Vehap Shita

Prishtinë | Date: 8 korrik, 2013 | Duration: 141 min.

Mu kanë ardhë më kanë marrë policia në shpi a e dini për çka, me kanë lypë armë. Ka ardhë shefi i policisë në derë, une ‘Urdhëroni?’ ‘A jeni ju Vehap Shita?’ ‘Po’. ‘A keni armë?’ ‘Jo’. Thash, ‘Unë kom qenë partizan kur me kanë burgos, m’i kanë  marrë krejt’. Edhe përnime m’i kishin marrë krejt, masnej s’i kom marrë se nuk kom ditë m’i përdorë asnjonën.

Më kujtohet një here jom rrzu bashkë me pushkë (qeshë). Thash, ‘Unë kom armë dhe e nxora lapsin kjo asht arma ime, me shkru di’. Shkruan edhe gazeta masnej, ‘E kanë burgos se e ka tregu lapsin’. Thash, ‘Hajdeni mrena kom plot’. E kisha nime krejt materialin, e kisha kompjuterin e këshillit në atë kohë krejt i kisha të shkrume, por disketat, gruaja jeme kur fillun bombardimet i ka marrë krejt disketat qaty i kom hala. I ka pështjell në kavanoza, e kavanozat i ka futë nër lule, jo nër lule po i ka gropu dheun e ka shti kavanozin. E ka qitë përsipri, e përmbi dheut i ka qitë lule edhe ato kanë shpëtu deri kur kanë ardhë KFOR-i. Kur kanë ardhë KFOR-i kanë ardhë ekipi i CNN-it e ka fotografu ato edhe gruan time t’u i nxjerr ato prej kopshtit, kjo ishte improvizim, se ato disketat i kishim nxjerr ma herët. Kështu që këto krejt jonë regjistru prej ‘97-shit, ‘98, ‘99. Prej ‘97-shit i kemi pas krejt të kompjuterizime edhe krejt në disketa edhe krejt në kompjuter, edhe nuk e kom hekë kompjuterin edhe në kohën e luftës.

 


Anita Prapashtica (Intervistuesja), Anna Di Lellio (Intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamera)

Vehap Shita u lind në Gjakovë vitin 1923. Ai është kritik dhe shkrimtar, gazetar shumëvjecar dhe përkthyes i veprave letrare. Ishte redaktor i kulturës në të përditshëm “Rilindja”, pastaj në “Jetën e Re” dhe në gazetën “Scena” të Novi Sadit. Shita është njëri prej themeluesve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1970 dhe i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës. Shita ka vdekur me 8 nëntor, 2015.

Vehap Shita

Anita Prapashtica: Na tregoni diçka për fëmijërinë tuaj.

Vehap Shita: Unë kom lind dikun në dimën të vitit 1923, në një familje zejtare. Babanë e kom pas rrobaqepës, por me të vërtetë prejardhja është intelektuale sepse gjyshi ka qenë hoxhë, ka qenë haxhi. Atëherë ajo pjesë ka qenë intelektuale për atë kohë, kështu që edhe babai im ka qenë i interesuar për shkollimin tonë. Na kemi qenë dy vëllezër, vëllau ma i madh Hyseni, ai ka qenë i caktuar nga babai im për t’u shkolluar, kurse mua ka deshtë të më nalë në dyqan të rrobaqepësisë. Kështu që unë do të bëhesha rrobaqepëse sikur të ndigjojsha babën, se babai im natyrisht ka pas nevojë për fuqi punëtore në atë kohë. E kjo ka qenë koha e krizës së madhe ekonomike në krejt Jugosllavinë e atëhershme por edhe në Kosovë. Kështu që baba im u detyrua të emigrohet në Shqipëri ku ka punu për dhjetë vjet, ka punu vetëm me djalin që e ka pas në shkollën gjimnazin e Shkodrës të asaj kohe. Në ndërkohë unë kom qenë nifar nxënësi i mirë në shkollën fillore dhe ni shok i imi i klasës, që ka qenë gjithashtu djalë hoxhe, ai ka pas me shku në medresenë e madhe të Shkupit, ka kërku që t’shkojmë bashkë. Unë kom qenë i dedikum me shku me u ba shegert[1] në dyqanin e babit, por dëshira për tu shkolluar më ka bërë që të shkoj edhe unë bashkë me atë shokun tim dhe unë fitoj në një konkurencë bajagi [goxha] të madhe.

Po ju përmend se prej Gjakovës kanë qenë atëherë 12 konkurrent për provim pranues, kemi kalu ja gjashtë, prej atyre gjashtë-ve vetëm njëni ka marrë bursën e shtetit. E pa bursë ishte e pamundur me jetu se atëherë vetëm konvikti në atë shkollë paguhej 250 dinarë në muaj, kurse rroga ma e madhe e punëtorit në Gjakovë ishte 150 dinarë, ishte e pamundur me u shkollu. Edhe unë u gëzova që nuk mora bursë po kthehna në shpi te nëna mirëpo ai babai i atij shokut tim luftoi edhe ma nxeri bursën të Vakëfit të kësaj. Vaki është sikur bashkësia Islame tash në atë kohë, kështu që unë megjithatë meta në shkollë. Dhe mësimi bëhej në gjuhën serbe na kishin msu serbisht në shkollën fillore, por shkollën fillore e kisha krye përmendsh, tash në gjimnaz nuk mund të kalohej ashtu. Kështu që në semestrin e parë i mora tre dysha që ishin për mu… isha nxans i shkëlqyeshëm morra tre dysha. E tre dyshat më shkun në Gjakovë, në Gjakovë e kisha axhën, se baba ishte i emigrum në Shqipëri. E thërrasin atë i tregojnë se djali, nipi yt ose djali yt ka dysha. Atëherë unë bona çka bona, edhe fundin e vitit shkollor megjithatë e kalova mirë me nota të mira, kështu që meta t’a vazhdoj shkollën medrese.

Tash po ju tregoj nji… për mos me e zgjat këtë punë, po ju them se prej 120 nxënësve të klasës së parë, semimaturën që do të thotë shkollën, si me qenë kjo shkolla fillore e kemi kry gjithsej 24. Aq ka qenë kriteri shumë i rreptë por sidomos për shqiptarët, prej ktyne 24-ve ndër këta 24 isha edhe unë që kisha… Kështu që, në fund maturën prej asaj gjenerate mrrijta t’a kryej vetëm unë menoj prej gjakovarëve, se shqiptarë kishte edhe t’tjerë. Kishte shqiptarë që kishin kalu për shembull shok klase e kom pas Rexho Mulliqin për të cilin keni ndëgju ju [i drejtohet të pranishmeve] sigurisht. Kom pas Hasan Kaleshin, nxansa shumë të mirë edhe të shkëlqyeshëm që krijuan karrierë në punën, në detyrën e vetë. Unë ndërkohë isha i lidhur me Shqipërinë, por baba për shkak timin nuk e mori edhe familjen me veti kështu që meti ai pa familje atje, unë pa babë këtu. Kështu që kalova pra ni fëmijëri jo fort të lumtur, se fëmija pa babë natyrisht që nuk e ka bash lehtë sidomos në atë kohë që ka qenë shumë kohë e vështirë, megjithatë unë u përbina disi.

Në 1941 kur u shkatërru Jugosllavia, atëherë u hap gjimnazi në Prishtinë. Ktu në gjimnazin e Prishtinës erdhën të gjithë nxënësit që kishin dëftesat e klasës së fundit. Na të Shkupit nuk e kishim atë dëftesë për arsye se Shkupi mbeti ndër Bullgari edhe bullgarët nuk e lejun marrjen e atyre dokumentave. Mirëpo kishim ato librezat, por librezat drejtoria na i pranoi në vitin e kalum, e jo në vitin në vijim. Për këtë arsye në gjimnazin e Prishtinës u bo një bojkot i mësimit për t’a detyru këtë drejtorinë që të na pranojë klasën edhe në bazë të librezave. Mirë ajo s’i kemi zakon na edhe shpejtë bojmë protesta, mirëpo protesta ishte shumë e mbrapshtë. Kërkohej të bojkotohej shkolla, bojkotohej mësimi të na pranoheshin këto dëftesa, libreza shkollore por me iniciativën e një grupi për fat të keq komunistësh, që ishin pak më të vjetër. Kërkohej që të mbyllej shkolla me pretekst se gjimnazi është fashist se atëherë fashizmi ishte. Mirëpo, drejtoria që ishte dhe ai stafi i profesorëve që ishte ndër arsimtarët më të mirë që kishte Shqipëria e të gjithë në atë kohë të shkolluar përjashta. Drejtor ishte Rexhep Krasniqi doktor i shkencave filologjike në Universitetin e Gracit të Austrisë, ishin krejt ishin njerëz të shkolluar. Edhe bohemi kundër që të mbyllej shkolla se ne mezi kishim pritur që të hapej shkolla në gjuhën shqipe, e tash të qohemi ne për me i mbyllë shkollat.

Kështu që në atë kohë, po hyna në këtë muhabet për t’iu tregu se në atë kohë unë meta në anën e kundërt të asaj pjese që kishte organizu protestën. Bile tre vetë, tretë që ishin si udhëheqës të asaj proteste, ishin të gjithë të klasës së tetë, njerëz të formum. Ndër ata edhe Alush Gashi për shembull që dikur u bo këtu njëfarë faktori pas lufte, u përjashtua nga shkolla, por shkolla shpëtoi. E shkolla shpëtoi, por të gjithë të tjerët, krejt nxënësit pa marrë parasysh çfarë orientimesh politike, ose ideologjike tash po i thonë, kishin mbetë në shkollë dhe shkolla vazhdoi deri në vitin ’44. Edhe të gjithë ata që kishin nisë mësimet në kohën e Jugosllavisë e që nuk kishin mbërri me e kry shkollën, e kryen shkollën praktikisht. Kështu që prej gjimnazit të Prishtinës, gjimnazit Sami Frashëri edhe sot e mbanë atë emër edhe atëherë e ka pas ka qenë gjimnazi Sami Frashëri, por me orientim që të bëhej Shkollë Normale se atëherë Kosova kishte nevoje shumë për mësues. Kështu që shkolla e Prishtinës u bo Normale, por vetëm na që e kishim nisë gjimnazin deri sa e krym.

Pra, Shkolla Normale masi hyra tek kjo, t’iu them edhe një fjalë, se ai pushteti i atëhershëm edhe pse ishim nën okupacionin e fashistëve dhe Italisë fashiste por kishte një politikë shumë të mirë për sa i përket zhvillimit të Kosovës. Kosova kishte nevojë për kuadro, s’kishte kuadro. Viti ‘41 Kosovën e ka gjetë me gjithsej 60 studente që kishin kryer fakultetet në krejt Jugosllavinë. Krejt Kosova kishte 60, prej atyre shumica juristë, ndonjë ekonomist por krejt jurista kryesisht; ose ksi që kishin kry kto fakultetin teologjik, se prej medreses mund të shkojsh edhe në teologji.

Kështu që, Ministria e Arsimit e asaj kohe në krye me Ernest Koliqin bëri një politikë shumë të mirë për sa i përket organizimit të mësimit, shkollave. Në Prizren u hap gjimnazi, në Mitrovicë shkolla teknike, në Pejë shkolla bujqësore, Prishtinë shkolla normale, pra u mbuluan të gjitha degët kryesore që duhet. Ata nuk llogaritshin që ajo koha e tyne do të zgjaste tre-katër vjet, ajo nuk do të mund t’baheshin, por perspektiva ishte aty se ato shkolla, ato profile të shkollave u vazhduan mandej edhe në ‘45-shin, kur Kosova u bo autonome qysh u bo. Tash në këtë situatë, në kohën sa isha nxanës, unë në vitin ‘41 nuk isha me Lëvizjen Nacional Shqiptare por në ’42-shën u bona njoni prej aktivistëve të shquar të Lëvizjes. Kështu që, më ra me takoi të marrë pjesë vetë tash në demonstratë kundër regjimit fashist të atëhershëm e kundër okupatorit. Shiqoni ajo edhe pse ka qenë Lëvizje Nacional Shqiptare e udhëhequr prej komunistëve, e komunistë kishte pak shqiptarë, kështu që… Mirëpo me kohë u zhvillu ajo lëvizje, edhe në demonstratën në Prishtinë që u majt diku në shkurt të ’43-shit, unë morra pjesë në demonstratë edhe fola, mas kësaj demonstrate rashë edhe në burg.


[1] Ndihmës i mjeshtrit, punon për pak të holla.

Download PDF