Babai im, Shaban Miftar Pajaziti

Nga Adem Pajaziti

Adem Pajaziti u lind në vitin 1951 në Çubrel, komuna e Skenderajit. Është ekonomist dhe Drejtor Ekzekutiv në “GC Metal” në Janjevë, Lipjan.

Në këtë rrëfim të shkurtër ai flet për babain e tij, Shaban Miftar Pajazitin (1918-2007), i cili ishte i lindur dhe jetoi gjatë tërë jetës së tij në Çubrel, pasi i kishte mbijetuar masakrës së Tivarit të vitit 1945.


 

 

Babai im Shaban Miftar Pajaziti

Babai im ishte më i rrituri nga pesë fëmijët, tre vëllezërit dhe dy motrat, edhe pse i arsimuar në atë kohë në gjimnazin mbretëror, ai nuk u largua nga shtëpia e tij në Çubrel, Drenicë, për të gjetur një jetë më të mirë. Për shkak të pozicionit të gjyshit tim, si plak vendas dhe ndërmjetësues i pajtimit të gjaqeve, që i solli status, por jo para, për këtë Shabanit ju duhej ta mbështeste familjen.

Ai ishte njëzet e shtatë vjec në vitin 1945, kur ishte rekrutuar me forcë nga trupat partizane dhe u dërgua për të luftuar në frontin verior. Ai tregon historinë e marshimit të tij dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë nga Kosova në Mal të Zi, Kroaci dhe Slloveni, në një intervistë të filmuar para vdekjes së tij në vitin 2007. Ai ishte me fat për t’i mbijetuar kohërave të vështira të marshimit, torturat nga gardianët, dhe vrasjes masive në Bar (Tivar), vetëm për t’u listuar në Brigadën e Gubec Matija, dhe për të luftuar për aneksimin e qytetit italian të Triestes ndaj Jugosllavisë. Për të dhe shumë të tjerë, lufta përfundoi nëntë muaj pasi që u shpall paqja.

Kur u kthye në shtëpi në vitin 1946, e gjeti të fejuarën e tij aty, tashmë ishte bashkëshortja e tij. Nëna e tij, me dy më të vjetërit e fshatit, e kishin marrë  nga shtëpia e babait të saj në shtëpi të tij përderisa ai ishte akoma në luftë. Nuk kam asnjë kujtim të nënës. Ajo vdiq kur unë isha vetëm nji vit e gjysmë. E ruaj vetëm një imazh, kur unë i kapesha për fustani për të mbajtur ekuilibrin. Nuk ka mbetë asnjë fotografi e saj, dhe unë duhet të mbështetem në tregimet e tezes sime për të krijuar fotografinë e saj. Më është treguar se nëna ime ishte shumë e bukur. Ajo ishte 18 ose 19 vjeçe kur erdhi në Çubrel si nuse.

Babai im nuk u rimartua për trembëdhjetë vjet, sepse nuk mund të gjente askënd që mund t’a zëvendësonte gruan e tij të re e të dashur. Më vonë ai u martua me një grua nga Vinarci i Epërm, Mitrovicë, e cila i lindi pesë fëmijë.

Në Çubrel, Shabani punoi në mirëmbajtjen e rrugëve tërë jetën e tij. Ai kurrë nuk e pëlqeu qytetin dhe bregdetin. Ai e donte fshatin e tij. Erdhi vetëm një herë për të më vizituar në Prishtinë, kaloi natën tek unë dhe u kthye në shtëpi të nesërmen. “Fshati im është më i miri në botë”, thoshte ai, “[Çubreli] ka një lum, fusha, malin, dhe rrugën kryesore”.

Download PDF