Pjesa e Tretë
Përqafimi i Lëvizjes Antifashiste… i turmave po flas për Gjakovën, jo për naj vend tjetër, se nuk e di. Ka qenë aq i madh sa dihet, fashistët Gjakovën e kanë qujtë Moska e Vogël. Italianët i thojshin “Piccola Moskva”. Tash do ta ilustroj edhe me diçka tjetër të viteve t’60-ta. Pllenumi i Katërt i Lidhjes t’Komunistëve të Jugosllavisë. Po e vazhdoj kto, masanej…
Emin Duraku me shokë, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Alush Gashi, Xhevdet Hamza, Enver Pula, Xhavit Nimani me vllazën e motra, e shumë të tjerë nëpër Kosovë, e kanë përqafu’ si luftë shumë të drejtë për çlirimin kombëtar dhe social. Që masnej me ndrrimin e raporteve, murr kahje paksa anti-popullore. Kto anti-popullore lexoni anti-shqiptare. Se, ishte koha e nji frymëmarrjeje tjetër.
U hapën shkollat, deri te universitetet edhe Akademia e Shkencave që ishte pengesë e shovenistëve serbë. Që bijke ndesh me ideologjinë e kishës ortodokse serbe e cila sot udhëheqë politikën shtetnore serbe, edhe sot. Kryetari i shtetit serb duhet të betohet në librin e shenjtë ortodoks {zgjatë dorën sikur të jetë mbi libër}, pro-sllav, qysh t’dush m’i thonë. Osht’ punë e tyne! Puna jonë osht’ t’punojmë për vetveten, jo kundër tjerëve. Megjithëse kjo si e tillë, na ka kushtu’ dhe na ka rrudhë aq sa jemi. Për shkak të njifar tolerance pak të teprume.
Musa Dobruna: Me ia nisë për msusët?
Jeta Rexha: Po.
Musa Dobruna: Mas fillimit të luftës në Jugosllavinë e atëhershme që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botnore për ne, grupe qytetarësh që për çfarëdo arsye i kanë tkundë Shipninë gjatë periudhës së Jugosllavisë Mbretënore ktheheshin. Një pjesë e tyne n’krye me Emin Durakum, Fadil Hoxhën, Hysni Zajmin, Xheraldin Hanën, Hajdar Dushin, dhe nji plejadë musish të tjerë, Zeki Shehu për shembull daja i Pajazit Nushit erdhën dhe e fillun hapjen e shkollave shqipe. Kjo ndodhi diku në maj të ’41, ishte periudha maj ’41. E maj n’mend që n’shkollë jom regjistru’ si dhetë vjeçar n’klasën e parë fillore. Dhe më ka regjistru’ Jusuf Puka. Osht’ interesant me e përmen Jusuf Pukën për shkak se ka qenë edhe msus i babës tim (qeshë). Dhe vjen, e ban regjistrimin na ndajnë klasët, germat e para, shkronjat e para siç doni me ju thonë, m’i mson Haki Taha të cilin e kanë vra pastaj Shërbimi Sekret i Serbisë, atëhere i Jugosllavisë. Dhe e kanë lonë kinse ai e ka vra Milladin Popoviçin, çka nuk ka qenë e vërtetë. Dhe, masnej ndërrohen msust sipas nevojës që ka qenë dhe vjen puna deri te Zeki Shehu m’mson, ai vdes shpejt. Dhe na ndrroheshin msust shumë shpejt. Prej të gjithëve kemi msu’ se Lëvizja Antifashiste Nacional Çlirimtare osht’ lëvizje për çlirimin nacional dhe social t’popullit, pa përjashtim… pa përcaktime fetare dhe nacionale.
Fati historik ka deshtë që ne t’i bashkohemi anti-hitleriane, anti-fashiste, anti-naziste qysh t’doni me i thanë, dhe kjo i përket rreshtimit të Lëvizjes Antifashiste Nacional- Çlirimtare në krahun e aleatëve të mëdhej Shteteve të Bashkume të Amerikës, Anglisë, Francës dhe Kinës n’atë kohë, Bashkimit Sovjetik kuptohet. Bashkë me ne, atktivitetin anti-fashist e kanë zhvillu’ edhe serbët edhe malazezët edhe të tjerë. Komunistët kanë pasë vizion dhe e kanë shfrytëzu’ nji moment kritik n’Gjakovë me ardhjen e italianëve u hapën gjashtë-shtatë bordele – m’falni që po shprehem kshtu – dhe e shfrytëzun mosknaqësinë e popullit ndaj ktyne akteve. Dhe, na u bashkunë të gjitha forcat anti-fashiste, n’mesin e t’cilëve nuk kishte komunistë. Kishte njerëz që nuk e dojshin komunizmin, nuk e kanë deshtë komunizmin. Pse? Ata e kanë identifiku’ me Rusinë, rusi osht’… ia kemi pa sherrin gjithmonë edhe maroj puna aty. Megjithate, populli na u bashku’, dhe komunistët si organizatorë t’mirë, dhe propagantorë t’shkëlqyshëm kisha me thonë, e mobilizunë popullin e Gjakovës. E unë kom bindjen se nuk ka pasë qytetarë gjakovarë që kanë luftu’ kundër partizanëve, edhepse e kanë ditë edhe nuk i kanë deshtë partizanët. Akte anti të armatosuna nuk ka pasë.
Tash, unë e kom bindjen e thellë, dikush mund t’thotë se, mund të mos pajtohet, por të gjitha lëvizjet që kanë ekzistu’ gjatë Luftës së Dytë Botnore, kanë qenë shqiptarë. Për çashtjen shqiptare kanë luftu’ n’mnyrën e vet. Edhe Balli Kombëtar nuk ka pasë ndikim t’madh n’Kosovë. Zogistët, Legaliteti, dhe intelektualët e pavarun qata që i kemi pasë. Edhe shpiunët ma t’mëdhenj siç ka qenë Beqir Maloku për shembull, ai ka qenë komandat i xhandarmërisë, ka ditë si merr frymë Gjakova po nuk ka marrë masa. Osht’ bo atentat n’te si komandant se edhe si shpiun shumë i afirmumë me karrierë qysh n’kohën e Turqisë, kanë bo atentat n’te Fadil Hoxha me shokë. Por, vetëm osht’ plagosë. Ai ka ditë se si merr frymë Gjakova. Gjakova ka qenë krejt n’lëvizje (qeshë), dhe italianët e qujshin “Piccola Moskva” – Moska e Vogël.
Kisha me bo nji digresion, mas Luftës së Dytë Botnore. Në vitet ’60-ta kur mbahej Pllenumi i Katërt i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ku u demasku’ Shërbimi Sekret Jugosllav, sidomos ai serb. Dhe e pys nji operativist si i thojshin atëhere që osht’ gjallë hala, n’tavolinë ishin katër, dy u çunë, ai nuk e ka pi duhanin, po nuk ia ndante cigare mas cigares, i thomë, “Mirë Nuhi, çka osht’? Kur ia nise duhonit?” Tha, “Çka osht’ politika?” Masi e kom kry stazhin në punë në Sekretariatin e Punëve t’Mrendshme, t’u shërby nëpër të gjitha qendrat e Kosovës, jom pensionu’ dhe ka marrë vesh Dushan Mugosha atëhere sekretar politik, udhëheqës kryesor i Krahinës Autonome n’atë kohë dhe thotë m’u kthy n’shërbim dhe, “Ki me shku’ me shërby në Gjakovë”. Dhe, notat që i jep ai tash, por thotë, “Kom punu’ me sukses në të gjitha qendrat, por ma vështirë se me punu’ n’Gjakovë nuk ka”. ”Pse?” “Për shkak se nuk dijmë kurrëniher se me kon kem punë”. Osht’… s’e di, osht’ popullatë interesante. Jonë shumë pragmatistë, por në pafuqinë e tyne tash kanë metë {ulë duart kah dyshemeja} shtaga e lypës. Aktualisht, shtagën e lypës ia kanë dhonë Gjakovës edhepse kanë rreth tre mijë në UÇK, n’mesin e tyne unë kom… jemi njimdhetë na që kemi marrë pjesë, fmitë e motrës edhe të vllazënve. Qët digresion e bona për m’e pa se çka osht’ Gjakova. Gjakova sot osht’ e nëpërkambur. Kjo o’ bindja ime e palëkundur. Gjakova që ka pasë 27 mijë punëtorë, sot mezi e lidhin mujin me mujë. Për mu, prijësit e UÇK-së Gjakovën e kanë tradhëtu’. Le t’thojnë çka t’dojnë ata.
Murrëm dy havanxhi që e grijshin duhanin, ashtu bohej (buzëqeshë), n’mnyrë… Dhe, kemi pasë dy vajza që bojshin paketë. Atë duhan t’paketum, zakonisht kah pesë qind kilogram i ngarkonte baba e i çonte në Raushiç afër Pejës dhe prej andej me karavan me kuaj t’ngarkum i çonte në Sijenicë. Kalonte nëpër viset që i kanë pasë çetnikët, praktikisht i ka korruptu’ t’u i dhonë duhan, e duhoni n’atë kohë nuk gjindej. Kalonte në zonën e partizanëve, edhe aty u deshtë me iu dhonë duhon dhe mrrinte me aq sa i ka tepru’ duhon në Sijenicë te udhëheqësi mbiemnin e t’cilit nuk ia di, por Dedë e ka pas emnin. Atë duhon e këmbente me dhenë, mish t’terun, bylmet, kuaj, qylyma e tjera sene, po pare jo. Kur erdh n’Gjakovë, pa u bo dy ditë, unë me vllaun i kullosnim delet, dhentë. Erdh baba im me Ismet Mulën dhe Asim Bluton dhe ata aktivistë t’Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Letrën e morra… Ismet Mula dhe baba u kthynë, Asim Bluta erdh me mu. Rrugës për në Devë, takojmë një njeri e kishte pasë shoqën përmas n’kali. Na pytë, “Ku po shkoni?” Asimi u përgjigjë se po shkojmë te filani… nji neri që na pyti e njifke. Dhe po vazhdojmë rrugën, ai shkoi n’punë t’vet. Mrrijmë në Devë masi ra muzgu. Në kullën e parë që pamë dritë trokitëm n’derë, dul nji partizan. Ia dhamë letrën, thotë “Kte ia tregoni komandantit”. Komandanti zbriti shkallëve, e morri letrën, e lexoi, tha, “Nuk osht’ për mu” E mbylli, thotë “Ejani nalt”. U ulëm, ai, dy partizane edhe nji partizan ishin rreth nesh. Na verifikun s’pari se kush ishim, dhe për me ia mbyllë krytë asaj na vetën a dijmë kangë partizane. E knum pa… menjihere, kangë për Hysni Zajmin dhe Shahmanoviçin, Hajro Shahmanoviçin që jonë vra tradhëtisht në Plavë. E knumë kangën, ju pëlqei shumë dhe murrëm m’u çu. Komandanti tha “Jo, do t’hani darkë e pastaj do t’ju jap përcjelljen dhe do t’shkoni në Babaj t’Bokës.”
Komandant ishte Elez Isufi, msus i vllaut tim. Elez Isufi ishte bir i Isuf Elezit që ka marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin në Shpalljen e Shipnisë të pamvarun. U çumë morrëm rrugë për Babaj t’Bokës, natën nëpër hanë, ishte vjeshtë e bukur. Mrrijmë n’Babaj t’Bokës dhe iu drejtumë komandantit t’Brigadës Pesë, Shefqet Peqi. Ai dul, si ndodhi me Elez Isufin, e ndezi shkrepsën {bën sikur po lexon letrën}, “S’osht’ për mu. Shoku Fadil gjindet në operacionet kundër kolonave gjermane që po tërhiqen prej Greqisë. Nesër kthehen,” dhe shkumë me pushu’. Hyjmë në nji kasolle atje, tokë. E bomë nji pushim (qeshë), pushim i thoshim. Të nesërmen u çumë paksa heret dhe dolëm n’sheshin e fshatit, n’loma i thojshin ata ku bohej hedhja e grunit, n’mnyrën tonë kshtu, dhe pamë nji grup partizanësh. Komandanti n’komë i qortonte se “Ne kemi marrë pushkën me luftu’ kundër fashizmit por sa ma pak m’u damtu’. Nuk osht’ mirë që t’luftoni n’kamë, toskët luftojshin n’kamë” (qeshë), qashtu ka qenë atëhere… toska i vogël.
N’qato fjalë erdh komandant Shefqet Peqi edhe tha, “Gjindemi në pragun e shlirimit definitiv të atdheut t’Shiprisë, por operacionet tona do të vazhdojnë edhe në tokat jugosllave deri në dëbimin e plotë të forcave naziste nga vendi. Ky është urdhëri i gjeneral kolonel Enver Hoxhës, komandantit tonë gjeneral kolonel Enver Hoxhës.” Me kte e përfundoi, ne u çumë, erdh Asimi, “Po shkojmë se erdh Fadili” n’kullën e gjyshit të Jusuf Bajraktarit, akademik, ka qenë drejtor i Institutit të Historisë. Hyjmë në dhomën e pritjes t’burrave si i thojshin atëhere (qeshë), qysh i thojnë edhe sot. Më priti Hysen Zherka, Ceni që i thojshim se ka qenë shok i imi. M’prezentoi para Fadil Hoxhës dhe ai vazhdoi muhabetin me… t’pranishmit aty. Në mesin e t’pranishmëve ishin edhe dy partizanë të Brigadës maqedone, po t’veshun me tesha shqiptare me plisa t’rrafshët dibranë, edhe herkë edhe tirqë t’zi. I zoti i shpisë gjatë gjithë kohës ka heshtë. Erdh koha e sillës e shtrumë bukën. Nji sofër t’pasun qysh dijnë shqiptarët kur dojnë me pritë mysafirët e nderumë. U kry silla, erdhën kafet e elbit (qeshë) sikur tash që po i reklamojnë edhe t’u pi kafe, i zoti i shpisë e morri fjalën edhe iu dretu’ Fadil Hoxhës, “Fadil” i tha “djali jem, po e shoh që nuk qenke vetëm. Ktyne nuk iu zihet besë”.
Kjo ka qenë refren n’kohën e luftës botnore n’Gjakovë, du me besu’ se edhe n’Kosovë, se me serbë edhe malazezë nuk ka besë. Na e dojmë dhe e përkrahim Lëvizjen, por sa herë që iu bjen n’men lufta e përbashkët me serbë e malazezë, njerëzit kanë rezervë. Kjo ka qenë bindje manej e krejt Shtabit të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, komunistëve shqiptarë po flas, për komunistë. Shqiptarë t’Kosovës të cilët kanë marrë vazhdimisht qësi informatash se populli osht’ me Lëvizjen Nacional Çlirimtare, por Vllaznim Bashkimi s’iu pëlqente për shkak të vujtjeve shumë të mëdha që ka pësu’ populli shqiptar në Jugosllavi natë kohë, në Jugosllavinë Mretënore.
Mas sillës dhe kafet që i pimë morrëm rrugë për në Krunë ku ka qenë Shtabi operativ për Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit. Shtabi ishte vendosur në internatin n’Kosovë ku kanë, i kanë kry shkollat djemtë që për çfarëdo arsye kanë ikë nga Jugosllavia në Shipni. Në rrugë për Krunë, iu afrunë Devës. Në nji moment njifar Musa Efendia ka qenë luftëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare ashtu… i tha Fadil Hoxhës, “A t’hijmë te Begu ta pijmë ka ni kafe?” Aty ka pasë Shtabin Gani Begu. Gani Begu Kryeziu i cili e ka pasë Akademinë Ushtarake t’kohës t’Jugosllavisë t’kryme, ka qenë doktor epror ushtarak. Por, s’i ka pasë njësitë e veta, edhe ai ka luftu’ kundër fashizmit. Bashkëpunimi me komunistët ka qenë i ngushtë për aq sa ai ka pasë besim. Në propozimin e Musait, Fadili tha “Jo!” “Pse?”“Osht’ idhnu’ me mu. Ma ka çu nji letër ‘Pse po m’i merr partizanët?’” Ai në shpinë t’letrës, t’njejtës letër i shkrun “Unë nuk kam stërlinga me iu dhonë”. Do t’thotë Begu ka qenë njeri i blemë, ka punu’ me ndihmën kundër fashizmit me ndihmën e Aleatit t’Britanisë t’Madhe n’atë kohë që i ka çu funta stërlinga ari për m’u financu’ Lëvizja.
Dy kanta t’metalta qasi i kemi pasë n’shpi tonë. Ndodhi që nana ime e hapë po pa e pytë babën. Edhe n’moment vjen baba, “Çka po bon?” “Po e marr veç nji stërlingë,” ari ato “me ia bo djalit kur t’bohet për martesë”. Baba ia murrë e la aty, e mbylli dhe ia dorëzon Gani Begut.
E lamë Devën dhe mbrrimë në Qafë të Prushit ku ka qenë kufini, ku edhe sot ekziston kufini me… atdheun (qeshë). Qishtu i thonte Teki Dervishi, “Kufini me atdheun”. Aty iu tremb kali Fadil Hoxhës se i doli gjarpëri, nëpërka që ka plot atje në shtigjet shkambore në kufi. Shkoi Musa Efendia e shkeli, vazhdumë rrugën dhe u nalëm në Golaj. Në Golaj Fadili e thirri Ibrahim Zherkën, ka vdekë i ri ka qenë historian i cili e ka deshtë Fadilin si birin e vet. Thirri po s’u përgjigjë kërrkush dhe vazhdum rrugën. Për m’e bo ma t’lehtë rrugën Musa Efendia pyti prapë, “Ani Fadil, kom marrë letër edhe prej Dem Ali Pozharit.” “Ani?”. “Ma ka çu ni letër, thotë ‘A ma falë jetën se po bohna me ty, me kô kom?”. Fadili i përgjigjet n’letër, “Jo. Nëse na bjen rasti m’u taku’ na n’fund kem m’u kqyrë nëpër thumb t’pushkës”. Kte për shkak se Dem Ali Pozhari ka luftu’ me armë kundër partizanëve. Por, Fadili nuk e ka ditë nji detaj. Aty ku ka vu pritë Dem Ali Pozhari me t’vetë, dhe ka konstatu’ se n’mesin e partizanëve nuk ka serbë e malazezë, osht’ tërhekë, nuk ka luftu’. Po aty ku ka pasë serbë e malazezë kurrë pushkën s’iu ka ndalë.
Dem Ali Pozhari mas Luftës t’Dytë Botnore, n’vigjilien e mbarimit t’Luftës t’Dytë Botnore ia therrë shkon n’Greqi e manej n’Turqi edhe vdes në migrim. Dhe prapë edhe nji pytje tjetër tash me e shkurtu’ rrugën, Musa Efendiu i thotë Fadilit, “Ani a ke [e pakuptim] diçka tjetër?” “Kom marrë letër prej Ejup Binakut”. Ejup Binaku ka qenë sekretar i Partisë Fashiste n’Gjakovë, edhe n’shpinë t’letrës ia kthen thotë, “Eja kur t’dush”. Tash vjen pytja logjike e Musait, tha, “Ne jemi n’luftë me fashizmin, nazizmin. Ti i refuzove dy, pranon me ardhë n’hallall Ejup Binakun si sekretar t’Partisë Fashiste”. Ktu ndryshojnë punët. Ejup Binaku osht’ person i cili n’mes t’dy Luftërave Botnore ka ndihmu’ sa ka mujtë t’rijtë që për çfarëdo arsye jonë largu’ prej Jugosllavisë e kanë kalu’ në Shipni. Osht’ angazhu’ në shkollimin e tyne, punësimin dhe strehimin. Atij i kom borxh, dhe Ejup Binaku vjen n’hallall.
Mrrijmë në Krunë dhe mu m’caktojnë me fjetë në dhomë me Hilmi Aganin, profesor, ma vonë profesor Hilmi Agani që ka qenë. Ai mas disa javëve… masi osht’ siguru’ se unë jam besnik, po m’thotë nji natë, “Kom me t’thonë diçka, por n’qoftëse ma jep besën se nuk flet, nuk i tregon kërkujna”. Thash “Po”. “Nji rast t’rrethumë prej forcave t’Muharrem Bajraktarit, na osht’ deshtë që dy netë e tri ditë t’fshihemi nëpër shkurra në Has të Gjakovës, për shkak se ai ka qenë në forca t’mëdha na ka rrethu’. Na jemi fshehë dy netë e nji ditë,” tha “edhe etjen e ujin e kemi shu tu marrë pemë t’egra. Dhe kemi marrë lajm se forcat e Muharrem Bajraktarit jonë tërhekë. Na jemi kthy për n’Krunë, rrugës për në Krunë në fshatin Cahan, Pavle Joviçeviç që ka qenë udhëheqës i Partisë në Shtabin Operativ për Kosovën n’Rrafshin e Dukagjinit, i jep letër me çu në Kishaj nji fshat gjithashtu n’Shipni osht’, me pritë me marrë përgjigje dhe me u kthy, me ia kthy përgjigjen, edhepse e dinte se jom i dërrmum, i lodhun, i untë. E morra detyrën, shkova e kreva dhe n’kthim u nala në nji shtrojerë me pushu. Nuk ka zgjatë shumë dhe po i nij hapat e dikujt që po afrohet me përcjellsët, truprojet e tyne. Shkova ia dhashë raportin, u ktheva n’vend temin. Ata nxorrën pite e mish, po hanë. Mu nuk m’thirrën edhepse e kanë ditë që jom i dërrmum edhe unë, “Çka osht’ kjo?”“Veç t’a dish” (qeshë), vetëm kaq. Për mu ky ka qenë indoktrinimi i parë se bashkëpunimi me serbë e malazezë osht’ shumë i vështirë.
Dhe ndodhi masnej tërheqja prej Krune për me iu afru’ Gjakovës, kalumë në Tropojë. Në Tropojë u vendosëm, mu m’caktunë me fjetë në depo të pëlhurave dhe t’rrobave të ndryshme, bashkë me nji serb t’Gjakovës dhe nji shkodran. Masi u vendosëm, dulëm, ramë poshtë për me marrë darkën. Une e kom pasë nji gavetë, gavetë që vehet ktu {tregon brezin}, për ushqim e për me pi e me hongër. E nxjerr ato e përgjegja serbisht, “Nisi na evidencija”[ Ju nuk jeni i regjistruar] – “Nuk je në evidencë në kompaninë e parë, po je në t’dytën”. Unë si i ndigjushëm, shkoj në t’dytën, e shtrij dorën, prapë, “Nisi na evidencija”. Dhe i idhnumë, por pa protestu’, kthehem n’dhomë dhe e gjej aty bacën Bajram atë far burri shkodran, ai e vërejti që diçka s’o n’rregull me mu edhe m’tha “Çka ke mor?” Thashë “Kurgjo!” Tha, “Jo, jo ti nji dreq e ke” (qeshë). Dhe i tregova ngjarjen.“Çohu!” tha. M’murrë për dore, sa i kisha unë, pa i mushë 14 vjet. Shkoj n’kuzhinë, “Nxirre gavetën”, ia çes, tak {bën sikur po mbushë gavetën}, ma jepi ushqimin. Edhe kjo zgjati me javë. Herë m’përcillte, m’shoqënonte Safete Nimani, herë Dragi Kirljeoviç, herë Xhafer Vokshi – anëtar i Shtabit.