Një armik që nuk e sheh

Nga Artan Hajrullahu

Jetoj me gruan dhe me dy fëmijë. E kom babën dhe nanën, jetojmë si familje me një shtëpi. Unë jom mësimdhënës, dhe kur erdhi thirrja që me u ndërpre shkollat, me u ndërpre çdo aktivitet, kur e diskutuam me familje dhe kolegë e kuptuam si diçka që s’do të zgjasë shumë. Siç u mendua në fillim që do të zgjasë një javë, dy javë, deri me 27 mars. Por, gjatë qëndrimit në shtëpi, nga mënyra sesi përhapej virusi u kuptua se mbyllja do të zgjasë.

Mbyllja e njerëzve dhe këto daljet deri në market për me ble gjësende për familje, ta jepte njëfarë ndjesie të një jete tjetër. Si person që e kom përjetu luftën para njëzetë viteve, mbyllja ma ka kujtu afërsinë që ka ndodhë në mes të familjarëve për shkak të rrethanave. Jemi mbledhë gjithmonë edhe kemi vendosë, kemi diskutu, kemi ndejtë, kemi bo humor si mënyrë për me tejkalu vështirësitë e kohës. Mirëpo, pandemia është diçka tjetër, vet fakti që nuk po ke mundësi me u taku me familjarë të tjerë që janë një rreth ma i gjerë, sinjalizon domosdoshmërinë e distancimit fizik.

Në këtë periudhë i kom pasë tre projekte që më është dashtë me i realizu, qoftë ekspozita kolektive apo personale. Për shkak të pandemisë këto aktivitete janë ndërpre. Unë si person, si artist më duhet me komuniku me njerëz, më duhet me vizitu galeri, ekspozita të projekteve të atistave të tjerë. Pamundësia për me ba këtë, ka ndiku shumë negativisht. Mirëpo, gjatë mbylljes njeriu duhet me qenë pak kreativ edhe me gjetë veten, dhe izolimi ka qenë ndrydhje e vetës, dhe kjo është çka më ka pengu.

Çdo artist ka nevojë me dalë, me taku njerëz edhe me u frymëzu. Thjeshtë, kjo ka qenë çka kom pasë nevojë. Rrin në shpi, mendon, edhe çka? Frymëzimet gjithmonë vijnë duke shëtitë, duke pa, duke taku dhe duke ndëgju storje të ndryshme të njerëzve. Kur fillon me i përmbledhë si kompozicione, ky proces të shpien drejt një krijimi.

Gjatë kësaj periudhe të mbylljes, njëqind përqind kom mendu për anën artistike dhe kreative të punës sime. Unë personalisht nuk kom dalë shumë jashtë asaj çka kom punu gjithëherë, pra nuk kom kriju jashtë ciklit tim të punës. Sidoqoftë, kom pasë kohë ma shumë me u marrë me to. Por, kjo periudhë ka qenë e dëmshme për artistët që punojnë në bashkëpunim me tjerët, për shkak se s’kanë mundur ta zhvillojnë tutje bashkëpunimin.

Sidoqoftë, gjatë mbylljes kryesisht merresha me familjen time. Pra, me fëmitë, detyrat e tyre, këshillat që duhej dhënë. Ndonjëherë përciellja televizionin, lajme të ndryshme, dhe në kohën e mbramjes deri në orët e vona gjeja kohën për t’iu dediku profesionit tim, t’u kriju diçka, t’u nxerr diçka të re.

Djali im është në klasën e parë, dhe për të kjo kohë ka qenë humbje. Në klasë të parë fëmiu ka nevojë të madhe të socializohet, pra nuk është vetëm mësimi ajo që merr nga kjo përvojë. Nuk është vetëm mësimi dhe spjegimi që ia ofron fëmiut, një përqindje të madhe të kohës fëmijët mësojnë edhe mes veti. Duke e kritiku njeni—tjetrin, duke e pyt njeni—tjetrin, ata mësojnë. Për fëmiun tim pandemia ka qenë një pengesë e madhe, për shkak sesa filloi të socializohej me shoqëri, të gjejë shoqëri, dhe për një moment u mbyllën.

Ky ka qenë një problem i madh edhe për prindër. Në procesin mësimor online, ata janë dashtë të luajnë rolin e mësuesit dhe me punu me fëmitë e tyne. Mësimi online i ka pasë të mirat e veta, por në anën tjetër si shoqni nuk kemi qenë të përgatitun për këtë formë të mësimit. Kurrikula shkollore e parasheh këtë formë të mësimit online, mirëpo mënyra sesi u shndërru në domosdoshmëri, ka qenë një goditje e fortë sidomos për sistemin arsimor të cilin e gjeti të papregatitur. Ne jemi mundu në platforma të ndryshme me mbajtë mësimin, por ka mungu socializimi i fëmijëve, u ka mungu fëmijëve të mijë dhe fëmijëve të tjerë.

Më parë, mësimdhënësit gjithmonë janë kritiku, tani e kemi kuptu randësinë e tyre. Nga perspektiva ime si mësimdhënës, gjithnjë është mendu për punën tonë që, “Hajt se ju dy—tri orë shkoni dhe ktheheni”. Secila familje dhe secili prind e ka kuptu sa është vështirë me eduku dhe mësu një fëmijë. Si mësimdhënës punojmë me njëzetë, tridhjetë nxanësa, ndërsa prindi punon me një, dy, tre edhe nuk ia arrinë pa u bë nervoz. Tani secili e kupton sa vështirë është në të vërtetë.

Vajza jonë është dy vjeç dhe gjatë gjithë kohës së mësimit online që e vijonte djali, ajo shpesh nuk e linte me mësu, ia merrte gjësendet, fletoret. Ne duhej gjithmonë me kriju distancë mes tyne, njeni me u marrë me djalin, dhe tjetri me vajzën. Diferenca e tyne në moshë e bënte të pamundun me qenë bashkë dytë në një dhomë.

Baba është veteran i arsimit edhe ai ka qenë mësimdhanës një kohë të gjatë, tash ka tri— katër vite që është në pension. Nana po ashtu, ajo është në penzion të amvises, jo të ndonjë profesioni të caktum. Baba, ai është mësu gjithmonë me qarkullu, me dalë me ecë. Këta ma të vjetërit e kanë një mënyrë tjetër të të menduarit, “Hajt se është grip i zakonshëm”. Nuk është ky grip i zakonshëm, ky grip pikërisht ju prek juve. Ju duheni me ditë që gjithëmonë keni sëmundje shoqëruese, si tensioni, yndyra, ajo, kjo.

Nesër po ju ndodhi diçka e vendosni familjen në një pozitë të palakmueshme, sepse të gjithë ndihen shkaktarë të infektimit tënd. Kemi hasë në mirëkuptim edhe jemi rujt, kemi mbajtë distancë, maskë, në fillim kanë qenë edhe dorëzat. Kur prindi shkojke në market me u furnizu, bojshim shaka me të, “Kqyre, je tu u nis në luftë, e ki një armik që nuk e sheh kërkund hiç”.

Gjatë kësaj kohe komunikimin me familjarët që janë përreth, kushëri, teze, halla e kemi pasë ma të vështirë. Ne si shqiptarë e kemi një traditë, një diçka me ndodhë shkojmë ta vizitojmë tjetrin. Këto shkuarjet nëpër familje kanë qenë gjithmonë të shpeshta. Në këtë kohë, në familjen tonë njëqind përqind jo, por për nëntëdhjetë e nëndë përqind të kohës kemi qenë të izolum. Kontakti ka qenë përmes platformave online, ku kemi diskutu: “Çka ndodhi te ju? Çka ka?” Fatmirësisht, familja jonë e ngushtë nuk ka pasë të infektum.

Unë dhe të tjerët dalim prej shpisë vetëm për shkak të nevojave që i kemi. Nuk dalim pa nevojë, dalim për nevoja personale dhe të familjes. Sidomos kur ke fëmijë gjithnjë ke nevojë për diçka. Kur dal prej shpisë nisem 50/50, kurrë nuk e din si, kur, çka, edhe pse je i mbrojtun me maskë. Për shembull, dje në market edhe pse e kisha maskën, duke e realizu pagesën, dy—tre persona më vijnë afër, tentojnë që ta kryejnë pagesën sa ma shpejt, sepse po nguten. Edhe pse informacioni është mirë i kjartësuar nëpër markete dhe inkurajon distancën fizike prej nji metër e gjysmë. Ajo shitësja i thotë, “Zotni të kesh kujdes edhe mbaje distancën”, por këto janë situata të paprituna edhe që nuk e din se kush po të afrohet, kush… këtu është problemi i të gjithë neve, nuk jemi shumë të sigurtë.

Unë e kom një rast, në fund të marsit një person disa herë që e kom taku është mundu me më fol, me më përqaf. Interesant, t’u më thanë, “Ai kurgjo kjo, s’ka virus! Artan kjo është veç diçka që njerëzit, politika”. S’ka dy javë që ai person është infektu me COVID—19 edhe qe dy javë është i mbyllun në karantinë. Tash po e ndëgjoj që ai po ua rekomandon tjerëve, “Jo, jo, ma mirë rujuni”. Thjeshtë po e pranojnë fajin, po e pranojnë që koronavirusi po ekzistojka, paska virus. Para se me të ndodhë, ti po jep përqafime, zgjatje durësh, nuk po i respekton masat parandaluese të përcaktuara nga Instituti i Shëndetësisë.

Në rrethin tonë ka pasë raste, por janë vetizolu dhe s’ka qenë problem i madh. Një ditë me një shok temin po bisedoj, ai është në Prishtinë. Tha, “Jom në izolim”. Thashë, “A je pozitiv?” Kjo puna pozitiv, negativ, goxha na ka bo konfuz. Tha, “Jo, pozitiv jom, por s’kom dalë”. E di edhe vet që është person shumë i qetë dhe i përmbahet rregullave. Fakti që është infektu është interesant.

Një përparsi te unë është që nuk e kom problem izolimin, nuk e kom problem mos me dalë. Kështu si shaka, por gjatë kësaj kohe edhe me anëtarët e familjes kemi pasë ma shumë komunikim. Shpesh edhe me grunë thojshim, “Uau këta fëmitë tonë i paskan sytë kështu, nuk ua paskëm kqyrë asnjëherë”. Nuk është që në rrethana normale nuk kujdesesh dhe nuk e përkrahë familjen, mirëpo janë obligimet që të largojnë. Obligimet të japin një kah tjetër, dhe kur je jashtë shtëpisë nuk arrinë me u përkushtu aq sa kishe pasë dëshirë.

Më shumë se një dekadë merrem me vizatim edhe formën e punës që e bëj është goxha formë delikate, sepse përdori materiale të reciklume, letër pako apo letër të thasëve. Gjithmonë i përdori ato edhe eksperimentoj me atë letër, punoj kollazhe, ua rregulloj formatin në të cilin e zhvilloj konceptin e punës. Është në këtë formë të punës që unë e ndjej vetën time shumë më mirë. Edhe pse më heret kom punu me video dhe me instalacione.

Platformat online dhe rrjetet sociale kanë mundësu vizibilitet edhe ma herët, por sidomos edhe në këtë kohën e pandemisë. Facebook—u, Instagram—i gjithmonë tu i postu dhe tu i share punët e mia, edhe kjo faktikisht ka arritë në njëfarë mënyre edhe me komuniku me të tjerët. Në vjeshtë kam një ekspozitë në njërën nga galeritë në Prishtinë në këto formatet 360 shkallë, për shkak mundësive të kufizume. Këto masat e reja nuk po e lejojnë që me qenë prezent njerëzit, edhe tash e vetmja mënyrë është prezantimi në 360 shkallë.

Këto ditë, në zyret e Bashkësisë Evropiane në Prishtinë është një ekspozitë “Artistët në karantinë”, ku përfshihen punët të cilat Galeria Kombëtare e Kosovës i ka nda me publikun gjatë mbylljes. Ndër ata artistë kam qenë edhe unë, edhe të gjitha ato punë që janë mbledhë, me to do të bëhet një ekspozitë. Për shkak të masave të reja ata e kanë pa që thjeshtë me qenë ekspozimi në formën 360 shkallë, pastaj të promovohet online që secili me pa, dhe me pasë mundësinë me vizitu.

Megjithatë, artisti edhe pse e prezanton punën e vet online nëpër rrjete sociale, nuk është njëjtë sikur kur ekspozohet në hapësirë fizike dhe përvojësohet. Në rastin tim, kur e sheh në fotografi punën time të postuar në rrjete sociale është shumë më ndryshe sesa në jetë reale, dhe kjo për shkak të materialeve që i përdori. Edhe vetë artdashësit ma kanë shtru këtë pytje, “Unë nga ajo çka kom pa nga punët që i ke shpërnda nëpër rrjete sociale, tash po e shoh që nuk qenkan si i kam mendu. Ti paske përdorë materiale të ndryshme, strukturë, është një ndjeshmëri tjetër”.

Nëse kjo mbyllje dhe izolim do të zgjatë ashtu siç po flitet deri në vitin 2022, besoj që kjo do të ndryshojë qasjen në art, jo vetëm te ne, por në të gjithë botën. Kjo pasi që në të ardhmen njerëzit kanë me hezitu me shku ose me u mbledhë dikund. Kur arti prezantohet online, po konsideroj që është më rehat, përvojë më private, dhe ajo punë po absorbohet më lehtë. Megjithatë, arti është në krizë. Unë nuk gjykoj artin në bazë të formatit, por ndonjiherë edhe ana minimale e punës ndikon në perceptimin e punës. Punët e mia, procesi im artistik, ka kalu nga formati i madh në një format minimal. Punët e mia janë me centimetra.

Procesi i punës për momentin nuk është i dukshëm për publikun. Kjo është në zhdukje, dhe për mu personalisht është për t’u brengosur. Ne po mendojmë që brenda një viti, dy viteve kalon pandemia, dhe një kurë për të do të zbulohet dhe nuk do të kemi nevojë të mbyllemi. Por, çka nëse pas dy viteve, ne do ta ndryshojmë komplet formën e jetesës? Do të adaptohemi dhe do të vazhdojmë të jetojmë në këtë formë sikurse gjatë këtyre dy viteve. Adaptohemi edhe na duket kjo formë e jetës ma e lehtë pasi që gjithçka është online. Dhe kjo është për t’u brengosur.


Artan Hajrullahu (1979) është artist pamor me bazë në Gjilan. Puna e Hajrullahut përqendrohet në jetën e zakonshme dhe nostalgjinë. Vizatimet e tij përshkruajnë skena të përditshme dhe kujtime nga fëmijëria e artistit, ku marrëdhënia midis qenieve njerëzore dhe gjësendeve shtëpiake tregon histori poetike. Hajrullahu është shfaqur në ekspozita personale dhe grupore në Kosovë dhe në rajon, si dhe Berlin dhe New York. Në vitin 2013, Hajrullahu fitoi çmimin Artistët e së Nesërmes dhe u emërua Artisti i Vitit në Gjilan. Në vitin 2018, ai fitoi çmimin Muslim Mulliqi. Aktualisht, Hajrullahu jep mësim në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore në Gjilan.