoj zëdhëndësin e UÇK-së, mirëpo nëse unë dal edhe identifikohem kush jam, frikësoheshim. Bisedum edhe me Jakupin thashë, “Unë jom i gatshëm me ju ndihmu juve, po nëse identifikohna edhe shkoj në Prishtinë, mu mujnë me më arrestu edhe unë s’muj me ju ndihmu juve kurgjo mas ksaj”. Kshtuqë vendosëm… unë i kisha shkru pytjet, thashë, “Qito përgjegjësh qito pytje”.
Për çka lufton UÇK-ja? Kush e ndihmon UÇK-në? Kush e financon UÇK-në edhe disa aspekte tjera në renin e dëshmorëve. Ka përkrahje nga faktori ndërkombëtarë e tjera e tjera. Kshtuqë Jakupi u pajtu me propozimin tim që unë t’mos shihem bashkë me të në ekran. Ai të fliste vet. Kshtuqë si dihet ajo paraqitja e Jakup Krasniqit ishte shumë dinjitoze. Edhe n’fund kur mbarova intervistën, unë thashë, “Kjo osht’ ngjarje historike”, thashë, “du me rreziku”, thashë, “du me bo ni fotografi s’paku me Bacën Jakup si Zëdhënës i UÇK-së”.
E luta Abazin edhe tjerë aty që ishin, me neve ishte edhe Kadri Veseli aty edhe Fatmir Limaj edhe Ferat Shala. Thashë, “Ma bon ni fotografi”, thashë, “po rrezikoj. Filmin nashta s’ma zanë, do ta mshefi edhe ta zhvilloj pas luftës ta kem si kujtim për pas luftës nëse arrijmë t’kemi fat me shpëtu”. Sot e kom atë fotografi, e kom mbrojtë për kujtim. E kom çu me zhvillu te ni shok i imi se s’mujshe gjithkund me çu me zhvillu filmin. Ktu e ka pasë në Qafë bile, Bashkim Mula, e ka pasë Art Photo, jo, Top Photo. Thashë, “E kom ni film të posaçëm mos i trego kërkujna”. E ka zhvillu filmin e ka bo fotografinë. Prapa aty i ka dalë kush i ka ba. Ata e kishte të skanune Top Photo.
Masanej ka thirrë m’ka thanë, “Osht’ mirë”, se ishte rrezik shumë, t’mos kishte pasoja edhe ai. Thotë, “M’i bjen ato fotografi t’i boj do tjera pa logon e Top Photos”, edhe ashtu ka ndodhë, me të vërtetë ka qenë ashtu. Ishte ni situatë shumë e vështirë, t’gjithë kishim dëshirë t’punonim, t’kontribonim mirëpo rreziku përmanent ekzistonte. Tash, ne e montum këtë paraqitjen e parë publike të zëdhënësit. Nuk kishe çka me montu qashtu qysh osht’ xhiru e kemi dërgu, vetëm e kemi bartë në kasetën Beta camp EXP.
Unë e kom marrë kasetën kom shku te Agjensia Turistike Meti Turs. Atëherë çarkullonte për nga Prishtina për Tiranë, tri herë n’javë. Pastaj edhe Beli Turs edhe disa kompani tjera. Po atë ditë ishte radha e Meti Tursit edhe nuk e kisha pronarin e kompanisë, shkova n’zyre aty vetëm ai kish qenë. E mbylla derën edhe thashë, “Unë jam”, filan fisteku, thashë, “kom ni material shumë me rëndësi nëse mundesh me na ndihmu me çu në Tiranë”. Po m’pytë ai, tha, “Çka ka Nuhi?” thashë, “M’duhet me qenë shumë i sinqertë”, edhe i tregova.
Me i thanë ka muzikë ose ka humor ose diçka me ia zanë policia atëherë ishin pasojat shumë t’mdhaja. Thashë ma mirë m’i tregu drejtë edhe le t’vendosë a guxon me kry këtë obligim. Kur i kom tregu që osht’ paraqitja e parë publike e Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, u step. I ka ardhë mirë po ishte, ishte shumë situatë e rrezikshme, gjendje e rrezikshme. E mori atë kasetë edhe me bo me bo me zanë policia pasojat ishin t’mdhaja për shoferin edhe për udhëtarët, për t’gjithë. Mirëpo Ahmeti, Ahmet Kaqiu tha, “Nuhi”, tha, “s’mundem”, tha, “me t’kthy”. E thirri shoferin Elmi Gashi ka qenë nga Hajvalia.
Elmiu tha, “Po unë e çoj nuk frikësohna”, tha, “unë e çoj”, “Me ia dhanë Asllan Bajramit”, thashë, “në Tiranë edhe kërkujt mos i kallxo tjetër kurgjo”. E ka marrë kasetën edhe e ka përzi me ato kaseta tjera të muzikës që kanë qenë aty në atë fatrollë për mos m’u dallu që osht’ kasetë tjetër, formati tjetër. Kshtuqë e ka kry detyrën Ahmet Kaqiu edhe Elmi Gashi. E kanë dërgu kasetën në Tiranë. Kshtuqë me 15 tetor në mbrëmje në lajmet e orës 06:30 minuta është transmetuar për herë t’parë paraqitja e parë publike e Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit. E cila ka pasë ni jehonë të jashtëzakonshme. Jo vetëm në opinionin shqiptar po edhe në atë botëror.
Kshtu me këtë punë që e bëm unë e Abazi ne e dham provimin edhe fitum besimin te Shtabi i Përgjithshëm që ne jemi t’përkushtuar edhe jemi t’gatshëm dhe krijum bindjen dhe besimin e plotë të Shtabi i Përgjithshëm që ne mund t’vazhdojmë bashkëpunimin drejt informimit profesional, objektiv nga zonat e luftës. Çka t’them tjetër? Ktu Asllani ka shkurtu pak bisedën sidomos atë pjesën ku flitet Ushtria Çlirimtare e Kosovës bazën e themelimit e ka në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe se funksionimin e UÇK-së e ndihmon Fondi Vendlindja Thrret.
Për shkak se n’atë kohë Qeveria Bukoshi kontrollonte Televizionin Shqiptar dhe financonte dhe kontrollonte. Kshtuqë kjo u pa se aty Qeveria Bukoshi ka ndikim edhe në Televizionin Shqiptar. Mirëpo me randësi ishte që paraqitja e parë publike e zëdhënësit u realizua me sukses, u transmetua. Si thashë, ne pastaj vazhdum punën me Abazin dhe shkuam në Shtabin e Përgjithshëm për të bërë skenarin sipas idesë sime për ni emision të posaçëm dokumentar kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ato ditë ishte vrarë komandanti, luftëtari, Imer Krasniqi në Duhle të Suharekës dhe ishte vorrimi i tij në Carallukë të Malishevës. Ne me Abazin shkum atje, i xhirum kto imazhet ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës e prapa ushtarëve të UÇK-së ishte ni lum i tërë i njerëzve prapavijë. Kshtuqë ato imazhe kur i kemi plasuar në Televizionin Shqiptar edhe mediat botërore edhe në BBC, televizioni serb thonte kjo nuk është e mundur është montazhë. Nuk i besonin atyne pamjeve. Ato nuk ishin montazhë po ashtu ishte e vërtetë që ishte ni lum i tërë i njerëzve t’cilët ishin n’radhë pas shumë luftëtarëve të UÇK-së që kishin ardhë për t’i bërë nderimet e merituara bashkëluftëtarit të tyre, dëshmorit Imer Krasniqi.
Kshtuqë ne bëm planin bashkë me drejtuesit e UÇK-së, sidomos me Jakup Krasniqin i cili ishte shumë bashkëpunues, ishte shumë korrekt po edhe me Fatmir Limën. Xhiruam imazhet e para të betimit të UÇK-së në, në Kleçkë. Në ni lendinë, në ni arë që ishte me ni pozitë që nuk dallohej pastaj ai vend, e kishim qëllimin që mos m’u hetu cili vend osht’, ashtu e bom planin e xhirimit bashkë me Abazin. Atëherë e sigurum edhe ni stativ për kamerë nga Foto Nesha, na dha Foto Nesha edhe ni mikrofon t’vogël. Kshtuqë kemi xhiru me ni kamerë kemi xhiru betimin edhe zërin edhe pamjet. Ishte ni betim, momente shumë prekse, shumë emocionuese.
Aty n’rresht ishin përveç djemve më t’mirë ishin edhe vajzat ma t’mira që iu kishin bashkangjitë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Drenica, nga Llapusha edhe viset e tjera. Kshtuqë kemi bërë ni punë shumë të rëndësishme bashkë me Abazin aty edhe e dojshim që ai betim të dalë sa më mirë. UÇK-ja të paraqitet dinjitoze. Aty bile kemi bisedu para se me xhiru këtë betim, bisedum me Jakup Krasniqin. Unë i thashë, “Baca Jakup”, thashë, “kom ni propozim që përshëndetja e UÇK-së mos t’bëhet me grusht”. Sepse n’atë kohë deri vonë përshëndetjet i bënin me grusht sikur Ushtria e Shqipërisë në kohën e Enver Hoxhës.
Nuk ishte pritur mirë ky stil i përshëndetjes në opinion. Ngjitshin pastaj epitete, kta janë marksista lininista e tjera e tjerë. Kshtuqë i thashë bacës Jakup thashë, “Osht’ mirë me qenë përshëndetja në stilin amerikan, Ushtrisë Amerikane”. Baca Jakup u pajtua plotësisht, tha, “Kemi biseduar edhe për këtë mënyrë po hala s’kemi marrë vendim defenitiv po përkrahim propozimin tënd”. Kur kemi xhiru betimin në Kleçkë është xhiruar në stilin amerikan {shpjegon me duar, dorën tek koka}. Kshtuqë ka dalë ni xhirim i mirë.
Edhe ishin momente që për mu edhe për Abazin ishin momente shumë t’randësishme. Sepse për herë t’parë merrnim pjesë me ni betim të Ushtrisë së Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të cilën ishin bashkangjitur edhe vllezërit dhe motrat nga të gjitha viset etnike shqiptare, jo vetëm nga Kosova po edhe nga Shqipëria edhe nga Maqedonia edhe nga Presheva edhe nga Mali i Zi edhe nga Diaspora e kshtu me radhë. Aty t’u bisedu për këtë emision mora vesh që n’mesin e luftëtarëve është edhe Komandant Kumanova, Ismet Jashari.
Atëherë emrin nuk ia përmendshin thojshin veç Komandant Kumanova. Mu m’la përshtypje ajo thashë, “Shumë mirë”, thashë, “meqenëse koka nga Kumanova unë kom propozim që ai t’jetë aty n’xhirim në betim edhe ta marrë ni deklaratë prej tij”. U pajtun t’gjithë drejtuesit e UÇK-së që të inxhizohet betimi në praninë e Kumanovës. Bile Kumanova aty bashkë me Fatmir Limën ia dhanë raportin Musa Jasharit i cili n’atë kohë ishte komandant i zonës operative të Pashtrikut.
Pasi i krym xhirimet e betimit, e marr thom, “Kumanovë”, thom, “ti m’i thanë disa fjalë. ‘Jom nga Kumanova, kom ardhë me ju bashkangjitë vllezërve t’mi nga Kosova, luftojmë për çlirimin e Kosovës edhe t’gjitha viseve shqiptare, bashkimin e t’gjitha viseve shqipare’”, ashtu ka qenë teksti i betimit. Nuk ishte shumë orator po ishte ni luftëtar i vendosur edhe për mu ishte moment shumë, shumë i rrallë që në atë dokumentar ta përfshij edhe ni luftëtar nga Kumanova. Ashtu e realizum me sukses.
Ndërkohë duke shku për të xhiru ni dokumentar për territoret ilire në Kosovë bashkë me Shaban Shalën, kemi shku në Jashanicë të Klinës. Aty kemi hasë për herë t’parë në ni oficer karriere Gjeneral Agim Qelën. I cili kishte ardhë nga Gjermania iu kishte bashkangjitë në mënyrë vullnetare Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ni oficer me akademi ushtarake. Kishte ni pamje impozante. Uniforma i kishte hije edhe qëndrimi edhe ishte orator.
Kshtuqë aty kur u takum, tha, “Nuhi”, tha, “osht’ zonë shumë e rrezikshme ktu, ki kujdes se janë forcat policore shumë afër, keni kujdes. Duhet m’u sjellë me ni kujdes të veçantë sepse mund të rrezikoheni gjatë xhirimit”. Kemi xhiru disa imazhe aty dhe pastaj jemi kthy, jemi kthy në Kleçkë atje dhe po ashtu kemi informu ata të Shtabit të Përgjithshëm që është mirë edhe ni intervistë me pasë edhe me Gjeneral Agim Qelën dhe janë pajtuar plotësisht. Sepse ai ishte pjesë e Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe në Luzhnicë ato ditë qershori realizum ni intervistë të shkurtër me të, po ishte ni paraqitje dinjitoze e tij.
Tha, “Unë kom ardhë”, tha, “nga perëndimi, kom hasë ni vullnet të jashtëzakonshëm te t’ritë, t’rejat, te populli dhe jom optimist se liria do t’vijë”. Kshtuqë s’i harroj kurrë atë paraqitje të tij. Pastaj kemi ba edhe ni intervistë me Bislim Zyrapin i cili ka qenë shef i Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pastaj kemi realizu edhe disa biseda tjera edhe me Jakup Krasniqin, ni bisedë t’veçantë për këtë dokumentar. Pastaj, me Hasit Jasharin i cili ishte komandant i policisë ushtarake i zonës operative të Drenicës.
Pastaj kisha dëshirë që edhe vajzat e reja t’i përfshij në atë dokumentar. Kemi përfshi Irfete Spahiun, e cila ishte ni luftëtare e guximshme. Tani osht’ gjeneralja e parë e Ushtrisë së Kosovës, e forcave të Sigurisë së Kosovës. Pastaj kemi pa ato imazhet aty disa ushtrime në Kleçkë me Valbona Morinën, Xhemile Jasharin dhe disa vajza Bukurije Zogun e të tjera. Të cilat ishin krahas vllezërve të tyre nga Drenica dhe Llapusha. Kto ishin emisionet e para, do të thotë, kanë qenë emisione dokumentare për Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pastaj territoret e lira ka qenë ni emision tjetër i veçantë. Kemi xhiru në Malishevë, kemi xhiru në Rahovec. Kemi hy, atje ka qenë shumë rrezik në Rahovec me hy me xhiru hymjen e Rahovecit sepse punkti i policisë serbe ishte deri vonë te rrasat e Rahovecit. Por ato ditë kishte pasë sulme nga njësiti i UÇK-së, fshatit tim Shkoza. Ata ishin larguar nga ato pozicione. Kshtuqë ne patëm rastin që t’hyjmë të xhirojmë edhe ni pjesë të Rahovecit. Pastaj kemi qenë edhe në Runik të Skenderaj.
Aty mund ta përshkruj ni moment, ka qenë shumë rrezik për mu edhe Azabin edhe Shaban Shalën. Sandokani ka qenë, Komandant Sandokani, Ramadan Kaqkini, Jetullah Geci edhe disa luftëtar të tjerë të cilët na kanë shoqëru aty. Për ni moment ne fillum të xhirojmë aty, te ni pozicion i UÇK-së dhe forcat serbe na kishin hetuar dhe me snajper na kanë sulmuar dhe është xhirimi dokumentar, dëgjohet plumbi i snajperit. Po fati ka deshtë që kemi shpëtuar nga më e keqja.
Them se janë do momente të papërshkrune por vullneti, gatishmëria jonë për t’punuar, për t’sakrifikuar dhe për të paraqitur ato imazhe të ni ushtrie pro perëndimore, ni ushtrie që nuk është ushtri terroriste, organizatë terroriste po ushtri që lufton për lirinë e Kosovës. Nuk ka asgjë ndaj popullit serb po lufton kundër regjimit të Millosheviçit, kundër dhunës, kundër terrorit serb mbi popullatën civile shqiptare. Kshtu kemi bo përpjekje që, që jo të bëjmë propagandë po me të vërtetë ta paraqesim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ashtu siç ishte.
Ni ushtri që kishte përkrahjen e pa rezervë të popullit, ni ushtri të cilës i ishin bashkangjitur kryesisht student të Universitetit të Prishtinës, ni ushtri që po ashtu e drejtonin kryesisht ish studentët e Universitetit të Prishtinës, intelektualët e Kosovës dhe ni ushtri e cila ishte në koordinim të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me diplomacinë europiane. Dhe kishte arritur që ta fitonte përkrahjen edhe të faktorëve ndërkombëtarë.