Pjesa e Dytë
Anita Susuri: A keni shkuar ju në shkollë këtu në Janjevë?
Marija Basller Karamatiq: Kam shkuar, po të them kam shkuar në shkollë deri në klasën e katërt. Herë kam shkuar e herë nuk kam shkuar. E di si ka qenë tek ne janjevasit, aty të shumtë kanë gabuar dhe tani ndoshta po pendohen. Unë kam qenë ashtu fëmijë për shtëpi. Nëna më lejonte, unë budallaqe nuk kam qenë kur i kam kaluar gjithë ato shtete dhe shkollën, por ata gjithnjë thoshin “Vajza do të martohet”, kinse e di, “çka i nevojitet shkolla, ajo duhet të laj pelena”. E djali edhe ashtu ka me çu paketa, kinse do të punoj nëpër treg. Kështu ka qenë. Pastaj nëna lindte, atje rrëmonin, nëna herë më lejonte në shkollë herë jo, “Ajo do të martohet, çfarë shkolle?”
E kur atë vëllaun, po të them, kur e ka lindur, unë kam qenë një muaj në shtëpi nuk më lejonte në shkollë dhe i është dashur që të paguaj dënimin [shtetit]. Në klasën e katërt kam qenë duke dalur në të pestën. Dënimin e ka paguar shumë, pastaj më ka lënë të shkoj në shkollë. Por pa fletore, pa libër, kam humbur kohë në shkollë. Tri vite pastaj kur kam kaluar nga e katërta në të pestën, tri vite kam shkuar në të pestën. Ja, tani gjithmonë bëj shaka në shkollë i them kësaj drejtoreshës dhe këtyre, “Ma jepni diplomën”. Më thonë, “Pse Marija?” “Por, unë kam shkuar në shkollë, dua diplomë” (qeshë). Ajo më thotë, “Si diplomën?” Por, thashë, “Unë kam shkuar tetë vite edhe kjo do të thotë diçka”.
Thashë, “A e dini çka? Edhe kjo është sakrificë, e jo vetëm diploma ashtu, diplomën dua të ma japësh”. I thashë, “Askund nuk do ta dorëzoj, nuk po më nevojitet për punë, por si…” Dhë më kanë premtuar që do të ma bëjnë një sikur i kam përfunduar tetë klasë, dua ta fus në kornizë ta kem, sepse tre vite në të pestën kam qenë. Kam shkuar edhe në deti kam punuar. Pastaj fjalosesha me ata njerëzit atje, nuk të merrnin seriozisht e duan të të mashtrojnë. Kur e sheh një grua që është vetëm, e din si është, a në fakt e kam ditur kush është ai njeri dhe të gjitha. Dhe më ka ardhur keq që vendi [aq i mirë], dhe unë i gjeta njerëzit dhe të gjitha ato, hop {onomatope}. Dhe ai më thotë, i thashë, “A di çka {tregon me gisht}, hajt se do të ta hedh”, thotë, “Jo”.
Kur i bëra të gjitha këto, ai më thotë, “Marija”. Unë jam ulur, më ka pyetur a dua të pi kafe, ka qenë pikërisht vendas aty. “Cilën”, thotë, “shkollë, të mesmen apo fakultetin e ke përfunduar?” I thashë, por disi bëja shaka me të, “A e din çka, jo”, thashë, “as të mesmen as këtë”. Thashë, “Katër klasë, mua më shkruan tre vite në të pestën por katër [klasë] numërohen” thashë. “Çka?” {bërtet} Thashë, “Kjo është ajo. Ja kështu, por nëna natyrë dhe shkolla t’i mëson të gjitha”, i thashë. Jeta të mëson e di, ja kjo është. Kështu që, kështu është, e nëna ime…
Anita Susuri: Ju keni shkuar në “Vlladimir Nazor”?
Marija Basller Karamatiq: Ja, aty është {tregon drejtimin} ashtu është, aty kemi shkuar. Tani është e vjetër ende, tani po bëjnë spote, në atë shkollën e vjetër po bëjnë spote. Të rinjtë po vijnë dhe po fotografohen, e nuk e di, çdo të diel ka shumë të rinj, të rejat po fotografohen nëpër Janjevë. Kur e kam parë këtë, jam çuditur. E një film është xhiruar tani aty, është xhiruar njëri e tani tjetri po xhirohet. E gjithë kjo ka qenë aty {tregon me dorë nga ana e djathtë} lart ka qenë e nxënë. Nuk kemi mundur të kalojmë dhe kur kalonim, thoshin, “Shttt” {onomatope} Thashë, “Mirë”. (qeshë) Lëre, është e bukur, do të mbetet kujtim prej Janjevës, çfarë të them.
Anita Susuri: A keni ndonjë kujtim prej shkollës kur e keni vijuar shkollën?
Marija Basller Karamatiq: Po dëgjo, ka kujtime dhe ato, shoqëria ka qenë e mirë. E di kur nuk ke e kur ke ndonjëherë ndonjë, kemi pasur vetëm vullnet, dikush ka pasur, dikush jo. E gjyshja ime ka pasur aty vreshta i dërgoja fëmijët, pastaj qershia, pastaj vidhnim e ky është kujtimi më i madh. Atëherë ka qenë ky kujtim eh, të shkosh dikujt t’ja vjedhësh ftoin, të vjedhësh nga vreshta dhe kështu. Dëgjo, nuk e di se si ta them, kujtime janë dhe të gjitha ato kujtimet të gjitha kanë qenë të ëmbla. Më kujtohet si fëmijë, kur haja gjerenika sa të mira kanë qenë, sa të ëmbla. Edhe sot e kësaj dite më shtyen, unë edhe në Zvicër duhet ta marrë atë mollën nëse e kam parë.
Vajza më thotë Paulina, “Po nënë, këtu nuk guxon”. Nuk më intereson që nuk guxon. Në Zagreb kur isha, varet ajo dardha apo molla, unë duhet… Kjo më ka mbetur ashtu, ja kaloj andej unë, e marrë gjerenikën prej aty ta ha. Më ka mbetur ajo, tjetër gjë jo nuk kemi pasur, që të dijmë për diçka më mirë. Kur ka filluar qokollata me oriz, edhe sot më hahet, ka filluar këtu kështu i mblidhnim paratë i gjithë ekipi ato dinarët që ta blejmë një qokollatë ta ndajmë, ta kemi. Kështu që, diçka nuk e di çka, nuk e di si të ta them.
Thjeshtë nuk të ka lejuar nëna, nuk të kanë lejuar që ti të ecësh më tutje. Ja kështu, unë kam dhënë gjithçka nga vetja që ta heq atë problem; që edhe fletoret t’ua blej fëmijëve dhe të gjitha, por ja disa vëllezër e kanë përfunduar [shkollën], disa jo. Njëjtë ashtu me atë arsye të njejtë, njejtë të gjitha njejtë. Kjo është ajo. Ja edhe djali im nuk i ka përfunduar të gjitha, e vajza po deri në klasën e tetë. Ajo edhe vinte të punoj këtu, shumë e mençur ka qenë dhe e donte shkollën. Dhe qante për shkollën dhe ajo ka filluar me gjashtë vjet shkollën, jo me shtatë por me gjashtë. Kështu që, kjo është ajo. Çfarë të them?
Anita Susuri: Ju keni qenë familje e devotshme?
Marija Basller Karamatiq: Po, po. Të gjithë këtu kanë qenë, të të them të drejtën. Për neve ka pasur rëndësi kisha, ashtu na kanë rritur. E sheh tani në Zagreb dhe kur janë shpërngulur njerëzit, tani i kanë humbur edhe fëmijët, të gjithë janë modernizuar. Tani prapë kanë rënë e nuk mund të rimëkëmben por është jeta… Por shkonim, edhe sot e kësaj dite shkojmë. Dëgjo, ja ku është, gjithmonë kur na fillon devetnica, tani është Nëna e Perëndisë ne shkojmë atje, pastaj Shën Ana dhe të gjitha kështu. Kështu që, tonët janë edhe atje lart [Kroaci], ka por tani të rinjtë që po rriten, askush nuk është fajtor, as nënat as gjyshet. Nuk mund t’i edukojnë, nuk është më siç ka qenë.
Fëmijët e kanë parë botën, e kanë parë. Ja si unë, a munden nipat e mi tani, ja kjo është. Tek vajza ime qëndron ende ajo, fëmija nuk ka për të shkuar, ja ku janë. Janë të parët për atë vendin në tekuando dhe të gjitha, por ata e dijnë e të djalit që e kam në Zagreb për besë e kanë lënë dhe ja kanë lejuar. Viti i dytë në shkollë të mesme, ja kanë lejuar edhe tatuazh, fëmijës i pëlqen futbolli. Më ka ardhur keq sepse ndoshta më vonë do të pendohet, pas moshës 18 vjeçare lejojeni, por as nuk mund të thuash shumë atëherë. Dhe kur ai fëmiu është gjithë ditën në telefon mobil, shkolla po i shkon, gjynah por edhe vajzën e ka shumë të mençur me të vërtetë. Por shumë janë fëmijët në telefon, madje gjithnjë e më shumë.
Nuk mund t’i thuash, por edhe pajtohem me këtë, por t’thuash që duhet të dielën të shkojnë në meshë, tani nuk mundet siç kemi shkuar ne, të kanë detyruar prindërit a e di. Por të paktën ta dijnë, por… nuk është më siç ka qenë, jo, as tek të rinjtë as kështu, jo, jo, jo… gjeneratë pas gjenerate, pak nga pak ato. Por mund të të them që tani edhe gjeneratat sipas gjeneratave, kush nuk ka qenë dhe kush nuk ka lindur, tani këtë e kemi dimrit në muajin e dytë, në të parin në fakt Shën Sebastiani kur është lartë, në Peshter një vend, shumë të rinj vijnë, përplot është. Dhe tani për këtë Zonjën më shumë vijnë pak më serioz e pastaj për të Voglën në muajin e nëntë, gjithashtu vijnë shumë njerëz.
Edhe të rinjtë edhe të gjithë, dhe Janjeva është përplot, menjëherë bukur, lumtur, të gjitha a e di. Por për të dytin, në muajin e parë vijnë shumë të rinj që nuk kanë qenë, që janë lindur lartë [në Kroaci], varësisht cilin vit, gjithnjë e më shumë po vijnë. Ja kjo, e tani… dhashtë Zoti, nuk e di, nuk e di. Nuk është bukur për askënd edhe për ata që kanë shkuar prej Janjevës, më mirë sikur të kishin qëndruar në Janjevë se sa në Kistanje që kanë shkuar. I kanë prishur fëmijët, tani fëmijët me drogë dhe me gjithçka po merren. E trishtueshme por e vërtetë, dhe kështu është. Nuk ka çfarë, por ja ky i joni quhet Ranjo, çdo vend ka, unë nuk e di, e kemi njërin nga Zagrebi, ai e di gjithë historinë. Atë ta dëgjosh… ai e din se cila kodër sipas kujt është quajtur, kur jemi krijuar ne, cilët janë Paliqët, cilët janë Gllasnoviqët, kush janë Karamatiq, prej cilës familje.
Në Janjevë kanë qenë katër kisha ortodokse, aty ka qenë në Ranjë, e njëra katolike. Por kur kanë sunduar atëherë turqit pastaj pas Austrisë, Austria, Austro-Hungaria kur ka ardhur, i kanë mbrojtur kroatët. Pastaj thotë që të gjithë serbët që janë Ivanoviq këtu, që janë nuk e di cilët, Mazarekiq, kanë qenë Mazareka, ka pasur shqiptarë aty, që janë bërë katolikë dhe të gjitha ato kishat kanë mbetur pastaj, që… por për këtë njeriu duhet të ulet, këtë e kam dëgjuar që herët, tonët si kanë qenë Gllasnoviq, Paliq cilët kanë qenë me prejardhje nga Dubrovniku. E kjo e tëra pastaj është cilët njerëz janë bërë katolikë ta shohësh tek tonët, disa i thërrasim Zymeri. Njëri vëlla ka kaluar në fenë turke, e njëri ka mbetur në atë kroate, a e di.
Eh, Janjeva ka qenë historike (qeshë) prandaj edhe është më e vjetra në Kosovë. Unë nuk e di për cilin kam dëgjuar, kam dëgjuar që është edhe një vend tjetër. Por është më e vjetra në Kosovë si unike, pse jo. Pikërisht atë ditë isha me atë Shepën, ata e kanë atë çajtoren aty dhe të gjitha. Ata i kanë edhe fëmijët mjaft të shkolluar dhe të gjithë me fakultete, njëri edhe avokat, dikush këtë. Dhe flasim thotë, “Marija, është mëkat”, thotë, “tani dhashtë Zoti për këtë që kanë thënë ta bëjnë, e të bëhemi [vend] historik”. Thotë, “Të vijnë edhe njerëz të ketë këtu”, thotë, “këtu ta bëj dikush një restaurant të mirë, të pihet, të hahet, të ketë njerëz që vijnë. Pak reklamë”, thotë, “secili që e sheh ‘Anijen’, e sheh sa e bukur është ajo”.
“Djali im [më thotë], a e njeh këtë njeri nga deti?” “Po, e njoh”. I kishte thënë ai, “Palë”, ata e thërrasin Palë djalin tim atje, thotë, “Nëna çfarë po bën, ku është?” Thotë, “Ka shkuar për Janjevë, ka ikur”. Edhe në Zagreb kam qenë. Unë u fotografova te “Anija”, poshtë te “Anija”. Dhe ai e ka parë, përmes tij në Fejsbuk dhe i ka thënë, “Palë çka është kjo? Ti më the që e ke nënën në Janjevë, tani në Paris”. A e di, dhe ai i ka thënë, “Po edhe është e mundur, ajo është e çmendur, e krisur, mund edhe këtë [ta bëj]”. Thotë, “Hesht, budalla”, thotë, “ka edhe në Janjevë”. “Çka ka në Janjevë?” A e di, kjo është për njerëzit ashtu. Ja, pas kësaj më erdhi djali, pastaj nipërit që nuk kanë qenë fare këtu e kanë qenë të lumtur, kanë qenë te “Anija” i kemi edhe fotografitë dhe të gjitha.
Pastaj vajza qe dy vite, këtë vit nuk ka qenë, tani do [të vij] sepse fëmijët sapo e kanë filluar të mesmen e nuk kanë mundur [për shkak shkollës]. E tani kur munden edhe fëmijët, atëherë do të vij edhe ajo këtu. Mund të të them që ajo kur ka shkuar në Zagreb nuk ka qenë e lumtur. Në Janjevë kur ka ardhur, ka menduar që nuk ka gjë më të mirë, buzëqeshja e tillë nuk paguhet me para. Asaj asgjë nuk ja ka prishur disponimin e mund ta paramendosh ky më i madhi Jasini, më ka pyetur kur shkuam t’i marrim në aeroport kur ka hyrë, fëmija më pyeti, “Gjyshe, a mundet”, thotë, “të blihen këto vjetërsira?” Kinse shtëpitë e vjetra. Thashë, “Nëse babai yt jep para, gjithçka mundet me gjyshen”. Por sa mendon ai fëmijë, menjëherë, ende mirë nuk e ka parë brenda taksisë, po vijmë lart por ai pyet a mund të blihet. Kjo është ajo.
E vajza më thotë, “Nënë, unë duhet këtë të madhin…” sepse dhëndrrin e kam pasur kampion për tekuando në Maroko, e sheh edhe fëmijët tani i kanë ngjarë babait. Ajo thotë, “Duhet të madhin ta sjellim ne në Janjevë, ai do ta blej gjysmën e Janjevës”, thotë. E kjo është, thotë, ai thotë, “Unë do të doja”, thotë, “mua pa gruan nuk më vihet. Duhet ta mbyll dyqanin lartë, që të vij”. Thotë, “Por duhet të hamë”, thotë, “duhet të punohet, do të ketë rast e do të vij”. Dhe kështu që, edhe tani e kemi një janjevase tonën, ka qenë, ajo është në Amerikë dhe është mjaft e pasur dhe tani kinse dëshiron edhe ajo të investoj diçka. Tani kur ka qenë, e tani dhashtë Zoti që edhe ajo diçka të bëj edhe t’i punësoj pak disa të rinj që kanë mbetur, është mëkat.
Të të them të drejtën, mëkat prej shtetit tonë, ka qenë edhe presidenti edhe presidentja jonë Kolinda, ky që është poshtë Franjo, i dyti, Gollome {tregon drejtimin me dorë}, njeriu është bujk. Fëmijët aq shumë e duan Janjevën, sa që nuk ju shkohet. Tani i ka tre-katër fëmijë në deti, punojnë si shërbëtorë të të tjerve por ata gjithmonë pyesin, “Si janë dhitë? Si është ky që i ka pulat? Si është ai?” Aq fëmijë… kanë qenë të gjithë i kanë premtuar, asgjë nuk ju kanë bërë njerëzve, njeriu jeton në shtëpi të huaj. Po është dashur t’ia ndërtojnë prej ari [shtëpinë], që ta ketë njeriu. Ka qenë edhe Kolinda, ka premtuar, është fotografuar me atë Pashkon e vogël.
Zotëri Thaçi ka qenë aty para derës së tij, ka premtuar gjithçka. Unë kam thënë që do të bëj intervistë edhe kështu drejt për së drejti, le të del në televizor, nuk më intereson. Ai më ka thënë, “Marija, kjo është për arkiv”. Po nuk më intereson thashë, asnjëri nuk ka ndihmuar për asgjë, nuk e di. Tani a ka ardhur ndonjë ndihmë, a kanë marrur hajnat apo shoqatat e tjera, këtë nuk e di, nuk e di, nuk kam qenë dhe nuk i kam parë të gjitha. Po thonë, po dëgjoj prej njerëzve që mjaft para kanë ardhur për Janjevën por nuk është bërë, nuk e di, nuk e di. Nuk e di, por e sheh që tani çdokund ka hajni. E sheh Kroacinë, është mëkat.
Zvicra e mban liqenin e saj të vogël, me dëshirë kështu e pastron, e ne gjithë atë bukuri e vodhëm për së gjalli. Çfarë të them, prandaj edhe jam shpërngulur nga Kroacia. Të paktën e kam kokën rehat, kjo është. E kam njeriun i cili më vozit, vjen aty fqinji, kur duhet në Prishtinë, duhet në Lipjan të blej, dhe kthehem në shtëpi. Dhe kjo është ajo. Nuk ka më mirë. Kam ardhur për një qetësi, ta pushoj mendjen, të të them të drejtën. Shumë kam punuar si fëmijë, pastaj poshtë ku jam martuar te Paliqët. Vetëm diçka të bukur që e kam përjetuar ka qenë pak në Zvicër, kur jam rimartuar, por ka qenë njeri më i moshuar. Por m’i ka dhënë të gjitha.
Nuk ka pasur shumë para, por m’i ka dhënë të gjitha edhe atë dashurinë, atë nuk e di, si të të them, atë që e kërkon femra, njëfarë dashamirësi diçka. Vinte më befasonte me buqet të luleve. Gjithnjë punonte, në shtëpi më priste i buzëqeshur. Ka qenë njeri shumë i mirë. Aty kam përjetuar diçka të bukur dhe me buzëqeshje, që dikush të më gëzoj, të më jep ndonjë gjë. Ja, kjo është. Dhe i qoftë dheu i lehtë atij njeriu, ma ka lënë edhe penzionin. Asgjë më shumë nuk po kërkoj, as pasuri nuk po kërkoj. Zoti le t’i ruaj këta fëmijët sepse ata i kam pasurinë më të madhe, unë këtu e kam mirë dhe kaq. Çfarë t’ju them, me mua e keni përfunduar apo nëse doni edhe diçka apo me nënën poshtë pak? Si të doni.
Anita Susuri: Vetëm edhe pak t’ju pyes, nëse mund të flisni për Janjevën pak më shumë. Si e kujtoni ju atë Janjevën kur keni qenë e re? Si ka qenë këtu?
Marija Basller Karamatiq: Po kur kam qenë e re ka pasur rini, ka qenë bukur. Unë po të them, nuk kemi ditur për tjetër, por kemi qenë shumë, unë po të them shkollën nuk e kemi përfunduar askush. Rrallë kush shkollën, prej gjeneratës time njëra ka shkuar në Lipjan, në Prishtinë në shkollë. Prej disa gjeneratave kanë shkuar, prej xhaxhait tim e ka përfunduar njëra shkollën e mjeksisë, në Prishtinë ka shkuar. Por ka qenë hareshëm, sepse fëmijët nuk kanë ditur tjetër. Kisha, por jemi veshur shumë bukur, ka qenë kësaj here, tani është shumë bukur. Atëherë ka qenë baltë e çizmet i kishim më të mirat, sepse e thërrisnin Paris i Vogël Janjevën. Gratë visheshin, meshkujt shkonin, një vëlla i imi shkonte për të gjithë ne blente.
Pastaj kur ka filluar kjo, kur janë hapur kafenetë, e shkonin në kafene aty bashkoheshin e nëpër rrugë kalonin djemtë. Ti nuk ke shkuar diku për të gjetur të dashur, ai të ka kërkuar. Kush të donte të vinte para derës. Të gjuante fjalë, fishkëllente, dhe kështu. Para kishës të shihte, të paraqitej. Pastaj, pas meje kanë dalur kafenetë, mua më kujtohet kur kam qenë ashtu. Mua më kujtohet ashtu kur kam qenë kur Kino Salla u hap. Poshtë ku janë tash romët e ai është vendi ynë, i imi, tash është i djalit. Por shteti e ka marrë, po luftoj që ta marrë, ta kthej. Por ka pasur lumturi.
Por gratë janë veshur, ja nëna jonë e sheh në atë foto, aty lirat, aty boshqet kanë qenë të shtrenjta, nga 200-300 marka e më shumë. Por gratë tona ato i kanë punuar vet, nuk kanë pasur rrymë, si kanë mundur ta ngjyrosin atë boshqe dhe atë harabelin që e kanë vizatuar me shumë dedikim. Kur ishte dasma, martoheshin, të gjitha natën me dorë [i punonin], me llamba dhe askund shtrembtë, askund shëmtuar. Kjo është ajo, të gjitha kanë punuar të gjitha me dorë kanë punuar, me dedikim, pastaj nuset deri vonë… unë kam qenë e dyta që e kam veshur fustanin e nusërisë, më herët të gjitha kanë qenë me dimija ajo brokada, dimijat të gjitha ato, ai tasvesi ai që ka qenë {tregon rreth kokës} vendosej, e gjitha ka qenë kështu.
Pastaj nuset kanë veshur fustan nusërie, ato që kanë qenë gra më të reja kanë veshur brokada. Pastaj ato më kështu, pastaj të moshuarat, ka qenë kështu, por kemi qenë të lumtur. Ka pasur shumë fëmijë, sepse askush nuk ka pasur më pak se pesë fëmijë. Kanë pasur nga shtatë, tetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë dhe kështu që… Ja është një grua e vjetër aty në çarshi, është kthyer nga Zagrebi, 97 vjet i ka. A e di sa nipër, nipa e stërnipër ka? mbi 200-300. Ajo edhe pak më duket do t’i mbush njëqind, nipërit e saj, këta Paliqët që kanë më së shumti kanë thënë që do t’ia festojnë [ditëlindjen], do t’i thërrasin edhe kamerat. Nuk ka askund në botë ashtu, ajo sa shumë i ka dhe ua di të gjithëve emrat përmendësh. Të gjitha t’i tregon, të tregon sa nipër i ka, sa stërnipër, të gjitha. Ata janë mbi 200 e diçka, pastaj 130, shumë janë.
E di se si, ajo është një grua, por gjithë ata, prej djemve, prej vajzave. Kështu që, nënat tona, janë munduar por kanë qenë shumë të pastërta. Shumë kemi qenë të pastërt në atë shtëpinë e vjetër deri te dera fshinim, fëmijët me ato çizmet pastaj balta të pastrohet, por ka qenë gëzim që dikush të fishkëllen, del. Pastaj si fëmijë kur ka pasur borë ke shkuar për të rrëshqitur, mblidhet ekipi. Kjo ka qenë lumturi, a e di…
Anita Susuri: A ka pasur edhe serenada? Dikush ma ka përmendur që burrat këndonin.
Marija Basller Karamatiq: Kanë kënduar, kemi pasur atje ku kanë qenë kumbullat atje ka qenë, mblidheshim, merrnim verë dhe këndonim. Por ju këndonin vajzave dhe fishkëllenin, por gratë nuk kanë shkuar vajzat atje te ata. E ka qenë edhe atje {tregon djathtas} këtu ku keni qenë te ajo Marija e pak më lartë tani që ju ka sjellë pak më lartë, atje mblidheshim. Unë kur i kam pasur 16 vjet diku 15 -16, ka pasur edhe djem dhe ashtu grupi jonë sjellte të vetët atje, batanijet vendoseshin, qeshnim, këndonim. Pastaj në arrë vendosej litari për tu lëkundur, kjo ka qenë. E dikush në shtëpi ta festojmë atë Shëngjergjin nëna i varte… bukur ka qenë.
Nuk kanë, unë po të them, nuk kemi ditur për diçka më të bukur më të mirë, por në këtë vend kemi përjetuar diçka, prandaj të gjithë e duan dhe vajtojnë tani edhe këta të rinjtë. Mbrëmë po flisja me vëllaun tim, thotë, “Si është koha Meri?” Thashë, “A e di çka, është shumë bukur”. Unë dhe nëna jemi ulur jashtë. Çfarë të them, hëna, qielli është plot me yje, gjinkallat dëgjohen. “Tani”, thotë, “sikur të isha zog e të fluturoja”, thotë. E di se si është, kështu është por… ka pasur hare, por jemi munduar. Dëgjo, ne nuk kemi ditur më shumë, edhe shumë mirë që nuk kemi ditur më shumë, por kemi qenë të lumtur.
Ja siç po të tregoja, deri në ora dhjetë, njëmbëdhjetë është dashur të jemi në shtëpi, t’i lajmë çizmet e këtyre fëmijëve të vegjël. E di si djersitet këmba, e kemi pasur sobën atje pastaj kur jemi shpërngulur këtu, drutë të vendosen që të thahen sepse në mëngjes duhet [të shkojnë] në shkollë. Jo të jenë të lagur, të mos sëmuren. Pastaj shkonim të rrëshqisnim si grup i vogël, grup i madh e nuk kishim sajë, nuk kishim asgjë, me qese najloni, me një koritë (qeshë). Dhe kështu, kështu takoheshim e martoheshim, prindërit me prindërit. Aty nuk ka pasur shumë dashuri edhe kur jemi martuar. A e di si ka qenë, të ka dhënë prindi, familja familjes, kështu ka qenë sepse e kanë pranuar kështu. Mua më kanë pyetur njëherë në deti, “Marija”, unë ju kam thënë “nga Janjeva, a e di kroate”.
Kjo ishte e çuditshme për ata, më kanë dëgjuar si po flas, nuk po flas serbisht, nuk po flas maqedonisht e i kemi të gjitha fjalët. “Marija”, thotë, “a je ti maqedonase apo?” “A e dini çka më lërni të qetë. Ne jemi”, thashë, “kemi jetuar në Janjevë, gjyshja ime tregonte kur ka qenë koha e turqve, gratë nuk kanë guxuar të dalin, janë fshehur. Pastaj”, thotë, “Bullgarët kur kanë ardhur edhe më keq. Bullgarët kanë vjedhur, kanë hyrë te gratë kanë vrapuar nëpër shtëpia kanë vjedhur”. Do të thotë, e kanë pranuar edhe ndonjë fjalë maqedonase. Ka edhe shumë [fjalë] turke, këtu thirret penxhere, xhezve, ka shumë, tepsija, ka shumë fjalë turke. Dhe kështu është, këto i kanë kapur varësisht prej asaj se kush ka sunduar. Dhe thashë, nuk më intereson, unë si nëna ime, nëse më kuptoni, më kuptoni. “Jo po të kuptojmë”. E thashë pra, “Pse po më pyesni?” Thashë, “Ja kjo është Janjeva”.
Kështu që të shkretët i kanë pranuar të gjitha ato, prejardhja dihet prej ku dhe çka janë, por ka edhe njerëz që janë prej këtu por janë bërë kroat. Këtë e kam dëgjuar prej një njeriu kryesor i cili më ka thënë. Cilët mbiemra domethënë, por ja edhe ky i joni që e di historinë, pastaj edhe ai ka thënë kush çka…
Anita Susuri: E keni përmendur edhe Shtëpinë e Kulturës.
Marija Basller Karamatiq: E atë e patën ndërtuar atje poshtë.
Anita Susuri: A keni shkuar edhe ju aty?
Marija Basller Karamatiq: Kam qenë disa herë, jo shumë, nuk më lejonte nëna, të të them të drejtën kështu ka qenë. Kam qenë dy herë, a s’kam qenë. Njëherë e kanë lëshuar një film, kam qenë me dajën tim. Dhe herën e dytë kam qenë kur ka qenë Misho Kovaç këngëtari aty, ka qenë pastaj unë kam shkuar. Ja kështu, e shkonin tonët, të tjerët, pastaj vëllezërit e mi, pastaj e kanë pasur si ballo është quajtur ajo, shkonin. Por unë jo, dy herë në jetë kam qenë aty brenda, kjo është e tëra. Kështu që…
Anita Susuri: Këtu ka pasur edhe maskenball?
Marija Basller Karamatiq: Ka pasur, ka pasur, atëherë ka pasur…
Anita Susuri: A mundeni [të flisni] pak për këtë?
Marija Basller Karamatiq: Kunati im është veshur me veshje të femrave me dimija, kjo ka qenë nëpër gjithë Janjevën ka pasur të qeshura. Bukur ka qenë, qesharake. Unë po të them nuk ka pasur më mirë por bukur ka qenë, dëgjo. Ajo nuk është më, ja. Por ai kur vishej ishte edhe qesharak. Pastaj janë veshur edhe burri dhe gruaja, kështu. Ato që kanë qenë më të lira me burrin, ato që kanë jetuar ashtu, e di. Ata në karroca të kuajve hipnin dhe shëtiteshin. Gruaja vishej si burri e ai, ai me dimija dhe shkonin nëpër Janjevë me karrocë. E fëmijët vinin, kushdo që ka pasur ashtu. Ndonëse kemi pasur gjëra të vjetra sa të duash prandaj jemi veshur si të duash. Dhe kështu.
E njëherë unë këtu jam… ende pa u larguar, aty te Don Mate në konak kemi qenë. Don Mate deri para disa vitesh, deri para dy vitesh i mblidhte fëmijët, të rinjtë dhe që të… kështu. Kjo e Paliqëve njëra u vesh si rome, e unë çfarë të bëj shkova atje më tha, “Pse nuk je veshur?” E Don Mate, si ka ardhur Kryqi i Kuq me tesha, më tha “Nisu lart vesh çkado”. Unë njëfarë kostumi, njëfarë fundi e këpucët e qorapet shumëngjyrëshe. E kur më kanë parë poshtë kemi luajtur, kemi bërë hare, fëmijët pak i kemi gëzuar. Edhe atëherë në jetën time për herë të parë jam veshur për maskenball. Unë kurrë si fëmijë e të tjerët janë veshur, unë jo, por shkoja t’i shikoja, jo nuk kam, jo.
Por ka qenë hareshëm, po të them, ka qenë por nuk është ditur më mirë, por mua më vjen mirë që nuk kanë ditur më mirë. Prindërit, kjo, nëna në shtëpi me fëmijët shkonin atje, nëpër tregje kanë qenë tonët dhe falë Zotit, Zoti na ka ndihmuar e kemi fituar, dërgonim lugë. Babai im, e di, shkonte tek tuajët [shqiptarët] edhe nëpër dasma, ata blenin nga 100, disa 50 [lugë]. Pastaj shkonin kështu shisnin lule nëpër tregje dhe kështu. Por gratë nuk shkonin askund, askund gratë, jo. Kur rritej ndonjë fëmijë tani, babai e merrte me vete dhe kështu. Dhe prandaj ka qenë, babai do të, djali do të barte pako njejtë si babai.
E vajza duhet të martohet si nëna, do të lind, do të martohet dhe të lind fëmijë, kështu ka qenë atëherë, kështu ka qenë. Kështu është, të gjithë e kemi pranuar këtë, unë para kishës aty, bashkëshorti im më fishkëllente. E edhe tjetri ishte edhe më i pashëm, kështu zemëroheshin, ata djelmoshat dhe pastaj asgjë. Unë jam fejuar me këtë dhe kështu ka qenë. Kështu ka qenë por edhe prindërit tregojnë që kështu ka qenë edhe më herët. Fëmijën ta di prindi, e njeh familjarisht, e di shtëpinë. Ka qenë edhe te ju kështu, dhe ata e kanë pranuar kështu. Kur jeton ti në një vend, ashtu shkon. Kjo është ajo. Babai e njeh atë familjen mirë, do ta kesh mirë. Eh, tani, a do ta kesh mirë aty apo jo, babai të jep. Kjo është ajo. Kështu që ka qenë.
E mjaft ka pasur edhe gra të moshuara në shtëpi, e sheh gjyshja ime, babai dhe mjaft prej atyre që të ka treguar për ata, që t’i tregoj nëna në atë foto [i drejtohet intervistuesës], ata, ata kanë qenë nëpër Amerikë, me muaj udhëtonin. Gjyshi i nënës sime ka qenë në Amerikë, prandaj edhe e ka blerë shtëpinë për fëmijët. Pastaj ato vreshtat, pastaj arën e ka blerë por kanë qenë me vite në Amerikë, dhe nuk i kanë parë as fëmijët e vet. Ja kjo është.
Anita Susuri: A janë marrur me tregti?
Marija Basller Karamatiq: Në Amerikë? Pastaj kanë punuar atje. Atje shkohej, nuk e di deri ku në këmbë pastaj me anije, me muaj kanë udhëtuar dhe kështu. Por kur vinin, prej Amerikës edhe vreshta blenin, blenin pastaj vreshta tonët edhe toka kanë pasur por më shumë vreshta, pastaj e punonin, kishte rrush. A e di si ka qenë nëse ke pasur vreshta, atëherë ai ka qenë njeriu më i pasur. Ke rrush, ke verë, ke raki, ja kështu. Kështu kemi, kështu siguroheshim kur vinte vjeshta. Duhej të blenim miell 500 kilogram, 600, pastaj ta kesh një thes me sheqer.
Mua më kujtohet kjo, disa nuk kanë pasur, shumica nuk kanë pasur por e di që ne kemi pasur sheqer për dimër një thes, 500-600 kilogram miell kishim. Ta kesh, ajo ka qenë më e rëndësishmja, kripa dhe mielli e këto tjerat i ke apo s’i ke, njëherë në javë mish. Dhe vetëm kush kishte, një therrmijë kaq por ka qenë ëmbël, të gjithë ngjyenim aty, të gjithë hanim. Pastaj nëna e bleu një dhi, pastaj ajo lindi. Kemi pasur dele, pak qumësht. Kështu ka qenë, jeta kështu shkonte. Ja kështu…
Anita Susuri: Kur keni filluar të punoni te “Metaliku”?
Marija Basller Karamatiq: Tani të të them ‘88-tën apo diçka kështu, apo ‘87-tën nuk e di tani. Sepse pastaj unë ‘91-tën kam shkuar në Zvicër. Kur kam shkuar, e atë vit nuk kam punuar, aq kam punuar në atë fabrikën “Metaliku” të të them të drejtën (kollitet).
Anita Susuri: Si i keni kaluar ato vite, të ‘90-tat kur këtu situata pak…
Marija Basller Karamatiq: Po dëgjo, frikshëm ka qenë, nuk ka qenë mirë, nuk ka qenë mirë. Tani mund ta paramendosh, mund ta paramendosh. Ne nuk kemi pasur frikë prej tonëve që i kemi pasur këtu, njerëzit tonë të vjetër, ata të moçmit. Sepse siç thashë turqit dhe shqiptarët që kanë qenë, edhe sot e kësaj dite respektohemi. Kjo ka qenë, fëmijët rriteshin dhe të gjitha këto, ja edhe sot e kësaj dite vajtojnë për atë, për atë Janjevën e vjetër. Dua të them, ai respekti, ai thotë, tani është plakur edhe ai Halimi, por thotë, “Marija nuk ke ku, nuk ke me kë ta pijsh një kafe më. Kanë ardhur fëmijët”, thotë, “të shkelin me makinë tani”.
Ka qenë edhe jashtë vendit, thotë, “Vozisin kështu, nuk kanë më muhabet, nuk ke me kë të ulesh e të bisedosh”. Pikërisht të premten jemi parë dhe kemi biseduar pak. Por kështu është, nuk e di, nuk e di çfarë të them, por nuk është… ka qenë një përjetim tjetër, nuk ka qenë i keq por i mundimshëm, të të them të drejtën, i mundimshëm. Sidomos për nënat dhe gjyshet tona, mos të flas për këtë. Ato kanë qenë martire, edhe tuajat që kanë qenë prej andej ato që kanë qenë të moshuara gratë nëpër fshatra. Ku kanë ditur, çka, asgjë. Të punohet, të mjel kush ka dhi. Dëgjo, kemi qenë të varfër, s’ka aty. Unë i di shumë njerëz po prej gjyshës time, gjyshja ime unë e di, shumë më tregonte mua, shumë më ka dashur dhe më fliste se si por…
Anita Susuri: Ne kemi dëgjuar që këtu ka qenë ‘90-tën apo ‘91-tën, nuk e di, Shesheli.
Marija Basller Karamatiq: Po, ka qenë.
Anita Susuri: Pastaj situata përnjëherë ka ndryshuar.
Marija Basller Karamatiq: Përnjëherë, pastaj për këtë arsye kanë ikur të rinjtë. Ai erdhi, t’i vras të gjithë në kishë.
Anita Susuri: A keni qenë ju aty?
Marija Basller Karamatiq: Po, aty dhe pas kësaj kam shkuar. Aty kam qenë.
Anita Susuri: A mundeni [të na tregoni] pak rreth kësaj?
Marija Basller Karamatiq: Unë aty kam qenë, por jo poshtë sepse nuk më lejonte. Atëherë kam qenë e martuar dhe me dy fëmijë, bashkëshortin e kam pasur xheloz. Nuk kam shkuar, por ka mundur [të na vrajë] edhe neve dhe të gjithë të them të drejtën. Por këndej ka qenë e tmerrshme e frikshme ka qenë, por si është kthyer ajo Ollga, po të them ka pasur shumë njerëz dhe ka thirrur në Prishtinë (kollitet), ka dëgjuar ajo që do të vij Shesheli. E di atë djaloshin shqiptar, kur shkonin, siç shkonin poshtë, ai kinse ka menduar që është gomar. Atë e kanë plagosur në këmbë, atë djalin. Mblodhëm para për spital unë edhe ajo Finka, që t’ia heqin plumbin prej këmbës.
Kështu, por ka qenë e frikshme, e tmerrshme ka qenë. Por nuk e di aq, nuk e kam përjetuar sepse nuk kam qenë në çarshi. Unë kam qenë në shtëpi, nuk më lejonte bashkëshorti, vjehrrën e kam pasur, nuk shkoja aty. Por sipas asaj që kam dëgjuar, të gjitha këto i di që ka qenë e tmerrshme dhe prej atëherë nënat tona kanë filluar fëmijët t’i largojnë. Do t’i marrin për në ushtri dhe të gjithë nuk dihej kush po shkon, kështu ka qenë. Nëna ime pastaj ka mbetur, babai im, djali im i vogël ka qenë, ai ka mbetur aty me nënën dhe vajza ime. E këta të rriturit të gjithë kanë shkuar, dikush me aeroplan prej Shkupit, dikush kështu. Pastaj vëllau menxi e ka mbledhur mallin, të gjitha, makina shumë kanë pasur, vetëm të shkojnë. Dhe kështu.
Por falë Zotit apo ndoshta Shën Nikollës, sidoqoftë kisha ka qenë përplot por është kthyer. Ja nuk e di si ka qenë, kjo Ollga e ka thirrur menjëherë atë, pastaj aty kanë ardhur nga Prishtina shumë sepse i kam njohur…
Anita Susuri: Cila Ollgë?
Marija Basller Karamatiq: Ollga në çarshi poshtë, ajo në çarshi. Ajo është gjallë, vajza Finka ka vdekur. Që të tregova në Turqi që isha me të, ajo ka njohur shumë njerëz në Prishtinë. Të gjithë ata të rëndësishmit të gjithë që ishin në SUP, por i ka ditur edhe serbët të cilët… Por me të vërtetë kanë qenë njerëz të mirë me të cilët është shoqëruar, nuk janë të gjithë të njejtë siç them unë. Për mua kanë qarë edhe serbët të cilët kanë punuar me shqiptarët, para se të nisem për Zvicër, “Marija, si t’ia kthej mikut më të mirë” thotë, “shpinën? Unë nuk e di”, thotë, “çka është kjo, ne kemi ngrënë, pirë”, thotë, “jemi shoqëruar”.
Në kohën më të keqe, ata vinin tek unë, ata nuk kanë pasur frikë sepse nuk kanë qenë të këqinj. Ja kjo është, e pastaj, si krijohet në sekond një, ata punonin, inspektorë të lartë kanë qenë e kanë qenë deri atëherë, sigurimi aty. Nuk e di, ky Shën Nikolla jonë a i ka kthyer si ka qenë, por kanë ardhur aty për të vrarë dhe kisha ka qenë e mbushur përplot. Të gjitha këto i di, por kanë kaluar. Askush nuk ka, vetëm një djalosh. Ai pastaj si kanë ikur, këta erdhën menjëherë nga Prishtina, këta iknin lartë dhe pastaj e plagosën këtë djalin. Dhe ky është ai, tregimi…
Anita Susuri: Pas kësaj ju keni shkuar në Zvicër?
Marija Basller Karamatiq: Unë pas kësaj, ashtu është, ashtu është, ashtu është. Unë pas kësaj kam shkuar në Zvicër dhe kështu ka qenë. Pastaj familja ime shkoj lart [në Zagreb] dhe kështu.
Anita Susuri: Gjatë luftës a keni qenë këtu në Kosovë?
Marija Basller Karamatiq: Nuk kam qenë unë këtu, nuk kam qenë, jo. Nuk kam qenë dhe nuk e kam përjetuar.
Anita Susuri: E familja juaj?
Marija Basller Karamatiq: Jo, jo, as ata. (kollitet) Jo, jo, ata kanë shkuar pastaj kur ka filluar ai tmerri. Jo, nuk kam qenë jo. Dhe nuk e di çfarë të them për këtë, për këtë nuk e di sepse nuk kam qenë, nuk e kam përjetuar këtë. Por siç kam dëgjuar nuk e kanë pasur të lehtë. Janë fshehur, kanë pasur frikë, nuk kanë pasur rrymë, asgjë nuk kanë pasur. E din se si është, ja kjo është e tëra.
Anita Susuri: A keni edhe ndonjë gjë për të shtuar?
Marija Basller Karamatiq: Unë për vete nuk kam çka më, kjo është e tëra për tani.
Anita Susuri: Ju faleminderit.
Marija Basller Karamatiq: Asgjë, ndoshta në ndonjë rast tjetër, kur të keni kohë, edhe unë do të qetësohem, e ndoshta edhe ndonjë gjë më kujtohet.