Një botë e vogël vetëm për ne

Nga Arjeta Shehu

Në fillim kur e gjithë kjo pandemi filloi nuk e besoja që do të merrte masa të tilla dhe do të kishte kaq shumë pasoja për mua dhe mbarë botën. Unë si mësimdhënëse dhe nënë e dy fëmijëve që e vijojnë shkollën fillore, në fillim kam qenë e kapluar nga një panikë. Ҫka do të ndodh, sa do të vazhdoj kjo gjendje edhe sa raste do të shtohen, kam qenë në një ankth dhe shqetësim të madh, sidomos për prindërit e mi që ishin në moshë të shtyrë, dhe jo aq të dëgjueshëm sepse në fillim pandeminë dhe virusin nuk e morrën seriozisht. Pra nga njëra anë, puna ime që kërkon shumë përkushtim, nga njëra anë fëmijët, nga njëra anë shqetësimi për prindërit. E gjithë kjo ma ka vështirësuar shumë gjendjen shpirtërore.

Kur erdhi njoftimi që po ndërpriten shkollat atëherë më është dukur si diçka shumë serioze dhe aty e kuptova që sikur e gjithë bota as ne nuk do të shpëtojmë lehtë prej virusit COVID-19. Para se ta ndërprejmë mësimin, pasi që jam mësuese e klasës së katërt, vinin mjaft prindër për vizitë dhe i shpalosnin brengat e tyre, pyesnin se çka do të ndodh nëse ndërprehet mësimi. Por, sinçerisht nuk dija se çfarë t’ju thosha sepse askush nuk dinte asgjë. Ishim totalisht të papërgaditur, dhe brenda vetes doja që e gjithë kjo të ishte vetëm një farsë sikur që shumica rreth meje tashmë e mendonte. Kishte shumë teori konspiracioni që virusi është vetëm një trillim, që mua më është dukur absurde, megjithatë gjithkush e ka mendimin e tij.

Kur erdhi lajmërimi isha e shqetësuar edhe më shumë, fëmijëve që ju jepja mësim i këshillova që të ushtronin dhe të punonin fillimisht pak me prindërit, sepse nuk e dija si do të funksiononte mësimi larg klasës. Me fëmijët e mi punoja dhe mundohesha të mos i ekspozoj shumë me lajme që të mos bëjnë panikë dhe të mos shqetësohen, sepse e vërejta që ishin pak të frikësuar. Megjithatë, unë dhe bashkëshorti jemi munduar t’i mësojmë se çka është pandemia dhe që nëse jemi të kujdesshëm do të largohet pa bërë shumë rrëmujë. Ndërsa, kur filloi mësimi në distancë isha tejmase e ngarkuar me punën, me detyra, më ushtrime edhe duke i ndihmuar fëmijët e mi por edhe duke bërë rolin tim si mësuese. Pothuajse dymbëdhjetë orë jam e angazhuar duke pritur detyrat, duke dhënë detyra e duke kontrolluar e të tjera. Pasi që kjo është më e mira për fëmijët e mi dhe të tjerët do të mundohem që të mos mbesin mbrapa.

Në fillim shqetësim i imi ishin edhe prindërit e mi, të cilët jam munduar me mish e me shpirt t’i bind që të mos dalin jashtë dhe të mos komunikojnë afër me miqtë e tyre dhe mos t’ia zgjasin dorën njerëzve. Kjo për ta ishte e papranueshme dhe sjellje jo e mirë. Por, me siguri duke parë rritjen e numrit të të infektuarve dhe duke dëgjuar informacionet nga institucionet përgjegjëse si dhe duke ju folur ne e kuptuan mirë se si duhet të veprojnë. Pra në fillim, javët e para ishin kaotike por pastaj na mbeti vetëm t’ju bindemi urdhrave të Qeverisë dhe të mos ekspozohemi. Karantinën nuk është që e kam shijuar shumë për relaks sepse kam qenë mjaft e zënë edhe si zonjë e shtëpisë edhe si nënë por edhe si mësuese. Mirëpo, prapë kam gjetur kohë për t’u ulur në oborrin tim për të pirë kafe duke lexuar diçka apo thjesht duke biseduar me bashkëshortin.

Pra në traditën tonë gjithmonë është dikush që vjen për të bërë shoqëri në shtëpi, apo ne dalim me shoqërinë apo takohemi me familjarët tonë, por tani ishim vetëm fëmijët, bashkëshorti dhe unë, ishim ne katër. Jetonim për njëri-tjetrin, i ndihmonim njëri-tjetrit, bisedonim, luanim me fëmijët, e bëmë një botë tonën të vogël. Kur dilja jashtë asaj bote të vogël, pra jashtë për të blerë apo për ta përfunduar ndonjë punë ndihesha dhe ende ndihem në siklet. Pasi që shumë njerëz janë të papërgaditur dhe nuk i jepin shumë rëndësi distancës sociale. Pra kjo më jepte një lloj pasigurie dhe prandaj nuk dëshiroja të dilja aq shumë për të kryer obligimet, këto detyra ia dhashë bashkëshortit. Konsideroj se rreziku është ende këtu, por shpresoj që së shpejti do t’i kthehemi normalitetit, edhe pse për momentin e kam humbur sensin se çka është realiteti.


Arjeta Shehu është mësuese në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren. Znj. Shehu ndau me ne tregimin e saj në vetën e parë rreth përvojave përgjatë karantimit të COVID-19 pandemisë. 

 

Ilustrimi nga Renea Begolli