Mamudija Mustafa

Plemetina | Date: 9 tetor, 2025 | Duration: 19 minuta

Të gjithë ne, romë, serbë dhe shqiptarë, jemi më mirë tani. Para luftës, e madje edhe menjëherë pas luftës, kishte urrejtje mes njëri-tjetrit, por tani është më mirë. Unë dal, rri me njerëz dhe shikoj përreth, dhe shoh që njerëzit po jetojnë më mirë, romë, serbë e shqiptarë, të gjithë jemi më mirë… Sepse mendoj që askush nuk do edhe një luftë tjetër, të kalojë sërish atë frikë dhe shkatërrim. Askush nuk do që fëmija i tyre të përjetojë atë që ata vetë kanë përjetuar gjatë luftës.


Nenad Andrić (Intervistuesi / Kamera)

Mamudija Mustafa u lind në Prilluzhë më 9 shtator, 1969. E rritur në një familje farkëtarësh, para luftës punonte si rrobaqepëse në Polet.

Mamudija Mustafa

Nenad Andrić: Si e ke emrin, a mund të na tregosh diçka për familjen tënde dhe vendin ku ke lindur?

Mamudija Mustafa: Quhem Mamudija, me prejardhje jam nga Prilluzha, tani jetoj në Plemetinë.

Nenad Andrić: Na trego diçka për familjen tënde.

Mamudija Mustafa: Familjen e burrit apo timen?

Nenad Andrić: Fillo prej familjes tënde e pastaj te ajo e burrit.

Mamudija Mustafa: Në Prilluzhë kemi qenë mirë… {ngre supet}.

Nenad Andrić: Familja jote, a kanë ndonjë zanat, janë zejtarë?

Mamudija Mustafa: Po, familja ime janë farkëtarë, kanë punuar gjithmonë si të tillë dhe ka qenë mirë.

Nenad Andrić: Kanë punuar, po a punojnë ende si farkëtarë?

Mamudija Mustafa: Po, ende punojnë si farkëtarë.

Nenad Andrić: Si ka qenë jeta jote dhe e familjes sate para luftës?

Mamudija Mustafa: Me thënë të drejtën, si farkëtarë kurrë s’kemi qenë të pasur, sepse vetëm farkëtarë ishim. Pastaj u bë më keq: njerëzit nisën të largohen, shqiptarët u zhdukën, serbët u shpërndanë, ishte e vështirë, por megjithatë kishte pak punë. Mjaft për bukë, dhe ne ishim të kënaqur me aq.

Nenad Andrić: Po ti personalisht, a ishe e punësuar, a kishe punë?

Mamudija Mustafa: Po, punoja. Isha rrobaqepëse dhe punova deri në luftë. Pastaj s’kishte më punë, duhej ta lija punën; serbët u larguan, shqiptarët u larguan dhe ndërmarrja u shpërbë.

Nenad Andrić: Cila kompani ishte?

Mamudija Mustafa: “Polet”, ishte menjëherë pas shtëpisë sonë në Prilluzhë.

Nenad Andrić: Si jetonin romët dhe të tjerët bashkë para luftës?

Mamudija Mustafa: Me të vërtetë, ishte mirë. Te ne, në Prilluzhë, jetonin mirë, sepse kishin marrëdhënie të mira, punonin bashkë. Ne ishim farkëtarë dhe të gjithë vinin te ne për punë, edhe sot vijnë. Jo aq sa më herët, se dikur kishte radhë njerëzish që prisnin t’i rregullonin parmendat ose kazmat te babai im. Edhe unë e ndihmoja babanë dhe vëllezërit.

Nenad Andrić: Mund të na tregosh pak për festat, cilat ishin ato dhe sa të rëndësishme ishin, për ty dhe për familjen tënde?

Mamudija Mustafa: Ah, ato festa… Ato festa ishin gjëja më e rëndësishme për ne, sidomos Vasi1. Atë ditë thernim gjela dhe pata si kurban, mezi e prisnim atë festë. Fëmijët sidomos gëzoheshin për bankën, një bukë e veçantë, pogaçe që e bënte nëna ime dhe e fuste një monedhë brenda. Kushdo që e gjente, konsiderohej më me fat nga të gjithë dhe do t’i shkonte mbarë viti. Ajo ishte më e rëndësishmja për ne. Pastaj pas Vasi-t festonim Ederlezin2, ku therrnim qengja; prindërit blenin rroba të reja dhe vishej bukur për atë ditë. Shkonim te lumi, mblidhnim lule pranvere dhe degë shelgu.

Nenad Andrić: Festa e Ederlezit, a ishte diçka që vetëm romët e festonin apo edhe të tjerët në Prilluzhë?

Mamudija Mustafa: Është traditë rome, por edhe serbët vinin me ne. Ata veç mblidhnin lule dhe degë shelgu, por ne romët… ishte si rregull: muzika, mishi i qengjit, të visheshim sa më bukur. Hanin e pinin gjithë ditën.

Nenad Andrić: Përmende muzikën, çfarë roli ka muzika, gjuha dhe kultura në jetën e komunitetit tuaj?

Mamudija Mustafa: Oh… Muzika është në qendër të gjithçkaje, jo vetëm për ne atje, jo vetëm për romët. Na vinin edhe bende nga Plemetina dhe luanin, orkestrat e trombave ku jo vetëm romët, por edhe serbët e shqiptarët, të gjithë kërçenim bashkë, dhe ajo ishte shumë mirë.

Nenad Andrić: Keni pasur edhe shumë festa të saborëve3 atëherë, si ishin ato?

Mamudija Mustafa: Saborët kanë qenë shumë, ku i gjithë fshati, edhe romët edhe serbët, të gjithë bashkë, festonin. Njerëz nga gjithë anët vinin atë ditë për ato festa.

Nenad Andrić: Si e ke njohur burrin tënd?

Mamudija Mustafa: Herën e parë, isha këtu te halla ime për vizitë dhe e takova.

Nenad Andrić: Kush bëri hapin e parë mes jush, a e bëri halla jote?

Mamudija Mustafa: Jo, ishim unë dhe burri im bashkë, askush s’na e shtyu. Por familja ime ishte kundër në fillim, kur morën vesh nuk më lanë. Por siç themi, “dashuria i fiton të gjitha betejat.”

Nenad Andrić: Çfarë tjetër kujton nga jeta para luftës?

Mamudija Mustafa: Kujtoj vetëm gjërat e mira, kur punoja, kur kalonim kohën me kolegët, shkonim në dasma dhe kisha shumë shoqëri, edhe djem edhe vajza. Kishim lirinë të ecnim natën, askush s’na ngacmonte, kishim leje nga prindërit, gjithçka. Në përgjithësi, një jetë e mirë dhe e qetë për mua dhe familjen time.

Nenad Andrić: Kur thamë para luftës, si e ndikoi lufta jetën tënde dhe jetën e komunitetit tuaj?

Mamudija Mustafa: Lufta pati ndikim shumë të keq, sidomos kur filluan bombardimet. Babai im ishte shumë i frikësuar, sepse afër shtëpisë sonë kishte një antenë të madhe ajrore dhe ai kishte frikë se avionët do ta bombardonin antenën dhe do na shkatërronin edhe shtëpinë. Nga ajo frikë, pas një muaji ai vdiq. Nga ajo frikë.

Nenad Andrić: Çfarë kujtimesh të tjera ke nga lufta?

Mamudija Mustafa: Ka qenë shumë e frikshme për ne, i kisha dy fëmijë të vegjël, nuk kishim ushqim. Kishim para, por s’mund të dilnim të blinim asgjë. Një i huaj, quhej Rand, na ndihmoi shumë. Më sillte ushqim dhe pelena për fëmijët. Nuk mundej ta bënte çdo herë, por na ndihmoi shumë. Nuk e harroj kurrë atë që bëri për ne.

Nenad Andrić: Përmende rastin e Randit. A pati ndihmë që erdhi nga anëtarët e komunitetit rom?

Mamudija Mustafa: Jo, për ne jo. Ndoshta unë kam ndihmuar të tjerët, por familjen time nuk e ka ndihmuar askush.

Nenad Andrić: A pati ndihma nga komunitete të tjera, si serbët apo shqiptarët?

Mamudija Mustafa: Ndonjëherë merrnim pakot me ushqim, nëse dëgjonim në kohë dhe shkonim menjëherë. Po vonoheshim, nuk merrnim gjë.

Nenad Andrić: Pas përfundimit të luftës, si ndryshoi jeta jote dhe jeta e komunitetit?

Mamudija Mustafa: Ndryshoi për mirë. Një prej organizatave na ndihmoi dhe na ndërtoi shtëpinë — për mua, burrin dhe tre fëmijët tanë. Kur morëm shtëpinë, jeta na u përmirësua, pastaj ngadalë, pak nga pak…

Nenad Andrić: Cilat ishin vështirësitë kryesore për romët në rindërtimin e jetës pas luftës?

Mamudija Mustafa: Strehimi, gjetja e një pune.

Nenad Andrić: Kur themi punë, a kanë romët tani më shumë apo më pak punë se para luftës?

Mamudija Mustafa: Mendoj se është më mirë tani. Tani të rinjtë tanë mund të shkojnë dhe të gjejnë punë kudo, gjë që nuk e bënin dot më herët. Djali im e mbaroi shkollën dhe s’gjeti punë, vajza ime studioi mjekësi dhe s’gjeti punë.

Nenad Andrić: Mendon se marrëdhëniet mes komunitetit rom dhe komuniteteve të tjera kanë ndryshuar pas luftës?

Mamudija Mustafa: Mendoj se njerëzit kanë ndryshuar shumë. Si? Po ta them. Të gjithë, romët, serbët dhe shqiptarët, po jetojmë më mirë tani. Para luftës dhe menjëherë pas saj kishte urrejtje mes njerëzve, por tani është më mirë. Dal, takoj njerëz dhe shikoj që po jetojnë më mirë, romë, serbë dhe shqiptarë, të gjithë po e kanë më mirë.

Nenad Andrić: Pse mendon se është kështu?

Mamudija Mustafa: Sepse mendoj se askush s’do më luftë, askush s’do ta kalojë sërish atë frikë dhe shkatërrim. Askush s’do që fëmija i vet të përjetojë çfarë përjetuam ne në luftë.

Nenad Andrić: Çfarë roli patën arsimi, puna dhe emigracioni te familja jote pas luftës?

Mamudija Mustafa: Shumë njerëz u larguan, fillimisht kunetërit e mi, pastaj nipërit e më pas edhe djali im. Të gjithë mendonin se diku atje jeta është më e mirë.

Nenad Andrić: Cila është ndryshimi më i madh para dhe pas luftës?

Mamudija Mustafa: Para luftës, para bombardimeve, ka qenë më mirë. Lufta nuk ishte e mirë, por tani shoh që po jetojmë më mirë.

Nenad Andrić: Çfarë mesazhesh nga përvoja jote e jetës mendon se janë të rëndësishme për t’i ditur të rinjtë?

Mamudija Mustafa: Asgjë të veçantë, të jenë të drejtë, të dinë kufirin, të mos mendojnë se s’mund të gabojnë, të marrin rrugën e drejtë, të kujdesen për jetën e tyre, për fëmijët, gratë dhe familjet e tyre, dhe të mos shmangen nga “rruga e mirë” për romët. Të sigurohen që mund t’i përballojnë të gjitha gjërat e nevojshme për prindërit, fëmijët dhe familjen e tyre. Të jenë të mençur.

Nenad Andrić: Çfarë shpresash ke për komunitetin rom në Kosovë?

Mamudija Mustafa: Duke parë se si janë romët sot, nëse vazhdojmë të përmirësohemi kështu, do të jetë mirë. Romët kanë filluar të punojnë, ndërsa më herët kishin jetë shumë të thjeshtë, mezi mbijetonin, s’kishin as shtëpi të rregullt dhe nuk mund ta mbanin familjen. Tani ata që janë të punësuar kanë të ardhurat e tyre këtu në Plemetin, janë edhe të arsimuar. Kanë filluar edhe të ngasin vetura, është mirë. Fëmijët tanë janë të shkolluar, studiojnë mjekësi e ekonomi. Po përparojmë shumë, ashtu si do të bënim po të mos kishte luftë. Duhet të dimë si ta ruajmë dhe mbajmë paqen. Mendoj se shumica e njerëzve e dinë si ta mbajnë paqen, më shumë se dikur.

Nenad Andrić: Çfarë mesazhi do t’u dërgoje komuniteteve të tjera?

Mamudija Mustafa: Do t’u thosha të gjitha kombeve të jenë të bashkuar, të mbajnë shtëpitë e tyre dhe të mos “shikojnë gardhin e fqinjit,” të kujdesen për jetën dhe familjen e tyre dhe të vazhdojnë me punë të mira.


1 Vasi i referohet Bango Vasilit (i njohur edhe si Vasilyovden), një festë e madhe që kremtohet rreth Vitit të Ri, zakonisht më 13–14 janar, e cila nderon një figurë të çalë ose “të shtrembër” të quajtur Bango Vasil, një mbrojtës mitik i popullit rom në legjenda. Festa shoqërohet me rituale dhe darka të veçanta, ndërsa tema qendrore lidhet me flijimin dhe mirësinë që i sollën dëmtimet atij gjatë shpëtimit të romëve.

2 Ederlezi (Herdeljez) është bashkimi i emrave të dy profetëve myslimanë, Hizirit dhe Iliasit, të cilët, sipas besimit, takoheshin çdo 5 maj (dita e Shën Gjergjit) për të mirëpritur fundin e dimrit. Është një festë e rëndësishme në mbarë Ballkanin për komunitete të ndryshme.

3 Sabori (nga fjala sllave që do të thotë “mbledhje” ose “tubim”) i referohet një mbledhjeje tradicionale të komunitetit ose një panairi në shumë kultura ballkanike dhe sllave, ku njerëz nga zonat përreth mblidhen për festime shoqërore, ushqim, muzikë, vallëzim dhe shkëmbim kulturor. Përdoret zakonisht për të përshkruar festivale folklorike ose ngjarje komunitare që shërbejnë si pika qendrore e jetës kulturore lokale. Në kontekstin e fshatrave, një sabor shpesh i bashkon njerëzit e grupeve dhe komuniteteve të ndryshme etnike për festime të përbashkëta.

Download PDF