Emel Pashoja

Prishtinë | Date: 28 shtator, 2023 | Duration: 166 minuta

Po njoftohem me shoqet, ‘Prej ku je?’ ‘Prej Manastirit’. Njëra thotë, ‘E Mitrovicës’, njëra ishte e Vuthaj. E mbaruam njoftimin tash fillojmë punën. Një javë, dy javë po punojmë po shkojmë në punë, po takohemi, po pijmë kafe. Mirëpo unë vërej që duke qëndruar ata flasin, kur afrohem unë ata ndalen. Uh thashë çfarë jam kualifikuar unë për përgojim, çfarë kam bërë? 

 

Njërës, i them, ‘Lume, të lutem më trego çka është problemi që ju flisni për mua ama kur unë afrohem ju ndaloni. Ku është enigma?’ Ajo pak u mblodh e tha, ‘Emel’, tha, ‘të lutem më trego pse ike nga Manastiri’, thashë, ‘Se ika për shkak të fëmijëve, ku do t’i shkollonja?’ Ajo u zu kështu {kap kokën me duar}, ‘Wow’, tha, ‘edhe fëmijë ke pasë në Manastir?’ Mua atëherë më rroptoi. 

 

Thashë, ‘Ju mos keni mendu që unë jam motër murgeshë’, thashë, ‘edhe kam ardhur nga Manastiri?’. ‘Po’ tha. Thashë, ‘Juve a keni mbaruar shkollimin në gjuhën shqipe?’ ‘Po, në gjuhën shqipe’. ‘Po a keni mësuar për Migjenin?’ ‘Kemi mësu për Migjenin’, ‘Po Migjeni ku e ka kryer shkollën e mesme? Në Manastir’, thashë, ‘Manastiri është qytet’. Atëherë tek ata kuptuan se qenkam nga qyteti i Manastirit e jo nga manastiri si motër murgeshë (qeshë).


Anita Susuri (Intervistuesja), Ana Morina (Kamera)

Emel Pashoja u lind në vitin 1945 në Qystendil të Bullgarisë. Në vitin 1977 e ka përfunduar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup. Në administratën e gjimnazit “Sami Frashëri” ka punuar deri në pensionim, në vitin 1996. Ajo jeton me familjen në Prishtinë.

Emel Pashoja

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zonja Emel, nëse mundeni me u prezantu, me na tregu diçka për kujtimet e juja t’para?

Emel Pashoja: Së pari faleminderit që më keni nderuar me këtë ftesë. Quhem Emel Pashoja e lindur me 26 janar 1945-ten në Qystendil të Bullgarisë. Në moshën tre vjeçare, ‘48-ten, kur janë hapur kufijtë jam kthyer në Kratovo prej ku është baba im edhe prej atëherë deri në vitin ‘61 kam jetuar në Kratovo. Prej vitit ‘61 gjer’ më ‘64 kam qenë me shkollim në Shkup, në shkollën e mjekësisë. Prej vitit ‘64 jam martuar edhe kam jetuar në Manastir deri në vitin ‘70. Prej vitit ‘70 jemi shpërngulur në Kosovë së bashku me fëmijët e prej atëherë jetoj këtu.

Anita Susuri: Thatë që jeni lindur në Bullgari, si ka ndodhë kjo? Si kanë qenë këto lëvizjet e familjes t’juj?

Emel Pashoja: Luftrat gjithmonë kanë qenë shkaktare për tronditje të mëdha njerëzore. Njerëzit pa dëshirën e vet kanë përjetuar trauma shumë të rënda. Prej qytetar janë bërë refugjat. Nëna ka qenë, në atë kohë kur nëna ime është martuar vitet ‘40-ta, fundi ‘39-tes, Makedonia i ka takuar Bullgarisë dhe nuk ka patur kufi. Ajo ka qenë shtatzane me mu kur ka shku në vizitë te prindërit.

Në ndërkohë bëhen ndryshime politike, mbyllet kufiri edhe nana detyrimisht mbetet në Qystendil derisa t’krijohen kushtet që shtetasit e Makedonisë që kanë dashur të kthehen në familjet e veta… babai im ishte djali i vetëm nuk paramendonte dot të mbetet, lëre më t’i lërë prindërit. Janë kthyer prej ‘48-tes edhe prej atëherë unë vazhdova jetën në Kratovo, Shkup, Manastir edhe tash Kosovë qe 50 vite.

Anita Susuri: M’keni tregu disa histori të familjes t’juj për gjyshen, për prejardhjen e saj…

Emel Pashoja: Shikoni, këto janë gjëra shumë të bukura t’i tregojmë, t’i kujtojmë edhe sado t’i regjistrojmë, qoftë me shkrim, qoftë me elektronikë. Gjyshja ime ka qenë ajo kohë ka qenë akoma nën sundimin otoman, turke e Bullgarisë. E cila ka jetuar, ka qenë e edukuar në oborr të Sulltanit edhe n’atë kohë ka qenë ni femër shumë e emancipuar. I ka folur gjashtë gjuhë të asaj kohe botnore. Turkishten, arabishten, italishten edhe jahudishten edhe nuk e di edhe dy gjuhë të tjera cilat kanë qenë.

Por, për moshën, për kohën, për ni femër të asaj kohe ka qenë shumë shumë grua emancipuar. Ka qenë nana e gjashtë fëmijëve. Të gjithë kanë ditur të shkrujnë, të lexojnë. Domethënë ka qenë përparimtare, i ka dërguar djemtë dhe vajzat sëbashku në shkollë. Domethënë nëna ime e cila është martuar diku në vitet e ‘40-ta, kur ka ardhur në Makedoni, aty kanë gjetur botën muslimane akoma nën ferexhe ku femrat ishin të mbyllura. Ajo ka marrë pjesë në atë organizatën atëherë për gratë AFZH1 i thoshin.

Ka marrë pjesë në hekjen e ferexhes e mbajtjen e kurseve për të humbur analfabetizmin. Domethënë t’i mësojnë gratë të shkruajnë, të lexojnë edhe mandej të marrë pjesë në jetën e përditshme. Domethënë ka trashëgu nga nëna e vet, nga ai emancipimi i mundshëm të asaj kohe. Babën e kam patur njeri shumë punëtorë. N’atë kohë s’ka patur shumë shkolla. Ata që dinin pak provonin të bënin shumë. Po në ndërkohë ka vazhduar të plotësojë arsimimin e vet duke punuar edhe duke u mësuar.

Niherë ka mbaruar shkollën e mesme pastaj ka mbaruar shkollën e lartë edhe ka punuar si drejtor i spitalit për smundje të mushkërive në nivel republikan të Maqedonisë dhe njëkohësisht ka qenë deputet për shëndetësi. Mas atyre punëve është, i ka ndrruar vendi i punës dhe u penzionua si drejtor i Entit për Punë Sociale dhe Penzionale.

Nana nuk vazhdoj të vazhdoj arsimimin e vet masi u bë me tre fëmijë, kishte obligime familjare. Po mbeti adhuruese e leximit. Atë gjumi s’e zine pa marrë librin të paktën. I adhuronte përrallat edhe gjithmonë ka lexuar dhe ka qenë, për moshën e vet, për shoqet e veta shumë, shumë ma e avansuar. Edhe si shtëpiake, edhe si bashkëshorte edhe si qytetare.

Anita Susuri: Zonja Emel, bisedum për, tregut për gjyshen e juj edhe po m’duket ende interesante si është shkollu në Pallatin e Sulltanit të asaj kohe, si ka qenë kjo? A dini diçka?

Emel Pashoja: Asgjë nuk di sepse këto janë të gjitha gjërat të cilat unë i kam marrë shumë vonë dhe si fëmijë neve nuk na ka interesuar shumë sende pse, qysh, tek. Po prej teshave të cilat mua më kujtohet që nëna i kishte sjellë në atë kohë, i thoshin pajë, edhe prej elementeve të veshjes të asaj kohe të muslimanëve xhamadanit edhe mbulesave të shtratit, mbulesa të tavolinës ato ishin nifar’ materiali që unë nuk mund t’i magjinoja në Maqedoni t’i gjejnja të atilla gjëra.

Ni ditë e pyta nanën thashë, “Nanë p’i ku i ke gjetur gjithë këto sende kaq të bukura?” Se këto në Maqedoni s’ka bile qytetin në të cilin isha unë. Tha, “Nëna ime ka qenë ni grua e cila ka udhëtuar, ka qenë njeri i cili është”, e ka edukuar baba edhe nana me siguri se kanë qenë prej qytetit të Sofjes, Sofje është kryeqyteti i Bullgarisë, “edhe ka udhëtuar shpesh për Itali dhe prej atyhit e di edhe italishtën. Neve ishim katër vajza, ajo kaq të vogla ishim për kurdo herë”, tha, “na ka ven nëpër sandëka”, si i kanë përgatitur atëherë pajë edhe tha, “secilës vajzë ia ka vënë të njejtat si për njërën si për tjetrën”.

Vet fakti prej gjërave elementare t’cilat i kam parë unë ato kadifet të qendisura si thashë i kemi neve në Gjakovë ato me gllabodenjë2 që po qendisen edhe në kohën e Turkisë janë punuar. Kanë qenë tregues që veç njerëz të ngritur ose që kanë patur veç stad më të lartër në shoqërinë otomane kanë mundur që ta bëjnë atë gjë. Mirëpo këtë gjë s’e dëgjova nga nëna por e dëgjova nga gruaja e dajiut kur u takojsha në Bullgari me atë. Ajo më tregojti tha, “Emel”, tha, “ti si duket nëna nuk të ka treguar, ti gjyshen e ke pasë jahudi”. Ajo ishte martuar po jahuditë kanë qenë tregtar të mëdhej e kanë qenë përparimtar të mëdhej. Me siguri ajo ka qenë iniciator që edhe kjo të jetë e shkolluar edhe të mbrrijë në ato nivele në oborr të Sulltanit të edukohet.

Anita Susuri: Po më intereson edhe a keni ndonjë tregim që ju ka tregu nana për jetën e tyne si fëmi në atë kohë?

Emel Pashoja: Tregimi ma i madh është që m’tregonte se atëherë Bajrami ishte dita kryesore, dita ma e madhe që ish festu nga ana e muslimanëve. E dinte se gjyshja ka qenë si tana herë, si ekonomi e shtëpisë, nga ana e nanës. I ka vënë gjithmonë ni sasi të madhe të parave po tha, “Pare të bardhë s’dinim çka ishte neve, vetëm të florinjta i kemi punuar”, edhe tha, “na vishte që nga koka gjerë te këmbët gjashtë fëmijët për Bajram kemi qenë super të veshura. Edhe ushqimin e kemi pasur gjithmonë edhe puntë e shtëpisë gjithmonë na i kanë kryer gratë e tjera”.

Kanë qenë me gradë të ngritur sociale. Kanë ken’ njerëz të cilët kanë patur mundësi të kenë ndihmës në shtëpi se mos po shprehem me fjalën vullgare, shërbëtorët, se ajo m’duket diçka shumë e ulët. Po ndihmës të punëve, se ata kanë punuar, kanë ndihmuar. Ni moment më kujtohet që sa e aftë e sa e zgjuar ka qenë gjyshja ime. Kur ka qenë lufta turke ajo me ardhjen e Ataturkut3 kanë qenë… te historia turke nuk mund të lavdohem që di shumë dhe më vjen turp që s’e di. E kam lexuar ni libër po me ni libër nuk mund të mësosh ni histori shumë të madhe.

Ajo si e re ka ndihmuar në lidhjen e plagëve të ushtarëve turk të plagosur. Edhe si falënderim për punën që ka treguar ajo vajzë në atë kohë, besoj që ka qenë e pa martuar sipas kushteve, se Ataturku ka ardhur ose edhe si e martuar, nuk mundem të them, nuk i di datat. Ka patur ni lavdatë speciale me të cilën i është dhënë nga ana e Ataturkut. Kur filloj shpërngulja masive e turqëve prej Bullgarisë në Turqi ata i kishin vendosur të shkojnë të jetojnë në Bursë. Po ishin mbledhur nëpër llogore [kampe përqendrimi]. Llogore në kuptim të mbyllur ku hanin të gjithë nga kazani, kishin veç ni vend ku mund të flinin. Në kushte të ni refugjati të cilën ne patëm rast ta përjetojmë vet si kosovar.

Ajo s’ka mundur ta duroj atë jetë nga ni jetë tepër luksoze. Se burrin e ka patur ushtarak, ka punuar ka qenë me gradë të lartë derisa burri i hallës të nanës time ka qenë admiral në brigadë në ushtri të marinës të Bullgarisë. Domethënë bëhet fjalë për ni familje aristokrate. Ajo i thotë burrit, “Unë do të shkoj të flas me kajmëkamin”. Kajmëkami ish në kuptim të kryetarit të qytetit në atë kohë. E merr atë vërtetimin që e ka, për fat që e ka marrë me vete me t’gjitha fotografitë që ka mbajtur. Kur i tregon edhe i prezentohet kush është e tek është ai lavdërim, ajo mirënjohje ata e bën me shtëpi edhe me punë.

Meniherë që në atë çast ata i nxerin prej vendit ku janë tubuar, ju japin shtëpi, ju japin punë të punojnë burrë e grua menjëherë, i regjistrojnë fëmitë në shkollë edhe fillojnë javash-javash [trq.: dalë-ngadalë] të marrin vetën. Ata tash janë qytetar shumë rojal të Turqisë. Ku djemtë i kanë me pregatitje superiore, me fakultete, me magjistratura, me doktoratura. Kanë shkruar përpara shumë…

Anita Susuri: Thatë që gjyshërit e juj kanë ndrru jetë shumë t’ri…

Emel Pashoja: T’rinjë kanë ndrru.

Anita Susuri: Po.

Emel Pashoja: Po.

Anita Susuri: Si ka vazhdu jeta e nanës t’juj edhe vllezërit e motrave pastaj?

Emel Pashoja: Ajo nëna ime ka qenë n’prag të ish ni, p’e krahasoj pak me përralla, ka qenë si Borëbardha. Gjeti strehim te shkurtabiqi. Ajo gjeti strehim te burri. Sepse kufijtë u mbyllën edhe ajo vite, vite me radhë s’pati mundësi të kontaktoj as me, nana e vet që kishte vdekur e re po as me babën, as me vëllaun. Ashtu që s’ka patur mundësi as në vdekjen e tyre të shkoj dhe të marrë pjesë në vorrim. Tek me vonesë… se ishte koha kur s’kishte telefona, ishin telegramat e rralla. Ata veç kishin kryer vdekjen, vorrosjen edhe derisa nana merrte ni lajm çka ndodhte me ata.

Bile kur i ka vdekur vëllau, mua më ndodhi, unë veç isha e martuar. Kjo po ndodhë dikund në vitin ‘67-’68. Ni ekskurzion nga puna ku punoja unë në Manastir, shkonim në vizitë në Turqi e kalonim nëpër Qystendil. Ai ishte kalimi i parë i imi në vendin e qytetit në të cilin kam lindur. Nana si më kishte thënë se gruja e dajiut punon si frizere në pazarin e gjelbërt në qendër të qytetit, ashtu quhet vendi. Pasi ishte, të hujtë ishin të rrallë, ata i njihnin edhe unë u afrova në ni shitore kishte për flokë, floktore.

Thashë, “Ju lutem, unë e kërkoj”, më fal pak për kujtesën, jenge4 i thoshim po ia harrova emrin. Tash për momentin s’më kujtohet. Tha, “Çka e ki ti?” Thashë, “E kam gruan e dajiut”, “Ou”, tha, “po ty dajiu të ka vdekur, ajo është në shtëpi”. Unë mbeta e shtangur ashtu në dyqan. Meniherë e luta i thashë, “A mund të marrë ni pajton5 të afrohem”, se m’thanë që shumë afër banon. E luta shoferin e autobusit i cili mbante me vete 40 e ca udhëtar që do të shkonim në Turki, i tregova rastin.

Thashë, “Ju lutem më lejoni”. Tash u kujtova, Bahrije quhet gruja e dajiut. Ta takoj, t’i shprehi ngushëllime të paktën. S’ishim neve, nana ime nuk dinte se i ka vdekur vëllau. Shkova, takova vajzën e dajiut, gruan e dajiut. Shpreha ngushëllime dhe u ktheva në autobus. Nga andej kam kaluar rrugën duke qarë si një njeri i ndarë prej trungut familjar domethënë. Janë trauma njerëzore të cilat çdo familje vet i kalon edhe e din si i kalon. Po nana ka qenë shumë e vetmuar. Mbahej pas nesh, pas burrit, pas shtëpisë me ni fjalë.

Anita Susuri: Ju tregut që jeni lindur në ‘46-ten, domethënë…

Emel Pashoja: ‘45-ten, pak ma…

Anita Susuri: ‘45-ten, m’falni.

Emel Pashoja: Më bëre pak më e re, kjo më konvenon (qeshë).

Anita Susuri: Domethënë vitet e ‘50-ta ju veç keni qenë fmi, keni kujtime. Si e kujtoni atë vendin…

Emel Pashoja: Shikoni, qyteti me gjithë historinë kush e din Kratovo është ni qytet shumë i vjetër me ni histori shumë të vjetër. Bile përmendet ndër tre qytetet t’mdhej botërore Dubrovniku, Stambolli, Venediku dhe Kratovo. Është vendi ku edhe janë bërë paret e para të metalit, është vendi xehror ku ka patur shumë minerale, shumë florinjë. Tërë qyteti është i rrëmuar, është me tunelle përfundi, me ca kulla të vjetra. Ka patur shumë hamame në kohën e otomanisë turke sa ka qenë prezente në Ballkan edhe ni pjesë të Europës.

Ka qenë ni qytet me shumë traditë qytetare. Domethënë kanë qenë esnafët, këta që janë berberë. Gjyshi jem për shembull ishte sahatgji [orëtar]. Në atë kohë të rregulloj orët ishte gjë e madhe. Në qytetin e Kratovo ishte ni kullë e madhe dhe në majë të kullës kishte ni orë, ni orë me vlerë shumë të madhe. Punën e asaj ore, kurdisjen e asaj ore, vënies në veprim të rënies për çdo orë e ka bërë gjyshi im. Po e ka bërë në ni formë primitive, shumë, si të them kështu, gjerë sipër që të ipet në vendin ku kanë qenë veglat e orës është dashur të përdoret ni shkallë, po shkallë primitive me fotoma. Tek tani ajo është shndërruar në muze dhe ka shkallë të cilat ngjiten sipër.

Pas asaj kohe ni kohë kur u bë sociali, u lirua prej Luftës së Dytë Botnore ajo orë edhe disa vjet punonte, bënte funksionin e vet. Pastaj nga qarqe të caktuara, nuk e di si, ajo u murr në emër që të rregullohet edhe kurrë nuk u sollën pjesët e asaj ore. Qyteti ishte i mangët se përndryshe është dëgjuar me kilometra larg rënia edhe goditja e asaj ore. Mirëpo gjyshi ka vazhduar vazhdimisht që të shkoj, t’i hipet edhe manualisht t’i rregulloj ato pjesët e orës për ni kohë të gjatë…

Anita Susuri: Ajo ka qenë si sahat kullë?

Emel Pashoja: Si sahat kullë. Sahat kullë e cila ka qenë me shumë maqineri, ajo e orës ka qenë shumë tipike. Ni dobësi e qytetit, tash ai, ajo sahat kulla është muze, unë hy, se prej aty po kaloj për në shtëpinë time që të vete. U futa edhe kustosi i atij vendit, thashë, “A dini kush ka qenë mirëmbajtës i kësaj ore? A keni diçka të shkruar për atë njeri? A ka?” Ai ishte djalë i ri shumë fare, nuk e dinte.

Thashë, “Shiko, kjo është”, thashë, “histori, historinë nuk mundemi ta fshehim, historinë duhet ta tregojmë. Atë vendin”, thashë, “e ka mbajtur gjyshi im, e ka emrin Hysein ose dedo [gjyshi] Danke” si e kanë thirrur vendasit edhe e dijnë të gjithë kratovasit e vjetër dhe do të ishte mirë kur juve shpjegoni historikun e kësaj kulle që ta përmendni atë njeri i cili vullnetarisht pa rrogë e ka bërë atë punë të mirëmbajtjes të asaj ore”. Mandej më thanë që ekziston nifar’ shërbimi i vogël i cili mban historikun e qytetit të Kratovo. Kemi librat për Kratovo e kanë cekur këtë dhe i kanë vënë emrin e gjyshit që ka qenë mirëmbajtës i orës për ni kohë.

Anita Susuri: E si ka qenë mbiemri i babës t’juj?

Emel Pashoja: Nasuf a gjyshi Hysein, Hysein Nasuf. Po ata si i thonë, nofkën e ka patur dedo Danke.

Anita Susuri: Si e kujtoni atë rrethin ku jeni rritë? Lagjen?

Emel Pashoja: Tash do t’ju tregoj nji, nji moment të dhimbshëm për mua si fëmijë se i kam kujtimet që filluam klasën e parë në shkollë. Në klasë kishim të paktën, të paktën nga një grup prej 30 nxënës. Të paktën 15 ishim turk. Për brenda dy vjete, mbeta vetëm unë. Të gjithë turqit u shpërngulën në Turqi, s’mbeti asnjëri. Mësimin e mbanim në gjuhën maqedonase. Se n’atë kohë s’kishte liberalizëm, demokraci që çdo kush të ketë mundësi të flas, të mësoj në gjuhën amtare.

Unë të gjithë shkollimin tim e kam kryer në makedonisht edhe pjesërisht serbo-kroatisht. Se edhe Makedonia ishte posa e pa marrur pas ‘45-ten dhe ajo nuk kishte akoma librat e veta në makedonisht po përdorej edhe literaturë, sidomos në shkollën e mjekësisë, kur shkova, shumicën nga librat që kam mësuar kanë qenë serbo-kroatisht.

Kam marrë pjesë me profesoreshën e anatomisë që na ka vënë, kam bërë përkthim se makedonishtën unë e kam folur në formë t’përsosur. Bëja përkthimin e leksioneve nga serbo-kroatishtja në makedonisht. I ndihmoja profesoreshës që të bëjë përkthimin në makedonisht. Domethënë ishte koha kur vetëm gjuhën të cilën e dije mund të arsimoheshe.

Anita Susuri: A ju kujtohet këto lëvizjet kur kanë ndodhë që thatë kanë shku shumë familje? Si ka qenë qyteti në atë kohë?

Emel Pashoja: Shikoni, qyteti ka qenë ni qytet në kuptim ka qenë ato qepenekët e vjetër. Se di a ju ka vënë rasti të shkoni në Shqipëri edhe në Bit Pazar në Shkup, akoma ka. Qepenekët i thojnë ca mbulesave, se tash i kemi neve këto roletnat. Ato kanë qenë me dru mbylleshin dhe e kishin ni vend të hapur ku shiteshin. Bukëpjekësit e kishin, shitësit e zarzavateve kishin të atilla dyqane. Ka qenë furnizimi shumë i mirë, ka qenë ni dyqan i madh. Dyqan jo i madh po dyqan i cili ka bërë n’atë kohë si neve tani është bërë moda të pirjes së koka-kolës edhe mos t’i emëroj shumë pije të tjera.

Në atë kohë në qytetin tonë ka qenë shitore për të shitur gazuz ose kraker i thoshin. Kanë qenë shishe speciale të cilat hapeshin me një dryçk. Në vend të kapakut ajo ka patur një pjesë të xhamit e cila ishte në formë të bilisë. E ajo me ni vakum special kur mbushej me gazuz ajo mbyllej sipër. Ajo gazi e mbante të mbyllur. Në momentin kur ai shitësi i binte me atë shkopin e shtynte te poshtë atë xhamin. Xhami ikej, futej ajri, në bazë të kimisë, asaj fizikës dhe ishte formë e hapur e shisheve.

Ka patur shumë furra në të cilat janë bërë bukë lloj-lloj speciale dhe bukë të cilat dikur çdo kush gatunte bukë dhe e çonte në furrë ta pjekë. Qoftë bukën, qoftë lakrorin, qoftë kiflet, qoftë mishin, tavat, të gjitha gjërat. Edhe ni gjë nga fëmijëria më kujtohet në ato furra, në këto ditët të maqedonasve, të them kështu të fesë krishtere, bënin për Pashkët ca bukë që i qunin qyrek. Në Pejë akoma po bëjnë ca simita i thojnë që kanë një erë tipike. Po bëhet me maja, me nohut ose me leblebiat e sotit. Ato qyreka bëheshin edhe kur kaloje ti në rrugë krejt qyteti kundërmonte erën e nohutit. Ajo është ni përjetim i fëmijërisë time.

Mandej sot fëmija e din që mielli është në kese, e merr edhe as s’ki i është kujtuar që të marrë erën e miellit, ta ndiej erën e miellit. Aty afër shtëpisë ku jetoja unë ishte lumi edhe livadh. Kishte ni mulli i cili ni kojshi i joni ishte mullexhi. Unë si fëmijë më kujtohet shkoja në atë mulli edhe desha ta ndjenja rrotullimin e rrethit që bënte blurjen e miellit, t’ia shikoja mustaket e atij mullexhiut të bëra me miell edhe ta ndjenja erën e miellit. E cila ishte, për mua, ni moment lidhës me natyrën. Ni gjë që na mban në jetë. Jo shumë larg prej mullirit ishte furra.

Furra ishte përballë shkollës ku mësonim. Emri i furrexhiut ishte Lese. Ai furrexhi bënte bukë speciale të vogla, si pitalkat e tona këtu që po i bëjmë edhe pranë furrës te dera ishte ni vrimë e vogël edhe ni gur rrumbullak. Ai burrë me atë gur, shtypte kripën me disa shtesa, mëlmesa nga erëzat edhe e bënte ni krip me erë e cila ishte shumë e shijshme. Kur shkonim neve fëmija që hapej dyqani, nuk shkonim në McDonald të marrim McDonald, po shkonim të merrnim pitalka edhe në klasë t’na vinte era e bukës së pjekur. Kur t’na vinte atë krip neve e hanim si sendin ma të shijshëm që mund të bëhet.

Se pas ‘45-tes nuk ka pasur as bukë të ngihen njerëzit sa duhet. Gjeneratat para meje e kanë patur racion sa bukë mund të hanë. Unë jam gjeneratë e cila, ndoshta pak kohë nana e ka ndarë bukën vet s’ka ngrënë ma ka dhënë mu, mirëpo kur unë nisa në shkollë veç buka u bë me bollëk. Kishim tani. Unë e mbaj mend që gjyshja bënte bukën e misrit, e piqte me saç. Se nuk kishte miell të bardhë, nuk kishte mjaftueshëm. Domethënë janë gjeneratë mas lufte që kanë përjetua edhe skamjet edhe mbajtjes së ujit që nuk ka patur qeshme, s’ken’ ken’ qeshmet e montuara nëpër oborret tona e nëpër shpi s’bëhet fjalë.

Por, ka patur ni qytetarizëm që me t’vërtetë çdo kush është kujdesur ki oborri i tij edhe para shpisë të tij gjithmonë t’jetë e fshirë, e pastër, me lule, me, si të them, me ni pastërti që i takon ni qytetit të urbanizuar. Nuk ke mundur të gjesh ni letër diku të hedhur. Para çdo dere ka patur ni kovë të vjetër, të vjetër mirëpo aty i leshin kleçkat e sendet që nuk të duheshin atë ditë. Edhe në atë kohë ka patur mundësi që çdo të shtune kalonte gjybregjiu [mbledhësi i hedhurinave], që i merrte ato edhe e pastronte qytetin.

Anita Susuri: A mundeni me përshkru oborrin e shpisë edhe shpinë që jeni rritë?

Emel Pashoja: Shtëpinë të cilën kur erdha nga Bullgaria me tre vjet më kujtohet që menzi me gishta arrija ta kap dorëzën. Shtëpia ishte me tre dhoma, me ni hajat të madh edhe me ca çërçeve [korniza të dritares], nuk e di si t’i emëroj sot që neve mund të shikonim çdo gjë jashtë po prej jashtë nuk mund të shikoje brenda. Që ta kesh të qartë kur të dilni do t’kisha preferuar të kaloni para shtëpisë të Fatmir Sejdiut, e ka të rrethuar me një mrezhë [rrjetë] të atillë, të druve. Ka patur të atilla shtëpi shumë turke të vjetra edhe në Prizren edhe në vende të tjera. Parvaz i thoshin.

Çardaku [teraca] ka qenë i madh i rrethuar. Normal ajo feja muslimane ka qenë pak, si të them, për kushtet e sotit shumë me reduktime të mëdha. Ku nuk është dashur femra të duket. Ajo mund të shikonte jashtë po dikush atë ta shikoj brenda jo. E kishim brenda një vend ku gjyshja gatunte, oxhak i thoshte. Aty ishte ni enë e bakrit në të cilën vlonin sendet, ishin tavat me bisht të gjatë në të cilën skuqeshin gjërat, ishin tepsitë ku piqeshin me saç. Kishim oborrin të cilin pasi është Kratovo ni vend shumë, shumë i ngjajshëm si Gjirokastra.

Ismail Kadare e ka përshkruar, “Atje çatia e njërës është mbi çatinë e tjetrit”. Ajo është tipike edhe për Kratovo. Është qytet në mal edhe gjyshi kishte bërë oborrin me kaskada. Për shembull, kishte bërë ni mur, ni metër lart ndoshta, ni metër e dhjetë të cilin e kishte mbushur me dhe. Krejt me gomar edhe me kuaj është sill dheu që është bërë kaskadë. Pastaj është bërë prap një kaskadë tjetër në të cilën prapë kishte dhe edhe ashtu kit’ oborrin tonë përbëhej prej katër kaskada ku ai mbillte gjithçka. Në oborr ne kishim borania, kishim karrota, kishim spanak, kishim presh, magdanoz. Ndërsa krejt anët gjyshja i kishte të mbjellura me lule.

Tipike ishte që ishte ni lule ay [trq.: muaj] trëndafil. Në turqisht ay do të thotë mujor. Ai çdo muj çelte. Po e kishte ni aromë e cila kundërmonte në bahçe. Të vinte merak që ti të ulesh atje të pije ni çaj a ni kafe. Të gjitha gurët të cilët ishte rrethuar bahça prej stazave prej të cilave zbritëshe prej kaskade në kaskadë ishin të lyera me gëlqere të bardhë. Pemët të cilët i kishte gjyshi, të cilët pemë ishin të lyera me qireq të bardha. Kishte ni idil natyrore që mua si fëmijë asniherë s’më ikte para syve. Akoma më shumë se para shtëpisë tonë rridhte lumi.

Prej lumit ishte ndarë ni pjesë e vogël, i thonë vada, në turqisht vada do të thotë lum i vogël i rrethuar marrë prej pjesës së sipërme. Ajo vada shkonte te ai mulliri që bluante grurë, ashtu miellin. Kjo është tipike e oborrit tonë. Pastaj, mas disa viteve mbasi baba u martua, u bën një fëmijë, dy fëmijë, tre fëmijë shtëpia u bë e vogël. E prishëm dhe mandej ndërtuam shtëpi tjetër e cila ishte me ujë brenda, me hamamllëk.

Hamamllëk s’e di a keni dëgjuar çka është? Saunat e sotit të cilët për poshtë ndizej zjarri, brenda ishte ni enë e madhe e cila mbushej edhe aty nxehej edhe në kovën ndërtohet normalisht me të shtëncë. Se s’ishin akoma këto dush e sende. Po me pocërrkë laheshim. Po poshtë ishte podi [dyshemeja] i nxehtë. Futeshim brenda. Kur ishte ditë e larjes futeshim brenda dhe rrishim me orë derisa ndonjëherë i thojshim nënës, “Mos ngadalë se edhe lëkurën na e rrope”, (qeshë).

Anita Susuri: Cili fmi me radhë keni qenë ju?

Emel Pashoja: Urdhëro?

Anita Susuri: Cili fëmi?

Emel Pashoja: Unë jam e para, mas meje ka qenë motra, mas motrës vëllau. Tre.

Anita Susuri: A keni pasë edhe si fëmi detyra tjera, obligime që ju ka dhanë nana ose baba?

Emel Pashoja: E tash shpirti im do të tregoj. Në atë kohë, unë e ceka që s’kishte ujë, detyra ime më e madhe si edhe vajza më e madhe ka qenë mbajtja e ujit. Shkonja deri në çeshmen që e kishim jo shumë larg po do të ndaloja te qajo çeshme, s’kishte atje e u deshtë të shkoja më brenda në qytet dhe më brenda. Ashtu që pothuajse shkonja në tre lagje të tjera që të sillja ujë në shtëpi. Përdornim standat, përdornim kovat me ni rrip i lidhnim që të mundnim, s’kishim plastika në atë kohë.

E normalisht mund të dish se sa ujë duhet në një shtëpi edhe sa herë kam marrë. Ajo ka qenë puna ime kryesore. Mirëpo edhe prej punëve të shtëpisë nëna kurrë nuk më ka kursyer. Thoshte, “Ndihma për mua, marifeti për ty”. Shumë shpejt më ka vënë në magje. Mund të them lirisht prej dhjetë vjete kam gatuar. Më linte lirisht që të bëj gjellën. Më tregonte si dhe unë e bëja.

Anita Susuri: E si ka qenë në atë kohë përgatitja për festa për shembull? Çka keni përgatitë? A ka pasë ndonjë ritual të zakonshëm?

Emel Pashoja: Shiko, në atë kohë, ishte koha post komuniste, jo post komuniste po komuniste socialiste në drejtim kah komunizmi. Babai im ishte anëtarë i partisë, ishte ateist. Bajramin e festonim gjyshja me gjyshën ndërsa ne e festonim 29 nëntorin, ishte krijimi i Jugosllavisë. 11 tetori ishte dita e Maqedonisë. Ashtu që jam fëmijë e rritun në rrethana të socializmit, me ni edukatë socialiste, bashkim-vëllazërim. Se duke menduar se jemi të gjithë të barabartë pastaj u treguan gjërat sa të barabartë janë.


1 Fronti i Grave Antifashiste ishte një organizatë socio-politike e grave, e themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 6 dhjetor 1942, në Bosanski Petrovac, në territorin e çliruar. Nga 305.000 luftëtarë partizanë të vrarë, 25.000 ishin gra dhe nga 405.000 të plagosur, 40.000 ishin gra.

2 Kostumi tradicional i grave, i ngjashëm me pallto zakonisht i gjatë deri te gjuri. I punuar me qëndisje ngjyrë ari mbi material ngjyrë vjollcë, jeshile ose të kuqe.

3 Mustafa Qemal Ataturku (turqisht: Mustafa Kemal Atatürk; 19 maj 1881 (datë konvencionale) – 10 nëntor 1938) ishte një oficer ushtarak turk, revolucionar, themelues i Republikës së Turqisë, dhe kryetari i parë i saj që nga viti 1923 deri në vdekje.

4 Nga gjuha turke: termi që përdoret për gruan e vëllaut, xhaxhait apo dajës.

5 Karrocë që e ngrehin kuajt. Formë transporti e së kaluarës në mungesë të veturave.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Du me folë edhe për ni tjetër gjë që e përmendet ma herët për shpërnguljen në Turqi…

Emel Pashoja: Po.

Anita Susuri: A e dini ose a e keni vrejtë ju që ka pasë ndonjë presion në familje apo vet familjet kanë zgjedhë me shku?

Emel Pashoja: Shikoni, presioni ma i madh ka qenë prishja e xhamisë. Ni xhami e cila e kishte ndërtu Sulltan Murati1 i dytë, ni xhami me shumë vlera arkitekturore edhe mos mundësia e përdorjes të gjuhës turke për shkollim. Është dashur të shkosh, si thonë, të paktën është dashur të respektohet kultura muslimane. Kjo nuk është bërë. Ato u bënë shumë më vonë. Mbasi ni pjesë e madhe që mund të themi një pjesë e 80 përqind e muslimanëve u shpërngulën e shkuan. Ajo ka qenë shkaku i shkuarjes së njerëzve. Jo barazi në punësim.

Anita Susuri: E në rrethin në fqinjësinë e juj ose në familje a ka pasë që kanë shku, janë shpërngulë?

Emel Pashoja: Të gjithë. Askush s’ka mbetur. Domethënë të fundit shkojti familja e tezës time, tezës të babait tim. Ata shkuan në ‘67-ten, ishte shtëpia e fundit turke. Domethënë momentalisht në Kratovo pasi prindërit e mi kanë vdekur nuk kam më anëtarë të gjallë përveç djali i vëllaut i cili jeton në Suedi edhe motrës e cila ndrroj jetë edhe të gjithë anëtarët e saj kanë vdekur. Dy shtëpi të zbrazura. Ende s’kam asnjë turk në qytet.

Anita Susuri: E shkolla juj a ka qenë afër shtëpisë?

Emel Pashoja: Afër, relativisht ka qenë afër. Se ne e kemi patur shtëpinë në qendër të qytetit edhe shkolla ishte në qendër të qytetit. Mund të them se ka qenë, në atë kohë pas lufte i kushtohej shumë vëmendje mësimit. Ishin të interesuar, domethënë vet shteti, ishin të interesuar që të bëhet arsimi sa më cilësor e sa më shumë të punohet.

Unë e di në atë kohë kur unë mësoja prej klasës të katërt, të pestën, të gjashtën, të shtatën kishim aktivitete jashtë shkollore. Jo të debatit, jo të këndimit, jo të korit, instrumenteve i binim. Posaqërisht profesori i muzikës ka qenë entuziast i madh. S’ka fëmijë më kreator që ka mbaruar shkollën fillore mos të dijë t’i bije mandolinës, gitarës ose violinës.

Anita Susuri: A keni ditë ju?

Emel Pashoja: Po, unë i kam rënë mandolinës. Kam qenë anëtare e foto grupit ku kam marrë vendin e parë për fotografi artistike. Kam qenë anëtare e aktiviteteve të edukatës fizike. Kam marrë pjesë në not, kam qenë notuese e madhe. Gjithmonë kam fituar vendet e para në not. Në atë kohë kur unë kam qenë fëmijë, domethënë, kishim neve bazen në qytet. Në Kratovo ka patur bazen viteve ‘55-’56.

Prej atëherë neve… niherë në lum kemi bërë ashtu si thonë rrethonim me bar e me kashtë e bënim pak më të thellë ku të mësojmë të notojmë. Mandej qyteti e bëri bazenin. Mandej masi unë u martova dhe shkova u bë… se e kishin si traditë notin, u bë edhe bazen olimpik i madh. Në të cilin punonte vëllai im ni kohë ishte përgjegjës për punën e bazenit. Domethënë shkolla ka qenë shumë, shumë në nivel. Është kërkuar shumë.

Anita Susuri: Domethonë gjitha këto instrumentet e mjetet e fotografimet që i përmendet i ka siguru shkolla të gjitha?

Emel Pashoja: Të gjitha, jo i blinim. Çdo prind ia blinte fëmijës së vet mandolinën, violinën, gitarën. Kam qenë anëtare e korit. Më duket se aty, a janë këta, në telefon e kam ni fotografi bile ni shoqe ma dërgoj ni fotografi që e kishte ruajtur nga momenti që i kishim koret. Se në atë kohë organizoheshin për këto ditët festive që bëheshin 11 tetori, 29 nëntori bëheshin akademi solemne dhe kori merrte pjesë në atë mbramjet që i kushtohej ditës së festës. Neve si kor merrnim pjesë. Kam qenë anëtare e korit të shkollës.

Disa shoqe të cilat ishin më të suksesshme i binin violinës. Dikush i binin violinë edhe gitarë. Kam qenë edhe anëtare në grupin për aktrim. Tani e gjeta dikund ni fotografi (qeshë) ku kemi dalë të maskuar të gjithë në personazhe të cilat i luanim. Domethënë kemi patur një shkollë mjaft që ka kërkuar, shkollë kërkuese.

Anita Susuri: A keni pasë si lloj, faktikisht teatro a keni pasë ose…

Emel Pashoja: Kinema kishte. Nëna ime ka qenë organizatore kryesore që për gratë për 8 mars përgatitje shfaqje teatrale. Ka qenë një nga organizueset.

Anita Susuri: Si ka…

Emel Pashoja: Kishte aktivitete. Ishin ato kërcime popullore të valleve dhe të gjitha ato gjëra. Kishte programe.

Anita Susuri: Nëna juj vullnetarisht i ka bo?

Emel Pashoja: Nëna ime të gjitha ato i ka bërë vullnetarisht se ishte, njëherë ishte, si thonë, grua e cila ia hoqi ferexhen të gjitha turkeve edhe ishte grua e cila pastaj mbante kurse për të gjitha gratë analfabete. Me vite ka punuar si punëtore.

Anita Susuri: E përmendet në AFZH që ka qenë…

Emel Pashoja: AFZH quhet.

Anita Susuri: Ka qenë Gratë e Anti Fashizmit…

Emel Pashoja: Ashtu. Organizata Anti Fashite Kundër Analfabetizmit.

Anita Susuri: Okej. A ju kujtohet edhe diçka rreth këtij angazhimi që keni pa që nana juj po shkon dikund ose ju ka marrë juve dikund?

Emel Pashoja: E shiko, e gjithë mahalla më kujtohet masi unë isha ma e madhe unë pastaj bëhesha dado. Duhesha t’i mbaja të gjithë fëmijët derisa ata atëherë merreshin me aktivitet (qeshë) qikjo më kujtohet (qeshë).

Anita Susuri: Këto shfaqjet ose kinematë, po mendoj, filmat që keni shiku në kinema çfarë filma kanë qenë?

Emel Pashoja: Filmat kanë qenë, si thonë niherë bardh e zi pastaj filluan me ngjyra. Ishin ato firma që ishin prej ni rrote në rrotë tjetër që na paraqet… bile daja im ka qenë kino operateri i parë në Kriva Pallank se ai aty ishte martuar. Kishte ikur nga Bullgaria si refugjat prej, si thonë, dëshirave të veta. Ishte dashuruar me një grua të cilën e mori dhe e la, vajti në Shqipëri i thonë kollovar ose domazit që i thonë ndryshe. Qëndroj te shpija e gruas.

Po ka qenë kino aparateri i parë në Maqedoni i cili ka ditur të gjitha ato aparatura t’i rregulloj, t’i bëjë si thonë në formë përfekte. Unë edhe vajza e tij edhe motra jeme kur shkonim te daja, ai na merrte te rija na shpinte në kinemanë e Kriva Pallankës ku jetonte edhe projektonte filma të cilët neve i deshëm shumë. Rrinim me orë shikonim filma. Fëmijët e tjerë e kishin të pamundur se ajo ishte me pa… po neve shikonim.

Anita Susuri: E në kohën kur keni qenë, po mendoj, shkolla në Kratovo tetë vjeçare ka qenë…

Emel Pashoja: Tetë vjeçare ka qenë.

Anita Susuri: A ka pasë ndonji festim të maturës apo diçka e tillë?

Emel Pashoja: Shiko, unë u martova shumë herët, domethënë, po e marr mbarimin katër vitet edhe prej mbarimit të shkollës së mesme meniherë u martova. Nuk pata pauzë as ni muj se edhe si e fejuar de fakto e mbarova klasën e katërt.

Anita Susuri: Klasën e katërt të mesme?

Emel Pashoja: Klasën e katërt të shkollës së mesme, po. Këta hebrenjë… unë përpara dy vjetëve pata kohë të shkoj, më thirrën shokët më gjetën vajta po tani kishin mbetur gjithsej 15 [persona], 78 vjet janë në pytje shpirti im. Shumica kanë vdekur. Unë e mbaj mend shumë shoqe të cilat vdiqën të reja. Kanë vdekur. Bile nga ato neve gjenerata kur shkum të regjistrohemi në Shkup në mjekësi, shtatë nga Kratovo u regjistrum në mjekësi.

Të shtatave, pasi babai im ishte drejtor, të shtatave na dhanë bursë. Neve me bursë u shkolluam e duheshe të kthehesh pastaj të punojmë në atë spital ku ishte baba. Katër nga ato vdiqën shumë të reja, shoqe. Ata organizojnë. Po unë vetëm niherë kam marrë pjesë edhe ishim shumë pak. Ishim dikund dhjetë veta që u takuam. Po me disa jam duke mbajtur kontaktet, me disa shoqe të ngushta.

Anita Susuri: Po mendoj në atë kohë, a ka pasë ndonjë ndejë ose diçka me shoqni që është organizu, në kohën kur keni qenë ju në shkollë të mesme?

Emel Pashoja: Shiko shpirti im, kishim, mund të them lirisht që organizonim festa të ndryshme, organizonim për shembull, zgjedhjen e misit, vajzës më të mirë në qytet, organizonim vallëzimet se në atë kohë doli moda e Rock n’Roll e kërcenim, shkonim bënim programe. Kishte matine, vallëzim ditor ku bënim… ishte ajo salla e edukatës fizike ku neve shkonim edhe bënim ushtrime. Ajo në maqedonisht e ka ni emër, si tash këto që janë, sallat ku po bëhen ushtrime, si i thonë ktyne…

Anita Susuri: Si shoqata?

Emel Pashoja: Jo, jo shpirti im. Tani që bëhen për tega [ngritje peshe]…

Anita Susuri: A për gjimnastikë?

Emel Pashoja: Për gjimnastikë. Në atë kohë, sokollana, ky osht’ ni shprehje ni makedonisht, me fjalën sokollana nënkuptohet vend ku shkon të bësh ushtrime fizike. E kishim atë për të tundur, me dy vija, me dy fortoma e ti kapesh me dorë. Me atë bën ushtrime të ndryshme. Ishin ato me dorë që po kapesh edhe po rrotullohesh, ishte vratillo që duhet të bëhesh, të kërcesh.

Ishin ato gomare, s’e di se si quhet. Dikur shumë i ipej rëndësi edukatës fizike. Neve shpesh herë shkonim edhe i bënim ato ushtrimet. Ni kohë të madhe na kalonte duke bërë ushtrime. Të thashë kishim këtë organizatën e rinisë me të cilin bënim gara nëpër qytet. Në basketboll, në volejboll, në not, në kërcime lart me shkop. Të gjitha ato atletika me ni fjalë që i thonë në sport.

Anita Susuri: A ka pasë klubin e vet sportiv Kratovo?

Emel Pashoja: Po ka patur, ka patur. Janë bërë ndërmjet qyteteve Kratovo, Kumanovë, Kriva Pallanka, Sveti Nikolle, Probishtip, në mes. Se Kumanova është rrethi i cili i përkapte këto qytete të tjera. Ata organizonin e mandej bënim gara verës. Nuk e hupnim kohën. Domethënë gjithmonë kemi qenë në aktivitet të plotësimit të kohës së lirë.

Anita Susuri: Deshta t’ju pyes si u bë që ta vazhdoni shkollën e mesme? Po mendoj, ju m’keni tregu që keni jetu në internat në Shkup…

Emel Pashoja: Po.

Anita Susuri: Ka qenë zgjedhja e juj apo ndoshta…

Emel Pashoja: Zgedhja ime. Se shkolla e mjekësisë e Shkupit ka qenë një ndër shkollat më me emër në Shkup. Shkolla me shumë diciplinë, me programin e Anglisë. Ka qenë ni shkollë ku neve nuk kemi patur njerëz të cilët janë kujdesur për mirëmbajtjen e pastërtisë së shkollës. Tërë punën e kemi bërë neve vet nxënësit. Dhomat i kemi pastruar një herë në javë generalno. Shtretërit i kemi rregulluar si në ushtri. S’ke guxu ta lësh kërkund ni vend të papalosur, ashtu si na mësonin. Domethënë vinte instruktori na tregonte punën se si duhet të bëhej edhe ajo bëhej ligj, si në ushtri. Me ni fjalë, si në ushtri. Ti s’ke guxu ta lësh krevatin të pa rregulluar.

Një herë në javë bënim pastrim general me të fshirë të dritareve, të podit i cili ishte parket. I binim me tel e mandej i binim me gjalpë. E merrnim ni qepe të vjetër, njëra ulëshe edhe dy të tjera e tudnim kshtu që të shkëlqente. Se dënimi ishte, në qoftëse nuk e kishim pastruar dhomën mirë s’kishim të drejtë të dalim në shëtitje. Dy herë në javë kemi patur mundësi të kemi kohë të lirë, ditën e shtunë deri në ora 09:00 edhe ditën e diel deri në orën 08:00 në mramje.

Atëherë organizoheshin shumë shkolla të mesme, domi i studentëve, shkollat këto që janë profesionale, shkolla e dhëmbëve edhe dentistëve, aty ishim në rreth. Kishim ato sallat e kuzhinës i shndërronim në vend për vallëzim. Po organizoheshin vallëzime, shkonim në vallëzime. S’kishim njeri përveq se administrata kishte ni nxënës, ndoshta i binte niherë në dy muj, tjertë kujdestar që të udhëzonte palët të cilët vinin në shkollë të kërkonin sende të ndryshme.

Internati ishte në atë tip që në katin e poshtëm e kishim kuzhinën, në katin e dytë e kishim klasët me ato kukullat në të cilat mësonim si jipen injeksionet edhe sendet si bëhen mësimi praktik edhe sallonin në të cilin bënim mësime. Kati i tretë edhe i katërti ishin kate ku flinin. Domethënë ne s’kishim nevojë as këpucë të blinim për dy vitet e para. Pas vitit të dytë fillonte praktika.

Prej orës 07:00 deri në orën 11:00 ishim në spital në praktikë. Prej orës 11:30 deri në orën 02:30 kishim mësim. Mandej hanim drekën menjiherë zbrisnim në sallën e mësimit. Kërkush në dhomë s’guxon të mbetej. Çdo kush e kish të obligueshme mësimin në sallën e mësimit. I cili ishte i rregulluar. Secili kishte tavolinën, secilin kishte fotelën ku do t’ulet, ku do të mësoj, ku do të punoj edhe krejt.

Anita Susuri: A ka qenë numri i madh aty i vajzave?

Emel Pashoja: Ishte aq sa mund të pranoheshin. Domethënë neve të gjitha që ishim nga qytete të tjera strehoheshim në internat. E ato që ishin të Shkupit ato ktheheshin. Ato mbanin mësimin edhe ktheheshin në shtëpi të vete. Domethënë sipas numrit. Do ishim në dhomë në të cilën flinim nga katër, kishte dhomë në të cilën flinim nga dy. Aty kishim biblioteka tonat për libra. Kishim banjot. Banjot i mbanim vet. Çdo gjë t’punonim vet. Domethënë ndëshkimi ka qenë shumë në nivel edhe mësimi praktik në mësim të mikrobiologjisë, patologjisë, atonomisë ka qenë në Fakultetin e Mjekësisë.

Neve mësim na kanë dhënë profesorët që jepnin studentëve të mjekësisë, njëkohësisht me studentët e mjekësisë e kemi dëgjuar anatominë, patologjinë edhe shikimin me mikroskop të mikrobiologjisë. Domethënë ka qenë ni shkollë tepër, tepër e përkushtuar, me shumë rregulla disiplinore. Në atë kohë, në kohën e pubertetit të të dallojnë që të dalësh jashtë, e ne i thoshim Alkatraz. Po tani ndoshta do të ishte mirë të gjithë adoleshentët të kalojnë në internat që të mësojnë në rregull. Sepse edhe liria e tepërt e shofim se ku na ka sjellë.

Anita Susuri: E ju thatë që shkollimi ka qenë në gjuhën maqedone…

Emel Pashoja: Maqedonisht.

Anita Susuri: Keni pasë sigurisht edhe shoqe që kanë qenë prej vendeve të ndryshme?

Emel Pashoja: Prej qyteteve të ndryshme. Gati asnjëra s’kemi qenë… neve të shtata që u regjistruam ishim të ni qyteti të Kratovo. Kanë pasë prej Titov Velesit, kanë pasë prej Shtipit, kanë pasë prej Strumica, Bekçevo, nga krejt Maqedonia ku nuk kishte shkollë të mesme. Përveç Shtipit, Shtipi e kishte shkollë të vetën shkollën e mjekësisë. Në atë kohë ishte Shkupi i cili i përmblidhte të gjitha qytetet e Makedonisë. Mandej mbas marimit kur unë kreva u hapën në shumë vende. Mandej u hap Tetova në shqip e këto.

Mirëpo kur unë mësonja nuk kishte, ishte Shkupi i vetmi vend i cili… aty ishte në afërsi edhe shkolla për dentist edhe për laborant. Domethënë në një rreth. Krejt ajo ka qenë në rrethin e Spitalit të Shkupit që është spitali shtetror sot. Aty kemi mësuar. Edhe ishte afër që të shkonje prej internatit gjer’ në çdo klinikë që kishte aty kirurgji e interno e onkologji e çka e di unë. As dy minuta, tre minuta s’na merrte.

Anita Susuri: Ka qenë si qendra e mjekësisë.

Emel Pashoja: Po, ajo ka qenë rrethimi, si spitali jonë sot ta paramendosh që ta ketë edhe shkollën në mes.

Anita Susuri: Po. Po më intereson a ka qenë kjo hera e parë që keni shku në Shkup për me u regjistru n’shkollë apo keni qenë edhe më herët?

Emel Pashoja: Jo s’kam qenë tjetër herë. Kam qenë gjer’ në Kumanovë ku ka qenë e martuar çupa e tezës e babait tim e cila punonte si mësuese, gjer’ në Kumanovë kam qenë. Po herën e parë kur shkova, shkova si i thonë asaj, si e humbur në hapësirë. Të shkosh pa prind, të cilin e kam pritur psikologjikisht shumë rënd, pa nënë, pa babë edhe plus asaj kam qenë edhe pak zgjidhëse në ushqim, nuk e ha këtë, nuk e ha këtë. Nëna thoshte, “Prej kësaj kjo vetëm e vdekur kthehet prej atje, kush do t’ia bëjë ushqimet”.

Pak para që kisha ditët e para merrja konzerva peshkanja, po për ni ditë m’u mbarun ato para. Fillova nga pak nga pak jo një margarinë, jo djathë (qeshë), jo marmaladë. Domethënë skamja të mëson që të bëhesh njeri edhe të mos bësh zgjidhje të mëdha. Mandej u mësova në atë jetë të internatit edhe sot po them me gjithë qef isha kthyer edhe njiherë.

Anita Susuri: Si ka qenë prej juve me ardhë prej vendit ma të vogël në Shkup? Si iu është dukë qyteti në atë kohë juve?

Emel Pashoja: Shkupi si qytet ka ni pozicion jashtëzakonisht të bukur edhe ishte shumë interesant që unë pata fatin që të kem nji mike, ni shoqe e cila ishte vajza e ni shokut të babait tim që punonte rrobakepës në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë. Unë si ni vajzë prej ni province të vogël m’u dha mundësia që të mundem t’i shikoj pjesët më të bukura teatrale të dramave, operave, baleteve. Ajo na mundësonte në llozhë, në vendin ma t’mirë. Se ishte kryeshefi i kepjes së atyre veshjeve për artistët. Në atë moshë ku të duket çdo gjë që fluturon, patëm mundësi të mësoj gjëra aq të thella, të cila mësohen në shumë vite më të vonshme.

Po duke shikuar e duke dëgjuar e duke shikuar nji dramë të fortë ose kur e shikonja Baletin e Mjellmës së Zezë, ishte ni inspirim që unë t’i futem literaturës që të lexoj akoma më shumë për sende të cilat nuk i dinja. Ato u bën, si thonë, motiv që unë më tepër, unë si fëmijë atë mund t’ia falënderoj babait tim i cili ka qenë shumë bashkëkohor për kohën e vet. I cili më blinte libra që n’atë kohë kushtonin shumë për buxhetin. Se n’atë kohë vetëm ai punonte dhe të blesh libër ishte pak lluks, nuk ishte përditshmëri.

Që sot mundësinë e kanë t’madhe po shumë rrallë po blejnë. Babai im m’ka blerë komplete të cilat saherë i kam thënë, “Baba”, ky komplet, “i librave ka dalë”, babai im ma blinte. Përveç që isha anëtare e rregulltë e bibliotekës në Kratovo në qytet, çka dilte e re unë shkonja lexoja, e merrja në huazim librin. Atë që vazhdova edhe në Shkup edhe Shkupi për mua ka qenë qyteti i rritjes, i formimit akademik. Për fatin tim që kisha lexuar edhe që e zotërojnë makedonishtën ma në nivel se shoqet e mia sepse unë si ni turke nuk isha e barabartë me maqedonet.

Unë është dashur të jap jo 10 përqind, qind për qind më shumë që të mundem të vlerësohem sa duhet. Shpesh herë kam patur edhe shumë, si thonë asaj, tronditje në notë që s’ma jepnin të merituarën. Po ajo është nji kujtesë e ligë dhe nuk dua ta përmend. Dua të kujtoj gjëra të bukura. Mundësia e të shprehurit tim, e komunikimit të lehtë më mundësojti që rasisht shkova në ni mbledhje që organizohej në qytet, ishte organizimi, Organizata e Shkrimtarëve të Ri të Shkupit. Mbahej në ndërtesën Dom na gradezni rabotnici [Shtëpia e punëtorëve të ndërtimit] si i thoshin atij vendit.

Bëhej analiza e shkrimeve të Ramin Prantagorës e s’kishte shumë kohë unë kisha lexuar vjershat e tij. Duke diskutuar unë u ngrita edhe mora pjesë në bisedë. Atyre, ndër aty ishte ni shkrimar Kaniq më duket se e kishte mbiemrin. I bëri përshtypje liria e të folurit tim e diskutimit e atë ditë duhet të bëhej zgjedhje e kryetarit të shkrimtarëve të ri. Ai u ngrit tha, “Unë propozoj ta zgjedhim Emelin, e kemi anëtare ma të re që kemi sot po ajo u dëshmua që di shumë gjëra më shumë sesa neve”.

Prej asaj dite unë u bëra anëtare dhe mandej si anëtare organizonja mbrëmje letrare nëpër të gjitha shkollat e mesme të Shkupit. E plotësonja kohën e lirë me këtë punë. Vizitonim pastaj edhe qytete të tjera me punën të cilën e bënja. E në vitin ‘63 kur u bë tërmeti u bë konkursi për jetën e Leninit. Do të ishte konkurs shpërblyes. Nuk m’u përkujtohet në lidhje me sa përvjetorin e Leninit por e di që duheshe shkruash për atë. Hartimi im u zgjodh si hartimi më i mirë në tërë shkollat e mesme të Shkupit. Pasi gjatë tërmetit ajo ndërtesa e Armatës Popullore të Jugosllavisë ishte rrëzuar, ata kishin kaluar në disa baraka në ku osht’ aeroporti, ashtu quhet vendi në aeroport.

Unë e pakët, e dobët, ni fëmijë provencial dojsha atë hartimin ta lexoj para të gjithë atyne gjeneralëve. Kur ju shikoja ato paletat e sendet më kapi ni tremë thashë, vallë do t’di të lexoj. Ishte ni nder, ni knaqësi për mua që u zgjodha për, njëri e cila kisha hartimin më të mirë. Normalisht, mora edhe ni shpërblim. Ma dhanë ni çantë lëkurë shumë të vlefshme. Po babai im tha, “Shiko”, tha, “ti je fëmijë, për ty nuk është kjo çantë. A po ma falë mua kur shkoj në mbledhje ta përdor”, (qeshë), e unë thashë, “Baba me gjithë qef sepse”, thashë, “kështu që po shkoj unë edhe po fitoj është merita jote se ti m’i ke mundësuar të gjitha gjërat çka dua të bëjë edhe t’më blesh librat të cilat për ty kanë qenë shumë”.

Anita Susuri: A ke patur pastaj problem me lexu hartimin apo…

Emel Pashoja: E lexova shumë mirë e fitova aplauz të madh edhe më morën me ni gjip të madh më sollën në shkollë edhe me aplauz në shkollë më pritën. E bën ni çajanka [ndejë ku pihej çaji] në atë kohë ashtu i thoshim. Përgadisnim ashtu bukëza të vogla nga kjo buka françeze. Se neve ndër lëndët e tjerë e kemi patur lëndën e amvisërisë. Aty kemi mësuar, kishim kuzhinën tonë në të cilën pregatitnim ushqimin edhe kishim mësuar se si duhet të pregadisnim për raste të veçanta, ushqime të veçanta. Ajo u organizua për mua se e nderova shkollën.

Anita Susuri: Çajanka diçka si…

Emel Pashoja: Çajanka ky çaj, koha e çajit, në maqedonisht i thoshin çajanka.

Anita Susuri: E desha t’ju pys edhe për, e përmendet edhe babën edhe si i keni mbajtë raportet me familjen? A keni shku shpesh në Kratovo sa keni qenë në shkollë?

Emel Pashoja: Shpirti im, të shkuarit në Kratovo ka qenë shumë rrallë për shkak se unë isha në Manastir. Dy fëmijët i kisha njëri pas tjetrit, vetëm 18 muj kishin vajza me djalin.

Anita Susuri: Po mendoj në Shkup sa keni qenë si studente?

Emel Pashoja: A si nxënëse s’kishim të drejtë ne. Neve mund të shkonim në shpi dy herë në vit, në 1 janar kur ishte pushimi edhe në fund të vitit shkollor, s’kishte udhëtime. Gjashtë muj minimum. Ajo ka qenë rënd.

Anita Susuri: E vizitë keni pasë?

Emel Pashoja: Prindërit kanë mundur të vijnë. Se baba pasi ishte deputet, baba udhëtonte shpesh. Baba vinte më takonte. Ndonjëherë edhe nana. Po atëherë edhe s’ka patur transport, vetëm ni autobus ishte i cili vinte, nisej në 05:00 në mëngjes prej atje edhe mbrrinte në orën 09:00-10:00 në Shkup. Neve të gjithë studentët edhe nxënësit e shkollës të mesme shkonim te shoferi, kjo le të mbetet edhe si pjesë se unë jam duke punuar ni punim për Kratovo.

Dua edhe në këtë thënie time, në këtë tregim tim ta zë n’gojë ni njeri fisnik i cili ishte shofer e kishte emrin Gjorgji. Ishte shofer i autobusit i cili pa përtesë na sillte të gjithëve paketat të dielave. Se çdo prind i dërgonte fëmijës së vet mjafton, ti po han prej ni kazani, po han ni ushqim i cili nuk është si ushqimi i shtëpisë, nuk ke ëmbëlsira të rregullta, nuk ke pite të cilat neve i kemi në tradita, nuk kemi diçka misha të thata ose postërrma ose këto gjëra me të cilat ne ishim mësuar në shtëpi të hamë.

Çdo kush i thoshin koletë ose paketë që prindërit tonë, ktë’ punë e bënte gjyshja ime, në ora 05:00 të sabahut e dërgonte me shoferin edhe ai na sillte neve të gjithë kratovalitë mblidheshim në stacion të autobusëve e secili e merrte paketën e vet shtesë. Domethënë si ushqim plotësues. Nga ajo që nuk mund të shkonim të merrnim sende të cilat… bile më kujtohet e kishim ni shoqe pak vetjake, ajo ishte nga Valondova, nga ajo anë kishin feferona.

Kur jemi në internat, ti bëhesh tip social, çka ke ndan. Ndoshta veten e len pa ngrën po shoqeve do t’u japësh patjetër. Se mënyra e të edukuarit të bën social. Ajo ishte koprrace. Na jepte nga gjysmë feferone (qeshë). Neve ni ditë që ta bëjmë të pëlcas nga inati, e pam ku e kishte fshehur tegllen edhe kishim ditën e pasulit. Shkojmë neve, ajo kishte marrë dy për vete që t’i marrte. Njëra shoqe shkoji në dollapin e saj e mori tegllën edhe solli aty në tavolinë e mbaruam. Kur shkojti ajo e kërkoj, s’ka asgjë. Prej atëherë u korrigjua pastaj ndante gjërat me neve (qeshë).


1 Murad II (qershor 1404, Amasia – 3 shkurt 1451, Edirne) ishte sulltan i Perandorisë Osmane 1421-1451 (me përjashtim të një periudhe prej 1444 deri 1446, kur djali i tij Mehmeti II mbretëroi). Mbretërimi i Muratit II u shënua ne histori gjatë kohes qe ai luftoi kundër zotërve feudalë të krishterë të Ballkanit dhe Emiratet turke në Anadoll (bejlleqe), një konflikt që zgjati 25 vjet.

Pjesa e Tretë

Anita Susuri: M’tregut që në kohën kur ndodhi tërmeti, thatë që ka qenë shkaktari i fejesës t’juj. Po fillimisht po m’intereson si jeni njoftu me bashkëshortin e juj?

Emel Pashoja: Bashkëshortin tim e kam njoftu që kur kam qenë fëmijë, juve e morët nji fotografi të babait tim me një polic. Ai polici ka qenë bashkëshorti i kunatës, motrës së burrit tim. E neve banonim në fqinjësi, domethënë përkarshi shpisë tonë në atë shtëpi ata banonin. Normalisht, Irfani, burri im vinte te motra mysafir. Dallimi në moshë te na ishte nëntë vjet. Ai ishte në shkollë të mesme, unë isha në shkollë fillore. Mendja ndërmend s’më shkonte se do t’vijë dita se unë do të martohem për atë njeri.

Neve njiheshim familjarisht, pasi ata ishin musliman shqiptarë edhe neve. Neve kishim shumë të hyra të dalura me kunatën. Kur unë isha në shkollë të mesme, babai dojshe të përfundoja atë shkollimin e tij që të mund të mbante vendin e tij të punës dhe ishte regjistruar në Shkollën e Lartë Sociale kur unë isha në shkollë të mesme, në internat. Ashtu që ata rrinin në banesë unë rrija në konvikt. E Irfani dhe babai im njiheshin, njiheshin në kuptim që ai vinte te motra. Zeneli dhe Balko ishin njerëz të cilët, kunata ime, kishin muhabet të madh.

Bile ajo në lëndën e sociologjisë shkonte te Irfani e konsultonte, bënte, nuk kishte diçka që neve s’dinim. E Irfani e dinte se unë jam në shkollë të mesme, nganjëherë e takonja ndonjëherë s’e takoja, ngadonjëherë vinte, e unë nuk e takoja në Kratovo. Isha në praktikë në spital çdo vit praktikë nga dy muj nëpër spitale. Nji ditë unë me nji shoqe time që e kam të ngushtë edhe sot i mbaj lidhjet me atë, ishte nga Titov Velesi. Po shkonte nëna ime për drekë… ishte dita e diel e ata po mbaronin në Shkup në Kisella Voda, afër shkollës së të verbërve.

Na zbresim nga autobusi po shkojmë për nga nana, ai Irfani po vinte ka qenë te na, e ka thirrë baba për drekë edhe po kthehet te na. “Ej Emel si je?” “Mirë, ti si je?” “Mirë edhe unë jam”, tha, “a nana jote sot ka bërë cironka”, cironka i thonë atyre gjigjicave [sardele] këtu që i thonë shqip, atyre peshqëve të vegjël, në Prespe i thonë cironka ose belvica, nuk e di tani secili regjion e ka emertimin e vet. Tha, “Unë i mësova familjes tënde se si duhet t’i hani ato. Ato nuk u qërohen kockat ato masi përzhiten mirë hahen që nga koka deri te bishti. E sigurisht tash kur do të shkosh në shtëpi nana do të jap, mos i qero kockat, haj komplet”.

E bëm këtë fjalë edhe u larguam. Ajo shoqja ime m’pa edhe tha, “Cili është ky?” Thashë, “Është vëllau i ni kojshikës tonë që e njofim”, “U”, tha, “sa i bukur qenka”. Unë mendja s’më shkonte që ta shikoj si mashkull, e shikoja si njeri të njofshëm. Ktheva kokën ai kishte kalu, kurrizin ia pashë s’kisha ndërmend. Po s’kalojti shumë kohë u bë tërmeti i Shkupit. Në atë kohë ishim në shtëpi, shkolla kishte mbaruar. Ajo ishte prishur por jo shumë. Po domethënë e përjetova në Kratovo atë tronditjen po jo në Shkup.

Kur lajmëruan që duhet, këta që janë polic, mjek të gjithë mobilizim komplet, çdo kush duhej të kthehej në vendin e punës. Kunata kishte shkuar në Prespë te Irfani edhe ishte me dy fëmijë. Zeneli ish nisur menjëherë, e ka lënë gruan i ka thanë që, “Kur do t’vini ti sjell Ballkon në Kratovo”. Mirëpo ata mua më kishin parë përpara se të shkoj në Prespë. Unë në muajin maj, domethënë, tërmeti u bë në korrik në mujin maj patën ni fatkeqësi u rrëzova në shkollë, në internat duke ecur. Kisha, të pytem nga interno. Kurrësesi se mësova ato të hyrat e gjakut në komora, në para komore edhe të gjitha ato.

Thashë, po shkoj kështu të freskët në kokë të pastër para se të filloj mësimi përpara po ulëm e po lexoj pak. Po kushedi pa mend tërë kohën unë duke goditur kokën në qofsh të shkallëve. Pak m’u morën mend, pak… thashë kurgjo. U ngrita shkova mësova. E bëm orën e parë, orën e dytë, në orën e tretë kishim lëndën e para ushtarakës. Po shkojmë… ishte para ushtarakës duheshe të ishim në vrapim në rast lufte me gaz maskë. Unë kur e vura gaz maskën edhe fillova të ecë më ra të fikët, më ra të fikët.

Po e kishim profesoreshën e mbrojtjes, ajo ka qenë majore me pozicion. Një grua tamam edhe si mashkull dukej edhe shumë e rreptë. Ajo mendote se tash unë po lazdrohem, ja s’mundem. “Në luftë”, tha, “nuk ka lazdrim”, ama kur më pa sa e verdhë jam, sa keq jam tha, “O kjo vërtetë i ka rënë të fikët”, edhe m’tha mua, “shtriju atje”. Më largoj nga ora. Unë u shtriva erdha diqysh në vete edhe po kthehem në klasë. Kur u ula në bankët unë vetëm aq mbrriva me shoqen që të flasë. Thashë, “Moj Lile”, thashë, “mua sot më ndodhi një problem, unë u rrëzova. E kam goditur kokën edhe më vjen pak për të vjellë diçka s’jam mirë”.

Në ndërkohë më ofrohet ni shoqe tjetër, E tha, “Do t’bëjmë hartim, ti e di se do duhet edhe hartimin tim ta bësh”, thashë, “Mirë do ta bëj e pastaj do ta bëj timin”. Në atë moment mua më erdhi mundim, vrapova deri në llavabo, fillova të vjellë edhe kam humbur vetëdijen. Kam humbur vetëdijen po askush nuk di nga se, çka pati kjo vajzë menjëherë me pa ndjenja. Ajo llavaboja, mendoj tualeta, përballë zyres së arsimtarëve. Ata çka është? Emelit i ra të fikët. Atëherë paraqitet kjo profesoresha e mbrojtjes. Tha, “Asaj i ra edhe në orë, kjo vajzë ka ndonjë siklet. Shpejt shpijeni në spital të inxhizojë koka, nuk është mirë”, tha, “brenda dy orëve kësaj dy herë t’i bije të fikët”.

Kur inxhizojnë e shikojnë që kam tronditje truri me plasë të kësaj kockës kraliane. Jam në gjendje shumë kritike. Mua më dërgojnë në spital, mbetëm atje shtatë ditë në komë. Baba e dinte, nana nuk e dinte se ka qenë shumë kolerike do të bënte problem. Baba ishte krejt për çdo detaj t’shikoj si jam të kthehet edhe të vijë. E ni grua e cila e ka takuar babën nga Kratovo i thotë, “Jashar, çke këtu?” Thotë, “Vajzën”, tha, “e kam në spital”, tha, “sot më thanë se erdhi në vete ka humbur vetëdijen”, “Ou”, tha.

Të nesërmen e takon nënën në pazar edhe i thotë, “Selvet si e ke vajzën?” “Pse?” Thotë, “mirë është, në shkollë është”, “Jo”, tha, “unë e pashë në spital me burrin tënd”. Kjo tranohet. “Menjëherë të gjesh veturë, çka do të bësh të më qosh mua te vajza”. U ktheva, mirë. Kalojti ai problemi i sëmundjes time. Fillova erdha në vete, më lëshuan nga spitali. Më thanë, “Nuk guxon të lexosh, nuk guxon të dalësh në diell, nuk guxon të lodhesh fare”. E tani, kur s’mund të lexoj, s’mund të ecë, s’mund të dalë çka. Tani më hyni vetja në qef fillova t’i rregulloj flokët (qeshë).

Fillova t’i shti flokët në llokne. Unë tash kështu si vajzë edhe pak nga pak grim të vëj në atë kohë, kreon idolli, kreon vinim. Unë po shkoj në praktikë në spital, po spitali dhe policia janë shumë afër. Ky dhëndri Zeneli më sheh mua edhe s’më njeh. Unë e përshëndeta thashë, “Mirëdita, si je?” E di si ni vajzë prej fëmisë kur shndërrohet në vajzë, ka një dallim. E shkon në shpi i thotë grusë t’vet, “Ballko”, tha, “po çupa e Jasharit ishte rritur, kishte ndrruar ishte zbukuru që mendja s’ta merr, ajo hundën s’e fshinte dot deri dje” (qeshë), “mirë”, tha, “shikoje nuk ish ajo më fëmijë ajo ish bërë çupë. Çupë e tërë”.

Unë në vit të tretë të shkollës, domethënë fëmijë, përnjimend fëmijë isha akoma. Këtu kemi edhe ni histori të vockël. Shqiptarët që i kemi ca adete. Irfani ka qenë i fejun që në djep edhe kur është bërë i vetëdijshëm për vete i ka lajmëru familjes i ka thanë, “I thoni asaj vajzës le t’kërkoj fatin e vet. Unë nuk do të martohem me atë, do të marrë grua të shkolluar e cila m’takon sipas rangut tim, me gru fshatare s’du të martohem”. Familja në trans tash, zemërohen se janë miq, prishet miqësia. Unë këtë histori të Irfanit e dija, po çka do të ndodhte, si do të fejohem e si do të bëhej kjo punë mua as ndërmend s’më ka shkuar.

Ka thënë, “Po kuptova se ju keni gisht në fejesën time unë me pesë fëmijë ta kem gruan do ta lë”. Domethënë i ka trembur familjen. Tani kjo kunata ime ka frikë t’i thotë për mua, takoju dhe shikoje vajzën. Rastësisht ajo e merr motrën ta sjellë në shtëpi në Kratovo, më takon mua. Se Kratovo ish qytet i vogël, ni shitore është. Unë po shëtitem. “O Irfan, mirëseerdhe, si je? Si po kalon? Si jeni në familje?” “Në rregull, krejt jemi mirë. Po ti me mësime?” “Mirë”, thashë, “mua më kanë mbetur dy lëndë që”, në maj më ndodhi kjo gjë, “që s’mbrriva të notohem”, thashë, “po do t’kem provim klasor në shtator. Përvjetova ni tronditje dhe do ta tejkaloj”.

Kjo ka qenë shikim, si thonë, dashuri në shikim të parë ta themi kështu në formë si thonë të zbukuruar. Ai i mbushet mendja dhe i thotë motrës të vet, “Valla Ballko vajza ishte shumë e mirë. A bën të shkosh të bisedosh me atë?” A babait tim kishte shkuar në teren e tha, “Do të kthehem mbas dy ditëve”. Kjo kushërira kishte ardhë nga Kumanova te prindërit edhe babai im më thotë mua, “Shiko”, tha, “para se të shkoj”, i tregova se ka ardhur Irfani se e pashë teze Ballkon e axhën Zenel. Tha, “Masi e kem Sadetin për darkë, thuj Zenelit le ta merr edhe Irfanin”, se Irfanin e deshte shumë se i ndihmonte kur ishte student për sociologji e tha, “le të vijnë te na për darkë”.

Ajo darkë u bë darkë fejese. As s’prita as kujtu. Ishte kinemaja. Së bashku shkuam të gjithë. Se qyteti i vogël, vetëm me një kinema do të shkosh. E zuri gjumi fëmijën e kunatës edhe Irfani, ajo fëmija fjeti te unë. Thashë, “Irfan unë s’e mbaj dot këtë fëmijën e Ballkos. Merre ti o’ çoje në shpi ose gjeja qaren ose mbaje vet”. Ajo tha, “Mirë”, tha, “po e marrë”. E merr dhe e çon në shtëpi. Po kur kthehet filmi mbaroi unë erdha në shtëpi. S’foli dot me mu. E shkon në shtëpi ora 11:00 bëhet, 12:00 edhe thotë, “Shko thirre Emelin shko në shpi le t’vijë dua ta pyes”, “O bobo”, i thotë ajo, “po ku t’vete tani ora 11:00”, “11:00, 11:00 ti do të shkosh”.

Ngrihet kunata ime vijnë më thrresin e nëna po më zgjon. “O”, thashë, “çka ke?” “Ngrihu”, tha, “ka ardhur Ballkoja”, “Pse?” Thashë, “është sëmurë ndonjë fëmijë”, thashë, “t’i japë ndonjë injeksion”. Se zakonisht kur sëmureshin fëmijët më thrrisnin jepja në mbrëmje injeksione. Tha, “Jo, jo”, tha, “Irfani kërkon diçka të flasë”, “O”, thashë, “ky shtatanik mos është”, thashë, “nesër a s’ka ditë”, “Jo”, tha, “ai pas dy ditëve shkon se fillon mësimi në shkollë duhet t’jetë në Manastir”, po kunata po m’thotë, “a din çka m’tha, tha veshe atë fustanin që e kishe veshur sot”. Mua më kafshoj diçka. Thashë ky njeri le që do t’bëhet ndonjë gjë po… (qeshë).

Tash pa asgjë po m’thotë mua ta veshi atë fustan që kisha veshur sot. Shkova unë me Ballkon. A nëna ime edhe këta kushërinjë të gjithë e ditkan për çka ka ardhur Irfani, a unë nuk dija. Të gjithë e lavdojnë, “Djalë i mirë, djalë me fakultet, djalë i vetëm”. Po më hedhin muhabet për rreth e rrotull po unë s’e merrja dot për mend se njëherë kam shkollën për t’mbaru edhe e dyta rrap tup si do të fejohesh me një njeri që s’e di. Mirë, shkova. Ajo ishte në nji dhomë, kish hapur ni libër ku ai lexonte.

Tha, “Një gjë duhet të të pyes para se të flas, a je e lidhur me dikënd?” ‘63-shin, shumë bashkëkohor, shumë modern, i kuptonte gjërat. Thashë, “Jo, s’jam e lidhur me kërkënd”, e tha, “Nëse s’je lidhur me kërkënd unë kam aspirata serioze, a ishte feju për mu masi familjet po njihemi edhe brenda këtij viti sa je ti në shkollë do t’kemi mundësi t’jemi më afër, të takohemi më shpesh dhe të njoftohemi më mirë”.

Thashë, “Unë kam prind, unë nuk mundem të marrë vendim në vete. Duke marrë parasysh”, thashë, “se ne jemi e vetmja familje muslimane këtu unë për dikë do të martohem, po nuk e di kush është. Masi familjen juaj ju njof, ty rreth e rrotull afërsisht e di kush je të kam parë te halla Ballkoja e di se je i vendosur, e di se je në punë po”, thashë, “ndoshta nëpër filma indiane dashuria shikohet gjatë martesës s’është e thënë që ja të bësh dashuri me dikë pa t’martohesh. Po unë besoj që me maturi me të njoftuar njëri me tjetrin do t’gjejmë gjuhë të përbashkët me jetë. Po”, thashë, “bisedo me prindërit”.

Tha, “Po shkojmë”. Atëherë ai u ngrit edhe Ballkoja po kalojnë nëpër qytet të më kthejnë mua në shtëpi tani. A polici që ishte kujdestar se në atë kohë policia tërë natën gjësdiste [shëtiste]. Qyteti i vogël edhe ai mërmëriti me vete foli, “A te Jashari do t’ketë diçka”, tha, “kjo gjësdisja në mes të natës do të dalë nesër herët” (qeshë). Kjo çika ime u bë sebep. Kur shkon i tregon nanës. A nana ime Irfanin e deshte veç ashtu, i pëlqente si tip, si karakter çdo gjë. Ajo veç mbaroj punë, i thotë, “U kry”, nxorri llokumat. “Moj”, i thashë, “prit, babai të kthehet nesër është në teren”, “Hajt se kur t’vendos unë baba yt s’ka çka thotë”. Ashtu që ne u fejuam.

Anita Susuri: Zoti Irfan ka qenë nga Kosova?

Emel Pashoja: Jo, jo prespar është, i Prespës,

Anita Susuri: A i Prespës. E pastaj në Manastir e ka pasë…

Emel Pashoja: Në Manastir punonte në gjimnazin si profesor. Pastaj kur shkova unë fillova të punoj atje si… pak pas dy vjetve, pas dy vjetve që mësova shqip. Se thashë gjuha familjare turke, arsimore maqedonisht, shqipja kërkund. Gjuhën shqipe e kam mësuar me 18 vjet. Mësova që t’mund të merrem vesh po jo të flas, jo të shkruaj. E në ndëkohë u hap… në spital nuk isha e interesuar të punoj se kishte kujdestari e unë u bëra me fëmijë menjëherë në krye të vitit. Kisha vjehrrën. Prit diçka ndonjë punë tjetër të gjej.

U hap përkthyes kërkonin në gjykatën e qarkut. Unë duke ditur maqedonisht ajo përkthyes ndoshta niherë në muj ose niherë në dy-tre muaj të kesh përkthim të shqip në makedonisht, makedonisht në shqip. Unë sa për aq kuptoja. Brenda gjashtë muajve e mësova të flas por jo të lexoj dhe ta di gjuhën mirë. Po prej momentit që u pranova si përkthyese, se ata më morën për provë bëra një hartim në shqip. Hartimi nuk ka ndonjë dallim në atë po unë pasi shkrunja shumë mirë makedonisht nuk më vinte problem ta shkruaja edhe në shqip. Kisha mundësinë e të shprehurit. Pak edhe kishte nifar’ intervenimi prej ni shoku dhe më pranuan mu në gjykatë. Punonja.

Po unë tani nuk desha të mbetem aty ku jam. E vetmja formë, ni gjuhë ta përvetësosh është të lexosh. Unë jam futur, Ismail Kadaresë prej A-së deri në Zh. Komplet e kam lexuar. Ditë e natë kam lexuar në shqip. Në qoftëse ni roman e mbaronja, po e zëm, e nis e mbaroj për një javë, në shqip e lexonja ni muaj. Mirëpo e lexonja. Ajo më tregonte gramatikën, ajo më tregonte mundësinë e të shprehurit edhe krejt. Ashtuqë pastaj javash, javash u bëra eksperte për shqipen. Ndonjëherë Irfani më pyeste ndonjë fjalë, “Mirë si i thonë kësaj”, “Prit se turkja të tregon tani” (qeshë).

Anita Susuri: Sa vite keni qëndru në Manastir?

Emel Pashoja: Në Manastir qëndruam pesë. Pas pesë vjetëve erdhëm këtu.

Anita Susuri: Thatë që ka qenë viti ‘70-të…

Emel Pashoja: ‘70 në shtator. Irfani erdhi në shtator unë erdha në tetor.

Anita Susuri: Cila ka qenë arsyeja? Ndrrimi i vendit të punës së bashkëshortit apo?

Emel Pashoja: Shpirti im, erdh situata fëmijët u bën, djali i bëri pesë vjet e ca, vajza katër e diçka. U ofrua koha e shkollës. T’i dërgonim fëmijët në shkollën shqipe, shkolla shqipe ishte tepër e dobët. Domethënë më mirë mos e dërgo hiç sesa ata injoranta që punonin t’pa dijshëm ishin në atë shkollë. Në makedonisht nuk vinte parasysh se tash kjo ekzistonte. Në ndërkohë u hap universiteti në shqip në Kosovë. Kosova po shkonte përpara me hapa. Masi ra Rankoviqi iu dhanë shumë përparësi Kosovës. Kosova vetëm që s’kishte emrin Republikë se përndryshe të gjitha gjërat i kishim. Vendosëm të shpërngulemi, të sillnim fëmijët këtu edhe të mësojnë në gjuhën e vet.

Anita Susuri: A ka qenë fillimisht për juve e vështirë m’u largu prej familjes?

Emel Pashoja: Shiko, neve edhe sot çdo gjë, Irfani thashë është djalë i vetëm, edhe tokë mjaft ka patur në Prespë. Po sa e kishim mbarum shtëpinë e ndërtuam edhe shtëpinë e re të dytë, dasmë nuk bëm. Paratë e dasmës i përdorëm të blem pllacin e pastaj javash, javash krijuam familje, krijuam shtëpi. Tamon kur i rregulluam edhe lulet edhe të gjitha gjërat e oborrit erdhën në vete, erdhëm në përfundim se ma me vlerë është të kemi ardhmërinë e siguruar të fëmijëve sesa për hatër të shtëpisë të rrijmë se është ni gjë e vdekur. Shtëpi bëjmë kudo.

Erdhëm këtu shkaku i fëmijëve dhe mirë na shkojti puna. Fëmijët shkonim në shqip, i dërgonim edhe në shkollë të muzikës. Ganimetja, vajza, ka qenë edhe në universitetin e letërsisë edhe në akademinë e muzikës. Të tre fëmijët të dijnë instrument. Kemi nga një gitarë dijnë t’i bijnë. Në shkollë të muzikës i dërgonim, gjuhë të huja po se po.

Anita Susuri: Bashkëshorti juj ka konkuru për të qenë profesor në universitet apo e kanë ftu?

Emel Pashoja: Bashkëshorti im punonte në Manastir në shkollë, në atë gjimnazin me prestigj edhe plus në Shkollën e Lartë Pedagogjike. E kanë marrë si kuadër shumë i avancum. Domethënë ka qenë aq punëtor saqë s’ka bërë vaki të shkoj në mësim pa bërë konspektet edhe përgatitjen për mësimin që ka bërë. Domethënë ka patur shprehi të hatashme të punës. Këtu e thirri Fazli Syla, ka qenë drejtor i gjimnazit, e ka njoftë si student kanë qenë së bashku në Shkup në studime, e njifte. E ftoj i tha, “Hajde se kam nevojë për lëndën tënde për filozofi”. Se Irfani ka kryer filozofinë e pastër. Edhe tha, “Në gjimnaz ke vend pune”, ai erdhi…

Anita Susuri: Në gjimnaz?

Emel Pashoja: Në gjimnaz. Pas dy vjeteve në gjimnaz “Sami Frashëri” atëherë ishte “Ivo Lola Ribar”. Pas dy vjetve pune e ftojti Hajredin Hoxha për asistent të tij. Në ndërkohë magjistrojti në Sarajevë. Ai kishte temën “Religija i religioznost Albanaca na Kosovo” [Feja dhe religjionet e shqiptarëve në Kosovë]. Se ky fenomen i tre konfeksioneve shqiptare, të shqiptarëve për opinionin shkencor është mjaft temë e kërkuar. Ju se njifni politikën, në atë kohë Hamdija Pozderci ka qenë në kryesinë e Jugosllavisë. Ai ka qenë mentor edhe një nga anëtarët e komisionit përpara kujt e ka mbrojtë Irfani temën e magjistraturës në Sarajevë.

Domethënë magjistroi në Sarajevë me sukses të mirë. Edhe kishte përgatitur në fakultet për studentat se Irfani qëllimin kryesor e kishte që studentëve ju kërkonte të lexojnë veprat origjinale, jo nga shënimet. Studenti i cili kërkonte t’kryj fakultet e të mësoj nga shënimet është disfatë. Që të kenë ata materialin e duhur që ju duheshin për provim, ai përgatiti ni doracak. Vet e përgatiti. E shtypi e bëri gati dhe ia dha në fakultet po tha, “Jo të shitet. Kjo është për nevojat tuaja. Ju mund ta shumëzoni saherë të doni kur ju duhet. Por ky është libër që këto gjërat po i mësuat lëndën e filozofisë e jepni”. Atë doracakun e kam poshtë, do t’shikoj.

Anita Susuri: Ju thatë që punimin e magjistraturës e keni bo punën teknike ju?

Emel Pashoja: Unë së bashku me atë për çdo natë kam punuar. Unë kam shkruar, jo vetëm këtë librin e kësaj, të gjitha konspektet se ka prituar të shkruaj ai. E të gjitha ato konspektet që kishte për mësim, për në ligjerata i punonim bashkë. Unë ia përgatitja e ai pastaj i merrte me vete shikonte se sa, që të përkujtohej për një temë të caktuar kur kishte për të ligjeruar.

Pjesa e Katërt

Anita Susuri: Po m’duket m’keni thanë kur jemi taku që ju fillimisht keni punu në Obiliq me ni ambulantë…

Emel Pashoja: Po, thashë, shkolla primare shkolla e mjekësisë edhe ajo, unë erdha. Njëherë zëvendësova ni shoqe e cila tash është e ndjerë. Ajo është e Gjilanit. Punova dy muj derisa e zgjaste pushimin e lehonisë e mandej u hap konkurs në Obiliq. Kërkonin motër medicionale se të gjithë kanë qenë serb. Atëherë ishte ajo hovi i parë ku u pranuam tetë veta. Nga ato tetë veta ishin shtatë shqiptare edhe një serbe. Unë mund ta quj vetën si në kategorinë e turqve më morën. Se në atë kohë të komunizmit, atë vit ishte e paraparë që të gjithë të kapen.

Unë u njoftova, këtë do ta keni pak edhe si barcelotë në këtë tregim tim që po e tregoj. Po njoftohem me shoqet, “Prej ku je?” “Prej Manastirit”. Njëra thotë, “E Mitrovicës”, njëra, “E Mitrovicës”. Njëra ishte e Vuthaj. E mbaruam njoftimin tash fillojmë punën. Një javë, dy javë po punojmë po shkojmë në punë, po takohemi, po pijmë kafe. Mirëpo unë vërej që duke qëndruar ata flasin, kur afrohem unë ata ndalen. Uh thashë çfarë jam kualifikuar unë për përgojim, çfarë kam bërë?

Me njërën, e shkreta ndrrovi jetë është shumë situatë palidhje, i them, “Lume, të lutem më trego çka është problemi që ju flisni për mua ama kur unë afrohem ju ndaloni. Ku është enigma?” Ajo pak u mblodh e tha, “Emel”, tha, “të lutem më trego pse ike nga Manastiri”, thashë, “Se ika për shkak të fëmijëve, ku do t’i shkollonja?” Ajo u zu kështu {kap kokën me duar}, “Wow”, tha, “edhe fëmijë ke pasë në Manastir?” Mua atëherë më rroptoi.

Thashë, “Ju mos keni mendu që unë jam motër murgeshë”, thashë, “edhe kam ardhur nga Manastiri”, “Po”, tha, “Po”, thashë, “juve a keni mbaruar shkollimin në gjuhën shqipe?” “Po, në gjuhën shqipe”, “Po a keni mësuar për Migjenin?” “Kemi mësu për Migjenin”, “Po Migjeni ku e ka kryer shkollën e mesme? Në Manastir”, po thashë, “a po mendoni që kto rregulla politikisht duhet t’i themi” (qeshë), thashë, “Manastiri është qytet”. Atëherë tek ata kuptuan se qenkam nga qyteti i Manastirit e jo nga manastiri si motër murgeshë (qeshë).

E na thurrnin prralla, është dashuruar motër Emel me Irfanin po ka ikur nga manastiri (qeshë). Kur ia thashë që kisha edhe fëmijë, aty ishte kapaku. Mandej u ktheva në gjimnaz. Ni serbe e cila punonte si bibliotekiste u shpërngul, jo u shpërngul po u penzionua. Mandej ai ishte, ky, Shefki Sejdiu zëvendës drejtori, Fazliu kishte kaluar në Institutin Albanologjik. Tha, “Irfan”, tha, “thirre gruan le të vijë”. Se ata e panë se sa shumë aftësi punëtore kisha unë, sa punonja me zell. Atë e mësova në Manastir, duhet t’ia dish për hak. Se me të vërtetë e kanë vlerën e punës, nuk përtojnë të punojnë, nuk të malltretojnë. Punën, shprehinë e punës e kam fituar në Gjykatën e Manastirit.

Aty u mësova me ni shoqe të arkivoj se ajo gjykata kishte mbetur pa i rregulluar dokumentet në formë të, në formë si duhet sipas arhivës, mbas viteve. Asaj i thojnë arhivim. Njëra nga shoqet me të cilën punoja ajo ka punuar në arkivin historik, në arhivin e qytetit dhe i dinte rregullat. Pastaj drejtori i gjygjit tha, “Ti edhe Emeli është më e zonja”, tha, “punon sa për tre veta”, tha, “do të punoni, do ta rregulloni arhivin”. Gjashtë muj ne të dyja në podrum (qeshë). I rregulluam, i arhivuam, i ujdisëm të gjitha gjërat secila në vendet. Klasifikuam vitet e çdo gjë.

Po pastaj më ndezi sherri. Pastaj kur kërkonin ndonjë lëndë të vjetër, “Ti e di vendin, shko gjeje, sille”. Shumë të punosh s’bën (qeshë). Unë kur erdha këtu në gjimnaz kam gjetur haos në atë administratë. Domethënë asni send në vend nuk ishte. Të parën gjë që kam bërë, posa hyna në punë që e mora detyrën e punës unë bëra arhivimin e tërë dokumentacionit të shkollës. Me dëftesa të mbetura, me ashtu, vendime të mbetura, me dokumentacion me rëndësi shumë të madhe historike. Të gjitha ato unë i rregullova.

Adem Demaçi, i ndjeri, vjen edhe tha, “Ju lutem”, tha, “m’duhet duplikati i dëftesës”. Unë kur i arkivova dokumentat hasa në dokumentat e tij. I kisha sipas, vetëm vitin duheshe t’ma tregonte edhe unë e dinja ku ta kërkonja. Adem Demaçi unë nuk dinja nga historia kush është mirëpo kisha dëgjuar që flitet, ‘Patriot, patriot’, edhe e kisha regjistruar në kokë se është njeri me merita. E kur u prezentua ai tha, “Unë jam Adem Demaçi”, “Zotni”, thashë, “vetëm pesë minuta, më tregoni për cilin vit bëhet fjalë?” Për këtë vit. “Një moment”. E gjeta fasiklën që i kisha ndarë dokumentet e atij vitit. Në fillim të asaj kisha ni regjistër, në atë regjistër ishin emrat me çfarë numër edhe vetëm me nxjerrë me numër edhe ia ipna.

Thashë, “Ju i keni dëftesat këtu”, thashë, “nuk kanë humbur. Unë i kam gjetur”, thashë, “dhe i keni të arkivuara kur ju duhen të merrni duplikat”, tha, “Zonjë prej ku jeni juve?” Thashë, “Unë jam nga Manastiri, nga qyteti i alfabetit”, tha, “Ju falemnderit shumë”, tha, “edhe urime që paskemi të atillë njerëz me kaq vullnet që i bëjnë punët”. Ia dorëzova dhe mbetëm mik pastaj. Ndodhi që fëmijët tanë ishin të njejtën shkollë. Shqiptari dhe Sulejmani ishin në ni klasë. Çka ndodhi me Sulejmanin kur erdhëm këtu tani me djalin? Se neve ia kemi vënë emrin e vjehrrit, se Irfani ka mbetur jetim tetë vjet, s’ka parë babë. Kur u lind nuk i vum emër të ri shqiptar, me përmbajtje shqiptare po ia vum emrin Sulejman.

Kur vajti ai në klasë u njoftua me të gjithë edhe dëgjon Gëzim, Urim, Flamur, Luan. Vie në shpi i revoltuar plotësisht. Thashë, “Çka ki djali im? Çfarë ke ardhur kështu?” “Hajde bre baba”, tha, “edhe ti ma quan vetën patriot. Po çfarë emër m’ke vënë bre Sulltan Sulejman”, tha, “a s’kishe ndonjë emër më të bukur?” Irfani qysh e kishte atë filozofinë e tij, “Djali im emri nuk të bën shqiptar, sa Flamura ka”, tha, “sa Luana edhe janë shpihuna, atë mos e harro kurrë. Emri s’të bën shqiptar. Neve”, tha, “kishim arsye pse ta vum, a ti mundësh në çdo moment të vësh për vete tënde emër çfarë të duash”.

Bile kur vajti në Londër që u shpërngul, që mori shtetësi angleze, kishte ligjërisht të drejtë ta ndrronte emrin pa asni problem. E Irfani thotë, “Bëre Man, shkurtesë”, Man si pemë. “Jo”, tha, “fjalën që ma the mua atë ditë mua ma mbushi mendjen se emri s’të bën shqiptarë. Unë jam shqiptarë i plotë” (qeshë).

Anita Susuri: Nuk ju pyta pas përfundimit të shkollës së mjekësisë, a keni vazhduar edhe diçka?

Emel Pashoja: Po shkollën e lartë pedagogjike kam mbaruar për, u përgatitsha për mësuse desha të punoj…

Anita Susuri: Në cilin vit?

Emel Pashoja: E mbarova, Nolin e kam patur të vogël, ‘76-’77-ten aty dikundi.

Anita Susuri: Domethënë këtu…

Emel Pashoja: Në Shkup e mbarova.

Anita Susuri: A në Shkup.

Emel Pashoja: Se e kisha nisur në Manastir edhe në Shkup e mbarova.

Anita Susuri: Ndërkohë keni udhëtu?

Emel Pashoja: Udhëtonja. Po unë, mua më kishin mbetur vetëm edhe dy-tre lëndë. Pothuajse e kisha mbaruar në Manastir, masnej erdhëm këtu edhe thashë sa të regjistrohem këtu, këtu më duket se s’kishte grup klasor, nuk ishte hapur në atë kohë. Makedonia e kishte grupin klasor. Unë mbasi isha në grup klasor prej të parës deri në të katërten në atë drejtim, në Shkup ishte edhe në Shkup e mbarova.

Anita Susuri: Kur keni ardhë vitet e ‘70-ta në Prishtinë, keni ardhë në këtë lagje? Në Taslixhe në këtë vend apo…

Emel Pashoja: Banuam te Fazli Syla në Taslixhe, e nje?

Anita Susuri: Aha.

Emel Pashoja: Ku është ajo…

Anita Susuri: Po Enver Petrovci.

Emel Pashoja: Jo Enveri, mbi Enverin. Ky i pari gruan e kishte profesoreshë në, jo profesoreshë po bashkëpunëtore shkencore në Institutin Albanologjik. Kryeziu. Ekrem Kryeziu. Ku është Ekrem Kryeziu pak mas tij, aty ka qenë. Ishte doktor Mustafë Caka aty kojshi, ishte ky Nahi, ni hoxhë i dëgjuar që e hapi medresenë edhe jepte mësim në medrese këtu. Ai Irfani kur përgatitke këtë temën e për religjionin ai merrte konsultime.

U takuam disa herë me Nahin. Ai është hoxhë, gjakovar është, dora në zemër gjakovarëve nuk mundësh t’ia marrësh hakun për patriotizëm. Irfani si ateist mirëpo realitetit nuk mundësh t’i ikësh se s’mund t’i thuash të gjithë njerëzve bëhuni ateist ose bëhuni fetar. Bile edhe Marks po e thotë me ni vend, “Ni popullit që nuk je në gjendje t’i japësh më të mirë se atë që e ka mos ia merr atë që është”. Ky e konsultonte shumë shpesh Nahin edhe i shkonim në shpi edhe na vinte në shpi edhe diskutonin. Se de fakto edhe feja ish filozofi po varet se kush edhe si e predikon.

Anita Susuri: Si ka qenë Prishtina? Si u është dukë juve Prishtina në kohën kur keni ardhë?

Emel Pashoja: Dallim shumë i madh social në kuptim të emancipimit. Unë jam vajzë qyteti në fshat u martova. De fakto nuk jetova asni ditë se Irfani jetonte në Manastir kur u martova unë. Në fshat shkonja si mysafir te ata kusherinjët e Irfanit. Po unë kam parë ni popull shumë të emancipuar. Atje nuk ka dallesë ndërmjet burrit edhe gruas, gratë edhe burrat me nji dhomë rrijnë. Kur bëhen dasmat, dasmat bëhen të përbashkëta, burrat edhe gratë. Sidomos ku mblidhet konaku në të cilën këndohet, bëhet gazi i dasmës burri edhe gruaja e shtëpisë janë ata të cilët i japin kuptim asaj nate të veçantë martese. Këndojnë së bashku.

Kur e pashë unë këtë gjë në fshat që mua m’bëri shumë përshtypje e madhe. Njerëzit shumë të emancipuar, jashtëzakonisht të emancipuar. Ktu kur erdha, kto odat në të cilat ishin veç burra pastaj më ra rasti që të bëhem, si i thonë, jo xheloze po të bëhem thjeshtë jo me mirëkuptim të reagoj ndaj asaj se Irfani m’thotë, “Emel”, tha, “do shkoj sonte në dasmë”, thashë, “Ti po flet në njejës, do shkoj”, thashë, “ti kur”, thashë, “u bëm neve që ti të shkosh vet”, tha, “Emel”, tha, “këtu burrat nuk i marrin gratë, nuk shkojnë burra edhe gra në dasmë”.

Unë s’e besonja dot, s’mund ta merrnja me mend në vitin ‘70-’71. Tha, “Që të bindesh, ja do t’i them Mensurit”, Mensuri ishte boshnjak, jipte në paralelet serbe. “Ta marr gruan edhe do të shkojmë”. E mori Mensuri gruan edhe unë shkuam. Dasma bëhej këtu në nji, në tash Freskia quhet ky restauranti atëherë ishte ni lokal i vockël fare. Martohej ni koleg i gjimnazit të tyre, i matematikës profesor. Unë s’pritnja që profesorët, intelektualët të bëjnë të atilla gjëra. Kur shkova atje, përveqse nusës asnjë grua tjetër. Unë edhe gruaja e Mensurit (qeshë). Atëherë thashë o Emel Irfani ka të drejtë, ti je në gabim.

Më bëri përshtypje tepër të madhe. Kjo ndasni në këtë vit diçka jo normale. Pas shumë, jo shumë, po as ni vit nuk u bë po m’thrrasin në dasmë po shkoj në Gjakovë te familja Bokshi. Ishte Zenun Çelaj gruan, vllaun e martonte. Na jemi shumë të afërt me Zenunin e me Fluturën, past shpirti se ka ndrru jetë shoqja ma e mirë e imja. Kur shkova atje kur pashë çfarë dasme po bëhej, si dasmat tani. A këndonte Shoqata e Hajdar Dushit, a vallëzonin burra e gra me një vend. Thashë, “Irfan, kjo është ni shtet me disa ligje, me disa komuna të ndryshme çka po ndodhë?” (qeshë).

Pastaj filluan javash javash të zhvillohen gjërat, të marrin… shkolla e bën të vetën. Si i thonë, kali me të ngarë njeriu me të parë. U hap bota, dolën, shikuan, u përzien. Në Kosovë erdhën edhe nga Maqedonia, erdhën prej Malit të Zi, erdhën prej Preshevës e prej ku jo. Domethënë këto adetet e vjetra të mbyllësisë, ani se ende sot ka. Ende sot ka oda që e sjell ai çajin atje te dera gruaja edhe nuk shifen. Kemi akoma.

Anita Susuri: Në cilin vit ju thatë që keni fillu në “Ivo Lola Ribar”?

Emel Pashoja: Unë fillova, Noli është lind në gjimnaz kur punova në ‘65-ten, ‘65-ten.

Anita Susuri: ‘65?

Emel Pashoja: ‘75-ten.

Anita Susuri: ‘75-ten edhe deri në penzion keni…

Emel Pashoja: Deri në penzion.

Anita Susuri: Keni punu në administratë. Po m’intereson, flasim edhe për punën, po po më intereson për Prishtinën nëse mundeni me përshkru ju si e keni pa?

Emel Pashoja: Qyteti fillonte ku është tani flamuri që është në rreth rrotullim ku është spitali i mjekësisë, prej aty fillonin ndërtesat e para që ishin. Ato ishin ndërtesa të gjitha për punëtorët e Obiliqit. Domethënë qyteti niste prej atje. Tre ndërtesat e larta që janë, tre soliterat përballë domit të studentëve, ato ishin të ndërtuara. Mendoj si objekte edhe të tjerat ishin në ndërtim e sipër. Ajo ku është AAK-ja tani dhe prapa ato ndërtesa, të gjitha janë bërë kur erdhëm neve. Mirëpo çdo gjë tjetër prej domit të studentëve nuk kishte asgjë.

Ishte vetëm… më kujtohet që kur shkilnim në plloqa, ajo plloqa lëvizte dhe deri sipër fustanit unë lagesha bëhesha krejt baltë. Rrugët totalisht të pa bëra. Dyqane të vogla ishin. Ishte posta e vjetër e mbaj mend, disa dyqane të vegjël aty ku është tani ndërtesa e kuvendit, ajo e larta. Aty ishin disa dyqanka të vogla, ishin ca ëmbëltore, ishin shitore për tekstil, ishin disa… tani ku e kanë prishur që e kanë lënë për parking ajo që i ka dalë pronar një jahudi edhe nuk lejonë të ndërtohet, përballë statistikës, ky sheshi.

Anita Susuri: Po, po.

Emel Pashoja: Aty kishte shumë dyqane të vogla, argjentar e berber e frizer këto artizanale. Qyteti ishte deri te ajo ura që të shkohet në Podujevë. Deri aty mbaronte, nuk kishte ma tutje. Prej urës andej ishte krejt fusha. Në këtë lagje ku erdhëm neve ta ndërtojmë… Taslixhja veç kishte filluar të ndërtohet, po këtu ishin vreshta. Ashtu edhe lagjës i kanë thënë kësaj lagjes këtu, te vreshtat. Domethënë shtëpia pranë meje kishte vreshtë, kjo shtëpi ishte vreshtë, kjo shtëpi këtu kjo është shpi e Talatit, doktorit ishte e nji komshiut ishte e vogël.

Ajo tani në Çagllavicë shkoi Nikol Kalaj, është shqiptar katolik të cilët i kemi shok prej asaj dite e deri në vdekje. Sepse ishte njeriu i parë i cili kur na pa që kemi marrë placin [truall] erdhi aty në vend siç ishte ara. Erdhi edhe tha, “Unë jam Nikol Kalaj, kjo është shtëpia ime. Dëgjova se po bëheni komshiu jonë, po ju ofroj mundësitë e mia për nisjen e shtëpisë. Çka keni material mund ta lini përpara, mund të merrni ujë, mund të merrni rrymë derisa të filloni të bëheni shtëpi”. Domethënë ni pritje miqësore, shoqërore e cila gjersa të vdes nuk do ta harroj. Na jemi shok të pandashëm. Sot jemi shok të pandashëm.

Ai vllaun e kishte profesor në katedrën e kimisë, profesor i kimisë ishte. Puksan Kala. Janë nga Mali i Zi. E këto këtu shtëpisë s’ishte, kjo është shtëpia që është bërë kur neve bënim edhe ai e mori placin. Ka qenë e Fehmi Sejdiut, axhës të Fatmir Sejdiut që e kishim kryetar. Përfundi asaj ishte ni shtëpi e ni serbi, tani e ni serbi tjetër pastaj i blen shqiptarë. Këtu përfundi ishte vetëm ni shtëpi e ni shqiptari axhës Sheraf, edhe ajo atëherë ishte ndërtuar. Ktu ishte shtëpi e ni serbit edhe pak më tutje e ni serbi.

Po ato ishin në formë të, si të them, shtëpi me dy dhoma. Sikur baraka jo si shtëpi, jo ndërtim i fortë, ndërtim… duket se ishin bërë për një kohë të shkurtë, që s’kishin ndërmend që të jetonin këtu. Akoma ishte ai lumi që rridhte aty i pa mbuluar te Bajram Kelmendi që është…

Anita Susuri: Qendra si ka qenë?

Emel Pashoja: Po ajo pastaj u bë, aty vetëm rridhte një si prockë edhe mbate erë shumë të keqe. Se duket se kanalizimin e lëshonin aty nga ajo Mahalla e Kacallarëve, jo Kacallarëve po ndryshe i thonë tani ni mahallë këtu ku është nji ambulantë është bërë aty, Ambasada Suedeze. Shumë pak shtëpiza, domethënë nga fakulteti i dikurshëm i arkitekturës, nëse e din ku është, i bie përballë Fakultetit Juridik, tani është ajo rruga e drejtë. Prej aty disa shtëpi të vjetra me Qerpiç që janë. Ajo ka qenë Prishtina.

Anita Susuri: Si ka qenë jeta shoqërore për juve në atë kohë? A keni vizitu edhe…

Emel Pashoja: Teatër…

Anita Susuri: Teatër, kinema?

Emel Pashoja: Po. Teatër e kinema po. Kur vinte ndonjë shfaqje rregullisht shkonim në shfaqje. Ajo ishte që na plotësonte kohën.

Anita Susuri: Shpesh e kanë përmend korzon…

Emel Pashoja: Kemi qenë në korzo, ishte ndamje një anë serbët një anë shqiptarët (qeshë).

Anita Susuri: E për shembull ëmbëltore ose kafene, restaurante a keni vizitu?

Emel Pashoja: E tash, jo, tash du të them nji nga virtytet pozitive të burrit tim ka qenë njeri familjar kur kemi shkuar kemi shkuar së bashku kudo. Nuk ka qenë njeri i cili ka shkuar nëpër kafene, nuk ka qenë njeri i cili ka dalë me shoqëri edhe ka lënë familjen. Çdo kohë të lirë e ka kaluar së bashku me fëmijët edhe me mu. Në ëmbëltore ndonjëherë shkonim për bozë për diçka. Kur kemi patur ndonjë musafir e kemi shpen’ në restaurant edhe e kemi qarosë.

Shpirti im, të tregoj sinqerisht, kur njeriu bën shtëpi edhe ka fëmijë në shkollë neve me ato rroga që merrnim hynim në kredi deri këtu {tek hunda} na mbetshin pare vetëm që, si i thonë, kërpitnim 30 me 30. Sepse gjysma e më tepër të pareve i linim për kredita se shtëpitë i bënim me kredi. Visheshim me kredi. Shpesh herë fëmija më pyetnin, “Mamë”, tha, “si e bënit që na blini tesha? A kishit para që t’na bleni të treve menjëherë”, “Jo shpirti im”, thashë, “nuk kishim pare që t’ju blejmë përniherë. Neve merrnim kredi, ju vishnim sipas sezonës edhe pastaj paguanim nga pak nga pak prej kredive”.

Domethënë atë standard që sot e kanë njerëzit nuk them edhe sot ka njerëz të cilët nuk e kanë standardin. Po neve kemi qenë njerëz familjar. Nuk na ka mungu gjë në shtëpi, gjithmonë domethënë ushqimi ka qenë gjë prioritare në shtëpi të ketë, pa atë s’kemi bërë. Mirëpo restaurante nuk kemi dalë. Unë e Irfani, s’flas për rinin e sotin (qeshë). Për djalin për nusen ata kanë jetë tjetër, mënyra të menduarit tjetër, kushte tjetër. Po në atë kohë të ndërtosh shtëpi, të shkollosh fëmijë…

Neve kemi bërë edhe mjaft për fëmijë të Prespës. Irfani ka qenë iniciator që fëmijët e Prespës të arsimohen. Kanë qenë njerëz shumë të zgjuar. Unë pasiqë punoja në gjimnaz, kisha mundësi t’i regjistroj. Se të gjitha ishin me pesa. Jo se i kam bërë ndonjë favor në kuptim që nxënës të dobët. Kanë qenë të gjithë me pesë edhe të gjithë kur kanë dalë prej këtu kanë dalë të gjithë të shkëlqyeshëm dhe vazhduan pastaj edhe fakultetët.

Vetëm ju kemi mundësuar që të vijnë këtu që të regjistrohen. Shumicën e fëmijëve i kam mbajtur edhe në shtëpi gjersa kanë gjetur vend të strehohen. Kontributi jonë për arsimimin për përparaimin e Kosovës dhe të shqiptarisë ka qenë kjo. T’ju ndihmojmë, të strehohen edhe të gjinden, të adaptohen në kushte të reja. Se neve s’ka pasë kush të na lëshoj dorën.

Anita Susuri: Zonja Emel, kisha dashtë me ju pytë pak ma shumë për punën e juj si ka shku, se thatë, që keni punu në administratë po edhe si bibliotekiste ni kohë aty…

Emel Pashoja: Jo, referente për çështje të nxënësve edhe si sekretar.

Anita Susuri: A, si sekretar.

Emel Pashoja: Sekretarët shpesh herë vinin edhe shkonin se s’ju konventonte rroga, u dukshe pak e linin punën. Atëherë mua më ngarkonin edhe bënja edhe punën e sekretarit edhe punën e referentit. Mundem të them se gjatë përvojës që bëra 20 vjet ktu 50-50 kam punuar si sekretare dhe si referent. Normal ata bënin ni kompenzim 50 përqind të rrogës së sekretarit ma jipnin mua. Isha mirë e paguar. Mirëpo edhe punonja. Më ka ndodhur rasti që gjer’ më 04:00, gjer’ më 05:00 merrja materialet edhe në shtëpi kam punuar. Por punët ishte kryesore që të gjitha shkonin ashtu si është ma mirë.

Anita Susuri: Si ka funksionu atëherë administrata?

Emel Pashoja: Shumë në rregull. Nxënësit kanë qenë shumë në rregull edhe punimet kanë qenë shumë në rregull. Kur ishte gjimnazi klasik pastaj u bë shumë shkolla i thanë që u ndanë disa, dy vjet ktu, dy vjet shkonin në vend tjetër. Derisa ka qenë gjimnazi klasik ka qenë shumë gjimnaz në nivel.

Unë kur i pranonja punimet e diplomave të nxanësve që përgatitnin diplomën e gjimnazit, ajo ka qenë, sot as doktoraturat n’atë formë nuk i dorëzojnë. Ka qenë fenomenale. Me përmbajtje të literaturës që është përdorur për temën, me seriozitetin e temës, me punën, me angazhimin e arsimtarëve, me kontrollën e mbajtjes të orëve, me diciplinën e nxënësve që t’mos mungojnë nga ora. Të gjitha kanë qenë shumë në rregull, shumë në rregull.

Anita Susuri: Ju keni punu në shkollë, domethënë, “Sami Frashër” që është sot plus keni jetu, keni shku në këmbë apo…

Emel Pashoja: S’kishte vetura atëherë. Unë shkonja në këmbë këtu e në Boro Ramiz kur punonja në Obiliq. Veturat, veturat i përdornin për nevoja shumë të mëdha shpirti im se ajo vetura përdorte benzin. Nuk e kishin për lluks, veç kështu për nevoja kur shkonin për pushim ose kështu larg. Se përndryshe shumë i kemi përdorur këmbët, kemi ecur edhe s’ka qenë aspak problem. Ose kishte autobusa deri në qytet.

Po ata që punonin në Obiliq zakonisht ishin të gjitha në ni kuard të banimit e deri aty i çonin me autobusa. Po unë që isha larg, Taslixhe ishte lagje e re, mua më sillte autobusi vetëm deri te Boro Ramizi. Prej aty më tutje pastaj vija në këmbë. Nuk kisha mundësi të vinja në… taksi s’kishte, autobus të qytetit s’kishte, domethënë këmbët i kam përdorur katër vjet (qeshë).

Anita Susuri: Thatë që ni kohë keni jetu te Zenun Çelaj…

Emel Pashoja: Ajo ndodhi, kur erdhëm ktu s’gjenim dot banesë. Njëherë ni muj ditë ni shok na mundësoi që në ato soliterat njëmbëdhjetë katëshe bile kemi banuar, tani të livdohem unë, te gjyshja e Dua Lipës. Gjyshi edhe gjyshja prej nanës. Nji muj ditë e kishim dhomën të lirë. Qëndruam atje. Kërkonim, kur tregonim që kishim dy fëmijë askush s’na jipte banesë. Zenuni na dinte hallin dhe u bë muaji, duheshe ta ndrronim banesën. Kur kthehemi nga puna kuferi s’është. E pys Zinkën, thashë, “Zinka, çka u bë? Ku e kam kuferin”, tha, “Erdhi Zenuni e mori dhe tha se bujtinën e keni te ata”.

I faleminderit, ajo është bujari shumë e madhe. Zenuni na pranojti dhe kemi qenë mysafir te ai ni muj ditë te ati derisa gjetëm pastaj banesë te Fazli Syla. E morëm fëmijët. Po ajo, unë tërë jetën, po them shkolla, jeta shkollë, kam mësuar po kam mësuar shumë nga nëna e Zenunit e cila ishte nji malësore e vërtetë, nji grua e meçme. Edhe kur u bajta unë, ajo kishte dy dhoma edhe dhomën e ditës. Ishte për vete, për nanën me dy fëmijët edhe unë Irfani në kuzhinë duheshe të flinim.

Unë kështu si me drojë, si me shqetësim thashë, “Kuku bre Zenun”, thashë, “pse e prishe rehatinë e shtëpisë?” Ajo taman si ato gratë burrnesha, “O Emel”, tha, “Zenuni s’është djali im në qoftëse nuk i gjindet Irfanit në këtë ditë kur jeni në zor. Njeriu, shoku është për këtë ditë edhe ju mos u drunjosni, rrini si në shtëpinë tënde. Unë fle”, tha, “me djemtë, çka ke ti? E shtroj nji dyshek, fle ku janë djemtë. Ti edhe Irfani do të flini këtu në kuzhinë, mos u bëj merak”.

Domethënë aty e pashë se sa zemër të madhe kishte ajo, zemër t’madhe. Ni gru me të hequra edhe ashtu që edhe sot jemi me Zenunin të pandashëm. Po vetëm gruja e tij që na la para kohe, vdiq prej kancerit pa i bërë 50 vjet.

Anita Susuri: Në shtëpinë që jeni këtu, cilin vit jeni vendosë?

Emel Pashoja: Neve erdhëm në shpinë tonë ‘75-ten.

Pjesa e Pestë

Anita Susuri: Zonja Emel, po du me folë, me kalu pak te vitete ‘80-ta. Ju keni punu në gjimnaz edhe ka pasë dinamika të ndryshme ndërmjet, po mendoj, n’krejt popullin po ma shumë është theksu te rinia me aktivitete që kanë pasë, që janë qujtë ilegale. Po m’intereson për demostratën e vitit ‘81. Ju m’thatë që keni qenë në Amerikë jeni kthyer…

Emel Pashoja: Unë jam kthyer, fëmija bash studentat edhe rinia ishin të mbledhura në Pallatin e Sporteve. Irfani duheshe t’më priste në Aeroportin e Beogradit po për shkak të situatës, se aty ishte nënshkruesi i apelit 200 e 12 një ndër iniciatorët edhe ndër të parët nënshkrues ishte etiketuar nga serbët edhe s’e kishin me sy të mirë. Nuk guxoj të udhëtoj gjer’ në Beograd të vij…

Anita Susuri: Çka ka qenë ky apeli?

Emel Pashoja: Apeli 200 e 12, Zekerija Cana që e ka shkruar për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës që të bëhen. Fëmija po kanë qenë atje, Sulejmani edhe Ganimetja ishin studenta, angazhimi i të gjithëve. Mirë, unë u ktheva ma nji gazetar tjetër që e priste të vjehrrën, ajo tash është në Amerikë, de fakto është në botën tjeter, dimenzionin tjetër, se vite kaluan. Ifrani po m’tregon, unë edhe atje dëgjoja lajmet. “O”, thashë, “a do të kthehem në shtëpi? Mos po kërset diçka e do të mbetem në Amerikë”.

Se lindur andej e tani mos po vdes në Amerikë. Kur erdha këtu Irfani po m’thotë, “Emel”, tha, “mirëseerdhe! A je mirë?” Tha. Po atëherë ishte edhe ajo mbyllja e minatorëve në zgafellë. Kishte nevojë edhe për ata…

Anita Susuri: Ajo ka qenë në ‘89-ten ka qenë.

Emel Pashoja: Atëherë ‘89-ten e zgafellës?

Anita Susuri: Po ‘89-ten.

Emel Pashoja: E ajo atëherë ishte kjo e studentëve…

Anita Susuri: ‘81-ten po ka pasë edhe ‘89-ten demostrata.

Emel Pashoja: Unë e di se fëmija, studentat po mblidhnin pare. Ju duheshin pare, për çka unë s’e di. M’tha, “Sa të dhanë dhuratë? Sa të dhanë para dhuratë?” Se ai ishte, kur shkoje në Amerikë të jepnin nga pesë nga dhjetë nga 15 dollar. Thashë, “Unë kam 700 dollar më janë mbledhur dhuratë”, Sulejmani tha, “M’i jep ato mua”, “Pse?” “Atje kemi neve plot studenta që janë të urtë që vijnë nga fshatrat edhe na duhen para në organizatë”. Krejt paratë çka m’i dhanë në Amerikë dhuratë unë ua dhurova për studenta (qeshë).

Po ashtu isha në dasmë, për atë po lidhet… mandej kur shkova ‘89-ten kur u ktheva ishte zgafella. Ishin ata minatorët brenda e unë përsëri isha në Amerikë. Atëherë kisha ni dasmë. Ato të hollat përsëri ia dhashë fëmijëve, “Çojeni atje për punëtorët e Trepçës”. Këtu në gjimnaz ka qenë e pamundur, kanë qenë diferencimet të pa durueshme që i kanë patur…

Anita Susuri: Kjo në vitin ‘81?

Emel Pashoja: ‘89.

Anita Susuri: ‘89?

Emel Pashoja: ‘89-ten, ‘87-ten, ato vite kanë qenë shumë të rënda për proçesin. Kur u bën që na përzun nga shkolla?

Anita Susuri: ‘90-tat, vitin ‘90-të.

Emel Pashoja: Përpara se të vijë deri te përzërja ishte ajo Serbia veç që bënte, ju jeni me Shqipëri edhe duheshe profesorët të gjithë të deklarohen, “Shqipëria i ka fajet”, e duheshe të fliste kundër shqiptarit, shqiptari kundër shqiptarit duhej të flisnin. Ishin ni situatë tepër e rëndë në, ju s’keni qenë të lindur. Ishte ni hajk [përndjekje] që quhet diferencim. Ti duheshe të diferencoheshe të thoshe, unë jam me Serbinë. Ai thoshte unë jam me këtë…

Ndër neve në atë kohë banonte ni profesor i katedrës së orientalistkës, Esad Durakoviqi. I cili sot është në Sarajevë. Ai përjetoj luftën atje edhe sikur e parandjente kur këtu vlonte. Ni natë po rrinim edhe i thoshte Irfanit, “O Irfan, është si është mund të bëhet gjithçka as që paramendonim që do të kris lufta. Po sidoqoftë ju shqiptarët e keni Shqipërinë përprapa është dikush që do t’ju mbrojë. Çka do të ndodhë me ne boshnjakët?” Edhe vërtetë boshnjakët e hëngrën pjesën më të rëndë të coptimit, të shkatërrimit të Jugosllavisë.

Se di a ishin në hije të gjërave përpara nja tri jave më duket u bë ni ekspozitë me fotografi që organizoj dhëndri im, Burim Muftiu, për Sarajevën, ‘Opsada [srb.: Rrethimi] më e gjatë’. Unë bile isha në atë hapjen e librit të asaj që kishte promovimin ajo shkrimtarja. Tregonte rastet se si kanë mbijetuar njerëzit. Tash unë e kam personin e gjallë i cili ka banuar në shtëpinë time. Këtu ku jam unë, këtu banonte ai. Se gruan farmaciste. Esadin tha, “Neve na ka shpëtuar shpija. Në oborr natën mbillnim piperka, lakra, qepë krejt edhe prej ushqimeve që i prodhonim vet në oborrin e shtëpisë kemi mbijetuar rrethimin e Sarajevës”.

Domethënë kanë qenë kohëra shumë të vështira për të cilat rinia dinë shumë pak, ani se ka shkrime, ka shënime po nuk janë të mjaftueshme që bota të njoftohet me realitetin me t’vërtetë çka ka bërë Serbia. Kur u mbyllën shkollat unë u detyrova, unë kesh e detyruar që të shkoj në penzion të parakohshëm për shkak se unë si referente në atë moment kisha sekretar, nuk kisha punë me plan programet mësimore. Ndërsa sekretari binte me grupin e profesorëve. Profesorët i përzun, ne administrata mbetëm të punojmë në shkollë akoma.

Na thoshin drejtorët edhe ata të arsimit, “Vazhdoni punoni se mirë është t’jeni brenda, na duhet ndonjë vërtetim, na duhet ndonjë gjë po mos t’ju kemi edhe juve neve mbetemi pa asgjë”. Se njerëzit kishin hala funksiononte shteti. Duheshe ndonjë vërtetim për dokumenta për kredi a për diçka. Vetëm vula e gjimnazit mund të përdorej, po të mos ishim neve çka do të bëhej. E unë ni ditë kthehem, po shkoj në shkollë, po shkoj në punë, kur shikoj mbi tavolinën time të punës të vendosura ditarët, ni kub ditarë. Unë s’kam praktikisht ku të ulem.

I them, në vendin e sekretarit e kanë sjellë ni profesor serb i cili jepte histori. Them unë, “Alek”, thashë, “çka është kjo situata?” Thashë, “Çka të bëj unë?” “Ç’të duash bëj”, tha, “shko në shtëpi”, thashë, “Si të shkoj në shtëpi? Me çfarë arsye”, thashë, “unë jam në vendin e punës”, tha, “Lëre punën”, thashë, “A po më thua ti”, thashë, “atëherë më jep vendim për çfarë arsye që ta lë unë punën”. Shkoj te drejtori, ishte nifar Branko Paunoviqi.

I them, “Branko, zašto sam ja van radnog mesta, Pse jam jashtë vendit t’punës?” “Po”, tha, “s’na duhesh”, “Po”, thashë, “ma jepni vendimin, unë e di ku i kërkoj të drejtat e mia. Ti vetëm ma dorëzo”, “Ndaq rri ndaq shko”, “E pastaj”, thashë, “që para publikut të deklaroni shqiptarët nuk duan të punojnë po i lën vendet e punës. Unë do t’rri kështu”, thashë, “ja duart kryç, kështu do t’rri”. Ni ditë unë s’kisha çfarë të bënja, shkova mora do krrabza edhe do pe edhe fillova po punoja. Zbrita poshtë te arkatarja e cila ishte serbe.

Ajo thotë, “Ej Emel, po vjen drejtori”, “Po”, thashë, “le t’vijë”. E kur erdhi tha, “Çka po bën?” Thashë, “Po qetësoj sistemin nervor”, “Pse?” Thashë, “Isha te psikiatri edhe më tha, ‘E vetmja punë që njeriun e qetëson është puna’ edhe unë”, thashë, “punën ma morët edhe tash po bëj me krrabza. Po duash”, thashë, “ta bëj ni xhemper”. Ajo ishte presion që ti të bëhesh çka të bësh punën ta lësh vet.

Nuk i mjaftoj ajo, ni ditë po m’thrret në zyrë. Po fati im në zyrë ishte arkatarja, jo po ekonomistja edhe sekretaresha që ishte malazeze. Ai më thotë mua, “Emel”, tha, “ulu edhe shkruj vendime për nxirrje nga puna të shqiptarëve, profesorëve”, thashë, “Mund t’i shkruj, unë s’jam sekretar. Unë jam referent për çështje të nxënësve. Ajo nuk është në përshkrimin e punëve të mia”. Ai kështu me brryl {mshon tavolinës} bam {onomotope} “Kur të them menjëherë shko dhe bëj vendimet”, thashë, “Unë nuk i bëj”, thashë, “po menjëherë po shkoj dhe po bëj ni deklaratë pse s’i bëj”.

Unë dalë prej zyrës shkoj me atë në dhomën time e marr makinën e shtypa edhe i shënoj, “Në prezencën e”, filan fistekut, ia shkrujta emrat e atyne të dyjave serbe, “të drejtorit nën presion fizik, që e goditi tavolinën duke mos munduar t’më godet mua, më detyroj t’bëj detyra t’punës të cilat nuk i takon përshkrimit të vendit të punës time. Unë”, thashë, “jam e detyruar ta japë këtë deklaratë nën presion, jo me vetëdëshirën time”.

E nënshkrujta, vura datën edhe i them asaj sekretareshës, “Të lutem ma protokolo këtë”. Ajo e mori, e protokolojti i vuri datë protokoli, e vuri në librin e protokolit e vuri edhe vulën rrumbullake edhe me tre kopje. Një aty, një drejtorit, një mua. E unë ia çova. Kur e pa ai çka ka bërë kjo filloj ta shaj i tha, “Kozo, dhi, a je e vetëdijshme ç’ke bërë?” Tha, “Qysh e ke protokoluar këtë dokument?”

E”, thashë, “Branko, ju jeni mësuar”, thashë, “të kafshoni si gjarpri”, thashë, “edhe të ikni. Mos mendosh”, thashë, “se Emeli është budallë edhe nuk di çka po bën. Mos harro se kur erdhe ishte piliq [zog], haber s’kishe nga administrata. Unë 30 vjet në administratë po punoj. Unë të kam mësuar për punët e administratës”, po thashë, “ti po bën punë e cila është totalisht jo zyrtare. Këto janë ndryshime politike të cilat janë shkaktuar në carqe të caktuara. More Branko, leni rrugë dhisë ku një ditë të mundësh të ecësh nëpër Kosovë. Se me këto sjellje”, thashë, “ti as rrugën e dhisë nuk e ke lënë. A unë ty me këtë dokument kam me të ndjekë deri në Salzburg për të drejtat e njeriut që ma ke bërë këtë kërcënim”.

Doli nga takti, gati u çmend. “Grise këtë, asgjë s’po të them”, “Jo”, thashë, “ti”, thashë, “më shumë, mua s’më sheh këtu. Unë”, thashë, “shkoj në penzion”. E shikova, vajta në Entin e Sigurimit Social, po e shikoj, po e pyes ni nënpunës, “A ekziston akoma ligji a po funksionon që me 50 vjet moshë edhe me 30 vjet përvojë pune, unë mundem të shkoj në penzion?” “Ekziston”. “Është muaji qershor, a unë i mbusha 50 vjet në janar. Domethënë korrik, gusht, shtator. Edhe tre muj mua më mungojnë që të bëj 30 vjet përvojë pune”, thashë, “ekziston mundësia ta ble stazhin për tre muj?” “Ekziston”.

Shkoj në Entin e Sigurimit Social po e ble stazhin për tre muj edhe penzionohem. U detyrova të penzionohem para kohe që t’i ikë shqetësimeve psikike që m’i bënte. Se prej atij momentit unë jam sëmurë nga tensioni, që atëherë unë jam në mjekime mandej problemet e zemrës e të gjitha nga torturat psikike që m’i ka bërë ai në vendin e punës.

Anita Susuri: Ka qenë viti ‘96?

Emel Pashoja: ‘96, ‘96.

Anita Susuri: Si ka vazhdu pastaj jeta? Sigurisht edhe bashkëshorti juj ka mbetë pa punë?

Emel Pashoja: Ata punonin nëpër shtëpitë private çika jeme, as ai s’merrte rrogë. Unë rrogën time që e merrja edhe ajo bibliotekistja se ishim dy shqiptare, neve e ndanim me sekretarin rrogën. Unë gjysmën, gjysmë ajo që t’kishte çka të merrte Zymberi. Se përndryshe djali mbetej pa para. E ndanim atë kohë që punuam që vazhduam në atë torturë që u bë për të gjithë edhe për neve. Në atë rast çdo kusht, ajo ishte atëherë, kjo organizata që 3 përqind kemi paguar kontribute sipas mundësive, çdo kush ndihmonte bënte.

Po neve që të jepnim ndonjë shumë… fëmijët i kishim jashtë, të dy fëmijët ishin në Londër. Se për Nolin, Noli ishte 16 vjet, 17 s’i kish bërë. Tri herë na erdh ftesa për ushtri. Veç kishte filluar lufta në Bosnje, në këtë, në Bosnje edhe në Kroaci. Shpëtimi i vërtetë e dërguam djalin në Londër. A Sulejmanin, djalin e madh, për gjashtë muj duheshe të diplomonte, u mbyllën fakultetet e dërguam në Londër me para të përfundoj fakultetin. Domethënë këto kanë qenë trazira të cilat na kanë shkundur shumë në jetë. Po kjo ka qenë për krejt shqiptarët edhe për neve.

Unë mbrrita të penzionohem. Mirëpo ajo sa zgjati? Tre vjet, as tre vjet të plota jo. ‘99-ten na i kputen penzionen edhe na mbetëm zero. Ashtu që mandej duheshe të prisja të bëhem 65 vjet se me 50 u penzionova. Të pres të bëhem 65 vjet të pres të marrë diçka nga Kosova. Kam kërkuar, mbasi jemi shtetas të Maqedonisë, kemi dy shtetësi. Makedonia me Serbinë kanë marrëveshje për penzione. Nuk na i realizon, nuk patëm mundësi t’na realizon.

Gjersa ajo advokatja e Beogradit ishte aq e pa ftyrë saqë më tha, “Ej”, tha, “po shikoj në librezë të punës tënde po shkrun që je turke”, “Po”, thashë, “jam turke po çka më ndihmon ajo?” “Po le të shkruhet edhe Irfani turk që të mund t’i merrni penzionet”, thashë, “Irfani”, thashë, “del në urë”, thashë, “edhe e lëshon dorën të lypë”, thashë, “edhe atë gjë nuk e bën”, thashë, “a çfarë fitimi kam unë nga ajo që jam turke?” Thashë, “Unë jam turke e pastërt”, thashë, “nuk jam turke si këtu që po bëhet politikisht për shkak të interesit të bëhem turk”, e thashë, “asniherë kundër shumicës së njerëzve nuk dua të punoj”.

Se këtë ia thashë edhe Brankos. Thashë, “Branko, le t’i shkruj vendimet Avdullahu”, thashë, “atë e ke kryes të detyrës”, tha, “On je turčin”, “Nije turčin”, “Ai është turk”, “Nuk është turk”, thashë, “të pastër, ai është shqiptar. Po për shkaqe të interesit”, thashë, “po paraqitet si turk”, thashë, “të mbetet këtu. E nëse jam turke unë, unë jam turke edhe si turke”, thashë, “unë nuk dua kundra popullit shqiptar të punoj edhe s’dua ta bëj këtë punë. Më përjashto, iki nga puna mbaroj punën, ma jep vendimin, shkoj”.

Anita Susuri: Zonja Emel, e përmendet edhe vitin ‘99, faktikisht prej ‘98-tes ka fillu seriozisht m’u acaru situata prej luftës…

Emel Pashoja: Po.

Anita Susuri: Qysh kanë qenë këto vite për juve? Si ka qenë atmosfera në familje po edhe në qytet?

Emel Pashoja: Shiko, të jetosh ni vend të trazuar është shumë vështirë. Po ne familisht kemi qenë të solidarizuar me lëvizjen. Djali im ka punuar në IRC, ky që e ka picerinë tash, Noli. Ka ndihmuar, ka punuar, ka qenë në teren, ka qenë me anëtarët e UÇK-së, kemi falur sendet. Kur ka shkuar, kur ka parë në çfarë gjendje janë njerëzit në Drenicë çka kam pasë jorgan e çebe e mbulesë e tesha, bundat që i kemi patur origjinal të rëndat i kemi dhënë.

Se kur na treguan se atje në ahur ku po flen hajvanët aty flenë edhe njerëzit e s’kanë me çka mbulohen, unë bundat të trupit tim e të Irfanit thashë, “Aman, ndonjë fëmijë, ndonjë plak, ndonjë njeri le të mbulohet në vend të jorganit”, thashë, “merri çoji”. Noli e ka falur edhe veturën e vet për atë. Domethënë kemi ndihmuar sipas mundësisë. Plus asaj i morrëm dy veta, motër e vëlla nga Suhareka, studenta të cilët ishin këtu me studime. I kemi mbajtur këtu në shtëpi pa kurfar’ kompenzimi. Vetëm që të mbarojnë studimet.

Ata kryjnë studimet, u bënë njerëz të vyshëm mirëpo për fat të keq edhe n’dokumenta është, unë emocionohem dhe s’mund ta përballoj këtë gjë. Fadili i cili diplomoj, ndejti në shtëpinë tonë, erdhi u falënderua për ndihmën që ua kemi dhënë edhe atë djalë e kanë vrarë (qanë) ndër të parët kur filluan bombardimet. Fadili është një nga viktimat e shumta po të cilin e kam njoftë. Ka ndejtë tri vjet në shtëpi. Më dhem zemra, jo për atë, po për t’gjithë ata që kanë humbur (qanë).

Anita Susuri: A doni me pushu pak? Ta ndalim pak?

Emel Pashoja: Jo s’ka gjë. Kjo është pjesë e jetës, kjo është pjesë e jetës të hidhur të cilën duhet dikush ta dijë e të kuptoj nëpër çka ka kaluar Kosova. Le t’mbetët e shënuar, e regjistruar sepse kanë bërë shumë të padrejta.

Anita Susuri: Zonja Emel, ju në kohën kur ka pasë mungesë të bukës, kur ka pasë rrezik për me dalë, si ka qenë kjo kohë për ju?

Emel Pashoja: Diçka kishim, diçka kursenim, diçka falnim. Kjo është. Solidaritet gjer’ në fund. Domethënë asni lluks. Po atje ku ka qenë e nevojshme kemi vajtur edhe nëpër shtëpia njerëzve hiç pa ditur kush jemi. Filani ish pa këtë, i kemi lënë jo ni thes miell, jo disa paketa me vaj, me sheqer me çkado qoftë, jo veshmbathje. Kemi vajtur në fshat. Me Irfanin kemi mbushur thasë me këpucë prej fëmijëve, me tesha, me sende, me të gjitha mundësitë kemi ndihmuar.

Anita Susuri: Kur kanë filluar bombardimet a keni qenë këtu?

Emel Pashoja: Jo. Ne shkuam në Prespë.

Anita Susuri: Kur keni shku?

Emel Pashoja: Shkum në Prespë se na detyroj djali. Se djali punonte me IRC1 atëherë kur e ndaluan këtë politikanin me flokë të bardhë në OSCE që punonte. Të gjitha këta që…

Anita Susuri: Që është vra?

Emel Pashoja: Jo është i gjallë edhe tash është këtu bile në kufi ju tha atyre tha, “Tani”, tha, “po më përzini nga Kosova po do vijë koha që unë në Kosovë pa pasaportë do futem”. Tash mosha ime është që emrat edhe nuk jam në gjendje t’i mbaj mend po s’është problem. Ai ju kishte thënë… këta punonin me IRC-në për ndihma që jepej. “Juve jeni në listë për t’u eliminuar, duhet të lëshoni Kosovën menjëherë”. E Noli kalonte me gruan e vet tha, “Mam”, tha, “unë po e marr Pranverën, nesër në orën 06:00…” William Walker u kishte thënë, “Menjëherë duhet të largoheni”.

Vajza ime punonte në Zyrën Amerikane, bashkë me burrë, bashkë me burrin jo, burri s’ishte vetëm Ganka punonte. Pastaj ajo punoi me burrin në KFOR. Ajo ishte në Zyrën Amerikane edhe i kanë thënë që, “Duhet të largoheni menjëherë se jeni në listë”. E Irfani tha, “Nuk e marrim veturën e mbushim me benzin e lëmë në garazhdë edhe”, tha, “merri fëmijët edhe disa tesha edhe ikim”, “Hajde bre Irfan, ky idioti”, thashë, “nënshkruan s’ka çka bën”, për Millosheviqin e kisha fjalën. “Emel”, tha, “nuk mund të eksperimentojmë me fëmijë”, tha, “a nuk po e sheh çka po ndodhë në Bosnje edhe në Kroaci. Merri fëmijët”, tha, “po ikim në Prespë”.

Unë ni kufer vetëm tesha për fëmijët, se vajza banonte këtu te unë. Ndërtonin shtëpinë në Marigonë. I mora fëmijët, ishin të vegjël. Djali ishte dhjetë vjeç, Fati në ‘90-ten është lindur, ashtu nëntë vjeçar. Vajza ishte pesë vjeçe, as pesë të plota…

Anita Susuri: Nipi edhe mbesa?

Emel Pashoja: Nipi edhe mbesa. Vetëm ata me autobus edhe e thërras ni shoqe time. Ajo është nga Prespa, burrin e ka është mjek i ORL-së, Doktor Hasani. I them, “Myvedet, merri fëmitë, i ke të vegjël ikë të ikim në Prespë. Ti e ke shtëpinë unë”, shtëpia s’ishte ndërtuar atë tonën që kemi tani po thashë, “kemi shtëpi të shokëve, kemi plot shtëpi ku të vendosemi edhe të ikim prej këtu”, “Jo”, “Merre”, thashë, “nuk është situata në rregull”. Atëherë ajo dy të vegjëlit i mori, tre ma të rritur mbetën me babën e vet. Hasani mbeti si mjek tha, “Mos kom nevojë për kta të UÇK-së të ndihmoj”.

Neve shkuam. Të nesërmen filluan bombardimet. Bile fjetëm ni natë në Shkup te kunata, kunata kishte banesën. Ajo vet ishte në Zelandë të Re. Banesa u mbush plot. Se gjithkush e njihte kunatën time edhe vajza e vet edhe… se vajza e martuar për burrin nga Prizreni e ka. Neve kur e pam neve se sa shumë njerëz u bëm aty tham, “Po ikim në Prespë. Çkado që t’jetë pastaj do vijmë”. Fëmijët vazhduan të punojnë edhe Noli edhe Pranvera punonin me IRC. Tash duhet të vijë Ganimeti. Problemi i madh ajo përgjigjej për fondin krejt çka hynte të holla në Zyrën Amerikante kalonte nëpër duart e saj, ajo ishte përgjegjëse.

Çka bën? E merr atë kacën me pare me veturë edhe nisen të shkojnë. Se ajo ishte nënshtetëse makedonase mirëpo burri kosovar, burri s’kishte. Erdhën në atë zonën neutrale. Ganimetën e lëshojnë të kalojnë, Burimin e mbajnë aty. Në Makedoni po mbahet tubim, po mbahet mbledhje, po përgatiten, si i thonë, kanali nëpër të cilin… planet janë bërë ku do të dërgohen njerëzit. Do shpërndahen kosovarët. Irfani kishte ni nxanës të vet nga Manastiri i cili ishte me ni detyrë shumë të lartë në Shkup.

Tha, “Do provoj t’i thrras atij po t’mundet të intervenoj që ta kalojnë edhe dhëndrrin, mos të mbetet që të mbetet në ato ku ishte në Stankovc edhe ato vende të rrethuara ku ishin shqiptarët”. Me një fjalë, jo, ai Burimi paraqitej rregullisht mot për mot në Maqedoni deshte të merrte pasaportë makedoni si dhëndërr, si i martuar e martesë më shumë se dhjetë vjet. Për fat ata kishin ndër të parit telefon celular. Ganimeti me telefon celular i lajmërohet Zyres Amerikane, “Aman ma dërgo çertifikatën e kurorëzimit”, se ata të Makedonisë kërkonin çertifikatë kurorëzimi.

Ata menjëherë i bëjnë fotokopje i dërgojnë atje në polici. Me 1000 të zeza kalon edhe Burimi. S’ishte puna se ishte ajo, po në veturë unë kisha fshehur paratë e Zyrës Amerikane, s’di sa mijëra dollar ka patur, ajo vet e di. Kur kaluan matanë pastaj ajo menjiherë shkon në shërbimin e Zyrës Amerikane në Shkup thotë, “Unë veç shpëtova po”, tha, “frika më kapi këtu të mos mbetëm”. Ata pastaj e shpërblejnë bile 500 dollar ia kanë dhënë shpërblim. “Po ti”, tha, “a je në vete”, tha, “a shikon njeriu lëkurën të shpëtojë apo paratë e Amerikës? Amerika do t’i bënte paret, ti duhej të shpëtonte”, “Jo, kjo është obligimi im”. Domethënë ajo është tepër përparimore.

Bëri dorëzimin e kacës dhe pastaj menjëherë vazhduan ata të punojnë. Punuan në Makedoni sa punuan mandej u bë kjo ku kush do të shkoj. Vajza me atë rast, kunata ime ishte atje ju bëri ftesë. Shkuan dhe qëndrojti tri vjet në Amerikë. Mori shtetësinë amerikane u kthye. Nuk u kthy në Zyrën Amerikane të punoj po vajti në KFOR.

Anita Susuri: Gjatë udhëtimit deri në Maqedoni…

Emel Pashoja: Me autobus.

Anita Susuri: Çka keni pa rrugës? Çka keni përjetu?

Emel Pashoja: Rrugës tmerr. Na thoshin njiherë pak para se të dalim nga Kaçaniku, aty ndërmjet Kaçanikut edhe Elez Hanit autobusi u ndal. U tutëm edhe thanë, “Nga dy anët e malëve janë stacionuar snajperista”. Fëmijët kërkonin nevojë të bënin. “Aman”, thashë, “bëjeni në bregë, bëjeni si bëjeni mos më detyroni t’ju nxjerrë jashtë”. Dikur mori urdhnesë shoferi, zaher i tha dikush që t’i lejojnë autobusët të kalojnë edhe na lejuan. Po kush me çka mbrrinte ashtu shkonte. Mirëpo prej të nesërmen ma fillojti ma zi e ma zi e mandej në Maqedoni nuk pranuan njeri dhe u krijuan ato stacionet ku i tubuan si vend njerëzit nëpër…

Filluan nga shtëpia t’i nxjerrin edhe krejt. Këtu Doktor Hasani kur dëgjovi se çka po ndodh Irfani i thotë me telefon, “Hasan shpejt shko te une në shtëpi vetura është në garazhdë është plot me benzin. Merre veturën, merri djemt edhe biri nga Tetova. Mos shko ktej se ktej shumë keq po lëshojnë makedonët. Nga Tetova prap se prap gjindet ndonjë shqiptar kufitar që është polic edhe do t’shpëtosh”. Ai e merr veturën edhe vjen. Po kur arrin nja dy kilometra, prej Tetovës kolona shumë e madhe edhe ekziston mundësia në çdo minut Makedonia të thotë nuk pranojmë më shumë. Se askush asgjë s’dinte se çka do të ndodhë.

Atëherë Hasani e fut në ni lendinë e lë veturën edhe i thotë djemve, “Mbathjani, po kalojmë në këmbë”. Ashtu që vetura mbeti, e lanë, mbetë. Në këmbë edhe kaluan kufirin. Ata mandej qëndruan tre muaj kur u fut me ato forcat e amerikës pastaj këtu. Noli masi punonte me ata, ndër të parët erdhën këtu. Noli erdhi në shtëpi. Thashë, “Noli çfarë s’kam dëgjuar që kanë lënë bomba, kanë lënë këtë, kanë lënë atë. Aman me kujdes, ki kujdes si futesh në shtëpi çka do të gjesh”.

Tha, “Niherë të të them”, tha, “nuk mundem ta gjej derën ku është nga bari që është rritur si gjungëll shtëpija”, thashë, “Mos ndiz as televizor asni gje, hiqi kyçet e rrymës”, thashë, “me bateri manipulo, shiko se mos kanë vënë ndonjë bombë në këto aparatet e televizionit ti e ndez edhe eksplodon”, “Hajt”, tha, “mos ki gajle do të kontrolloj unë”. Pastaj s’kishte diçka. Mirëpo çdo gjë kishin shkatërruar.

Kur kish hyrë brenda, këtu në kat ku rrinte vajza, ajo i kishte këto mobilet e lëkurës të gjitha me thika të prera, të qara. Dhëndri pasi është fotograf me profesion, të gjitha aparatet ia kishin vjedhur, ni aparat s’e kishin lënë. Sipër te unë në dollapet gjë s’gjeta. Dërrasat (qeshë). Ajo friza zbrazur pa ushqime. Po për ushqime thanë që shqiptarët i kanë marrë se ata që kanë qenë që kanë mbetur s’kanë patur çka t’hanë, kanë ardhur edhe ku kanë gjetur ushqime kanë ngrënë. Hallall i paqin, punë e madhe. Secilës gjë i gjindet njeriut jo. Ashtu që tejkaloj.

Anita Susuri: Ju në korrik u kthyet?

Emel Pashoja: As tre-katër ditë menjëherë.

Anita Susuri: A në qershor menjëherë.

Emel Pashoja: Menjëherë, menjëherë. Me 11 u bë hyrja e forcave, ne me 15 erdhëm.

Anita Susuri: Si e keni gjetë krejt vendin, po mendoj, qytetin po edhe Kosovën derisa keni udhëtu, si ka qenë? Çka keni pa?

Emel Pashoja: Ne vetëm shikonim të vinim në shtëpi. Se atëherë e kishim shtëpinë pak më ndryshe se këtë e kemi ndërtuar më vonë. Se u martu djali u bën fëmija edhe kishte nevojë për më shumë hapësirë. Ashtu që shtëpija e parë, kjo pjesë ishte po këto shtyllat e ktheza janë shtuar me shtëpinë që u ngrit edhe një kat mandej. Po asgjë, besom, a u futa në shtëpi… vjehrra më pat’ lënë porosi, se ka kaluar tre-katër lufta në jetë. E thoshte, “Vetëm njeri të shpëtoj se të gjitha gjërat vijnë në vend”. Ashtu që blije ni tavolinë, blije ni karrige, blije ni çilim.

Televizorët i kishin lënë, s’i kishin trazuar. Mirëpo çikës mobilet krejt. Ato ia kishin shkatërru. Pastaj morëm disa kauça të thjeshtë derisa… edhe ashtu ata mandej kur kaluan në shtëpi të vet ju duheshin të tjera. E ndërtuan shtëpinë.

Anita Susuri: Si jeni rikuperu pastaj pas luftës?

Emel Pashoja: I gjalli e bën të vetën. Fëmijët dërgonin prej atje të holla. Penzione s’kishim se neve na ndërprejtën menjëherë, s’kishte penzion, çfarë.

Anita Susuri: A ka vazhdu bashkëshorti juj punën si profesor më?

Emel Pashoja: Vazhdojti, vazhdojti. E thirrën pastaj punovi edhe tre-katër vjet në fakultet derisa pastaj u mbush. Filluan të… jo 65 i bëra. Po jepnin ndihma s’e di prej kuj na jipnin pare, prej ku merrnim. Irfani pak nga fakulteti aty nga ni fond kishin formuar, s’e di prej ku vinte ai fondi. Mirëpo shumicën e shpenzimeve fëmijët e bënin prej Londrës, na dërgonin prej atje. Mua më kujtohet kur u bëra 60 vjet, 65 edhe kur fillova të marrë penzion ajo ishte 25 euro. Me 25 euro fillova e tash në 210, ndihmë sociale. A kur dola dola me 600 marka në atë kohë.

Anita Susuri: Po. Zonja Emel nëse doni edhe diçka me shtu për fund?

Emel Pashoja: Unë, si thonë, nëse ju kam dhënë mjaftueshëm material…

Anita Susuri: Zonja Emel, ju falënderoj shumë për kohën edhe për rrëfimet e juja!

Emel Pashoja: Unë gjithashtu, si në fillim që thashë, faleminderit! Unë po ju përgëzoj për aksionin që keni marrë edhe disa gjëra nuk duhet të falen, nuk duhet të harrohen po duhet të dokumentohen. Vetëm të shkruar, vetëm të inxhizuar mundemi t’i dalim botës përpara, të tregojmë për realitetin nëpër të cilin ka kaluar Kosova.


1 The International Rescue Committee (IRC), Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit – organizat që i përgjigjet krizave më të këqija humanitare në botë dhe i ndihmon njerëzit të mbijetojnë dhe të rindërtojnë jetën e tyre.

Download PDF