Brendësi të njerëzve të mbyllun mes veti

Nga Jakup Ferri

Këto ngjarjet e përmasave të mëdha kom tendencë me i injoru tepër. E njëjta ndodhi edhe me pandeminë dhe mbylljen që pasoi. Ma s’pari unë nuk kom televizion dhe nuk lexoj gazeta, kështu që nuk isha fort edhe i informum pse krejt këtë panikë e kishin njerëzit. Pra e shihsha te njerëzit, nuk është që e lexojsha dikund tjetër. Në njëfarë forme e kisha një dhimbje me çka po preokupohen. Sidomos në fillim, në dy, tre mujt e parë kemi pasë panikë, pa kurrfarë rasti të të infektuarve hiç. Unë e kom vazhdu jetën çka kom bo gjithmonë.

Gjatë kësaj kohe fillova me qenë shumë ma i lidhun me natyrën. Nuk kishte kafe në qytet, s’mujshe me dalë. Më kujtohet erdha herët në mëngjes m’u shtri te Biblioteka, më largoi policia. Fillova me u lidhë me Matiqanin, te Badovci atje. Dilsha me ecë, por unë edhe gjithmonë pikturoj, vizatoj kudo që jom. Kështu që, e merrsha bllokun e vogël, e merrsha naj laps, do shilte edhe e kalojsha kohën aty. Kurdo që kom dashtë me dalë, kom dalë.

Diçka e mirë që ndodhi gjatë kësaj kohe ishte ni banesë, bash në atë kohë kur kesh i mbyllun më erdh një banesë prej hallës si dhuratë. Në njëfarë mënyre edhe fillova me u preokupu me atë send, me maru kuzhinën, me i shtru pllakat, me ble dhomën e fjetjes. Por në atë kohë s’punojshin hiç dyqanet, punëtorët u frikësojshin me ardhë me i ba matjet për orendi. Në njëfarë mënyre, unë kesh i fokusum qysh me ndërtu banesën, kur krejt Kosova u merrke me hallakamën e këtij virusi.

Mirëpo, nuk jom preokupu me virus, s’po du m’u mburrë kishe s’jom frikësu. Unë muj me përfundu shumë keq prej këtij virusi mas një kohe, kështu që s’po guxoj m’u lavdu. Dje dola me një shok dhe shoqe që nuk i kisha pa shtatë apo tetë mujë. Ata me tri—katër spreja, “Ama t’pembin, ama t’kaltërtin”, më dukej pak i tepërt i gjithë ai kujdes. Është ekzagjeru, stërekzagjeru.

Procesi i mësimit online shkoi krejt ndryshe gjatë mbylljes. Semestri i parë ka qenë shumë aktiv me studenta, bojshim flamura, protesta, parada të flamurave. Semestri i dytë ke krejt online. Derisa ia morëm dorën qysh me iu qasë, qysh me folë profesori, qysh me folë studenti, ke pak njifarë vuajtje do ditë, në fakt do javë. Mu më duhej shumë më shumë me folë. E urrej me folë, s’kom qejf, sidomos me më ndëgju katërdhjetë studenta t’u folë, tu e shpreh një mendim temin. Definitivisht nuk e praktikoj këtë farë mënyre.

Semestri i parë ka qenë një mënyrë tjetër e punës. Ju jepsha njëfarë teme edhe ata e punojshin atë temë edhe fillojshin tani me punu bashkë, pra s’kanë qenë ligjerata. Në asnjë orë s’kom pasë ligjerata, por gjithnjë t’u punu me ta. E shihsha që ata studentë që ishin të interesum në fashion folshin për fashion, ai tjetri për dizajn të hapësirave të brendshme folke për dizajn. Studentët i kom pasë prej katër, pesë departamenteve të ndryshme.

Kur kaluam online, tani u duhej pakëz ma shumë me bo hulumtim. Për shembull, fashion, shumë mirë që e bona atë hulumtim për fashion, se i zbulova do sende që s’i kisha ditë. Disa prej tyne ia nisën me m’u dokë shumë ma interesant se çka kisha përcjellë ma herët në muzikë ose në art bashkëkohor. Për shembull, Martin Margiela s’e kisha njoft ma herët edhe si karakter edhe qysh kish fillu edhe qysh… tepër interesant. Craig Green, Angus Chiang, plot do dizajnera të ri.

Unë i ligjeroj tri, katër landë. Semestrin e parë kanë qenë tjera, semestrin e dytë tjera. Pra, gjithmonë improvizime, mungon një profesor për një landë ta jepin ty, por nuk është që i përmbahem shumë landës. Ma shumë më interesojke çka po i duhet një studenti, dhe në njëfarë mënyre aty u fokusojsha. Ata kanë punu shumë, disa prej tyne kanë qenë shumë të mirë. I njihsha punimet, menjëherë i njoh, ky punim është vazhdimësi i punimeve tjera, por me emra u bo hallakamë komplet sepse ishin katërqind studenta. Nuk është që majsha naj evidencë a najsen, por prapë edhe notimin e bona në bazë të punëve çka shihsha.

Kur i hulumtova dizajnerët e enterierit, arkitektë të ndryshëm, u jepsha studentëve detyra me hulumtu dhe me i prezantu. Studentët që prezantojshin e punojshin njëfarë PDF dokumenti të cilin e shihnin online krejt studentat. Studentët i lija me folë, unë vetëm shtojsha ose pytsha. Çdo orë i kisha ka gjashtë studenta që prezentojshin diçka herë për fashion, herë për art pamor, herë për video artista. Diskutojshim tema të ndryshme dhe studentave filloi me iu pëlqy kjo në njëfarë mënyre.

Mbyllja definitivisht ka qenë një nga temat që ua kom dhanë me i trajtu. Pra, në fund të semestrit e kanë pasë si detyrë një video, në mënyrë shumë direkte u sygjerojsha, “Merreni pak si temë këtë mbylljen, por atë anën pozitive, mos u thelloni shumë në tregimet e trishta”.

Më interesojke brendësia e shpiave të tyne. Mu hala m’pëlqen me i hi dikujt në shpi edhe veç me ia kqyrë shpinë, muret, orenditë, dollapat, sendet. Ndoshta m’ka mbetë ky ves prej Amsterdamit, se Amsterdami nuk ka perde, s’kanë perde aty. Gjatë ecjeve të mia natën, sidomos në Jordaan, një mahallë në një pjesë të vjetër të qytetit, krejt mbramjet m’kanë shku t’ua kqyrë njerëzve muret e pikturave, mobilet, parketin. Shumë m’pëlqen kjo edhe kisha qejf edhe studentave me ua pa atë farë atmosfere, me ua pa gjyshin, babën, nanën t’u ju gatu pasul, me i kap këto momente. Vizatimet kanë qenë shumë të mira. I kom të rujtuna. Ka enteriere të ndryshme, gjithçka.

Mujin e parë të mbylljes unë jetova me prindërit e mi. Tani mujin e dytë dola në banesë. Prapë isha i lidhun me prindërit. Me prindër më hupi lidhja qe një muj e gjysmë kur filloi kjo faza e dytë me u keqësu gjendja. Tash po rrijmë në distancë, me maska. Ma herët nuk e kishim këtë frikë prej njeni—tjetrit kur jetojshim bashkë. Rutina me ta ishte ndryshe.

Për shembull, babës ia pastrova krejt katin e dytë, ia heka krejt do rraqe të mia që i kom pasë aty, i çova në banesë. Atë kat ia bona atij si njëfarë lloj studio edhe disa punë që i kishte pasë të mbylluna për njëzetë vjet, dhjetë vjet nëpër kese, nëpër najllona, ia hapa krejt edhe ke sikur me lind diçka e re prej punëve të vjetra. I shihke edhe nana, i shihke edhe motra, i shihshim do punë që s’i kishim pa me vjet, ndoshta i kishim pa si të vegjël.

Ai filloi edhe njëherë me i pa këto punë prej një pike tjetër edhe filloi m’u aktivizu ma shumë në pikturë, ma shumë bojke sende të vogla në letër edhe ka qenë shumë produktiv baba këto muajt e fundit, edhe për nga shkrimet por edhe për nga pikturat e mëdhaja. Bile, i ka bo dy piktura shumë të mëdhaja.

Kom mendu me i bo disa sende bashkë me të, mirëpo të dytë jemi pak si në territoret tona, por ndoshta bashkëpunojmë diçka, s’kishte me qenë keq. Sidomos do piktura të papërfundume ose ai që i ka të papërfundume me m’i gjujt mu. Krejt punët s’munden m’u kry definitivisht, gjysmën e punëve i kom të pakryme, gjithmonë ia jepi Rronit [Qena] ose dikujt.

Me Rronin ka fillu moti ky bashkëpunim, shumë kohë para se me shku unë në Holandë. Më duket që në vitin 2005 i kemi pikturat e para që i kemi punu bashkë. I kemi pasë do ateleja bashkë që punojshim aty edhe t’u shkallavit bashkë. Mu m’pëlqen kur punoj me Rronin, sepse ma jep njëfarë vibe krejt tjetër të punës. Punët që i kom në ekspozitën në Galeri Kombëtare janë njëfarë arti obsesiv, që obsesionohesh me një send, një detal edhe mbetë me orë të tana në ato detale. Me Rronin s’e kom atë ndjenjë absolutisht, me të është e kundërta.

Aty eksplodon njeri, njëfarë eksplosiviteti që s’e kontrollon më, por që të vynë me i pasë dyjat. Për shembull, Richter punon piktura shumë realiste, tepër ashtu hiperealiste, por ai punon edhe art abstrakt. Tash e kuptova pse i punon ato Richter. Gjithmonë e kom mendu, si është e mundun ky njeri me i pasë dy, tri lloj stile komplet të ndryshme prej njena—tjetrës? Por të duhet kaniherë me u zbrazë me një send që me mujt me bo këtë artin obsesiv.

Sa herë që rri me Rronin kjo ndodhë, nuk është që i planifikojmë këto sende, nuk ndodh që, “Hajde po shkojmë po pikturojmë”. Shkojmë rrijmë, tu e zhvillu muhabetin, t’u qenë ndoshta nervoz me njeni—tjetrin, tu e stërzmadhu gjithçkafin, tani fillojmë edhe krijojmë bashkë.

Kurgjo nuk është e organizume në jetën teme definitivisht, jom njeri ma i paorganizum, por jom shumë i lumtun që mujta me përmbledhë këtë mungesë organizimi. Kur i organizova të gjitha, thashë, “OK, nuk kokna dembel, me njëfarë mënyre po punojsha.” Kurrë s’e kom ditë kur po punoj, sepse nuk kom orar të caktum. Shumicën e momenteve më doket vetja që jom komplet i humbun. Me një dhomë të vogël harron që e ki punu, e shtin me një libër edhe një lule ma andej, njo knej, por kur mbledhen krejt këto bashkë që i ke punu për dhjetë, 15 vjet fillon me pasë kuptim.

Kom qenë i izolum edhe para izolimit. Kjo më është bo si shprehi kadal—dale. Ndoshta edhe arti e ka bo këtë me siguri, nëse e kisha pasë një punë të përditshme s’e kisha pasë këtë. Ashtu çohesh prej gjumit, e han një mëngjes, e pin një kafe, s’din as ku fillon as ku mbaron dita. Dikur me kohë fillon me ia bo do rregulla vetit, e sheh për shembull t’punohet ma shumë ka dymbëdhjetë e ditës ose t’punohet ma shumë ka njëmbëdhjetë e natës, por gjithmonë kom andrru me pasë një punë të rregullt. Gjithmonë i kom lakmu njerëzit me vend t’punës. Me pasë pak rend dhe rregull, më duket që kisha qenë shumë ma shumë produktiv edhe kisha qenë ma i lumtun me punën që e boj.

M’pat pëlqy ky Allen Ginsberg që kallxojke qysh është shkru “Naked Lunch”, unë s’e kisha ditë e m’pëlqej shumë ajo mënyrë qysh ishte shkru. Kur ka shku William Burroughs në Tangier me jetu, i ka dërgu grusë së vet letra në New York. Aq bukur ia ka shkru ato letra, nga tri—katër faqe, saqë Ginsberg i ka mbledhë krejt këto letra edhe ka folë me Jack Kerouac edhe i ka thonë, “Po shkojmë në Tangier se qy çfarë letra t’bukura o ka dërgon ky njeri”. Ai ka shkru se ka qenë nëpër kriza, tu u mundu me dalë prej heroinit. Kanë shku këta dy, Kerouac me Ginsberg e kanë bind njerin me shkru librin. Shumë është mirë këto sendet e paorganizume me ditë me i mbledhë. Ndonjiherë të duhet ndihmë prej tjetërkujt që me mujt me i pa.

Pas mbylljes shkova me pa djalin se nuk ishim taku nja katër—pesë muj. Në fillim të qershorit ishin fluturimet e para edhe unë insisitova. Thashë, “Ku me ditë çka me ndodhë kom me shku, s’e kom pa djalin”. Atje m’u hek komplet ky kujdesi i stërekzagjerum, se shkova me spreja, shkova me njëqind mijë maska edhe holandezët e kishim marrë tepër më lehtë këtë punë. Njerëzit dojshin me u hek krejt rregullat që i kishin bo, me funksionu shteti qysh duhet. Një grip ma ndryshe se gripet tjera, por kurgjo ma shumë. Popullsia duhet me u bo imun ndaj tij, dikush e pëson fatkeqsisht, por s’është aq e jashtëzakonshme sa për me u mbyllë.

Djali për shembull s’ka marrë asnjëherë vaksina. Nana e vet është shumë anti—vaksinimit, sendeve të reja mi shti në organizëm. Ai hala s’ka marrë kurrfarë vaksine, as ato që duhet m’i marrë. Ajo jeton pak si në fshat, është shumë në natyrë. Ajo hala s’ka vnu maskë prej fillimit të pandemisë edhe është ka e bon në shenj proteste. Atje s’mundesh me hypë në autobus pa e ngjitë maskën. Do të thotë, kjo ka kohë që s’ka hyp nëpër autobusa, nëpër trena, do qesi sene. Bile dojke me ardhë në Kosovë, “S’po vi veç pse duhet me vnu maskën në aeroplan”. Është shumë anti edhe kur folke më bindke pak që mirë e ka, por tani prapë kqyrsha histori të dhimbshme prej televizionit e s’disha kaniherë as ka m’u…

Në fakt, në galeri është një punë me hapësira të brendshme. T’u dhënë mësim për enteriera, tu i hallakat, tu i hulumtu kisha vendosë me bo një pikturë me hapësira të brendshme, shumë sende që kanë prespektivë në njëfarë mënyre. Kjo filloi para kësaj mbyllje, por gjatë procesit që zgjati nja tri—katër muj, ajo pikturë u bo krejtsisht me hapësira të brendshme të ndryshme të njerëzve të mbyllun mes veti.

Unë gjithmonë kom pritu me komuniku direkt përmes vizatimit. Në fakt, mu m’ka ndodhë me vizatu ma s’pari, tani veç kur e kom pa veten mas dy dite që jom tu e bo atë send. Do të thotë, ajo ka qenë si parandjenjë. Me këtë punën e hapësirave të brendshme fillova se më interesojke puna e brendësisë së hapsinave, më interesojke prespektiva, por tani fillova me jetu në ato hapësira të brendshme, por kurrë s’dojsha me lidhë me situatën aktuale por u lidhke definitivisht.


Jakup Ferri (1981) është artist pamor bashkëkohor. I diplomuar nga Akademia e Arteve në Prishtinë dhe në Rijksakademie në Amsterdam, Ferri ka fituar çmime të shumta, përfshirë çmimin e artit “Europe’s Future” nga Muzeu i Artit Bashkëkohor (GfZK) në Leipzig dhe çmimin e parë Buning Brongers për pikturë në Amsterdam. Puna e tij është paraqitur në ekspozita të shumta ndërkombëtare dhe galeri si U—Turn Quadrennial për Artin Bashkëkohor në Kopenhagë, Bienalen e Stambollit, Muzeun Ludwig në Budapest, Hapësirën e Artistëve në New York dhe de Appel në Amsterdam.