Stadioni Fadil Vokrri

Futbolli për qytetarët e Prishtinës është njëra ndër format e kahmotshme dhe më të preferuara argëtimit. Stadioni i Prishtinës u ndërtua në vitin 1953 për t’i shërbyer Klubit të Futbollit të Prishtinës, i cili u themelua në vitin 1922 dhe ndryshoi emrin e tij nga “Kosova” në “Proleter”, “Jedinstvo”, përsëri “Kosova” dhe në fund “Prishtina”. Në stadionin e Prishtinës, Klubi i Futbollit i Prishtinës luajti ndeshjet e paharrueshme gjatë viteve të ‘80-ta, kur u bë pjesë e Ligës së Parë Jugosllave. Sot, stadioni i shërben Ekipit Kombëtar të Kosovës që kur u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s dhe tani ka marrë emrin e të ndjerit Fadil Vokrri, i cili mbahet mend si një nga lojtarët më të lavdishëm të KF Prishtina gjatë viteve të ‘80-ta. Ai poashtu  ishte President i Federatës së Futbollit të Kosovës nga viti 2008 deri në vdekjen e tij në vitin 2018.