FTESË PËR PJESËMARRJE

INICIATIVA PËR HISTORI GOJORE SHKON NË GALERINË KOMBËTARE TË ARTEVE NË TIRANË

FTESË PËR PJESËMARRJE

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Iniciativa për Histori Gojore fton studentët dhe profesionistët e rinj nga fushat e artit dhe shkencat shoqërore të marrin pjesë në punëtorinë dy-ditore mbi metodologjinë e historisë gojore të drejtuar nga Erëmirë Krasniqi nga Iniciativa për Histori Gojore me bazë në Prishtinë, Kosovë.

Rreth punëtorisë
Njëzet vjet pas luftës në Kosovë i kthehemi këtij momenti në kohë për të mbledhur rrëfimet e qytetarëve të Shqipërisë të cilët u përballën me valën e refugjatëve që vinin nga Kosova. Përmes kësaj punëtorie, studentët do të pajisen me aftësi të intervistimit që përdorë metodologjinë e historisë gojore. Shkathësitë e fituara do tu shërbejnë të i bashkohen procesit të mbledhjes së rrëfimeve të qytetarëve të Tiranës të cilët kanë kujtesë që lidhet me ngjarjet e vitit 1999 dhe ardhjen e refugjatëve nga Kosova për në Shqipëri.

Kur dhe si?
Dhjetë studentë do të selektohen për këtë punëtori. Punëtoria do të mbahet gjatë javës së parë të muajit nëntor 2019. Studentët do të përfshihen në mbledhjen e rrëfimeve në koordinim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Iniciativën për Histori Gojore. Rrëfimet e mbledhura do të arkivohen në arkivin dixhital dhe të hapur: www.oralhistorykosovo.org dhe do të prezantohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në kuadër të Programit Publik 2019.

Në përfundim të projektit, studentët do të pajisen me një vërtetim të lëshuar nga të trija institucionet partnere.

Si të aplikoni?
Të gjithë të interesuarit të na shkruajnë në
[email protected] dhe [email protected]. Ju lutem dërgoni rezymenë e shkurtër dhe një letër motivuese deri më 25 tetor, 2019.

Projekti është partneritet tri-palësh mes Galerisë Kombëtare të Arteve, Iniciativës për Histori Gojore dhe Komunës së Prishtinës.

***

Erëmirë Krasniqi është akademike e re që ka diplomuar në Bard College Berlin në estetikë, filozofi dhe letërsi si dhe në nivel master në letërsinë komparative në Kolegjin e Dartmouthit. Në Dartmouth ajo ka punuar si asistente në disa kurse (Feminizmat islam transnacional, Gruaja virtuale e Kriegerit: Anime Japoneze dhe ideja e post-humanizmit, Hyrje në studimin e filmit dhe Filmi noir), si dhe asistente e hulumtumtimit në projektin Media Ecology, një burim digjital i cili është marrë me format e reja të prodhimit akademik, përkrahjen dhe avokimin e punës së nevojshme të arkivimit medial. Erëmirë është Drejtoreshë Ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore.

***

Foto: Donald Brekofca

Pamje nga ekspozita “Urimet më të mira për 1999”