Dafina Beqiri: Zonja Remzije a keni mundësi me na tregu diҫka rreth fëmijërisë tuaj?
Remzije Dauti: Po si jo, unë kam lindë në Mitrovicë, familja e prindërve të mi ka qenë shumë e madhe. Babgjyshi im ulqinak ka qenë, prej Ulqinit është transferu për Gjakovë si beqar, edhe në Gjakovë është martu me gjyshen time familjes Mala. Prej atje ka lind baba im edhe axha. Masandej kanë ardhë në Mitrovicë si tregtarë kanë çelë dyqanet e veta, kanë lind edhe tre axhat e tjerë, baba im ka pas dyqanin për mish që kanë shitë. Axha tjetër mas babës ka qenë tregtar i lëkurës po është vra në Kollashin për shkak të hollave me ja marrë. Axha i tretë ka qenë këpucëtar. Axha i katërt i ka ndihmu babës në dyqan. E i pesti ka qenë i okupum prej gjermanëve në internim CSS.
Kështu familje e thjeshtë, punëtore, prindë e mi… babai im edhe nana kanë qenë analfabetë me një fjalë po kanë qenë shumë përparimtarë. Familja e nanës sime janë të ardhun prej Gjakovës në Mitrovicë njësoj si baba. Familja e nanës familje shumë e madhe familja Dajҫi, kur kanë ardhë në Mitrovicë edhe ata tregtarë familje kështu me renome edhe intelektualë, po edhe me tregti jonë marrë. E mas luftës së Serbisë, masi u kry lufta e Serbisë kur ka qenë, meshkujt e familjes Dajҫi me gra e me fëmijët e tyre janë shpërngulë prej dhunës në Shqipni. E vajza, gjashtë vajza kanë qenë të martume, nana ime me tezen edhe katër çikat e axhës jonë rritë me një familje. Jonë mbetë për shkak se kanë qenë të martume, të gjitha kanë pas ka pesë-gjashtë fëmijë e s’kanë mujt me bo ballë me i lonë fëmijët për me shku në Shipni me prindë, po kanë mbetë me jetu në Kosovë, po mendoj në Mitrovicë. Mirë na fëmijët jemi rritë, kushtet i kemi pas normale po prindë tonë edhe sidomos nana jonë edhe tezja këto çikat e axhëve, kanë qenë shumë shumë përparimtare. Analfabete kanë qenë përveç ҫikës tezes edhe një ilake [kushërirë] tjetër, ato e kanë kry shkollën gjuhën serbishte, u dalloshin që dishin me lexu. Neve na konvenojke ajo biseda e tyre, po serbisht kanë mësu.
Edhe qe kështu gratë në Mitrovicë kanë qenë shumë të lira, jonë dallu prej krejt Kosovës për shkak se kushtet kanë qenë shumë të mira. Trepça ka punu, tregtia ka qenë e gjallë edhe qe kështu, kur jonë kushtet ekonomike edhe njerëzit jon ma të butë, nuk bëjnë dallime kush je, tek je, na jemi rritë në Mitrovicë s’kemi bo dallime. Kanë qenë turqit me ne në një rrugë, boshnjakët, serbët, të gjithë kemi lujtë s’bashku. Unë jom rritë në mahallë të boshnjakëve, mahalla e boshnjakëve ka qenë shumë, shumë e mirë, ndër rrugët ma të mira ka qenë rruga jonë, se si e ke kalu urën, djathtas xhamia, përballë xhamisë dy shpijat e Isë Boletinit, po mendoj prindërve të Isë Boletinit. Edhe teposhtë masanej pak ma poshtë edhe shpija jonë ka qenë.
Djathtas ka qenë lumi, lumi o kon Ibri shumë shumë i mushun me ujë, qaq shumë ka pas ujë saqë na fëmijët nonstop kemi lujtë, jemi la, edhe jemi rritë në lum, për ata edhe krejt Mitrovica femrat kanë ditë me notu se jonë kon edhe të lira, se në atë kohë prind si kanë lënë të gjithë mu la sidomos femra. E Ibri ka qenë shumë, shumë për ne interesant, jo që jemi la po ura e Ibrit që është ka veriu ka qenë fabrika e Devave, e Xhafer Devës fabrika. E aty jonë mbledhë drujtë e Kollashinit që i kanë pre drujtë e mëdhenj për me bo dërrasa, jonë mbledhë se ka qenë e ndame për fabrikën. E përfundi urës drujtë shumë, shumë të trashë, diametri ka qenë po ja dy metra a tri, një metër, dy metër, tri metër, varet qysh i kanë pre drujtë, edhe lumi qaq i madh u kon saqë drujtë kanë shku edhe poshtë.
E poshtë ka qenë te treni e ndame për m’u mbledhë prapë aty drujt, e atje poshtë ka qenë e një serbit fabrika e dërrasave. Ai serbi u thirr Zharkoviҫ, edhe na nonstop jemi la, ato ballavna ju thoshim përpara atyre drujve kur vishin drujtë na shkojshim u lajshim, kcejshim si kitrat. Unë për veti dy-tre fëmijë i kom shpëtu se jonë hi ndër druj edhe të vegjël i kom kapë edhe i kom nxjerrë përsipër, qaq shpejt kemi ngajtë nepër… që sot m’i pa dikush s’mundet me mendu sa shpejt. Kur i tregojsha nipave të mi se e shifshim atje kur shkojshim nëpër detna, nëpër eksurzion, ju treojsha rastin u hutofshin nipat e mi.
Qe kështu kemi qenë shumë të lira, edhe gratë në atë kohë ndoshta veç në Prizren kom ndi që kanë qenë grat kështu për me dalë edhe për me shëtitë. Në Mitrovicë krejt gratë kanë qenë të lira, paradite jon dalë n’sabah qefi thoshim përpara në mëngjes m’u taku. Si tash që po takohem në mëngjes me pi kafe, atëherë nëpër shpija jonë taku, po ma shumë natyrën e kanë shfrytëzu se e kemi pas te ura shumë të mirë vendin, teatri tash, edhe poshtë i thoshim dudi kerrsh, Sitnica. Ka qenë një mulli aty, shumë, shumë vend i mirë u kon. Edhe në atë fushën ka qenë tenisi i anglezëve, lujshin me tenis, edhe një kru i bukur ka qenë nuk e di a o’ tash na shkojshim fëmijët edhe pishim ujë, se uji u kon shumë i shëndosh u kënaqshim t’u këqyr t’u lujtë tenis femrat angleze në atë kohë.
Kemi pas njëfarë kulture diçka e veçantë u kon për femrat e Mitrovicës për shkak se edhe kjo ka ndiku, se treni prej Greqisë transballkanike i thoshin për Beograd e Vienë e vazhdojke, edhe ajo e ka bo të veten. Kur dojshim me ble diçka se atëherë s’ka pas mas luftës nuk ka pas sene m’u veshë mirë, edhe ushqimi nuk ka qenë bash qaq i mirë. Edhe qe kështu na disa shoqe u mbledhshim pa kurfar droje hypshim në tren edhe shkojshim për Beograd. Blejshim m’u veshë, blejshim këpuca, besa e blejshim edhe ka një revistë se na interesojke revista për me punu punë dore, xhemperët m’i thurrë. Atje gjojshim, e te na n’Prishtinë, po mendoj n’Kosovë s’ka pas, atëherë veç serbisht se shqip mas shlirimit… Po mendoj masi që hini gjemani, atëherë ja nisi shkolla në gjuhën shqipe edhe iniciator ka qenë një e ka pas emrin Bedri Gjina, shumë u kon patriot i mirë, ai u kon… për ne nuk ka pas njeri ma i shejtë se ai. Unë kam qenë e vogël në atë kohë s’kom shku në shkollë po e mbaj në mend pak, kur u bojshin festat hera e parë pa shku në shkollë e kom pa flamurin 28 nëntori kur ka qenë.
Qe kështu fëmijnia ime ka qenë shumë, shumë e lumtun, që kemi qenë të lira, edhe masi që kom nisë me shku në shkollë, shkolla mas katër-pesë vjete në kohën e Gjermanisë, masanej në kohën e partizanëve si u shliru.. unë klasën e parë fillova, vazhdova, qe kështu a din… Ka qenë shkolla shumë e vogël ende është shkolla e muzikës i thojnë “te pijaca”, shumë, shumë shkollë e vogël po nxansat kemi qenë jo me gjenerata, po simbas fëmijëve, qysh i kanë mbledhë fëmijët qashtu jonë ardhë në shkollë, edhe 14 vjeç, shtatë vjeç, pesë vjeç, qysh i kanë mbledhë se s’ka pas atëherë fëmijë qaq shumë, po qëllimi për me ardhë në shkollë mos m’i lon analfabeta fëmijët. Arsimtarët kanë qenë tepër të mirë. Qaq të lumtun kemi qenë kur shkojshim në shkollë, po kurfarë kushte, kushte mizerie, po na që prej atij vullneti që po shkojmë në shkollë na u duke që po fluturojmë. Masanej profestorat u angazhoshin me ne. Mirë, na atëherë ka qenë shtatëvjeçare masi e kryen shtatëvjeçaren atëherë u përcaktum ku me shku. Disa shoqet e mija në gjimnaz shkun, unë me disa shoqe të mija shkuam në Normale ’52-shin në Gjakovë, neve na ka qu Komiteti se s’ka pas arsimtarë.
Shkolla ka qenë shtatë vjeçare edhe masi që e kemi kry shkollën, jemi përcaktu. Disa kanë metë në gjimnaz në Mitrovicë, e disa kanë… unë me dy-tri shoqe e mija kemi shku në Gjakovë. N’Gjakovë na ka qu arsimi, jemi pagu për dy vjet m’i kry, n’ven që m’i kry katër vjet, dy vjet e kemi kry edhe ata shkum me vendim, rrogën e kemi pas për dy vjet. E masi që u kry Normalja Komiteti këtu të ka caktu, ti je dashtë me punu. E qe fati jem në Mitrovicë kam punu në shkollën “Meto Bajraktari”, aty ka qenë shumë drejtor i mirë Eshref Kadiu, njeri ma punëtor as që ekziston me pas. Ai ka qenë i Shqipnisë po ka qenë punëtor i mirë. Na qaq e kemi respektu ata sa nuk muj me mendu që tash mundet dikush m’u respektu si na që e kemi respektu drejtorin. Atëherë kanë qenë këta arsimtarët tonë gati krejt me fakultet në atë shkollë ku kam punu në “Meto Bajraktari” edhe kur u mbledhshim në pushim ka qenë stufa, rreth stufës u mbledhshim me kitare disa arsimtarë këndojshim gjatë pushimit, edhe kur vinte koha e zilit u dufshim ama me minut me shku nëpër klasa. Njëherë na ka ndodh njena po na tregon një ngjarje, edhe na jemi mbetë te dera t’u e ndigju, u ardhë drejtori e ka çelë derën edhe veç njëherë na ka kqyrë, veç na ka bo njiherë “Shka jeni t’u bo?” Jemi mpi, prej asaj kohe kurrë nuk ka ndodhë na m’u vonu kurrë, kur ka bo zili na kemi qenë në klasë, ajo ka qenë rregull.
Edhe qashtu… Na kemi punu shumë, kurrë nuk u caktu na me qenë ton ditën, po mendoj, kohën e caktume dy orë, katër orë, qysh osht’ orari i punës, na jemi shku mëngjes prej tetë-ve deri n’mramje kemi nejtë në shkollë, se jemi duftë me punu edhe vullunter [vullnetarë] për shkak festave u dufshim na vetë. Prej letrave që kanë qenë ato rollne ato letrat e buta ju kemi kepë fustanat, ju kemi bo kunorat, i veshim fëmijët qaq bukur me lule. U bojke karnavali, e në karnaval atëherë s’kishim qysh po me kerre-me kuaj, edhe i hipshim nxënësit, na me nxënësit edhe nëpër qytet, u bojke karnavali shumë shumë i mirë, interesant për n’atë kohë shumë, shumë ka qenë mirë.
Po du me thanë kemi punu shumë edhe kurrë s’jemi lodhë edhe kurrë s’jemi anku. Ka ndodhë ndoshta edhe s’kanë pas shkolla pare na s’kemi reagu, kur kanë ardhë të hollat kemi marrë kur s’kanë ardhë… edhe plus tjetër shkollën “Meto Bajraktari” atëherë ushqimi ka qenë masi po mendoj luftës, s’ka pas ushqim të mirë, po Amerika e qojke qumështin edhe vetë [vezët] pluhën. Edhe në shkollë e kemi pas kuzhinën, shkojshim me punu, ishin dy veta që e dhezshin zjarrin, e vlojshim qumështin, e na simbas klasës me kujdestaru m’i qu nxanësit poshtë, e kom dikun fotografinë, me mëngjes me hongër fëmijët, qe kështu me rend kanë hongër fëmijët, kanë qenë të ngitë. Edhe normal ka qenë, krejt ajo kanë vazhdu.
Unë për veti katër vjet m’ka ra me punu në atë shkollë e masanej, masi që kom punu në atë shkollë jom martu, prej qytetit kom shku në Staritërg me jetu se Rasimi burri im ka qenë edhe ai arsimtar në Trepçë ka punu. Neve na dhanë banesën atje edhe atje shkum, u martum. Kemi jetu mirë, i kemi lind dy vajza, besa vajzat me ne kanë krye shkollat, kanë qenë nxënëse të mira. Edhe masi që e kanë kry tetë vjeçaren aty jon dashtë prej Staritërgut me ardhë në Mitrovicë, e prej Mitrovicës me shku në Sveҫan, me kry shkollën e mesme me dy autobusa. Nuk e kanë pas lehtë, po u duftë, i kemi detyru fëmijët duhet me mësu pa marë parasysh çfarë kushte ki. Edhe qashtu e kanë krye shkollën e mesme, masi që e kanë kry shkollën e mesme na e kemi ndërtu një shtëpi në Mitrovicë, e atë shtëpi masnej e shitëm për me ardhë këtu në banesë.
Erdhëm në banesë për shkak të vajzave në fakultet. Fakultetin e krynë të dyja, fakultetin shqip dhe letërsi e kanë kry, edhe mirë studente të mira kanë qenë, masanej jonë punësu. Afërdita ka punu me dhondrrin tonë, edhe Rasimi burri im ka punu në elektran. Mas nji kohe masanej, qe fati ka qenë Afërditës i erdh burri këtu me punu prej Amerikës vullentar për fëmijët e vegjël, me i dhanë vaksina, ai mjek është. Jonë taku qashtu, fati që ka deshtë u martun, shkun në Amerikë. Po fati jonë që ata shkun në Amerikë se ka qenë situata shumë e vështirë këtu me jetu na dy pensionera. Masanej Dita na ka tërheqë në Amerikë, e kjo Ilirja e Fatos Shitës ajo ka jetu këtu në Prishtinë. Na dimrit shkojshim atje se në Teksas s’ka dimën, ka vetëm shumë pak, mundet me qenë tri-katër ditë, një javë minus, dy minus, tre, jo ma tepër. Edhe qe kështu dimrit shkojshim atje, gjashtë muaj verës këtu, gjashtë muaj Ilirja ish këtu me dy fëmijët, qe kështu edhe Ilirës i ndihmojshim, edhe dimrit te Dita shkojshim. Qe kështu shumë mirë e kemi pas relacionin Amerikë-Prishtinë, edhe qashtu na ka kalu kjo pleqnia shumë lehtë. (Qeshë)
Dafina Beqiri: A mundeni me na tregu sa fëmijë keni qenë saktësisht në familje?
Remzije Dauti: Na në familje kemi qenë shtatë vajza edhe vëllau, vëllau ka qenë i pesti, mas vëllaut edhe dy vajza, shtatë e vajza e një vëlla. (Buzëqeshë)
Dafina Beqiri: Si ka qenë mardhënia mes motrave e vëllezërve?
Remzije Dauti: Na qaq mirë jemi pajtu njëra me tjetrën sa kurrë kurrë nuk e di që ja kemi thënë një fjalë, një ofendim, se le mo diçka tjetër. Edhe fëmijët tonë, secila prej neve i kemi pas ka tre fëmijë, fëmijët tonë nonstop kanë qenë bashkë. Na në çdo pushim jemi shku bashkë, qe kështu edhe fëmijët tonë janë rritë njësoj si na që jemi rritë bashkë. S’kemi pas kurrë problem me fëmijë me thanë po rrehen a po ofendohen a ndërmjet veti, kurgjo, kurgjo hiç. Na kemi qenë familje s’po di qysh me thonë. Si tash intelektualët që shumë kujdesen për fëmijë, qashtu nana jonë ka qenë e zoja për ne, shumë, shumë ka qenë e kujdesshme. Ka ditë me qepë, neve na ka qepë fustanat, ka ditë me punu punëdore, tentenet këto minderave përpara shumë të mira i ka bo, i ka rregullu me perde me krejt tenetenet sa të mira i bojke punëdore.
Qe kështu nuk po di si me u shprehë, mirë na s’kemi pas problem as ndërmjet veti motrat as fëmijët tonë, edhe fëmijët tonë janë shkollu të gjithë. Fëmijët e fëmijëve tonë që pe kryejnë fakultetin, nuk kemi stagnu, vetëm kanë përparu fëmijët tonë. Na mësues kemi qenë, fëmijët tonë me fakultet, nipat tonë edhe ma shumë po kryejnë se vajzat tona.
Dafina Beqiri: A mundesh me na tregu rreth veshjes ju si motra, a keni pas ju mundësi me zgjedh veshjet e juja?
Remzije Dauti: E për rreth veshjes edhe kjo interesant është, përpara nuk ka pas si tash material me me metër ble. Po Kryqi i Kuq i binte ndihmat prej Amerikës, edhe kush ka ditë e me u gjet ka shku te Kryqi i Kuq ose nëpër dyqane i shpërndajshin, edhe i merrshim fustanet e vjetra, e na që dijshim m’i qepë i shkepshim fustanat i rregullojshim sipas trupit. Qaq bukur rrishin saqë u hutofshin njerëzit thoshin ku p’i marrim na këto fustana, se nana jo veç nana ime po në përgjithësi këto motrat e Dajҫve që kanë qenë, kanë ditë me qepë shumë. Kanë qenë gra inteligjente, si për veshje edhe për kuzhinë kanë ditë shumë mirë me zi. Gjyshja ime ka qenë ideale për kuzhinë, nana ime edhe na vajzat të gjitha dimë po mendoj për kuzhinë me përgatitë.
Dafina Beqiri: A ju ka ndodhë ju që keni qenë shumë motra me dashtë me vesh diçka sot, e mu ngatërrua me motrën tjetër?
Remzije Dauti: Jo jo, se nuk jemi kon tonat një trup, fustanat e mija s’ka mujt m’i vesh tjetra. Kemi pas pak dallime edhe ne këpuca, kështu cila munde me i’a veshë njëra tjetrës u marrshin vesh, a cila s’ka mujt m’i veshë… edhe normal. Unë kam qenë pak ma e gjata, (buzëqeshë) të mijat s’ka mujt kërkush m’i veshë, unë kam ndejt ma rahat se këto tjerat. (Qeshë)
Dafina Beqiri: A keni ndonjë histori si e vogël që doni me nda me neve, për shembull ndonjë sherr me vëllezërit-motrat, a me prindë?
Remzije Dauti: Prej krejt fëmijëve muj me than unë jam kan ma e gjalla, nuk i kam pas ndoshta dhjetë vjet, jam kanë… se jam kom qenë e treta e kur kam lind baba gjithë më ka konsideru thuse jam djalë. Nime kom qenë e gjallë, e gjithë kom shku i kom ndihmu babës në dyqan, gjithmonë. E baba jonë ka qenë tepër, tepër shpirtbutë e shpirtmirë, në dyqan kur vijke e binin mishin me shitë, këto tepricat që jon kon përveç mishit baba jonë kurrë nuk e ka shitë me të holla, si tash që e shesin, po kanë ndejt fukaratë në rresht edhe ju kemi dhanë, mushknitë, zorrët, kamtë, krejt këto tepricat. Mas pari ju ndajshim njerëzve që s’kanë, edhe masanej mishrat këto tjera u shitshin si zakonisht me të holla.
E unë shumë i kam ndihmu babës se më ka interesu, se jom kan ma e gjalla, ma e shpërdhita, gjithkund kom mbërri, kom pas dëshirë m’i ndihmu gjithkujt, edhe kojshive… Edhe po mendoj kur u duftë kojshive me i bajtë plehin, na kur e kanë lanë te dera, na të mitë kurrë s’e kemi lanë kojshija me bajtë plehin para derës, po qysh e kemi gjetë plehin e kemi marrë e kemi qu te Ibri. Ka qenë vendi i veçantë për m’u derdhë bërlloku jo me qitë atje ku osht’ uji po vendi ku u kon. Në atë kohë ma shumë kemi pas pastërti se tash. Rruga jonë kurrë s’ka pas pleh nëpër rrugë, vetë i kemi bajtë plehrat me ato kerret e vogla ose e mushim nji pllastikë edhe e bajshim. Masanej po mendoj që edhe kjo ka qenë primare, kur bijke shi rruga jonë u kon krejt kalldrëm ka qenë teposhtë, kur bijke shi krejt rruga u lagke prej kalldrëmes. Qaq bukur rrike ajo rrugë e pastër, po edhe me bo m’u nal uji na me fshisë dilshim e lajshim kalldrëmen që me shku uji ma poshtë.
Si fëmijë kemi punu shumë, jemi dallu noshta edhe prej fëmijëve tjerë, se rruga jonë ka qenë rrugë me një fjalë shumëkombëshe, jemi marrë vesh ndërmjet veti. Kurrë s’jemi përla se ajo po flet truqrisht… na në rrugë kemi fol turqisht, serbisht, a në shtëpi familja jonë vetëm shqip kemi folë. Se prindë gjakovarë edhe te na nuk o’ përdorë asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Këto tjerat i kemi mësu në rrugë, si tash që pe mësojnë anglishten, na e kemi mësu turqishten edhe serbishten. E serbishtja ka qenë besa si gjuhë amnore, se kemi lexu shumë serbisht se s’ka pas libra shumë përpara, prej Shqipërisë kur i bijshin librat, u dufshim njona tjetrës me ja dhanë fshehtë me lexu se m’u bo me ta gjetë librin shkojshe në burg. Nuk ke guxu me lexu shqip kur ka qenë koha e Adem Demaҫit po bjen fjala, ai ka qenë në burg për flamur e për libra, shqip s’ke guxu me lexu.