Pjesa e Dytë
Enver Tali: Kish kohë për m’u rritë e me përjetu vdekjen e babës, edhe pse ai ishte n’Shipni. Me 20 dhetor 1944, asht’ bo nji luftë mrena n’qytet, Lufta e Gjilanit e njoftun, edhe aty jonë bo masakra t’mëdhaja me fëmi e me t’sëmutë e me pleq, që krejt çka kanë mrri. N’atë luftë ma vrajtën gjyshën.
Lura Limani: Gjyshën?
Enver Tali: Po, ma vrajtën edhe babgjyshin. Fëmija me nanën time kishin ikë në nji shtëpi të kojshisë, gjoja ma, n’Shtruherë [fshat në Vushtrri], banesë ma e sigurtë e t’kojshive natyrisht. Edhe, ata dytë kishin metë n’shpi. Kishin hi serbët edhe ata i kanë gjetë, ata i kanë vra, gjyshen ma kanë lanë n’oborr t’vramë n’oborr t’shpisë. Babgjyshin ma kanë qitë jashtë oborrit t’shpisë, aty kalonte nji përrockë e ujit, e kishin qitë n’përrockë aty.
Erdh nji plakë, nji plakë tjetër e kojshive, “Shuni, shuni, shuni”, thotë, “se fillunë njerëzit m’u vra”. Ajo kishte pa vrasjen e gjyshes teme edhe gjyshit tim, se e kufizume as pa dalë. “Kon e kanë vra?” thotë, “Adile kadin, Adil kadin”. Do t’thotë Adilja ishte emni i gjyshes teme, e Adilekadën n’atë kohë u përdorke ajo fjala kadën. “Adile kadën po, edhe agën Tal po”. Gjyshi e kishte emrin Myftar, mirëpo sikur që e kem zakon me i shkurtu emnat e ma i ndërru emnat, kërkush s’e ka thirrë Myftar, po Tal. Tal, Tal, po Tal e kullutë diqysh nuk i binte fjala, atëhere ia kanë ngjitë aga Tal.
Pra, çdokush e njifte, edhe n’rreth edhe n’qytet edhe çdokush e njifte si aga Tal. Edhe kjo thotë, “Agën Tal e vrajtën, edhe Adile kadnin e vrajtën”. Këta të mitë vrapunë mas Adile kadnit edhe kështu… unë si fëmi megjithëqë nuk m’lojshin me dalë përjashta, u përbirova edhe mrrina me dalë me pa. Mrrina deri n’oborr, e pash gjyshin t’vramë edhe i thirrën do njerëz aty. E murrëm gjyshin t’vdekun qashtu t’vramë n’baltë, e murrëm e qitëm përmi nji, si me thanë, terracë nuk asht’ ajo se ishte prej dërrasave edhe aty e shtrimë nji here, masanej mrena në nji dhomë gjyshen edhe e shtrimë si t’vdekët. Na ikëm përsëri, shkumë te kojshitë.
Mirëpo, t’u shku te kojshia, kojshia e kishte nji djalë ma t’madh se une për njo katër-pesë vjet. “Hajde”, thotë, “t’shkojmë na t’mshifemi”. Ku mu fsheh? Ata kishin kuaj. E si të tillë kishin pleme me bari t’thatë si i thonë sanë, aty thotë, “Hajde t’shkojmë t’hypim n’pleme e t’hijmë n’sanë”. Mirë, unë ma i ri se ai, as nona s’e dinte as kërkush s’e dinte. U çumë, hypëm n’plehme, ai hyni në nji qosh në nji kand e asaj dhomës, nxurrë bari edhe hyni, n’kambë ashtu, u mshef, do bari e qiti përmi {tregon me dorë sipër kokës}. Unë ato s’mujsha me e bo se isha ma i ri se ai, mledha pak sanë e qita aty, u shtrina, e mlova kokën me sanë, komtë m’kanë metë përjashta.
Kur kanë hy këta për me lypë dikenin s’kanë gjetë atje n’pleme ashtu. M’gjetën mu, po m’ngrehin për komësh, m’murrën mu, m’nxurrën prej atyhit edhe m’qitën n’oborr… n’oborr jo, po n’rrugë. N’stomp të atij përronit kanë pushkatu shumë njerëz, edhe aty ishin nja shtatë a tetë pleqë t’lagjes t’lidhun. I njifsha unë ata se ishin t’lagjes. Edhe mu m’lidhën me ata pleqë për pushaktim. Tre vetë na rujshin me automata t’rusit asi… mitroloz që lëshohet n’tokë me tri kamë. Edhe, ishin të armatosur deri n’dhamë. Edhe m’lidhën edhe mu, po m’lidhën ashtu n’skaj.
N’atë kohë ka hy, n’Gjilan ka hy nji njësi ushatarake të Shaban Haxhisë, Shaban Haxhia, ajo brigadë ka qenë brigadë e Shipnisë. Edhe asht’ nji pjesë, kanë dalë ata m’i shpëtu njerëzit se kanë marrë vesh që po vriten njerëzit, shqiptarët edhe kanë dalë ashtu grupe-grupe nëpër qytet.
Lura Limani: Nji pytje, këta që ju vrajshin, a ishin partizanët serbë apo bullgarët?
Enver Tali: Serbë. Bullgarët s’kanë vra, s’kanë vra bullgarët, serbë ishin ata krejt. Ata ishin… veç masi ma përkujtove ashtu, ata ishin dy brigada t’formume prej çetnikëve që ishin nxonë peng prej partizanëve gjoja… po nji soj ata. Ia kanë hjekë ato kokardat e çetnikëve ia u kanë vu atyne robëve që jonë nxonë, ia kanë dhonë petokrakat. Kokardat hiqi, vnoji petokrakat edhe u bojshin partizanë ata. Ata kanë vepru edhe kanë vra, po natyrisht nën udhëheqësin e komandantëve serbë.
Edhe neve… kanë vra çka kanë vra, edhe neve na erdh reni me na vra. Mirëpo, si t’lidhun ashtu mas shpinës tonë, te ura aty të asaj përrockës, po vijnë partizanët e Shaban Haxhisë. Edhe ata me armë, “Mo luj, mo luj, mo luj!” po piskasin, këta i çunë durtë te nalte, “Mo luj, mo luj”. I çunë durtë te nalte, na kthymë me kqyrë edhe ata petokrakat i kishin, tash qysh m’i besu. Po, nejse deri sa folën shqip, kishim shpresa. Kur erdhën aty, “Çka jonë këta?” “Armiqë”. Neprijatelj i thojshin ata, “Anmiqë, anmiqë.” Unë isha pranë atij udhëheqësit t’grupit aty. Masi m’i kanë pre konopt kta, mu edhe tjerëve, ata tuj i thonë, “Armiqë, armiqë – neprijatelj”, ai ma mshoi n’krah {i mëshon shpatullës} edhe m’çoi, se unë kom qenë pak i dobët pak prej shnetit. M’çoi pak te nalte, tha, “Edhe ky fëmi, armik a?” Kishte një pistole n’dorë, te tretë i vrajti pa bo zo, ata që na pritshin neve.
I vrajti te tretë, neve na lirunë, dulëm prej atyhit, erdhën edhe ata me neve. Nji pjesë e atyne ushtarëve me ne n’atë shtëpi ku ishim, aty flejtën, aty pushunë. Po ndërkohë, u nijtën njo dy rafalla të qartë, ata t’automatit tërr e t’mitrolezit e… edhe u folë se edhe ata që kanë dalë tash, se edhe të tjerët kishin dalë me njerëz me pru me neve edhe me lidhë, edhe me i vra edhe ata me neve. Mirëpo, këta i tregunë, këta i tregunë, ata që ishin me neve t’lidhun, hala kanë prej këtyne që kanë dalë me mledhë njerëz. Këta ishin t’interesumë për atë punën tonën, i kanë nxanë sigurisht. Njo dy rafalla t’gjatë u nijtën edhe thanë se këta që erdhën prej Shipnije i likvidunë edhe ata, i vrajtën.
Kështu, pështova kokën edhe unë, me do tjerë megjithqë u vranë shumë aty. Para komëve t’mia ishin dy t’vramë që i njifsha, kojshi t’mi n’rrugë, n’qytet e banesë. E plagosën shumë randë nji zojë, nji kojshikë teme, t’u gjujtë me automat me vra, e plagosën. Dy ditë fëminë e kishte, po nji vajzë e kishte. Edhe, thanë që e vrajtën, e vrajtën, mirëpo masanej dul se ajo asht’ gjallë hala, ka duru edhe dy ditë e ka vdekë. Ajo çika u rrit (buzëqeshë). U rrit çika dhe u mar… e plagosën, ato plumba e kishin kapë dikun {prek këmbën}, ia kishin gërrithë themrën e kamës, edhe ajo me atë gërrithje u deshtë me çalu për me mujtë me ecë. U martu n’Shkup ajo, boni fëmi e krijoi familje. Kështu kanë hekë këta njerëzt tonë n’atë kohë, po mendoj shqiptarët n’përgjithësi.
Lura Limani: E tani kur keni shku ju n’shkollë n’Prishtinë?
Enver Tali: Eh tash po ju tregoj, vijmë deri te ajo. Mbas asaj lufte, nana që nuk m’linte me flejtë me gjyshen se edhe unë isha qejf me flejtë me gjyshen, edhe ajo gjyshja kishte qejf me flejtë me mu. Nana s’më lëshonte, thonte, “Jo, me ra bomba atje te unë, ky mbetet jetim. Me ra te ai, unë jes pa djalë”. N’këtë mënyrë e spjegonte vetes ajo edhe s’më lëshonte me shku as me gjyshen me flejtë. Mirëpo, në ato situata në të cilat ishim, na kanë plaçkitë n’katër anët. S’kishin lanë gjo pa marrë n’atë shpinë teme. Bile, bile, atë matësin e korrentit si i thonë asaj, edhe ato e kanë nxerrë prej vendit, mirëpo s’e kanë kputë prej kabllave, e ajo ka metë i varun ashtu s’e kanë marrë.
Edhe ka mbetë, n’rrugë e kishin lonë te dera e oborrit sandukun e pajës, çejzit të motrës teme, për mu kthy me marrë masnej. Mirëpo, këta mrrinën përpara këta tanët, e murrën atë sandëk, s’kish metë gjo tjetër, edhe e shpëtunë. Qat sënduk e shpëtunë se tjetër kurgjo jo. Mirëpo, kojshitë na dhanë, shërby me jorgana, me dysheka, kështu që nuk kemi hekë keq.
Unë mbeta njo 14-15 ditë aty, n’atë kohë erdhi nji partizane e njoftun në atë pjesë t’qytetit, Behija. Ajo ishte, ajo ishte ashtu jo serbe, jo edhe shqiptare, po boshnjake, e bija e myftisë që ai myfti ka qenë n’Gjilan.
N’Gjilan ka shërby si myfti edhe e kishte… përveç familjes që e kishte katër antarë, kishte Behinë, ashtu. Po kur u bo që hynë shqiptarët, Shipnia erdhi, ata ikën, shkunë për Bosne. Edhe kjo ishte dashunu në nji kojshi tonin aty edhe mbeti për hatër t’tij, Vesel Rexhepi ishte ai. Edhe, kështu që ajo mbeti, ashtu si pjesëmarrëse e luftës, Veseli ishte pjesëmarrës i luftës, edhe kjo pjesëmarrëse e luftës si partizanë e asaj kohe.
Edhe kish ardhë ajo prej Prishtine me marrë armë a municion a, nuk e di si ishte muhabeti. Mirëpo, si kojshi ka ardhë me na vizitu neve. Nana thotë, “Merre Enverin me veti çoje n’Prishtinë”. Po e kisha edhe nji motër tjetër ma t’madhe se unë thotë, “Merre Hajrinë”, ajo ishte Hajria, motra jeme, merre edhe Hajrinë edhe shpëtoje prej ktuhit. Po ajo, edhe me t’vërtetë na murrë.
Motra m’shkoi me to me nji Fiat kerr, mu m’ngarkunë me njifar kamioni me municion edhe ku unë armë nuk kom pasë aty, me përjashtim të nji që e prunën, nji t’ri ma t’vjetër se une n’atë kamion. Ai i kishte pasë do pushkë e sene, po une municion po, a armë nuk pashë. Nejse, na ngarkunë n’atë far kamioni, u nisëm ne për ashtu. Ishte 21, 22 se 23-shi menjëherë mas luftës, dy javë mas ashtu… po du me thanë se n’fillim të janarit, n’fillim të frorit të ’44-shit ne po udhëtojmë për Prishtinë. Unë n’kamion me këtë Rexhepin, ai Rexhep e kishte emrin, ky djali i kojshisë. Faktikisht këta ishin prej Bujanovcit po t’ramë. Bujanovci pat metë, n’kohën e Shipnisë pat metë bullgarëve në Serbi, e ata kanë pasë ardhë në kohë t’Shipnisë n’Gilan.
U nisëm, nji kamion OM i madh italian, OM italian, i madh i gjatë, i ngarkumë shumë, mirëpo borë n’rrugë. Edhe borë binte vazhdimisht, kamioni na mbetë n’rrugë. Na mbeti n’rrugë edhe era kishte bajtë si me thonë n’rrugë kishte qitë borë, dhe metë kamioni s’po niset. Tentumë diçka me bo, kurgjo jo. U çumë, në kabinë përveç shoferit ishin edhe tre vetë. Njenin prej tyne e njifsha, i Llazonëve ka qenë ai, ato e njifsha. Ata dulën, dulën në kabinë se ftoftë përjashta, neve na lanë n’kamion. Nana m’kishte veshë mirë, fort shumë nuk e kam ni t’ftoftin. Po erdhi nata, kamioni s’po del, këta shkunë, vetëm une edhe ai Rexhepi i kojshisë, aty metëm. Nirthtëm, nuk nirthtëm, agoi dita.
Para se me agu drita, Rexhepi tha, “Hajde t’hijmë poshtë, ta bojmë nji tunel prej bore”, me pastru borën, e me hy n’tunel t’borës, “se mos po vijnë këta shkijet këtu”. Kërsitën do automata e pushkë e n’Ferizaj me t’madhe. Edhe u tutëm, hajde me hy tash n’atë far tuneli, me hy aty. Hynëm, veç kokën e kishim qitë prej borës, na vet n’borë. T’u kqyrë kah Ferizaji, kah rruga, i dallumë dy njerëz që po vijnë. Po ecin njerëz, po çka jonë tek jonë, nuk e vërejta. T’u ardhë, e vërejtëm se aty ishte nji gru me çarshaf, me nji burrë. E kur pamë çarshafin, do t’thotë se jonë njerëzt tonë, s’rrezikojnë. Dulëm na prej tunelit. “Çka osht’ bre?” “Jo, bre këta dreqën e kanë Bozhiqin, kanë qitë për Bozhiq”. N’atë far vakti, nejse, kanë qitë, kanë qitë (buzëqeshë). Ata shkunë e na metëm aty. Pak ma vonë erdhën këta përmas kamionit.
Këta na çunë n’Ferizaj. N’Ferizaj na çunë me njifar shpije, ajo shpi ka qenë kojshi me neve n’Gjilan. Ata na murrën, na ushqynë, na ngrohën, na bonë shumë shërbime që shpëtumë me fjalë tjera. Mirëpo, hala s’po dihet për Prishtinë. Atë natë bujtëm aty se s’erdh kush me na marrë. T’nesërmen kanë organizu 16 penë, ata thojshin se e maj n’mend, kijë, bujë, lopë e çka kanë pasë njerëzit me ngrehë kamionin prej borës. Edhe e kishin ngrehë kamionin prej borës edhe me na marrë neve. Na murrën neve, na ngarkunë n’kamion, a këta motra me këta tjerë kishin thonë se ekspoldu kamioni edhe ka ata kanë maru, kanë dekë.
Motra ish pas… te dyjat besa, se ajo motra tjetër me Behijën me Fiat kerr, kishte mrri mrena ditës. E këto ishin bo vet e 40-ta qysh na diq vllau, e qysh na… Kur mrrinëm na atje, gëzimi ishte ma i madh sesa idhnimi, edhe kështu që edhe unë u bashkova ashtu, e motrave aty. Mirëpo, n’atë kohë ka qenë, ushqimi i njerëzve ka qenë i kufizumë shumë. E ata që s’punojshin, mirrshin 350 gramë bukë n’dite, 350 gramë bukë n’dite. Ata që punojshin, mirrshin 400 gramë bukë n’dite. Ne që kemi shku, s’kemi pasë as tre gramë bukë. Po në kafshatën e tyne… nipi jem, ndoshta e njifni Shpend Bajramin, se ka qenë i biri i Zeqir Bajramit. Zeqir Bajrami ka qenë profesor i gjeografisë në ashtu n’gjimnaz e ma vonë edhe n’fakultet. E djali i tij ishte fëmi, ato 300 gramë t’tijna në ashtu na i kanë dhonë neve, mu edhe motrës me ekzistue.
Ky Veseli mas do ditëve, qiky Veseli që na ngarkoi në ashtu… e murrë Behijen faktikisht, edhe na ngarkoi n’kamion. M’shihke se vijke aty shpesh, m’shihke mu fëmi, s’kishte ku me m’çu me punu. Dikur vendosin me m’çu, edhe m’çojnë me punu furrëtar. Në nji furrë të ni serbi, në furrën e serbit. A don dikush me u mbështetë? {i drejtohet të pranishmëve} Jo (buzëqeshë).
Edhe n’atë furrë m’çoi me punu edhe mu. Furra e asaj kohe ishte shumë vështirë me punu, e kishte atë drunin e gjatë me fshi furrën me harrën. Unë s’mujsha me bo, megjithqë ma pruni ni sandëk që mu çu pak ma naltë, s’mujsha, rondë. M’qiti, ai serbi jo po për inati se i duhshe atij punë. M’qiti, erdha, “M’qiti bre”, “Mirë”. Erdh Veseli, Veseli e murrë vesh që m’kanë qitë, “Hajde po t’çoj dikund tjetër”.
Ibrahim Prepolli ka qenë ashtu zdrukthtar n’atë kohë. Po, zdrukthtaria e tij ishte nën komandën e Narodno Odbranës edhe kjo furra ishte nën Odbranën. Shkova me punu te Ibrahim Prepolli, dimën, borë, kijamet. Mirëpo ato dërrasat e gjata t’trasha s’un i bajsha, s’un i ngrehsha unë. Edhe Ibrahimi i bajti do ditë, edhe ai m’qiti (qeshë). Mirëpo, Veseli s’u nda, kishte gjetë një vend pune, berber edhe m’çoi berber me punu. Aty e kisha mirë se s’kishte kush me ardhë me mu qethë e mu rru n’berberhone, po vijshin qësi far oficiera që kishin marrë ashtu grada gjatë luftës, e kishin pare boll.
Unë shkojsha me nji fshisë, me nji fërrçe a s’di çka ka qenë. Fshijsha mrapa burrave. M’jepshin ndonji dinarë ashtu edhe boll pare bojsha edhe e kisha ma lehtë. Mandej pagesa ka qenë e njojtë, pagesa ka qenë nji zembil dy herë n’javë m’jepshin voj e pasul e sheqer e oriz, me qato shkojsha te motra i çojsha. Me qato jom ushqye edhe e kom shpëtu, po mendoj e kom thy urinë. Edhe, këtu tash pritsha, u folke që gjimnazi, do t’çelet gjimnazi. Mas tre mujë ditëve me 15 mars 1945 u çelë gjimnazi real “Sami Frashëri”. Atë ditën e parë me 15 mars shkova u regjistrova n’gjimnaz, m’pranunë. Mas nji kohe shumë t’shkurtë u çelë edhe internati për nxënësa, shkova n’internat me jetën vazhdova n’gjimnaz, n’internat.
Kështu, n’atë jetë mrrina deri n’klasën e katërt n’gjimnaz. Po, n’klasën e katërt n’gjimnaz kem pasë nji profesor t’historisë, Gjon Serreqi. Gjon Serreqi osht i njoftun n’atë kohë se këta e kanë pushkatue. Ai kur erdhi n’gjimnaz, lëvrit’te, donte me formu diçka, ka formu n’qytet shumëçka. Edhe, n’gjimnaz kishte formu nji grup kundra pushtetit serb t’asaj kohe. Edhe n’atë grup ishin dy, ishin dy që ishin t’njoftun aty. Njeni, i treti ai ishte marrë mrapa qysh s’e kishin shpallë atë Mehmetin, Mehmet Pozharanin.
Mehmet Pozharani ka qenë baba i këtij Ombuspersonit që ndërrunë tash, Sami Kurteshi. Baba i këtij, burrë shumë i mirë, burrë me jashtëzakonisht ideale t’nalta, me drejtësi t’shpirtit. Edhe ai erdh te unë tha, “Kqyre, na kemi diçka nërmend me punu”. I kisha n’klasë këta, Ahmet Malishevën, Rexhep Kurteshin edhe Mehmet Pozharanin, Pozharani u thirrte, i kisha n’klasë. Erdhi Mehmeti tha kështu kështu “E kom pasë ndërmend, po a ta merr mendja?” Unë n’atë kohë a ta merr mendja që isha mllefosë, këta bërllogat që i kishin bo, domethonë që do t’fitojmë e do t’nxerri hak, “Po more”.
Këta t’parët ishin betue në prezencën, në të vërtetë para Gjon Serreqit. Tash une që isha deklaru që ashtu… Ahmet Malishevës. Ahmet Malisheva ishte edhe ai i Gjilanit, edhe ato e kisha pasë n’klasë, kisha kry pesë klasë fillore. Tash ishim t’rritun se ata i murrën prej atyne shkollave të, shkollave fetare, i prunën n’shkollë, i regjistrunë edhe kishin sukses, ata mrrinin, edhe mrrinë, na zunë neve. Edhe Ahmetin e kishim, Ahmet Malishevën e kishim udhëheqës, para tij u deshte m’u, unë m’u betu, a këta ishin betu para Gjon Serreqit. U betova, u bona anëtar. Mirëpo, kërkush s’e dijke atë muhabet.
Lura Limani: A ka pasë grupi emër?
Enver Tali: Grupi… tash po vij deri aty. Se, n’atë grup, Rexhep Kurteshi e kishte bindë Ahmetin që duhet me punu edhe nji. Ai ka qenë njeri shumë i rrezikshëm, ai [ka] bashkëpunu me dreqin e mallkumë kundër shqiptarëve. Erdhën Rexhepi, tha, “Do ta pranojmë Xhavit Shabanin”, edhe ai i Pozharanit. Thashë, “Kon?” “Xhavitin”. Thashë, “Jo, kurrë!” Po bohet, s’bohet, Rexhepi me Ahmetin e kishin pranu, por na s’e pranojshim, une edhe Mehmeti s’e pranojshim.
Kur mbaroi viti shkollor me 30 maj, jo qershor ishte… maj, maj, maj… po, na si maturanta shkumë n’pushim 15 ditë me përgatitë semimaturën, provimin e semimaturës. Atë natë që e marumë, atë ditë që e marumë ashtu klasën e katërt n’gjimnaz, t’nesërmit u lajmrumë n’gjimnaz, faktikisht me vanesë. U lajmrumë n’gjimnaz, po mësim jo se jemi t’lirë me përgatitë semimaturën. I kishin kapë këta, Rexhep e me Ahmet e edhe shumë tjerë, Karolina Franin, e… s’e di a njeh kush, a s’e njeh. Po, femna, e djemve t’gjimnazit, e kishin mushë nji oborr, nji oborr t’OZNA-s n’atë far kohe. Ajo OZNA ka qenë afër gjimnazit, e ka pasë nji oborr t’mirë, t’madh. I kishin qitë n’oborr krejt, Xhelal Oranën n’rast se dikush e ka njoftë, Nexhat, ata kanë qenë nxanësa edhe studenta t’mirë. Nexhat Orana e kryjti n’Beograd dy fakultete – matematikën edhe teknikën; a Xhelali teknikën e kryjti. Ishte inxhinier, punonte n’Shkup masanej. E këta ishin n’atë kohë nxanësa, edhe ata i kishin burgosë, megjithëse ata s’kanë pasë kurgjo.
Edhe ata n’burg, edhe neve na burgosën dikur n’mramje, po m’thërrasin me bisedu. Shkova, “Ti kundra popullit, e kundra neve, e kundra…” hamomit e… thashë, “Jo bre, kundra unë s’kom gjo”, u mundojsha me tregu që une juve ju du, po, e mos o Allah s’e honkshin. Nejse, ma dhanë njifar dajaku, m’majtën disa ditë, unë isha hala i ri për me m’qitë n’gjyq m’lëshunë. Ata tjerët i qitën n’gjyq edhe i dënunë besa bukur mirë, unë shpëtova pa ra n’burg. Xhelali jo, Nexhati jo, se s’ishin anëtarë.
Po, 74 vetë u burgosën ata aty, prej atyne 74 vetëve na tre vetë a katër vetë që ramë n’burg, katër vetë po, ramë n’burg. Mu m’lëshunë, katër metën, faktikisht pesë paskan qenë, katër metën. Dy i dënunë, dy i lëshunë, Ahmeti u dënu tre vjet, Rexhepi dy vjet. E prej s’jashtmit ishte Xhahid Gafurri, ndonëse dikush e ka njoftë atë familje, Xhahidi ishte n’grupin tonë, edhe ai n’burg e dënunë pesë vjet, edhe ai i majti ato pesë vjet.
Edhe mu m’përjashtunë prej shkollës, doživotno mos mu kthy mo. Dy vjet nejta jashtë, pa shkollë, pa… Mas dy vjete deshta m’u punësu n’Prishtinë, me gjetë nifar pune, m’u kish rritë menja që di me punu. Mirëpo, kishim nji drejtor n’atë far vakti ni korçar, drejtor shumë i mirë, shqiptar shumë i mirë.
Lura Limani: I shkollës?
Enver Tali: Ai i shkollës, gjimnazit. Qe edhe atij s’po m’kujtohet emri, po ai n’korzo unë isha me njo dy shokë, edhe ai ishte t’u shëtitë me do arsimtarë e profesora. U nda prej tyre erdhi, “Ec,” tha, “ti këtu”. M’nxurrë edhe mu prej atyne dyve. “A ke çu dokumentat për m’u regjistru n’shkollë?” Thashë, “Jo s’i kom çu se mu m’kanë thonë s’kom t’drejtë m’u shkollu mo”. Tha, “Menjiherë me i marrë dokumentat nesër me i pru n’gjimnaz,” ai m’regjistroi. M’regjistroi po përsëri n’klasë t’katërt, a shokët e mi kishin shku bukur gjatë, gjeneratë e Fehmi Aganit e qësi far. Larg kishin shku ata, po u pranova edhe ashtu, edhe ashtu u pranova. U pranova, po, dhe me vështirësi. Shpesh m’thirrshin n’marshin, s’guxojsha me kërkonin me bisedu, i mirrsha n’qafë edhe ata që…
Edhe, kur erdhi puna m’u regjistru, u regjistrova n’klasën e pestë masi e kryjta t’katërtën. Edhe u regjistrova n’klasën e pestë. N’klasën e gjashtë mirë kalova. N’klasën e tetë ka qenë njifar… histori na jepke. Ai kushëri i Zeqeria Rexhës. Nejse, ai edhe si duket, e kishin çu n’Beograd me studiu historinë. Katër vjet i kanë dhonë jo bursë po rrogë edhe e kryjti ato, ky veç indeksin me veti, ka dalë prej atyhit pa dhonë asnji provim, mirëpo ishte njeri i tyne. Ai edhe e bonën përsëri profesor i historisë, mësimdhanës, ligjërues. Ai nuk m’durojke, ja nuk m’durojke. Unë i frigojsha atij se po m’bon ndonji sherr. N’klasën e shtatë, ashtu e kryjta dhe e kryjta jo po hala s’kishim marrë rezultatet. Ai m’kishte rrëzu n’klasën e shtatë, po n’provim. Bohet, s’bohet – n’provim. Kalumë, afati për me hy n’provim me dhonë provimin.
E kishin formu ni komision, Idriz Ajeti anëtar i komisionit, ni ruse që jipte histori n’gjimnazin e serbëve, edhe dy tjerë nuk e di kush ishin, m’shtinë n’provim. Ajo rusja e kishte mushë nji ballë të klasës me… përplot, jonë do klasa atje n’gjimnazin me shkallë, aty plot profesorët t’shkollave të mesme, serbë e shqiptarë se u ba bujë ma me atë punë, kishin ardhë. Ajo me harta e kishte mushë harta historike, 43 minuta, pesë s’i boni po… se e kqyra orën. Për 43 minuta, dul para ktyne që kishin ardhë aty, i kryqoi durtë {kryqëzon duart në gjoks}. “Gospodo…” se ata folshin, ishin borgjezë, edhe rusë që i kishin njekë prej Revolucionit. “Gospodo, čiste savesti”, tha, “potpisujem pet” [ “Zotërinj me ndërgjegje të pastër, ja jap pesshe”]. Idriz Ajeti, “Ne, ne pet, četiri” [“Jo, jo pesë, katër”], Idrizi ky i joni. Vetmeveti t’hiqna prej atij helaqi, çka t’dush. Edhe une nuk e di çfarë note, a met’ katër a pesë. Qëto muhabete u bonën, edhe une kalova n’klasën e tetë.
Klasën e tetë nji sherr tjetër m’zuni. Ismet Deiri n’koftë që e ka njoftë dikush, matematikë na jepte neve Ismeti, po ishte i rreptë. Ishte i rreptë, po matematikën unë e kam punu, për matematikë s’kisha kurrnifar telashi. Ismeti n’klasën e tetë m’rrëzoi n’matematikë, n’provim. Mirë. Erdha n’vjeshtë me dhanë provim. Ahmet kushi u qunte ai i kimisë, ai m’jipte kimi, ato e kisha pasë deri n’klasën e katërt n’gjimnaz shok klase, ai po m’jep kimi. Kur erdhi me m’dhonë kimi, zaten m’ndikunë edhe… p’i thomë, “Ahmet mos grij mut!” m’falni n’shprehje, “Me lujtë sikur k’ta ti me mu, se t’vraj pushkë e krejt”. “Hehe,” keshi (qeshë).
Mirëpo, erdhëm me dhonë provimin e matematikës. E dhashë provimin e matematikës, bile, bile kryetar komisioni për matematikë ishte nji rus që jipte mësim gjimnazit serb. Si sot i maj n’mend detyrat, se për shkak t’atij rusit serbisht, “Izvodjenje pitagorine teoreme” [“Zbatimi i teoremës së Pitagorës”], s’ishte gjo ajo punë. Masanej, ishte ajo nji detyrë prej analitikës, edhe aty s’kish pasë… edhe nji detyrë ishte analitikë, trigonometri, detyrë e gjatë, edhe atij i dola n’fund. Pa dalë te Belo Sokolci edhe Ismet Deiri, po n’vend i bona aty, edhe ato… se na jipshin nji ashtu me punu n’vend. Atë punim ashtu ia çova rusit, “No, no, no!”, erdh Ismeti pe kqyrë, s’ka kurrënifar gabimi. Tha, “Pitajte kandidate čijem metodom”,[“Pyeteni kandidatin se me cilën metodë…”] si sot m’kujtohet, “izveo Pitagoreono Teoremo”[“ e ka zbatuar teoremën e Pitagorës”]s, ai po ma përsëritë rusi. “Ja sam imao pitanje ‘Izvodjenje Pitagorine Teoreme’. Ja sam izveo.”[“Unë e kam pasë pyetjen ‘Zbatimi i teoremës së Pitagorës. Unë e kam zbatu.”] As s’boni zo kërkushi, u çu Shyqyr Qehaja, ka qenë na jepte histori, ishte i Prishtinës. Kështu erdh te Ismet Deiri, p’i thotë n’vesh kishe ai u nijke tha, “Ta lagu bre Ismet, po rri trus bishtin” (qeshë).
Po, shkoi ai, ia kthei shpinën, nejse mu ma njoftën klasën e tetë edhe maturën e morra. Maturën e morra me matematikë. Ajo… ai presion i Ismet Deirit, kishte ardhë prej Ahmet Malokut. Ahmet Maloku s’un m’ka rrëzu mue. E kta, punojshin n’ato kurset pedagogjike n’atë kohë, msusat. Këta dy mësimdhanësa n’ato kurse pedagogjike, flejshin n’internatin e Normales, edhe ay jonë marrë vesh. Ky i ka thonë, “Me ma rrëzu ti mu Enverin”, ky edhe m’rrëzoi nime. M’rrëzoi nime po i ka hongër njo dy-tri grushta se ai u tutke masanej prej meje, edhe u frigonte, shkonte truq, a une e pritsha, e kom pritë vazhdimisht.
Ka ardhë prej korzos u nda, ku osht tash muzeu, aty kur hin te muzeu, nji rrugicë teposhtë aty, u ndajtën ato shokët që e përcillën, që ishin bashkë, ky met’ vet. Edhe, s’kish kah… ai m’pa mue, s’kish kah me ia mbajtë, edhe u nisë me shkue, ishte fejue me nji vajzë aty n’atë rrrugicë e me shku te miqt aty te e fejumja. A lele teposhtë, ta nxo une t’i mshoj dy grushta t’mira. Dera mshelë e m’iku, mirëpo ky bam bam bam me shkelma, u çunë ai miku me ia çelë derën, e une ia ktheva shpinën edhe pshtova pa telashe.
Lura Limani: Kjo o’ mbas provimit apo?
Enver Tali: Mas provimit, mas provimit. Edhe, kështu që nuk pata kurrnifar problemi, veç e di që ata që m’kishin pa aty pari, se jo, kërkush tjetër. E këtu, kështu e kryjta gjimnazin unë, me këto peripeti të kijametit e deri këtu erdha.
1 Turq.: kadın – grua, zonjë.
2 Nardona Odbrana ishte grup serb nacionalist krijuar me 8 tetor 1908 si reagim ndaj aneksimit austro-hungarez ndaj Bosnës dhe Hercegovinës. Atëkohë, kishte qëllim mbrojtjen e serbëve etnikë në Austro-Hungari. Për të përmbushur qëllimet, Narodna Odbrana shpërndau propagandë si dhe organizoi forca paramilitare.
3 Zembil, nga turqishtja, trastë.
4 Srb. Doživotno-përjetësisht.