Varrezat e Hebrenjëve

Hebrenjtë filluan ardhjen në Ballkan gjatë inkuizicionit portugez dhe spanjoll të shekullit XV-të. Ata u vendosën në qytete tregtare të Perandorisë Osmane ku lirshëm ushtronin zejet e tyre. Prishtina ishte një ndër vendet ku kjo bashkësi kishte gjetur mikpritje andaj në fillim të shekullit XX-të numëronte rreth treqind anëtar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nën okupimin gjerman, njësiti Skanderbeg i SS-it deportoi këtë komunitet për në kampe të përqëndrimit, disa edhe u pushkatuan në Tauk Bashçe. Sipas Minir Dushit, dëshmitar i kohës, Buk Jahudia, hebre i pasur i Prishtinës, kishte dhënë të holla që atë dhe disa të tjerë t’i pushkatonin në Tauk Bashçe te varrezat e paraardhësve të tyre. Një pjesë e mbijetuar e komunitetit hebre, me ndihmën e bashkëqytetarëve u zhvendosën, shpesh përmes Shqipërisë në vende miqësore. Sot në Tauk Bashçe gjenden pesëdhjetë e shtatë varreza, ato bartin mbishkrime të bazuara në kalendarin hebrej dhe janë të vendosura aty qysh në shekullin e XIX-të.