Ç’kohë e pakohë!

Nga Egzona Hajrullahu

E lindun më 4 mars 1997, në qytetin e Preshevës, si vajza e parë në familje, por fëmiu i  dytë i  prindërve më kanë pagëzuar Egzona, që  sipas  rrëfimeve  t’nanës, kishte qenë një gëzim i madh i cili e  paska kaplu shtëpin tonë në diten e  ardhjes sime në jetë e ky gëzim donin t’i shoqëronte tanë jetën. Si fëmi, mbaj mend lojrat me shokët e shoqet e lagjes, ditët e para të shkollës, pastaj adoleshencën time, aktivitetet e organizimet me shoqni, por asnjëherë nuk mbaj mend që kam qenë e izoluar qoftë edhe për një ditë t’vetme sikur sot.  

Për shkak të studimeve më është dashur të largohem nga familja që në moshën 18 vjeçare, dhe të filloj një jetë të re në Prishtinë, në kryeqytetin që unë e dashuroj çmendunisht. Aktualisht  jam në vitin e dytë të studimeve Bachelor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Aq shumë e kam  për qejfi këtë degë, e sidomos me semestrin e katërt ku lëndët ishin më tërheqëse dhe i kishim  premtuar vetës, por edhe profesorëve shumë punë e aktivitete.  

Dita e 10 marsit, 2020 ishte një ditë e zakonshme në rutinën e një studenti. Si çdo ditë, u nisa me qejf  drejt Fakultetit Filozofik për të ndjekur ligjeratën në Studime Gjinore, ligjëruar nga profesoreshë Linda  Gusia. Kjo landë ishte shumë e dashtun për studentët dhe na bënte shumë kurioz e debatues mes  vete,  saqë mezi prisnim të marten tjetër për t’u takuar përsëri. Në fillim të ligjeratës, pas  përshëndetjeve tona, profesoresha na foli pak edhe për gjendjen që kishte kapluar botën për shkak të  virusit  Covid-19,  dhe  kujdesin  që  duhet  të  kemi.  Pastaj filloi ligjërimi, diskutimi mes kolegëve, e dëshirës për të kuptuar më shumë për temën në fjalë nuk i mjaftonin tre orë që kishim.  

Në mbrëmje kishin filluar edhe lajmet për situatën në Kosovë, dhe me datën 11 mars 2020, u mor vendimi për mbylljen e të gjitha institucioneve. Unë isha në shtëpi dhe me të dëgjuar lajmin e thërras në telefon miken time për të kuptuar se çfarë po ndodhte atje. Ajo më tregoni se gjithçka ishte mbyllur, edhe konviktet e studentëve, dhe nuk lejohej që të hynim më, madje as për të marrë gjërat tona. Me vete kisha tre, katër libra me të cilat e ngushëlloja veten se do të më ndihmonin për një  javë. Por, gjërat nuk po shkonin siç e mendoja, sepse përhapja e virusit kishte filluar dhe masat  ishin më të rrepta. 

Kjo situatë po vazhdonte me javë të tëra, sa që filloi të bëhej e mëzitshme dhe “kaotike”. Nganjëherë  e ngushëlloja veten duke menduar për gjithë atë që po ndodhte dhe thosha me vete, “Mos ndoshta ne njerëzit e kemi lodhur tokën aq shumë me ndotje saqë na detyroi të qëndrojmë brenda. Mos ndoshta edhe kemi harruar pakëz të jetojmë ashtu siç duhet?” Pavarësisht kësaj, për mua ishte shumë e mundimshme dita pa obligime, sidomos kur kuptova se nuk do të kthehemi njëherë në fakultet, ishte edhe më shumë e mërzitshme.  

Pavarësisht se isha pranë familjes sime, kisha kohën e botës për të rikujtuar shumë e shumë gjëra, për t’ju kthyer rrëfimeve të jetës, lojrave fëmijërore e për të çuar në fund punët që më kishin mbetur në gjysmë, përsëri ndjeja një zbraztirë në shpirt. Kisha mall për njerëzit që ishin përditshmëri e imja, por jo vetëm kaq, ishin pjesa tjetër e familjes.  

Shkëputja nga mësimi ishte edhe një lodhje tjetër, saqë mezi prisnim të ketë një zgjidhje. Më në fund u bë, Univerziteti i Prishtinës kishte filluar organizimin e mësimit virtual dhe ne po bëheshim gati. Me të marrë dorën programit, filluam takimet e ligjeratat me profesorët e kolegët. Nuk e keni idenë sa na kishte marë malli, nuk kalonte ligjerata pa i përmendur sallat e fakultetit. Nganjëherë thoja, mirë kjo  teknologjia ka avansuar,  por  prapë  e  ka  një  të  metë,  nuk  ta  dhuron  knaqësinë  e  përqafimit  si  në  prezencë. Takimet vazhdonin çdo ditë dhe kjo ishte një ndihmesë shumë e madhe për neve si studentë, por prapë malli nuk shuhej, sidomos kur thonim, “Ahh, çfarë periudhe e mirë ka qenë gjatë lëndës Kujtesë Kolektive, ahh planet në Studime Gjinore”. Kjo ishte e dhimbshme. Nuk e doja kurrë një  sfidë të tillë të qëndruarit brenda mureve, nuk e doja  kurrë  vetëm  në  këtë  periudhë  të  studimeve, të viteve që unë i doja shumë.  

Ahh, ç’kohë ka kapluar botën këto muaj. Covid-19, një virus që ndryshoi jetët tona për një  moment të vetëm. Të gjithë jemi të mbyllur, dikush larg e dikush afër familjes, të papunë që po  jetojmë me rezervat familjare aq sa kemi, por jo të gjithë, sepse dikujt po i mungon edhe kafshata  e bukës. Njerëzit po mundohen të ndihmohen mes vete që të kalojmë këtë sfidë sëbashku, duke  u kujdesur për veten që të mbrojmë më të dashurit tanë. Ti nuk mund ta imagjinosh se në atë  kohë, me dashtë do të thoshte me i qëndru larg dikujt e mos me përqafu, kjo ishte dashnia ma e  madhe ndaj atij personi, se kështu e ruaje nga rreziku. 

Për me kalu këtë sfidë, çdo ditë na duhej të dëgjonim thirrjet e heronjëve tanë, të mjekëvë  të cilët po qëndronin në vijën e parë të frontit duke luftuar në çdo moment me këtë virus, duke  mbrojtur njerëzimin, sepse më shumë se betimi i Hipokratit, kjo kishte të bënte me shpirtin e tyre  të fortë e të patrembur. 

E sot, me  të  kaluar  një muaj  nga  karantinimi,  sikur  po mësohem me  pranimin e  kësaj  gjendje, po ia bëj humorin vetes, nganjëherë edhe mërzinë e nervozizmin por t’menaxhuara mirë.  Ditën po e nisë me një “kafe të pa paguar” në shoqërimin e librit, pastaj po vazhdoj me aktivitet  sportiv e kujdes për kopshtin. Pasi të gjithë jemi në shtëpi, edhe punët tona janë ndarë në një  farë mënyre, secili nga ne po merret me diçka rreth shtëpisë, dikush përgaditë ushqimin, dikush  tjetër bënë pazaret, dikush  tjetër kujdeset për pastërtinë e me  rradhë, e që kjo mos me u bë  rutinë çdo dy ditë ndërrojmë përgjegjësitë. 

Pavarësisht se ndjehesha e lodhur nga përdorimi i rrjeteve sociale (për herë të parë në  jetën  time), mbrëmja nuk kalonte pa u kyçur në  facebook për  të pa ç’po ndodhë me botën e  nganjëherë edhe  të  debatoja me  dikë  kur më  vriste  syrin  ndonjë  status  i  llojit “nuk  po  rrihet  n’shpi, tmerr qenka”, që zakonisht bëhej nga burrat, dhe më duhej t’ia bëja, me dije se shumica  e grave kështu ishin edhe para virusit, kështu që qetësohuni e reflektoni, hahah!  

Sado e mërzitshme kjo kohë prapë m’ka bë me mendu se sa e vlefshme qenka liria, sa e vlefshme qenka familja, sa e vlefshme qenka dashnia, sa e vlefshme qenka miqësia, sa e vlefshme  qenka dija, e krejt këto falas për njerëzimin. Mezi po pres me mbaru kjo situatë, me ju rikthy jetës normale, me  qenë e lirë me lëvizë e me i  përqafu  njerëzit e mi, me mbrojtë ambientin e me mbrojtë diken që i cenohet liria, me u kujdes më shumë për ata njerëz që janë vetëm. Edhe pse jemi mbyllur e larg njëri-tjetrit, prapë, shpirtnisht kurrë s’kemi qenë ma afër.  

Ndoshta kur kjo do të kalojë nuk do të jemi më të njejtit, ndoshta për dikë do të jetë mirë  e për dikë keq, por të gjithë do të kemi një mundësi të dytë, e nëse edhe pas kësaj nuk do të jemi  njerëz më të mirë, nuk paskemi mësuar asgjë. Do të rikthehem, t’shkruaj për t’tregu se e mposhtëm këtë virus, e po i përqafoj krejt çka du.


Egzona Hajrullahu është studente e sociologjisë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Znj. Hajrullahu ndan me ne një rrëfim në vetën e parë në lidhje me përvojat e saj përgjatë karantinës së COVID-19 pandemisë. 

Ilustrimi nga Renea Begolli