Don Lush Gjergji

Prishtina | Date: 19 dhe 25 Maj, 2015 | Duration: 132 min.

Kokën e kemi pasur Anton Çettën; zemrën e kemi pasë rininë tonë; duart i kemi pasur ata që e shtrinin dorën e pajtimit dhe falnin, ndërsa ne ishim kambët qi kemi ecur, qi kemi vrapuar andej këndej, për t’i ndihmuar popullit. Dhe populli filloi ta shijoj faljen, si parakusht të lirisë. Dhe populli filloi ta festoj. […] Prandaj kjo ishte ni fuqi, ni frymëzim, që s’kishte ma të ndalur. N’fillim si thashë, derisa populli nuk e kuptoi kush jemi, derisa populli nuk e kuptoi çka duam, qi ne duhet t’i lirojmë… se populli ishte n’vorr për s’gjalli. Pjesa dërrmuese e atyre qe i kishin familjarët e vrarë ishin për s’gjalli në vorr. Jetonin për t’u hakmarrë.

Dhe këtu më kujtohet rasti, për shembull, dy motra të cilat e kishin t’vetmin vëlla, vëllaun e dëshirit, apo të hasretit siç thotë populli, dhe ishin betuar, ‘Nuk do të martohemi derisa nuk e nxjerrim gjakun e vëllaut!’ Dhe koha kishte kaluar, dhe ato ishin në moshë mbi 40 vjeçare. Dhe besomëni! Nga dhimbja, nga vuajtja, nga kjo situatë, ishin të shëmtuara. Dhe s’kishin ma tipare të vajzës, apo të femrës. Nuk ishin me tipare dhe karakteristika as femna, as mashkuj. Dhe te Verat e Llukës, njëra prej tyre afrohet, më thërret, ‘Don Lush! Don Lush!’ s’mujsha me zbritë prej binës së madhe, dhe i thamë bacës Anton, ‘A po… t’zbresë unë?’ thotë, ‘Jo, mos zbrit se a p’e sheh popullin sa e kemi. Po thujë asaj le t’vijë’. Erdhi. Thashë, ‘Çka do moj motër?’ tha, ‘Unë dua ta fali gjakun e vëllaut’. ‘Bukur shumë,’ them, ‘po janë këtu me mija. A po e shef sa ka?!’ ishin mbi 35 gjaqe që spontanisht faleshin, 120 e sa ishin të përgatitura. Thomë, ‘E çka do të thoshe?’ ‘Lemë të foli’, thotë. Them, ‘Po çka do të thoshe ti?’ ‘Do të them: ma vranë vëllaun, po sot e kam zbuluar se gjithë ju jeni vëllezërit dhe motrat e mija’. Shkoj unë dhe i thamë bacës Anton {i dridhet zëri} e Zeqës, i thomë, ‘Ju mendoni se Don Lushi asht’ ciceroni dhe oratori ma i madhi i shqiptarëve apo i botës. E kam gjetë ni oratore, ajo do t’thotë diçka çka se ka thanë kërkushi’. Dhe ajo doli, dhe me lot tha, ‘Ma kanë vra vëllaun, po sot e kam zbuluar se t’gjithë ju jeni vëllezërit dhe motrat e mia’.

 


Lura Limani (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Kamera), Donjeta Berisha (Kamera), Anna Di Lellio (e pranishme)

Don Lush Gjergji lindi më 21 Mars, 1949 në Stubllën e Epërme, komuna e Vitisë. Ai studioi për filozofi dhe teologji në universitetin Pontifical Urban në Romë, dhe mban titullin e doktor-shkencës në psikologji nga universiteti shtetëror “La Sapienza”, Romë. Ai është prift katolik  dhe autor i shumëfishtë, me publikime në gjuhën shqipe, italiane dhe kroate. Sot, ai është Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, jeton dhe vepron në Prishtinë.

Don Lush Gjergji

Pjesa e Parë

Lura Limani: A mundeni pra me na tregu… me prezentu veten, me na tregu ku dhe kur keni lindë, edhe na tregoni pak për prapavinë e jujë familjare.

Don Lush Gjergji: Jam Don Lush Gjergji, i lindur me 21 mars të vitit 1949, në Stubëll të Epërme, komuna e Vitisë, pjesa e Karadakut apo Anamorava jonë, siç quhet sot. Jam biri i katërt, jemi katër vëllezër. Gjithë jemi fatbardhësisht ende të gjallë. Katër vitet e shkollës fillore i kam kryer në vendlindje, dhe pas vendlindjes kam filluar shkollën herët dikur, pesë vjeçar e diçka kam qenë, me shoktë e mi. Kështu qi, edhe regjistrimi në klasën e parë ka ndodhur ditën e fundit të vitit shkollor, kur erdhi inspektori. Dhe atëherë, për ne inspektori ishte si ndonji jashtëtokësor! Përgatiteshim si do t’jetë, kush do t’jetë.

Dhe unë isha në bankën e parë, se isha më i vogli edhe me shtat, dhe inspektori menjiherë m’tha, “Ti, dil n’dërrasë t’zezë. A din shkrim e lexim?” Thashë, “Po, gjithçka [që] kemi mësue i di”. E atëherë filloi të më testojë, dhe thotë, “E ke mësuar përmendësh, ndoshta këte apo ate?” Në fund, ndërhyri mësuesi dhe tha, “Shoku inspektor, ky nuk është i regjistruar.” “Pse?” tha, “se nuk e ka moshën, po është ma i miri në klasë”. Dhe atëherë ishte kënaqësia dhe lumturia ime, inspektori para gjithë nxanësve i tha mësuesit tim, “Sot regjistroje, dhe e kalon vitin e parë me sukses shembullor. Bile edhe me nji dhuratë”. Dhurata ishte nji lloj filmi që lëvizej kadal-kadal pozat e palëvizshme, dhe nji libër e cila për mua ishte si t’ma kishte dhuruar botën mbarë.

Më kujtohet, erdha te shpia dhe i tregova nanës sime të ndjerë, Dile Gjergji, thashë, “Unë e kalova klasën e parë, me sukses të shkëlqyeshëm”, ajo më shiqon pak, thotë, “Sigurisht ke qajtë, e atëhere t’kanë rrejtë, e t’kanë mashtru.” Thashë, “Jo!” Dhe si dëshmi atëhere e paraqita librin dhe atë lloj filmi, i cili ishte nji letër dhe e kishte nji mekanizëm me lëvizë, e me nji sy të vogël me pa disa pamje, që për mua atëherë ishin nji lloj mrekullie e vogël.

Katër vite, siç thashë i kam kryer në Stubëll, dhe atëhere ishte dilema, apo udhëkryqi i jetës sime, sepse vetëm katër klasë ishin në Stubëll. Për të vijuar shkollën tetë vjeçare, ciklin e ulët të gjimnazit siç quhej atëhere – duhej të bahej një udhëtim tejet, tejet i mundimshëm. Dhe ishmi brezi i parë. Deri para nesh nuk kishte ndodhur askush qe e kishte ndërmarrë këtë gja. Prifti i atëhershëm Don Dedë Ramaj, i bindi familjet e tona, dhe na bindi dhe na motivoi ne, se pa shkollim, pa arsimim, dhe qytetërim, nuk ka kurrfarë përparimi. Kështu qi vendosëm… ishim një grup dikun dymbëdhjetë nxanës. Dhe vitin e parë u regjistruam në Viti. Vajtja-ardhja ishte 24 kilometra. Tash mendoni nji fëmi nantë vjeçar, ende si kam pasë dhjetë, duhet të përballoja nji udhëtim të tillë…

Gjithmonë kanë qenë vitet ’59, prandaj ishte varfëria e skajshme. Asnjiherë s’kemi pasë as opanga, përpos me lëkurë të thiut, të cilat i punonim te shpia, nanat tona, apo më të mëdhenjtë. Veshëmbathja ishte çdo gja çka prodhohej prej leshit, sepse për të blerë nuk ishte as andrra e fshatarëve, apo njerëzve të asaj kohe. Përpos asaj, kishte vështirësi të mëdha se s’kishte rrugë. U deshtte të përballojmë shpesh here edhe rrugica shumë të rrezikshme, siç edhe sot quhet, “Prroni i Magjupit”, kur zbritet prej Stubllës në drejtimin e Vitisë, dhe kur prroni është 15-20 metërsh. Dhe kur dimrit mjaftonte ni rrëshqitje për të ndodhur edhe fatkeqësia edhe humbja e jetës.

Përpos asaj, rrugët as që ekzistonin, ishin rrugë të dhenve, ose ma mirë të themi të dhive, sepse dhia kalon kudo. Se delet do të kishin vështirësi të kalonin nëpër ato rrugica kah kam ecur unë dhe shokët e mi. Ishte lumi i Letnicës, i cili disa herë gërshetonte dhe kalonte rrugicat tona. Dhe ky lum nuk kishte asnji urë, por ishin vetëm ndonji dru i cili shpesh here edhe lëvizej, i cili shpesh here ishte i ngrirë apo i lagtë, kështu qi rrezikimi i jetës ishte pothuajse në çdo hap. Gjaja e çuditshme çka ishte atëhere, na pengonin edhe serbët e mëdhajë në dy fshatra serbe që duhet t’i kalonim, fatkeqësisht! Vërbovci dhe Gërqari. Dhe jo fëmitë, po shpesh here edhe të rriturit na lëshonin qenët, apo na bërtitnin pse kalojmë nëpër vendet e tyre. U deshte atëhere ta gjajmë ndonji rrugë apo rrugicë tjetër, por duke shkelur tokat pjellore. Dhe njerëzit tjerë ankoheshin, edhe pse nuk kishin një trajtim të tillë agresiv, sepse e kuptonin qi jemi fëmijë dhe dikah… s’mund të fluturojmë, por dikah duhet të kalojmë.

T’gjitha këto më përkujtojnë nji fëmijëri dhe rini jashtëzakonisht të vështirë dhe të hidhët. Por hidhërimi më i madh që më ndodhi ishte kur në moshën tre vjeçare, papritmas vdiq babai im. Vdiq te miqtë, te familja e nanës sime të ndjerë. Edhe vdiq prej dhimbjes dhe prej vuajtjes, sepse ni javë përpara, dhetë ditë përpara, kishte vdekur motra 17 vjeçare, që e kishte edhe emrin Tereze. Dhe shpesh herë kur mendoj jetën, nji pjesë të madhe të jetës qi ja kam kushtuar të lumes Nanës Tereze, me 15 libra, me 29 vite të shoqërimit, ndoshta asht’ nji nëndije e ime, qe në te e kërkoja edhe motrën time, të cilën unë fare nuk e njoh, sepse vdekja e babës shleu çdo kujtim të motrës sime. Isha dikun tre vjeçar, ende s’i kisha tri vjet. Babën, e kujtoj! E kujtoj si në ëndërr, e kujtoj në lojëra. Por motrën s’e kujtoj fare. Gjithë kjo më ipte edhe ma tepër motiv për jetë dhe për punë.

Pas vitit të pestë [kaluam] në Zhegër, e ndërruam. E ndërruam për këtë rrethana që thashë: që kishim pengesa, që ishte lumi që shpesh herë na kërcënonte dhe rrezikonte, e sidomos që ishin të rriturit që na pengonin. Dhe atëhere iu paraqitëm priftit Don Dedës, dhe i thamë, “S’mund të shkojmë ma në Viti!” dhe ai tha, “Ka zgjidhje! Dhe zgjidhja asht’ në Zhegër, sepse Zhegra asht’ pjesë e Karadakut tonë, në Zhegër janë laramanë, e dinë se çka jemi ne katolikët, dhe në Zhegër kemi miqasi. Prandaj jemi nji anë territoriale dhe kemi t’njejtin mentalitet. Por është nji problem!”

Unë n’Zhegër s’kisha qenë kurrë ma parë. Kisha shkuar në Terziej, që ishte nji pjesë e rrugës prej nga ishte nana ime, edhe e pyes priftin, “E ku është Zhegra?” ai thotë, “S’kemi hartë, por është po ashtu dikun dymbëdhjetë kilometra vajtje, dhe dymbëdhjetë kilometra ardhje, por është nji problem: nuk ka asnji vendbanim”. Dhe unë u gëzova, thashë, “S’ka vendbanim, nuk na rrah e nuk na kërcënon askush” tha, “Kadale Lush, se asht’ krejt kodra dhe male, dhe ka shumë ujqë.” Atëherë thashë, “Kemi zgjidhje për këte!” “Cila është zgjidhja,” tha, “ti nuk frikohesh prej ujqëve?” them, “Unë frikohem, si çdo njeri, si çdo fëmi, por e kemi një qen aq të fortë, dhe fshati i ka disa qejë të cilët janë n’gjendje të luftojnë me ujkun, dhe sigurisht na mbrojnë”. Dhe ashtu bëmë.

U gjetën katër-pesë qejë ma të fortë që ishin… atëherë i quanim qejtë e hekrave, që ishin domethanë vazhdimisht të lidhur. Dhe ata na përcillnin prej hapit të parë të shpisë, deri te shkolla, deri n’Zhegër. Shumë interesant! N’Zhegër nuk hynin në fshat – apo në qytezë të vogël siç ishte Zhegra atëhere – por ndaleshin, dhe pritnin tërë kohën derisa nuk përfundonte shkolla. Nuk kacafyteshin dhe nuk haheshin njëri me tjetrin. Filluan të shoqërohen, siç shoqëroheshim edhe ne. Dhe ky ishte edhe shpëtimi ynë, sepse gjatë katër viteve shpesh herë kam dëgju ulërimën e ujqëve, sidomos dimrit kur është uria e madhe, por fatbardhësisht, kurrë qejtë tanë – që në një mënyrë u shndërruan në engjujt rojtarë tanë – nuk kanë lejuar që të ketë ndonji…

Në Zhegër kemi qenë të pranuar mrekullisht. Zhegra është vendi qe e kujtoj me shumë, shumë, mall dhe dashuri. Sepse në Zhegër vërtetë na kanë pranuar sikur të ishim zhegrasë, bile edhe ma mirë. Dhe fatbardhësia jonë ishte që ne të Stubllës ishim t’gjithë nxanës të shkëlqyeshëm. Atëhere filluan të na duan edhe ma tepër. Se gjatë rrugës i përsëritnim mësimet: s’bashku mësonim, s’bashku luanim, s’bashku kalonim jetën. Kështu qi Zhegra për mua ka qenë dhe mbetet shkolla e cila më dha ni vrull, ni vullnet, ni entuziazëm për mësim, për studim, dhe për jetë.

Më kujtohet i ndjeri, drejtori Ismajl Rama, i cili fatkeqësisht vdiq në fatkeqësi të komunikacionit… para disa viteve, kur e bamë ni lloj testimi dhe prove, atëhere pyetja ishte, “Çka do të bani tash, pas tetë vjeçares?” dhe unë tashma isha i vendosur që do të shkoja në seminar, për t’u përgatitur për meshtar, për prift katolik. Atëhere e shkrova “gjimnazi klasik”. Dhe gjithë shoktë e shoqet tjerë më pyetin, “Çka është kjo?” sepse gjimnaz real kishte, por gjimnaz klasik s’kishte askund, dhe ishte i vetmi gjimnaz klasik që ishte në Dubrovnik nga ana e jezuitëve, dhe që e pranonte dhe shteti jugosllav atëhere.

Atëherë sa fillova t’iu shpjegoj, drejtori, dritë pastë, Ismajli, u ngrit… ka qenë një zotëri, nji gojëtar i shkëlqyeshëm, nji edukator jashtëzakonisht i mirë… tha, “Djelmosha, çuna”, na thoshte, “tash ju shpjegoj unë çka ka zgjedhur Lushi. Ka zgjedhur shkollën ma t’mirën, ky përgatitet për të qenë meshtar”.

Dhe atëhere e mbanë nji elogji ndaj klerit katolik, dhe thotë, “A e dini se çka? Si flasim ne tash?” “Shqip.” “Ne flasim shqip, sepse kleri katolik shqiptar na e ka ruajtur gjuhën, traditën, kulturën, e tjera, e tjera”. Dhe fillon t’i përmend figurat të cilat ne pak i dinim, ose dinim vetëm emrin, dhe thotë, “Gjurmëve të tyre do të shkoj edhe Lushi ynë”. Nuk e harroj kurrë këtë moment. Dhe më përkëdheli, dhe më përqafoi para nxanësve, dhe më tha, “Ke zgjedhur rrugën ma të mirë”.

Diçka tjetër çka mund të përkujtoj ishte bashkëpunimi që e kishim. E kishim korin e shkollës. Për herë t’parë prej Zhegrës kemi shku n’kambë n’Gjilan për nji koncert. Ishim të këputur nga udhëtimi dy-tri orësh, megjithate e zumë vendin e parë. Dhe për herë të parë – atëhere në klasën e tetë – erdha në Prishtinë, sepse ishte gara e shkollave tetë vjeçare të Kosovës atëhere dhe ky ishte një përkujtim i imi…

Si dhe, si nxanësi ma i miri i klasës dhe i shkollës shkova në ekskurzion në Beograd. Dhe ishte dhe vizita e parë e imja… udhëtimi me tren. Deri n’Shkup kisha qenë, por në Beograd… dhe, nji rreth i cili flet krejt ni gjuhë ndryshe, se unë serbishten – rrjedh nga nji fshat që është krejt shqiptarë, dhe krejt katolikë – e dija fare pak, ndonjë përshëndetje. Ishte për mua nji përshtypje, n’rend t’parë Beogradi si kryeqytet dhe qytet i madh, pastaj n’rend t’dytë që nuk dija të komunikoja me shkollat tjera, apo me të tjerët. Dhe më bëri përshtypje kjo, nji përjetim i cili më mundonte, “Pse edhe unë nuk e di gjuhën serbishte apo sllavishte?” siç e quanim atëherë.

Dhe kjo ishte si një përgatitje thujase psiqike dhe shpirtërore për atë çka do të ndodh ma vonë, sepse gjimnaz klasik dhe përgatitje për meshtari nuk kishte, kuptohet në trojet shqiptare. Atëhere m’u dasht’ të bajë kërkesën në ipeshkvinë e cila e kishte selinë atëhere në Shkup, dhe qesh pranuar. U pranova në seminarin “Rugjer Boshkoviq”, Rugjer Boshkoviq është ni dijetar, ni jezuit me famë botërore, gjimnazi klasik “Rugjer Boshkoviq” që ishte ma i njohuri n’atë kohë në Jugosllavi.

Udhëtimi prej Stubllës e deri n’Ferizaj, n’kambë, se nuk kishte autobus. Me ndonji çantë të madhe e cila ishte e letrës, se s’kishte çanta të mira. Po të binte pak shi, ajo çantë do t’m’i lagte edhe t’gjitha gjërat e tjera çka i kisha marrë me veti, diçka veshëmbathje. Prej Ferizajit, e në Beograd. Beogradin m’dukej se e njoh, se kisha qenë. Pastaj prej Beogradit e në Saravejë. Prapë dikun 16-18, deri 20 orë. Po ajo çka ishte aventurë e vërtetë, ishte Sarajevë-Dubrovnik, ku ishte treni i ngushtë, qi e quanin “Qiro”. Qi ecte ngadalë, dhe në vende ku kishte ngritje-zbritje, lidhej me zingjirë dhe atëherë zbritnin udhëtarët, kështu qi paralelisht ecnim ne me tren. Dhe kjo ishte nji aventurë për mua. Mendoja, “A do të di ndonjiherë të kthehem në Stubllën time?” sepse udhëtimi zgjati dy ditë e dy netë.

Dhe kur mbërrina në Dubrovnik, nji kështjellë mesjetare, nji qytet tash i mrekullueshëm, por atëherë që isha mësuar dhe isha rritur në nji vend malor, ku kishte plot gjelbërim, ku kishte pemë dhe perime, ku kishte livadhe, kur i shoh gjithë ato muroja, kur e shoh për herë t’parë detin, kur shoh nji qytet i cili i përngjante kështjellës dhe kullave tona, përshtypja ishte tronditëse. Dhe fillova t’i them vetëvetes, “Ndoshta 24 orë do t’qëndroj”.

Ndryshimet e mia dhe përvoja ishte tronditëse, sepse ishte nji qytet sikurse që është: perla e Adriatikut. Nji qytet mesjetar, i rrethuar me mure të mëdha, me kështjella, me kisha, por askund s’kishte asnji pemë, askund s’kishte asnji gjelbërim, s’kishte lule, s’kisha asgja. Me nji anë ishte nji kodër, jo si Subllovaqa e jonë, plot me gjelbërim, por Sërrgj quhet, dhe ishte krej gurishte. Në anën tjetër ishte deti. N’mes ishim ne. Por unë nuk dija kah të shiqoja. Çdo shiqim kah deti më tronditte, më frikësonte, gjithë ai ujë. Në anën tjetër, nji kodrinë e cila nuk kishte asgja, përpos aty-këtu ndonjë therrë. Nuk dija ku ta pushoja syrin tim.

Dhe pas ditës së parë dhe natës së parë… ishim dikun 180 nxanës, i kishim fjetoret tona të mëdha me dhjetë, 15, 20 shtretën. Ishin klasët e caktuara për mësim. Diciplina ishte sikurse është te jezuitët: që dy orë t’studimit të rreptë nuk guxoje as ta kthejshë krytë djathtas, apo majtas, as të hapësh bankën, se banka e kishte nji dërrasë ku i shtinim librat dhe fletoret tona. Ata na edukonin që të mësojshë përpara dhe të përgatitesh, çka do të nevojitet gjatë studimit të rreptë, siç quhej. Nëse nuk e hapë me kohë dhe nuk i nxjerrë librat dhe fletoret, rrinë ashtu, po nuk ke të drejtë të dalësh, dhe nuk ke të drejtë ta qelësh bankën, siç quhej atëhere… ishte termini teknik “pultin” për me i nxjerrë librat apo fletoret.

Të gjitha këto rrethana kuptohet për mua ishin t’vështira, dhe thujase t’papërballueshme. Dhe pas dy-tri dite, unë edhe vendosa, thashë, “Do të kthehem!” Po ishte halli si të kthehem, gjithë atë rrugë. Fatbardhësia ime ishte se me mua ishte vëllau im Don Ndue Gjergji, i cili është tri vjet ma i madh se unë dhe tri vjet në atë moshë… unë isha dikun 14 vjeçar, ai ishte 17 vjeçar. Më kishte pritur që ta kry unë tetë vjeçaren qe t’i vazhdojmë bashkë studimet. Unë e kisha hangër ni vit se kisha shkue ni vit përpara, ai kishte pauzuar. Dhe i thashë, “Unë nuk mund të rrijë ma këtu”. Por aftësia e tij, mençuria e tij, pjekuria e tij n’krahasim me mua, tha, “Po rrimë edhe ndonji ditë, e ta shofim. Kemi kohë, mund të kthehemi kur të duesh dhe kthehem edhe unë me ty”. Kështu nji here dy, me këto mashtrimet e mira dhe vëllazërore, unë dalëngadalë fillova të ambientohem.

Nji shok tjetër ishte çashtja gjuhësore. Unë e kisha memorien aq të fortë atëherë, fatbardhësisht e kam deri diku edhe sot, saqë e lexoja faqen dhe i mbyllja sytë dhe e dijsha përmendësh, edhe nëse nuk e kuptoja. Po nëse profesori më pyette diçka, unë ndërprehesha dhe s’dijsha ma asgja. Dhe fatbardhësia e profesorëve t’cilët ishin… pjesa dërrmuese e tyre ishin magjistra dhe doktorë të shkencave, të lamive të ndryshëm. Kur e morën ftesën e shkollës sime, dhe kur e panë se t’gjitha klasët i kisha kaluar me pesëshe dhe shembullore, atëhere më thirrën dhe për sa dinim të kuptohemi, tha… se notimi bahej çdo tre muaj: tre mujori i parë, gjashtë mujori që ishte gjysëmvjetori, tre mujori tjetër e kështu me radhë. Ky ishte sistemi atje. Dhe drejtori i shkollës më tha, “Lush, nuk po të notojmë në tre mujorin e parë”. Mu m’erdhi keq, “Pse?” Dhe atëhere më bëri të kuptoj, tha, “I ke t’gjitha notat, je nxënës i jashtëzakonshëm! Po nuk e njeh gjuhën. Po ta japim rastin që ta mësojsh gjuhën”. Dhe kjo ishte shpëtimi im. Unë për tre muaj e mësova gjuhën kroate, aq bukur, me gjuhë tjera klasike, latinishtja e vjetër, greqishtja e vjetër, gjermanishtja, italishtja frengjishtja, saqë kur përfundoi tremujori i parë nuk më notuan, por n’tre mujorin e dytë apo n’gjysëmvjetor, unë isha nxanësi ma i miri dhe i kisha t’gjitha pesëshe.

Dhe kjo atëherë më dha vullnet, që ma nuk ëndërroja… përpos mallit të madh që e kisha, sepse atëherë s’kishte komunikim, letra shkonte ni mujë ditë, kryesisht për të ardhur deri te ndonji informim. Telefon as qi kishte, as qi mendonte kush për te. Kështu qi, kjo ishte nji përvojë e imja, përvojë sa i përket studimeve, e mrekullueshme, por përvojë jashtëzakonisht e vështirë për ni 14 vjeçar, me ni diciplinë të hekurt, me nji rregull dhe norma ligjore, sa qi po mos të ishte përkrahja e vëllaut tim, dhe po mos të ishte vullneti i madh dhe dëshira qi unë të mësoj gjithnji e më tepër… sepse hapeshin horizontet.

Kur isha i vogël mendoja se unë di gjithçka, sepse gjithë ate çka ma thoshte mësuesi unë e dija. Ndërsa tash më hapeshin dyert dhe dritaret, horizontet e shkencës, të kulturës. Fillova t’i shijoj sidomos klasikët, tekstet në gjuhën latine. Filloja ta shijoj artin, fillova ta shijoj Dubrovnikun, fillova ta shijoj bregdetin, se bënim shëtitje. Më kujtohet shëtitja në Zarë, për herë të parë në jetën time shoh vendbanimin Arbanasi. Dhe thamë, “Kjo do t’ketë lidhje me ne!” dhe aty mësoj historikun se para 300 vjete, ishin shqiptarët që ikën nga përndjekjet turko-otomane, dhe u strehuan atje. M’kujtohet vizita e parë në Split, dhe vorri i Dioklicianit, perandorit romak me prejardhje ilire, e tjera.

Domethanë gjithnji e më tepër rritej, shtohej në mua dëshira, vullneti, puna. Saqi shpesh here kisha ndjenjën se po mëkatnoj, po gaboj, kur po flej. Megjithate ishte e caktuar, dhe s’kishte gjasa që të shkojsh dikun tjetër, sepse me orar ishte çdo gja. Zilja dhe orari filluan të bahen pjesë përbërëse e jetës sime, edhe pse për nga natyra isha tejet i gjallë, dhe isha shumë dinamik. Dhe kisha nji moshë ku kisha nevojë sa ma tepër për ni krijimtari, për ni lëvizje. Atëherë lëvizja e vetme ishte se shkolla dhe kolegji e kishin ni fushë të vogël sportive, po 180 vetë siç ishim ne… atëherë sporti i vetëm ishte noti. Dhe së shpejti mësova notin, dhe s’paku ato ditë kur mund të dalnim dhe të shkonim në deti për të notuar, për t’u larë, për t’u rrezitur, atëhere filloi të jetë edhe ni kënaqësi në jetën time, përpos asaj që ishte shijimi i jashtëzakonshëm dhe bukuria e shkrimit, leximit, e gjithë asaj çka ishte për mua ni avanturë e jashtëzakonshme në jetën dhe në rininë time.

Lura Limani: E përmendët qe nuk keni mujtë me komuniku me familjen qe e keni lanë n’fshat, për shkak se s’ka pasë telefon. Kë e keni lanë n’fshat prapa, ju dhe vëllau?

Don Lush Gjergji: Ishte nana e ndjerë e imja, dhe ishin dy vëllezërit. Vëllau i madh, Zefi, i cili ishte n’moshë 17 vjeçare kur vdiq babai, prandaj kishte rolin e vëllaut të madh dhe babës, sepse ai na rriti, ai na ndihmoi, ai na edukoi, ai na përkrahu. Dhe vëllau i dytë, Mhilli, kurse ne dy, Ndou dhe unë, ishmi në Dubrovnik. Malli ishte nji gja jashtëzakonisht e vështirë. Dhe unë e kam përballuar vetëm nëpërmes vëllaut, dhe nëpërmes ni grupi të shqiptarëve, që ishim aty. Dhe për t’i ikur mallit dhe mërzisë, unë kam lexuar, kam studiuar, kam punuar. Sepse ishte i vetmi shpëtim i imi!

Pjesa e Dytë

Lura Limani: Në seminar… a mundeni me na përshkru pak edhe jetën n’katun, n’Stubëll, para se me shku po mendoj n’seminar.

Don Lush Gjergji: Stublla asht’ ni vendbanim malor, jashtëzakonisht i bukur. Në Stubëll kam jetuar dikun 14 vite. Stublla është ni oazë, ni bazë e asaj çka është shkolla shqipe, shkolla e parë shqipe, sa është dokumentuar deri më tash. Shtëpia ime ku kam lindur dhe ku jam rritur, dhe kisha, ndahen vetëm me nji rrugë. Dera e oborrit dhe dera e kishës ishin ballë për ballë njëra me tjetrën. Kështu që në oborrin e kishës praktikisht, dhe në oborrin tim jam rritur. Kemi pasur lojna të ndryshëm. Unë kam filluar të ndihmoj në meshë, apo siç thuhet në terminin teknik, të jam ministrant si fëmi i vogël, [i] Don Dedës. Më kujtohet dikun, ka qenë mosha katër-pesë vjeçare, ende se kam filluar shkollën, se më pëlqente zili kur duhet t’i bijsha gjatë kremtimit të meshës. Më pëlqenin qirinjtë që duhet t’ndezur, apo mbajtur në procesion. Më pëlqente veshja kur murgeshat atëherë na i qepën petkat për ministranta.

Dhe kjo ishte nji botë e imja në të cilën andërroja. Gjithmonë më pëlqente figura madhore e Don Dedë Ramës, i cili ishte nji prift, nji babë shpirtënor, i cili ishte nji edukator. Mendoni pak, çdo herë para se të fillonim udhëtimin tonë drejt Vitisë apo Zhegrës, ne takoheshim te kisha në oborr për t’u lutur dhe ai na priste në kohën… ishte dikun pesë, pesë e gjysë mëngjesi, sepse n’shtatë ora fillonte mesha dhe na bekonte, na thoshte ndonji fjalë. Dhe kur ktheheshin prapë, përpara se të shkonim në familjet tona, kthehesim te kisha. Prandaj kisha për ne ishte nji shtëpi e dytë, ose ma mirë të themi shtëpia e përbashkët për t’gjithë ne fëmitë që vijuam shkollën tetë vjeçare. Pastaj ni pjesë vijuam edhe gjimnazin.

M’kujtohet edhe nji hollësi, kur erdhi… kur është fjala te inspektori. Atëherë u ba nji lloj eksperimenti, se vajzat ishin me nji anë, e djemtë ne ishim me nji anë tjetër. Dhe n’klasën e dytë erdhi nji inpektor, dhe tha, “Nuk duhet të jetë kështu e ndarë klasa, por duhet të jetë nji vajzë e nji djalë”. Kjo ishte për ne dramatike, sepse nuk ishim mësuar kurrë nji gja të tillë. Vajzat i kishin lojnat e tyre, ne i kishim lojnat tona, me ndonji poqavër se s’kishte top, apo me ni diçka sa për t’u lëvizur, sa për të luajtur. Ose ndonji fiskulturë, ose vrapimi. Apo shkarravitja nëpër livadhe, nëpër lulet e bukura që i kishte vendlindja, ajo ishte për ne. Dhe më kujtohet, unë mbeta shtangë, por mbetën edhe fëmitë e tjerë shtangë: si do t’ndodhi? Sidomos vajzat vetëm qi nuk vdiqën në këmbë kur e dëgjuan nji gja të tillë. Po unë pata fatbardhësi qe afër meje do të duhej të ishte nji vajzë e cila ishta 100-150 metra afër shtëpisë sime, prandaj ishmi rritë dhe kishmi lujtë së bashku. Kështu qi këtë dramë unë e kalova shumë lehtë, sepse edhe ajo më njihte mua edhe unë e njihja ate. Por dua të them me këtë epizod se çfarë ishte botëkuptimi i atëhershëm, dhe çfarë ishte bota e ndarë në dy bota antagoniste: mashkullorja dhe femërorja.

Kam edhe shumë kujtime tjera. Më ka pëlqyer gjithmonë muzika. Instrument tjetër përpos fyellit, aty-këtu çiftelisë, nuk kisha. Dhe këtu e kam nji përkujtim edhe ngjarje shumë të bukur. Fill kur përfundonte shkolla, atëherë kishim nji tubë delesh, 50, 80, deri 100, dhe unë isha bariu i vogël i cili e përcjellja grigjën në kullosa. Qeni vinte gjithmonë me mua, ishte pjesë e jetës, sepse si thashë edhe ma parë, më përcjellte dhe na ruante jetën mua dhe shokëve të tjerë. Por ajo çka është shumë karakteristike, dhe m’vjen keq qe atëhere s’kemi pasur kurrëfarë mundesie të regjistrimit apo inçizimit, qeni im ishte shumë muzikant. Kishte prirje për muzikë. Dhe sa e merrja unë fyellin, {imiton me gishta lojën në fyell} dhe i ipja ndonji notë për ndonji kangë, më kqyrte, më fiksonte, dhe me lehje përcillte në mënyrë të përsosur. Mund të them se nuk e gabonte asnji notë. Dhe ulej afër… dhe kjo ndodhte thujase rëndom. Sa herë unë merrja instrumentin, sidomos fyellin, ai ulej afër meje, më fiksonte, dhe me lehjen e tij e përcjellte kangën ose melodinë qe unë i bija fyellit.

Është nji ngjarje e jashtëzakonshme, e kam thanë disa here, aty-këtu edhe nëpër botë, dhe çdokush më ka kërkuar, “A keni ndonji dokument?” Çfarë dokumenti mund të kesh në atë kohë, në kushte dhe rrethana tona, përpos kujtimit të gjallë qi e kam edhe sot. Dhe e kujtoj vërtetë me mall se si qeni e kishte ni afinitet, se si ishte aq i përafërt, se si gjithë ditën… për shembull ishte nji çantë e vogël, unë kisha bukë e ujë, apo diçka, kurrë nuk e prekte, gjithmonë e ruante. Dhe derisa nuk i ipja diçka, as qi afrohej nëse unë e marrësha çantën dhe e çilja për të ngrënë diçka. Ai dukej i marrëshëm. Vetëm atëherë ku i ipshja diçka, atëherë kuptohet me kënaqësi e merrte. Janë kujtime fëmirore, të cilat nuk mund t’i harroj askurrë.

Lura Limani: Shumë interesant! Kur ka qenë hera e parë që jeni kthy masi që keni shku n’Dubrovnik n’studime?

Don Lush Gjergj: Po ishte viti i parë i gjimnazit.  Unë jam regjistruar në gjimnaz në vitin 1963, pra viti shkollor 1964. Dhe nan[d]ë mujë, dhetë mujë, ishin tejet të gjatë. Po fatbardhësisht intereset e mia u zgjuan. Dëshira për shkrim, për lexim, për mësim, për lexim, gjithnji ishte edhe ma e madhe, dhe ajo më përfitoi, më entuziazmoi. Kështu qi ma nuk kisha dyshim se a është kjo jeta ime, e rruga ime. Megjithate malli dhe dy kontraste të asaj çka ishte jeta fshatare në Stubëll, dhe jeta në ni qytet të shkencës, të kulturës, të artit mesjetar, siç është Dubrovniku apo Raguza, ishin vërtetë dy bota. Por fatbardhësit aty m’u hapën dyer dhe dritare edhe për nji botë e cila deri më atëhere për mua ishte krejtësisht e panjohur dhe imagjinare.

Lura Limani: Si vendosët me shku n’studime ma tutje, n’Itali?

Don Lush Gjergj: Edhe thirrja ime për prift është interesant, dhe këtu ndoshta është mirë që t’i kthehem kësaj, sepse kjo ndodhi përpara se të shkoja në Dubrovnik dhe në gjimnaz. Ndodhi ni tragjedi në Stubëll. Filluam ndërtimin e kishës, sepse kisha e vjetër qi është edhe shkolla e parë shqipe ishte tashma aq e vogël, saqi ishim në shpinë, apo në krahë njëri-tjetrit. Hapnim dyer e dritare, por ishte e pamundshme. Shpesh herë njerëzve iu binte të fiktë edhe gjatë meshës, edhe në pikë të dimrit. Dhe prifti i atëhershëm, i ndjeri Don Domenik Ramaj, apo Dedë siç e kemi quajtur ne, që ishte me prejardhje prej Stubllës, kërkoi lejen dhe filloi ndërtimin e kishës.

Ishte dikun viti ’58-59 dhe UDB-ja e atëhershme, sidomos Rankoviqi… dhe këtu kam përjetime të hidhëta të kërkimit të armëve. [Prej] Këtu kam drojën që e kishmi natën. Kuptohet se atëherë rrymë kishte vetëm Gjilani, as Vitia s’kishte rrymë… por tmerri i netëve të gjata dhe në pritje dhe në ankthe se po vijnë policia e Rankoviqit, UDB-ja, dhe po kërkojnë armë. Këtu do t’lidhem shkurtimisht me ate çka është historiku i thirrjes sime, si më thirri zoti, dhe si unë iu përgjigja asaj thirrje.

Si thashë, Don Deda e filloi ndërtimin e kishës së re. Dhe atëherë UDB-ja në çdo mënyrë donin ate ta burgosnin, donin fshatin ta terrorizonin, dhe në nji mënyre t’ia pamundësonin ni jetë normale, nëse mund të thuhet normale në ato kushte. Kështu qi e gjetën ni kurth: i gjetën dy njerëz të cilët do ta vrisnin kushëririn e parë të Don Dedës, në pritë, dhe do të thonin se Don Deda ka thanë në rrëfim… Rrëfimi asht’ fshehtësi absolute kur besimtari vjen për të kërkuar ndjesë apo falje për mëkate… dhe në këtë mënyrë u vra David Ramaj, që ishte kushëriri i parë i Don Dedë Ramajt.

Dhe ndodhi nji tragjedi! U ndërpre… Ma s’pari në jetën time kurrë nuk kam dëgjuar… isha në klasën e gjashtë, dhe u ktheva i uritur e i lodhur prej Zhegrës. Nana ime e ndjerë kishte përgatitur mish, bukë, diçka tjetër… Dhe erdhi nji grua, dhe i tha, “Dada Dile, a ke dëgju?” Nana ime i dha shejë që mos të flas se si David Ramaj është vrarë me thika, ma zi se thiu, se derri. Dhe më kujtohet, unë… jo vetëm m’u ndalë kafshata, pothujase m’u ndalë edhe frymëmarrja, s’pata fuqi ma t’a marr ni kafshatë apo diçka. E shiqoja nënën time, e shiqoja vëllaun tim, e shiqoja atë grue. Për herë t’parë në jetë kam dëgjuar, “Është mbytë, është vra njeriu.” Dhe mendoni pak, Don Deda qe dënuar 14 vite burg. Vrastarët, njëri dy vite, njëri 4 vite dhe as ato vite nuk ishin të burgosur.

Kjo ishte nji tronditje, e po e lidhi tash me thirrjen time. U kthyem prej Zhegrës, na ndalën para dyerve të shpisë, të oborrit tonë, dhe dyerve të kishës. Dhe nji polic i cili fliste serbisht, pastaj nji polic shqiptar që e përkthente, tha, “A e njifni ju kriminelin Domenik Ramaj?” Për mu n’rend t’parë [emri] Dominik ishte e panjohur, se e kemi thirrë gjithmonë Dedë. E dyta kriminelin [s’]e kuptova, dhe shqiptari më tha, “Po pyet polici…” Unë si ma i vogli, ndoshta edhe si ma llafazani, si i guximshëm, i thashë, “M’fal, ai nuk është kriminel, por është baba i të gjithë neve”. Dhe atëherë polici me grusht deshti të më grushtonte. Fatbardhësisht u ula, rashë në tokë dhe nuk më ra. Na mbajtën më se nji orë aty, dridheshim kambësh dhe duarsh çka prej lodhjes, çka prej urisë, çka prej tmerrit sepse ishin 15-20 policë dhe të armatosur deri në dhambë. Dhe pas pak kohe doli Don Deda me duar të lidhura pas shpine, me nji shiqim që më dukej sikur Jezusin kur e çojnë në kryq, dhe kur zoja Mari e sheh me dhimbje të madhe dhe ecë hap pas hapi pas tij.

U ndalë Don Deda, dhe na shiqoi. Unë pata përshtypjen se në këtë shiqim më pyet dhe më thotë, “Unë po shkoj në burg, po ku do të mbesë kisha jonë, fshati ynë?” Dhe posa kaloi ky procesion i tmerrëshëm i policëve, para tij dhe pas tij, unë bëra shenjën e kryqit, rashë në gjunjë, dhe i thashë Zotit, “Nëse ti më kërkon dhe më do, unë do të shkoj rrugës dhe thirrjes tënde. Unë dua ta zavendësoj Don Dedën!” Dhe kjo ishte klasa e gjashë. Pas dy viteve, kur e kreva tetë vjeçaren, praktikisht e përforcova edhe ma tepër këtë dëshirë dhe këtë kërkesë, dhe këtë thirrje time.

Lura Limani: A u kthytë n’Stubëll përfundimisht me zavendësu Don Dedën?

Don Lush Gjergji: Jo, me shërbim nuk kam qenë kurrë në Stubëll. Katër vite gjimnazin klasik e kreva në Dubrovnik. Pastaj vitin e parë të filozofisë në Split. Dhe prej vitit 1968 deri në vitin 1975 isha për shtatë vite në Romë, ku kreva… magjistrova filozofinë, kreva teologjinë, dhe paralelisht me teologjinë kreva në Universitetin Shtetëror “La Sapienza”, Instituti i Psikologjisë, psikologjinë ku edhe doktorova me temën “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”. Përfundimisht u ktheva në Kosovë në vitin 1975. Atëherë ishte ipeshkv Imzot Nikë Prela, dhe ai më emëroi për sekretarin e tij personal dhe famullitar në Ferizaj. Aty kam shërbyer 18 vite, dhe aty ka filluar veprimtaria ime e shkrimeve dhe e botimeve nëpërmes revistës fetaro-kulturore “Drita”, nëpërmes shumë botimeve, vëllimeve, artikujve, ligjëratave e kumtesave që fillova t’i kem në ish-Jugosllavi, apo në Jugosllavinë e atëhershme, sidomos në Kroaci dhe Slloveni. Pastaj në Itali, ku isha shtatë vite dhe ishte gati si atdheu im i dyti, dhe më vonë nëpër Evropë dhe botë.

Këtu duhet të ndërlidhem edhe me takimin tim të parë me Nanën Tereze. Unë Nanën Tereze e kam njohur nëpërmes gojëdhanës. Halla ime, Mrika Gjergji, ishte nji murgeshë shtëpiake. Domethanë, qi nuk e kishte uniformën e murgeshave, po ishte e kushtuar, dhe jetën e saj e kishte kaluar në ndihmë të meshtarëve apo të ipeshkvive në Maqedoni, apo në Kosovë. Ajo ishte edhe moshatare e Nanës Tereze, edhe e kishte njohur qysh si vajzë të re në Shkup. Bile është nji ngjarje, nji episodë shumë e bukur kur Gonxhja ja çelë zemrën hallës time, Mrika Gjergji, dhe i thotë, “Mrikë, kam vendosur të bahem murgeshë misionare dhe të shkoj në Indi”. E halla ime i thotë, “Oj Gonxhe, a e din ti ku është India? Se s’mund t’a gjejsh as në hartë gjeografike”. Pastaj i thotë, “Shpirt, ti je aq e dobtë, qi s’do t’mbërrish as gjallë.” dhe Gonxhja qysh atëhere ia jep nji përgjigje fantastike, qi asht’ edhe profetike edhe providenciale, thotë, “Mrikë, nëse më thërret Zoti, atëherë ma nuk është halli im e puna ime a do t’mbërri, a s’do t’mbërri. Nëse më thërret, le t’mendojë Ai dhe le ta kryen Ai këtë punë. Unë besoj se Ai më thërret”.

Pastaj edhe nana ime po ashtu kishte pasur njohuri me te, dhe sidomos nji prift qe është shumë i njoftun, historiani ma i miri i historisë së krishterimit ndër ne, po edhe në botën shqiptare, Doktor Gaspër Gjini, i cili e shkruajti librin “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”, ku i paraqet 2000 vjet të krishterimit ndër shqiptarë. Fatkeqësisht vdiq në moshën e re 55 vjeçar, në vitin 1985. Sivjet është edhe përvjetori i vdekjes së tij. Atë vit që unë e kisha shkruar lutjen që të pranohem në seminar, në ’68-tën, në Binçë, që është afër Vitisë, ai e kishte meshën për festën e Shën Ndout. Dhe tërë pretkun ia kushtoi Nënës Tereze, dhe tha, “Shën Ndou ka ba shumë mrekulli nëpër botë, dhe ju t’gjithë e njihni dhe e nderoni dhe e doni, dhe jeni mbledhur sot, por unë do t’ju tregoj se ne e kemi nji figurë të madhe dhe të mrekullueshme, dhe quhet Nana Tereze, e cila banë vepra të mrekullueshme në Indi dhe në botë”. Dhe ai pretk ma kënaqi shpirtin, ma kënaqi zemrën, dhe unë fillova gjithnji e ma tepër të kam ni kurreshtje, çka prej nanës sime, çka prej hallës sime, çka prej pretkut të tij. Pastaj gjeta, dhe si … [pa kupt.] “Zani i Zojës Cërna Gore”, që ishte nji fletushkë e atëhershme e Kishës Katolike në Kosovë, që botohej në Shkup, dhe aty po ashtu i gjeta 10-15 rreshta, “Gonxhe Bojaxhiu, tashti Nana Tereze, vepron me të sëmurë, me të gërbulur…” E ate e kam ende sot, e ruaj si nji kujtim të madh dhe [të] shenjtë. Dhe kështu filloi në mua interesimi.

Në Romë, në vitin 1968, kush shkova në shtator, në tetor, mas ni mujë dite u dha lajmi se Nëna Tereze vjen në Romë se e ka ftuar Papa i atëhershëm, Pali VI. Unë gjithë natën nuk fjeta. Isha i emocionuar, fillova të shkruaj pyetjet dhe ato çka… Por t’gjitha ranë në ujë, sepse kur shkova atje, ajo mua dhe shokët e mi na pranoi me aq përzemërsi, me aq ngrohtësi, me aq dashuri. Si nanë, si t’ishim rritë s’bashku. Ma kapte dorën {i kap kyçet e duarve} për t’ma dëgjuar edhe t’rrahunit e damarëve edhe të zemrës. Na pyeste ne për Shkupin e atëhershëm. Ne si fëmijë s’dishim pak e asgja për kohën e saj, dhe për Shkupin e saj. Megjithate, përshtypja ishte e jashtëzakonshme, dhe unë në ditarin tim shkrova, “Kjo asht’ nji shenjtëreshë dhe nji mrekulli dhe unë nuk do të ndahem ma kurrë prej saj”.

Ashtu filluan hulumtimet e mija të cilat pastaj i kurorëzova me 15 vëllime që ia kam kushtuar asaj, qi janë përkthyer dikun në 34-35 gjuhë të botës. Jo pse unë kam shkruar, po pse Nëna Tereze është e njohun dhe e dashur në botën mbarë. Po jam fatlum që shpëtova shumëçka, çka sot do t’ishte e zhdukur dhe nuk do t’njihej, sepse para meje asnji biograf nuk e dinte mirë as emrin e mbiemrin e saj. S’kishte asnji fotografi të saj, as të nanës Drane, as të babës Kolë, as të vëllaut Lazër, as të motrës Age, jo më të Prizrenit nga ishte prejardhja e familjes, jo ma të Shkupit, jo ma të Letnicës ku ajo kishte vendosur… Dhe fatbardhësisht hulumtova, gjurmova, dhe shpëtova gjithë ate çka ishte dhe është për mua ni thesar i çmueshëm, shpirtëror dhe kulturor. Jo vetëm për mua, po për krejt shqiptarët, dhe ma gjerë për botën mbarë.

Pjesa e Tretë  

Student në Romë ’68-tën, sepse Nana Tereze erdhi në Romë dhe atëhere ne shkuam dhe e takuam dhe ishte takimi i parë prej të cilit vazhdova deri në kalimin e saj në amshim. Diku 29 vite, në meridiane të ndryshme. Sidomos jam takuar… janë dy-tri momente të paharrueshme: shpërblimi Nobel, kur ajo kërkoi që unë ta shoqëroja shtatë ditë në Oslo. Me te… bile mua më vinte turp që të jam afër saj dhe t’i pengoja. Mendoja, unë jam tepër i vogël që… dhe ajo më thoshte, “Ti mund ta ndërrojsh vetëm anën: në të djathtë, apo në të majtën time”. Dhe më merrte për dore, për krahu, dhe më thoshte… e ka pasë nji jetë, nji gëzim, nji hare të natyrshme, dhe më thoshte, “Tek e mbramja Don Lush, a po e shef…” e kishte nji qantë shumë të thjeshtë, njerëzit kush i ipte para, kush ndonji çek, kush ndonji letër dhe m’thoshte “ti m’i ruan ma mirë se unë do t’i humbi nëse nuk je ti”. Vetëm e vetëm për t’më dhanë motiv qi t’jam sa ma afër saj.

Dhe ditët qe i kam kaluar në Kalkutë, kur shkova kur ishte sëmurë dhe kur ishte në shtratin e vdekjes. Dhe fatbardhësisht mbijetoi dhe e kaloi. Edhe aty kam përjetuar gjëra… Jam munduar t’i përshkrujë, por janë të papërshkrueshme, sepse Kalkuta që ishte kryeqyteti i vuajtjes dhe mjerimit, kryeqyteti i dhembjes dhe i pikëllimit, kryeqyteti i ndarjeve në kasta dhe në gjithçka tjetër, u shndërrua në qytetin e mirësisë dhe dashurisë falë jetës dhe veprës së Nanës Tereze.

Pastaj e kam shoqëruar në t’gjitha meridianet, sidomos të Evropës Juglindore, apo të Evropës social-komuniste atëherë, në Kroaci, në Slloveni. Kuptohet këtu te ne, në Maqedoni, në Kosovë, në Shqipëri. Atëherë në Poloni, në Hungari, në Bullgari, dhe në vise të tjera kudo që hapte… sepse, nëpërmes meje, Nana Tereze e rizbuloi edhe nji here botën tonë shqiptare dhe sa ishte kënaqësi, aq ishte edhe dhimbje, sepse sa ma tepër që plakej, aq ma tepër përmallej. Përmallej aq sa, gjatë ditës nëse gjysë ore u deshte të largohem e të shkoj dikun, kur kthehesha më pyeste, “Po ku je ti?” sepse nëpërmjet meje e bëri nifarë lloj kthimi apo rikthimi të asaj çka është kisha në popullin shqiptar, të asaj çka është bota shqiptare.

Më kujtohet, sivjet jemi në 25 vjetorin e Pajtimeve të Gjaqeve, kur në Bukuresht me 3 maj… me 1 maj isha pjesëmarrës te Verrat e Llukës kur ndodhi mrekullia, gjysë milioni njerëz qi erdhën për ta festuar pajtimin. Dhe ja tregova disa fotografi, ja tregova disa ngjarje dhe ajo… rrudhat e saj {e prekë fytyrën me duar}, fytyra e saj, ishte aq e përlotur, lotët e gëzimit! I hapte krihtë dhe thoshte, “O Zot, populli im shqiptar po fal dhe po pajtohet!” dhe me dorën e saj i shkrojti edhe dy porosi, “Dëshiroj të vij për të festuar së bashku me popullin tem pajtimet e gjaqeve. Dhe urime rinisë kosovare shqiptare, dhe gjithë atyre qe e bajnë këtë vepër të madhe dhe shenjte”. Pastaj rrethanat u ndërrunë. Ajo na patë paralajmëruar se do t’vij, dhe ne, në Bishtrazhin të Gjakovës, u pregatitëm qi të vinte, mirëpo rrethanat ishin të tilla. Atëhere Amerika nëpërmes Vatikanit kishte dhanë shenjë se mund të ndodh ndonji masakër e përmasave popullore, gjithëpopullore. Edhe për Nanën Terezë edhe për ne… kështu qi ishte dhimbje për te dhe dhimbje për ne që s’mundi… po ajo vazhdimisht ishte e pranishme. Kur i thamë se në Pajtimin e Gjaqeve shpesh herë njerëzit e përmenin edhe emrin e saj, ju ndal zëri, s’mund të fliste prej emocioneve {i dridhet zëri}.

Lura Limani: Shumë mirë që e përmendët Pajtimin e Gjaqeve, sepse deshta me ju pytë me na tregu pak ma shumë për themelimin e shoqatës “Nana Terezë”, edhe punën e jujë që e keni bo për Pajtimin e Gjaqeve.

Don Lush Gjergji:  Po themelimi i shoqatës “Nana Tereze” ishte ni domosdoshmëri. Unë isha si biograf i saj, isha në Ferizaj famulltar dhe sekretar i ipeshkvit. Thënë të drejtën nuk isha unë nismëtar, shumë mendojnë se ishte nji nisje apo iniciativë e imja. Në atë kohë famulltar ishte në Prishtinë Don Zef Gashi, tash argjipeshkvi në Tivar, në Mal të Zi. Dhe nji grup i intelektualëve e kanë menduar, e kanë biseduar dhe kanë thënë “150 mijë vetë mbetën pa punë se nuk e pranonin Serbinë si shtet amë dhe Millosheveiqin si kryetar”. Dhe atëhere u deshtte të vetëorganizohemi. Përbetimi ynë ka qenë ky, “As të fikur, as të koritur!”

Dhe erdhën në Ferizaj i ndjeri Doktor Engjëll Sedaj, më vëllaun e tij Franklin Sedaj, që është gjallë, avokat, me nji grup tjetër të njerëzve dhe i thanë ipeshkvit të ndjerë, Nikë Prelës, “Duhet të bëjmë diçka.” sa biseduan pak ata, m’thirri ipeshkvi dhe m’tha, “Ti duhet ta marrësh udhëheqjen e kësaj shoqate humanitare bamirëse.” i them, “Shkëlqesi, ju e dini se sa punën e kam, s’po mbërri e… njeriu i vogël në botën e madhe, jam si miu në kungull.” m’thotë, “vetëm ti, dhe askush tjetër!” thashë, “Me dëgjesë.” dhe e pranova. I bamë përgatitjet me 10 maj të vitit 1990, e themeluam këtu në Prishtinë. Bamë statusin, e bamë t’gjithë ate çka ishin pregatitjet, e regjistruam. Ishte fatbardhësia, ishte provania e Zotit, sepse po mos t’kishte qenë Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nana Tereze” … bota shqiptare ma lehtë e ka të vdesë prej plumit sesa të vdesë prej urisë apo prej mjerimit. Do të ndodhëshin revolta popullore, apo gjithë popullore, ose do t’i nënshtroheshin asaj çka ishte strategjia dhe politika e nënshtrimit që e kishte Serbia me ne.

Fatbardhësisht, as njana e as tjetra nuk ndodhi, sepse populli ynë ka zemër. Dhe këtu filluam të jetojmë për të mbijetuar, filluam të jetojmë për të ndihmuar dhe për t’i dhuruar njëri tjetrit. I bamë edhe degëzimet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni edhe në Mal të Zi. E përhapëm edhe në shtete të ndryshme të Evropës edhe në Amerikë, n’rend të parë ndër bashkë atdhetarët tanë. Pastaj kjo u përhap edhe në gjithë të tjerët. Organizatat simotra sikur janë “Karitasët” e Kishës Katolike, dhe shumë shoqata e organizata tjera, kur e panë dhe e kuptuan se çka po ndodh, na kanë ndihmuar. Prandaj populli shqiptar në Kosovë, prej vitit 1990 deri n’vitin 1999, deri me ndërhyrjen e NATO-s, ka jetuar nga bamirësia dhe nga provania dhe kjo është dëshmia më e fuqishme çka mund të bëjë një njeri i cili është i frymëzuar, i motivuar, dhe beson në vlera dhe virtyte.

Mendoni pak. Dhe kjo e dyta që më pyetët, ndërlidhet ngushtë me këte. Ne ishmi të hasmuar, askush nuk e ka ditur këtë gja saktësisht. Kur kemi filluar çashtjen e pajtimeve, më kujtohen bisedat e para me të madhin, me të mrekullueshmin, profesor Anton Çettën. M’thoshte, “Don Lush, po ndoshta, ndoshta janë edhe me qindra”. Ndërsa ishin me mija! Dhe kur i kemi hy kësaj çështjeje, ne as vet s’e kemi ditë ku janë plagët dhe varrët, apo siç e kam qujtë, ku është kanceri i shoqërisë shqiptare. Dhe deshti Zoti, deshti rinia e cila e kuptoi, deshtën ish të burgosurit politikë, të cilët ishin kthyer prej burgjeve, dhe ishin të rrahur, t’dërrmumë nga dhuna serbe, por ishin plot me entuziazëm dhe me vullnet për jetë. Dhe ata mezi që prisnin që dikush t’iu propozoj diçka.

Dhe ndërsa ne flisnim dhe iu shpjegonim… ne nuk mund ta ruajmë edhe gjoksin edhe shpinën. Shpinën duhet ta kemi të sigurtë, dhe shpina jonë, prapavija jonë, është vëllazëria gjithëshqiptare. Dhe vetëm kështu… sepse gjithë ne e kuptonim që herë do kurdo, lufta po troket në derë dhe në zemër tonë, dhe ne herë do kurdo do të përballonim me këtë çështje. Prandaj, pajtimet e gjaqeve dhe bamirësia kanë qenë dy vyrtyte të mrekullueshme. Edhe sot, në promovimin e librit të Behram Hotit, thashë, “Ne e thyem ni paragjykim dhe ni traditë e cila thoshte se shqiptari nuk fal kurrë dhe gjaku nuk humbet kurrë”. E dëshmuam se shqiptari fal dhe fal për mrekulli nëse gjinet damari i komunikimit. Dhe nëse shqiptari motivohet. Dhe nuk e humbë gjakun, se s’kemi as gjak e as jetë tepër, por e nderon gjakun e tyre duke ndërtuar ni kulturë të jetës dhe ni qytetërim të dashurisë, e cila ishte zanafilla e paqes, lirisë, dhe demokracisë, e cila erdhi ma vonë.

Prandaj populli ynë, kur ka njerëz të cilët i flasin prej zemrës zemrave dhe të cilët dinë t’ia shpjegojnë dhe t’ia dëshmojnë se kjo nuk është traditë e jona, kjo nuk është traditë e mirë… Unë hakmarrjen, apo gjakmarrjen e kam deshifruar në këtë formë: ajo së pari është vetëvrasje, asht’ vëllavrasje, se e vret vëllaunë apo motrën dhe vetëm së fundmi është vrasje e dikujt tjetër. Dhe kur populli e kupton, dhe hynë në logjikën e jetës, në logjikën e lirisë, në logjikën e asaj që mjaft jemi të vrarë, të dërrmuar, dhe të robëruar prej të tjerëve… A do të jemi ne gjithmonë rodi, apo brezi i Kainit? A do t’jemi ne gjithmonë ata që këtë traditë, apo këtë komonë që na i ngjitën n’qafë e na i lanë duke thënë se shqiptarët vriten, duke thënë se kjo është tradita e tyre, nuk do ta kuptojmë që kjo është nji kurth? Dhe kjo është nji rrezikim i së tashmes dhe i të ardhmes.

Prandaj, me këto dy përvoja të jetës, me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës, ku kam shkelë thujase anekënd të Kosovës, s’ka pllambë që se… ku kam hy në skutat e errëta, ku kam pa për së afërmi vuajtjen dhe mjerimin, ku kam pa sytë që ndriçojnë, siç kam pa në Kalkutë prej urisë, prej skamjes, ku kam pa njerëz t’cilët nuk kanë asni gja për të shtruar, jo ma shtrat, po s’kanë asni petk, ku turpnohen se s’kanë si ta mbulojnë trupin e tyre [të] lakuriqësuar – unë kam filluar gjithnji e ma tepër ta dua popullin tim.

Dhe me nji rast, e kam shpikur, e kam trilluar edhe këtë tregim: nji plak dhe nji plakë rrinë te zjarri, tash do ta quanim kaminë, atëherë ishte oxhaku dhe bisedojnë. Ishte koha e pajtimit të gjaqeve. Fëmitë tashma ishin rritur, këta ishin në moshë të shtyer dhe plaku derisa e nxerrë tymin e kamishit të cilin e pinte…duhanit, i thotë gruas, “Moj grua, moj fisnike, po më mundon diçka, s’ia kam thanë askujt!” Dhe kjo i thotë, “O njeri, u banë 50, 60… se di as vetë sa vite jemi bashkë, kujt do t’ia thushë nëse nuk ma thua mua?!” Thotë, “Frigohem moj, se nuk do t’më kuptosh.” “Po kush mund të kuptoj ma mirë ty se unë, apo ti mua?” Dhe plaku derisa i lëmonte dhe i dredhte mustaqet, derisa e shiqonte reagimin e shoqes, i thotë, “Po ta them! Veç ulu se do t’rrëzohesh e s’do t’mund të rrishë ma në kambë”. Dhe gruaja ulet me nji shkam të vogël trekansh, dhe thotë, “Fol mor!” “Jam dashuruar!” Gruja e kapë krytë, thotë, “Njeri, fëmitë i kemi të martuar, kemi nipa dhe mesa, e po thu kështu?” Tha, “Nal moj fisnike ta thamë deri në fund masi e çela muhabetin dhe fjalën. Jam dashuruar në ty!”

Dhe kjo ishte përvoja të cilën unë e pata me popullin tim. Se edhe nji herë e kuptova dhe e pashë se jemi nji popull i mrekullueshëm nëse dimë të takohemi, të bisedojmë, dhe të komunikojmë rrafsh njëri me tjetrin. Dhe nëse dimë t’i motivojmë, dhe nëse dimë t’i frymëzojmë. Pajtimet e gjaqeve, bamirësia, dhe sistemi paralel shkollor dhe shëndetësor, për mua kanë qenë dhe mbesin mrekullitë e ditëve tona. Ndërsa ata që falën gjaqet janë vërtetë heronjtë ma të mëdhenjë që i ka pasur populli shqiptar, dhe ata herojë fatbardhësisht ende nji pjesë e tyre janë gjallë dhe janë në mesin tonë. Mua më vjen keq qi kjo ngjarje, si bamirësia, si pajtimet, nuk është regjistruar sa duhet as në tekstet shkollore, as në studime. Bota kanë ba sa e sa teza të magjistrimit dhe doktoraturës rreth nesh, e ne ende jemi në gjumë dhe në kllapi, dhe nuk e zbulojmë e rizbulojmë si plaku dashurimin në popullin tonë, dashurimin në ato çka janë vlera të mirëfillta arbërore, apo iliro-shqiptare.

[Pjesët e mëposhtme të intervistës janë realizuar më 25 maj, 2015.]

Pjesa e Katërt             

Pajtimet e Gjaqeve kanë ndodhur në këtë mënyrë dhe metodologji: deshti Zoti qe Anton Çetta i cili është marrë me thesarin popullor, me folklor… Zoti e ka përgatitur qysh moti. Si student ai ka shkuar në të gjitha viset. Drenica për te ishte nji oazë, apo t’thënë figurativisht nji madem ku ai zbulonte traditën, kulturën, frazeologjinë, folklorin shqiptar. Dhe kështu kishte njohur… ishte ndër njohësit ma të mirë të popullit, të shpirtit popullor. Kudo që shkonim, Antoni thoshte, “Me këtë ditë, me këtë datë, kam qenë në këtë odë, ka lindë ky fëmi.” Dhe fëmiu paraqitej, që s’ishte ma fëmi, ishte tri-katër dhjetë vjeçar, dhe thoshte, “Jam unë!”

Rreth Anton Çettës dhe grupit, miqëve, bashkëpunëtorëve të tij, u krijua bërthama e parë e cila ishte në përputhje të plotë me të rinjtë dhe të rejat që ishin ish të burgosurit, dhe të cilët e kishin ni përvojë shumë të hidhët nëpër burgjet serbe apo jugosllave dhe të cilët e kishin dëshirën që, “Ne popullin tonë nuk mund ta lamë në këtë gjendje. Duhet ta çlirojmë!” dhe çlirimi nuk mund të ndodhte pa pasë pastrimin shpirtëror, pa e mund armiqësinë ndërshqiptare.

Logjika ishte shumë e thjeshtë: nëse neve na vrasin serbët, dhe ishin dikun dhjetë deri 15 të ri e të reja të vrarë në manifestimet që ishin paqësore, ku me lule në dorë tanksit i shkelnin dhe i vrisnin t’rinjtë dhe t’rejat tona, atëhere thojshin… logjika ishte kjo: shteti po na vret, ne s’mund t’i hakmerremi, s’mund të bëjmë asgja. Kur ne po na ndodh ni kacafytje, ose ni ngatërresë, ose ni mosmarrëveshje, ose Zoti na rujtë ni vrasje ndërshqiptare, ne po hakmerremi. Çfarë logjike është kjo? Ne atëhere duhet ta shuajmë këte që t’përballojmë ni rrezik që është shumë ma i madh dhe është sistematik, dhe është strukturë: ushtri, polici, dhe shtet i cili don të na shfarosi.

Dhe kjo logjikë, ishte e kapshme. Normal që këte s’mund t’ia thonim ne publikisht, por në qarqet e ngushta filluam. Dhe pajtimet e para ishin shumë të vështira, sepse njerëzit na pytnin, “A jeni ju shqiptarë, a e keni mësu shqipen?” (Qeshë) sepse nuk mund ta kuptonin si është e mundshme që ti i thue, “Ma ka vra vëllaun, ma ka vra babën, ma ka vra djalin, e ti po m’thue fale? Ne nuk falim.” Ndërsa dalëngadale, në bisedë, me urti të madhe, me përvojë t’jashtëzakonshme të profesor Anton Çettës dhe bashkëpunëtorëve, ku praktikisht në Këshillin Qendror që e kishim n’Prishtinë, ne n’mënyrë kapilare e organizuam në krejt Kosovën. Çdo komunë e kishte Këshillin Komunal të Pajtimeve. Dhe aty ishin intelektualët, përfaqësuesit e feve – si muslimane, si katolike – dhe aty ishin mësuesit, mësimdhanësit, njerëzit publik, krijimtarët, domethanë t’gjithë ata që kishin ni ndikim, dhe ishin figura të njohura dhe të pranuara nga populli.

Kështu qi kjo shkoi në mënyrë të ngadaltë. Bërthama ishte e shëndoshë. Fatbardhësia jonë ishte kjo, “Ne nuk kërkojmë për hir të vrastarit. Vrastari nuk meriton asgja. Vrastari është vrastar, vrastari është kriminel. Vrastari e ka ba ni vepër e cila nuk është njerëzore, e jo më shqiptare. Por ne kërkojmë në emër të atij që kalbet. Dhe mbi të gjitha, ne dëshirojmë t’iu ndihmojmë dhe t’iu lirojmë juve prej barrës, sepse ju jetoni në ankth, dhe ju jetoni me ni detyrë, me ni pezull të madh se duhet t’a marrë gjakun e të vrarit tim. Prandaj, ne jemi me ju! Dhe nuk ka kushte. Nuk paguhet gjaku, nuk ka shpërngulje, nuk ka asgja.”

Këto dy momente ishin kambët e tona të cilat na ndihmuan. Kokën e kemi pasur Anton Çettën; zemrën e kemi pasë rininë tonë; duart i kemi pasur ata që e shtrinin dorën e pajtimit dhe falnin, ndërsa ne ishim kambët qi kemi ecur, qi kemi vrapuar andej këndej, për t’i ndihmuar popullit. Dhe populli filloi ta shijoj faljen, si parakusht të lirisë. Dhe populli filloi ta festoj… merreni vetëm Verrat e Llukës, kur ishin të rrethuar me tanksa dhe populli jo vetëm qi nuk frigohej, por kur kam pa t’ri dhe t’reja që shpërthakonin edhe këmishën, e pështynin tanksin dhe thoshin, “Më vraj, kam ardhë për të festuar jetën, për të festuar pajtimin e popullit tim”. Prandaj kjo ishte ni fuqi, ni frymëzim, që s’kishte ma të ndalur. N’fillim si thashë, derisa populli nuk e kuptoi kush jemi, derisa populli nuk e kuptoi çka duam, qi ne duhet t’i lirojmë… se populli ishte n’vorr për s’gjalli. Pjesa dërrmuese e atyre qe i kishin familjarët e vrarë ishin për s’gjalli në vorr. Jetonin për t’u hakmarrë.

Dhe këtu më kujtohet rasti, për shembull, dy motra të cilat e kishin t’vetmin vëlla, vëllaun e dëshirit, apo të hasretit siç thotë populli, dhe ishin betuar, “Nuk do të martohemi derisa nuk e nxjerrim gjakun e vëllaut!” Dhe koha kishte kaluar, dhe ato ishin në moshë mbi 40 vjeçare. Dhe besomëni! Nga dhimbja, nga vuajtja, nga kjo situatë, ishin të shëmtuara. Dhe s’kishin ma tipare të vajzës, apo të femrës. Nuk ishin me tipare dhe karakteristika as femna, as mashkuj. Dhe te Verat e Llukës, njëra prej tyre afrohet, më thërret, “Don Lush! Don Lush!” s’mujsha me zbritë prej binës së madhe, dhe i thamë bacës Anton, “A po… t’zbresë unë?” thotë, “Jo, mos zbritë se a p’e sheh popullin sa e kemi. Po thujë asaj le t’vijë”. Erdhi. Thashë, “Çka do moj motër?” tha, “Unë dua ta fali gjakun e vëllaut”. “Bukur shumë,” them, “po janë këtu me mija. A po e shef sa ka?!” ishin mbi 35 gjaqe që spontanisht faleshin, 120 e sa ishin të përgatitura. Thomë, “E çka do të thoshe?” “Lemë të foli”, thotë. Them “Po çka do të thoshe ti?” “Do të them: ma vranë vëllaun, po sot e kam zbuluar se gjithë ju jeni vëllezërit dhe motrat e mija”. Shkoj unë dhe i thamë bacës Anton {i dridhet zëri} e Zeqës, i thomë, “Ju mendoni se Don Lushi asht’ ciceroni dhe oratori ma i madhi i shqiptarëve apo i botës. E kam gjetë ni oratore, ajo do t’thotë diçka çka se ka thanë kërkushi”. Dhe ajo doli, dhe me lot tha, “Ma kanë vra vëllaun, po sot e kam zbuluar se t’gjithë ju jeni vëllezërit dhe motrat e mia”.

Domethanë ishin përjetime, ishin ngjarje të mrekullueshme. Ose rasti i Kamenicës, kur plaku që ia kishin vra djalin, merr shkopin dhe shkon te dera e oborrit dhe trokitë në derën e shpisë së vrastarit. Dhe gjithë çmenden dhe mendojnë se plaku ka marrë ndonji armë, ose minë, ose bombë me i ra, dhe plaku thotë, “A është zoti i shpisë?” dhe dalin gratë, dhe nga frika thonë, “Nuk është.” thotë, “Kam ardhë për ju. Thujë zotit t’shpisë le t’dalin”. Ja çelin odën, dhe për t’a shkurtua thotë, “Kam ardhë! E di se ti e ke ma vështirë se unë. Biri im hanë dhé dhe kalbet. Ma kanë vra djemtë e tu, por ti je n’vorr për së gjalli, sepse dhimbja, mërzia çka t’ka ndodh, të mundon edhe ma shumë. Kam ardhë me ta shtri dorën dhe me ta fal gjakun e birit.”

Këto janë gjana të cilat nuk gjinen as në përralla, as në mitologjinë greke, kur njeriu aq shumë e do tjetrin që është vrastar, sa qi mendon për të mirën e tij. Dhe kjo ishte logjika: e mira u ba e mira e përbashkët për mbarë popullin shqiptar. Dhe kjo është e arritura ma e madhe çka e kemi pasur dhe çka duhet ta kemi edhe sot, qi jemi gjymtyrë të njëri tjetrit. Dhe me Pajtimet e Gjaqeve, me shoqatën “Nana Tereze”, me sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor, ne vërtetë dëshmuam se në shpirtin dhe zemrën tonë ka ndjenja të mira, bujare, miqësore e vëllazërore, dhe u përforcua vëllazëria gjithëshqiptare.

Pjesa e Pestë 

Lura Limani: A mundeni me na tregu ndonji rast specifik qysh ka qenë jeta ’90-tat? Sidomos jo n’Prishtinë, jo n’qytete qe kanë qenë ma t’mëdhaja, po n’vendet tjera, ku ju i keni vizitu.

Don Lush Gjergji: Po, po ta tregoj rastin e Kodrës së Trimave, këtu në Prishtinë. Isha me televizionin italian Rai Uno, ishte Xhulio Borelli atëhere drejtori… ma vonë u ba drejtori, atëhere kryeredaktori, dhe erdhi. Dhe në çdo hap na përcillte policia, edhe pse ata i kishin kinse lejet e Beogradit që të inçizonin. Dhe kur hymë në nji shtëpizë, kasollë, tepër është me thanë, se s’ishte as shtëpi as kasollë, sepse kulmi ishte gjysmë i rrëzuar, binte shi… Kamermani filloi të inçizoj, njerëzit ishin të shtrirë për toke, nuk e dinim a janë të gjallë, a janë të vdekur nga mjerimi, nga uria, nga tjera. Dhe në ni moment të caktuar u ndalë shiu, dhe depërtuan rrezet e diellit. Dhe plaku tha, “Ma prunët diellin!” {i dridhet zëri}. Dhe kamermani e inçizoi këtë gjë si ni paradigmë, apo paralajmërim e asaj çka do t’ndodh. Dhe në filmin dokumentar ishte ndër skenat ma të bukura. Qe m’thotë Xhulio Borellii, “Kurrë në jetën time s’kemi inçizuar diçka të ngjajshme”. Ishte ni shi i fortë, që nuk dinim ma ku të strehoheshim. Ishim si mi, krejt të lagtë, jo vetëm ata që ishin aty, por edhe ne. Dhe në ni moment të caktuar, u ndalë gjithë ajo stuhi, gjithë ai shi. Lindi dielli dhe rrezet e diellit, dhe atëhere në skuta i panë aty këtu anëtarët e asaj familje që ishin të strehuar.

Xhulio Borelli më tha, “Pyeti qe sa qi nuk ka ardhë kush, ose që nuk kanë ngrënë.” i thashë, “Më vjen vështirë të pyes ni gja të tillë, por je miku im dhe ke ardhë dhe do t’i pysë”. E pysë zotin e shpisë, “Qe sa kohë nuk t’ka ardhë, nuk t’ka hi kush në shpi?” tha, “Po menon këtu ku jemi?” Se i kishin largue, nuk ishte shpia e tij. Ishte ni strehimore, se e kishte pasë banesën si minator i Trepçës. Tha, “Po mendon këtu ku jemi?” thashë, “Po miq.” tha, “Këtu vetëm dreqi dhe policia mund të vij. Kërkush tjetër!” dhe kur e pysë, “Qe sa kohë nuk ke pasë, a nuk ke bukë?” tha, “Bukën e kam harru moti!”

Domethanë ishin me t’vërtetë ngjarje dhe skena të tmerrshme, të cilat mbesin në kujtimin tim. Kur zbritëm prej Kodrës së Trimave, ishte ni mori e madhe e njerëzve, dhe i pytëm, “Çka asht’, çka ka ndodh?” dhe thanë… ishte koha kur ushtarët kinse të vrarë, apo vetëvrasës shqiptarë, i sillnin në Kosovë. Dhe unë pyeta se kush është familjari, i zoti i këtij rasti të vdekjes, baba apo vëllau, se thashë, “E kam televizionin e Italisë Rai Uno”. Dhe e disha shumë mirë, por s’mujsha me dokumentue, se nuk janë vetëvrasës, por po i vranë dikush dhe po i sjellë.

I zoti i shpijës – dikush m’ka njoftë, Don Lush Gjergji, dhe ka dalë dhe m’tha, “Mirë se t’ka pru zoti!” thomë, “E di se nuk asht’ për mirë, po dhashtë Zoti që t’bahet mirë! Ti, ta kanë vra djalin dhe e ke në arkivol të mbyllur, të blombuar. A kishe me ba ni punë, ni shërbim, dhe ni burrni?” “Shka t’më thojshë! Për ty jam n’gjendje edhe krejt familjen”. Thashë, “Jo, unë po kërkoj vetëm ni gja: që ti ta hapësh arkivolin dhe ne të inçizojmë me kamerën e televizionit italian Rai Uno”. I ka larguar njerëzit, dhe i ka larguar edhe pjesëmarrësit e ushtrisë jugosllave atëhere që ishin aty, dhe ka thanë, “E kemi ritin, ne duhet ta lajmë viktimën”. Dhe kemi hy në ni dhomë, e ka çelë. Pesë pluma n’shpinë i kishte pasë dhe e kemi inçizuar. Dhe kjo është argumentimi, dëshmia e parë që iu ka dhanë nëpërmes Rai Unos krejt botës, se këta nuk janë vetëvrasës, por këta janë të vrarë. Dhe si të tillë paraqiten, vetëm e vetëm për t’a shkatërruar moralin dhe vullnetin e ni populli.

Prandaj kam përjetime e përjetime në çdo kand, por ajo çka asht’ e mrekullueshme, kam parë se populli ynë ka zemër, ka shpirt, ka ndjenja. Dhe se njerëzit kur t’a bashkëndajshë dhimbjen me ta, janë të mrekullueshëm. Në shuplakë të dorës e kanë zemrën dhe jetën e tyre. Dhe populli im, ni qind herë më ka dhanë ma tepër se sa unë i kam dhuruar atij {i dridhet zëri}, sepse kudo që kemi qenë, çkado që kemi propozuar, shpesh herë m’kanë thanë, “Mos harxho fjalë. Kallxo çka duhet të bëjmë!”

Lura Limani: A po na tregoni qysh ka qenë për kishën gjatë t’90-ave? A keni qenë t’përndjekun ju si famulltar?

Don Lush Gjergji: Posi.

Lura Limani: Si famulltar, sa vështirë e keni pasë me kry punën e jujë?

Don Lush Gjergji: Po, se shteti serb na identifikoi si armiqët ma të mëdhejë të… atëherë Serbisë, apo Jugosllavijës. Sepse ata u munduan që ta bajnë ni marrëveshje kinse të krishterët janë të përndjekur, dhe këtu është ni luftë e fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik. Ne n’krye me ipeshkvin Imzot Nikë Prelën, edhe nji herë thamë, “Na dëshmoni këtë gja, dhe ne atëhere jemi, por, derisa ju flitni dhe trilloni për gjëra të cilat kurrë nuk kanë ndodhur, sepse shqiptari respekton çdo fe, dhe çdo institucion fetar dhe të Zotit, kjo nuk është e vërtetë”. Dhe atëhere filluan edhe t’i rrahin, dhe t’i maltretojnë, e edhe t’i burgosin priftërinjtë meshtarë tanë.

M’kujtohet helmimet e fëmive edhe të rive. Unë isha n’Ferizaj, edhe kishën time, dhe çelëm vendin ku banonim ne dhe murgeshat, e shndërruam me ni spital të improvizuar. Dhe kur erdhi ushtria, dhe me automat më kërcënuan, ma shtinë automatin n’gojë, dhe më thanë, “Këta janë aktorë dhe ju doni që fajin t’na lini ne.” Dhe unë u përgjigja, “Ju me këtë mënyrë, dhe me këto armë, të tmerruar e të trishtuar siç i keni ba t’ritë e t’rejat…” Kishte raste qi katër-pesë vetë nuk mund t’i mbanim deri i lidhnim, se kishin dridhje tronditje si të djallosur. Dhe i thamë, “Sa t’jam unë i gjallë, ju nuk do të hyni.” Dhe e kqyrën njëri tjetrin, dhe m’thanë, “Shtrenjtë do ta paguash!” “Ma tepër se jeta, çka ka ma t’shtrenjtë?” iu përgjigja. Ose, kemi raste të… gjatë bombardimeve. Unë kam qenë në Binçë, i kam pasë 250-350, deri n’500 vetë në kishë, në shtëpinë e famullisë, te motra.

Kisha jonë ishte në shënjestër, si gjatë viteve të përndjekjeve sistematike, sepse kërkuan prej nesh ni solidaritet kinse si të krishterë të përndjekur nga ana e fundamentalizmit islamik, terrorizmit, e tjera, e tjera, deri edhe kanibalizmi. Dhe kjo është dëshmuar… si thashë edhe në helmimet e fëmive. Por edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, kur e vetmja strukturë qi mbeti në Kosovë, ishte Kisha Katolike. I ndjeri, presidenti Rugova, kur u takua me Papën Gjon Palin e II, tha, “Kosova është gjysmë e zbrazët, dhe vetëm priftërinjtë dhe Kisha Katolike si strukturë ende është atje”. Ne kurrë askend se kemi pytë as çfarë kombi je, as çfarë gjuhe flet, as çfarë feje ke apo nuk ke, por jemi munduar…

Mu m’kujtohet në Binçë, se vinin njerëzit shpesh here pa këpucë, gjysë lakuriq. Sepse iu kishin thanë, “Dy minuta, tre minuta, nëse nuk dilni prej shpijës, do t’iu djegim për së gjalli në shtëpitë e juaja, ose do t’iu pushkatojmë”. Dikush prej dere, dikush prej dritareje… I kam pasur 35 fëmi nën moshën dhjetë vjeçare që nuk dinin ku janë prindërit e tyre. Kam pasë njerëz të cilët ishin me sëmundje, me trauma të ndryshme, e tjera, e tjera. Çdo natë m’u kanë kërcënuar dhe m’kanë thanë, “Nëse do t’gjajmë nesër do të kallim për së gjalli”. Me nji rast përgjigja ime ishte kjo, “Nëse e bani këtë gja, kisha pasur dëshirë t’ma plotësoni vetëm ni dëshirë. Për t’cilën vepër t’mirë që iu kam ba serbëve t’jujë këtu, do ta bani këtë gja?” Sepse edhe gjatë bombardimeve, edhe gjatë luftës, edhe para luftës, edhe pas luftës, unë kam ndihmuar po ashtu edhe familjet e varfëra të kërcënuara, apo të rrezikuara serbe, sepse për mua njeriu nuk është serb apo shqiptar, por është njeri, vëlla apo motër e imja.

Prandaj është ni periudhë e cila ma përkujton thënjen e t’madhit për mua, mikut… ndër miqtë ma të mëdhejë, Imzot Nikë Prelës, i cili më thoshte, “Don Lush, t’gjitha i kemi provuar përpos varrit. Sepse çka mund të provojë ni i gjallë, i kemi provuar edhe ne”. Tash shpesh herë i themë në dialogun tim dhe në lutje, “Ti e provove edhe varrin, ndërsa unë mbeta për të dëshmuar çka kemi ba së bashku”.

Po ashtu, kam pasë ni fat t’jashtëzakonshëm që të kam personalitete dhe figura shumë të mëdha, edhe kombëtare shqiptare, dhe botërore. Këtu, medoemos Anton Çettën, nji njeri i cili në çdo periudhë, kurrë nuk e humbi duresën. Edhe atëherë kur na kanë refuzuar, edhe atëherë kur na kanë thanë, “Ju jeni n’shërbim të serbëve, se na thoni që duhet të falim,” edhe atëhere kur na kanë kapë thujase për dore dhe na kanë qitë përjashta, ne i kemi thanë, “Ti na nxjerrë përjashta për dere, ne do të himë për dritare”. Dhe ashtu edhe ka ndodh shpesh here, jemi kthyer dhe e kemi arritë suksesin që të ndodh pajtimi.

Mos të flas për miqësinë, vëllazërinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar, prej ’81, me presidentin tonë të ndjerë Ibrahim Rugovën, me t’cilin kemi kaluar meridianet e Evropës dhe të botës duke trokitur në derë dhe në zemër… në ndërgjegje të Evropës dhe botës, se jemi ni popull që nuk kërkojmë asgja, përpos kërkojmë dhe dëshirojmë të jemi të lirë, të jetojmë në paqe dhe në harmoni mes vete dhe me njëri tjetrin.

Kam pasur Nanën Tereze, me të cilën jam frymëzuar dhe motivuar vazhdimisht. Papën Gjon Palin e II-të, i cili ka qenë ni mik qysh në kohën kur ishte kardinal i Krakovës, e kështu me rradhë. Këto ditë e përfundoj ni libër, ni monografi, “Miqtë e mi në amshim”, qi janë 41 njerëz të cilët prej vitit ’75, kur jam kthye përfundimisht prej Romës, e deri në fillimin e këtij viti, që tashma nuk janë në mesin tonë, por janë njerëz të cilët mendjes dhe zemrës sime i kanë dhanë shumëçka, dhe janë prapavija.

          

Download PDF