Hotel Union

Jeta e kësaj godine në shumë nivele pasqyron thyerjet dramatike shoqërore e politike të qytetit që shpesh ka përdorë hapsirën publike për të shpërfaqë betejat identitare. E projektuar në vitin 1927 nga arkitekti Andrija Kramer, konsiderohet ndër të rrallat që i mbijetuan transformimit të vazhdueshëm të Prishtinës. E influencuar nga neorenesansa, neobaroku dhe Art Nouveau, godina ndërroi emrin dhe funksionin e saj disa herë.  Në fillim u quajt “Hotel Nacional” dhe përveç që ishte bujtinë, poashtu ishte edhe kinema. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mori emrin “Scanderbeg”, ndërsa pas Luftës një kohë të gjatë barti emrin “Nova Jugoslavia”. Emri i fundit në bazë të cilit njihet ishte “Hotel Union”.

Në vitin 2008 kishte synime për rrënimin e saj, nën pretekstin se nuk zotëronte asnjë vlerë arkitektonike dhe duhej hapur rrugë për bulevardin “Ibrahim Rugova”. Ky mentalitet revoltoi qytetarët të cilët rezistuan shembjen me protesta dhe kërkuan mbrojtje institucinale të objektit. Në vitin 2009 objektit iu vu zjarri në rrethana të pasqaruara për publikun dhe një vit më vonë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore njoftoi opinionin për marrëveshjen me “The United Colors of Benetton” duke premtuar se ndërtesa do të kthehej në gjendjen e saj paraprake, premtim i cili u realizua pjesërisht. Sot, pavarësisht se është privatizuar dhe shërben si qendër tregtare, qytetarët vazhdojnë ti referohen si Unioni.