Fetije Kasemi

Prizren | Date: 25 korrik, 2018 | Duration: 38 minuta

Për çdo vit kemi shkuar në Maqedoni ne Ohër ose në Dibër, ose në ndonjë vend tjetër për të parë dallimet e gjuhës, se te ne flasim ndryshe te ata ndryshe, atje kemi folë gegnisht ne. Pastaj më 72-tën çak, u bë të flasim në gjuhë të unisuar, rëndë ka qenë për ne, aq më rëndë për nxënës, tejet më rëndë  për prindër, se diçka nifarë shtese, prapashtese…po që reagonin, ‘Tregona, tregona si duhet’. E menzi qe u adaptuam, pas disa vitesh mandej na u duk krejt normale. Të folurit tanë ende e flas kudo që shkoj zyrtarisht, ende flas ne gjuhë të unisuar, nuk mund të flas gegnish.


Nëntore Rexhepi (Intervistuesja), Elmedina Arapi (Kamerë)

Fetije Kasemi u lind me 22 korrik, 1945 në qytetin e Prizrenit. Ajo ka përfunduar shkollën e lartë pedagogjike për gjuhë dhe letërsi shqipe në Prizren. Karrierën si mësuese e filloi duke punuar në gjimnaz për disa vite, pastaj ka vazhduar si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren ku edhe u pensionua. Sot ajo vazhdon të japë mësime private në gjuhë dhe letërsi shqipe dhe është  aktive në organizata të ndryshme joqeveritare në Prizren.

Fetije Kasemi

Fetije Kasemi: Quhem Fetije Kasemi, jam lindur në Prizren me 22.07.1945. Ishte koha, ishte mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, mirëpo njerëzit menjëherë nuk kuptojnë a mbaroi, a nuk mbaroi. Gjuajnë edhe në mesin e shtatë shokëve, qëllojnë babën tim që ka qenë një djalë i vetëm në familje. Këta po përgatiten që t’kthehen pas luftës në realitet, ata e kthejnë në kortezhin funeral. Edhe nëna ime më merr pas shtatë ditëve mua edhe vijmë te dajtë. Atëherë, unë si foshnje nuk dij çka ka ndodhur, edhe te dajt rritem. E prej dajve masnej kam pasë shtëpinë më afër shkollës “Bajram Curri”, shkova atje në atë shkollë u regjistrova që në fillim nuk deshtën për t’më regjistruar pasi që isha e vogël, mirëpo ajo mësuesja m’i ka pa do anë pozitive që po shkruaj bukur, ngadalë edhe po mundem me i përcjellë ato që po na jep mësuesja.

Në mbledhjen e këshillit të arsimtarëve, në gjysmë-vjetorin e parë propozon që t’ma shkruan emrin edhe t’kem një sukses të mirë. Atëherë, atëherë, në klasën e parë të shkëlqyeshëm krejt janë nxënësit, janë të shkëlqyer edhe mandej më lajmëron, i lajmëron nënës sime, thotë, “Ja blen këtë libër, ja blen këtë fletore këtë send. Fletoret, i ke librat, se ta kemi pranuar”. Ajo shumë gëzohet se nuk ndahet prej shoqeve, se kam me kë për të mësuar, mësojmë bashkë, kemi mësuar bashkë do detyra kemi bërë bashkë.

Atëherë kanë qenë çikat e kojshisë si motrat e tua, nuk di tash sa po munden me u përzi, po m’duket se ai telefoni nuk po i lenë rahat as të përzihen fëmijtë. Edhe ne kështu bëhemi deri në klasën e katërt, në klasën e katërt na marrin neve nga pesë, gjashtë, sepse kanë ndërtuar shkolla të reja. Në “Emin Durak” m’takoi [të shkoj], se në Tabahane kam jetuar, në “Emin Durak” edhe shoqet e mija se çikat e kojshisë në “Emin Durak”, shkojmë bashkë, studiojmë.

Ajo që ka qenë më interesante dhe që m’ka tërhjekë në shkollën “Emin Durak”, ka qenë që jemi marrë me krimbat e mëndafshit, kemi punuar në orën e biologjisë, krimbat prodhonin mëndafsh. Mëndafshin e mbledhke profesori edhe e shiste, e shiste. Me ato para na çonte për në eksurzion që t’mos kërkojmë dhe organizimet t’mira kanë qenë që të mos kërkojmë prej prindërve para. Edhe veç nji gja që m’ka prek thellë në shpirt ka qenë kur ka thanë kujdestari klasës shkoni babat pyetni. “Babatë pyetni”. Unë s’kam babë!

Tërë rrugën prej “Emin Durakut” deri disa metra [nga] shtëpia, tërë kohën kam qarë. Edhe kur kam hyrë brenda, ajo nëna ime e ngrata, e ndjera, “Çka ndodhi, çka ndodhi? Mos të ngucën?” “Jo jo, ka thënë kujdestari klasës të pyesim babatë për të shkuar në eksurzion”. “Ani, nanë, qe unë jam, qe po vij unë te kujdestari po flas”. Erdh në shkollë, u vesh, ishin me ferexhe atëherë. Erdh në shkollë u vesh edhe erdh tha, “Kështu, kështu, po më qanë vajza”, “Ajo e ka vendin e parë atje, ajo” ka thëne ai kujdestari ka thënë, “më së shumti ka kontribu, më së shumti ka punuar. Vendin e parë e ka. Afër meje ka me qenë, ti lëshoma mu. Ama, mos u mërzit fare për këtë”. Edhe unë shkova edhe u kënaqa drejtën me tregu.

Mirëpo, pastaj erdh edhe një lajm prej ushtrisë që fëmiu i luftëtarit ka të drejtë për të shkuar në det, pas klasës së gjashtë, klasën e pestë shkuam për shkak të mëndafshit, në klasën e gjashtë u kyça në… gjatë pushimeve verore tri javë ditë në Beçiq, për çdo vjet deri sa u bëra student, si studente organizata studenteve me çoi atje në Pulla tre javë ditë, po ashtu prej tërë Jugosllavisë së vjetër. Ashtu ka qenë, pa te holla kështu gratis, a din, eh! Pas shkollës fillore shkova në gjimnaz edhe atje e kreva me sukses, pastaj nuk pata kurrfarë mundësie që të vazhdoj dhe të studioj atë që kam dëshirë unë, se nënën e pata të sëmurë, u deshtë të rrij me të patjetër. Fat pata u çel, atë vit u çel.

Nëntore Rexhepi: Shkolla e Lartë.

Fetije Kasemi: Shkolla e Lartë Pedagogjike – Gjuhë dhe letërsi shqipe, mirëpo emrin e kishte Gjuhë dhe letërsi shqipe, por gjysmën e provimeve në gjuhën serbo-kroate kam dhënë. Provimet kanë qenë provime të përgjithshme Pedagogji, Psikologji, Paraushtarak, Marksizëm të gjitha këto i kemi pasur. Nja shtatë lëndë në gjuhën serbo-kroate e knej na kanë mbetur nja pesë lëndë: Letërsia popullore, Letërsia për fëmijë pastaj, se Letërsia Jugosllave në sërbisht edhe kanë qenë tejet, tejet tema të rënda. Ka qenë dashtë… me qëllim ajo profesoresha, kurrë nuk harroj, me qëllim ma pat dhënë punë seminarike të mbrojë para studentëve edhe ata t’më pyesin dhe unë të përgjigjem në gjuhën serbo-kroate, ajo ka qenë shumë e rëndë për mu. Mirëpo, përballova diqysh edhe pata sukses.

Nëntore Rexhepi: Në prezantim.

Fetije Kasemi: Pata sukses prezantova diçka u përgjigja në pyetje, në përgjigje, në pyetjet e tyre pastaj…

Nëntore Rexhepi: Studimet si kanë qenë me shoqni?

Fetije Kasemi: Studimet, me shoqni…

Nëntore Rexhepi: …si ke kalu aktivitetet tjera apo vetëm n’fakultet strikt keni qenë?

Fetije Kasemi: Aktivitetet… jo, jo, jo. Për çdo vjet kemi shkuar në Dibër ose në Ohër në Maqedoni ose ndonjë vend tjetër për të parë dallimin e gjuhës, se te ne flasim ndryshe, te ata… atëherë, kemi folë gegnisht ne. Pastaj me ‘72-shin čak[serbisht – madje] u bë të flasim në gjuhë të unisuar. Rëndë ka qenë për ne, aq më rëndë për nxënës, tejet më rëndë për prindër se diçka njëfarë shtese, prapashtese ose parashtese ose diçka, ku me ditë çka s’ka qenë, mirëpo që reagonin, “Tregona, tregona si duhet?”

Nëntore Rexhepi: Dallimin mujshin me e vrejtë edhe ata?

Fetije Kasemi: Menxi që u adaptuan edhe pas disa viteve mandej na u duk krejt normal të folurit. Unë ende flas, që shkoj diku zyrtarisht, ende flas në gjuhën e unisuar. Nuk mund të flas gegnisht, interesant është ajo, nuk mund të flas gegnisht. Mirëpo, çdo vend ka peripetitë e veta, çdo vend ka peripetitë e veta. Dikush në Bibliotekën e Shkollës së Lartë Pedagogjike ma dha një shenjë të kuqe, te vogël unë përfundi jakës qita atë shenjë, shenjë e kuqe e vogël. Jaka ka qenë, kostumi ka qenë me ngjyrë të zezë, me ngjyrë të zezë, ajo e kuqe. Menjëherë mua, interesant kush lajmroi, kush nuk lajmroi? Mua më thanë biblotekistja, mirëpo nuk deshta me e ba t’madhe, edhe menjëherë në punë të mbrendshme brenda1. As nëna nuk dinte ku jam, disa orë me radhë shoqet anë e mbanë më kanë kërkuar s’kanë mujt mem gjetë, “Çka domethënë…”.

Nëntore Rexhepi: Çfarë kuptimi kishte ajo pika e kuqe?

Fetije Kasemi: “Pse kuq e zi ti a? Pse kuq e zi?” Vetëm ajo pika. “Kuq e zi ti a?” “Ku kam kuq e zi unë? Nuk kam kuq e zi!” “Ktheje jakën!” “Unë jakën” thashë, “ma dha ni shoqe, ni shoqe për kujtim nëse duhet unë po ta jap ty, unë për me këtë asgjë nuk kuptoj”. “Jo, je duke studiuar gjuhën shqipe edhe e mban shenjën e Shqipërisë”. “Nuk është e vërtetë!” Atëherë ka qenë shumë e ndalume, tepër e ndalume, mirëpo dajak, diçka të rrahura ose maltretim, po psiqik, mirëpo të rrahura nuk kam pasur falë Zotit. Edhe dola, nëna as me pas qenë edhe sot gjallë s’kishte me ditë se s’kisha me ja tregu,

Nëntore Rexhepi: Kishte me u mërzitë.

Fetije Kasemi: Kishte me u mërzitë, normal.

Nëntore Rexhepi: Me grupin albanologjik që keni qenë, qysh i keni kalu? Ngjarjet?

Fetije Kasemi: Me grupin albanologjik që kemi qenë, kemi punuar bashkë shumë. Kemi ndihmuar njëri-tjetrit, njëra-tjetrës, kemi punuar punë seminarike, diçka me thanë, ku me ditë çka ndonji dramë ose ndonji pjesë… kurgja, kurgja s’ka pasë, kurgja s’ka pasë. Veç dominonin sërbët, veç na thirrnin ata veç ata, veç te ata, pa marrë parasysh çka je duke studiuar. Mirëpo, për fat të mirë, në vitin e dytë u larguan, në vitin e dytë u larguan…

Nëntore Rexhepi: Sërbët a?

Fetije Kasemi: Sërbët. Jo që i larguan prej ktuhit, por i prunën profesorët e gjuhës shqipe. Ne patëm krejt vitin, mirëpo na endën prej atyhit, tash ku është Fakulteti i Edukimit, aty kemi qenë edhe ne. Pastaj shkuam në Papaz Çarshi, është tash, është shkolla, shkolla e Gjermanëve ktyne, “Loyola” për shkollën fillore, n’qat ndërtesë kemi qenë nji semestër. Në Bibliotekën e Qytetit kemi qenë nji semestër, që domethënë na kanë shëtitë nga tre muj, nga tre muj, nga dy muj na kanë shëtitë. Qe kështu, shpirtin n’hund na kanë pru deri sa kemi kry.

Nëntore Rexhepi: Kur janë largu sërbët, masi keni vazhdu vetëm shiptarët qysh ka qenë sistemi masnej mësimi gjuhës shqipe?

Fetije Kasemi: Shiqo, a… njisoj ka qenë deri, deri te lufta. Deri te lufta planprogramet mësimore kanë qenë të tyre edhe përgaditnim programe të ndryshme bashkë. Nji nxënës prej sërbëve, dy nxënës prej shqiptarëve, se më tepër shqiptarë edhe nji prej turqve edhe turqit kanë marrë pjesë, secili në gjuhën e vet, recitalet i kanë përgatitur vet me nji apo dy kolege tjera. Recitalet ka qenë dashtë me i adaptu kohës, s’ke mujt ta prente… çfarë përmbante, mundet, nuk ke guxu kurgja tjetër me përmend vetëm prej asaj kohe.

Nëntore Rexhepi: A ju ka duk qe keni qenë ma të lirë, tash me profesorat shqiptarë?

Fetije Kasemi: Po, po, shumë ma t’lirë, shumë ma t’lirë në gjuhën tënde amtare. S’ka, shumë ma t’lirë, shumë ma t’lirë. Edhe kanë qenë të kuptueshëm, ende më jeton profesori i gjuhës shqipe ky… njëri prej tyre jeton në… Yll Zajmi është. Letërsi popullore, letërsinë na ka dhanë, jo popullore Demush Shala i ndjerë, u bo Letërsi popullore edhe ky u bo i ndjeri ky… gramatikë edhe sintaksë, aq me hy unë në gramatikë dhe sintaksë, si thojnë u dashurova, u dashurova në gramatikë edhe aq u thellova, fillova vet për të studiuar edhe gjithnjë kam punuar shumë nëpër shkolla gramatikë.

Në ditë të sodit po më falenderojnë studentat, “Na ke shpëtuar…! Arsimtare ke qenë e rreptë, mirëpo na ke shpëtuar për gramatikë s’kemi kurrfarë problemi. Studentët nuk janë duke ditur aq sa po dijmë ne për të bërë analizën morfologjike të fjalisë edhe për të ditur çdo rrokje çfarë funksioni ka edhe çdo lidhje fjalëve si lidhet edhe kur asht’ kjo diçka, kur asht’… çfarë funksioni ka, afër kujt duhet me ndejt” E s’di çka…

Po du me thanë, edhe vet jetoja edhe vet u argëtosha se asht’ shumë ni ni… një lëndë e thatë, nji shkencë, është një lëndë e thatë që nxënësit nuk e duan, mirëpo unë vet e kam dashtë shumë edhe ata mas meje pastaj u lëshuan edhe e deshtën lëndën. Edhe në letërsi punoja, mirëpo shumë gramatikë kam punuar shumë. Ende n’ditë sodit punoj gramatikë, ende ndonjë student që ka problem vjen te unë, unë e marrë në dorë edhe e udhëzoj, kështu që…

Nëntore Rexhepi: Sistemi arsimit ne atë kohë, qysh u konsiderojke niveli i sistemit të arsimit në vendin tonë?

Fetije Kasemi: Sistemi arsimit, valla ne shqiptarët shumë pak kemi ndjekë, sistemi arsimit ka qenë… gjithmonë ata si thonë, gjithmonë ata si thonë ju teke atyre një pjesë të leximit me e nda prej planprogramit mësimor. S’ke, s’ke pasë fuqi ti me ba, me e marrë atë nuk ke pasë ti fuqi, vetëm ata. Mirëpo, erdh lufta. E para luftës nëndë vite, u ndërprenë, u ndërpre Televizori i Prishtinës, programi televizorit të Prishtinës menjiherë. Pastaj u ndërpre mësimi, mësimi u ndërpre, por na mësimin s’e kemi ndërpre. Rrogat na i ndalën, kontributet s’ka, kur s’ke rrogë s’ke edhe kontribut. Kontribute s’ka. E pastaj unë si arsimtare, jo që kam qarë vetëm që nxënësit duhet për t’i lëshuar, nëse vijnë nxënësit unë vij punoj pa para, vetëm gjuhën shqipe mos ta humbin.

Shiqo, çika jeme, [i drejtohet intervistueses] përbrenda dhjetë viteve, nëntë vite, ‘99, qat’ ‘99-shin, ‘90-shin, ‘99-shin që po përmendin, brenda këtyre viteve gjuha shqipe kish me mbaru krejtësisht, sepse prindërit dhjetë vite nuk munden me i lanë fëmijët pa i çu nëpër shkolla. Prindërve ju kemi tregu, do t’punojmë me qiri, në vend të një libri do t’qitim një copë dru, drunjtë tona ishin ato mbyllur me dry. Në të ftohtë, si mundet njeriu me punu? Me dorëza me jakne. Mirëpo, patjetër bile pak diçka pak diçka m’i ngroh.

Nëntore Rexhepi: Pas diplomimit, e keni kry Shkollën e Lartë keni fillu si arsimtare, si jeni ndje në fillimet e juaja t’karrierës, sa ka qenë…?

Fetije Kasemi: Karriera, fillimi im ka qenë mjaft, mjaft, mjaft karriera e vështirë, mjaft fillimi i vështirë, sepse nxënësit i kam pasur moshatarët e mi.

Nëntore Rexhepi: Në gjimnaz.

Fetije Kasemi: Gati… më herët a të thashë, më herët kam hy në punë ni vjet përpara. Ata dy kurrë s’i harroj, dy vëllezër ishin, njëri e ka prit, ai i madhi e ka prit të dytin për me qenë në nji klasë për me msu me libra t’njejta edhe për m’i ba detyrat bashkë. Edhe nji vjet, dy vjet edhe nji vjet ka përsëritë, do të thotë ai ka qenë 20 e sa vjeçar, e unë 20 e sa vjeçe. Kështu që, kështu që m’u deshtë me u sillë rreth atyre pak, se kam hasur… edhe sërbëve ju kam dhanë mësim, mirëpo kam hasur në probleme, kam hasur në probleme. Serbët i shtishin shiptarët, ka pasur aty edhe nxënës edhe prej shqiptarëve që mësonin shqip2 duke kujtuar se do të shkojnë të studiojnë në Beograd dhe do t’bëhën njerëz të mëdhenj, ë?

N’atë aspekt prindi e ka regjistru, fëmiu s’ka faj, prindi e ka regjistru. E prindi ka qenë një përparimtar, e ai djali tjetër ka qenë shoku i klasës i imi shqip ka shkuar, mirëpo atë tjetrin e ka regjistruar serbisht. Tashti kta e kanë shti këtë djalë me thanë, nuk dua me tregu emrin sepse shokun, vllaun e vet e kam shok të mirë. Nënën e vet shoqe të mirë, se s’guxoj ata me më ndëgju sigurisht, menjëherë kuptojnë se është për fëmijën e tyre, “Ne učimo albanski, ne učimo albanski”. Do të thotë, “Nuk mësojmë gjuhë shqipe”. E libri ishte učimo albanski, mësojmë shqip. Ata kanë qenë politikanë, a din, mësojmë shqip, jo tash si Turqit që asnjiherë, asnji libër nuk e nxorën deri tash, asnjëherë librat. Mëkat për fëmijë, se për mua… për Turqit nuk lodhen aq shumë, a din?

Mirëpo, mëkat për fëmijtë që nuk kanë libra, lexojnë libra të klasave shqipe, ato janë tekste të gjata nuk janë për jo amtarë, gjuha jo amtare shumë dallon, unë 30-40 vite kam punuar gjuhë jo amtare edhe amtare edhe jo amtare. Mirëpo, gjuha jo amtare ka qenë shumë ma e lehtë. Nji tekst i vogël edhe gramatikë pak aty, ne učimo albanski. Unë pash të gjithë çelën librat, ai s’po e çel librin. Ju afrova thashë, “Pse bre po banë kështu? A e din çfarë emri ke ti, a e din çfarë emri ke ti? Emër taman shqiptar, ne učimo albanski. Ty kush të ka shty? Mos bre djali im”, ai u frigoke prej atyre edhe unë u largova.

Nëntore Rexhepi: Në gjimnaz sa keni dhanë mësim, a ka qenë problemi për shkollimin e vajzave, numri i vajzave sa ka qenë në përgjithësi?

Fetije Kasemi: Jo ka pasë, ka pasë edhe vajza ka pasë mjaft, edhe vajza ka pasë mjaft.

Nëntore Rexhepi: Nëse është ndërprerë shkolla nji vajze, për shembull ka qenë duke vazhduar gjimnazin profesori sa ka ndiku me taku prindin ose…?

Fetije Kasemi: Qe kam pasë rast vet unë. Në klasën e nëntë po hy një nxanse shembullore, në klasën e nëntë po hy në orë të mësimit, po shoh po i pikin lotët ne bankë. Thashë, çka paska zaher e paskan prek, ajo e urtë shembullore. U afrova edhe thashë, “Çka ke ti vajza ime?” Tha, “S’muj me të tregu!” Thashë, “Ani! Unë po e mbaj orën e mësimit kur dalim bisedojmë”. Kur dolëm jashtë në korridor unë e ajo vetë, ajo më tha, “Ma ka ndalu prindi, prindërit ma kanë ndalu shkollimin e mëtejmë”, ajo shembullore. “Në gjimnaz nuk po të lëshojnë a?” “Po!” “A je në shtëpi sot? Unë do t’vi te ju sot, ku e ke shtëpinë?” Më tregoi edhe shkova në shpi.

Kur shkova n’shpi, ata ishin në gjendje të mjerueshme ekonomike një, e dyta janë munduar domethënë pak, çka ka mujt ajo me punu me klasën e nëntë, unë nuk di. Janë munduar, ndoshta ju ndihmon pak. Edhe unë bisedova me ta thashë, “A dini çka? Unë erdha për me ju lut që ta lëshoni këtë vajzën e juaj në shkollë, ajo do të bëhet diçka e mirë, se është nxënëse e mirë”. “Por ne nuk kemi te holla!”. “Unë ju siguroj librat. Shkoj nji vjet përpara ata që e kanë kryer, ata që janë te pasur ju marrë librat atyre ja bi kësaj, unë vet nuk blej. E fletoret, lapsat, fletoret, lapsin, gomën edhe vizatimin e keni prej meje dhurat, po ashtu”.

Edhe e lëshun vajzën në shkollë edhe ajo studion, mbaroi gjimnazin, shkoi në studime. Unë u mundova me ja nxjerrë këtë… atëherë jepshin ndihmë me të holla, a din? Edhe unë u mundova me ja nxjerrë bursat, para me qat’ bursë ajo ma tepër e untë se e ngitë. Ajo ka krye shkollën, medicinën, sot është doktoresh e përmendur këtu në Prizren punon. Veç ajo kurrë s’më harron, kurrë s’më harron! Kush m’përqafë përmas, nëse m’përqafë dikush, e di që është ajo.

Nëntore Rexhepi: Kalimi i juaj prej gjimnazit që keni dhënë mësim në shkollën “Emin Duraku” masnej… dallimi si ka qenë?

Fetije Kasemi: Shumë vështirë u ba. Shumë i… dallimi shumë i lezetshëm, fëmijtë ma të vegjël. Mirëpo, ata janë hidhëruar nuk më lenin të dal, nuk u pajtoshin kurrsesi. Thonin, “Ne, qysh guxoni ju me na marrë neve, neve na latë…” ka pasë edhe tjera. “Mirëpo, ne kurrë s’kemi me largu Fetijen, Fetija le të rrin me ne”. Një herë jo, dy herë jo, disa herë. Por herën tjetër, kur ma nuk e çova telefonin ata ma u pajtuan e unë u kënaqa knej. Fëmijtë ishin ma të vegjël, i deshta shumë edhe ata më kanë dashur, edhe nëse ju bjen ndërmend ndonjëherë që të dëgjojnë fjalët e mija thojnë, “Valla, me të vërtetë e kemi dashur shumë”. Kam qenë shok me ta edhe i mësoja edhe u shoqëroja, edhe të gjitha të mirat, gjitha të mirat.

Nëntore Rexhepi: Tek nxanësit, ju si profesorësh e gjuhës shqipe, ju keni dhanë me shkru tregime, ese dhe detyra, qysh qysh ndikojnë…?

Fetije Kasemi: Ese të ndryshme… Në shkollë kam qenë aktive shumë, organizojsha programet për ditën e shkollës, për 8 Marsin, e pastaj të mbajnë, i nxitsha të mbajnë ditarin e tyre. Ditarin e mfshefur, se atëherë ka qenë bash klasa e nënte, bash ka qenë bash ata kur rriten pak dhe e ndjejnë njifarë dashurie ose simpatie ndaj dikujt, edhe ate të shkruajnë, edhe të ruajnë, “Këto i lexoni fëmijëve të juaj” thojsha. Edhe vishin ndonjëherë, dikush vinte edhe më lexontë diçka nga ditari im [tyre], ndonjë hartim ndonjë ese kërkojsha prej atynve.

Nëntore Rexhepi: U ndijshin të sigurt me ju tregu?

Fetije Kasemi: Edhe ata shkruanin, shkruanin. Ka pasur shumë vjersha që ma kanë dhuruar mua, nji album, nji album edhe fotografitë e tyre janë edhe vjershat edhe tregimet, edhe çdo gjë që kanë ndi për mua, ata kanë shkruar aty, janë nënshkruar.

Nëntore Rexhepi: Tematika kryesore e tyne, a ke mujt me has cila ka qenë? A kanë pasë ndikim tregimet e tyre, për shembull lufta ose një ngjarje qytet ose ngjarjet familjare?

Fetije Kasemi: Shiqo, deri në luftë tematika s’ka ndrru, tematika ka qenë çfarë tema na jepshin ata, a p’e sheh, çfarë tema na jepnin ata. Ne patjetër ato tema, temën e njëjtë unë, temën e njëjtë gjuhën serbe ajo serbo-kroate. E interesant ka qenë diçka, ajo që ka qenë sërbe, nuk u mundohej aq shumë m’i mësu fëmijtë tanë sërbisht, e unë pastaj vetmeveti, “Eh kuku çfarë mendje pata me kry, me krye e me gjoks t’u ra që t’i mësojë ata, që t’i mësoj ata”. I mësova ata, pastaj vuajtën fëmijët tanë. A din pse vuajtën, sepse ata të gjithë dinin të shkruanin. Gjuhë shqipe kanë mësuar prej meje, se ata përpara nuk dinin edhe nuk gabonin fare edhe kujtonin se shqiptaret. Mandej filluan KR, Kosova Republikë, për qatë KR s’di sa qind veta, s’di sa qind veta prindët i kanë malltretuar.

Nëntore Rexhepi: Për shkak të fëmijëve.

Fetije Kasemi: “Kosova Republikë po lypni ju a? Ju po lypni Kosova Republikë, a?” Ne kemi jetuar në një kohë shumë të keqe ku ka qenë edhe lufta edhe çlirimi edhe… Unë shtëpinë e kam pasur vend ku mbanin këshillin e arsimtarëve, në shkollë s’kemi mujt me mbajt këshillin e arsimtarëve, te unë mbanin këshillin e arsimtarëve. Kur u larguam krejt prej atyhit lufta, lufta, “Mule, ditarët ku me i lanë ditarët se po dojnë me na djegë ditarët”. Se na djegën dhe bibliotekën, ditarët, ditarët unë i mora, dikush tjetër pak, por unë ma tepër ditarë edhe krejt dokumentet.

Shtëpinë e re e kam pasë edhe kam gropu si n’ditë sodit syr fyrri [syri fërr] s’më ka bërë. Fëmijtë e mi kanë gropu bodrumin, në bodrum i kemi qit me ato letra i kemi palu ditarët edhe krejt dokumentet edhe i kemi lanë aty, edhe i kemi qit përsipri dhe përsipër drutë i kemi qit edhe i kemi mbulu. Kështu që katër herë ma kanë, ma kanë shkelur, kontrolluar shtëpinë tollovi kanë bërë, bërë letrat shokut tim se ai ka qenë avokat i ka mbrojtë këta RTK, RTK unë, m’falni! I ka mbrojtë këta KR që shkruanin. Lypnin edhe krejt dokumentacionin e hallkve, njerëzve të huaj i kanë shkatërru, i kanë djeg këtu kanë ardhur kanë djegë bibliotekën.

I nxitnin shërbëtorët tanë të banin librat të gjuhës shqipe në oborr të shkollës i grumbullonin edhe vet me shkrepës qitnin pak benzin vet me shkrepës djegnin. E unë qaja pas dritareve “Kuku! m’shkun librat, m’shkun librat!”. Se unë punoja me ato libra, lektyra e nxënëseve ka qenë, lektyrat kanë qenë se thojsha gjithmonë “Nëse, nëse doni të dini jetën e shqiptarit, vjershat lexoni, librat lexoni edhe aty është jeta e shqiptarit”, se ju pata treguar edhe atyre atë tregimin, atyre se si për shkak të një abetareje, një nxënës menjiherë pas turqve, pas osmanlive ja kanë vrarë babën, se ja kanë parë dorën, në duart e djalit të vet nji libër të abetares.

Kështu që, gjuha jonë ka qenë shumë e shtrejtë, gjuha jonë shumë sakrifica janë bërë për gjuhën tonë, gjuha jonë ka qenë ajo të cilën mund ta ruanin mësuesit edhe arsimtarët, ne kemi ruajt gjuhën tonë prandaj kemi punuar pa asnji centi. I pari vinte, ata pesë rroga merrnin, na asnji cent. Se ne rrogat tona ju jepnin atyre, që ata mos kthehen me ne të behën, ata të jenë me ata, ata punonin me planin e Sërbisë, ne punonim me planet tona.

Nëntore Rexhepi: Gjithë këto ngjarje negative që kanë ndodhë, që ju mësusat i keni ndje ma së shumti se të rritur normal, qysh ka ndiku te fëmija këto ngjarje, qysh u ndiheshin ata?

Fetije Kasemi: Interesant, kurrë, kurrë në orë nxënës më të qetë nuk kam pasur se në ato ditë, policia endej nëpër korridore.

Nëntore Rexhepi: A ndrrojke psikologjia e tyne?

Fetije Kasemi: Jo, jo, jo, jo, jo, jo! Ishin forcu ishin ba si ne që jemi forcu. Interesant, sot po frigohem për ditën që ka… sot për ato vite, sot, qysh s’jam friguar bre? Qysh s’jam friguar! Veç nji ditë kur brrm brrm brrm {onomatope}, dëgjoj çizmet e tyre. Ata të veshur, ata… fillun me qajtë, thashë, “Shiqoni, lotët fshini”. “Po arsimtare dëgjuam se po ju mbysin arsimtarëve dhe profesorët”. “Ani! Librin e leximit ruani kujtim prej meje, aty ka. Aty është shënuar shqiptari. Për mu mos qani, s’keni çka të qani për mua. Unë temën e bona, e bëra temën”.

Nëntore Rexhepi: Qysh i pritshin ata fjalt e juaja, nxansat ?

Fetije Kasemi: Nxansat, “Ani, nuk qajmë, nuk qajmë, veç ti po na dhimbesh”. “Oh…” vet me veti, “ju jeni fëmijë se mua, unë ma…”. E ato ditë kanë qenë tejet të vështira, tejet të vështira kanë qenë atë ditë.

Nëntore Rexhepi: Festat i tregut qysh i keni bo, qysh i kini përgatitë, po ekskursionet dhe sukseset si arsimtare që i keni arritë…

Fetije Kasemi: Festat, eksursionet… Mandej ne, mandej edhe ekskursionet, këta haptazi na thoshin këto gra sërbe arsimtare që ishin, “Qysh bre po vishen këto dhe po shëtisin nga, nga po kanë para”. Pëlcitshin nga po merrnim ne para. E ne interesant, shqiptari edhe qe s’ka veshët diçka edhe atë e ruan, edhe atë e ruan. Prej mësimit, në mësim e deshje, thua se s’është e jemja. E mandej dolën edhe mantilat, mas luftës edhe mantilat. U rregulluam, mirëpo nuk kemi shpresuar këtë që gjetëm.

Nëntore Rexhepi: Vendin e parë si arsimtare që e keni marrë, klasa juaj ma e mira që është shpallë, qysh jeni ndje? A munesh me na përshkru?

Fetije Kasemi: Ahh… a dini si? Derën u afrova ta çeli, derën e shkollës, ishte ora shtatë e mëngjesit, ta çeli derën e shkollës. Kur një reportere po më afrohet, tha, “A jeni ju arsimtarja Fetije Kasemi?” Thashë, “Po”, tha, “Dua t’ju gëzoj me diçka”. “Urdhëro” thashë, “gëzim për mu a?” Thashë. “Klasa e juaj” tha “ka fituar vendin e parë në Kosovë”. “Vendin e parë në Kosovë?” “Edhe keni fituar para, edhe keni fituar një shpërblim një drekë të shkoni në, atje në Brezovicë”. Edhe aq jemi unë… atë çantën edhe do fletore të lek… të… përpara bënim hartime ne edhe s’kemi pasur kohë ku me ndejt, në shkollë fletoret i sillsha në shtëpi, edhe në shtëpi i korrigjoja tërë natën, gati për me ju çu nesër ose mbasnesër. “Ua!” Thashë, “Ne kemi… unë kam fituar me nxansat e mi?”

Edhe i lëshova prej duarve, çanta në një anë fletoret në një anë. Thanë, “Çka u bo, çka u bo, çka u bo?” U afruan, thashë, “Unë nuk di. Shkolla jonë ka fituar, shkolla jonë ka fituar vendin e parë klasa jonë. Do të vijnë edhe shumë reporterë, do të na nxjerrin fotografi edhe do të na sjellin dhurata edhe, edhe plot”. Nxënëseve të gjithëve nga nji komplet libra për vitin e ardhshëm, sepse ishte kah fundi e… libra, fletore, lapsa, ngjyra sende paket, nga nji paket. Atyre edhe para, atyre. Mirëpo para në duart e tyre, jo në dorën time në mënyrë që t’i harxhoj unë deri në centin e fundit.

Atëherë s’kemi ditë si tash, njerëzit që po fitojnë prej fitimeve tjera që janë duke fituar vet personalisht edhe… i mora anëtaret e kolektivit, normal bashkë i morëm paratë edhe shkuam, festuam, na nxorën fotografi që na erdhën në orë të mësimit. Ndëgjuan orën e mësimit, dhuruan, edhe pse ata ishin ma në fund, fundi i… edhe u shpërblyen edhe ata. Shumë janë gëzuar, gëzim si unë qe s’po harroj qe sa vite, qe 83… 73 vite u bënën në moshë që jam. Mirëpo, këtë po më duket veç dheu kur t’më mlon [mbulon] harroj, këte e harroj edhe sjelljen e sërbëve harroj. Mbylljen e rrymës elektrike deri në katër, në katër vinin edhe trrak {onomatope} rrymën, trrak çelësin e druve, edhe ne mbetnim pa asgjë.

Mirëpo, në orë të mësimit asnji nxënës mungesë nuk bënte, “Kush mungon?” “Askush, arsimtare”. “Bravo ju qoftë, uluni! A keni parë diçka rrugëve?” “Po”. “Çka keni parë?” “Kemi parë policë, tanke. Kemi parë arsimtare tankun e kanë të kthyer kah shkolla jonë, mirëpo ne hyrëm në shkollë”. Ishin pajtuar me çdo gjë. Interesant, ishin pajtuar me çdo gjë.

Nëntore Rexhepi: Pas gjithë këtij kontributi të cilën e keni dhanë 46 vjet në arsim, si ndjeheni sot si pensioniste në vendin tond?

Fetije Kasemi: Si pensioniste, sot ndihem shumë e nënçmuar, tejet e nënçmuar. Unë kur dola dhe çika ime, në pension ajo ishte nxansja ime e cila ka qenë dashtë vendimin me ma dhanë në dorë. Kur ma dha vendimin në dorë, tha, “Arsimtare, shumë keq po më vjen mua, lotët po më dalin që duhna me ta dhanë këtë vendim!” “E çfarë vendimi është?” “Ky është vendimi që duhesh me nënshkru se 35 euro e ke pensionin”. 46 vite punë, tërë studentët i kam pasë në kry unë, përpos nxënësve, profesorët edhe studentët. Unë jo që po lavdohem, veç sa e sa studentëve ju kam ndihmuar, sa e sa studentëve ju kam përgatitur, se ne shkruanim orën e mësimit, ju kam përgatitur vet ata janë nënshkruar vetëm. Se mu dhimbshin, a din, a s’din? Mësohen, çdo i ri mësohet. Ne si jemi mësuar? Dikush na ka ndihmuar edhe neve.

Edhe unë u ndala njiherë, thashë, “35 euro, a?” Tha, “Edhe e pleqërisë 45 euro”. Në realitet 45 euro. Tha, “80 euro”. Sa vite të tëra 80 euro mora pension. Me 80 euro jetova, kalova duke falënderuar fëmijëve të mi që më mbajtën, duke falënderuar atyre që thanë, “Mos u mërzitë nanë, ti ke treguar vehten, ti ke dhanë për këtë atdhe e tash ata që s’ju ditën vlerën e juaj. Ti s’ke faj që mërzitesh, as ajo që ta ka dhanë vendimin s’ka faj. Vlerën tënde…”. Na kanë nënçmuar shumë, unë jam e nënçmuar shumë. Kur po diskutojmë, qe edhe sot diskutuam veç as nuk deshta për të dëgjuar, prapë kuorumi u prish, prapë dolën jashtë. Nëntë euro po ju duket…

E vet ato para që ka qenë dashtë që neve të na paguanin, ato para ata po blejnë kerr. Me ato para po shëtisin, me ato para ata po kënaqen. Çka paskemi bërë na gjithë atë sakrificë, gjithë atë frikë, gjithë atë rezistencë? Paskemi bërë që vetëm nji grup njerëzish të jetojnë? Këtë nuk frigohem edhe para në sy të tyre t’ua them edhe gjithmonë… Edhe mjerisht që e kanë lanë, shumë akademikë ka, shumë profesora, shumë inxhinjera, shumë njerëz. Ka penzionerë që janë, nuk janë pensionistë njerëzit që nuk kanë punuar fare, njerëzit që kanë jetuar në kokërr shpinës, por janë ata që kanë dhanë rezistencë për të mbajtur këtë atdhe. Por unë për gjuhën tonë edhe në ditë të sodit, për gjuhën tonë a?

Nëntore Rexhepi: Ende jeni aktive.

Fetije Kasemi: Jo… une ende jam aktive, meniherë shkova në… këtë… te pensionerët u lajmërova. Ata më kanë zgjedhur në shoqatën e pensionerëve te veteranët e arsimit, po ashtu më kanë zgjedhur ata si nënkryetare. E këtu jam si kushtetutare, sepse punoj edhe në departamentin e fëmijëve të miturve në këtë gjyq ku marrë pjesë në gjykimet e tyre. Sepse nji pedagoge që ka pasur 40 vjet, 50 vjet rast për të dëgjuar ata të mitur të cilët kanë bërë probleme, shumë probleme të mëdhaja ne që kemi pasur, ata dijnë çka për t’i pyetur fëmijët, ani që s’janë gjyqtar.

Nëntore Rexhepi: Pastaj jeni edhe në “FEMaktive”, “Ec ma ndryshe” çka ju ka shty… ?

Fetije Kasemi: Edhe në “FEMaktive”, “Ec ma ndryshe” edhe në “Ec ma ndryshe” më kanë shtyrë projektet e tyre shumë të mira, që me të vërtetë janë duke ndërtuar. Tash e kemi projektin e parkut të vogël këtu, përballë shkollës kemi për të ndryshuar rrënjësisht. Megjithëse, të rinjtë kanë shfrytëzuar për një gja të keqe, ne do ta prishim atë, do t’ja prishim vendin atyre edhe do të rregullojmë që populli të ketë ku për të pushuar, fëmijët të kenë ku për të luajtur. E kjo më ka shtyrë mua në këtë “Ec ma ndryshe”, kam qenë edhe nëpër seminare me “Ec ma ndryshe”, kam shkuar në Prevallë në seminar, këtu kam qenë në seminar, edhe jam bashkangjitur me “FEMaktivin”. Pasi që po ndodhin raste të tilla të vërteta janë edhe kërkojnë rinia, po më vjen shumë mirë që rinia u zgju prej gjumit dhe po kërkon.

Menjëherë nuk bëhet, dalëngadalë, dalëngadalë edhe barazimi, barazia gjinore shumë do të thotë pasi që, pasi që në Kosovë jetojnë 50 me 50. Unë s’kam ditur këtë deri sa s’isha në “FEMaktiv”, kur në “FEMaktiv” kur kuptova se 50 përqind, bash u çudita, a din. Unë kujtova se më tepër meshkuj ka, mirëpo ja kishte edhe femra. Mirëpo, mjerisht ishte shumë pak. Edhe në… edhe në organet shtetërore edhe kështu veç “FEMaktivi” nuk duhet të përzihet në këtë shkollë, sepse në shkollë dominojnë femrat 90 përqind janë femra dhjetë përqind janë meshkuj, ata që s’duhet… As nuk ndihen edhe asnjë prind që s’mundohet te një mashkull për t’i regjistruar fëmijën e vet krejt te femrat.

Femrat janë nana, femrat janë të buta, femrat janë udhërrëfyese, femrat janë të afërta me fëmijët. Mos më keqkuptojnë meshkujt, mirëpo mashkulli po më duket se këto s’mundet me ba si i bën një femër. Prandaj, femrat më mirë kishin për të kuptuar edhe me sërbët edhe me të gjithë se meshkujt. Me arrogancë nuk bën me ngadalësi, me qetësi, masi, pasi femrat i mashtrojnë të gjithë edhe në këtë rast i kishin mashtruar. Unë bile kam një bindje të tillë.

Nëntore Rexhepi: Faleminderit !

Fetije Kasemi: Ju faleminderoj juve shumë!

Nëntore Rexhepi: Nëse keni diçka një tregim, nëse ju bie në mend diçka mundeni me tregu lirisht?

Fetije Kasemi: Ahh… plot, plot. Ato ditët, nuk do të thotë me orë të tëra nuk kryhen, se arsimi është diçka tjetër prej, prej degëve tjera, arsimi është diçka prekëse diçka tjetër. Kemi pasur edhe probleme mirëpo i kemi kapur… i kemi përballuar edhe problemet edhe me sërbët edhe me tanët edhe me krejt.

Nëntore Rexhepi: Faleminderit shumë!

Fetije Kasemi: Edhe kërkoj, kisha kërku prindët që t’i kuptojnë arsimtarët edhe mësuset edhe të bashkëpunojnë. Bashkëpunimi prindër, prindi, nxansi dhe trekëndëshi dhe mësuesi nuk ekziston aq mirë, nuk dominon. Edhe diçka mangu kanë shkollat tona që s’kanë psikologë edhe pedagogë, unë aty duhet të jem vet psikologe, pedagoge, mësimdhënëse dhe qetësuese dhe të gjitha. Në vend se të jetë nji person. Kanë kryer vajzat tona plot, fëmijtë tanë, plot pedagogjinë, psikologjinë. Nuk janë duke gjetur punë, e shkollat tona po mbesin pa… pa psikologë, e pa pedagogë e kështu… Ju faleminderit shumë!

Nëntore Rexhepi: Faleminderit shumë, shumë u kënaqa!


1 Sekretariati i Punëve të Brendshme.

2 Folësja mendon serbisht, mirëpo e thotë shqip.

Download PDF