Lindita Cena

Prishtina | Date: 3 Maj, 2018 | Duration: 27 minuta

Ata u bllokuan, domethanë nga forcat serbe dhe nuk kishin mundësi që të siguronin as ushqim, as barnat elementare për të cilat kishin nevojë se ishin të rrethuar nga forcat serbe. Protesta ka qenë e organizume për datën 16 mars 1998. Nisja është parapa të bëhet nga Dragodani te Ambasada Amerikane. Aty është mbledhë një numër shumë i madh i vajzave, grave, të  cilat, secila e kishim nga një bukë në dorë dhe barnat, me shpresë që me shku me, me ju dërgu familjarëve që kanë mbet të bllokum në Prekaz. 

Domethonë, qysh në tubim ka pasë provokime nga njerëz të ndryshëm. Po na nuk jemi ndalë. […] Afër shkollës bujqësore aty, domethonë përgjatë gjithë rrugës na kanë përcjellë njerzët me vetura, me regjistrimet sërbe. Edhe kanë provoku, kanë bërtitë, janë mundu me na frikësu ose me na… Po na s’jemi ndalë, kemi vazhdu rrugën tonë, as s’kemi bërtitë po e kemi ditë qëllimin për çka jemi duke shku atje. 

Në një moment nuk e mbaj mend as vet, sekondat janë konë në pytje kur dikush prej atynve që kanë provoku hyjnë me veturë brenda në turmën e protestuesve. Edhe aty nuk e di ma çka ka ndodh, se unë i kam humb ndjenjat, domethonë kam qenë njëra prej atyne të cilat më kanë shkelë me veturë edhe nuk e di. Nuk e mbaj në mend ngjarjen më çka ka ndodh aty.


Aurela Kradriu (Intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamera)

Lindita Cena u lind në Rahovec në vitin 1977. Ajo studioi Juridikun në Universitetin e Prishtinën. Ao punon si koordinatore për reduktimin e lëndëve të pazgjidhura në kompaninë Checchi Consulting Inc. Aktualisht, ajo jeton me familjen e saj në Prishtinë.

Lindita Cena

Aurela Kadriu: Okej, nëse mundesh me prezantu vetvetën edhe me na tregu disa kujtime rreth fëminisë tone, çka manë n’men? Domethonë prapavijën familjare, vendin ku je rritë, ku je lindë? Edhe tregimet me të cilat ti e kujton fëmininë tonde, ose që të bijnë në mend nga fëmijëria jote?

Lindita Cena: Unë jam Lindita Cena, jam nga Rahoveci. Jam juriste e diplomuar. Punoj me një projekt të USAID-it. Shkollën fillore dhe të mesme e kam kry në vendlindje, në Rahovec, ndërsa prej ‘97-tës jam në Prishtinë në studime. Fillimisht p’e ndaj pak periudhën para luftës edhe mas luftës. Në periudhën e para luftës, domethonë ‘97-tën e kam regjistru Fakultetin e Mjeksisë, aty i kam kujtimet sa të mira aq edhe të këqija. Pasi që në fillim kur startova si studente ja nisa me protesta (qesh). Protestat studentore të cilat janë mbajt në tetor të ‘97-tës. Aty domethonë kam fillu me u inkuadru në protesta.

Aurela Kadriu: A mujna mos me dal qaty me nejt pak te, te tregimi juj personal, fëmijëria juj, familja juj, çfarë familje jeni rritë, çfarë vendi jeni rritë, çka mbanë mend prej fëmirisë?

Lindita Cena: Atëherë, fëmiria ime është atëherë ka qenë kohë pak ma ndryshe, nuk kemi pasë telefona, rrjete sociale, e këto gjona që sot i përdorim ma shumë, ma shumë jemi marrë me, me gjëra tjera, me lojna të ndryshme që i improvizojshim vet. Ne jemi pesë fëmijë, i kam edhe dy motra tjera edhe dy vllazën. Jom e mesit, dy ma të mëdhenj {tregon dy gishta} e dy ma të vegjël. Zakonisht vendlindja ime njihet si… atje njerëzit punojnë mirren me, punojnë tokën, rrushi i Rahovecit është i njoftun (qesh) jo veç në Kosovë po edhe jashtë. Si fëmijë edhe na jemi mundu me i ndihmu familjes sado që kemi mujt.

Shkollën fillore e kemi kry, e kom kry kështu normal në objekt ndërsa shkollën e mesme e mbaj mend që nuk e di si doket objekti i shkollës mesme pasi që asnji ditë nuk e kemi, nuk e kemi kry në objektet shkollore, po nëpër shtëpi private. Kushtet jashtëzakonisht të vështira, por vullneti edhe interesimi për shkollim ka qenë shumë i madh.

Aurela Kadriu: A keni punu në vneshta si fëmijë?

Lindita Cena: Si fëmijë po, po…

Aurela Kadriu: A e mbani në mend…?

Lindita Cena: Por si argëtim u konë ma shumë, ma shumë kemi dalë veç sa me bo naj lojë atje në natyrë. Kështu që, jemi mundu me ndihmu qaq sa kemi mujt si fëmijë ose m’i prish (qesh) [ndonjë] vegël të punës ose diçka. Përndryshe, po aty i madh e i vogël, po flas në kohën e para luftës, rahovecianët kanë jetu prej, prej fushës. Kanë bo pasuri prej fushës, sepse kanë punu shumë. Po edhe ka hecë atëherë bujqësia, ka pasë përfitime. Domethanë, kanë jetu prej, prej bujqësisë.

Aurela Kadriu: A e mbanë mend ndonji segmenti të veçantë prej punës në vreshta, kështu si familje e madhe?

Lindita Cena: Po ma interesant është koha e vjeljes së rrushit (qesh). Ku e gjithë familja u mobilizojshim që kur bojshin naj porosi, se bojshin tregti edhe me jashtë edhe vishin edhe antarët e tjerë, domethonë axhallarët, fëmijët e axhallarëve, domethonë krejt mahalla vishin. Vishin te na me na ndihmu gjatë kohës sa e kemi pasë të caktume ditën kur kanë dashtë me marrë rrushin edhe me eksportu jashtë. E njejta tani ja kthejshim edhe na…

Aurela Kadriu: Shkojshit me nimu?

Lindita Cena: Po shkojshim m’i ndihmu. Përveç punë, ka qenë edhe si argëtim, se s’e di qysh me ta përshkru kur nuk, kur nuk e përjeton vet osht’, si thojnë shkurt e shyp osht’ shyhret i madh (qesh).

Aurela Kadriu: E shkollën e mesme thatë që e keni kry nëpër shpija?

Lindita Cena: Po.

Aurela Kadriu: A po na kallxon pak qysh ka qenë sistemi paralel në Rahovec, na e kemi kështu njëfarë ideje, po kryesisht e kemi të ndërtume prej storjeve që i kemi bo në Prishtinë e bash po më intereson qysh ka qenë në Rahovec?

Lindita Cena: Në Rahovec ajo shpi-shkollë ku e kom, ku unë domethonë e kom viju shkollën e mesme…

Aurela Kadriu: Çfarë drejtimi?

Lindita Cena: Natyror.

Aurela Kadriu: Aha, gjimnaz?

Lindita Cena: Gjimnaz, po. Ka qenë, që i thojnë tash mahallë e shkive1 (qesh) ose mos ta përmeni këto, po osht’. Ka qenë nji shpi e vjetër. Pothuajse çdo ditë e kemi pritë {shikon dhe tregon me kokë lartë} mos po bjen tavani ose muret po rrëzohen. Banka normal që s’ka pasë, po kanë qenë dërrasat ku jemi ulë edhe fletoret edhe librat i mbajshim në prehën. Literaturë nuk ka pasë shumë, po ma shumë kemi marrë, domethonë shënime nga shpjegimet që i bojshin arsimtarët edhe tabelat, dërrasat e zeza i kemi pasë kështu të improvizume. Por, janë mbajt disa ndërrime në të njejtën shtëpi.

Sot, domethanë është një gjeneratë e tërë ku e ka kry shkollën e mesme në atë shpi-shkollë. Për fat të keq nuk e di a ekziston ajo shtëpi akoma, për shkak që ka qenë e vjetër, llogarit 20 vjet ma herët, po flasim 20 vite ma herët qa ka ndodhë. Por, mësimi, domethonë kanë dalë gjeneratat pothujse… tash i kanë të gjitha kushtet, kanë shkolla, kanë laboratore, kanë sende tjera që i vynë shkollës, por mësimi ka ra. Ndërsa, atëherë ka qenë, në klasë ka pasë ma shumë nxanës të shkëlqyshëm se të dobët. Ka qenë motivi, ka qenë i madh.

Aurela Kadriu: A e mban mend, kur menon në retrospektivë, qysh ka qenë, qysh është manifestu kjo në shoqni, fakti që tash po shkoni me një shpi nuk po shkoni në shkollë. Besoj që kur keni qenë në shkollë fillore me siguri keni thonë, keni mendu që keni me shku në shkollë të mesme me nji objekt shkollor që kena me qenë ma serioz, osht’ gjimnaz edhe tash e gjeni veten në nji shpi.

Lindita Cena: Po osht’ e vështirë, osht’ e vështirë se prej klasës me dalë në dhomë të shpisë të improvizume si klasë osht’ e vështirë, po është dashtë m’u pajtu me faktin. E kemi ditë në kohën qysh kemi jetu, e kemi ditë qysh i kemi pasë senet e ndalume. Por, vullnetin s’ka mujt me na hup kërkush për shkollim. Edhe kjo pikërisht ka qenë nxitje ma shumë sesa pengesë, për shembull dikush me i ndalu mos me shku në shkollë të mesme, për shembull prindi fëmijët për shkak të kushteve, po vetëm kanë pasë shtytje prej prindërve edhe prej qyetatrëve tjerë edhe…

Aurela Kadriu: Çka ju thojshin prindtë për krejt këtë situatë ose arsimtarët?

Lindita Cena: Po arsimtarët, unë mendoj që me na majt të motivum edhe, edhe prindërit e kemi pasë përkrahjen e prindërve. Pak ka qenë e vështirë se çdo herë u dashtë siç ju thashë, as libra ndoshta edhe për shkak të kohës po edhe për shkak të pamundësisë financiare, s’ka pasë as literaturë shumë. P’e dimë kohën kur nuk kemi guxu me i mbajtë librat shumë për shkak të kontrollave. Por, çdo here e kemi pasë përkrahjen edhe shtytjen natyrisht, “Edhe pse nuk është objekt duhet me mësu, m’u shkollu edhe me kry këtu në këtë shpi-shkollë objektin”.

Aurela Kadriu: Rahoveci, a ka qenë ma i përzimë etnikisht?

Lindita Cena: Po, po. Në Rahovec, në Rahovec unë e mbaj mend, e di që edhe në kojshi kem pasë edhe prej, kem pasë kojshi sërbë, boshnjakë probleme s’kemi pasë kurrë.

Aurela Kadriu: Qysh ka qenë me jetu me nji qasi ambienti multikulturor?

Lindita Cena: Si fëmijë e mbaj në mend që ka qenë mirë. Telashe nuk kemi pasë kurrë, na si fëmi kemi lujt edhe me fëmijët e komuniteteve tjera. Kanë ble rrush apo ndoshta diçka tjetër prej, prej shqiptarëve edhe e kundërta edhe shiptartë prej atyne. Ndodh edhe që janë enë mes veti, kanë pi kafe, kanë nejt bashkë, kanë, kanë punu bashkë. Deri sa erdh koha që…

Aurela Kadriu: Ku e mban mend ti, a ke pasë për vete raporte, shoqni me fëmijët e komunitetit serbë ta zëmë, ose?

Lindita Cena: Personalisht jo, se ata zakonisht kanë jetu nëpër banesa. E na me shpi i kemi pasë, ndoshta afër aty, por jo direkt të përzimë me ata. Po ata fëmijët, moshatarët tjerë, fëmijët kanë pasë mundësi. Sidomos ata që kanë qenë në banesa kolektive, ka pasë aty edhe shqiptarë edhe boshnjakë edhe sërbë edhe normal që hapësirën para banesës e kanë shfrytëzu bashkë, kanë bo lojra bashkë, kanë lujt futboll e…

Aurela Kadriu: Po më intereson, a e ki njifarë, njifarë momenti të qartë në kujtesë kur ka ndodhë thjesht ndarja e raporteve çka, çka ka ndodh? Pse…?

Lindita Cena: Jo. Në atë kohë unë për fat të keq nuk kam qëllu atje, kam qenë veç knej në Prishtinë me studime. Po e di që vështirë ka qenë edhe për ata edhe për neve, se unë për shembull nuk i fajësoj kojshitë që ata kanë mujt me bo diçka apo… ashtu ka ndodhë {ngrit supet}, politika (qesh).

Aurela Kadriu: E qysh, qysh ndodhi që vini ju në Prishtinë për studime, pse bash mjekësi, e ça?

Lindita Cena: E pse bash mjekësi, po mu bo doktoreshë (qesh). Rrethi ma shumë, familja, nji shtytje prej familjes që i kanë pasë edhe diçka të afërm që kanë qenë ka ana e mjeksisë, domethanë mjekë. Domethënë që, “Njeke rrugën e tyne, mirë është m’u kanë mjeke, doktoreshë”, edhe unë u pajtova me atë. Kam konkuru, jam pranu. I kam viju nja tri vjet. Tani masanej e kom ndërpre, e kom pa që nuk jam për mjeksi ose mjeksia nuk osht’ për mu. Sot e kësaj dite kur shkoj në spital… nuk jam për atë profesion. E kom pa veten edhe kam thënë stop, sa s’bohet vonë.

Aurela Kadriu: Kur keni ardhë, a man n’men qato ditët e para kur keni ardhë në Prishtinë si studente, ju jeni vendos në Prishtinë a po?

Le=indita Cena: Po, po. I mbaj në mend pak a shumë se është nji kohë e gjatë. Po jemi vendos në Prishtinë, unë e kam pasë fatin që motrën e kam pasë fillimisht këtu, tani masanej jam vendos bashkë me to.

Aurela Kadriu: A s’keni qenë në konvikt a?

Lindita Cena: Jo, në konvikt jo. Kemi qenë në banesë private.

Aurela Kadriu: Qysh ka qenë Prishtina qatëhere për juve?

Lindita Cena: Prishtina, ka qenë realizim i andrrave (qesh). Domethanë, vazhdimi i, i shkollimit, i fakultetit, menxi kam pritë me fillu ligjeratat, por për fat të keq edhe ligjeratat në Fakulltet të Mjeksisë, i kam ndjekë privatisht, në shpi private se fakulteti ka qenë i mbyllur për shqiptarët.

Aurela Kadriu: Ku i ka pasë mjeksia…

Lindita Cena: I ka pasë në Breg të Dillit dikun, ka qenë atje…

Aurela Kadriu: A veç në Breg të Dillit, a u enshit?

Lindita Cena: Në Breg Dillit, në Breg Dillit. Domethonë, tri vjet i kom kry mjeksi, po spital me sy s’kom pa (qesh) ose ndonji praktikë në spital nuk kemi pasë mundësi.

Aurela Kadriu: Në cilat vit ju keni fillu?

Lindita Cena: ‘97

Aurela Kadriu: ‘97-tën keni fillu a?

Lindita Cena: ‘97 po, ‘97 deri ‘99 kam qenë studente e Fakultetit të Mjeksisë.

Aurela Kadriu: Qysh ka qenë ‘97-ta për juve, e përmendët ma herët që jeni angazhu në protesta sapo keni ardhë?

Lindita Cena: ‘97-ta po, sapo kom ardhë, atëherë në kohën e… kanë qenë Albin Kurti e këta aktivistat, nashat dikujt s’më kujtohet emri po kanë organizu protesta studentore. Nëse nuk gaboj ka qenë 1 tetori ose ma vonë. E unë atëhere ndoshta s’i kom njoft mirë as lagjet e Prishtinës se fillimi. Po më kanë ndihmu ata njerëzit ku kam banu edhe kam pasë dëshirë me dalë edhe unë si studente (buzëqesh) në protestë. Aty e mbaj mend që kemi hongër dajak të mirë (qesh) kështu… Edhe ka qenë nji ndjenjë e papërshkrueshme, pak edhe e frikshme se nuk kemi ditë as ka me ikë, ku me shku. Por për fat të mirë kemi pasë shumë qytetarë të Prishtinës që kanë dalë para shpive, na kanë udhëzu, na kanë ndihmu, na kanë dhanë kepë, qepë për gazin lotsjellës se ishim të mbulumë kështu me lotë e me… Edhe na kanë ndihmu me u strehu te ata gjatë ikjes nga policia serbe e cila, të cilët na ndjekshin vazhdimisht.

Aurela Kadriu: E qysh ka qenë kjo protestë, po mendoj a keni qenë në Këshillin Organizativ, a qysh?

Lindita Cena: Jo kështu, vetëm pjesëmarrëse si studente. Nuk kam qenë diçka në Këshill Organizativ.

Aurela Kadriu: A i mbanë në mend kërkesat që i keni shty përpara në këtë protestë?

Lindita Cena: Jo kërkesat pothujse jane knoë të dituna prej fillimit, me qenë të pavarur. Unë si studente për shembull kem kërku që studimet, ligjeratat t’i mbajmë në objektin ku duhet jo në, në objekt të improvizum.

Aurela Kadriu: A ka protesta tjera ‘97-tën përpos tetorit?

Lindita Cena: Ka pasë, tani vazhdimisht ka pasë protesta. Mas tetorit vazhdimisht ka pasë protesta.

Aurela Kadriu: A keni marrë pjesë në to?

Lindita Cena: S’e kom lonë naj protestë pa dalë (qesh) se qysh… më ka hi si në gjak edhe u konë e pamundun mos me dal atëherë, mobilizimi ka qenë shumë i madh. Nuk ka pasë nevojë me bo aq shumë reklamë ose thirrje për me dalë në protestë, se secili kemi ndejt me nji komë të gatshëm.

Aurela Kadriu: Në protestat tjera mandej, a keni fillu mu marrë ma shumë me organizim a veç gjithmnë keni marrë pjesë veç kështu?

Lindita Cena: Jo jo, nuk kam qenë pjesë e organizimit, po unë kam qenë pjesëmarrëse në protesta.

Aurela Kadriu: A shkojshit si grupe prej mjeksisë?

Lindita Cena: Po, tani masanej, masi që i kemi fillu ligjeratat jom njoft me kolegë tjerë, kolege edhe shkojshim bashkë.

Aurela Kadriu: Po dalim te protestat e ‘98-tës, respektivisht te marsi i ‘98-tës, kisha pasë qef këtu m’u nalë pak ma specifikisht, po ma merr mendja se në këtë pjesë keni qenë ma e vetëdijshme, ma e angazhume. Qysh ka ndodh, qysh ka ardhë deri te organizimi i protestave të marsit, respektivisht protesta e bukës?

Lindita Cena: Po në fillim të marsit gjithë e dijmë edhe të gjithë e kujtojmë masakrën në Prekaz në familje Jasharaj [Jashari]. Atëherë ka qenë ajo periudha kur ata u bllokuan, domethanë nga forcat serbe dhe nuk kishin mundësi që të siguronin as ushqim, as barnat elementare për të cilat kishin nevojë se ishin të rrethuar nga forcat serbe. Tani ka qenë nëse nuk gaboj Forumi i Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku bënë thirrje për mobilizim dhe tubim sa më shumë të femrave, vajzave, grave që të paktën me ju dërgu nga një bukë dhe barnat elementare atyne njerëzve që kanë mbetë të bllokum në Prekaz.

Portesta ka qenë e organizume për datën 16 mars, 1998. Nisja është parapa të bëhet nga Dragodani te Ambasada Amerikane aty është mbledhë një numër shumë i madh i vajzave, grave, të cilat, secila e kishim nga një bukë në dorë dhe barnat, me shpresë që me shku me, me ju dërgu familjarëve që kanë mbetë të bllokum në Prekaz. Ta tregoj domethonë si ka rrjedhë.

Aurela Kadriu: Po.

Lindita Cena: Po, qysh në fillim domethonë qysh në tubim ka pasë provokime nga njerëz të ndryshëm. Por, na nuk jemi ndalë, domethonë fillimisht marshi ka fillu nga Dragodani, edhe dikur kur kemi mbrri knej ka Fushë Kosova, afër Shkollës Bujqësore aty, domethonë përgjatë gjithë rrugës na kanë përcjellë njerzët me vetura, me regjistrimet sërbe. Edhe kanë provoku, kanë bërtit, janë mundu me na frikësu ose me na… Po na s’jemi ndal, kemi vazhdu rrugën tonë, as s’kemi bërtitë, po e kemi ditë qëllimin për çka jemi duke shku atje.

Në moment nuk e mbaj mend as vet, sekondat janë konë në pytje, kur dikush prej atynve që kanë provoku hyjnë me veturë brenda në turmën e protestuesve. Edhe aty nuk e di ma qa ka ndodhë, se unë i kam humbë ndjenjat, domethonë kam qenë njëra prej atyne të cilat më kanë shkel me veturë edhe nuk e di, nuk e mbaj në mend ngjarjen më çka ka ndodh aty. Po vetëm kur e kom pa veten në spital, me gips në kambë edhe me njerëz që më kanë shoqëru, që s’i kam njoft, as nuk më kanë njoft po…

Aurela Kadriu: A ke qenë përpara në marsh, a mbrapa, a ke qenë në mes?

Lindita Cena: Unë diku kam qenë ka mesi i marshit, por si tip sportiv që kam qenë edhe që pak a shumë kam dashtë me bo nji kontribut pak ma shumë. I kemi pasë do shirita të kuq që u kujdesshim që turma mos të del jashta, jashta vijës ku u konë e përcaktume qysh me ecë protestusit. Edhe e kena pasë na nji shirit në dorë që m’u identifiku, me ditë që deri këtu është vija ku duhet me, me hecë edhe diku ka mesi i turmës kam qenë. E di ja kemi mbajt edhe dorën njëra-tjetrës që mos të ndahemi. Ka pasë edhe njerëz tjerë afër meje që kane qenë të përfshimë edhe ata, po rasti im ka qenë ma i randë masi kam pësu lëndime.

Aurela Kadriu: Kur e keni nisë protestën qat’ kohë ka pasë mungesë të produkteve elementare të bukës, kah ka ardhë qekjo ideja me marrë nji bukë edhe ku i keni marrë ma s’pari?

Lindita Cena: Bukën e kemi marrë msheftas se ata, faktikisht protesta ka qenë e paralajmërume, ata e kanë ditë se na, qëllimi për çka po shkohet në Prekaz. Po është dashtë me pritë me u bo terr edhe ndonji furrë që e kemi pasë të njoftun ose dikush tjetër na i ka siguru, edhe secili e kemi pasë për detyrë {me gishta bën thonjëza} që me pasë, masi simbolika ka qenë me bukë në dorë në Drenicë. I kemi siguru ashtu qysh kemi mujt, në mënyrë të msheft ose pa u vërejt prej…

Aurela Kadriu: Ti për shembull qysh e ki siguru bukën?

Lindita Cena: Une (qesh), unë e kam siguru përmes pronarëve të banesës ku unë kam jetu. Domethanë, përmes atyre, prej atyre e kam kërku nji bukë me ja u huazu për me dërgu.

Aurela Kadriu: E kur u nisët a përnime menojshit që keni me mujt me mrri deri në Prekaz t’u ecë?

Lindita Cena: {pohon me kokë} Na jemi nisë për me mrri, edhe pse janë disa kilometra në pytje, po na jemi nisë për me mrri edhe e kemi ditë sa osht’ larg ose mujnë me na dalë pengesa. Kemi ditë që nuk do ta kemi rrugën ashtu të lirume, po qëllimi jonë ka qenë që misionin me kry deri në fund ose ato për çka jemi nisë me realizu. Por, për fat të keq aty mo në atë moment protesta u prish. Njerëzit janë, janë shpërnda. Masanej, ka pasë edhe ndërhyrje të forcave policore edhe për fat të keq nuk është shku deri në fund.

Aurela Kadriu: A keni qenë edhe në protestat tjera në mars? Për shembull, 8 marsi?

Lindita Cena: Po kanë qenë protestat para këtyne, po tash nuk i kujtoj me, me qëllimet kështu. Po e di që… nuk e di a kanë qenë para kësaj ose mas, ku i kemi pasë në qendër të Prishtinës, i kemi pasë disa letra që i kemi lexu, kanë qenë ato të shkrume prej dikujt tjetër. Por, secili protestus ka shpërnda nga nji letër [pankartë], domethonë ku kërkohen të drejtat e popullit shqiptarë domethonë, pavarësimi.

Aurela Kadriu: A ka protesta tjera, naj simbolikë tjetër që ka pasë?

Lindita Cena: Po masi, masi që unë shpëtoj nga lëndimi, do të thotë se e kam pasë gjendjen pak keq se ka qenë vendi i ndishëm i këmbës, ku dua ta falenderoj doktor Agron Pustina, i cili e ka bërë të mundur, të pamundurën edhe i cili më ka ndejt shumë afër në qato momente. Se e kam pasë, a do të mbes sakat [invalid] apo muj me ecë prapë qysh kom ecë ma, domethonë mu shëru plotësisht. Po fati im edhe me ndihmën e mjekëve edhe të tjerëve unë domethonëjam sot ku jam edhe muj me ecë prapë.

Në kohën sa unë e kisha këmbën e mobilizume me gips, ka pasë, nuk e harroj që kanë qenë protestat mas kësaj që me çelës, me çelësa me dalë në qytet, domethonë me i kërsitë çelësat me bo zhurëm. Unë në pamundësi për me dalë në qytet, kam dalë në ballkon të banesës edhe {sikur mban çelësat me gishta} e kam kry atë (qesh). S’kam mujt me ndalë vetën, e kemi pasë në gjak edhe e kemi ditë qëllimin edhe arsyen për çka protestohet edhe u konë e pamundur me ndalë vetën, edhe nëse une kam dashtë me ndalë vetën nuk… ka qenë e pamundur

Aurela Kadriu: Okej, nëse nuk ki edhe diçka me shtu…

Lindita Cena: Po kam edhe diçka tjetër që mu kujtu tash duke bisedu. Një javë mbas aksidentit mbahen zgjedhjet e para të përgjithshme edhe unë si… edhe në atë gjendje kam pasë dëshirë edhe vullnet me dalë edhe me shpreh vullnetin tem edhe me votu. Me ndihmën e njerëzve ku unë kam banu më kanë mundësu që edhe unë me dalë në zgjedhje, ashtu me paterica edhe me gips në gunj, në këmbë.

E kemi pasë në lagjen Bregu i Dillit, dhe kur shkoj në vendvotim qëllojnë kamerat, grumbull i madh i njerëzve që presin me dhanë votën, me qindra me mijëra njerëz. Në atë vendvotim qëllon edhe Zekeria Cana edhe më afrohet dhe më pyet për gjendjen. I tregoj qysh ka ndodhë dhe e paraqet rastin para kamerës dhe e jep nji shembull të mirë. Thotë, “Edhe me shtaga, me gips në këmbë në këtë situatë del edhe jep votën e vet”. Ka qenë nji thirrje për popullin që me dalë me votu.

Aurela Kadriu: Ato zgjedhje për çka kanë qenë, për cilin vit po flasim?

Lindita Cena: ‘98-tën, 22 mars 1998-tës, zgjedhje të përgjithshme të para, domethonë në Republikën e Kosovës, po të penguara nga pushteti, por megjithatë të mbajtura nga populli shqiptar.

Aurela Kadriu: Shumë faleminderit.

Lindita Cena: Faleminderit juve.


1 Shka (m.), shkinë (f.), shumës shkijet, term derogativ që shqiptarë përdorin për serbët.

Download PDF