Gjithçka është tashmë këtu

Nga Driton Selmani

Ndodhi shumë shpejt. Mu më kujtohet që kom qenë me një prezantim në një program rezidence në fillim të marsit në Split, në Kroaci. Në aeroport edhe në autobusa i shihsha njerëzit me maska, e kisha një lloj indinjate ndaj njerëzve me maska. Në Evropë ishte nëpër ajër kjo puna e pandemisë. Kur unë u ktheva në Kosovë, shumë shpejt ndodhi mbyllja. Ndoshta t’u qenë që e kom përvojën e luftës, kjo mbyllje ma kujtoi shumë luftën. Ishte një e vërtetë e madhe që u mshefke mas derës. Unë u mundojsha mos me marrë aq seriozisht, por që thojnë, “Ka ardhë, të ka goditë drejt e në fytyrë”.

Më kujtohet që ditët e para, sikurse përvoja e krejt njerëzve, ka qenë njëfarë euforie e përzime me frikë, me atë frikën që njeriu nuk është i aftë me menaxhu krejt këtë situatë. Një punë që e kom prodhu ato ditët e para është e inspirume pak prej një punimi të Dan Perjovschi. Danin e kom njëfarë shoku virtual në Facebook edhe ai po më duket e pret realitetin me një thikë të mjeshtrit të sushit. Ai tha, “Nëse nuk mundesh me dalë jashtë, hy brenda”. Nëse ka ndonjë platformë gjatë pandemisë që mundesh me shfrytëzu, që mu m’u ka dokë shumë platformë e mençme, budiste, dhe njerëzore është kjo.

Më kujtohet që e kom bo një punë ku shihet një kokë nga mbrapa edhe shkrun, “Gjithçka është tashmë këtu”. Unë e përjetova ashtu. Gjithmonë më dukej që shumë ndjenja të pa ekstraktume isha në gjendje m’i shti në ato binarë edhe me u thellu në vetëvete. Nuk e kom përjetu pandeminë si dënim, si vuajtje të dënimit, por e kom përjetu si eksperiment me psiqikën edhe me kapacitetin njerëzor me menaxhu këtë situatë.

Në një mënyrë, shumë shpesh e gjejsha vetën, grunë Blertën dhe fëmitë e mi në situata shumë të ngjajshme me filmin e Roberto Benignit La Vita è Bella [Jeta është e bukur]. Edhe pse s’mujshim me dalë, na prapë se prapë e shihshim një ylber në Prishtinë. Shpesh herë besojshim në diçka që s’ishte e besushme për shkak se na ishim të ngujum në apartamentin tonë në Arbëri. Problemi ishte se na, unë edhe Blerta duhej me u marrë 24 orë me një fëmi gjashtë vjeç edhe një fëmi tre vjeç. Tensioni ma i madh tash ishte ritmi i ditës.

Zbulimin njerëzor që e quajmë kopshti i fëmijëve nuk e kishim më. Njëfarë kandi në ballkon me do jastëka të gjanë, një ditë prej ditësh e shndërrum në shpi për ta, shpi në ambientin e hapur të ballkonit. E kom maru një strukturë që është shumë e ngjajshme me Stonehenge. Hera, çika jem lypke çdo ditë të njëjtën strukturë me ia maru. Më kujtohet që kemi bo loja me pllaka brenda, kemi maru garazha për Lekën për treqind kerre që i ka.

Gjatë pandemisë e shfrytëzojsha atë të dalmen teme edhe kom shku çdo të katërtën, të pestën ditë në dyqanin Viva Fresh edhe kom ble hamera, hamera me ngjyra, ngjitsa të letrës edhe kemi bo kollazhe. Kjo është një seri e punëve të cilën e kom prodhu. Ky ka qenë një prej momenteve më të spikatuna që e kemi pasë konstant. Unë kom bo kollazhe, Leka ka bo kollazhe, Hera ka ngjyrosë, Blerta na ka ndihmu.

Në fillim më kujtohet ai stresi i madh me miellin, njëfarë stresi, “A do të kemi miell, a s’do t’kemi miell?” Pyetja ka qenë, “Miell apo jo miell?” Paralelja këtu është mes miellit edhe letrave të tualetit. Ndoshta brengat tona ishin aq të ndryshme, pasi që ata njerëzit në Evropën Perëndimore nuk e kanë përjetu luftën rishtazi.

Mbylljen e kom shfrytëzu shumë si platformë për me lexu dhe hulumtu. Unë gjithmonë tentoj me dekodu, por edhe në një mënyrë me refuzu, me vnu në dyshim mënyrën sesi diçka projektohet kundrejt meje. Në këtë rast, më kujtohet shumë, shumë mirë që kom ra në një grackë shumë të madhe të programacionit të televizioneve shqipëtare. Normal që edhe me Blertën kom pasë shpesh tensione për shkak të pranisë 24 orë pranë njoni—tjetrit, por edhe për shkak se unë non stop e kqyrsha këtë idiotësinë e analistëve lokal.

Në sferën politike më kujtohet shumë mirë kur ndodhi kjo ramja e Qeverisë Kurti. Isha t’u pi çaj edhe u ndijsha diqysh që nuk mbeti mo kurgjo, veç me vnu çajin në kokë edhe m’i lidhë durtë. Ishte një anije që u pahke që është t’u shku me i mshu ajsbergut, por problemi ishte që s’kishte ma as kohë, as nuk kishte kënd të rrotullimit të timonit të anijes për me kthy kursin, nuk kishte mo! U pahke, por që ishte tragjike edhe ishte një tragjedi që e pahsha në horizont. Si qytetar s’kisha çka me bo shumë, por kjo në një mënyrë e spjegojke ma s’miri këtë lakminë edhe politikën.

Dy gjana ndodhshin për çka unë luftojsha për jazz. Unë luftojsha për jazz, sepse jazzi ishte njëfarë teatri i absurdit që unë e dojsha. Nuk dojsha me ngarku mbi vete këtë teatrin realist që nodhke jashtë, këtë projektimin e maqinave të propagandës të cilat punojshin me kapacitet të plotë. Ne ishim të kyçun në internet, të kyçyn në portale të kategorisë e dijmë shumë sakt çfare, në njëfarë forme ishim të kyçyn edhe të orientum. Meqenëse, unë nuk isha në Suedi, unë i ngojsha lajmet e vendit tem. Tash lajmet e vendit tem unë e di çfarë niveli të saktësisë edhe vërtetësisë e kanë në shumicën e rasteve.

E vërejta që jemi në njëfarë fluske, që edhe ngjarjet e vogla ndikojshin shumë dhe e luhatshin disponimit ditor, por edhe idenë ku jemi t’u shku, çka është duke ndodh. Tash për mu, Miles Davis, John Coltrane and co. më ndihmojshin shumë, shumë, shumë për me kriju një efekt distancimi, mjaftushëm për me pa ku dreqi jemi dhe çka është t’u ndodhë.

Me përshkru në terma të thjeshtë, ndoshta në teori të teatrit, ky farë lloj teatri që ndodhke jashtë kaloi prej tragji—komedive të Shekspirit deri te abstraktja totale e Beketit. Nuk mujsha me përballu. Ndoshta këtë kapacitetin e mendjes njerëzore e shtrinë, e shtrinë, e shtrinë, por dikur i sheh tre mure të palume mas njoni—tjetrit. Thjeshtë, kalon në diçka të pakonceptushme. Dhe, dikur fillova me djeg krejt këtë bërllog me jazz, gjë që m’ka ndihmu shumë.

Kur jom në mbledhi, në grupacione ose në diskutime publike, zakonisht nuk boj shumë pytje në publik, por këto pytje i kthej kah vetja. Tash ato janë gjithmonë njëfarë lloj i bisedës së pafundme që unë e kam me vetën. Ndoshta ky është ai derivati që provoj me djeg. Mirëpo gjithmonë t’u tentu me i dekodu edhe situatat e brendshme familjare, duke i pozicionu mendimet në këtë lloj realiteti. Ndonjiherë t’u mundu me dhonë definicione të asaj që e mendoj, por gjithmonë tu e pasë një tel të lidhun me vetëveten, jo t’u provu me folë edhe për të tjerët.

Janë dy gjana që janë interesante dhe lidhen me mbylljen gjatë pandemisë; rituali i prodhimit të punëve të reja ka ndryshu totalisht. Në atë kohë, unë nuk e kom pasë luksin me ardhë në studio, por çka kom bo? Mas orës katër, mas drekës, jom mbyllë në dhomë të garderobës edhe fëmitë në atë kohë kanë qenë në gjumë. E kom marrë një zërim, kom lshu muzikë. E kom marrë një skallper, një palë gërshanë edhe kom maru kollazhe, që deri atë ditë unë s’kom bo kurrë kollazhe. Unë e di që punët që i kom prodhu nuk jonë punë ndoshta të ngjajshme me punët tjera, në nivelin artistik nuk muj me gjyku, po janë njëfarë ditari. Njëqind ditë në pesëmdhjetë hamera, që për mu është e mjaftueshme.

E para, unë nuk guxoj me qujt vetën poet, nuk guxoj me qujt vetën prozator, por mundohna që një mendim që më grrynë tonë ditën ose një kohë të gjatë, me përtheku ndoshta në dy fjalë, tri fjalë. E dyta, nuk punoj veç për me qenë pjesë e lëvizjes artistike ose për me iu tregu tjerëve që, “Hej, kqyr çka po boj unë”. Këto punë nuk i ka pa kërkush, përpos galerisë që më përfaqëson. Nuk e di a jonë të mira, nuk e di a jonë të këqija, por e di që bohen të mira me kalimin e kohës, sepse janë një arkivim i një procesi të rëndësishëm. Kurgjo ma tepër.

Frika që vjen me botën virtuale. Publiku është aty ku jemi ne, në një mënyrë apo tjetër, por çka mungon sot është se punët janë të prodhume në hapsina fizike, dhe nëse nuk përjetohen në hapsina fizike, publiku nuk e sheh sa të papërkryme janë. Kur i sheh të prezantume, kur e sheh sa të papërkryme janë, ta japin një ndjenjë ndoshta të kohës edhe gjendjes njerëzore që nuk është e dukshme. Unë mendoj që ajo është shumë me rëndësi edhe kjo shihet edhe te shumë, shumë artista tjerë, po mendoj artista botërorë. Kur i sheh punët e tyne në internet kurrëfarë ndjenje nuk t’japin, por kur ia sheh punët fizikisht ti thu, “Uauu”.

Një prej artistave që po më kujtohet është artisti gjerman Olaf Metzel, kur ia sheh punën në internet kurrëfarë ndjenje nuk të japin, por kur e takon si njeri edhe ia sheh punët në hapsinë fizike, unë kom qenë në gjendje, “Uooou!” Ma ka dhonë një qasje totalisht ndryshe prej asaj që e kom mendu për to, dhe kjo është frika e botës virutale te unë. Frikë e përgjithshme, jo veç për gjykimin tem edhe të punëve të mia. Mendoj që kontakti njerëzor është një prej sendeve ma të shejta që na ka dhonë Zoti ose natyra, edhe që na kemi mbrri aq nalt me zbulime teknologjike sot, sa që gati e kemi shkatrru edhe këto.

Është një punë e jemja ku e kom shkru, “Natyra ime është kundër natyrës”. Natyra njerëzore është kthy kundër natyrës. Kjo është ajo shigjeta që na u ka ngulë krejtve në thembër po më doket. Është shumë e dhimbshme, se po mendoj që nuk ka më poezi, çdo gjë ka migru online. Ndonjiherë më mungon ai orari kur s’ka pasë rrymë, kur kemi pasë reduktime, sepse rrjeti shoqënor dhe familja ka qenë ma i sinqertë.

Nuk e kuptoj çka po ndodhë sakt. Ky moment semi—pandemik, është njifarë semi—mbyllje. Kjo semi—mbyllje është ma e keqja, dhe shumë e ngjashme me qëndrimin në burg. Mirëpo, me daljen nga burgu autoritet të thojnë, “Hajde edhe dy ditë. Hajde edhe tri ditë”. Nuk është e kuptushme ma. Krejt kjo heterotopi kalon në njëfarë likuiditeti të përceptimit të realiteteve. Këto kufizimet e lirisë së lëvizjes po më duken që janë shumë shumë të rrezikshme për aspektin psikologjik të njeriut. Njëfarë terri syve, që unë e di që është pasojë post mbylljes, por nuk e di qysh mundet me u trajtu.

Mendja jeme po më thotë, “Mos u kthe prapë në izlolim, mos u blloko prapë se e ke kry kohën në burg, ec përpara!” Edhe frika prej virusit ka fillu me m’u zvogëlu, veç për mos me pasë nevojë prapë m’u mbyllë për njëqind ditë tjera. Unë nuk mundem me përballu mo! Kom fillu me mendu që nëse infektona, antitrupat e mi janë të mjaftushëm dhe do të mbijetoj, nëse jo… Është një send që jom t’u besu që në dhjetë vitet e ardhshme, sigurisht njëqind përqind e popullatës njerëzore ka m’u infektu. Kështu që, është çështje kohe. Kom fillu me mendu që ma mirë me kry, sesa me prit.

Normal i frikësohem nivelit të arsyes tonë. Kjo fjalia, “Hajt se…!” Kur të fillon fjalia, “Hajt se…!” unë e di çka i bjen. Tash kjo, “Hajt se…!” unë po i frikësohna, jo gjanave tjera. Dhe normal është që për shkak të mbledhive idiote isha frigu që një i afërt i imi me humb jetën. T’u jetu në një rreth shoqëror të tillë është shumë e vështirë me mendu në mënyrë racionale, për shkak se na shpeshherë mendojmë instiktivisht edhe mendojmë ma shumë për një aheng familjar ose një darsëm, para se me mendu për shëndetin e atyne njëqind, dyqind njerëzve.

Mësimi online ka qenë shumë i dhimbshëm, ekstrem i dhimbshëm edhe kjo është njona prej arsyeve që ndoshta nuk po du me qenë virtualisht aktiv, sepse më është dashtë çdo javë me qenë para studentëve me ju ligjëru, me ju dërgu detyra, m’i mbajtë të angazhum online. Po mendoj, i depresionum gjatë gjithë kohës. Thjeshtë e ndjejsha edhe vazhdoj me e pasë këtë ndjenjë, që fëmitë e mi nuk janë të gatshëm që prindërit e tyne me kalu një pjesë të ditës t’u qenë prezent virutalisht edhe t’u qenë fizikisht me ta duke mos qenë aty. Unë jom ulë afër teje në kuzhinë, por ti mos më shqetëso mu.

Mas një kohe fillova me lypë edhe kande nëpër shpi ku muj m’u mshefë. Thjeshtë nuk funksionojke, sepse fëmijët nuk arrijnë me kuptu jetën profesionale kur je në shpi. Kur unë jom në shpi, unë jom babë edhe jom ai që i ndihmoj ata me lojnat e tyne edhe me krejt ato gjana tjera. Ideja që nuk isha prezent para tyne, por isha profesor, ligjerues për një Universitet e krijojke prapë njëfarë teatri të absurdit. Shpesh nervozë dhe stres i panevojshëm e që nuk kompenzohet me kurgjo hiç. Kjo është diçka që mu më dhemb hala.

Sa i përket gjendjes aktuale të artit në Kosovë, tu e ditë historinë sesi kultura është zhvillu dhe ka mbijetu këtu, nëse nuk ka mbështetje, artistët gjithnjë kanë gjetë mënyra me prezantu punën e tyne. Kjo është njena prej aspekteve kryesore që skena e artit në Kosovë e ka pasë e që është ajo që na shkrun në ballë. Është e ngjajshme me një punë teme, “Kur unë nuk shoh asgjë, unë duhet të imagjinoj diçka”. Natyrisht, kam pritje nga qeverisja qendrore që ta marrë pak ma seriozisht, se unë mendoj që Kosova me krenari e prezanton skenën e artit të vet edhe është diçka që e bën Kosovën me u njoft edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo ishte dashtë me u njoft një herë e përgjithmonë edhe me iu ofru ma shumë mbështetje.

Për mu kjo është diçka që nuk ishte dashtë me qenë temë çdo katër vjet, por ishte dashtë me qenë një strategji afatgjatë e qeverisë, “Ky binar edhe ky tren nuk don m’u ndalë. Le të ecë ky tren. Në rregull nëse mundemi me maru ma shumë binarë, por ky po na çon prej pikës A te pika B”. Kjo është e vështirë m’u përceptu për shkak se planifikimet afatgjata mungojnë në shumë sektorë të rëndësishëm të shtetit, si në shëndetësi dhe arsim. Nuk është për m’u çuditë që sektori i kulturës lihet në vagonin e fundit të trenit.

Nisem prej vetës, çkado që kom bo, çkado që boj, unë prapë se prapë jom shumë i ekspozum edhe nuk ka kurrëfarë kontura përreth meje të cilat ma mundësojnë njëfarë sigurie financiare, që të paktën me ta ofru njëfarë lloj vizioni, por edhe trajektore të cilën mundesh me përcjellë si artist bashkëkohor. Nëse e rreshton vetën si artist, ti thjeshtë je shumë i ekspozum ndaj pasigurisë, nuk ki kurrëfarë sigurie.

Vitin e ardhshëm janë dy ekspozita shumë të rëndësishme për mu. Është një ekspozitë në shkurt të vitit 2021, ndoshta një prej ekspozitave ma të rëndësishme që kom marrë pjesë deri sot. Tani po ndodhë publikimi i librit, po ashtu ekspozita në Amsterdam. Këto janë disa pika ku unë tentoj m’i thurrë ato fijet e çorapave të leshit. Tu mundu si Nastradini m’i bo drutë për dimër. Ka pop—up evente që më mbajnë përmbi ujë.

Gjithesi është edhe diçka tjetër, unë tentoj me qenë konstant produktiv. Tentoj me prodhu punë, tentoj me arkivu këto që po më ndodhin. Siç ka thanë Denzel Washington, “Fat është çkado që të ndodhë dhe ti je i përgatitun”. Fat e quaj një mundësi që më ofrohet edhe unë jom tashmë i pregaditun. Nuk tentoj me kap me durë bosh, por tentoj me kap me përvojën që e kom.


Driton Selmani (1987) është artist pamor multimedial me bazë në Prishtinë. Ai magjistroi në Universitetin e Arteve Bournemouth në Mbretërinë e Bashkuar. Shpesh të shfaqura si skica apo aforizma të shkruara në vende të rëndomta, punët e Selmanit ofrojnë udhëzime të thjeshta mbi idetë sesi të jetojmë dhe shpesh herë reflekton ekperiencat e tij personale në Kosovë dhe Jugosllavi dhe historinë kolektive të këtyre vendeve. Selmani është paraqitur në ekspozita individuale dhe grupore ndërkombëtare, ndër të tjera, në Muzeun e Artit Bashkëkohor Rijeka në Kroaci; Stacion—Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, Muzeu Ludwig në Budapest, Kunstraum Niederosterreich në Vjenë dhe Casa Contemporânea në Sao Paulo.