Besim Malota: Historia e nëntë

Rasti i fundit ka qenë. Ishim duke ngrënë mëngjes, ata kishin me udhëtu të hënën, ishte e diel, kishin të hënën të udhëtonin për Kosovë të gjithë. Edhe tash gjatë mëngjesit i përmbyllëm të gjitha ato. Ku kemi qenë, kush tek edhe atë proces-verbalin dhe e morën ata me vete në Kosovë proces-verbalin që është mbajtë në çdo pajtim: ku kemi shku, kush ka fol, çka ka fol? Ato i morën këta me vete, i kërkuan, i morën dhe ua dhamë.

Thotë, “Edhe një vend,” Anton Çetta thotë, “e kemi.” Ata thonë, “Ku, kush të thirri? Ne menduam që i kem krye, nuk kemi më të regjistruar ndokund.” “Jo,” tha, “e di unë.” “A profesor, ku donë me na çu?” U ngrit në këmbë tha, “Dojmë me shku,” te unë, “te Besimi”. Unë në atë kohë sa isha martuar, kisha më duket një vit martesë kështu. Edhe ai ngritët dhe thotë, “Ja, do të shkojmë te Besimi, sepse edhe aty duhet me pajtu dikën.” Thashë, “Me kënd do me na pajtu?” Tha, “Me grua tënden,” tha, “30 ditë me ne poshtë e lartë, ajo ka të drejtë me të qitë prej shtëpie.” Tha, “Shko edhe ti tash në Kosovë me ta!” Tha, “Jemi duke ardhur me te pajtu ty me shoqën tënde se edhe këtë punë duhësh me krye.” Thashë, “Aa, mirë e ke,” thashë, “hajde sonte në darkë te unë.” Tha, “Ja, po patjetër”. Dhe ish ashtu, erdhën të gjithë për darkë aty te unë në mbrëmje, te shtëpia isha, kam jetuar në Queens atëherë. Edhe kam pasur familjen, ishin baba, vëllezërit, nëna jetonim të gjithë bashkë.

Kam pasë një shtëpi në Queens edhe erdhën aty për darkë, edhe kur hyri brenda ai shoqes time i thotë, “Hanë, ty kam ardhur me të pajtu me burrë se nesër kam me shku për Kosovë, kështu që po ju pajtoj edhe ju dyve.” Ajo thotë, “Po ne nuk kemi diçka.” Thotë, “Eh, 30 ditë, çka di unë çka ke m’i thënë ti pasi të shkojmë ne? I thua rrugaç, ke dalë rrugëve, ke shkuar poshtë e përpjetë, më ke lënë vetëm”.


Copëzën nga audio intervista ku Besim Malota tregon historinë që sapo lexuat mund ta dëgjoni këtu.