Letër e hapur drejtuar z. Lutfi Haziri

Iniciativa e Historisë Gojore

Drejtuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri.  

Prishtinë, 6 nëntor 2017

I nderuar z. Haziri,

Me anë të kësaj letre shprehim shqetësimin tonë rreth largimit të përmendorës dedikuar Luftëtarëve të Rënë (1941-1945). Duke pasur parasysh përkushtimin që ju keni shpërfaqur në ruajtjen e kujtesës historike, ne ju lusim që ta rimendoni vendimin e largimit.

Ne jemi kolektiv i hulumtuesve të gjeneratave, kombësive dhe kompetencave të ndryshme, Iniciativa e Historisë Gojore, misioni i së cilës është regjistrimi i rrëfimeve jetësore të cilat gërshetohen me ngjarjet më të mëdha të Kosovës. Puna jonë hulumtuese është ngusht e lidhur me të kaluarën, kujtesën, historinë dhe konfrontimin me të kaluarën. Në asnjë mënyrë nuk kemi ambicie të thjeshtësojmë historinë, por përkundrazi, përmes dokumentimit të cilin e bëjmë të qasshëm për të gjithë në arkivin online www.oralhistorykosovo.org, mundohemi që të inkurajojmë raport kritik mbi historinë. Si e tillë, aktivisht kontribuon që t’u shtojë nuanca dhe kompleksitet rrëfimeve historike.

Largimi i përmendorës dedikuar Luftëtarëve të Rënë (1941-1945) në Gjilan, mesazhi i së cilës është lufta kundër fashizmit, përbën shqetësim për organizatën tonë. Si vendim, mund të kuptohet si tendencë e rishikimit të historisë dhe si ndërhyrje direkte në kujtesën kolektive. Përmendorja në origjinal mbanë emrin “Bartja e të Plagosurve”, ndërsa nga ana e qytetarëve të Gjilanit njihet si “Ushtari i Panjohur”, nuk ka asnjë dokument për një emërtim të tillë, dhe kjo na bën të kuptojmë që komuniteti gjithnjë ka pasur një qasje personale se si i është referuar përmendorës. E vendosur në qendrën e qytetit të Gjilanit më 1964, e punuar nga betoni dhe konceptuar me idetë moderne të kohës, kjo përmendore jo vetëm ka regjistruar tendencat e artit modern në skulpturë, por poashtu ka luajtur rol kyç në zhvillimin e kulturës së komemorimit në hapësirë publike.

Duke pasur parasysh që historia e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë nuk është hulumtuar mjaftueshëm dhe faktin që narracionet historike në këtë mjedis ende kanë një status diskutabil, konsiderojmë që kjo përmendore mund të marrë jetë të re dhe të shndërrohet në një mundësi të mirë për të diskutuar rreth asaj që ka ndodhur gjatë Luftës në Gjilan.

Ky adresim publik nga ana e Iniciativës së Historisë Gojore shpreh mbështetjen e plotë ndaj iniciativës qytetare “Kartoni i Kuq” me bazë në Gjilan, të cilët kanë artikuluar kjartë pakënaqësinë e tyre rreth largimit të përmendorës së Luftëtarëve të Rënë (1941-1945) nga qendra e qytetit, dhe zëshëm kanë shprehur urgjencën mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit të Gjilanit.

Për këto arsye, ju lusim që ta rimendoni vendimin e largimit të përmendorës. Kosovës i duhet më shumë histori, jo më pak!

Sinqerisht,

Iniciativa e Historisë Gojore