NË KËRKIM TË GJYSHIT
Më kujtohet kur kam filluar të bëjë pyetjet, “Pse nuk kam gjyshër si gjithë të tjerët? Ku është trungu familjar?” Babai gjithmonë më ka dhënë përgjigje të turbullta derisa nuk mund të fshihte më të vërtetën. “Ata janë vrarë,” tha ai. “Nga kush?” pyeta unë. Për një kohë të gjatë ai përsëriste, “Nuk e di”. Më vonë, kuptova që kishin qenë çetnikët.
Gjyshi nga ana e babait, Qërim Vasolli, lindi në vitin 1912 në Orllan, ku tani është Liqeni i Batllavës, përveç se atëhere nuk ka pas liqe, vetëm tokë të plleshme që Vasollët e kanë punuar. Me 1941, në atë pjesë erdhën çetnikët dhe vranë pesë vëllezërit e Qërimit. Vetëm ai dhe një vëlla i vogël i shpëtuan masakrës dhe erdhën në Prishtinë. Babai im Ragipi ishte pesë vjeç kur Qërimi u zhduk. Nëna e tij Sherifja vdiç katër vite më vonë, prandaj nuk dijmë shumë për familjen e babait.
Në vitin 1943 babai i nënës Ram Berisha u vra me vëllanë Bajramin në Svircën e Poshtme, një fshat afër Gjilanit në kufirin lindor me Serbinë. Çetnikët i lidhën në një dru, së pari i prenë gjymtyrët, mandej kokët. Bashkëshortja Halimja ishte shtatzënë me nënën time, e cila ishte një grua shumë e bukur, prandaj edhe mori emrin Bukurije. Halimja u largua me të tërë fëmijët për të gjetë mbrojtje te shtëpia e vëllaut Zuk Leci në Gmicë. Gjatë atyre ditëve nuk mund të gjeje mbrojtje nga OKB, OSBE, apo KFOR. Në atë zonë, Zuka një burrë i fortë, ishte OKB. Bukurija nuk mban në mend se çfarë i ka ndodhë të atit, por ne dijmë diçka mbi vrasjen e tij meqë biri i tij më i rrituri Shaipi, ishte 16 në atë kohë.
Nuk kemi asgjë prej Qërimit përveç fotografisë me madhësi të letërnjoftimit që e mbaj në iPhone. Rukija, gruaja që u martua me vëllaun e tij dhe u kujdes për babain tim kur mbeti jetim, ma dha mua në vitin 2001. Fëmijët e Rukijes gjithmonë i kam thirrë axhë e halla, ndërsha fëmijët e tyre kushërinjë. Gjatë rritjes ata ishin familja e vetme që njihja. Ata ishin familja e vetme që babai njihte.
Gjatë një kohe, pas masakrës së vëllezërve, Qërimi vizitoi familjen e tij në Prishtinë por vetëm gjatë natës. Ai asnjëherë nuk flejti në shtëpi. A po fshihej në male? Nga kush? A ishte duke luftuar? Pasi humbi pesë vëllezërit ai iku. E dinim që ishte arrestuar gjatë viteve 194647 dhe ishte dërguar në burgun e Pozharevacit, nga i cili u arratis së bashku me një shok. Shoku i tij nuk i’a doli të ikte. Ishte dimri i vitit 194748.
Qërimi u pa në vitin 1948 nga dikush i Prishtinës që ishte ushtar i Titos i pozicionuar në kufi të Italisë. Ajo ishte koha kur kishte tension të madh në mes Jugosllavisë e Italisë dhe trupat rrinin në gatishmëri në të dy anët e kufirit. Edhe pse kishte veshur uniformën e oficerit italian, ky ushtar e njohu Qërimin. Ai tha, “Harroje, të gjithë në familjen tënde është vrarë, nuk e ke askënd gjallë.” Dua të besoj se kjo është arsyeja pse ai nuk u kthye më kurrë.
Babai im provoi, në mënryën e tij, të gjente Qërimin. Kur u rrit, filloi kërkimin e kushërinjëve në Orllan. Njerëzit e mbanin në mend masakrën, por shumë ishin larguar për në Turqi gjatë migrimeve të mëdha të viteve 1950ta. Babai im shkoi në Turqi dhe e gjeti një kushëri jo të afërt, që i tregoi gjithëçka që dinte. Jo shumë.
Në vitin 1968 babai im kontaktoi Radio Romën, që kishte një program për njerëzit e humbur. Ishte e vështirë të komunikoje atëherë, nuk kishte telefon, kishim telefonin e parë në vitin 1974. As nuk e di se si e ka kontaktuar Radion, ndoshta përmes postës, telegrafit apo radios. I thanë që po, në të vërtetë ishte një Qërim Vasolli që po luftonte në Qipro si mercenar. Ai po mungonte në aksion. Do të duhej të kishte pasur një jetë interesante. Çfarë ka bërë në Qipro? A ka mbijetuar? Ndoshta si mercenar, ai arriti te një pikë ku mendoi të i’a mbathte për të shpëtuar jetën e vetë.