Fontana e Ulpianës

Plani urbanistik i vitit 1962 i hartuar nga arkitekti i ndjerë Bashkim Fehmiu solli në jetë disa lagje të mëdha të Prishtinës, Ulpiana ishte në mesin e tyre. Pothuajse gjysmë shekulli më vonë, ajo ende konsiderohet zona më e mirë e planifikuar e qytetit. E përbërë nga blloqet rezidenciale tipike për qytetet socialiste të Evropës Qendrore dhe Juglindore, iu dedikua profesionistëve të klasës së mesme të cilët u vendosën masivisht në Prishtinë gjatë viteve të ‘60-ta dhe ‘70-ta. Edhe sot, Fontana e Ulpianës është pika qendrore e lagjes dhe përdoret si një zonë rekreative për të gjithë brezat. Nga kjo pikë kodrinore, perendimi i  diellit shpërfaqë qytetin me plotë ngjyrë, që është arsyeja pse ajo është quajtur shpesh pika më poetike e Prishtinës.