Cristina Marí

Prishtina | Date: Korrik, 2017 | Duration: 115 minuta

Këtu jam një e huaj. Jam expat […] edhepse kam pesë vjet qe jetoj këtu, e kam mësuar gjuhën […] partneri im është nga këtu […] Dhe nuk e shoh veten si expat apo si të huaj, gjithmonë e kuptoj fjalën expat si të ngarkuar me status dhe privilegje […] sidomos këtu në Kosovë ku ka një komunitet shumë të madh ndërkombëtar […] shpesh më pyesin, ‘A punon në EULEX?’ apo, ‘A punon në KFOR?’ është ose njëra ose tjetra. Kurrë nuk mendojnë se mund të punoj në një organizatë të shoqërisë civile […]

Dhe kjo vjen me ideologji, sepse këto institucione kanë politika apo kanë implementuar këtu një punë që ka pasur pasoja ose edhe nuk i kanë përmbushur pritjet e shoqërisë së këtushme. Kështuqë po kthehemi tek ajo si ndihem këtu […] gjithmonë ndihem sikur duhet të jem më e kujdesshme sepse nuk përceptohem si njeri nga këtu […] Dhe gjithmonë mendoj, nëse njerëzit më njohin, do ta kuptojnë atë që jam duke bërë ose nuk do ta shohin si diçka, ose shpresoj se nuk do ta shohin atë si qasje patronizuese. Apo si një e huaj që mundohet t’iu tregojë atyre si funksionojnë gjërat, ‘Meqenëse kjo është një e huaj, në shtetin e saj gjërat janë ndryshe, gjërat funksionojnë dhe ajo mund të…’ Jo, në fakt, as në vendin tim gjërat nuk funksionojnë aq mirë (qeshë).


Mia Crocetti Marzotto (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Cristina Marí u lind në Ibiza të Spanjës, në shtator 1989. Ajo ka studiuar gazetari në Madrid, Bukuresht dhe Utrecht. Për herë të parë ka ardhur në Kosovë në një udhëtim backpacking [aventurier], pastaj u kthye për një praktikë në Kosova 2.0, ku punon aktualisht si menaxhere e programit. Ajo momentalisht jeton në Prishtinë.

Cristina Marí

Pjesa e Parë

Cristina Marí: Quhem Cristina Marí. Jam lindur në Ibiza, kështu që vij nga Spanja dhe jam 27 vjeçe, gati të bëhem 28 vjeçe në shtator.

Mia Crocetti Marzotto: Pra je lindur në Ibiza, si ishte atje?

Cristina Marí: Epo (qeshë), duke qenë e lindur në një ishull, e kam kuptuar, teksa kam kaluar më shumë kohë jashtë ishullit, gjithmonë e quaj timin sikur të ishte i imi, por është i të gjithëve. Jo, po mendoj të formëson disi. Është një vend që është bërë shumë turistik dhe me shumë njerëz me vite. Gjithmonë ka qenë, që nga vitet e ‘60-ta, ‘70-ta, por tash çdo vit po bëhet edhe më shumë. Po shohim rritje të madhe në të, por në të njëjtën kohë mendoj se të formëson në atë mënyrë që ti të kuptosh natyrën dhe fuqinë e asaj se sa mirë është të kesh këtë afërsi me natyrën ashtu që ajo bëhet diçka të cilën ti e merr shumë si të mirëqenë. Dhe kur udhëton dhe futesh më shumë në stilin e jetës në qytet me orët e ngarkuara dhe makinat dhe jeton në mes të ndërtesave. Apo si jetoj unë këtu me një ndërtesë përballë meje (qeshë), mëson të vlerësosh më shumë kualitetin e jetës së këtyre vendeve më të qeta siç janë ishujt.

Ibiza është vend që është bërë jashtëzakonisht turistik. Ekzistojnë poashtu shumë paragjykime për të, ekziston një koncept për atë se si je bazuar në atë se prej nga je, nëse je nga atje. Por unë jama lindur në një, po mendoj, jam lindur atje dhe pastaj jam rritur në periferi me qejë, pula, pata, të gjitha llojet e kafshëve, deri në moshën 18 vjeçare dhe pastaj kam udhëtuar për në Madrid për të studiuar.

Kështu që, mendoj se kjo të formëson. Sa herë kthehem në shtëpi e kam një ndjenjë se edhe unë kam ndryshuar, gjithashtu ne natyrshëm rritemi dhe asimilohemi me vlera apo stile të tjera të jetesës siç isha duke thënë. Por duke qenë e lindur atje, mendoj, disi të bën, nuk e di, mëson t’i vlerësosh gjërat në një mënyrë shumë intensive. Kur shkoj atje dhe e shikoj qiellin, gjithmonë shoh yjet dhe kjo është një gjë e rëndësishme, e të cilën mund të mos e kuptojmë derisa të jemi shumë larg prej saj.

Sidoqoftë, është gjithashtu vend i vogël dhe kur kam jetuar atje, po mendoj, është një vend ku, pak si Prishtina, pak a shumë të gjithë njihen. Jo të gjithë, por për shembull nëse bën muzikë apo je gazetare, do të kesh rastin të njohësh të gjithë gazetarët apo të gjithë muzicientët, pak a shumë jeni në atë rreth. Dhe mendoj se kjo është diçka që vetëm këto vende të vogla mund të të japin, gjë që është e mirë në njërën anë, por në anën tjetër është klaustrofobike nganjëherë (qeshë), nëse mund të them.

Mia Crocetti Marzotto: Pra, pra, ke shkuar deri në, deri në shkollë të mesme ke qenë në shkollë në Ibiza?

Cristina Marí: Aha.

Mia Crocetti Marzotto: Në rregull.

Cristina Marí: Po.

Mia Crocetti Marzotto: Dhe pastaj shkove në universitet në Madrid?

Cristina Marí: Po. Unë, kur isha në Ibiza, gjithmonë kam pasur një dëshirë për të udhëtuar por jo gjithmonë ka qenë e lehtë, po mendoj, ka qenë e lehtë por kur nuk ke një familje njerëzish që udhëtojnë apo nuk e di, këto, lehtësira, disi të udhëtuarit nuk bëhet shumë interesante deri kur e bën në fakt për herë të parë. Gjithmonë kam dashur të udhëtoj por kurrë nuk kam bërë diçka shumë përpos udhëtimeve të shkollës dhe gjëra të tilla. Dhe pastaj vendosa të shkoj në Madrid për të filluar studimet në gazetai dhe arsyeja pse vendosa të shkoj atje… gjithmonë e mendoj se një lloj vetie karakterizuese e imja është se, kam dashur të filloj nga zero në një vend të ri ku nuk njoh askënd dhe nuk më njeh askush. Ku mund, le të themi, të zbuloj vetveten, personalitetin tim në një mënyrë ku askush nuk mund të më gjykojë prej nga vij apo çfarë kam bërë më parë. Të gjithë shokët e mi të shkollës së mesme, dhe shumica e të rinjve në Ibiza gjithmonë vendosin të shkojnë në Barcelonë sepse është më afër, ka më shumë mundësi për të udhëtuar, më shumë lidhje brenda ditës. Shumë njerëz gjithashtu studiojnë atje në mënyrë që ta kenë më të lehtë të lidhen menjëherë me grupin atje.

Vendosa të shkoj në Madrid, kisha qenë atje për një kampionat të xhudos, ushtroja xhudo më parë (qeshë) dhe më ka pëlqyer me të vërtetë, ka pasur një shije të jetës së lagjes në të cilën jam ndier shumë rehat. U zhvendosa në vitin 2007 dhe qëndrova atje deri në vitin 2011. Katër vjet, sepse  studimet e mia në gazetari ishin një gradë  pesëvjeçare para se të gjitha programet të ndryshoheshin në programe më Bolonjeze të Hapësirave Evropiane të Edukimit. Dhe mendoj se pata marrë vendimin e duhur (qeshë).

Shpesh kam dashur të bëj gjëra të tjera ndërkohë që studioja atje. Doja të studioja shkencë politike, doja të studioja juridik, doja të studioja histori, doja të futesha në [studime] gjinore sepse gjithashtu… por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve të mia, kam pasur rastin të studioj nga pak prej të gjitha këtyre fushave të ndryshme. Gjithmonë jam munduar të marrë kurse plotësuese dhe të shkoj në konferenca, trajnime raportuese dhe…

Por megjihatë mendoj se ishte kohë shumë e mirë sepse kjo ishte koha kur e tërë lëvizja Indignados [Të Indinjuarit] ndodhi. Kjo është një lëvizje që u organizua në vitin 2011, në mars nëse nuk gabohem, në mars ose maj… maj, më fal. Dhe është një lëvizje që e ka riformësuar në tërësi mënyrën tonë të organizimit si shoqëi. Mendoj se ka lënë shumë gjurmë në atë si njerëzit oganzojnë rezistencë paralele, nëse mund të them kështu (qeshë).

Dhe unë isha pjesë e saj, u angazhova aq sa munda, të paktën për një muaj në fillimet e saj. Pastaj u decentralizua në protesta më të vogla, në grupe më të vogla punuese. Në atë kohë isha angazhuar me një grup njerëzish që provonin të merreshin me gazetarinë dhe si ajo mund të shërbente. Le të themi, interesi publik në një mënyrë etike, dhe me një përgjegjësi shoqërore. Kështu që për shumë ditë brenda atij viti në të cilat na duhej të studionim për provime, ne vetëm mundoheshim të gjenim mënyra dhe kohë për të shkuar në shesh dhe për të parë nëse mund t’iu bashkoheshim këtyre grupeve diskutuese që po vazhdonin për më shumë se një muaj.

Ishte përvojë me të vërtetë emocionuese, kam pasur rastin të përjetoj diçka të tillë që e ka formësuar mënyrën si e shoh gazetarinë e gjithashtu edhe rolin tim si qytetare, kam provuar ta marrë me veti atë përvojë kudo që kam shkuar vetë.

Mia Crocetti Marzotto: A ke qenë më parë e angazhuar në ndonjë qytetari aktive në Ibiza, apo ishte diçka që e ke mësuar apo nisur në Madrid?

Cristina Marí: Do ta kujtoj gjithmonë protestën e parë të madhe në të cilën kam marrë pjesë dhe jam shumë krenare që kam marrë pjesë. Ishte në Ibiza, isha diku 16 ose 15, 15-16, ishte dy vite para se të hyja në universitet. Kështu, shtëpia ime, shkolla ime e mesme ishte shumë afër një zone ku ndodhte gjithçka. Ishin dy rrugë të larta, i quanim autostradë, edhepse nuk ishte saktësisht një autostradë, por qartazi kishte interes prapa ndërtimit të këyre rrugëve të cilat ishin krejtësisht të panevojshme për dimensionet e ishullit tonë… dhe ndërtimi i këtyre rrugëve do të thotë rrënim të shumë shtëpive, shumë fqinjë që kishin jetuar aty për një kohë të gjatë u desh të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ishte një hapësirë shumë afër shkollës sime të mesme në të cilën, e cila konsiderohej kryeqendra e rezistencës kundër këtyre rrugëve. Dhe të gjitha partitë kishin gisht në ndërtimin e tyre. Kështu që nuk isha, ishte me të vërtetë një rezistencë qytetare, sidomos në fillim. Dhe më kujtohet që edhe nëna ime merrte pjesë në protestë ndonjëherë. Kishte kohë kur bulldozherët vinin për të shkatërruar këto shtëpi, por banorët dhe fqinjtë bëheshim bashkë dhe formonin një zinxhir njerëzish për të ndalar shkatërrimin e ndonjë shtëpie të caktuar nga bulldozherët, apo për të ndaluar hyrjen e tyre në një fushë të caktuar, oborrin e shtëpisë apo diçka.

Gjithmonë mundohesha të ikja nga orët, unë dhe disa bashkëmoshatarë të mi. Më kujtohet një protestë e madhe e cila praktikisht u organizua nga, nga të gjithë nxënësit, të gjithë nxënësit nga të gjitha shkollat e mesme. Të gjithë u mblodhëm në një mënyrë shumë të improvizuar përpara organit kryesor qeverisës të ishullit, një lloj këshilli, dhe aty e filluam protstën. E zaptuam këshillin, dolëm aty dhe po e çmendnim policinë sepse ishim absolutisht të paorganizuar. Vetëm po e zaptonim rrugën dhe marshonim, zaptonim dhe bllokonim të gjithë rrethinën në qendër të qytetit (qeshë), na u deshën orë, dhe ndoshta kjo ishte hera e parë që ika nga mësimi, jo vetëm, ika nga mësimi dhe mora pjesë në një nismë të tillë që erdhi nga një rini që nuk dëshironte të lejonte një gjë të tillë të ndodhte.

Kjo ishte hera e parë kur pashë fuqinë e njerëzve. Unë, natyrisht rrugët u ndërtuan më vonë në rrethana shumë të errëta, bulldozherët erdhën në pesë të mëngjesit dhe shkatërruan gjithçka. Por ishte mësim që e mora thellë në vete sepse aty shihje njerëz duke mbrojtur shtëpitë e tyre. Diçka kaq bazike si shtëpia jote, kulmi yt, vendi ku je rritur, ku janë kujtimet tua, gjithçka është aty dhe po shkatërrimi që i linte vend ndërtimit. Ishte poashtu diçka simbolike sepse shkatërrimi i asaj rezistence ishte si goditje ndaj lëvizjes disi, prekje e qytetarisë. Sidomos kur interesat nuk i sjellin përfitim shoqërisë në atë rast.

Pra, me gjasë kjo ishte hera e parë kur me të vërtetë pashë fuqinë e njerëzve dhe u angazhova dhe… më kujtohet që, natyrisht, nëna ime shpesh aty dhe kurrë nuk më lejonte të afrohesha shumë. Sepse kishte arrestime nga policia e gjëra të tilla. Kishte njerëz që lidheshin me zinxhirë nëpër pemë, e gjitha isht disi shumë dramatike, nëse e shikon nga distanca, është… për disa njerëz ishte shumë e dhimbshme si pamje dhe përjetim.

Mendoj se kur shoqëritë bashkohen dhe krijojnë një lëvizje këmbëngulëse e cila nuk ka sukses, e cila prapë se prapë mposhtet, mendoj se të gjithë dëmtohen ngapak si qytetarë, si njerëz dhe disi të gjithë e bartin atë me vete. Ndoshta si njeri e bartni atë dhe… nuk e di, meqë i kisha parë ata, kur shkova në Madrid dhe pashë këtë protestë duke ndodhur dhe të gjitha këto lëvizje rezistence që ndodhnin në mënyrë shumë të fuqishme nuk mund të… fillimisht isha kurioze, për herë të parë isha në këto mbledhi të cilat çuan në këto lëvizje në Fakultetin e Shkencave dhe Informacionit, i cili është, ishte fakulteti im.

Më kujtohet që kam parë disa posterë në rrugë… në muret e fakultetit dhe ata thjesht po mblidheshin për të diskutuar për programin e Bolonjës të Edukimit Hapësinor Evropian. Dhe nuk e dija fare çfarë ishte kjo gjë, sapo kisha filluar fakultetin dhe isha kurioze çfarë ishte kjo gjë për të cilën njerëzit po uleshin për të diskutuar dhe madje edhe për të protestuar. Më kujtohet të ketë qenë një grup tepër i vogël i njerëzve herën e parë kur kam shkuar. Mbase tre-katër studentë më të vjetër nga fakulete të ndryshme që kishin filluar të mblidheshin, nga filozofia, gazetaria, historia. Dhe fillova ngadalë të mësoj dhe u rrëmbeva krejtësisht nga mënyra si po ndodhnin gjërat sepse nuk ishte thjesht, “Ejani të bëjmë një protestë”. Në fakt ishte, “Ejani të ulemi të lexojmë për këtë program, ta kuptojmë si funksionon kështu që të mund të krijojmë argumente kundër tij”.

Kjo nuk ishte thjesht protestë, ishte një këmbëngulje e mençur, ishte gjithashtu krijim i shumë rrjeteve, uleshim në fakultet për disa orë. Më kujtohet që patëm marrë leje për të qëndruar gjithë natën. Qëndruam në fakultet gjithë natën. Quhej, diçka si, epo në anglisht e quajmë overnight, mund të jetë e vështirë për t’u përkthyer por për disa netë qëndruam në fakultet gjatë natës, e njëjta ndodhte poashtu edhe në fakultete si ai i historisë ose filozofisë. Por pastaj ideja ishte që të shfrytëzojmë këtë kohë sepse përgjatë ditës na duhej të mësonim dhe ideja ishte të mos humbisnim orët apo kohën e studimeve dhe të mos dilnim keq në provime. Por na duhej ta shfrytëzonim kohën bashkë për të menduar për veprimet që duhej të ndërmerrnim, si mund t’i luftonim ligjërisht, a do të mund të shkonim në televizion për të pasur një diskutim rreth tyre dhe për të provuar t’i shtyjmë këto çështje në një shkallë më të lartë. Dhe pastaj natyrisht vinin protestat dhe marshet por gjithashtu mundoheshim të krijonim rrjete dhe hapësira diskutimi kështu që këto çështje të mund të diskutoheshin aq sa ishte e nevojshme dhe ku mund të rregulloheshin nëse mund të rregulloheshin, apo si do të mund të kontribuonim ne si studentë dhe aktivistë në këtë çështje.

Pra isha pjesë e kësaj për disa kohë, dhe kjo gjë ka ndikuar në mënyrën si unë e shoh se si ne qytetarët mund të bëhemi aktivë dhe të ndryshojmë gjëra. Dhe pastaj lëvizja kaloi nga, ne si studentë po luftonim, le të themi këto programe, por njerëz të tjerë luftonim për shëndetin publik, të tjerë për edukimin publik në shkolla dhe të gjitha këto lëvizje eventualisht…. Më kujtohet që ishte shumë e rëndësishme edhe një lëvizje për të drejtën në banim dhe të gjitha këto eventualisht u bashkuan dhe e tërë lëvizja Indignados ndodhi, le të themi si rezultat i natyrshëm i të gjitha këtyre lëvizjeve paralele që po ndodhnin në të njëjtën kohë në fusha të ndryshme dhe të gjithë njerëzit u bashkuan dhe ishte një mënyrë shumë publike e të diskutuarit të çështjeve publike. Kishte njerëz për më shumë se një muaj në një shesh publik, jo vetëm në Madrid por në të gjitha qytetet e vendit, në shumicën e qyteteve të vendit. Mijëra diskutime në lidhje me atë se si mund të përmirësojmë sistemin shëndetësor, si mund të luftojmë për politika më të mira ambientaliste, si mund të luftojmë për media më të mirë, për media më të përgjegjshme që i shërben interesit publik, si mund të ndryshojmë kushtetutën nëse është e nevojshme, në çfarë mënyre mund ta bëjmë.

Kështu që u desh shumë punë dhe ishte një lëvizje tjetër për feminizmin dhe të drejtat e grave. Por gjithashtu kishte një lëvizje ku burrat u mblodhën për të parë se si roli i tyre në shoqëri mund të luhej ndryshe dhe të përmirësonte barazinë për të gjithë. Dhe kështu e gjithë lëvizja, e kam parë, kam qenë pjesë e saj dhe ka ndryshuar apo formësuar qasjen time ndaj gjithçkaje që bëj sot. Mendoj se ajo më ka bërë mua, në një mënyrë jam munduar ta aplikoj në punën time qoftë kur kam qenë në gazetari apo duke punuar në ndonjë organizatë duke organizuar forume diskutimi apo veprime advokimi dhe gjëra të tilla.

Mia Crocetti Marzotto: Pra, e përmendët nënën tuaj, a bënit biseda të tilla edhe në shtëpi, apo si ishte në familjen tuaj? Po mendoj, atëherë kur ishe në Ibiza, në Madrid?

Cristina Marí: Mendoj kur kam qenë e re dhe këto protesta po ndodhnin, ishte një… në përgjithësi, jam motivuar shumë duke parë nënën time të protestonte. Ajo gjithmonë ka qenë relativisht e angazhuar në çështje shoqërore kur vjen tek dalja në protesta është diçka që po bëhet paksa, mbase është diçka natyrale të arrish në një pikë ku ke më pak shpresë dhe e sheh se nganjëherë një protestë nuk mjafton dhe mbase njerëzit ndalojnë së daluri. Por të gjitha këto gjëra po ndodhnin, në njërën anë është qësharake, nëna ime është gjithmonë ajo që është më shumë e angazhuar në shoqëri ndoshta. Prindërit e mi e kuptojnë këtë në një mënyrë pak më ndryshe. Babai im është më pesimist dhe mendon se asgjë nga këto nuk do të ndryshojë asgjë. Ai është njeri me vlera shumë serioze por kur vjen puna tek protestat apo politika e gjëra të tilla, nuk ka shpresë për të se dikush mund t’i adresojë këto çështje që duhet adresuar, nëse mund të them.

Por shpesh politika është bërë një temë për të cilën nuk diskutoj më, mundohem të mos diskutoj të paktën. Kemi grindje gjithë kohës, supozoj se mund të them që në secilën familje ka grindje për politikë, edhe në timen. Motra ime më sheh gjithmonë si idealistja që mendon të ndryshojë botën. Ajo gjithmonë më thërret ombuds person (avokati i popullit). Por mendoj që është e natyrshme që secili anëtar i familjes të luajë një rol të ndryshëm. Mendoj se e krijojmë njëfarë balanci me njëri-tjetrin. Mendoj gjithashtu që ka qenë shumë mirë të shihja nënën time në protesta për shembull kur kishte policë që arrestonin njerëz, e dini, më jipte një lloj ndjenje që është në rregull të shpalosesh dhe  të rezistosh sepse nganjëherë do të duhet të bësh diçka të tillë pasi që nuk do të thotë që shteti gjithmonë do të jetë i mirë me ty apo diçka e tillë. Por ishte një rol model për mua në atë kuptim ta shoh atë duke qenë pjesë e këtyre protestave dhe gjithmonë kam… nuk më ka ndaluar, natyrisht nganjëherë babai më ka thënë, “Oh, ke shumë…” ekziston një shprehje në spanjisht që, “Ke shumë zogj në kokën tënde,” nuk jam e sigurt nëse ky do të ishte përkthimi në anglisht…

Mia Crocetti Marzotto: Çfarë, si është në spanjisht?

Cristina Marí: “Tienes pájaros en la cabeza” do të thotë që je përplot me ide dhe idealizëm dhe mund të krahasohet me shprehjen sikur të ndërtosh kështjella në ajër në anglisht, besoj se po. Kështu që e di realisht. Mendoj disi thellë në vete se ata e mbështesin këtë idealizëm dhe këtë luftë të përhershme për aq gjatë sa bëhet për parime të vërteta. Mendoj se kjo është ajo që, ajo që ata do të donin ta shihte të ndodhë, e dini, të paktën është një qasje konstruktive ndaj gjërave dhe jo mënyrë irracionale e sjelljes. Mendoj se prindërit gjithmonë duan që ti të jesh i arsyeshëm dhe mendoj që kjo gjë është e sigurtë.

Mia Crocetti Marzotto: Dhe, a mund të pyes, çfarë bëjnë prindërit e tu?

Cristina Marí: Po…

Mia Crocetti Marzotto:… Çfarë punojnë?

Cristina Marí: Po, po. Babai im është hidraulik. Ka punuar gjithë jetën e tij, shumicën e jetës së tij si hidraulik. Nëna ime punon në mirëmbajtje të shtëpisë dhe motra ime, ajo është më e vjetër se unë, pesë vjet më e vjetër se unë dhe punon në turizëm me hotele, rezervime. E ndryshon herë pas here nga pak, por të gjithë janë disi ngapak të lidhur me industrinë e turizmit, por është mirë, është…

Mia Crocetti Marzotto: Dhe ata ende jetojnë në Ibiza apo?

Cristina Marí: Po. Ata ende jetojnë në Ibiza dhe gjithmonë do të jetojnë atje dhe ai gjithmonë do të jetë vendi ku unë do të kthehem, gjithmonë. Kemi një shtëpi atje, shtëpia jonë është atje. Nëna ime ka shkuar në Ibiza nga Granada kur ka qenë 14 vjeç, nga jugu i Spanjës, dhe në atë kohë ajo kishte dy teze që punonin në atë kohë në një hotel si kamariere dhe pastruese dhe babai im…. Babai i saj kishte punuar poashtu aty por gjithmonë ka qenë interesant të mësoj për përpjekjen e saj jetësore si grua,  mendoj se sidomos si grua ke shumë sfida në përgjithësi.

Kur e ka përfundua shkollën, në vitet e ‘70-ta, besoj se është lindur në vitin 1960, diku në përfundimin e diktaturës së Frankos, kështu që mendoj se ajo ka ardhur në Ibiza para kësaj. Dhe ndoshta, mendoj se nuk dëshironte të vazhdonte studimet. Nuk ishte puna tek paratë apo familja, po mendoj, ata ishin familje modeste dhe dëshironin të vazhdonin, ata i kishin thënë, “Nëse do të shkosh në shkollë, në rregull, nuk ke nevojë të punosh,” por nëna ime ka vendosur të mos shkonte në shkollë dhe njëherë e kam pyetur, “Pse?” Dhe ajo më tha, “Nuk më ka pëlqyer”. E dini. Mendoj se shkolla si ka qenë atëherë dhe si është tani është shumë ndryshe. Dhe mendoj se ai ishte një vend shumë strikt ku dënoheshe nëse mbaje një libër me dy duar, në gjunjë për një kohë, ishte një vend ku goditesh me vizore dhe gjëra të tilla, dhe mendoj se diçka e tillë nuk është tërheqëse për një fëmijë që të vazhdojë shkollën. Dhe ajo ka vendosur të vijë në ishull ku familjarët e saj punonin në atë kohë. Gjithmonë dëgjoj tregime fantastike dhe shumë të qeshura prej saj kur flet për kohën kur ka punuar në këto hotele dhe pastaj më ka lindur mua dhe motrën time kështu që është ndalur nga puna dhe është kujdesur për ne e shumë gjëra të tjera. Jo shumë gjëra të tjera, por është ndalur nga puna dhe ka qenë në shtëpi me neve. Kështu që, mendoj se kjo gjë e ka ndryshuar gjithmonë mënyrën se si e shoh unë nënën time sepse si grua ajo ka pasur sfidat e veta dhe është inspiruese të shohësh gratë në botë teksa arrijnë në jetë në përgjithësi.

Mia Crocetti Marzotto: Përmendët natyrën dhe kafshët. A do të mundeshe të ndash me ne ndonjë kujtim shumë të dashur nga fëmijëria?

Cristina Marí: Epo ndoshta, më kujtohet sidomos tani që jemi në verë, me dashuri i kujtoj ditët e verës atje. Kurrë nuk kemi qenë një familje që shkon në plazh edhepse kemi jetuar afër, tepër afër plazhit por verat për ne gjithmonë lidheshin duke bërë punë dore gjithë kohës. Motra ime ka qenë shumë kreative dhe së bashku shkonim në plazh për të mbledhur gurë të cilët i ngjyrosnim dhe bënim të gjitha llojet e artit, dhe kjo është diçka që e mbaj ende. Tash kur mërzitem ndonjëherë, bëj diçka me baltë ose, kjo ka qenë mënyra si e kam kaluar kohën, jo gjithmonë Netflix apo duke shikuar seriale, edhepse e bëj edhe atë gjë, natyrisht.

Por mendoj, vera atje është pak më ndryshe. Vera atje nënkupton shumë kohë jashtë e jo brenda shtëpisë, ne kalonim kohë duke luajtur jashtë, e dini, duke zënë njëri-tjetrin, duke vrapuar pas njëri-tjetrit dhe me kushërinjtë tanë të cilët vinin nganjëherë për të kaluar verën në Ibiza nga Granada. Edhe unë shkoja atje, fëmijëria ime ishte kryesisht në zona rurale, po mendoj, i ndihmoja nënës në mbjelljen e patateve apo gjëra të tilla, më ka pëlqyer të bëj gjëra të tilla dhe mendoj se kjo është diçka që më mungon tash që po plakem. Më mungon të qenit pjesë, ta kem atë afër çdo ditë dhe disi refuzoj ta përqafoj jetën e qytetit dhe ende rezistoj, kam dëshirë që në të ardhmen, nuk e di, thjesht do të jetoj në periferi, qoftë këtu apo kudo tjetër, do të kthehem pak tek ajo sepse edhe nëse nuk jetoj në Ibiza apo diçka, unë ende kur kthehem është sikur, jam atje për dy javë dhe nuk është se e kaloj gjithë kohën në periferi duke ndihmuar prindërit e mi me të mbjellurat e me pemët e duke shikuar gjëra, por është diçka që do të doja ta bëja një ditë, të kthehem dhe disi kjo gjë të bën të jesh më afër rrënjëve tua në njëfarë mënyre.

Nuk e di, është diçka që e kam dashur kur kam qenë fëmijë, gjithmonë kam qenë e rrethuar nga kafshët dhe ende është ashtu, kur shkoj në shtëpi, ne kemi tetë ose nëntë qenë, kemi një kalë tani, një papagall që flet dhe flet të gjitha llojet e fjalëve, i thotë emrat e të gjithë anëtarëve të familjes, emrat e qenëve, emrat e fqinjve, kështu që është bukur. Kurrë nuk mërzitemi nëse nuk duam të mërzitemi. Një gjë që më pëlqen është vera sepse kemi kaluar shumë kohë jashtë. Babai im i vendoste zmadhuesit e zërit jashtë dhe thjesht lëshonte muzikë. Hite të zakonshme verore lëshoheshin me rend, dhe kjo gjë nuk ishte në vijë me këtë qetësi rurale por ishte me të vërtetë qejf dhe pastaj unë luaja me qentë edhe nëse isha tërësisht vetëm.

Kam kaluar shumë kohë me shoqërinë time në shtëpitë e tyre apo timen, thjesht orë të tëra duke luajtur jashtë dhe as nuk e ndiznim televizionin për asgjë. Po mendoj, kënaqeshim në atë mënyrë, edhe kur jam rritur, unë gjithashtu kam bërë shumë gjëra, shkoja në shkollë dhe nëna dhe babai im, ata nuk kishin asnjë problem që unë shkoja në të gjitha klasët e mundshme. Nuk është se ata dëshironin, ata nuk ishin lloji i prindërve që të lënë në shkollë në orën nëntë dhe të marrin në orën nëntë pasi që ke kaluar gjithë ditën nga njëra klasë në tjetrën por unë gjithmonë kam kërkuar të regjistrohem në atletikë. Është një gjë, në moshën pesë vjeçare e kupton nëse dua të shkoj menjëherë pas klasës apo dua të bëj basketboll, hendboll apo më vonë fillova xhudo dhe fillova të marrë edhe kurse muzike, kështu që gjithmonë kam qenë tepër aktive dhe më mungon ky hiperaktivitet që e kam pasur si fëmijë.

Tash e kuptoj ndryshe, më duket shumë e vështirë të dedikohem në gjëra të ndryshme kështu që kam zgjedhur një, dhe jam dedikuar aq sa kam mundur dhe eventualisht ndoshta do të rimësoj si të bëhem shumëdimensionale, në atë kuptim jam duke bërë njëqind gjëra.

Download PDF