Teatri Kombëtar i Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës është ndër institucionet e para kulturore që u themelua në Kosovën pas Luftës së Dytë Botërore. E nisur nga një ansambël amator i Prizrenit në vitin 1946, shpejt u vendos në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, në Qendrën Kulturore që asokohe rishtazi ishte ndërtuar. Skena teatrore u zhvillua me shpejtësi gjatë viteve të ‘70-ta dhe ‘80-ta për dy arsye: rikthimi i gjeneratave të reja pas studimeve nga qendrat tjera jugosllave dhe hapja e Departamentit të Aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Përveç prodhimit teatror, kati përdhesë i objektit u përdor si hapësirë ekspozuese dhe socializimi i quajtur Klubi i Artistëve. Ashtu si me çdo institucion tjetër relevant në atë kohë, statusi i saj ndryshoi shpesh varësisht nga klima politike. Në vitin 1999, u bë Teatri Kombëtar i Kosovës.