Një mëngjes të hershëm me 30 Gusht 2014, zhurma e makinerive të punësuara, trazuan qetësinë dhe heshtjen e qytetarëve të posazgjuar të Gjakovës. “Çfarë po ndodhë?” pyetën ata, duke vrapuar jashtë shtëpive të tyre për të parë se ç’po ndodhte. Për çudi, shtëpia e Sylejman Beg Kryeziut, në qendër të qytetit, ishte duke u rrënuar, pa asnjë paralajmërim ose spjegim.
Përse kjo shtëpi është aq e rëndësishme që Komuna e Gjakovës duhet ta rrënojë, për ta ndërtuar një park në qytet? “Kjo shtëpi nuk i takon askujt, nuk ka asnjë përdorim dhe asnjë qellim,” thanë zyrtarët e pushtetit të ri demokratik të Gjakovës përmes rrjetit social. “S’ka askush që ta deklarojë këtë pronësi,” thanë ata.
Mirëpo, kjo shtëpi e ka një histori të gjatë. Qëndroj aty për gjenerata të tëra si një galeri e shpirtërave të heshtur, duke dëshmuar padrejtësi, e padrejtësi të drejtuara ndaj familjes Kryeziu dhe popullit të Gjakovës. Kjo shtëpi i takonte gjyshit tim Sylejman Beg Kryeziut.
Sylejman Beg Kryeziu ishte i vetmi djalë i stërgjyshit tim Myrteza Beg Jakova Kryeziut. I lindur në Gjakovë me 1893 dhe vdiq me 1961 në qytetin Izmir të Turqisë. Kush ishte gjyshi im të cilin unë kurrë nuk e takova?
Ai i takonte njërës nga familjet më patriotike të cilët ishin të inkuardruar në çështjen e pavarësisë së popullit shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri. Unë vetëm mund të rrefej ca tregime që i kam dëgjuar nga nana ime dhe tezet e mija për njeriun me zemër luani, për butësinë dhe bujarinë e njeriut modest. Ashtu siç e përshkruan nëna ime, ai posedonte kualitete të papara deri atëhere. Ai i ndihmonte të rrinjtë që të edukoheshin; ju ofronte ndihma atyre që kishin nevojë; krijonte punësim për ata që kërkonin; i përkrahte mësuesit dhe kishte një vizion të madh për lirinë, ku të gjithë njerëzit jetonin në bashkësi, unitet, paqe dhe harmoni, ku të gjitha kërkesat janë të plotësuara.
“Ishte shum i pashëm,” thoshte nëna ime, “kur ai ecte në rrugë i përshëndeste të gjithë, dhe dukej sikur mbret.” Ajo e kujton se si ai u martua me gjyshën time, “Ajo ishte vetëm 15 vjeç. Ishte e rritur nga halla, pasi i kishte vdekur nëna. Asaj i’a kishin rekomenduar babain tim, dhe ai, i veshur mirë, kaloi kah shtëpia e saj duke e mbajtur një lule në dorë. Ajo e shikoi nga dritarja dhe duke e parë sa i pashëm që ishte, vendosi të martohej me të. Kur asaj i vdiq halla, ajo e trashëgoi të gjithë pasurinë e saj. Ata ishin të pasur”.
Sylejman Beg Kryeziu, ishte kryetar i Gjakovës dhe deputet në Parlamentin e Mbretërisë jugosllave nga viti 1925 deri me 1941. Me 1937 ishte nënkryetar i pushtetit administrues regjional të Shkupit në Maqedoni. Ndërsa, nga viti 1941 deri me 1943, ishte vetëm kryetar i Gjakovës. Ai ishte kryetar i Gjakovës për 18 vite me radhë, por asnjë dokumentacion nuk mund të gjindet askund për shërbimin e tij. Si mundet kjo histori të zhduket?
Policia e konsideronte Sylejman Beg Kryeziun të rrezikshëm, ata e konsideronin atë si agjent italian, pa marë parasysh, që ai ishte deputet i Parlamentit të Mbretërise Jugosllave. Më vonë udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë menduan se babgjyshi im kishte lidhje me rebelet të quajtur “Ballistat” [Balli Kombëtar].
Duke e marë parasysh këtë çështje, komandanti i Divizionit për Lëvizjen Nacional Çlirimtare, propozoi që të gjithë udhëheqësit, drejtorët, kryetarët shqiptarë të hiqen nga pozitat e larta dhe të zëvendësohen me nacionalistët e besueshëm serbë. Pra, pas luftës, filloi procesi i spastrimit të Shqiptarëve. Edhe pse fashistet italianë kishin okupuar Gjakovën, në atë kohe ishte gati në mode që udhëheqësit e rankut të lartë të ishin bashkëpuntorë me okupuesit. Gjyshi im nuk ishte agjent i askujt, ai e mbronte komunën dhe popullin e tij.
Në çdo takim me autoritetet okupuese italiane gjyshi im vishej me tesha kombëtare, vetëm pse dëshironte të theksonte identitetin e tij kombëtar gjersa ishte duke i shqyrtuar urdhërat e okupuesve për ta mbrojtur popullin e vetë.
Me 1944, pasi që italianët e lëshuan Gjakovën, erdhën nazistët gjermanë. Më kujtohet tregimi nga qarqet familjare, “Një natë të gjithë ishim të ulur brenda në shtëpi, dyert e drurit ishin të mbyllura. Baba nuk ishte në shtëpi atë mbrëmje kur u dëgjua një trokitje në derë. Kur nëna shkoi për ta hapë derën, policia naziste SS, e udhëhequr nga Xhafer Deva [Një bashkëpunëtor i nazistëve] hyri brenda, duke e kërkuar babain tim. Ata kërkuan çdo vend, poshtë dhe lartë, gjersa buka ishte duke u pjekur në saq jashtë në kopsht. Nje mace e frikësuar kërceu mbi saq dhe policia u kthye dhe e vrau macën. Ne femijët ishim shumë të frikësuar.”
Gjersa unë e shkruaj këtë tregim nëna ime thotë, “ata vinin shpesh naten duke kërkuar diçka. Neve na rreshtonin përballë murit dhe i drejtonin armët kah ne. Mua me dridheshin këmbët. Ata zakonisht vrisnin gjatë ditëve të pazarit. I varnin njerëzit qe ti shihnin të tjerët, vetëm e vetëm për të na frikësuar.”
Një kujtim tjetër është që një ditë agjentët nazistë, në krye me Xhafer Devën, u kthyen në shtëpinë e gjyshit tim dhe e pyetën atë, “na trego se cilët janë komunistët në qytetin tënd? Na i jep emrat e tyre?” “Ne nuk kemi komunistë në qytetin tonë,” ishte përgjegja e gjyshit. Ata i thanë atij më mirë të mendoj dy herë para se ta refuzonte bashkëpunimin, sepse mund t’i kushtonte me jetë. Dhe pastaj shkuan. Kur u kthye në shtëpi gjyshja e kishte pyetur “Çka ndodhi?” Ai i kishte thënë asaj se çka i kishin thënë gjermanët dhe çfarë qe përgjegjja e tij. “Oh Zot, çfarë paske bërë?” kishte thënë ajo. “Ata do të të persekutojnë.” “Si mund t’ua jap emrat e tyre kur gati e gjithë rinia është kundër okupimit, ata as nuk e dijnë domethënien e komunizmit, t’i dorëzoj ata do të thotë t’i dorëzoj fëmijët e mi”, ishte përgjegjur ai.
Dajët e mi e kishin një makinë shkrimi të miqve të tyre që e përdornin për të shtypur pamflete kundër okupimit. Gjyshja ime, Emine Polloshka Kryeziu, e kishte marrë atë makinë gjatë një nate kur të gjithë ishin duke fjetur, e kishte hapur një gropë në fushë, e kishte futur aty makinën dhe e kishte mbuluar me pleh të shtazëve.
Ditën tjetër, kur Policia SS Gjermane u kthye për ta bastisur shtëpinë dhe pyetën për makinë, gjyshja u përgjigj, “Ne s’kemi asnjë makinë shkrimi, fëmijët e kanë futur në dhe, ka kohë.” Policia pastaj kërkoi nga ajo t’iu tregoj vendin se ku e kishin futur makinën e shkrimit. Ajo i solli tek vendi në fushë dhe ata filluan të groponin për ta zbuluar makinën e shkrimit. Gjyshja tregonte, “I gjithë trupi më dridhej nga frika sepse, nëse do ta gjenin, ata do ta vrisnin tërë familjen time. Por çka gjetën ata ishte një makinë e vjetër, e ndryshkur që ishte shkatërruar brenda natës.” Ata e kishin lënë atë atje dhe nuk kishin arritur të gjejnë atë çfarë kërkonin.