Pjesa e Parë
Anita Susuri: A mund të prezantoheni?
Nikolla Brkiq: Unë jam Nikolla Brkiq, i lindur në Janjevë. Gjyshi im, stërgjyshi im katragjyshi im, tonët janë 700 vjet këtu kanë ardhur nga Dubrovniku dhe Konavle, nga Kroacia. Janjeva është diaspora më e vjetër kroate. Dhe tonët brez pas brezi kanë jetuar këtu, kanë punuar, jetuar, janë shkolluar dhe kështu me radhë.
Anita Susuri: A mund të më flisni pak për familjen tuaj, për babain tuaj, gjyshin?
Nikolla Brkiq: Po gjyshi ka qenë varfanjak e ka pasur një vëlla. Ata në atë kohë kanë qenë tregtarë, vëllaun e ka pasur tregtar, e gjyshi është marr me bujqësi. Gjyshi im i ka pasur dhjetë fëmijë, katër djem dhe gjashtë vajza. Falë Zotit, të gjithë janë tani, dua të them disa kanë vdekur por kanë mbetur pasardhësit, pra kanë fëmijë, nipër, stërnipër. Dhe kjo është një pasuri e madhe për fenë tonë romako-katolike në Janjevë që ne kroatët i takojmë, jemi romako-katolikë.
Anita Susuri: Me çka është marr gjyshi juaj?
Nikolla Brkiq: Gjyshi jonë kryesisht është marr me bujqësi. Bashkë me gjyshen kanë pasur shumë tokë, kanë blerë toka, bagëti, një djal ka qenë vozitës, xhaxhai i gjyshit. Tjetri ka qenë invalid i ushtrisë, është lënduar në ushtri e babai ka qenë bujk.
Anita Susuri: Këtu në Janjevë do të thotë më shumë janë marr me metal dhe me përpunimin e metalit, e familja juaj është marr me bujqësi. Si dhe pse?
Nikolla Brkiq: Po Janjeva është një vend specifik në botë që ka qenë dhe ka mbetur, por tani është pikëlluese që diçka po shkëputet, shpërngulje ka pasur shumë, shumë njerëz janë shpërngulur. Ata fillimisht kanë ardhur si minatorë, përpunues të monedhave, monedhave të arit. Edhe ata atëherë kanë gërmuar minerale, kanë punuar për Republikën e Dubrovnikut dhe kështu mendoj. Këta kanë qenë paraardhësit tonë, dua të them pastaj kanë qenë prej vitit 303 [1303]. Kisha i është dedikuar Shën Kollit në Janjevë pastaj kanë filluar janë marr edhe me vreshtari, pastaj disa janë marr me bagëti, disa kanë qenë tregtarë. Shkonin, tregtonin por kryesisht kanë ardhur për shkak të mineraleve dhe kanë nxjerrë minerale, kanë prodhuar monedha.
Anita Susuri: E familja juaj është marr me bujqësi? Do të thotë, juve ju kujtohet gjyshi juaj që ka filluar apo dikush edhe më tutje?
Nikolla Brkiq: Po kanë punuar edhe më tutje kanë punuar. Ne përndryshe, tani kemi qenë tregtar, dua të them kemi punuar dhe punojmë në Kroaci, vëllezërit dhe djemtë e xhaxhait, djemtë e hallave edhe ata janë tregtarë. Kurse ne kemi mbetur me bujqësi. Dua të them unë kam mbetur me bujqësi.
Anita Susuri: A ju kujtohet fëmijëria juaj? Mendoj, me siguri ju kujtohet, por çfarë ju ka mbetur më shumë…?
Nikolla Brkiq: Po më shumë më ka mbetur, kemi qenë pesë mijë njerëz, kemi qenë, kjo është vatra e gjyshit tim Kërstes. Kjo shtëpia është ndërtuar në vitin 1952. Këtu jemi mbledhur nga 50 fëmijë të djelën mbrëma, vinin hallat, fëmijët e hallave dhe kështu. Mblidheshim, luanim fshehurazi, atëherë nuk ka pasur telefon, nuk ka pasur televizor, vonë ka ardhur. Luanim fshehurazi, atë që ne e quajmë karabinjerët, luanim maska të Klisit siç e quajmë. Kështu ka qenë. Shkonim në shkollë, atëherë ka qenë tjetër kohë, mësimdhënësit kanë qenë të rreptë, është dashur t’i bësh detyrat e shtëpisë, të mësosh. Shkonim në mësimin fetar dy herë në javë.
Në kishë për çdo festë kemi shkuar, dua të them edhe për çdo festë dhe të djelën ka qenë e domosdoshme ajo, ndaheshim dikush në mëngjes, dikush në mesditë, dikush në mbrëmje [shkonin në kishë]. Edhe nëna edhe babai, të gjithë, duhej të shkonim në kishë, t’i lutemi Zotit dhe kështu. Gjithmonë kur ka ndonjë gëzim, kur hamë, drekojmë apo diçka, nëna gjithmonë është lutur, “Ati ynë” pastaj fillonim të hanim, pastaj e falënderonim Zotin. Dua të them e falënderonim të gjithëmundshmin Zot, për të gjitha të mirat që na i ka dhënë, për bukën dhe këto, kështu ka qenë gjithmonë.
Ka pasur gjëra të bukura si fëmijë, kanë qenë këtu, secila shtëpi i ka pasur shtatë, tetë, nëntë fëmijë. E për Krishtlindje kur shkonim, kur ka qenë, në gjashtë ora ka qenë mesha e mëngjesit, ajo quhet mëngjesore. Atëherë shkonim, prej shtëpisë në shtëpi, dikush flente, këmbana e madhe binte ne shkonim e thërrisnim, e zgjonim. Pastaj ka pasur gara, një pjesë e Janjevës, pjesa e dytë e Janjevës, pjesa e tretë e Janjevës, kush më shumë shkon në mëngjesore dhe atëherë ata, ajo rrugë fiton, ajo pjesë e Janjevës e fiton falënderimin.
Anita Susuri: Si është sjell babai juaj me juve?
Nikolla Brkiq: Babai ka qenë zot shtëpie. Punëtor i madh, që themi ne me pagë ditore dhe me pak tokë që kemi pasur jemi ushqyer, dhjetë fëmijë. Të gjithë jemi të shkolluar, kemi shkuar në shkollë deri në klasën e tetë, disa pastaj kanë vazhduar në shkollë të mesme. Vonë por… kështu kanë qenë kohërat, atëherë ka pasur varfëri në Janjevë. Kanë qenë shtëpitë e vjetra, nuk ka pasur kushte, pa ujë, pa këto. Ne fatmirësisht kemi pasur bunar, kanë pasur njerëzit kur jemi zhvendosur, prej burimit, me shishe ujin, prisnin nga një orë për ta mbushur.
Anita Susuri: A ka qenë jeta e vështirë për gratë? Për shembull, për nënën tuaj, si e kujtoni ju atë?
Nikolla Brkiq: Po jeta e gjyshes sime ka qenë shumë e vështirë mendoj, por atëherë njerëzit kanë qenë punëtor, njerëz të shëndoshë dhe të fortë. Gjyshin tim shpesh e kanë thirrë në ushtrime ushtarake e gjyshja ime është kujdesur edhe për fëmijët edhe bagëtinë edhe në ara shkonte për të lëvruar, për të mbjellë madje punonte “me gomë” që thuhet, me duaj[1], meqë e kanë përpunuar grurin që të jetojnë. Jeta ka qenë e vështirë atëherë. Nëna, dhjetë fëmijë i ka lindur. Duhet t’i ushqesh, t’i mbështjellësh ata, atëherë nuk kanë qenë pelenat Pampers, por kanë qenë ato pelenat e thjeshta, ato të lahen, të teren. Fatmirësisht, pas vitit ‘74 e kemi blerë makinën e parë “Gorenje”, e kemi vendosur hidroforin. Ujin prej bunari dhe mendoj që ka qenë shumë më lehtë pastaj për të. Por vetëm të gatuash për dhjetë fëmijë është mjaft. Është jetuar mjaft vështirë.
Anita Susuri: Cilat tradita të tjera i keni pasur në familjen tuaj? Kur ju keni qenë më i vogël?
Nikolla Brkiq: Po nuk e di për cilat po mendoni…
Anita Susuri: Për shembull çka keni festuar, si keni festuar? Diçka lidhur me këtë.
Nikolla Brkiq: Aha, po ne, ne i kemi dy festa. Domethënë, festa e Shën Kollit është e jona, paraardhësit tonë e kanë festuar edhe në kohën e turqve, dua të them edhe më herët. Ai është mbrojtësi Shën Kolli, kisha e Shën Kollit dhe atë festën ne e festojmë. Atëherë, gjithmonë e bekojmë pogaqen dhe e thërrasim familjen për darkë në festë. Të nesërmen është dita e emrit tim dhe pastaj vijnë njerëzit. E kemi edhe festën e Shën Kollit, i kemi pasur këto. E kemi edhe Shën Sebastianin, mbrojtësin e shëndetit. Është Kisha në Peshter, shtatë-tetë kilometra prej këtu është në mal dhe atje ne shkojmë në këmbë për atë ditën 20 janarin kur i bie Shën Kolli dhe ne shkojmë në këmbë direkt lartë, nëpër borë, shi, borë, ftohtë, ne shkojmë në meshë lartë atje.
Edhe tani kjo vazhdonte sa ishin në Janjevë por tani vjen rinia nga Zagrebi, nga Shibeniku, nga Kroacia. Nga e gjithë Kroacia rinia vjen për atë ditën, shkojnë edhe në këmbë, të shumtë betohen që do të shkojnë në këmbë, dikush shkon edhe me veturë, shkojnë përreth. Dhe kryesisht, për meshën e shenjtë, në ora nëntë është mesha e shenjtë atë ditë, në Peshter.
Anita Susuri: A është edhe e juaja… Më falni.
Nikolla Brkiq: Ne shkojmë edhe në Letnicë gjithashtu, shkonim në këmbë. Mendoj që kjo është që nga krijimi i Janjevës. Shkohet në këmbë, prej tetë deri në dymbëdhjetë orë udhëtohet, nëpërmes malit. Fillojmë në mbrëmje në ora tetë pastaj në mëngjes nesër mbërrijmë atje. Dymbëdhjetë orë në këmbë, shkohet për Zonjën e Madhe, për 1 maj dhe për Zonjën e Vogël më 8 shtator, e Zonja e Madhe është më 15 gusht.
Anita Susuri: A keni shkuar ju ndonjëherë ashtu në këmbë?
Nikolla Brkiq: Kam shkuar në vitin 1988.
Anita Susuri: Si ka qenë?
Nikolla Brkiq: Ne kemi shkuar, ne kemi qenë pesë veta ne kemi mbërrijtur për tetë orë e gjysmë në këmbë. Të gjithë kemi qenë me kondicion, meshkuj kemi qenë. Përndryshe, shkojnë edhe gratë edhe më të moshuarit, shkojnë edhe rinia. Ngadalë, ngadalë, kur të mbërrijnë, mbërrijnë por shkojnë. Kanë shkuar po ashtu edhe në Dunav në kishën e Shën Anës. Ajo është edhe më larg se Letnica, edhe dy-tri orë edhe atje poashtu shkohet. Shkohet për Shën Anën. Më herët shkonin shumë, tani disa shkojnë me veturë por ka që shkojnë diku dy-tre edhe pesë [persona] ndonjë vit, që shkojnë në Dunavë. Shkonim te Kisha e Shën Antonit në Prishtinë, shkohej poashtu, më datë 13 e marte shkohej dhe në ditën më 13 qershor i bie dita e Shën Antonit në Prishtinë. Eshtë i katërti, dua të them e 14-ta ditë që shkohet në këmbë. Do të thotë, çdo të dielë shkohet në këmbë për në Prishtinë. Dhe atje qëndrojnë për meshë pastaj prej meshës dikush kthehej në këmbë, dikush me autobus. Nëse shkohej për ditën e Shën Antonit, më shumë është shkuar në këmbë edhe për atje edhe për këndej.
Anita Susuri: Pse shkohet në këmbë, a ka ndonjë [domethënje] diçka?
Nikolla Brkiq: Po ne jemi besimtar të mëdhenj dhe dua ta them këtë, shkohet edhe për shëndet edhe për fat, edhe për përparim dhe këto. Shkojmë, i lutemi Zotit, Shën Antonit, për shembull për Nënën e Perëndisë dhe Shën Anën dhe domethënë ata shenjëtorët që i kemi për momentin në Kosovë.
Anita Susuri: Veshja tradicionale atëherë është mbajtur në Janjevë. Çfarë përshtypje ju ka lënë juve atëherë?
Nikolla Brkiq: Po gjyshja ime gjithnjë ka bartur dimia, xhamadanin, ato këmishat dhe kjo ka qenë veshja. Si veshja turke, veshja prizrenase, diçka e tillë ka qenë. Paraardhëset tona, nënat, gjyshet domethënë i kanë bartur. Tani më ato, domethënë kjo rinia ka filluar me fustana, pantollona, bluza, domethënë kështu. E gratë e moshuara i kanë pasur këmishat e veçanta të cilat i kanë endur, boshqet të cilat i kanë bërë në vek dhe kështu, kjo ka qenë.
Anita Susuri: Ju këtu keni shkuar në shkollë, në Janjevë? Në “Vlladimir Nazor”?
Nikolla Brkiq: Po.
Anita Susuri: A ka qenë atëherë shkollë e re e sapohapur apo?
Nikolla Brkiq: Jo, atëherë ka qenë shkolla e vjetër dhe aty kemi qenë 1160 nxënës kur kam shkuar unë. Dhe aty nuk ka pasur mjaft vend, pastaj kemi shkuar edhe te posta ka qenë një ndërtesë ndihmëse dhe përfundi shkollës edhe një ndërtesë, shtëpia e blerë ka qenë aty. Aq paralele ka pasur, domethënë, nxënës ka pasur [shumë]. Prishtina nuk ka pasur aq, Lipjani nuk ka pasur aq nxënës sa ka pasur Janjeva.
Anita Susuri: A mund të na flisni pak më shumë për këtë periudhën e jetës suaj?
Nikolla Brkiq: Kur kemi shkuar në shkollë domethënë ka pasur shumë fëmijë. Edhe kushtet kanë qenë shumë të rënda, ka qenë ngrohja me dru nganjëherë bënin tym ato oxhaqet, pastaj uji ka qenë problem. Ujë nuk ka pasur në shkollë domethënë, shkolla e vjetër e ku ta di. Mësonim, jemi shkolluar mirë domethënë, ne kur e përfundonim shkollën më shumë shkonim në zanatin tregtar. Këtë e kemi dashur domethënë, ajo na ka ngrehur. Tani shumica po e përfundojnë shkollën pastaj fillojnë punë me tregti.
Anita Susuri: A ka qenë paralelja juaj te posta apo ku ka qenë paralelja juaj atëherë?
Nikolla Brkiq: Po deri të katërtën, deri në klasën e katërt kemi qenë te posta. Aty ka qenë një shtëpi e vjetër domethënë, aty kemi qenë me diku katër-pesë klasë, një sallë e vogël ka qenë aty. E këtu sipër ka qenë shkolla e madhe, pastaj në klasën e pestë, lart kemi shkuar në shkollën e madhe.
Anita Susuri: Dhe si ju është dukur atëherë, kur keni shkuar do të thotë nga ajo klasa e vogël në atë shkollë?
Nikolla Brkiq: Po aty të gjithë ne fëmijët kemi qenë, të gjithë fëmijët kemi qenë aty dhe të gjithë jemi shoqëruar, shiheshim për çdo ditë dhe kështu. Pastaj nuk ka pasur, nuk ka pasur shumë dallime, domethënë sa i përket asaj.
Anita Susuri: (kollitet) Domethënë kur keni qenë atëherë në shkollë, a ka qenë edhe atëherë i hapur, e hapur Shtëpia e Kulturës? Apo biblioteka këtu tek posta?
Nikolla Brkiq: Ka qenë biblioteka te posta, aty merrnim libra, lektyra, mësonim, lexonim dhe i kthenim. Kjo ka qenë aty, biblioteka ka qenë aty. Shtëpia e Kulturës ka qenë aty, një sallë ka qenë aty, aty janë mbajtur ballot në atë kohë. Kinemaja ka qenë fillimisht domethënë, shikoheshin filmat e të dielën aty ka qenë balloja. Domethënë, aty shoqëroheshin djemtë, vajzat, aty njiheshin, aty vallzonin, hedhnin valle, ajo kjo. Prej aty të shumtë janë martuar, domethënë kanë ikur (qesh) dhe kështu ka qenë.
Anita Susuri: Çfarë muzikë dëgjohej aty, çfarë muzike lëshonin?
Nikolla Brkiq: Po dëgjohej, atëherë në ish Jugosllavi askush nuk shikonte çfarë muzike është, a është boshnjake, a maqedonase, a është kroate, domethënë askush nuk ka menduar për këtë. Me rëndësi ka qenë vetëm të jetë e mirë, muzikë e hareshme, domethënë të jetë këngëtar i mirë. Atëherë ka qenë Safet Isoviq, ka pasur shumë, Shaban Shaulliq domethënë ka pasur edhe shumë. Zorica Brunclik, domethënë ka pasur edhe shumë këngëtarë me të cilët jemi kënaqur edhe kaseta për veturë blenim. Shkonim në Prishtinë për të blerë kaseta, ka dalë kaseta e re (qesh), ne shkonim me autobus në Prishtinë e nuk gjenim kaseta ktheheshim, shkonim tjetër herë i gjenim dhe i blenim.
Anita Susuri: E për, kur kanë qenë ato ballot, a kanë kënduar drejtëpërdrejt, ndonjë orkestër diçka të tillë a ka pasur?
Nikolla Brkiq: Ka pasur, ka qenë grupi ynë janjevas, “Rinia”. “Rinia” ka bërë muzikë, ata janë tani në Kroaci. Domethënë edhe këndonin edhe kaseta lëshonim. Dikur kanë pasur tingull të madh kasetat, kur luanin valle gjithashtu lëshonin, bënin muzikë. Vallja e grave, pastaj sa-sa[2], pastaj të vjetra turke, pastaj domethënë këto janë të gjitha ato vallzimet që kanë qenë.
Anita Susuri: A ju kujtohet edhe ndonjë detaj nga Kino Salla, për shembull çfarë filma ka pasur, çka kanë lëshuar? A keni shkuar ju?
Nikolla Brkiq: Po kemi shkuar por aty kanë qenë domethënë, filma kështu normal. Filma me kauboj që kanë qenë në atë kohë që kanë qenë ata filmat dua të them. Kështu, domethënë ka qenë, filmat, në atë kohë filmat, nuk më kujtohet çfarë ka pasur…
Anita Susuri: A ju kujtohet hera e parë kur keni shkuar ta shikoni një film në Kino Sallë?
Nikolla Brkiq: Po, më kujtohet atëherë domethënë nuk ka mundur gjithkush të hyj aty, aty ka pasur shumë turmë. Populli ka numëruar pesë mijë njerëz domethënë e salla ka qenë e vogël. Dhe tani kush është më i madh, kush është më i fortë, ai gjithmonë te dera, e merr biletën në sportel dhe e zënë një vend atje pastaj thonë, “Nuk ka më vend” dhe nuk mund të vish në sallë të shikosh.
Anita Susuri: A mund të më tregoni për kohën kur ju keni filluar të dilni këtu në Janjevë? Pasi që ka pasur mjaft jetë edhe kështu domethënë, ka pasur mjaft kafene dhe restaurante, prandaj Janjeva ka qenë…
Nikolla Brkiq: Janjeva ka qenë, i ka pasur tetë kafene.
Anita Susuri: Po.
Nikolla Brkiq: Dhe kanë qenë gjithmonë të mbushura. Domethënë aty vinin edhe nga rrethi, nga Prishtina, edhe nga Fushë Kosova, nga Gushterica, nga Ferizaji, Lipjani njerëzit vinin këtu. Dhe e kemi pasur brendin tonë, suxhukun janjevas, qebapat janjevase, mishin. I kemi pasur tetë mishtore. Dhe ato mishtoret gjithmonë kanë pasur grill. Dhe ato kur i vendosnin, kur i vendosnin në qymyr, jo në rrymë por në qymyr, as në plin jo, në qymyr. Dhe ajo kur, kur kalon njëqind metra prej asaj mishtores, 50 metra, aty është e gjithë qendra, aty ku ka qenë e gjithë çarshia si e thërasim ne, aty vinte era e suxhukut, e qebapave dhe e mishit.
Anita Susuri: A mund të ma përshkruani pak qytetin në atë kohë? Si është dukur?
Nikolla Brkiq: Po Janjeva ka qenë e vjetër, pas ‘80 e diçka, vitit ‘70 e diçka kanë filluar ndërtimet, shtëpitë e reja, ka qenë ngushtë. Atëherë janë shembur ato shtëpitë e vjetra, gërmonin me kazma, me lopatë janë ngarkuar disa traktorë, hidhej ai dheu që të rregullohet ai vendi për shtëpinë. Ai vend ka qenë gjithmonë i ngushtë, sepse shtëpia ishte afër shtëpisë tjetër, vetëm gjysmë metër, një metër, nuk kishte më shumë largësi prej njëra-tjetrës. Është vendi që ndoshta në botë ka qenë më i populluari. Dhe shtëpitë kanë qenë të shtrenjta këtu, kurrë nuk ke mundur të blesh shtëpi. Ke mundur në Prishtinë t’i blesh dy shtëpi ose në Nju Jork apo në Kanada ta shesësh këtu shtëpinë e ta blesh atje. Sepse shtëpia në shitje nuk ka pasur në atë kohë.
Rrallë herë shitej, kur filluan të shpërngulen për Zagreb, ‘78, ‘80-tën dikush, gjithmonë, ai shpërngulet vjen tjetri menjëherë e blen shtëpinë, dua të them tjetri e blen shtëpinë dhe menjëherë fillon të jetoj aty. Parking nuk ke mundur të gjesh më herët në Janjevë. Kështu ka qenë, shumë popull dhe të gjithë, feja na ka obliguar të jemi këtu, në këtë vend dhe këtë e kemi pasur. Kemi pasur edhe tokë poshtë, domethënë në drejtim të “Metalikut”, kah Sushica, aty ta ndërtojmë por aty, kështu kemi qenë në atë kohë. Të gjithë afër aty, ngushtë kemi qenë. Domethënë ashtu kemi… vetëm të qëndrojmë në gjirin e Janjevës, në këto kodra.
Anita Susuri: Në Janjevë ka mjaft shtëpi të vjetra edhe e juaja është njëra prej tyre. A ka, a ka ndryshuar ndonjë gjë apo ka mbetur autentike, do të thotë sa i përket shtëpisë, shtëpisë tuaj?
Nikolla Brkiq: Gjyshi im kur e ka blerë, domethënë në këtë rrugë kur erdhi këtu, ai e ka blerë të vogël, shtëpia e vockël ka qenë. Dhe aty, gjysma ka qenë shtëpi, gjysma ka qenë hangar. Ka qenë e vogël, ka qenë ndoshta pesë me, katër me gjashtë [metër] apo katër me shtatë, domethënë kështu ka qenë, kështu ka qenë në atë kohë. Pastaj kjo shtëpia u ndërtua në vitin 1951, kur ka qenë uria më e madhe në ish-Jugosllavi domethënë ka pasur thatësira. Atëherë njerëzit punonin për dy kilogram të miellit të misrit, në mënyrë që ta ushqenin familjen. Rrëmonin gjithë ditën, ose për miellin e bardhë të grurit ose për miell të misrit. Atëherë ndërtohej kjo shtëpi dhe në këtë rrugë ka qenë shtëpia më e madhe. Gjyshi im, domethënë babai dhe xhaxhallarët, kanë gërmuar, kodrën e kanë rrafshuar në mënyrë që ta ndërtojnë [shtëpinë]. Kjo shtëpia e ka murin gjysmë metër [të gjërë], pjesa e parë është e tëra me gurë dhe e dyta është me çerpiq siç themi ne, prej balte, prej tulle.
Anita Susuri: Dhe prej atëherë ju ende jetoni…?
Nikolla Brkiq: Po. Domethënë ne jetojmë këtu, atëherë vëllezërit janë shpërngulur, motrat janë martuar dhe janë shpërngulur. Tani kemi mbetur ne. Babai ka vdekur, ne jemi kthyer këtu, me gruan dhe dy fëmijë. Tani i kemi katër fëmijë, edhe dy janë lindur. I vetmi kroat i kthyer në Janjevë.
Anita Susuri: Do të thotë ju keni qenë jashtë dhe jeni kthyer?
Nikolla Brkiq: Në Kroaci. Po. Babai ka qenë i sëmurë atëherë nuk ka mundur askush, nuk e kemi lënë babain vetëm dhe kështu jemi kthyer. Tani ja po jetojmë kështu.
Anita Susuri: Mirë, do të flasim edhe për këtë. Por desha t’ju pyes më shumë për çarshinë. Do të thotë është aty kafeneja Bash Çarshia, pastaj është edhe një lokal, 1928.
Nikolla Brkiq: Po.
Anita Susuri: Çka ka pasur atëherë në ato kafene? A ka qenë kafene?
Nikolla Brkiq: Kafenetë janë hapur, pastaj ajo kafene është hapur më vonë. Të parët tonë kanë pasur rreth 300 hektarë të vreshtave të rrushit. Ne themi se ato janë gërmuar me dorë, rrëmim është thënë atëherë, e dini thoshin të rrëmosh. Duhej të gërmosh së paku gjysmë metër thellësi që ta mbjellësh hardhinë. Dhe në vitin e tretë vinte hardhia. E në ndërkohë, aty është vendosur qepa. Ne i themi karamid, qepa është mbjellur aty, do të thotë për të mbirë hardhia. Dhe tani, po bjen fjala kishte edhe bodrume të rakisë dhe verërave. Bodrumet e njohura. Rahoveci pastaj është ndërtuar. Në këto kodrat tona kanë qenë romakët.
Ata kanë pasur vreshta pastaj ashtu, është bërë shkretëtirë kur janë tërhequr ata. Tonët kanë ardhur dhe kanë filluar prapë gërmimin. Mendoj kanë gërmuar kanë mbjellur hardhi, hardhi. Kemi pasur rrush të zi, të bardhë, hamburg. I kemi pasur të gjitha llojet e rrushit që ekzistonin në ish-Jugosllavi. Dhe të gjitha llojet e qershive i kemi pasur, kajsia, molla, dardha. Dhe tonët kanë qenë atëherë që themi ne tregtarë shëtitës. Ashtu i quanim ne skitači[3]. Dhe ata kudo që shkonin në Maqedoni apo në Slloveni apo në Kroaci, Bosnje, ku do që shihnin ndonjë pemë e merrnin fidanin dhe e vendosnin në patate që të mos thahet, dhe kur vinin i shartonin. Dhe nuk ka pemë që nuk ka pasur kjo tokë e Janjevës.
Anita Susuri: A i ka pasur edhe familja juaj ato…
Nikolla Brkiq: Vreshtat?
Anita Susuri: Vreshtat dhe… ?
Nikolla Brkiq: Xhaxhai e ka pasur një hektar me vreshta. Ai e ka blerë diku rreth vitit ‘78 e gjyshi ynë, stërgjyshi domethënë, ne kemi pasur vreshta, 38 ari vreshta. E ne kur e kemi blerë vreshtën, këtu nuk ka pasur tokë për tu blerë, ka qenë kodër. Pastaj është pastruar, ato gjembat, barërat dhe kanë gërmuar gjysmë metri, dhe kanë mbjellur. Kemi pasur vreshta, kemi pasur praske, ne ju themi pjeshkave praske, qershia, dardha të ndryshme, molla.
Por kur e ka blerë gjyshi im atë vreshtën, atëherë kanë qenë dymbëdhjetë para të qeve në atë kohë. Dhe plus një vol tek për atë vreshtën. Pastaj, ata në vitin ‘34 kanë gërmuar, kanë gërmuar deri në vitin 2003. Në vitin 2003 dikush na e ka djegur vreshtën. Ka qenë një vreshtë në kodër, është djegur pastaj e kemi rinovuar. Pastaj fatkeqësisht, nuk kishte askush vreshtë, fëmijët, të gjithë vinin, merrnin dhe më e kemi lënë.
Anita Susuri: A i keni pasur edhe ju ato bodrumet ku e keni ruajtur rakinë dhe… ?
Nikolla Brkiq: Po. Ne kemi, ne kemi mbajtur për vete dhe diçka pak kemi shitur. Vera pastaj hargjohej, atëherë nuk ka pasur birrë, rakia e shtëpisë dhe vera e shtëpisë. Ajo ka qenë edhe për Krishtlindje edhe për festa edhe për të gjitha. Edhe kur shkon te miku në festë dhe kështu, kur shkohej për ditën e emrit në Janjevë, domethënë ashtu çonin. Një kilogram raki, verë, kështu ka qenë kjo.
Anita Susuri: A kanë blerë edhe të tjerët prej vendeve të tjera apo vetëm këtu në Janjevë?
Nikolla Brkiq: Jo, vinin nga Prishtina vinin, nga këto fshatrat në afërsi të Janjevës, të gjitha që janë Sushica, Gushterica, ajo-kjo. Domethënë, secili ka ardhur shishe me verë të blej edhe për festë edhe për Krishtlindje. Plus, ata vinin blenin plus këtu pinim. Kafenetë nuk kanë qenë, kanë qenë bodrumet. Dy-tri bodrume kanë qenë, fuçitë kanë qenë të mbushura përplot për shkak se njerëzit kanë pasur shumë vreshta, nga pesë-gjashtë hektarë vreshta dhe aty bëhej vera dhe derdhej në ato bodrume. Kanë pasur stola, për rakinë dhe verën. Aty mblidheshin nga anët tjera, nga fshatrat vinin në Janjevë. Vinin në treg, shëtiteshin njerëzit në atë kohë dhe aty pinin rakinë dhe verën.
Anita Susuri: A keni filluar herët të merreni me bujqësi apo me çka jeni marr fillimisht, do të thotë çfarë pune keni bërë?
Nikolla Brkiq: Që prej fëmijërisë, me babain domethënë si fëmijë kam punuar. Pastaj kemi qenë në Kroaci kemi punuar me bizhuteri, aksesoar prej lëkure në ish-Jugosllavi. Tre vite, pastaj ka filluar lufta dhe kemi mbetur, malli ka mbetur atje, shtandet kanë mbetur, ne kemi mbetur këtu. Babai thoshte, “Ruaje kokën, lëri paratë dhe mallin”. Dhe kështu ka qenë. Shumë njerëz kanë pësuar, shumë dyqane janë djegur… luftë.
Anita Susuri: Me sa vjet keni shkuar atje domethënë të merreni me bizhuteri?
Nikolla Brkiq: Po me dhëndërrin, atëherë kam shkuar 1988-tën, ‘87-tën kam qenë në Zagreb e ‘88-tën pastaj kam shkuar të punoj në Vodice, pastaj në Primoshten.
[1] Grumbull i barit që është mbjellur dhe tharë.
[2] Lloj i vallzimit tradicional, valle.
[3] Skitači, në zhargonin janjevas do të thotë tregtarë shëtitës.