Pallati i Rinisë dhe Sporteve Boro e Ramizi

Fotografia e Adem Jasharit, një hero i historisë së re të Kosovës, qëndron në ballë  të ndërtesës duke riemëruar atë që njihej si Pallati i Rinisë dhe Sporteve Boro dhe Ramizi, sipas dy partizanëve jugosllavë të Luftës së Dytë Botërore. Projektuar në vitin 1974 nga Zhivorad Jankoviq, me kulmin e saj të ngritur me teha të dyfishtë, iu deshën disa vite që të ndërtohej. Boro dhe Ramizi shpejt u bë një nga vendet kryesore rekreative të qytetit në ndërtimin e të cilës kontribuan edhe banorët e Prishtinës. Frymëzuar nga arkitektura Metaboliste, megastruktura Boro dhe Ramizi përqafon funksionin po ashtu edhe formën; e ndërtuar në tri faza, dy të parat përfunduan para rënies së Jugosllavisë dhe e treta e përbërë nga ndërtimi i një pishine të hapur dhe një të mbyllur dhe një urë-lidhëse për në Grand Hotel mbeti e papërfunduar deri më sot. Salla e sporteve u dogj në vitin 2000 dhe tani përdoret si parking.

Ëmbëltorja Elida

Pasi kishte punuar në Beograd për një kohë të gjatë nën emrin “Slavija”, ëmbëltorja e Nexhat Mustafës u zhvendos në Prishtinë më 1978. Mahmut Bakalli, udhëheqës i Partisë Komuniste në Kosovë në atë kohë, e ndihmoi atë ta transferonte biznesin në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Boro dhe Ramizi. Mustafa, në shenjë falënderimi e emërtoi ëmbëltoren Elida, sipas vajzës më të vogël të Bakallit. Gjatë viteve të ‘90-ta, “Elida” u bë një simbol i rezistencës qytetare. Sot, me enterierin e saj mirë të ruajtur, ulëset në stilin Bauhaus shoqëruar me një schaumpide, e bën “Elidën” një vend ideal për udhëtime mbrapa në kohë.

Galeria e Arteve e Prishtinës

Galeria e Arteve e Prishtinës ishte hapësira e parë ekspozuese në krahinën e atëhershme jugosllave të Kosovës. Galeria u themelua në vitin 1979 dhe u vendos në Pallatin e Rinisë Boro dhe Ramizi. Shyqri Nimani, i shkolluar për dizajn grafik,  ishte drejtori i parë i galerisë dhe udhëhoqi institucionin për dhjetë vjet rresht. Ngjashëm me muze të artit modern, Galeria e Arteve filloi me një koleksion modest, numri i të cilit u rrit në mbi nëntëqind vepra arti. Punët e para të cilat u prodhuan kryesisht gjatë viteve të ‘60-ta dhe ‘70-ta u bënë pjesë e koleksionit dhe më pas u trashëguan nga Qendra Kulturore Propagandistike. Ekspozita e parë e Galerisë me titull “Bashkëkohësit tanë” u kurua nga ky koleksion. Sot, tradita e Galerisë së Arteve të Prishtinës vazhdohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës.