E konceptuar nga dizajneri slloven Sasha J. Mächtig, kiosku K67 ishte dizajni modular më i përhapur në të gjithë Jugosllavinë. Ndërmjet arkitekturës dhe dizajnit industrial, kioskat nga pleksiglasi kishin një sistem që ua ndryshonte formën, gjë që u mundësoi shitësve të kryejnë aktivitete të llojllojshme ekonomike në to. Siç nënkuptohet nga emri, kioskat K67 u shfaqën në vitin 1967 dhe ishin shenjues të qytetit modern, kryesisht në to shiteshin gazeta në një kohë kur ato lexoheshin masivisht. Dizajni K67 erdhi në të kuqe, gjelbër dhe portokalli, dhe njësitë mund të shtoheshin sipas nevojave hapësinore të shitësve. Prodhimi i tyre përfundoi në vitin 1999. Gjatë një periudhe prej tridhjetë e dy vjet, u prodhuan 7500 njësi kioskash. Kioska para Pallatit të Shtypit Rilindja është njëra nga të fundit në qytetin e Prishtinës.