Avni Emincik

Prishtinë | Date: 13 prill, 2019 | Duration: 35 minuta

Kur ishim ne këtu, ne u larguam më 1959, por ia dhamë komunës shtëpinë në ‘58, nuk ia dhamë askujt tjetër, dhe shtëpia u shndërrua në muze. Kur u bë muze, në një vit pothuaj të gjithë punëtorët ishin serbë, dhe unë fillova të flas me ta në serbisht. Më merrnin me veti, unë isha vetëm shtatë vjet, gjashtë-shtatë vjet, më merrnin me vete. Më merrnin të bëja xhiro. Më thërrisnin, unë isha në pajton me ta dhe gjuaja plehun me ta, ‘Eja Avni, eja Avni!’ Pra, ishin të dashur me mua. Ishin të dashur edhe pse ishin serbë. Pas kësaj, ne u shpërngulëm me familje në Turqi. Ne migruam. Ashtu ishte kur erdhën në fillim, serbët sollën kafshë, qejë, arinjë. Pas kësaj, më kujtohet që të tregova që hyra pesë minuta në shtëpi dhe ujku kishe ikur nga strofulla e tij dhe filloi të sulmojë përreth. Për fat, bahçja e shtëpisë tonë kishte dyer dhe ato ishin të mbyllura. Kjo ndodhi diku mes viteve ‘58 dhe ‘59. Ju kishit një ujk në bahçën tuaj? Po, një ujk në bahçe kishte sulmuar të gjithë. U dhamë batanije dhe kujdestari i shpëtoi ata dhe vetëveten. Sepse ujku ishte i dhunshëm, nuk ishte i zbutur. E kishin marrë nga mali dhe e kishin sjellur këtu. Më vonë i shnëdrruan dhomat e shtëpisë në pyje. U shnëdrrua në pyll. Kishte arinjë të balsamuar, gjarpërinjë etj. Ishin gjashtë dhoma, tre ne katin e sipërm dhe tre ne katin e poshtëm, të cilat u hapën për turistët. Njeriu gjithnjë ndjen dhembje për këtë, ndjehesh i pikëlluar, pashmangshëm.


Ebru Süleyman (Intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamera)

Avni Emincik u lind në vitin 1952 në Prishtinë. Ai u rrit në shtëpinë familjare, e cila tani akomodon Muzeun Etnologjik. Familja Emincik u shpërngul në Turqi në vitin 1959. Me përfundimin e shkollës së mesme, në vitin 1964 z. Emincik filloi të punojë si teknik i dhëmbëve. Në vitin 1989, ai hapi laboratorin e tij në Turqi. Në vitin 2001, ai vendosi të kthehet në vendlindje e tij në Prishtinë. Nga atëherë, ai jeton me familjen e tij në Prishtinë dhe aty ka vazhduar me profesionin e tij si teknik i dhëmbëve.

Avni Emincik

Ebru Süleyman: A mund të ma tregoni emrin dhe mbiemrin?

Avni Emincik: Jam i biri i Rexhepit Avni Emincik, u linda në Prishtinë, në vitin 1952, me shtatë të muajit të katërt. Pastaj, ja këtu u rrita, deri në moshën shtatë vjeçare këtu jam rritur. Kur i kisha shtatë vjet emigruam në Turqi, kur arritëm në Turqi. Isha në klasë të pestë, ishte viti ‘64 kur e fillova këtë punë si teknik i dhëmbëve. Pasi kam filluar pastaj kam punuar edhe pranë mjekut, edhe në shkollë shkoja, në shkollë të mesme edhe e bëja këtë punë. Kësaj pune tek ne i thonë çırak1, pastaj është edhe ajo periudha kur je kallfa2. Kjo punë përafërsisht ka zgjatur 17 vite. Pastaj, në vitin ‘72… 17 jo më pak me siguri, ‘72-tën kam shkuar ushtar. Pasi kam shkuar në ushtri prapë jam kthyer, kam hapur laborator. Pra, kur e përfundova shkollën e mesme fakultetin nuk e vazhdova. Vetëm në ushtri kam shkuar, kam vazhduar me profesionin tim.

Këtu afërsisht në vitin ‘89 e kam hapur vendin tim të punës. Pas kësaj, disa vite prapë kam punuar pranë mjekut dhe pranë shokëve që ishin teknikë. Pastaj e hapa vendin tim të punës, kur e hapa vendin e punës aty normalisht i kisha mjekët. Pastaj ‘79-tën… në vitin ‘81 u martova dhe martesa na zgjati. Dhe kur u martova më lindi një djalë në Turqi, me emrin Ermal. Me të kam qenë deri ‘95-tën, ‘95-tën me bashkëshorten na ndodhi një mosmarrëveshje, u ndamë. Djalin ia lash nënës, unë prapë me motrën, babain, nënën qëndrova dhe vazhdova me profesionin tim. Kur vazhdova kisha mjaft punë, pastaj ‘99-tën në Stamboll u bë tërmet. Kur u bë tërmeti punët pak u ngadalësuan. Kur u ngadalësuan një-dy, pas një viti apo ndoshta një viti e gjysmë, unë këtu i kam dajët, këtu në Prishtinë. Tezen e kam, fëmijët e tezes i kam, fëmijët e dajës i kam. Dhe ata më ftuan këtu mua, dhe unë fare pa hezituar u çova erdha. Edhe ashtu, atje kam dalur në pension, pasi jam pensionuar erdha këtu.

Këtu në këtë vend ku punoj, ka 18 vite përafërsishtjam që jam këtu. Kam ardhur 2001-tën, por fatkeqësisht, fatkeqësisht ndoshta të gjithë mendojnë ashtu për mua por unë shqipen nuk munda ta mësoj, pra çështja është te aftësia. Mua për stomatologji le të më thonë çfarë të duan do ta bëj, por gjuhën shqipe nuk e kam të afërt, për shkak se nuk kam pasur… për shembull, në fillim kur kemi qenë këtu, në ‘59-tën kemi shkuar, por ‘58-tën ne shtëpinë ia dhamë komunës. Dikujt tjetër nuk ia dhamë. Aty u bë muze. Kur u bë muze unë brenda një viti, pasi që punonjësit aty kanë qenë shumica serbë dhe unë fillova të flas serbisht me ta. Pra, ata më merrnin mua, unë isha shtatë vjeç atëherë, gjashtë vjet, me shtatë vjet tashmë shkova. Më merrnin mua, me veturë më vozisnin, në qerre hipja për t’i hedhur plehrat, “Hajde Avni, hajde Avni!” Pra, më donin, edhe pse ishin serbë më donin. Pastaj, me familjen shkuam në Turqi, emigruam. Atje në shumë vende me qera qëndronim. Nënën e kisha, xhaxhain e kisha, babain, gjyshjen dhe gjyshin, dhe një motër e kisha.

Ebru Süleyman: Jeta juaj në Prishtinë, keni qenë mjaft të vogël atëherë por…

Avni Emincik: Po, nuk më kujtohet shumë, por ashtu diçka. Së pari kur kanë ardhur aty… serbët kanë filluar të sjellin kafshë, kafshë të gjalla aty, qej, arinjë. Pastaj më kujtohet diçka, këtë ua thashë edhe juve, ishin bërë pesë minuta që kisha hyrë në shtëpi, brenda shtëpisë dhe prej aty një ujk iku nga kafazi i tij, i sulmoi ata përreth. Mirë që ishte oborri, dyert ishin të mbyllura. Aty…

Ebru Süleyman: Më saktësisht ku e kishit shtëpinë atëherë?

Avni Emincik: Kjo ishte afërsisht në mes ‘58-tës, ‘59-tës.

Ebru Süleyman: Qeni ishte në kopshtin tuaj?

Avni Emincik: Po aty ishte qeni ujk, i kishte sulmuar të gjithë. Normalisht u dhamë batanije, me batanije i shpëtuam ata. Domethënë, edhe veten e shpëtoi kujdestari, sepse ishte një ujk që sulmonte, nuk ishte kafshë e zbutur domethënë. E kishin marrur nga mali dhe e kishin sjellur. Pastaj ka kaluar një kohë aty, atë shtëpinë, të gjitha dhomat e shtëpisë u shndërruan në mal. Kishte arinjë të balsamuar, gjarpërinjë etj. Ishin gjashtë dhoma, tre ne katin e sipërm dhe tre ne katin e poshtëm, të cilat u hapën për turistët. Pastaj, ne kur u shpërngulëm shkuam me tren 16… 16 korrik 1958, muaji i shtatë domethënë, me tren emigruam në Turqi.

Ebru Süleyman: Kur keni jetuar këtu, në shtëpi me juve kush tjetër jetonte?

Avni Emincik: E kisha gjyshen, e kisha gjyshin, e kisha xhaxhain, ishte nëna, pastaj xhaxhai nuk ishte i martuar, nëna dhe babai ishin të martuar. Babai ishte berber me profesion. Kurse xhaxhai me profesion ishte këpucëtar, bënte këpucë për fëmijë. E në Turqi kemi pasur pak probleme, atëherë jeta ka qenë ndryshe. Unë patjetër pas klasës së pestë kam qenë i detyruar të hyj në punë, pra jeta ime pas klasës së pestë gjithmonë ka kaluar duke punuar. Gjithmonë me punë, gjithmonë me punë domethënë…. Kështu që unë kam punuar, jam rritur, pastaj erdhëm këtu. Edhe këtu ka 18 vite që punoj, edhe këtu u pensionova, në Turqi tashmë jam pensionuar. Kështu që, diku në vitin 2010 prapë e kam bërë një martesë këtu. Me një zonjë nga Vushtrria, me të dy, në këtë martesë lindi një vajzë dhe një djalë. Allahu ju dhashtë shëndet. Ende jetojnë bashkë me mua.

Unë këtu jam ende shumë aktiv, këtu. Këtu, ku ta di u rrit numri i mjekëve për herë të parë kur erdha, ndryshe. “Nga Turqia erdhi” thanë, “teknik” andej-këndej. Kur u bë kështu m’u bënë shumë mjekë, pastaj ku ta di familjarëve u rregullova dhëmbët, me qiellza, domethënë kurorat qeramike jo, kurorat qeramike u jepja mjekëve. Kështu, një jetë e kam pasur. Tani jam 67 vjeç, Allahu më dhashtë edhe shumë vite. Më shumë çka të tregoj flisni ju, ju pyesni unë juve do t’ju tregoj.

Ebru Süleyman: Pse familja juaj ka marr vendim të shpërngulet në Turqi, të emigroj?

Avni Emincik: Pse, kështu diçka, babai një ditë paska shkuar në Beograd. Domethënë, familjarëve ju ka thënë që ka shkuar në Beograd. Po udhëtonte me tren, një zotëri që kishte qenë gazetar po kthehej nga Gjermania dhe po shkonte për Turqi. Kështu, treni për të pushuar ishte ndalur në Beograd. Ai njeriu dëshironte të ushqehej, por nuk kishte askund ushqim, diku një orë e gjysmë ka qëndruar në stacion. E rastësisht babai im është ndeshur me të, i ka thënë, “Eja me mua, unë do të siguroj ushqim, do të marrë me vete”. E ka dërguar me një vend në qytet afër stacionit të trenit diku. I ka dhënë ushqim, normalisht atëherë babai serbishten e dinte por turqishten nuk e dinte aq. Ai i kishte thënë, “Vëlla, unë me familje dëshirojmë të shkojmë në Turqi”, i kishte thënë. “Çfarë, si t’ia bëj?” Edhe gazetari kishte treguar njëfarë afërsie me babain. “Bën” i ka thënë. Ia ka marrur emrin dhe mbiemrin. Pastaj janë ndarë. Dy tri vite… kjo ka ndodhur ‘55-tën, ‘54-tën, domethënë përgjatë këtyre dy-tri vite kanë këmbyer letra nga Turqia. Me siguri ka pyetur a do të vij edhe dikush apo si. Ai ia kishte dhënë emrat e të gjithëve dhe kështu ne emigruam në Turqi.

Ebru Süleyman: Në atë kohë edhe ashtu ka pasur një valë të emigrimeve nga Jugosllavia, shumë familje kanë emigruar që këtu.

Avni Emincik: Po, ka, ka mjaft. Është edhe Shoqata e Prishtinasve, Shoqata e Kosovarëve në Stamboll. Shoqata e Kosovarëve Vushtrri, Mitrovicë, njerëzit e atij rajoni. Shoqata e Prishtinasve është nga këtu domethënë, shumica janë nga këtu, njerëzit nga këtu gjithmonë shkojnë atje të shtunën, të dielën shkojnë atje rrinë. Pastaj kanë kore, është kori i të moshuarve…

Ebru Süleyman: Në fillim a ka qenë e vështirë për familjen tuaj të emigrojnë në Turqi?

Avni Emincik: Pak vështirë ka qenë, vështirë ka qenë. Nëna nuk dëshironte të shkonte, ndjesë pastë. Nuk dëshironte të shkonte. Njëherë unë dhe babai u fotografuam, nëna u fotografua me motrën, pastaj dajët e mi këtu kanë thënë “Nuk bën, duhet të shkosh” i kishin thënë, “nuk do të ndahesh nga familja” kishin thënë. I kanë thënë “Ne do të kujdesemi për ty”. Dhe me të vërtetë janë kujdesur, domethënë nga këtu. Atëherë në Turqi shumë gjëra nuk ka pasur, ku ta di asgjë s’ka pasur. Fshisa nuk ka pasur, as ku ta di, gjithnjë ata na e kanë dërguar neve. Pastaj në vitet e ‘70-ta unë për herë të parë kam ardhur këtu, në të ‘70-tën për pushime, diku tre muaj kam qëndruar këtu.

Ebru Süleyman: Si ka qenë Prishtina atëherë?

Avni Emincik: Atëherë Prishtina ka qenë shumë e gjallë, si të them ka qenë korzoja. Askush nuk e shikonte tjetrin, nuk bëhej domethënë, përleshje e ku ta di unë nuk bënin. Të gjithë e kishin vendin e vet. Kur dilje në korzo, serbët në një anë, shqiptarët në një anë, turqit në mes ose në anën e serbëve. Domethënë të përzier aty shetiteshim. Unë atëherë ende në ushtri nuk pata shkuar, me 18 vjet erdha këtu. Pastaj kam filluar të vij vazhdimisht.

Ebru Süleyman: A keni këtu kushërinj të nënës?

Avni Emincik: Urdhëro?

Ebru Süleyman: Kushërinjtë e nënës në Prishtinë?

Avni Emincik: Shumë, katër dajë i kam.

Ebru Süleyman: Cilët dajë?

Avni Emincik: Doburçanët. Mehmet Doburçan, Ahmet Doburçan, Ymer Doburçan, Iljas Doburçan. Edhe një teze e kisha, ajo ishte Hajrije Safçi, këtu në fqinjësi këtu rrinin. Gjyshen e kisha, disa fëmijë janë, të gjithë fëmijët e dajës, shumë domethënë, shumë familjarë. Në Turqi një motër e kam, dy motra i kam, djalin e kam dhe djalin e djalit, domethënë e kam nipin.

Ebru Süleyman: Prapë shumicën e familjes e keni këtu?

Avni Emincik: Po, por nga ana e nënës. Nga ana e babait e kam një familje prej këtu, ai është Orhan Emincik, familja e tij. Domethënë, nga ana e babait edhe ai është nga familja Emincik, edhe unë jam i familjes Emincik, domethënë vetëm ai është tjetër askush. Pasi që nuk kishim mbetëm këtu, me siguri do të mbesim ku ta di. Tjetër?

Ebru Süleyman: Pra ju kur emigruat prej këtu familja juaj shtëpinë i’a shet komunës?

Avni Emincik: Komuna e ka marrur, atëherë ka qenë e komunës.

Ebru Süleyman: Pastaj aty u bë muze.

Avni Emincik: Muze u bë.

Ebru Süleyman: Kur keni ardhur në vitet e ‘70-ta, a e keni vizituar shtëpinë?

Avni Emincik: Po, normalisht. Të gjithë fqinjtë i kam vizituar, pasi që ishim shpërngulur të gjithë i kishte marr malli, derisa shok të fëmijërisë e kisha edhe Orhan Tyrbedar, në të njejtën lagje kemi jetuar, në të njejtën lagje jemi rritur. Kur erdha në vizitë të gjithë i asi… domethënë, pastaj këtu me mua bënë një reportazh domethënë ata shokët në muze. Pastaj sa herë që vija ishte ai Birsen Shufto, më thërriste mua në televizionin “TRT Europa”. Këtu bënin asi fasil3 bënin, nganjëherë bënin intervista më thërrisnin mua. Flisja dhe u tregoja edhe aty të njejtat gjëra.

Kështu që, unë jam shumë i lumtur këtu, sepse Stambolli është një vend shumë i populluar me njerëz. Kur bëhej tollovi të nevojiteshin dy orë për të shkuar në punë. Në mbrëmje të merrnin dy orë deri katër orë të arrish në destinacion. Katër orë vetëm për të udhëtuar. Unë sa isha i martuar me bashkëshorten qëndronim në Florja, deri te Shishli shkoja. Paramendo, dy-tri transporte i ndërroje. Hajt deri në Jenikapi kishte tren, tani prapë u bë ai tren. Me tren deri në Jenikapi shkoje, prej aty edhe dy automjete. Atëherë ende nuk ishte hapur ai, stacioni, stacioni i trenit. Taksim, Shishli, Mexhidekyj prej aty me autobus, domethënë udhëtimi im ishte i vështirë. E këtu çdo vend është afër, në çdo vend shkon në këmbë. Mjedisi është i bukur, për mua mjedisi është i bukur ndoshta për dikë tjetër nuk është por…

Ebru Süleyman: Në çfarë pikëpamje për ju është i bukur?

Avni Emincik: Mua edhe shqiptarët më respektojnë, edhe turqit më respektojnë, domethënë të gjithë. Kam klientë që vijnë nga Gjakova, vijnë nga Peja, vijnë nga Prizreni domethënë kështu kemi bërë emër këtu.

Ebru Süleyman: Po në Stamboll si është jeta për emigrantët? A kanë vështirësi?

Avni Emincik: Po shikoni tani, vështirësi nuk kanë. Ka shumë që janë të pasur, kanë blerë toka në atë kohë, nëpër ato toka po bëjnë asi domethënë… tokat tani po i japin për të ndërtuar ndërtesa të mëdha. Kur po i marrin ndërtesat e mëdha, po bëhen pronar të banesave, po bëjnë asi… Domethënë, vështirësi nuk kanë, ka të tillë që janë pronarë të fabrikave, shumica e shokëve të mi për shembull. Domethënë, kështu. Por pasi që unë kam zanatin, po fitoj para vetëm sa për të fituar para. Për shembull, në Stamboll unë kam hapur edhe dyqan argjendarie diku afër vendit tim të punës. Punën e parë kur e kam filluar ‘79-tën kam pasur bashkëpuntorë. Bashkë kemi punuar, kompani ka qenë, ndërmarrje. Pastaj erdha këtu, kur erdha këtu e hapa një argjendari për KFOR-in. Prej atje, prej Turqisë i sillja monedhat e arit, ari i përpunuar. Te ushtria e kam hapur. Normalisht tani atje gramin e ka pasur shumë më të shtrenjtë, domethënë këtu, kostoja në Turqi, përpunimi dhe normalisht kështu më shtrenjtë bëhej. Ushtarët aty u kthjellën, çka bënë, në Shkup shkuan me autobusa [për të blerë më lirë], pastaj domethënë e mbyllëm aty. Nuk ka punuar shumë. Domethënë, kështu më kaloi jeta këtu. Tjetër? Fol? (qesh)

Ebru Süleyman: Në përgjithësi kjo po më intereson, këtu kur keni ardhur, si jeni ndier kur e keni parë shtëpinë muze ku është lindur dhe u rritur babai juaj?

Avni Emincik: Njeriu gjithnjë ndjen dhembje për këtë, ndjehesh i pikëlluar, pashmangshëm. Ndoshta ke lexuar, një grua e huaj kishte festuar ditëlindjen e saj aty, paramendoje. Shumë njerëz komentuan.

Ebru Süleyman: A e keni festuar ju ditlindjen tuaj aty?

Avni Emincik: Jo, me gjasë po ta kisha sugjeruar unë, ata do të ishin në rregull me këtë…

Ebru Süleyman: Si fëmijë??

Avni Emincik: Si fëmijë, për Zotin, a kishte ditëlindje për fëmijë atëherë? E tërë fëmijëria ime ishte me sherre në rrugë, çfarë ditëlindje? Tani bahçja jonë ishte shumë e madhe dhe meqenëse ishte e madhe shumë fëmijë nga fqinjët vinin aty. Ne kishim një dru arre, ende është aty. Ishte një vend i bukur, po të kisha qëndruar do të jetoja aty, dhe as që do të mendoja ta shisja.

Ebru Süleyman: Po, shumë shtëpi e bukur.

Avni Emincik: Është e bukur, një shtëpi e vogël dhe shtëpia ka ngrohje qëndrore. Paramendoje! Kur u ndërtua, e kanë menduar ashtu që kur furra ishte e ndezur në kuzhinë, gypat e furrës ishin nëpër tërë shtëpinë. Kishte vrima të vogla, aty ishte edhe banjoja, ashtu ishte, kishte ujë të ngrohtë. Çfarë do të dëshiroje më shumë?

Ebru Süleyman: Sistemi i ngrohjes.

Avni Emincik: Po, sistemi. Imagjinoje kanë menduar për këtë njëqind apo njëqind e pesëdhjetë vjet më parë. Shtëpia e vogël është shumë e vjetër. E quajnë ‘Shtëpi konaku’, ‘Pallati turk në Ballkan’. Kanë bërë hulumtim mbi këtë, një ekip nga Turqia i cili është marrë me të gjitha pallatet në Ballkan. Dhe i njëjti pallat ekziston edhe në Shkup, ka të njëjtin model. Por unë nuk e kam pasur rastin të hulumtoj si i kanë bërë dhe çfarë kanë bërë ata.

Ebru Süleyman: Kush jetonte më herët në atë shtëpinë më të vogël?

Avni Emincik: Axha i babës tim jetonte aty. Një njeri me emrin Aziz, axhë i babës. Edhe një tjetër ka jetuar aty, ata shkuan në Turqi shumë kohë para nesh. Kusherinjtë e babës, pra një axhë tjetër edhe ata kanë qenë Emincik. Një gjë që më shqetëson rreth muzeut është që po i’a ndryshojnë emrin, kjo më shqetëson. Po i referohen si Emin Xhiku, Emin, Emin Gjiku. Nuk e di pse po ndodh kjo. Ne as që kemi njerëz shtatëshkurtë në familjen tonë, babai ishte një metër e 85, tani axha im një metër e 75, unë jam një metër e 80. Siç po duket po trillojnë gjëra. Nuk di çfarë tjetër t’ju them.

Ebru Süleyman: A nuk patët ndonjë mundësi për të ndërhyrë?

Avni Emincik: Jo bre, tani pas gjithë kësaj pse të ndërhyj për Zotin. Pra…

Ebru Süleyman: Domethënë po vërehet se si shkruhet mbiemri juaj.

Avni Emincik: Jo, jo. Ju kemi thënë, “Ne” tha, “ashtu ia kemi lënë” tha, tjetër gjë nuk po thonë. Duhet të shkohet në Ministrinë e Turizmit atje do të shkruash diçka, domethënë punë që zgjasin. Po të dija shqip ndoshta do të shkruaja, a po më kuptoni? Do të shkruaja peticion, sepse në “Express”, në gazetën “Express” ka dalur një shkrim para dhjetë vitesh, dymbëdhjetë vitesh. Atëherë edhe djali i dajës tim ka qenë asi, në “RTK” ka qenë drejtor i dytë. Atij i thashë, “Nuk bën” tha. “Të flasim me gazetën” i thashë, “Lëre fare” tha, “është një shkrim i vogël” domethënë, “nuk është një shkrim i madh” tha. Dhe unë nuk e kundërshtova domethënë, ku ta di. Tjetër?

Ebru Süleyman: Pastaj, kështu u prezantua shtëpia?

Avni Emincik: Ashtu u prezantua. Ndonjë pyetje tjetër? (qesh)

Ebru Süleyman: Domethënë, si ka qenë për juve të rriteshit në Stamboll, a mundeni të na e tregoni pak?

Avni Emincik: Valla për mua rritja në Stamboll ka qenë puna.

Ebru Süleyman: Gjithmonë keni punuar?

Avni Emincik: Gjithmonë kam punuar. Mund t’i numëroj ditët që kam qenë në pushim. Edhe me gruan, edhe vet. Diku pas vitit ‘95, disa vite kam mbetur vetëm. Domethënë, jo vetëm, kam pasur miq por ndonjë zonjë kështu shoqe… gjithmonë kam punuar, gjithmonë kam punuar… Tjetër? (qesh)

Ebru Süleyman: A ka diçka që ju dëshironi të na tregoni?

Avni Emincik: Valla tani është një gjë që…

Ebru Süleyman: Çka ju kujtohet tjetër prej fëmijërisë?

Avni Emincik: Çka të tregoj më prej fëmijërisë (qesh) domethënë dua të them që u shpërngula që këtu në shkollë fillore atje…

Ebru Süleyman: Po gjyshi, gjyshja a ju kujtohen ata?

Avni Emincik: Si s’më kujtohen! Gjyshi, ishin motrat e gjyshit, ata kishin vdekur në luftën e ‘45-tës. Gjyshin e kishin rrahur, beli i gjyshit në dy vende ishte shtrembëruar, ishte thyer domethënë këtu {tregon me duar}.

Ebru Süleyman: Si quhet gjyshi juaj?

Avni Emincik: Hajrullah. Emri i gjyshit është Hajrullah Emincik, hafiz është ai. Domethënë, gjithnjë ka lexuar Kuran. Brenda vitit një herë, dy paska ngrënë, gjithmonë ka agjëruar. Pasi që ishte i shtrembëruar shumë nuk kishte shëtitur shumë, domethënë vetëm në shtëpi ka qëndruar dhe në kopshtin e shtëpisë. Si…

Ebru Süleyman: Për ata që nuk e dinë a mund të tregoni, çka është hafizi?

Avni Emincik: Hafiz domethënë, dikush që gjithmonë lexon Kuran. Ky është hafiz, domethënë nuk është hoxhë. Hoxha shkon në xhami e lexon, por gjyshi im kush e di sa herë e ka përfunduar atë, e ka lexuar Kuranin, e ka asi… Edhe babai i tij paska qenë hafiz por emrin e atij nuk e di. Emri i tij, është më duket emri i babait të tij është Rexhep, prandaj babait tim i’a kanë lënë emrin Rexhep.

Edhe ai ka qenë hafiz në kohën e osmanëve, me siguri ashtu po mendoj vezirët osmanë nga këtu, vezirët osmanë që mbetën këtu ashtu po mendoj kanë asi, diku shkonin, thirrnin, Kuranin ta lexojnë, diçka kështu kanë bërë. Po edhe ne i kemi afërsisht dhjetë prona me tapi, por ku janë [pronat] nuk e di. Atë osmanishten po t’a përkthenim në anglisht apo në turqisht po ta përkthenim do ta dinim ku janë. Domethënë, saktësisht nuk e di ku. E normalisht ka edhe shumë që ju kanë dhënë, çertifikata ka domethënë, me vula të pashait apo të vezirëve, ka. Normalisht këto janë të gjata, me këto nuk jam marr fare, të të them të drejtën.

Ebru Süleyman: Po shtëpia?

Avni Emincik: Për shtëpinë i kemi hedhur në gjyq. Bashkëshortja ime u mundua, ajo pasi që është police te ajo ka që i vijnë shokët aty, për në burg. Nuk është police për burgim por aty që janë në mbajtje 48 orë, që bëjnë hulumtime të rasteve. Aty ia dhamë rastin një avokati, tani po e presim rezultatin domethënë, kjo është një punë që zgjat shumë, domethënë shpejtë, nuk është një punë që bëhet për afat të shkurtër. Nëse na e jepin edhe po të mos jam unë, fëmijët e mi, nipi, djali im e merr, domethënë si… tjetër pyetje? (buzëqesh).

Ebru Süleyman: Si një trashëgimi familjare.

Avni Emincik: Normalisht, shpirt.

Ebru Süleyman: Po gjyshja?

Avni Emincik: Gjyshja, gjyshen e mbaj në mend, hiç nuk u… domethënë gjithmonë ka punuar domethënë në shtëpi bashkë me nënën i bënin gatimet. Në shtëpinë tonë, më herët bënin ashtu, një grua rome, atëherë nuk kishin rrobalarëse asgjë nuk kishte, me argjilë i lanin rrobat, argjilë. Argjila është më e mirë se detergjentët, domethënë ajo i zbardh, kur i lanin të bardha bëheshin. Madje edhe kur laheshim gjithmonë me argjilë laheshim, për ti pastruar flokët apo kështu. Atëherë në vitin ‘52, vitin ‘53, në atë kohë nuk kishte shumë.

Domethënë, s’kam çfarë të them inshalla të gjithë bëhen me fakultet, bëhen gjëra të bukura, ku ta di mbiemrin të ma vazhdojnë me të mira. Po të mos ishte, po të mos e kisha një djalë këtu, shkronja Emincik, domethënë mbiemri Emincik dy herë, domethënë vetëm dy persona do ta kishin. Tani tre veta e kanë, vajza po të martohet mbiemri i ndryshon. Kështu, normalisht që unë gëzohem, nuk e di se sa do të jetoj, sa do të asi [punoj], sa do ta asi [vazhdoj], unë këtë [punë]. Është një vendim që e merr Allahu domethënë.

Ebru Süleyman: Po. Tjetër motrat e juaja jetojnë në Stamboll a vijnë ndonjëherë këtu për t’ju vizituar?

Avni Emincik: Po vijnë shpirt, normalisht, këtu ato nuk i kanë vetëm kushërinjtë meshkuj edhe zonja ka. Edhe ato janë shoqe me to, mocanike janë. Njëra motër është [e lindur në vitin] ‘56, tjetra ‘61. Domethënë edhe ato kështu, por në familjen tonë është një gjë e çuditshme. Për shembull, vajza e tezes time nuk është martuar fare, as këto nuk janë martuar, në të njejtën shtëpi, të familjes sime, në shtëpinë e babait e nënës time jetojnë domethënë. Prandaj, gati se çdo mbrëmje fëmijët në kamerë, “Hallë, hallë” thonë, kështu bëjnë i dojnë normalisht. Edhe nipin që e kam atje e dojnë, shumë e dojnë. Domethënë, nuk ka çka të thuhet. Vetëm ata të jenë të lumtur, unë do të bëj sa mundem.

Ebru Süleyman: Domethënë, edhe pse keni shkuar në Turqi nuk keni mundur t’i shkëpusni lidhjet me këtë vend?

Avni Emincik: Jo shpirt si t’i shkëpus. Domethënë, bashkëshortja vetëm atëherë kur të pensionohet mund të shkoj në Turqi. Fëmijët këtu do të rriten, këtu shkojnë në shkollë fillore. Ato tashmë janë shtetase turke. Domethënë, aty nuk kemi ndonjë problem, edhe bashkëshorten e bëra shtetase turke. I ndodh njeriut, vdekja mund të ndodh, ato nga Turqia marrin pension. Tek ne këtu kur pensionohesh, ta ndërprejnë pagën domethënë familjes nuk i’a jepin. E atje ta jepin, atje edhe fëmijët madje e marrin.

Ebru Süleyman: Po a ju kujtohet, atë rrugëtimin që e keni bërë me tren deri në Turqi?

Avni Emincik: Jo, ajo nuk më kujtohet, ajo nuk më kujtohet.

Ebru Süleyman: Atëherë familjet çkado që kishin mblidhnin…

Avni Emincik: Po, po. Nuk kishte asgjë domethënë, ne nuk morën diçka aq shumë. Shtrata morëm, disa gjëra morëm dhe ashtu erdhëm. Më kujtohet që kemi dalur nga një shtëpi dhe kemi qarë duke dalur. Edhe unë edhe babai ishim mërzitur, edhe nëna. Domethënë, kjo me tren nuk më kujtohet aq por më kujtohet për shembull në stacion, që kemi qenë në stacionin Sirkegji ajo më kujtohet. Aty kushërinjtë na kanë pritur, persona nga familja e babait. Domethënë, nuk më kujtohet aq…

Ebru Süleyman: Emigrimi në atë kohë ishte pak më ndryshe, krahasuar me kohën e tanishme.

Avni Emincik: Po ishte bërë ashtu që, nëse e merr atë çertifikatën menjëherë mund të shkosh në Turqi, kryetari i atëhershëm i Turqisë e kishte pranuar këtë domethënë. E ka pranuar kryetari i atëhershëm. Nuk e di nëse janë pesë mijë marka apo dhjetë mijë marka nga diskrecioni që ju dhanë atyre që ishin këtu, që t’i marrin ato. Në përgjithësi shumë nuk… shiko çfarë do t’ju them, në përgjithësi unë hiç nuk kam pasur jetë, vetëm jeta e punës dhe fundjava. Eja Ekrem, eja, [i drejtohet mikut që hyn në dhomë] eja, se pothuajse përfundova o bir, nuk është një punë që përfundon për gjysmë ore. Ja edhe ky është një mik i fëmijërisë bashkë jemi rritur një vit dallim kemi. Këta ishin regjistruar në klasë të parë unë jo, unë u shpërngula në Turqi, këta shkuan në shkollë fillore. Këtyre ju kujtohet shpërngulja ime, e gjithë lagjja kishte qarë domethënë, shokët moshatarë…

Ekrem: Unë nuk kam qarë fare.

Avni Emincik: Ke qarë gjithnjë, po ashtu po thua… (qesh)

Kur u ktheva me shumicën e shokëve të fëmijërisë jam takuar, shumica tani kanë vdekur, domethënë kanë… disa prej tyre. Për shembull, e kam pasur fqinjin afër, vajza e tij ka punuar afër meje këtu. Një mik i quajtur Shefki Nobërdali, Shefki Nobërdali, ka qenë afër ndërtesës sime, afër oborrit, aty një derë ka qenë domethënë ashtu si… Ai ka qenë afër neve pak para se të shpërnguleshim. Një vit një xhaxha nga Vushtrria që merrej me tregti sillte basme nga Turqia, xhaxhi Ali ka qenë, ka qenë Ali Maxhuni. Ai ka qëndruar një kat mbi neve diku një vit a dy. Diku dy vite para se të shkonim ne.

Rrinim, vinin mysafirë, kanë qenë dy vajza dhe një djalë, si dhe nëna dhe babai tyre. Pastaj, njëri prej tyre kur vinte nuk shikonin, domethënë një vëlla e një motër, nëse dikush përgadiste ëmbëlsirë prej lartë vinin poshtë, kështu ka kaluar kjo jetë me një aventurë të tillë. Pastaj, sa isha në Turqi jam takuar me ata, babai tyre normalisht qëmoti ka vdekur, shumë moti ka qenë kjo. Pastaj, shkoja, kur shkoja në shkollë afër shkollës tonë e ka pasur dyqanin, dyqan ushqimor ka qenë atëherë, më herët. Ashtu shkoja, kësi aventura kemi pasur domethënë, ku ta di tani kur po i kujtoj po më vijnë në mendje të gjitha. A po më kuptoni dhe këtu nëse dëshironi a mund ta përfundojmë?

Ebru Süleyman: Po.

Avni Emincik: A ju pëlqeu?

Ebru Süleyman: Po, falemnderit shumë. Shumë falemnderit për kohën.

Avni Emincik: Edhe ne ju falënderojmë. Mbetsh me shëndet çfarë të them më shumë. Ju dëshiroj ditë të mbarë.


1 Tur:. çırak, djalë i vogël që bënte punë ndihmëse në një dyqan.

2 Tur.: kallfe, kallfë, zejtar që punonte si ndihmës i mjeshtrit.

3 Tur.: Fasıl është një skenë ku orkestri bën muzikë klasike osmane.

Download PDF