Nga karriga e zyrës në divan të shtëpisë

Nga Manushaqe Rexhepi

Pandemitë nuk janë asnjëherë të lehta për t’u kapërdirë, prandaj edhe me efektet e tyre në jetërat tona askush nuk është kurrë i gatshëm të përballet. Kjo ka ndodhur edhe me mua dhe famljen time. Në një situatë të këtillë të papritur, na është dashur të mësohemi me një mënyrë të re të jetesës, me frikën për shëndetin, të përciellura me informata jo të mjaftueshme. Në fillim, sigurisht që kemi qenë të papërgatitur dhe aspak të gatshëm për këtë situatë të re.

Prandaj edhe menaxhimi i kësaj situate, sidomos në fillim, ka qenë vetëm në bazë të respektimit të masave të vendosura nga Qeveria dhe ministritë përkatëse. Por me kalimin e kohës dhe pranimit të këtyre kushteve, atëherë kemi filluar t’i kuptojmë disa gjëra të reja. Tani, për shkak të kohës më të madhe që kam në dispozicion, jam duke e shfytëzuar këtë të fundit për të bërë gjëra që më parë nuk kam mundur. 

Qëndrimi me anëtarët e familjes më ka bërë të kuptoj sa shumë më është dashur një terapi e tillë, sa shumë më kanë munguar dhe sa kam pasur nevojë për ta në një situatë të këtillë. Por, po ashtu e shfytëzojmë kohën edhe me leximin e librave, shikimin e filmave, karaoke, koncerteve të vogla që i krijojmë vetëm për qejf. Pastaj i jam kthyer gatimit si pasion, apo hobive tjera si punëdore. Gjithçka që nuk kam mundur të bëj më parë, po e bëj tani. 

Sa i përket punës nuk ka ndryshuar aq shumë. Në fund të ditës, jam sërish unë dhe llaptopi para vetes. Ndryshimi është vetëm tek fakti që nuk jam e ulur në karrigë zyre, por në divan shtëpie. Unë punoj në institucion publik dhe jeta e zyrës është e tillë që e bëj tashmë e dhjetë vjet. Tani për shkak se udhëtoj për punë me autobus, punëdhënësi im ma ka mundësuar qëndrimin në shtëpi, të punoj nga distanca. Por sërish, detyrat i kam të njëllojta, prandaj edhe nuk mund të them se ka ndodhur ndonjë ndryshim aq drastik në linjën e punës, aq sa të jetës në përgjithësi, siç e ceka më parë.

Sërish më duhet ta kontrolloj e-mailin gjatë gjithë ditës, më duhet t’i respektoj afatet, të qëndroj në kontakt me kolegët e tjerë për çdo të re që ndodh, apo thjesht të jap maksimumin kur kemi të bëjmë me diçka të rëndësishme. Kontributi im është njëlloj dhe medoemos se nga ku punoj, apo në çfarë mënyre.

Ka një ndryshim të dukshëm se si ka qenë gjendja në fillim, me atë se si është këto kohët e fundit dhe këtë e them me sinqeritetin më të madh. Para nxjerrjes së masave për ndalimin e qarkullimin të njerëzve, në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit, qytetarëve nuk u ka interesuar shumë për gjithë çështjen e pandemisë, prandaj edhe masat mbrojtëse nuk kanë qenë në nivel, rrugët kanë qenë të mbushura me makina dhe distanca mes njerëzve aspak e duhura.

Tek ne në shtëpi një gjë e këtillë nuk ka ekzistuar, për shkak se jemi kujdesur të mos e sëmurim veten dhe ata pranë nesh. I kemi respektuar rregullat dhe gjithmonë i kemi pasur maskat dhe dorezat sa herë që na është dashur të dalim për të kryer punët e blerjes apo ato bankare. Madje edhe këto të fundit, në bazë të rregullave të letërnjoftimit.

Por tani së fundmi, ndoshta duke e kuptuar rëndësinë dhe rrezikun që vjen nga kjo pandemi, qytetarët janë vetëdijësuar dhe nuk po i bëjnë më gabimet e njëllojta, gjë që më gëzon shumë. Tani kur i shoh rrugët e zbrazura, kuptoj më shumë se sa na është dashur ajri i pastër, apo ky gjelbërim i papritur që ka filluar të përhapet. Vetëm shpresoj që edhe kur e gjithë kjo të përfundojë, do arrijmë t’i ruajmë këto të fundit dhe ata që kemi afër zemrës.

Tashmë që kanë kaluar diku një muaj e gjysmë, do gënjeja po të thoja se nuk jam përshtatur me tërë këtë situatë. Por në anën tjetër, ndonëse si qenie njerëzore i adaptohemi disi ndryshimit, sërish jemi po aq edhe qenie sociale me nevojën për të dalë dhe takuar me miq, apo familjarë të tjerë. Kjo deri tani ka qenë pjesa më e vështirë, asgjë tjetër.

Shpresoj se e gjithë kjo situatë nuk do zgjas shumë, por sërish nuk e mohoj faktin që kjo periudhë e pandemisë më ka dhënë mësime të mira, jo vetëm mua si individ, por të gjithë botës në përgjithësi. E ky mësim qëndron mbi dy shtylla kryesore, të cilat thonë se shëndeti ynë është i rëndësishëm dhe që toka jonë ia vlen. Pastaj më ka ndihmuar të lidhem prapë me vetveten, ta njoh në ato qoshe ku nuk kam mundur të shkoj më parë për shkak të kohës së limituar, po ashtu ta njoh edhe familjen time më mirë, njëlloj edhe shoqërinë.

Më ka mësuar ta respektoj edhe shëndetin e tjetrit, të atij të huajit me të cilin nuk kam pasur kontakte kurrë. Në përgjithësi më ka bërë të kuptoj shumë për atë që më rrethon, gjë që do jetë diçka e mirë për ta pasur me vete edhe kur pandemia të përfundojë. Deri atëherë, do na duhet të durojmë edhe pak, t’u përmbahemi rregullave dhe me besimin e dhënë në stafet mjekësore ta kalojmë gjithë këtë së bashku.

 

 


Manushaqe Rexhepi është Zyrtare për çështje ligjore në komunën e Fushë-Kosovës. Znj. Rexhepi ndau me ne tregimin e saj në vetën e parë rreth përvojave përgjatë karantimit të COVID-19 pandemisë. 

Ilustrimi nga Renea Begolli