Oda

Pjesë e shkëputur nga intervista e gjatë me Shaqir Gashin

Shaqir Gashi u lind në shtator, 1936 në fshatin Vojnikë. Punonte si infermier, para se të migronte në SHBA në vitin 1969 ku pat sukses si pronar restorantesh. U angazhua në organizimin e komunitetit shqiptar në SHBA me qëllim të lobimit për pavarësinë e Kosovës.


Oda

Oda

[Pjesë e shkëputur nga intervista e gjatë me Shaqir Gashin.]

Rrëfimi i odave tona, odave të rinisë kanë randësi, po unë do t’flas për odën e babait tim që e kena pasë aty. Aty vijshin njerëz t’menqëm, rrijshin, bisedojshin për besën për nderin, për luftërat, për herojtë e popullit, për çdo gja bisedojshin. Tregojshin mesela shumë interesante, për shembull na aty ishum si fmi, nuk e ndigjojshum se nuk u përzijshum shumë. Kur m’kujtohet sikur sot kur i tregojshin meselet njani prej tjetrit e ato meselet që u tregojshin u duhke me pas lidhje të bisedës, tani ajo meselja m’u kallxue. Tash une nashta nuk osht’ n’lidhje me çka don me thanë po i tregoj disa mesele që i kom ndigju të asaj kohe.

Për shembull, n’ato odat tona vijke, vijshin ata pleqtë e asaj kohe, vijke Rexhë Lutani, Xhemë Lutani, Haris Aliti, Sokol Binaku – baba i Sandokanit, vijshin ata prej tërgalive, avijshin prej tana anëve shqiptarët e asaj kohe, ata pleqtë e asaj kohe, u tubojshin dhe bisedojshin. Për shembull i zoti i shpisë aty, ai ishte… vetë kur kishte mysafirë për qefi marrke kafen vetë ia bojke. Tani për shembull a vijshin mysafirë të tjerë, e kom nji detal shumë interesant, nashta asht’ me e tregue. Kom pas ndëgjue nëpër odat tona, kur vijke nji mysafir pak i lartë, ai i zoti i shpisë atje e marrke cigaren t’u e pi me qelibar edhe e vetke, “Mirë se ke ardhë me mysafirë,” thojke. “Po, kah t’kemi ty?”, ata tregojshin, na jemi prej ni veni ma t’largët a prej Dukagjinit, a prej Mitrovicës anena. Thojke, “Po shumë mirë, mirë se ke ardhë”. “A je n’parti?” e pytke ai plaku. Ai thojke, “Po valla bre axhë, jom n’parti”. “Po a je fellë, a plitko-a fellë a cekët?” (qeshë) thojke “Jo valla, cekët!”. E thojke, “N’qoftëse je cekët, kena me bisedu”. E tani ia nisshin me mesele.

Për shembull m’kujtohen meselet e njoni-tjetrit që ia tregojshin. Osht’ për shembull, une e kom pas ndigju nji mesele aty të pleqëve të asaj kohe. Njoni prej atyne thojke, “Ka kenë nji njeri fukara shumë, edhe ia ka arri për me u bo i pasun shpejtë. Po masi që u bo i pasun, mas nji kohe t’shkurtë, u ba prapë fukara, edhe pleqtë e asaj kohe shkojnë edhe i thojnë ‘Po si mund me kenë kjo gja kur ti ishe fukara e u bane i pasun? Prej pasurie prapë u bane fukara?’ ‘Eh,’ thotë ‘more burra, për me u bo i pasun e me u bo i nershëm, e me u bo me i fitu’ gjanat me nerë, thjeshtë e morra nji guri t’mullinit, e qita n’gjyks edhe u nisa çakoit përpjetë, por me shumë munim. Kur dola atje, u nala pak me pushu’, përpak m’ka rrshitë ai guri i mullinit e sa çelë e mshelë sytë ka ra e u bona qysh jom kanë”. Kjo ishte nji mesele domethanë, që kur t’e marrsh dikun nji pasuri, ose qoftë ajo ekonomike, luftarake, do të thotë duhet me ru’ se mos me lshu’ gurin me t’rrshitë, se me t’rrshitë guri bahesh prapë qysh ke kenë.

Për shembull tregojshin të tjera mesela, për shembull Azem Bejta kur ka shku’ në Kuvendin e Junikut. Atje e kanë pasë atë Kuvendin kanë kenë burrat e krejt asaj kohe t’luftës. Azemi ka kenë pak me trup i vogël, nuk ka kenë bash i gatë edhe u ulë aty te oxhaku edhe disa që ia kanë ni zanin Azemit kanë pas qef, “Kush o’ Azemi?”, “Qe qai qatje Azemi o’ {dëfton me dorë}.” “Ah, shumë mirë”, s’kanë mujtë me thanë se iu ka dukë shumë i vogël. Por Azemi i ka ndigju ato fjalë edhe t’u nejtë, s’ka ba za hiç, i ka marrë dy bume [bomba] ia ka bo tak-tak {shpjegon me duar sesi Azemi i ka cakërru dy bombat} edhe i ka hedhë n’oxhak (qeshë). Krejt ata që thojshin që osht’ me shtat i vogël, kanë kcy kanë ikë dikush për dere, dikush për dritare. Ai i ka marrë ato bumet, i ka ngrehë ka thonë, “Hajde more burra, a me juve do t’ja fillojmë luftën kështu? Ju prej nji bumje ikët!”.

Tjetër kom ndigjue për shembull, njoni prej asaj anëve tona ka pas dëshirë me u angazhu çetës të Azem Galicës. Edhe për me ditë tash se ku gjendet Azem Galica, u duftë me pasë kontakt me nanën e Azemit. Ka shku e ka gjetë nanë atje e thotë, “Hajde loke e hamë nji sillë” edhe n’atë kohën kur e kom ndigjue prej pleqëve se e kena pas do bukë t’kelbëta përpos drunit. I kena ba të elbit, kanë kenë shumë bukë t’mira t’vogla. Edhe ajo e kish pas qitë nji përpeq[1] edhe sa here e qitke bukën qëkaq t’vogël {përshkruan me duar}, ai që dojke me shku’ me Azemin e hanke, nuk pritke me ardhë tjetra. Kshtu qi i hangër pesë-gjashtë bukë qashtu t’elbit edhe përpeqin edhe tash thotë “Ku asht’ Azemi?”. Kjo thotë, lokja thotë, “S’ma merr menja që je për Azemin”, thotë “për arsye se Azemi me këtë tokë bukë çka ke hangër ti, e me kto gjana, ai jeton me çetën e vete për shtatë ditë e ushqehet me këtë ushqim”. Kshtu qi, ishte mësim i madh prej njerëzve që tregojshin turlifar meselesh, turlifar gjana t’mira.

[1]Përpeq është një lloj qumështori me një petë, me vezë të rrahura me qumësht dhe me djathë të njomë, që piqet në tepsi; lloj byreku me qumësht e me djathtë të njomë.

Download PDF