HARTË INTERAKTIVE E QYTETIT: PRISHTINA ECË

Prodhuar nga Iniciativa për Histori Gojore

Si hulumtues nën petkun e hartografëve, vendosëm të i hartëzojmë tregimet e qytetarëve të Prishtinës që mbërthejnë historinë e qytetit gjatë njëqind viteve të fundit. Me realizimin e njëzet e nëntë intervistave të historisë gojore, dhe me konsultimin e mbi njëqind intervistave nga arkivi dixhital i Iniciativës për Histori Gojore (oralhistorykosovo.org) dhe arkivave fotografike tjera publike dhe private, ne kemi siguruar histori personale të panumërta që i kushtojnë vëmendje ngjarjeve kryesore kulturore dhe politike që i kanë definuar konturat e identitetit bashkëkohor të Prishtinës.


Prishtina Ecë është një hartë interaktive shumëgjuhëshe, arkitektura e së cilës akomodon hulumtim të kuruar si video, audio dhe tekst. Aplikacioni përbëhent prej katër rrugëtimeve tematike: Nga a la Turka në a la Franga; Me asfalt drejt progresit; Të ‘90-tat e gjata; Peisazhe të kujtesës, të cilat gjithsej përmbajnë tetëdhjetë e katër pika të interesit të mbështetura nga njëqind e dhjetë video të shkurtra që zbulojnë qytetin nga perspektiva e qytetarëve. Secili rrugëtim ofron përvoja të thelluara të zbulimit dhe mësimit që ushqejnë kurreshtjen për kulturat, historitë lokale dhe arkitekturën. Për më tepër, rrugëtimet inkurajojnë ecjen si mënyrë e të krijuarit të ndjenjës së përkatësisë dhe kulturës së një vendi.

Ne jemi të vetëdijshëm që historia e qytetit tonë është më e madhe se këto katër rrugëtime. Prandaj, në përputhje me metodologjinë tonë, ne do të vazhdojmë tutje mbledhjen e tregimeve jetësore. Për këtë dhe arsye të tjera, çdo seksion i këtij aplikacioni mirëpret kontributin e përdoruesëve të saj, në formë të memoareve, historive dhe arkivave fotografike. Ne e shohim këtë bashkëpunim me publikun e gjerë të jetë thelbësor për inicimin e linjave të reja të kërkimit dhe kurimit të rrugëtimeve tjera në vitet në vazhdim.

Së fundmi, do të dëshironim të falenderojmë qytetarët e Prishtinës të cilët u ulën me ne dhe i ndanë historitë nga jeta e tyre dhe na dhanë leje të publikojmë intervistat dhe arkivat e tyre fotografike private në aplikacionin për telefona mobil Prishtina Ecë.

Inicuar në shtator 2018 nga Iniciativa për Histori Gojore, aplikacioni telefonik Prishtina Ecë është një projekt hulumtues një vjeçar mbi Prishtinën dhe pjesë e projektit „Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” i financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë.

Kuruar nga: Erëmirë Krasniqi dhe Kaltrina Krasniqi

Dizajnuar nga: Nita Salihu Hoxha, Studio Permanent

Zhvilluar nga: Frakton