Xhamitë gjithnjë kanë pasë dimensionin e tyre social. Xhamia e Jashar Pashës shërben si mejtep për studimin e islamit, por edhe si pikëtakim për të moshuarit e kësaj lagjeje në pesë vaktet e lutjeve. Dita e premte është e rëndësisë së veçantë sepse hoxha i xhamisë ligjëron dhe këshillon besimtarët. E lokalizuar ndërmjet Xhamisë së Çarshisë dhe Xhamisë së Madhe, kjo xhami u ndërtua në shekullin XVI, ndërsa në shekullin XIX iu nënshtrua restaurimit të inicuar nga Mehmet Jashar Pasha, atëbotë administrator i Shkupit. Andaj, supozohet se nga ai mori edhe emrin. Stili arkitekturor i xhamisë paraqet një shembull të stilit të vonshëm të barokut osman. Gjatë viteve ‘60-të, xhamia ishte pengesë për planin e ri urbanisik, prandaj një pjesë e saj u rrënua duke i hapur mundësi zgjerimit të rrugës në atë pjesë të qytetit.