E vendosur në ish-bazën ushtarake të Mbretërisë së Jugosllavisë, ndërtesa që strehon Galerinë Kombëtare të Kosovës ka qenë shtëpi për disa institucione. Me renovimin e fasadës me tulla guri vendorë në vitin 1982-83 nga dizajneri i interierit dhe arkitekti i njohur i Kosovës Agush Beqiri, ndërtesa u shndërrua në Muzeun e Revolucionit të Popujve të Kosovës dhe Metohisë. Kjo ishte njëra nga përpjekjet e para për ta shndëruar atë në një hapësirë ekspozuese. Nën regjimin e Millosheviqit në vitin 1995, Galeria e Arteve të Prishtinës e vendosur në Boro dhe Ramiz u zhvendos këtu. Galeria e Arteve, e themeluar në vitin 1979, ka mbledhur mbi nëntëqind punë arti nga artistë vizuel, të cilët u arsimuan në qendrat jugosllave dhe ishin pjesë të lëvizjeve moderniste. Me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, Galeria e Arteve të Prishtinës u bë Galeria Kombëtare e Kosovës.