Kur Krushqit e Pajtimit shkuan në New York: Historia e tretë

Famija  Shabani dhe Domgjoni

Më kujtohet rasti i familjes së Mark Shabani dhe familja Domgjoni, dy familje të cilat janë nga komuna e Gjakovës, por jetojnë dy palët këtu njëherë. Ata kanë qenë miq mes vete. Ka ndodhur një vrasje në familje aty, familja Domgjoni në realitet e ka dëmtuar familjen Shabani. Ka qenë këtu njëfarë profesor Marian Shabani më herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili është vrarë nga familja Domgjoni. Ai, megjithëse, ka qenë edhe dhëndër i asaj familje, por ato kanë qenë problemet ndërmjet familjes mes vete dhe ka shkuar deri në vrasje.

Gjergj Domgjoni ka qenë edhe anëtar i shoqatës “Shpresa”, edhe pikërisht ky rast është ai i cili shoqata “Shpresa” është angazhuar në këtë drejtim më shumë, për shkak se njëri prej anëtarëve të këshillit të shoqatës “Shpresa” ishte pikërisht në hasmëri me familjen Shabani. Edhe çdo kohë u dashke që ai njeri të merr besë nga familja Shabani që të jetë i lirë në New York, e nëse ai nuk kishte besë, ai do të thotë, nuk mund të dilte, nuk mund të shkonte askund, ishte i izoluar tërësisht. Ai normal që shkonte në punë, kthehej nga puna, por nuk dilte në takime. Edhe kjo pikërisht ka qenë arsyeja pse shoqata “Shpresa” e zgjodhi këtë aktivitet, sepse kishim njërin prej anëtarëve tonë që ishte në hasmëri, edhe pse ai nuk ishte personi që kishte kryer krimin, por ishte pjesë e asaj familje.

[…] Kemi shkuar te familja Shabani, kam biseduar vetë personalisht me Mark Shabanin, vëllain e viktimës Marian Shabanin, i kam kërkuar që të zgjat dorën e pajtimit, edhe pse që nuk kam arritë që ta bind prej telefonit, prej bisedave. Më në fund i kam kërkuar, i kam thënë, “Marian [Mark], zakoni shqiptarë është që dera hapet për çdokënd, ne jemi duke ardhur nesër, ne do të jemi në kishë në ora dymbëdhjetë, pas kishe do të jemi në shtëpinë tënde, prandaj duhet ta dish që të na pritësh në shtëpi. E fal apo nuk e fal, arrimë marrëveshje apo nuk arrimë marrëveshje, zakoni është që ti të na pritësh në shtëpi, pastaj ti vendos ato, ne i kemi fjalët tona ti i ke tuat”. Pastaj kemi shkuar e kemi takuar, profesor Anton Çetta na tregoi që ka qenë disa herë edhe te vëllai i tij [i Markut] në Kosovë dhe nuk ka gjetur mirëkuptim, nuk ka arritur që ta pajtoj familjen në Kosovë.

Kemi biseduar me Mark Shabanin edhe ai e ka zgjatur, por ka kërkuar një javë kohë që ai të merret edhe me pjesën tjetër të familjes në Kosovë. Edhe pas një jave, në realitet pas tri apo katër ditësh më ka marrë në telefon dhe më thotë, “Ju pres të shtunën te shtëpia”. Atëherë e kam kuptuar që kjo është punë e kryer edhe e kam njoftuar Anton Çettën dhe grupin që ishin, që do të shkojmë te Mark Shabani sepse është arritë marrëveshja mes vëllezërve dhe ai do ta jep fjalën e fundit.


Copëzën nga audio intervista ku Besim Malota tregon historinë që sapo lexuat mund ta dëgjoni këtu.