Të bëhesh artist i studios

Nga Meriton Maloku

Në atë fillimin e pandemisë nuk ka pasë mbyllje në Antwerp. Ka qenë veç pengesa me kalu kufinin, ka pasë kontrolla rrugës edhe janë mbyllë institucionet shërbyse për me parandalu komunikimin. Këto ditët e fundit, Antwerp ka fillu m’u shndërru në qendër të pandemisë. Për një moment ka fillu ora policore, dhe kjo është regjionale dhe po aplikohet vetëm në Antwerp. Për shembull, kufini me Holandë është shumë afër, ka shumë njerëz prej Holandës këtu, dhe nëse ata dojnë me udhëtu atje e kanë të pamundun.

Ora policore për herë të fundit është apliku gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1944. Njerëzit janë pak të frustrum me këtë, por është një vend që për një kohë shumë të gjatë është ndërtu mbi bazat e një demokracie socialiste edhe kur vjen puna te burokracia edhe rregullat gjithçka bëhet një lëmsh i madh. Në rregullore ke nene të ndryshme, ndërsa kur takon policë rrugës, ata të shtrojnë pyetje dhe kanë qasje tjetër nga nenet. Mandej janë tre qeveri, tre kantone. I ke holandezët, francezët edhe gjermanët. Brukseli në fakt është komplet në veti edhe aplikojnë ligje të veta.

Kjo pjesa e konfuzionit është aspekti ma frustrus për mu, sepse unë punoj edhe me një bar për me mbijetu, dhe duhesh me qenë mjaft i kujdesshëm se dënimet i merr bari, nuk i marrë unë gjatë punës. Ka kohë të gjatë që prej kur shoh njerëz të friksum prej njeni—tjetrit, mirëpo kjo ndodhke më shumë gjatë mbylljes. Ka qenë mjaft e veçantë për mu, se unë nuk jom njeri që mundem me qëndru shumë brenda. Unë lypi me lëvizë edhe me bo diçka tanë kohën.

Fatmirësisht e kom një atele që ka kopsht. Ateleja është e Asociacionit të Artistëve dhe nëntëdhjetë përqind e tyne janë belgë. Aty është një grup i madh i njerëzve që punojnë dhe krijojnë për gjashtëdhjetë vjet, një pjesë e këtij komuniteti është ma i vjetër dhe një pjesë është ma e re. Në atë kohë gjithë ditën punojsha në atele, ndërsa në mbramje lujsha ping pong me distancë dy metra. Mandej, kemi pi ka ni birrë edhe kemi shku krejt nëpër shpia.

Gjatë kësaj kohe unë kom pasë shokë e shoqe, e kom pasë një rreth prej tre—katër njerëzve me të cilët kom kalu ditë e natë. Ata janë prej këtu edhe prej vendeve të ndryshme. Në Asociacion është një gjeneratë liberale e vjetër që pak ju interesojnë këto çështjet identitare. Ekzistojnë hajgaret që i kemi për nacionalitetin tem edhe për nacionalitetin e tyne. Ato janë hajgare që ndodhin mes neve dhe të cilat unë i kom inicu. Për shembull, kur i mshojsha topit të ping pongut keq, dikush thojke, “S’ka lidhje se ti je i traumatizum prej luftës”.

Unë e konsideroj që jom i pranumë, se unë atë hajgare e kom bo vet edhe hajgaret e zeza të tyne ua thom edhe unë atyne. Ky raport për mu është goxha i mirë edhe i rëndësishëm. Realisht, këto hajgare bëhen për me më çliru mu prej barrës prej kahit jom. Të dytë e kuptojmë këtë. Unë përmes humorit e vërej njëfarë çlirimi në mendje të njerëzve, njëfarë pranimi.

Unë jom migrant, por kjo është shpia jem për momentin. Jetoj këtu qe dhjetë vjet. Është vështirë kur shkoj për vizitë në Kosovë, nuk është ide e mirë me qëndru ma shumë se një javë. Në njëfarë mënyre jom turist kur shkoj atje, sepse është diçka që e bëj në kohë të lirë. Mendoj që jom integru në Antwerp edhe që është një qytet multikulturor. Antwerp është njëfarë Babiloni, ku sistemi i integrimit nuk ka funksionu kurrë edhe tanë kohën ankohen pse njerëzit e hujë nuk e folin holandishten, por në të njejtën kohë nuk kanë bo kurgjo për me i integru këta njerëz.

Ka geto të vogla në thojza të kulturave të ndryshme që janë goxha ekzotike. Këta njerëz janë taman migranta, që mbesin migrantë sepse i kanë lidhjet e veta, i kanë kafet e veta të vogla, shitoret e veta, tanë kohën flitet gjuha e tyne në ato rrethe. Sidomos kjo pjesë e kulturës është multietnike, shkaku se Antwerp është një prej porteve detare ma të mëdhaja në Evropë. Ka shumë njerëz që e vizitojnë. Mandej, Akademia e Arteve, departamenti i modës bjen për çdo vjet deri në pesëqind studenta prej krejt botës. Unë ndihna si në shpi edhe jom i trajtum sikur me qenë i ktuhit.

Deri tash prej njerëzve që i njoh personalisht askush nuk ka qenë i infektum. Kom dëgju për disa njerëz që i njoh, të cilët janë myshteri në bar, por nuk kom pasë kontakt me ta. Antwerp është shpallë epiqendër edhe ky fakt është zmadhu përmes lajmeve për me shtu frikën te njerëzit, bashkë me frikën edhe kujdesin. Dikur njerëzit kanë dalë pa maska, janë përqafu kur kanë folë me njeni—tjetrin. Tash secili duhet me mbajtë maskë edhe është shumë e çuditshme me i pasë njerëzit afër. Sidomos tash po ndihet frika edhe kujdesi është shumë ma i madh, gjë që është ma mirë.

Në fillim janë ndalu të gjitha bizneset, ushqimoret, furrat e gjithçka është mbyllë. Mandej, me kontroll të shtumë i kanë leju me punu veç bukës, këto gjanat elementare për të cilat kemi nevojë me u furnizu. Mbas nja tre jave kanë fillu edhe këto bizneset tjera që shesin materiale ndërtimore, se gjithkush filloi me renovu shpinë, në njëfarë mënyre me u marrë me ambientin e tyne, se krejt kishin kohë edhe ishte e nevojshme me i çelë dyqanet.

Puna jem është mbyllë menjëherë edhe te unë ka fillu njëfarë pasigurie financiare. Shteti mundëson sigurimin për krejt ata që e humbin punën. E kanë ndërtu një sistem “Teknikisht i papunë” quhet edhe gjatë periudhës që je i papunë e merr gjashtëdhetë, shtatëdhetë përqindshin e rrogës. Por realisht, unë punoj dy ditë në javë. Kohën tjetër e kaloj me punë në studio, pikturoj ose vizatoj ose jam në ndonjë hapësirë ekspozuese. Për shkak të sistemit edhe nëse punon një ditë ekstra, konsiderohet pagesë në të zezë.

Në ndërkohë kur fillun me u çelë këto shitoret e ndërtimtarisë, mu m’u dha një mundësi me rregullu një dhomë edhe një banjo. Taman si art instalacion. I thashë që muj me bo edhe për shkaqe financiare veç fillova me punu. Nuk është që kom shumë përvojë. Mirëpo, është një pasion i jemi me punu me materiale që nuk i njof edhe realisht nuk kom refuzu kurrë punë t’u thonë, “S’po di!” Tonë kohën kom kërku me ma dhanë një mundësi me pa qysh po e boj. Mandej, kom hulumtu online ose kom lexu diçka edhe i kom gjetë materialet edhe ka dalë mjaft mirë.

Është njëfarë rrene e madhe rreth teje, por e ndërton njëfarë vetëbesimi për me ia dëshmu tjetrit që mundesh me bo atë punë. S’e di, unë ashtu e shoh. Është intriguese edhe mu m’doket goxha argëtuese. Nejse, kom punu nja dy tri javë aty një lloj ndërtimtarie, i kom grry dritaret, kom ly, mandej një dhomë të gjumit e kom izolu. Kom punu i vetëm ose më ka ndihmu punëdhanësi aty. Kur e përfundojsha shkojsha lujsha ping pong, i pijshi dy—tri birra edhe u kthejsha në shpi.

Gjatë gjithë kohës kom komuniku me mamin edhe me vllaun. Gjithë i thojmë njeni—tjetrit, “Rujuni të lutna”. Në të dy anët ekziston njëfarë frike. Njëherë masi biseda shkoi goxha gjatë thanë, “Çka nëse dikush smuhet atje ose çka nëse unë smuhna ktu edhe gjendja përkeqësohet?” Mundësia me lëvizë nuk ekziston, por edhe me qenë mundësia me u pa, prapë nuk ekziston. Prapë është njëfarë kujdesi që mundesh me ofru me njëfarë mënyre përmes këtij komunikimi online. Edhe e di që ekziston ajo frikë, ajo është nji prej arsyeve që m’ka bo m’u kujdes edhe me u rujt ma shumë.

Flasim shumë për numrat e rasteve të të infektuemve në Gjilan edhe qysh është situata aty. Vllau ka shumë komunikim me tjerë se ai lunë futboll, gjë që është ma i rrezikum. Puna e mamit edhe ajo ka punë me myshteri tanë kohën. Unë mundohna me ia dhonë një siguri që gjithçka është në rregull edhe ata mundohen me ma ofru mu një siguri që gjithçka është në rregull. E kemi njëfarë ndjenje që nuk e artikulojmë për me mbajtë optimizmin. Nuk i thojmë të gjitha gjanat, veç një herë kemi shku deri aty.

Për shkak të gjendjes financiare njëfarë frike m’kapi edhe postova diçka online për me shitë. Shokët që i kom këtu, taman njerëz që i du e që m’dojnë fillunë me më thirrë për me më mbështet. Unë thojsha, “Jo, jo, unë financiarisht jom OK, veç po i tutna nji t’ardhmes ma të vështirë”. Filloi realisht njëfarë lloj lëvizje drejt dixhitalizimit të punëve ose komunikimit dixhital. Ekspozitat u ndalun, gjithçka u ndalu edhe për një moment fillunë kolektorët me komuniku me artista përmes rrjeteve sociale. E hekën prej loje ndërmjetësuesin ose galeritë, dhe për shkak kësaj çmimet e punëve ndërrojnë tanë kohën.

Kur është puna te pjesa pamore, unë nuk kom shumë nerva, lypi tanë kohën me lëvizë edhe në qoftë se pikturoj diçka zakonisht ka mundësi që i bëj katër piktura në ditë, ka mundësi që e bëj një pikturë. Është proces shumë i shpejt për mu, ashtu jom, nuk ka t’boj me kualitet ose shpejtësi. Zakonisht shpejtësia nuk bjen kualitet në pikturë, por numri i punëve është rritë në njëfarë mënyre. Unë nuk jom artist i studios, ka artista që janë në studio që pikturojnë si në orar të punës. Unë jom ma shumë në lëvizje edhe gjithçka e trajtoj në proporcion me hapësirën ku ekspozohet një punë.

Mirëpo, gjatë mbylljes unë fillova me u bo artist i studios. Isha i mbyllun dhe i ballafaqum me materialet e mia që i kisha përreth. Provojsha me punu me sende që s’kom punu ma herët. Kom fillu me punu me beton, kjo është pak para mbylljes, me metal, me saldu. Unë s’kom saldu kurrë, e kom edhe maqinën aty. Fillova veç me provu, realisht është saldimi ma i keq që e ka pa najherë najkush. Ndërkohë, atë pjesën tjetër kur u mërzitsha t’u bo diçka të re, u kthejsha prapë te piktura edhe te vizatimi.

Në vizatim unë provoj vizualisht me i pru elementet e ndryshme me një hapësirë e cila bëhet dhomë, edhe tash gjatë mbylljes veç shkoi me njëfarë niveli meta, meta… Unë isha i mbyllun, gjithkush ishte i mbyllun, por çdo punë që e bojsha dukej sikur jom aq emocionalisht i lidhun me gjendjën edhe po prodhoj prapë punë të dhomave. Në këto dhoma janë shtu elementet, por kom vazhdu në atë rrjedhën që kom qenë.

Kur filloj me pikturu tendenca është me kriju një rrëmujë. Kanvasi është i bardhë ose çfarëdo ngjyre që ka. Tendenca është që gjithmonë me kriju një problem edhe mandej me de—enigmatizu atë. Çka vizatoj për momentin janë tavolina, karrikat, kerret, paqetat e cigareve ose veç elemente të vogla që i mbledhi prej bllokave të vizatimit. Mirëpo, ka shumë rrëmujë në to. Situata në to gjithnjë bëhet goxha problematike. Kur ulem me shiku ma përafër, duket si një bombë me eksplodu në dhomë. Mandej, filloj edhe punoj me rrollë që i lyjnë shpiat, me to i bi përmbi krejt elementeve, tu e grry atë ngjyrën e fundit filloj me i pru objektet prapë në jetë.

Çka vërej te pikturat është që në sipërfaqe të rrafshta një—ngjyrëshe në një mënyrë sharlatane mundohna me kriju njëfarë hapësire përbrenda një hapësire. Këtë e bëj tanë kohën. Mandej, në pikturë shfaqen edhe disa orendi tjera. Tash s’fundi ka fillu me ardhë edhe frigoriferi edhe thika e bukës, po më duket për shkak që kom përgatitë ma shumë me hangër tash, se kom pasë kohë, nuk e di ndoshta është një figurë e nanës në krejt këtë muhabet. Një frigorifer, një dërrasë të bukës edhe një thikë e bukës.

Në këtë periudhë psikologjikisht jom ma pak stabil, sigurisht ka të bëj me mbylljen edhe mosdaljen. Unë dhe të tjerët nuk kemi shku me vallzu, gjë që për mu është një energji goxha e ndrydhun. Ka mundësi që krejt këto sende edhe psiqikisht janë pak të mundimshme. Sigurisht tash me orën policore ditët janë bo ma të shkurta. Unë tash edhe pak shkoj në punë, dhe në orën 11:30 nuk guxon kërkush me qenë në qytet. Barin e mbylli në 11:00 edhe jom në shpi me mendu çka kom bo sot.

Në një të ardhme të afërt këtë periudhë kemi me pa si periudhë të shkurtë. Çka jemi t’u trajtu tash, jemi tu e trajtu tamam si një kompleks që i ka ndërru jetat tona. Sigurisht që e ka bë, por unë prapë shpresoj në kthim në normalitet. Në të njejtën kohë, ka ligje që po ndërrohen ku cenohet liria e lëvizjes, liria e fjalës, ku ka ndalesa qysh duhesh me u sillë, sa duhesh me mbajtë distancë, qysh duhesh me teshtit edhe çka duhesh me veshë. Këto në njëfarë mënyre e prekin komplet pjesën politike të sistemit edhe nuk mendoj që krejt njerëzit pajtohen me shumë ndryshime.

Për këtë ka me reflektu një pjesë e komunitetit artistik, pa marrë parasysh sa pajtohemi mes veti me diçka apo jo, por secili është individ kur vjen puna tek të drejtat politike. Për shembull, unë tash jom komplet kundër orës policore. Më duket e rrezikshme, se nesër ose më vonë me ndodhë një sulm terrorist do të përdoret e njejta formë. Është një ndrydhje e përnjëhershme, një mënyrë shumë e lehtë me kontrollu një komunitet.

Për shkak të pandemisë disa projekte janë anulu, sepse nuk dihej kur ka me përfundu. Tash së fundi kanë fillu disa gjana të reja me ndodhë. Javën që vjen e kom një ekspozitë. Nuk ka hapje zyrtare, gjithçka organizohet, hapet ekspozita, mirëpo njerëzit ftohen me ardhë nëpër periudha të ndryshme. Ka ma pak komunikim mes artistëve. Shokët e mi që krijojnë janë tepër afër vetës së vet. Është njëfarë mbyllje personale që po i ndodhë secilit. Këtë jom tu e pa te njerëzit përreth meje që krijojnë.

Ndërkohë jom t’u apliku në Hesselt si asistent në Akademi të Arteve. Për këtë ia mbusha mendjen vetit edhe po provoj. Ky është rezultat i qetësisë që e kom, nuk po kom shumë çka me bo, kështu që po e rifreskoj biografinë profesionale edhe po e kuptoj që, “Në rregull, po muj me bo diçka”.


Meriton Maloku (1989) është artist pamor multimedial me bazë në Antwerp. Maloku morri diplomë bachelor dhe master në Artet Figurative në Akademinë Mbretërore të Arteve Figurative Antwerp, Belgjikë. Në grafikat, vizatimet, pikturat dhe instalimet e tij, ai eksploron politikën, filozofinë dhe historinë e artit me përsëritje, gjallëri dhe humor. Jashtë Kosovës dhe Belgjikës, puna e Malokut është shfaqur në vende të tjera si Londrër dhe Xi’an. Maloku ka marrë çmime të shumta prestigjioze në Kosovë dhe Belgjikë, ai e ndan kohën e tij në mes Antwerp dhe Gjilanit.