Vahide Hoxha, me bashkëshortin, Fadil Hoxha për Vitin e Ri 1977, Prishtinë.

Vahide Hoxha, me bashkëshortin, Fadil Hoxha për Vitin e Ri 1977, Prishtinë.

Vahide Hoxha

Prishtinë | Date: shkurt, 2013 | Duration: 35 min.

Konferenca filloi, fillun përshëndetjet. Në sallë kanë qenë nja 200 vetë aty. Në sallë hyni komandanti, thanë ‘Po vjen komandanti!’ U çumë të gjithë në kamë e shuplakat e të tjera… unë komandantin s’e kam pa. E kam ditë se asht’ komandant Fadil Hoxha, po kush asht’ nuk e kam ditë. Mas përshëndetjes përsëri vazhdoi rrugën ashtu si ushtar edhe shkoi. Por, organizatorët e rinisë, e konferencës na lajmrunë që do t’mahet nji bal-lo në mramje për me argëtu ata delegatët e konferencës. Edhe une shkova, u ula me nji shoqe temen asht’ prej Prizrenit. Kur filloi muzika erdh komandanti, u afru edhe asaj shoqes teme po i thotë ‘A po lejon qi ta marrë une këtë shoqen tande për me kcy?’ Une s’kom ditë me kcy more, s’kom kcy asnjihere (qeshë), rashë në situatë bukur t’vështirë a din. Hajde u çova, por kërkova falje thashë ‘Më falni!’ edhe kështu ‘Më falni se une nuk di me kcy, nuk di!’ Ai më tha Fadili, ‘Po edhe une nuk di bash mirë, mësojmë bashkë’ qështu (qeshë)…


Antigona Qena Kaçaniku (Intervistuesja), Lulzim Kryeziu (Kamerë)

Vahide Hoxha (1926-2013) punoi si edukatore gjatë tërë jetës, ishte reformuese dhe aktiviste. E lindur në Prizren në familjen e ngritur Kabashi, së bashku me motrën Rahmije ishin gratë e para shqiptare në Prizren që kishin përfunduar studimet universitare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vahidja u bë aktive në lëvizjen e të rinjëve anti-fashiste ku edhe takoi të shoqin komandatin partizan dhe udhëheqësin e Kosovës së pas luftës Fadil Hoxhën. Pas luftës, Vahidja përfundoi studimet në degën e historisë dhe u aktivizua si mësuese, hulumtuese dhe aktiviste në emancipimin e gruas. Si presidente të Këshillit Kulturor të Kosovës, ajo mbikëqyri krijimin e serive të institucioneve edukative dhe kulturore kudo në Kosovë. Para vdekjes ishte kryetare e Shoqatës së Veteranëve së Luftës Nacionale Anti-fashiste të Kosovës.

Vahide Hoxha

[Narracioni: Antigona Qena Kaçaniku]

Çdo kohë ka njerëzit e vetë, ka rininë, idealet edhe ambiciet e veta. Çdo kohë ka gëzimet dhe dhembjet, ndoshta nga një distancë kohore mund edhe të mos e pëlqejmë atë kohë, por po e hoqëm një gur nga ky mozaiku i historisë tonë do t’rrënohet tërësisht.

Sonte kuvendojmë me një zonjë e cila ishte dëshmitare, protagoniste e jetës sonë në ktë nënqiell.

Në këtë truall fryen shumë erëra e furtuna, por kjo ishte edhe puhiza pranverore që i dha vlerë e bukuri punës e krijimtarisë. Në luftë me kohën, zakonet dhe paragjykimet, ishin femrat tona që i bënin ballë realitetit me dëshirë të zjarrtë që të ndryshojnë atë, jo për veten sa për fëmitë e gjeneratat që do të vijnë. Kishin në vete guximin e vullnetin për ta ndryshuar rrjedhën e reve në ktë nënqiell, ishin të parat që donin të pasuroheshin me dijeni, që donin ta ndihmonin të drejtën, që donin të lenin gjurmë dhe të krijonin e trasonin rrugë për gjeneratat e reja, për nji ardhmëri më të bukur. Prandaj, nuk e meritojnë harresën.

Në një ditë vjeshte kur gjethet i thonin lamtumirë verës përcëlluse, trokitëm në derën e një gruaje. E Kishim të qartë se po hapim një botë të pasur kujtimesh. Një zemër që troket ende me ritmin e melodisë së harruar.

Antigona Qena Kaçaniku: Në emisionin “Pa Skenar”, ne zakonisht fillojmë nga fillimi i hershëm. Edhe te ju dëshirojmë meqë historia juj osht’ aq e pasun…jetësore. Dëshirojmë t’fillojmë nga familja juj, prindët e juj, cila familje është kjo në Prizren, apo…?

Vahide Hoxha: Antigona edhe une po ju falem’nderoj që keni ardhë, megjithëse nuk kam fort dëshirë me dalë në televizor edhe nuk jom shty asnihere me dalë (buzëqeshë). Kështu që, gjithmonë kam nejtë mrapa pak. Por, megjithatë e falem’nderoj… kjo do t’metet nji lloj historie, nji pjesë e historisë t’jetës sime.

Antigona Qena Kaçaniku: Me kënaqësi po e bëjmë këtë emision.

Vahide Hoxha: Une kam lindë në Prizren në familjen Sadif e Xhemajl Kabashit. Këta dytë i kam pasë prindët e mi. Nana ka rrjedhë prej nji familjeje mjaft të pasun. Baba është prej familjes intelektualëve. Ai kohën ma t’madhe t’jetës e ka kalu në Selanik edhe n’Instamboll. Në Instamboll… në Selanik ka fillu fakultetin, në Instamboll ka vazhdu atje. Meqenëse baba i… gjyshi im ka punu në administratën turke, por ka qenë edhe deputet i Turqisë, kështu që ka vdekë si deputet por familjen e ka majtë në Prizren. Shumë interesant është, s’ka mujtë me spjegu edhe vetë çka ka qenë arsyeja ai me metë n’Turqi e familja në Prizren.

Djali edhe dy vajzat që i ka pasë, grunë në Prizren, e ai në Turqi. Kështu që, herën e fundit që ka ardhë në Prizren ka qenë viti 1928.

Antigona Qena Kaçaniku: E ju sa fmi jeni?

Vahide Hoxha: Tri motra edhe dy vllazën. Motra jeme, Rabija ka qenë prej nxanseve t’para n’gjimnazin e Prizrenit. Ajo në vitin 1941 ka kry Maturën e Madhe, jo t’Voglën, ndërsa une Maturën e Vogël. Te na shkollimi n’atë kohë ka qenë shkolla fillore – katër klasë; deri n’semi-Maturë – katër klasë gjimnazi; pas semimaturës përsëri katër klasë deri në Maturë.

Antigona Qena Kaçaniku: Keni qenë shumë t’pakta femna në atë kohë në shkollë.

Vahide Hoxha: Jo shumë pakta, por neve dy motra edhe nji vajzë, Jëlldëz Gjoni ka qenë, por ajo nuk vazhdoi, në semi-maturë e la. Rabija vazhdoi regjistroi Fakulltetin e Farmacisë në Bolonjë të Italisë. Une vazhdova shkollimin n’Shkodër. Kështu që, u shpërndamë. Herën e parë dulëm prej shpisë, nuk ishte lehtë me dalë prej shpisë. Kur jam kthy atë ditë prej shkollës që kam mrri deri te ajo rruga afër Prizrenit ka qenë krejt me duda. Ajo, diçka nifar mërzije e madhe, herë gëzim e herë mërzi më kapi.

Antigona Qena Kaçaniku: Sa vjet ishit aty?

Vahide Hoxha: Dy vjet, dy vjet.

Antigona Qena Kaçaniku: Dhe ajo ishte shkollë për…?

Vahide Hoxha: Ajo ka qenë… për mësuse. Si shkollë pedagogjike ka qenë. Në Shkodër ka qenë gjimnazi tetë vjeçar. E gjimnazi klasik, shumë i përmendun ai gjimnazi i Shkodrës. Afër gjimnazit ka qenë një objekt, ngjitun gjimnazit, një objekt ku msojshin vetëm femnat. Une kam qenë e vendosun në internatin “Donika Kastrioti” quhej emni. Kemi qenë nja 60 vajza prej krejt Shqiprisë.

Antigona Qena Kaçaniku: A kishte ndonji kosovare tjetër femër?

Vahide Hoxha: Eh prej kosovarëve tjera aty ka qenë Drita Dobroshi. Vajzat e Mitrovicës kanë qenë në Tiranë. Neve… të Prizrenit kemi qenë në Shkodër.

Antigona Qena Kaçaniku: Dhe në Shkodër ishte koha e viteve të para luftës?

Vahide Hoxha: Po n’Shkodër kam qenë në vitin 1942-shin, ‘43-shin. Në ‘43-shin, në Shkodër ka qenë e organizume Lëvizja Anti-Fashishte. Edhe une e Drita i jemi bashku Lëvizjes Anti-Fashiste edhe n’atë shkollën tonë e bamë nji demonstratë t’madhe… jo mas pari e bamë demonstratën në konvikt natën. Knumë kangë patriotike, krejt n’oborr knojshim e karshi [përballë] nesh, policia ka qenë. Kah ora 12 u hapën dyert e hyni policia, na rrethoi edhe na detyroi me hy nëpër dhoma. Neve hymë nëpër dhoma, por vazhdum kangën përsëri, por n’dhomë kemi qenë. Domethanë aty kemi ba demonstratën e parë.

Pastaj demonstratën e dytë krejt shkolla, jo vetëm neve internatistat, por krejt femnat e asaj shkollës që kemi qenë, bamë një demonstratë n’obrrin e shkollës, kërkum që të ndrrohet drejtoresha. Drejtoresha ishte italiane, lypshim neve me qenë nji drejtor shqiptar. E bamë… bukur zhurmë t’madhe bamë neve. Por ajo zhurmë na kushtoi, na mbyllën shkollën, na mbyllën konviktin edhe na qitën jashtë (qeshë). Kështu ishte situata!

Unë u ktheva në Prizren por për me mujtë me vazhdu tashti n’klasën tjetër, asht dashtë diku me u regjistru. Në Prizren nuk kishte, por ka qenë Shkolla Normale këtu në Prishtinë. Edhe erdha në Prishtinë, vazhdova mësimet në Prishtinë. Edhe në Prishtinë s’mujta me nejtë si duket rahat… s’e di çka ishte puna (qeshë). Para se me kry vitin shkollor, drejtori më thirri tha “S’mundesh me nejtë ma tej në shkollë”. Edhe lexun ato deklaratat, nji letër që përjashtohet nga shkolla.

Antigona Qena Kaçaniku: Pse?

Vahide Hoxha: Pasi jam në Lëvizjen Anti-Fashiste. Me t’kallxu t’drejtën Antigona [i drejtohet intervistueses], mu m’ka ardhë keq se u përjashtova andej… s’po muj me kry shkollën. Bukur me frikë kam shku në shpi {ngre supet}. Sado kudo isha frikë mos po m’bërtasin e diçka… Por, si duket e kuptun që s’kanë pasë çka me ba. Nji gjysëvjetor me maturën meta pa e kry të cilën e kryva privatisht pastaj.

Antigona Qena Kaçaniku: Si u njofte me Fadilin?

Vahide Hoxha: Si aktiviste e rinisë anti-fashiste të Prizrenit, masi Prizreni u shliru prej okupatorit gjerman, po e theksoj kështu. Prizreni asht’ liru me 17 nëntor. Me 18 nëntor, Xhavit Nimani m’thirri mu edhe disa shokë tjerë edhe na caktoi që t’shkojmë n’Gjakovë në konferencën e rinisë krahinore të Kosovës, që mahet rinia për krejt Kosovën. Konferenca për krejt Kosovën ku kanë marrë pjesë edhe ata partizanë që kanë qenë edhe neve prej mrapavisë. Neve që kemi punu në mrapavi quheshim “prej mrapavisë”. Edhe shkova në konferencë bashkë me nja katër shokë të Prizrenit- shqiptarë. Por, para se me shku, kur dola në shatërvan une po shof serbët, rinia serbe, femnat e mashkujt e kanë vu ato shajkaqet e serbëve, ushtrisë së tyne. Une kur i pash ça paskan vnu, ej du… do t’nisem për në Gjakovë, shkova qaty… erdh rasisht ka qenë nji qelesh[1], qeleshen që e bante, shkova morra një qeleshe e qita kresë [kokës] edhe u nisa për në Gjakovë. Kështu që me qeleshe e kam nji fotografi që kam dalë në Gjakovë.

Konferenca filloi, fillun përshëndetjet. Në sallë kanë qenë nja 200 vetë aty. Në sallë hyni komandanti, thanë “Po vjen komandanti!” U çumë të gjithë në kamë e shuplakat e të tjera… unë komandantin s’e kam pa. E kam ditë se asht komandant Fadil Hoxha, po kush asht’ nuk e kam ditë. Mas përshëndetjes përsëri vazhdoi rrugën ashtu si ushtar edhe shkoi. Por, organizatorët e rinisë, e konferencës na lajmrunë që do t’mahet nji ballo në mramje për me argëtu ata delegatët e konferencës. Edhe une shkova, u ula me nji shoqe temen asht prej Prizrenit. Kur filloi muzika erdh komandanti, u afru edhe asaj shoqes teme po i thotë “A po lejon qi ta marrë une këtë shoqen tande për me kcy?” Une s’kom ditë me kcy more, s’kom kcy asnjihere (qeshë), rashë në situatë bukur t’vështirë a din. Hajde u çova, por kërkova falje thashë, “Më falni!” edhe kështu, “Më falni se une nuk di me kcy, nuk di!” Ai më tha Fadili, “Po edhe une nuk di bash mirë, mësojmë bashkë” qështu (qeshë)…

Vazhdumë e lujtëm e kcymë, neve çka kcymë, qikjo asht takimi i parë me Fadilin. Ma vonë më ka interesu, qysh mbrrijti ai me ardhë te une, kurrë s’më ka pa hiç asnjihere e tjera… Por, në kryesi ka qenë nji shok Ramdan Vraniqi ka qenë edhe Mita Mirkoviqi. Mita Mirkoviqi ma vonë ka qenë ministër i arsimit, shumë i mirë ka qenë sa i përket asaj a din, se ka turlifar njerëz. Mita Mirkoviqi kishte thanë, “Kqyre Fadil, shko kqyre në mes të delegatëve”, se unë e përshëndeta n’konferencë, hypa atje naltë. I tregova si ka punu rinia antifashiste e femnave në Prizren edhe urova konferencën e qaq. Qaq ishte! Edhe u ktheva. Ai i paska tregu, paska thanë “Kqyre Fadil, se asht nji vajzë aty prej Prizrenit që ka përshëndetë konferencën. Shko kqyre i ka do flokë kaçurrela e tjera, shko kqyre gjeje ku asht”. Ka pytë, asht interesu mandej kush jam edhe qështu dalëngadalë u njofta me to edhe u bashkova, në ‘45-tën për vitin e ri, une erdha në Prishtinë edhe u bashkova. U takova me Fadilin, por nuk nejta, u ktheva përsëri në Prizren deri n’mars punova atje. Jo vetëm n’Prizren, por punova në Suharekë e në Serbisë katundet, e andej e andej. Edhe pastaj u ktheva. Ato kushtet kanë qenë shumë t’vështira, shumë t’vështira.

Antigona Qena Kaçaniku: Dhe tash vjen martesa, ju bashkoheni edhe ku jetoni mas pari n’Prishtinë?

Vahide Hoxha: Unë bashkohem me Fadilin n’mars vitin 1945, po jetojmë në Divizion ku ka qenë ushtria qitu ku asht Muzeumi tashti. Qaty nalt katin e dytë {tregon me dorë} kemi pas një dhomë që shiqonte andej. Nji dhomë e vogël, sa gjysa e qisaj {tregon me dorë dhomën ku gjinden}, si dhomat e zyreve atje qi jonë. Dy kreveta t’hekrit, e do çarshafa t’vjetra, e nji jorgan t’vjetër, nji legen, e nji send për ujë… kantë për ujë – qikjo ka qenë jeta jonë në fillim. N’fund t’majit Shtabi Operativ ka kalu në Pejë, e ka lëshu. Komiteti Krahinor ka metë në Prizren, e Shtabi Operativ ka shku në Pejë, e Prishtinën e kemi lëshu. Deri sa kam qenë në Prishtinë përsëri kam punu’ me rininë, me gra, organizojshim grupe të ndryshme e tjera.

Para se me kalu në Pejë, deri sa kam qenë në Prizren kapërceva pak aktivitetin tim, jo për shkak timin, por për shkak atyne grave të cilat kanë punu. E organizata e grave ka qenë shumë aktive, por situatën e kemi pasë shumë të vështirë. Kërkush nuk do të beson në këtë kohë, prandaj historinë kur shkrunë njeri, duhet me kqyrë edhe kohën edhe situatën se si është.

Ka qenë shumë e vështirë, mungonte, çdo gja ka mungu. Buka mungonte, veshjet mungonte, gjithçka mungonte. Kujdesin ma t’madh kemi pasë dhanë ngritjes kulturore të femrave. Arsimimin mas pari. Fillumë e çelëm grupe antifashiste, kurset antifashiste. Pos kurseve analfabetike nëpër fshatra kemi organizu kurse t’amvisnisë, kurse t’higjienës. Edhe jo vetëm kujdes për fmi, por edhe agitimi që t’çojnë fëmitë n’shkolla, mos t’i lëjnë fëmitë pa shkollë. Nuk besoj që dikush do t’kishte besu’që qajo organizatë e Frontit të Grusë Antifashiste e ka qitë fletushkën e vet, buletinin e vet.

Une e kam numrin e parë t’buletinit, e kam. Po m’vjen keq që s’i kam numrat tjerë. Por numrin e parë t’buletinit e kam, e kur shkrunë për dy femna, njëna ka qenë që ka hekë çarshafin [hixhab] edhe asht’ aktiviste, po tjetra ka qenë mësuse e amvisnisë, ajo ka qenë çika e axhës time. Edhe neve kemi shkrujtë, Antigona po m’vjen keq edhe me thanë kam harru që kisha qenë kryeredaktore e atij buletinit qi s’kam pas lidhje me shtyp, po diqysh e kemi shty. Unë jam shumë e sinqertë, s’muj me zbukuru sendet (qeshë), s’muj me zbukuru gjanat. Por, e kemi revistën, buletinin e grave n’atë kohë! Asht’ viti po m’duket fillimi i ‘46-tës.

Antigona Qena Kaçaniku: N’Prizren çdo gja fillon, edhe radio edhe teatri edhe gazeta…

Vahide Hoxha: Edhe neve femnat e para kemi revistën tonë.

Antigona Qena Kaçaniku: Këto dëshirat e juja që t’filloni dhe të punoni, prej rinisë keni pasë një lloj kësi lloj ambicie, vullneti edhe ideale që femna të jetë më përparimtare, që femna të shprehet më lirshëm. Kjo ju ka vazhdu gjithë jetën m’duket?

Vahide Hoxha: Po, gjithë jetën! Por këtë liri që kam punu unë, une i jam bashku Lëvizjes, prej familjes teme une i jam bashku Lëvizjes, por që t’jemi t’lira e tjera, duhet me ju falemnderu prindëve t’mi – babës i cili na ka mundësu që t’mos veshin çarshafin. Jemi shkollu edhe na ka përcjellë, na ka palu librat, përcjellë në shkollë. Qajo nana jeme edhe me çarshaf që ka qenë, i ka përcjellë fëmitë e vet në shkollë. Ajo nuk ka ditë me shkrujtë, por ka qenë me shpirt përparimtare. Se ky ka kry fakulltetin baba, nuk asht’ problem atij… bile e mara do t’kish me qenë me na pas shti…

Por kanë qenë ajo familja krejt ka qenë përparimtare se edhe motrat e veta, motrat që i ka baba, kanë kry shkollën e mesme Ruzhdisë[2], arabisht e ka kry n’atë kohë. Arabisht se s’ka pas n’atë kohë… por e kanë kry. Kanë dijtë me shkujtë, kanë dijtë me lexu’, lujshin letra, kshtuqi kemi qenë nji familje pak ma e arsimume.

Antigona Qena Kaçaniku: I keni fmitë, Sharrin lindë menjihere mas luftës.

Vahide Hoxha: Sharri lindë në Prizren në 10 dhjetor të ‘45-tës, pa pasë gjanat elementare për fëmi, pa pelena, pa ujë, pa koritë. Por edhe neve në shpi ku kemi banu pos mureve t’shpisë, s’kemi pasë sende por vullneti dhe rinia e ka përballu ato gjana. N’shtator t’46-tës jemi në Prishtinë se kalon… Komiteti Krahinor, qeveria kalon në Prishtinë. Vendosemi përsëri në nji shpi qi e ka gjetë ai Këshilli për vendosjen e nëpunësve e tjera, se kërkush prej tyre s’ka pas shpija. Kërkush, hiç! Krejt proleterë! (qeshë). Kështu që ka qenë një shpi e ulët, nuk ka qenë shpi e keqe, normale. S’kemi pasë kushte, s’kemi pasë as sende tjera por kemi qenë të kënaqur me aq.

Unë vazhdova punën këtu në Konferencën e Grusë Antifashiste, aty vazhdova si anëtare e Sekretariatit, anëtare e Këshillit. N’atë kohë ka qenë Bije Vokshi kryetare. Unë vazhdova aty deri n’vitin 1949. Deri atëhere qikjo organizatë ka qitë edhe nji fletushkë tjetër, “Agimi” quhet, por ate nuk e kam. S’e di ku ka metë “Agimi”. E aty po e di që kam qenë kryeredaktore e “Agimit”, por po m’vjen keq që s’kom asnji kopje edhe me pa barëm çka kom ba. Nojsend çka kam punu (qeshë).

Në ‘49-tën Fadili shkoi në Shkollën e Naltë Politike në Beograd. Une iu bashkova atij edhe u bashkëvendosëm edhe regjistrova une qat’ Shkollën Pedagogjike, dy vjet. Dy vjet me shpresë që e kryj edhe kthehemi s’bashku përsëri. Sharrin e vendosa në një çerdhe atje n’Beograd, Fadili shkonte në punë edhe aty kam hjekë mjaft. Djali i vogël e çojsha në çerdhe, Beogradi nuk asht afër si Prishtina. Në një anë çerdhja, n’anën tjetër ajo Shkolla e Naltë Pedagogjike. Nejse une e kryva, me kohë e kryva shkollën, mirëpo me shpresë që po kthehemi, por Fadilin e nalën edhe katër vjet n’Beograd. Une regjistrova Fakultetin edhe e kryva.

Antigona Qena Kaçaniku: E historisë?

Vahide Hoxha: E historisë. Lindi Lulja, lindi në Beograd. Më lindi edhe Leka në Beograd. Aktivitetin shoqnor nuk kam ndërpre, hiç! Por pesë vjet nuk punova, pas pesë vjetëve e pash që duhet me hy në punë. Jo vetëm që s’kisha dëshirë me nejtë në shpi, por ishte edhe çashtje materiale ishte. Neve t’ardhuna tjera s’kemi pasë, as shpi s’kemi pasë, as dyqan s’kemi pasë, as tokë s’kemi pasë, asnji sen’ s’kemi pasë, por kemi qëndru shumë mirë, edhe po m’vjen mirë që e kemi kalu nji jetë shumë t’mirë në harmoni me Fadilin me fëmitë.

Antigona Qena Kaçaniku: I kam hallat që kanë qenë në Normale dhe ju mbajnë n’mend si profesoreshë dhe me shumë respekt dhe dashuni.

Vahide Hoxha: N’Shkollë Normale diçka shumë mirë më kanë pranu ata nxanësit, s’e di pse kaq shumë (buzëqeshë).

Antigona Qena Kaçaniku: Ke qenë ma e afërt me ta?

Vahide Hoxha: E afërt kam qenë me ta, asht e vërtetë. Jam përpjekë me i ndihmu, nji pjesë t’fëmive, jo nji pjesë… pjesa ma e madhe kanë qenë prej fshatrave edhe ekonomikisht dobët kanë qenë. Kanë pas internatin, janë ushqy atje. Nuk ka qenë keq për ta, por unë kur i shifsha diçka m’u dhimbshin shumë. Disa nxanës kanë pas mirë, kanë qenë t’kontrollume nga ana e OZNAs[3] kanë qenë njerëz t’caktum që kanë përcjellë nxanësit si po veprojnë. Bash në atë klasë ku kam qenë une kujdestare e klasës, kanë qenë nja dy vetë të cilët shpesh janë marrë në biseda e tjera, edhe janë maltretu. Jam angazhu me i ndihmu, normalisht unë vetë s’kam mujtë, nëpërmjet Fadilit jam angazhu, me intervenu që t’mos sillen qashtu. N’qat mënyrë jam përpjekë me i ndihmu. Prandej, noshta edhe i kom lonë noj përshtypje t’mirë atyre nxanësave.

Antigona Qena Kaçaniku: Mandej fillon Prishtina të lulëzojë kultura, shkollimi, rinia…

Vahide Hoxha: Ah, po qysh jo…

Antigona Qena Kaçaniku: Unë kam qenë nji kohë bukur t’gjatë, kryetare e Bashkësisë së Kulturës. Bashkësia e Kulturës në nji periudhë ‘70-shin, ‘72-shin, ‘73-shin, buxheti i Kosovës ka pasë të holla pak ma shumë se sa… Se përqindja për vendet e pazhvillume u rritë pak ma tepër, edhe për kulturë e ndanë ma shumë. Muj me t’thanë qat’ periudhë bashkë me qata shokë që kemi punu bashkë, n’atë periudhë janë vu temelet dhe janë ndërtu biblioteka, arhivi, shpija e kulturës në Serbicë, shpija e kulturës në Pejë, në Gjakovë, në Kaçanik, n’Podujevë dhe shpitë e fizkulturës në këto vende janë ndërtu n’qat’ periudhë. Nuk kemi mrri me ndërtu n’Prizren për shembull, shpijën e kulturës, qi ka metë hala ashtu se nuk kanë qenë aktiv me gjetë trollin se ku me ndërtu, s’ka qenë puna e pareve. Nuk ka qenë puna e angazhimit tonë, jemi angazhu. Nuk kemi mujtë me ndërtu Operën në Prishtinë, gjithashtu ka qenë puna e trollit. Në këtë periudhë edhe botimi i librave ka qenë ma i madh. Asht ndërtu… unë harrova me cekë, asht ndërtu edhe Qendra e Filmit n’atë periudhë, Qendra e Filmit, edhe kemi pasë bukur do filma t’mira, me artistë t’mirë. Sa i përket asaj kohe, çdo shfaqje teatrale që ka dhanë Teatri Krahinor, s’kemi lanë, kur kemi qëllu këtu normalisht edhe kemi pak mundësi.

Kolegiumi Kantorini, kori asht zhvillu. Kemi pasë korin të mrekullushëm, pastaj kemi pasë edhe Akordet. E ato Akordet kanë qenë në nivel mjaft të naltë. Unë nuk e di pse nuk e vazhdun ato Akordet edhe shpesh po përpiqen disa objekteve me i dhanë fillimin e punës prej kësaj periudhe qi po hupin historinë e vetë. Hupe historinë, hupe jetën, hupe atë vehten e hupe, qytetnimin e hupe, zhvillimin kulturor tandin e hupe.

Antigona Qena Kaçaniku: Ju jeni edhe n’këtë kohë shumë aktive?

Vahide Hoxha: Po Antigona, kam vu detyrë prej fillimit noshta që nëse mes në shpi vetëm t’pastroj, e të fshij pluhnat, e të zij, të cilat punë po i boj edhe tashti, kërkush tjetër nuk m’i ban. Përpos ktyne punëve t’shpisë, i kam vu detyrë vetes qi po nejta në shpi, une ndryshkem. Sidomos masi vdiq Fadili unë nuk kam mujt me leju vetes, megjithëse atë e kam përpara gjithmonë. A natë, a ditë, a gjum a pagjum e kam, por kam dashtë pakëz me e ndërru situatën, mos t’mendoj vetëm në të dhe t’mos mendoj në fëmitë, ku janë e tek janë e tjera.

Unë fillova me vizatu edhe deri sa ka qenë gjallë Fadili, po s’e di edhe pse kam fillu’me t’kallëzu t’drejtën s’di. Veç e kam marrë do lapsa, do sende, do ngjyra edhe fillova andej këndej e pashë që diçka po shkon mirë edhe fillova. Më këshillonte Fadili, “Po mos e lodh veten, po lodhesh! S’e di a ka me t’dalë diçka mirë, a jo” (qeshë). Kurgja… unë e bana ekspozitën e parë edhe i kam fotografitë prej ekspozitës t’parë edhe inçizimin, edhe Fadili aty, edhe Ramiz Kelmendi pat qenë. Edhe do fjalë të mira Ramiz Kelmendi…

Kështu fillova une, dalë ngadalë bana nji ekspozitë këtu në Prishtinë. Pastaj bana nji ekspozitë kur qe dy vjetori i Fadilit i vdekjes në Gjakovë. Une shënova me ekspozitën time dy vjetorin e vdekjes së tij. Prej Gjakovës, e bana ekspozitën në Prizren, deshta në Prizren Hamamin me shfrytëzu. E kjo e treta edhe këtu nji në Bibliotekë aty; edhe nji vjet, a kur e pata, në Institutin Albanologjik, kështu që sa për mu, boll! Pikturat i kam shpërnda, e nipat edhe mesat secili e ka zgjedhë atë që po i pëlqen. Kshtu që kam vendosë atyne me ju dhanë shumicën. Jam kryetare e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kjo asht shoqatë e luftëtarëve të Luftës së Dytë Botnore, aty jam kryetare edhe angazhimi i jonë është qi t’mbrojmë vlerat nga Lufta Nacional-Çlirimtare.

Neve kemi ba bukur do punë, e kemi qitë disa libra, kemi organizu tubimet përkujtimore me rastin e vjetorit të këtyne udhëheqësave që janë. Kshtu që jemi angazhu për përmendoret nga Lufta e Dytë Botnore, megjithëse përmendoret po na i rënojnë, po i rrëzojnë edhe… Gjashtë vjet kemi punu, vetë kemi pagu kafet, vetë kemi pagu telefonin. Edhe mundesh me marrë me mend pensionet tona sa janë, por nuk kemi dashtë me u dorëzu. Jo Vahidja vetëm jo, bashkë me shokët aty që jonë… luftëtarëve, nuk kemi dashtë me u dorëzu edhe vazhdojmë edhe ma tutje sa t’mundemi. Sa jemi gjallë neve, secili prej nesh… ma i vjetri i ka 89 vjet (qeshë). Une 86 vjet, ai tjetri 84, kështu qi jemi n’moshë që çdo ditë presim që… {lëvizë duart}.

Antigona Qena Kaçaniku: Më lejoni që s’paku këtë emision t’vogël të ju falem’nderoj për guximin, për vullnetin, idealet e një femne e cila i ka kalu edhe t’mirat edhe t’kqijat, po ka frymu në këtë vend në këtë nënqiell. Ju falemnderit që keni qenë dhe jeni!

Vahide Hoxha: Nuk di a ka mujtë me dhanë qato kryesoret që asht dashtë me spjegu, por qaq sa mujta!

Antigona Qena Kaçaniku: Falem’nderit shumë.

Rrëfimi është i sinqertë, modest, njerëzor – ashtu çfarë është edhe kjo zonjë që ndonëse në moshë të shtyer, ende ka forcën e e zemrën e një vajze të re përplot mirësi e dëshirë që i jep krahë të vërtetës, të drejtës, të ardhmes.

U ndamë nga zonja Vahide dhe të vetëdijshëm që nuk mujmë t’i shpalojmë të gjitha fletët e një libri jetësor. Historiane me profesion u bë vetë historia e cila një ditë me siguri do të shkruhet ashtu siç e meriton e vërteta – pa zbukurime dhe pa njolla e lëndime.


[1] Kapelë, kësulë e bardhë tradicionale e punuar prej leshit, që dallon prej rajonit në rajon.

[2] E intervistuara e ka fjalën për shkollën e mesme Ryzhdije (rüshdiye)– shkollë e mesme fetare e cila u hap në vitin 1874 në Prizren.

[3] Titulli i plotë në serbisht Odjeljenje za zaštitu naroda, apo në shqip Njësia për mbrojtjen e kombit – shërbim jugosllav i sigurimit. OZNA ishte sikur çfarëdo organizatë tjetër e sigurimit e shteteve socialiste të themeluara për të shpiunuar popullatën duke përdore një rrjet informantësh dhe duke luftuar çfarëdo opozite me mjete të hapura dhe të fshehta.

Download PDF