Teuta & Ajshe Hadri

Bruksel | Date: 24 shkurt, 2026 | Duration: 147 minuta

Ajshe Kastrati Hadri: “Shkuam bashkë për t’u regjistruar në universitet. Shkova me të dhe i thashë: ‘Dua të shoh me sytë e mi që po regjistrohesh vërtet.’ Atje pashë një zonjë, më e moshuar se unë, që po shikonte tabelën e shpalljeve. Kur pa emrin e saj, që e kishte kaluar provimin, nisi të kërcente e të bërtiste nga gëzimi. I thashë: ‘Teuta, çfarë po bën kjo zonja, a e ka kaluar vitin, a provimin?’ Dhe i thashë: ‘Epo atëherë, po vij edhe unë, do të regjistrohem edhe unë.’ E sheh, mua më pëlqen shumë të studioj. Jam martuar 18 vjeçe, pastaj lindën fëmijët, përgjegjësitë, erdha këtu, nuk e dija gjuhën mirë. Tani njerëzit vijnë dhe shkojnë nëpër qendra informimi, mësojnë gjuhën e të gjitha; unë duhej të punoja dhe mbeta kështu. Përndryshe, me shumë dëshirë do të kisha shkuar në universitet. Më pëlqente të studioja, po, po.”

Teuta Hadri: “Sa i përket vetë gjyqit, vendosa t’ua kurseja këtë barrë të rëndë vëllezërve dhe motrës sime. I thashë vetes: ‘Ky është momenti im. Unë jam ajo që do ta përballoj këtë.’ Isha e vendosur të thosha: ‘Do të flas vetëm me avokatin tim. Nuk do të lejoj të më shpëtojë asnjë informacion, as te vëllai, as te nëna, te askush. Do ta mbaj këtë plotësisht nën kontrollin tim deri në fund.’ Kjo ishte gjëja e parë. Gjëja e dytë ishte se doja gjithashtu ta rimerrja këtë pjesë të historisë, e cila do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së babait tim. Sepse, natyrisht, pati të tjerë që u përpoqën ta përvetësonin atë, përvetësim politik, ose thjesht duke e pretenduar historinë e duke thënë: ‘Ne ishim krah tij. Ne ishim atje. Ne bëmë këtë, ne bëmë atë.’ …Për mua, gjyqi ishte një mënyrë për të zotëruar diçka në të tashmen, sepse nuk mund ta kontrolloja atë që bënte im atë kur isha e vogël. Edhe tani, ende e kam të vështirë ta shpjegoj.”


Anna Di Lellio (Intervistuesja & Kamera)

Teuta Hadri ka lindur në vitin 1976 në Bruksel. Ajo ka përfunduar studimet Master për Sociologji në Universitetin e Lirë të Brukselit dhe punon si punonjëse civile federale në Belgjikë, në fushën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare.

 

Ajshe Kastrati Hadri ka lindur në Pejë në vitin 1945. Në vitin 1973, ajo emigroi në Bruksel për t’u bashkuar me bashkëshortin e saj, Enver Hadrin, i cili ishte arratisur për t’i shpëtuar përndjekjes policore dhe ishte udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës në Belgjikë. Nëne e katër fëmijëve, Ajshja punoi gjithë jetën në sektorin e shërbimeve dhe tani jeton e pensionuar në Bruksel.