Mbyllja e të gjitha institucioneve mediale në gjuhën shqipe në vitet 1990-1991 nxorri në sipërfaqe një nevojë urgjente për informata përtej tri kanaleve televizive serbe, të cilat ishin të njëanshme në raportimin e tyre. Si kundërpërgjigje, familjet shqiptare, më vonë dhe komunitetet tjera, filluan të instalonin antenat satelitore, të cilat në nivel lokal njiheshin si “kërpudha” për shkak të shpejtësisë me të cilën kapluan qytetin. Përveç qasjes në mediat ndërkombëtare, për herë të parë mund të shihej edhe kanali i ndaluar Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Në veçanti, programi javor dy orësh mbi Kosovën siguroi informacion në lidhje me situatën politike në vend. Antenat satelitore nuk janë më në përdorim, por ende mund t’i shohim ato herë pas here të varura si një kujtesë për një kohë kur ishin dritarja e vetme në botë.