Pjesa e Tretë
Zymer Neziri: Po grupi që veproi në Rugovë, ishte një grup që punoi shumë, dhe pati rezultate, pothuajse përfundimtare për të gjitha rastet. Rastet nuk ishin shumë, po ishte një fatmirësi sepse në vitin 1970, në Rugovë u organizua Besëlidhja, dhe në atë Besëlidhje procesi i hakmarrjes dhe i vrasjeve të themi u nal. Kjo ndikoi shumë që në Rugovë të mos ketë shumë raste, t’ketë pak raste. Ky ishte rasti më i veçantë që ndodhi në viset shqiptare pra, Besëlidhja e Rugovës, bashkë me një besëlidhje tjetër po në atë vit që u organizua në Malësi të Madhe, në pjesën që mbeti në Malin e Zi, pra me seli në Tuz. Këto dy besëlidhje natyrisht kanë ndihmuar shumë.
Kthehemi te rasti i Rugovës. Në Rugovë pra, ekipi që punoi në krye me Isë Nikçin, profesor i Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po aty ishte edhe Sali Lajqi, që pastaj bëhet komandant i Brigadës 136 Rugova, mandej Zyrafete Muriqi, e kështu edhe disa të tjerë që kemi vepruar aty. Tubimin menduam ta bëjmë sa ma herët për shkak se kishte nevojë që terreni ta ndjej veten mirë, domethanë, t’mos thuhet, “Po i falim gjaqet dhe s’po merret vesh kurgjo”, sepse rrethimi policor ishte shumë i ashpër. Dhe në rrethime të tilla policore lëvizjet e njerzve ishin të pakta madje edhe mungonin, dhe ne thamë, “Megjithatë, po e bajmë”, dhe e qitëm fjalën që tubimi do t’mbahet.
Mirëpo, çka ndodhi? Policia, si thonë në shtatë rrathë hyrjet në Pejë i kontrolloi kështu që shumë njerëz nuk dolën atje. Disa hoqën dorë disa të tjerë u detyruan të heqin dorë. Por megjithatë, ai tubim tuboi rreth shtatë mijë njerëz dhe kjo ishte ajo, si me thanë thyrja e parë e policisë Jugosllave në Pejë me rrethinë, se tubimet megjithatë mbaheshin. Domethanë osht’ e pamundun t’i ndalosh. Ata qëllimin e kishin t’ndalojnë këtë tubim. Qëllimin e kishin t’i friksojnë njerëzit mos t’dalin dhe e dyta t’i ndalojnë që t’mos shkojnë atje. Osht’ rasti shumë interesant i kamerës bie fjala, se si e kemi qitur kamerën atje. Të gjithë dështuan dhe në fund nji nga ata, Qerim kështu quhet, jeton tash në Zvicër, Qerim Sheli tha, “Unë e qes kamerën.” “Qysh e qet?” Tha, “Kollaj”. Një çikë aty e takoj në rrugë të cilën nuk e njihte e kapi për krahi, “Nëse thojnë policia, çka keni ju dytë, thuni jemi t’fejum”. Ata nuk njiheshin fare, jemi t’fejum kamerën në krah, “Na nuk po dalim nalt atje n’Shtupec, por po dalim me shetit”. Dhe u nisën në pjesën e djathtë t’atyre kodrinave dhe natyrisht për t’zbritun pastaj ma poshtë dhe për tu bashkuar me ne. Dhe kshtu edhe ndodhi, kshtu e kemi qit kamerën, domethanë në Shtupec, njërën nga kamerat.
Tubimi i Shtupecit në krahasim me tubimet e tjera të cilat kishin me dhjetra mijëra njerëz, njiqind mijë, dyqind mijë deri në pesë qind mijë nuk ishte i madh, por e madhja e madhja domethanë e këtij tubimi ishte se, ishte një thyrje e përpjekjeve të policisë Jugosllave që t’i ndaloj tubimet. Një thyrje e tyre dhe njëheri ishte fitorja e jona e madhe për të gjithë veprimtarët në terren dhe njëheri fitore e madhe për t’gjithë ata që kishin falur dhe kishin dëshirë që falja të bahej në mënyrë solemne në atë tubim. Aty ka qenë profesori Anton në këtë tubim, ka marrë pjesë, ka folur, ka përshëndetur. Ka qenë n’këtë tubim edhe profesori Zekerija Cana, që ishte dora e djathë e profesorit Anton në terren. Por kanë qenë edhe të tjerë profesorë universiteti, pra arsimtarë, nxanës, studentë, lektorë, bujq dhe të tjerë. Dhe këto tubime pa pikë dyshimi i kanë dhanë fuqi të madhe Lëvizjes së Pajtimit, sepse vinin duke e nxitur, si me thanë, Lëvizjen që t’i organizoj këto gati në të gjitha rajonet. Dhe ato u organizuan dhe patën sukses.
Po, detaji që zakonisht nuk thuhet nuk përmendet fare e që çon peshë shumë, sidomos sot kur jeta po materializohet, kur secili njeri kqyr që çdo gja ta barazoj bie fjala me euron, apo jo, me paranë. Asokohe, asni vajzë, asni djalë nuk ka marrë asni shpërblim. Madje herë- herë nuk kanë pasur para as për t’blerë ujë, si thonë, po osht’ dashur t’pritur që t’shkojnë te ni burim, bie fjala te një krua që t’pijnë ujë. Nuk kanë pasur para, bie fjala as për bukë. Shumë herë bukën e kemi ngrënë në dorë, bie fjala, pak bukë edhe pak djathë. Dhe problemi më i madh ka qenë i lëvizjes me makina, benzina ishte e shtrejtë. Po ishte, domethanë ni knaqsi e madhe dikush për t’i dhënë dhetë litra benzinë, bie fjala. Por, edhe kjo pjesë qëndron në shpirtin e asaj që quhet vërtetë mobilitet i madh human së pari, pastaj edhe kombëtar i asaj rinie. Po, nuk ka kqyr kush paranë për 26-27 muaj sa ka zgjatur Lëvizja. Jo, dhe sigurisht kjo e ka nxjerr shumë të pastër para historisë si Lëvizje moderne, si Lëvizje humane, si Lëvizje njerëzore por edhe si Lëvizje kombëtare pse jo.
Erëmirë Krasniqi: Sa raste jon pajtu në Shtupec dhe çfarë, çfarë natyre t’ngatrresave kanë qenë ato?
Zymer Neziri: Po, ngatrresat ishin si të viseve të tjera. Disa ishin edhe ngatrresa natyrisht të shkallës së asaj që quhet se nuk do t’duhej t’ndodhte ashtu, po çasti kur gjaku nxehet, si thuhet, ndodhin edhe t’papriturat. Kishte dhe raste, domethanë të ngatrresave ndër familjare, të rrethit të gjerë, kishte edhe raste të gjaqeve bie fjala të, që quheshin atëhere gjaqe, falje e gjaqeve në komunikacion. Domethanë nga më të ndryshmet, por ajo kryesorja ishte se ekipi është pritur mirë, është pritur mirë në secilen familje, është pritur jashtëzakonisht mirë dhe ekipi me të vërtetë ka qenë i pa, si me thanë, i palodhshem dhe ka punuar shumë. Dhe pastaj mbasi kanë mbaruar punë me rajonin e vet, ai ekip ka punuar në Podgurë, domethanë në katunet e rrethit të Istogut. Ka punuar në lugje që pjesërisht i takojnë edhe Klinës, tash pra në Lugjet e Pejës. Ka punuar në Rekë, dej në Rekë të Keqe, po kanë punuar edhe në rajonet e tjera, pra ku kishte nevoj. Dhe kësi soji veprohej pra me ekipet, kur ekipet mbaronin punë në rajonin e vet kalojnë në rajonin tjetër dhe baheshin ndihmës pra të pajtimit.
Erëmirë Krasniqi: A ju shërbjeshin juve studimet e juaja për me, me pajtu njerz, po mendoj për me njoft rastin ma mirë?
Zymer Neziri: T’drejtën t’ju them edhe ata që dinin, sa dinte një profesor aso kohe, edhe ata që dinin sa din një student gati thuaj bëheshin të barabartë. Po marr rastin…
Erëmirë Krasniqi: Studime mbi regjione të caktume mendova.
Zymer Neziri: Po kto, po kto, natyrisht ne na hynin në punë. Por te rastet konkrete pastaj kur vinte puna, të themi te ajo që quhet, që quhet.. investim, investim moral, investim njerëzor, investim kombëtar për pajtim, atëherë aty, aty vinte zëri i brezit të ri, natyrisht ka qenë shumë shumë ma efikas. Bie fjala rasti, bie fjala i Havës, i Havë Shalës, rasti i Myrvete Dreshaj, por edhe i të tjerave si thashë, Zyrafete Muriqit dhe i shumë, shumë vajzave të tjera që kanë vepruar në Lëvizje. Ka qenë shumë me interes një vajzë t’flas në odë të burrave, t’flas me burra, për punë të burrave, për gjaqet që i kanë bë burrat pra, edhe natyrisht edhe për shkak të grave. Pra zëri i tyre vërtetë ka qenë një zë që ka çuar peshë shumë. Edhe në tubime, në odë po them me burra, edhe në tubime ku kishte me dhjetra mija njerëz, por edhe i djemve. Prandaj po them, zëri i rinisë unë mendoj se ka qenë freskia më e madhe në Lëvizjen e Pajtimit, edhe vet si moshë, por edhe zëri i tyre, fjala e tyre. Natyrisht të gjitha t’mbështetura në rrafshin kombëtar dhe social. Duhet të pajtohemi sepse mund të jetojmë ma mirë edhe duhet të pajtohemi sepse e kemi shumë ma lehtë që të shlirohemi domethanë nga, nga pushtuesi dhe…
Erëmirë Krasniqi: A është inkuraju pjesëmarrja e grave në Lëvizje, apo ka qenë në mënyrë spontane?
Zymer Neziri: Jo është in… ka qenë, ka pasur edhe spontanitet edhe jo spontanitet, po them në grupin e t’rive. Unë nuk e di që kanë mbizotruar djemt, ka pasur raste kur kanë mbizotruar vajzat, domethanë grupi i vajzave ka qenë grup shumë aktiv. Natyrisht kanë qenë grupe mikste pra, të përziera bashkarisht, por grupi i gjinisë, domethanë i gjinisë femërore sidomos në moshat e reja ka qenë shumë, shumë i pashëm, i dukshëm (buzëqesh) dhe në atë kuptim për ka shumësia. Djemve, djemve nëse s’ia ka kaluar është barazuar me ta. Por edhe i grave të tjera arsimtare pra, i grave të tjera arsimtare që kanë marrë pjesë në Lëvizje, studjuese, profesoresha pra, natyrisht ky ka qenë grup ma i vogël. Po grupi i studenteve ka qenë grup shumë i madh, ka qenë shumë i madh, natyrisht po them nuk ështe dalluar fare grupi i djemve se osht’ ma i madh, e kto janë ma pak. Përkundrazi kanë qenë të barabartë. Dhe fjala po them, prapë ka çuar peshë shumë.
Unë kur kam qenë në tubime, bie fjala kur ka folur dikush nga vajzat, po e zamë studente, e kom ditur se ato bajnë punë shumë ma shumë se dy djem kur flasin. Po se ata i kanë dëgjuar me shumë vëmendje dhe i kanë marrë arsyetimet, vërtetë i kanë marrë me shumë zemër, se në qofse nuk ia ligë zemrën pak nga pak dhe shpirtin ta prekësh n’tel dikun e kishte vshtirë, thotë “Po more, hajt p’e kryjmë këtë punë” (buzëqesh). Ka pasur raste shkoje një herë, e dy herë, tri herë edhe ktheheshe kot. Domethanë rasti duhej ligur si i thojnë në atë kuptim, t’liget shpirti i tina në atë kuptim, dhe t’madhështohet me anën tjetër që thotë, “Po, po, e falim gjakun”.
Pra roli, roli i femnave në Lëvizjen e Pajtimit me t’vërtetë ka qenë në shkallën ma t’lartë të historisë, po them kështu sepse femnat kanë marrë pjesë në Pajtim të Gjaqeve edhe ma herët, por ma pak meqenëse s’kanë pasur drejtë t’marrin pjesë në tubim të burrave. Siç e dijmë edhe Lidhjen e Prizrenit edhe gjatë Rilindjes edhe pas saj, edhe ma herët deri te tubimet e hershme domethanë të para gjashtëqind vjetve, po edhe ma herët, por sidomos këto të kohës së Skënderbeut, bie fjala të përpjekjeve të tij për lirinë e Shqipërisë, femra qëndron e barabartë me burrin që nuk e kishe në Evropë. S’e kishe në Evropë, kishte të drejtën e fjalës nër burra qoftë edhe bareshë jo nga familja princore, ajo po se po, po edhe baresha e kishe atë të drejtë, në qofëtse kishte dhunti nga natyra që kishte mend sa një burrë si thonë, madje edhe ua kalonte burrave.
Pra kjo traditë vazhdon në Lëvizjen e Pajtimit tash domethanë në këtë fazën e fundit të pajtimit në vitet ’90, të shekullit që posa shkoi. Dhe unë po besoj se në të ardhmen e afërt do të bahët edhe një studim i veçantë për rolin e saj në Lëvizje të Pajtimit, një rol që vërtetë çon peshë shumë edhe për historinë, për historinë domethanë edhe çon peshë shumë edhe për vet Evropën, Evropën, domethanë, dhe traditën, traditën evropiane të barazisë, barazisë gjinore.
Thash se studentët, arsimtarët dhe gratë pra që kanë Lëvizjen e Pajtimit kanë qenë veprimtare, roli tyre thashë ka qenë vërtetë me peshë madje herë-herë edhe me peshë vendimtare. Por kjo që e keni dëgjuar pra që ka thanë profesori Anton, po kanë thanë edhe veprimtarë të tjerë është shumë e vërtetë, se vajzat, gratë pra, veprimtare të Lëvizjës së Pajtmit kanë depertuar nëpër familje shumë ma lehtë, sidomos te bota femrore. Pra te nanat që kishin mbetur pa djal, te gratë që kishin mbetur pa burra, te vajzat që kishin mbetur pa vlla pra, kanë deportuar shumë ma lehtë. Shumë më lehtë kanë folur dhe puna në këtë rast domethanë ishte vërtetë shumë, shumë e madhe dhe kur familja domethanë bëhej gati për t’falur, natyrisht përpjekjet e para dhe rezultatet e para vinin pikërisht nga bota femrore. Dhe unë mendoj se ky rol pra, i dyfishtë ka qenë i veprimtareve, domethanë kanë kryer punën e dyfishtë sepse kanë depertuar edhe në familje. Edhe natyrisht në ato familje kur ka ardhë një “Po” nga nana bie fjala për djalin, ka ardh një “Po” nga motra për vllaun, ka ardh një “Po” bie fjala nga gruja që ka mbetur pa burrë. Kjo ka qenë një “Po” e madhe, ka qenë një “Po” vendimtare pra që ai gjak të falet dhe t’mos kërkohet ma si gjak dhe ato dy familje të mos jenë ma familje në armiqësi, siç thuhet ndryshe të hasmuara.
Erëmirë Krasniqi: Gjatë viteve të Fushatës të Pajtimit të Gjaqeve e përmendët që familjet iu kanë dhanë besë. A kishit mujt me na tregu rreth qasaj?
Zymer Neziri: Po rastet që nuk janë falur nuk kanë mbetur shumë. Ka rajone që nuk kanë mbetur fare, por ka rajone që kanë mbetur pa u falur. Por në ato raste, domethanë sa herë që kemi bërë përpjeke, nji herë, dy herë dhe më shumë herë dhe nuk kemi pasur rezultate, por megjithatë rezultat ka qenë kjo që thoni ju, se n’ato familje na është thanë, “Hiç mos t’kanë gajle, s’e kem menën me i vra dhe kanë besë dhe nëse duhet u japim besë prapë.” Domethanë, “Në kohën e Lëvizjes së Pajtimit ne nuk do t’marrim hak.” Dhe osht’ e vërtetë e kanë mbajtur fjalën.
Unë nuk di një rast pra, në vitet ’90 pra, mbas fillimit të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve që pastaj shëndrrohet në Lëvizje pra, mas 1 shkurtit 1990 që t’ketë dalë dikush dhe t’ketë marrë hak. Nuk di, domethanë nuk ka pasur. Sado që unë duhej ta dija, profesori Anton, ekipi ynë këtu në Institut, meqenëse edhe kam qenë përgjegjës i akrivit të Lëvizjes. Kjo ishte ajo e mira tjetër në t’keqe pra, kur nuk falej gjaku që ishte e keqja, po ishte e mira se jepnin fjalën se nuk do të marrim hak, ose në mënyrë tradicionale jepej besa. Siç jepet edhe sot dhe kto familje, domethanë dalin lirshëm pastaj kryejnë punët ditore edhe në treg, punët ditore në fushë dhe domethanë janë nën besë. Pra nuk kemi pasur rast dhe kjo ishte prapë ajo medalja tjetër e Lëvizjes që nuk ishte plotësisht e suksesshme, por megjithatë kishte sukses, pse kishte sukses domethanë nuk do t’ndodhin vrasjet.
Erëmirë Krasniqi: Ju përmendët që Instituti Albanologjik ka qenë shtyllë kryesore e… që ka mbështet Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve. A kishe mujt me fol për rolin e Institutit pak ma detajisht?
Zymer Neziri: Po meqenëse profesori Anton vinte nga ky Institut, po vinte edhe Zeqa pra Zekerija Cana, po vinte edhe Muhamet Pirraku, tash i ndjerë edhe ai. Po e përmendi këtë treshe se nuk jetojnë, po vinin edhe të tjerë dhe sigurisht ky Institut kishte edhe një emër tjetër, një emër tjetër. Në atë kuptimin kishte edhe një za të madh për përpjekjet e mëdha që po i bënë, sepse vërtetë ky Institut përveç kësaj Lëvizjes së Pajtimit dhe veprimeve të tjera, ky Institut bie fjala botoi 88 herë në periudhën e viteve ’90. Kur ne punonim pa t’ardhuna dhe ne punonim në kushte të okupimit pra, dhe punonim edhe jashtë këtij Insitituti pra në një shpi private në Kodër të Diellit, dhe ky është një rast rekord i asaj që quhet botë intelektuale, kërkimore-shkencore t’botoj 88 herë. Edhe qoftë në rrafshin krahasues me Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe me tjetrën në Prishtinë ose me të gjitha fakultetet që i kishte Universiteti i Prishtinës. Domethanë ne ishim ata që ishin në terren çdo ditë sepse nëse s’bonim asgja tjetër bile kërkonim. Duhej botuar “Gjurmimet Albanologjike” revista jonë pra, që është nisur në vitin 1971 në tri seri, dhe del edhe sot fatmirësisht. Numri 45 tash sa doli nga shtypi, dhe ne bënim punën, e bënim pa pagesë sepse s’kishte paga.
Po, kur vinte puna te shtypshkronja kishim noj lehtsim, por jo krejt pjesa që duhej paguar, ne dilnim, bije fjala në Therandë, dilnim në Pejë, në rrethinë, dilnim kudo qoftë. Kishim një mik, një shok, shkonim mledheshim pas darke dikush pesë marka, dikush dhjetë marka, dikush 15 i tubonim t’hollat i jepnim shtypshkronjës dhe delte libri dhe libra. Ne pastaj iu çonim n’terren edhe për fmi, edhe për shkolla, edhe për arsimtarë. Me fjalë tjera Instituti kishte edhe një zë popullariteti edhe për këtë aspekt prandaj, prandaj edhe punëtorët ishin shumë të gatshëm të jenë në terren. Dhe kësisoj vërtetë t’bahet edhe shtylla qendrore ku brenda kishte prapë shtyllën qendrore të Lëvizjës së Pajtimit, pra profesorin Anton Çetta. Ky Institut kishte edhe meritën e veçantë sepse këtu u themelua, thash edhe arkivi i Lëvizjës, këtu u mbledhshin të dhënat, këtu u hartuan edhe librat e parë për Lëvizjen pra se si duhet t’mbahen shënimet, dhe fatmirësisht një pjesë e madhe e atij dokumentacioni ruhet sot në arkivën e Institutit, pjesërisht ruhen në arkivin e profesorit Anton.
Prandaj ky Institut vërtetë shumëfish kishte peshë, jo vetëm në Lëvizjën e Pajtimit, por në Lëvizjën në përgjithësi, domethanë Lëvizjën Kombëtare, deri te lufta e fundit ku një pjesë e asaj që quhet domethanë barnatore e emergjencës ishte këtu e vendosur, natyrisht me dijen e dy njerzve apo tre njerzve, po edhe deri aty domethanë kishte edhe angazhime të drejtperdrejta edhe për luftën për nanat që duhej lindshin, për t’lindur angazhim për to. Bie fjala kolegu im Emin Kabashi është kujdesur me këtë resor me Florë Brovinën. Dhe ky institut vërtetë kto merita që nuk janë të jashtzakonshme po jonë merita të zakonshme për ni institucion dhe njerzit e tij, vërtetë ishin të mdha dhe tash erdh paslufta të cilat i paguam shumë keq i paguam tepër keq me UNMIK-un dhe me tjerët që vepruan si UNMIK-u me ministrat tanë nga i pari deri te i parafundit, i parafundit domethanë zbatoi ligjjin i cili ishte ishte ligji, ligji ma diskriminues i intelektualve në Kosovë ku paguhet puntori n’institut me 39 përqind. Qëllimi, ikni nëse kini ku shkoni dhe ju të tjerët nëse doni t’vini më s’keni ku vini.
Dhe pastaj embargoja me pranimin e brezit të ri të hulumtuesve dhe tash gjendja është natyrisht në Institut rreth ni e katërta janë më pak sesa në vitin ’99. Por megjithatë, meritat janë vërtetë të mëdha për këtë pjesë të historisë të shqiptarve, se ky institucion vërtetë ka qenë madhor, ka qenë me detyra madhore para historisë dhe para albanologjisë. Prandaj edhe sot me të drejtë krenohet me rreth gjashtqind botime që i ka pra, gjatë rrugtimit të vet nga themelimi i ’53. Dhe këndej duhet marrë parasysh edhe ndërpremjen pra, edhe duke marrë parasysh edhe edhe ndalesat. Po sot ky Institut domethanë për kto merita në histori që i ka, që s’kanë qenë, s’kanë qenë domethanë të vogla, por kanë qenë një detyrim prapë po them ndaj historisë dhe albanologjisë, sot nuk respektohen. Nuk respektohen nga qeveria e Kosovës sot, nuk janë respektuar dje, nuk janë respektuar nga viti ‘99 e këndej, sepse ky Institut që konsiderohej qendra e dytë e albanologjisë evropiane, ky Institut jeton keq. Biblotekën që e patë pak ma parë {i drejtohet intervistuesës} me librat e falur mbijeton qe 17 vjet. Nuk jonë 17 herë, herë që ky Institut ka blerë libra, jo, nuk ka me çka i blen. S’ka me çka i blen se shteti thotë, “S’kom! Dhe punë e jotja osht’ a blen ti libra, a s’blen”.
Erëmirë Krasniqi: Qysh e kalut luftën dhe qysh e ka kalu Instituti nëse mundeni me na përshkru?
Zymer Neziri: Po herën e parë kur studentët dhe arsimtarët nga t’gjitha fakultetet i qitën jashtë dhe u okupua Univerziteti këso, këso kohe. Natyrisht dhe Institutit i thanë, “Dilni” dhe deri në Akademinë e Shkencave dhe dolën t’gjithë, po ky Institut tha, “Jo, nuk dalim”. Na erdhën letra me vija t’kuqe si i thonë, ne i kthenim mrapa, jemi në ndertesën tonë, Instituti osht’ i yni, me letra osht’ i yni dhe ne do ta vazhdojmë punën këtu. Dhe mbijetuam, domethanë n’kohën kur i okupuan të gjitha institucionet në Kosovë, ne ishim këtu.
Erëmirë Krasniqi: Ju u kthyet në atë kohë…
Zymer Neziri: Jo, nuk u kthyem, ishim këtu nuk dolem hiç…
Erëmirë Krasniqi: Po mendoj, a u kthytë në punë këtu në Institut?
Zymer Neziri: Unë, jo. Unë u ktheva në kohën, në vitin ‘90. Mua më larguan nga banka dhe unë e kalova këtu, kalova kohën këtu bashkë me profesorin Anton ‘91, ‘92. Edhe ndërprehet Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve me 17 maj 1992, unë ende nuk kisha status, se frigoheshin mos po çohet kush lugat dhe e bon Jugosllavinë prapë bashkë, dhe tek në qershor të ‘92 ma kthyen statusin. Domethanë saktsisht me datën, me datën 26 të gjashtit, ‘92, e pata statusin, ndonëse unë isha këtu, veproja edhe në Lëvizje. Dhe tash këso kohe Insitituti, Instituti qëndronte mirë shumë me organizimin brenda që e kishte dhe ajo që quhej domethanë, gjithshmëri që u ba brenda për brenda për t’rezistuar, domethanë të themi, “Jo”.
Por, kur u afrua puna për t’keq që pritnim, domethanë çastin se do të na sulmojnë, atëherë ne nxorrëm rreth 17 thasë akrivin, pjesën ma të mirë që e kishim, librat ma të rrallë që i kishim dhe i nxorrëm natën, pas mesnate. Dhe pastaj i vendosëm nëpër disa pika në qytet, natyrisht i fotokopjuam në mënyrë që ajo që quhet yndyrë dorëshkrimeve në Institut, e bërthamës së tij, e arkivit të tij, t’jetë jashtë dhe këta e bamë me shumë sukses. Pastaj vendosëm të nxjerrim edhe librat, morëm një kamion të 15 tonëve, morëm thasë të blojës të mullirit edhe disa studentë nga kimia na ndihmuan dhe u lodhëm shumë, ishte Ramazan. Disa e mbanin Ramazanin dhe i ngarkuam rreth tre qind thasë. Erdh patrulla e policisë, “Ç’po bëni?” “Ngarkojmë libra.” “T’kujna jonë?” “Të tonat.” “Ku po i çoni?” “Po i hekim, po i çojmë në depo.” “Mirë.” Erdh patrolla tjetër, prapë t’njejtat pytje, “Ndaluni!” Erdh tjetra, “Zbrazni kamionin!” Dhe kjo ishte pjesa ma e randë se ishim lodhë s’kishim ma fuqi. Libri, pesha e randë si gurë, dhe i zbrazëm rreth nji qind thasë, shkuan ata.
Erdh koha e iftarit u nalem te kjo… si i thonë furra e bukës këtu në “Kodër të Dillit”, furra e parë aty, dhe morëm bukë, morëm çka gjetëm, u ngimë mirë dhe pastaj dikur ma vonë i ngarkuam librat prapë. Patrulla nuk erdhi, pas mesnate i çumë në “Lagjen e Spitalit” në një familje atje, dhe i vendosëm (kollitet). Ata u çuan në syfyr disa, na ndihmun, na nalën me pi çaj (buzëqesh) dhe kështu. Pastaj nuk na, nuk na kanë pengu ma me libra. Dhe në fazën e parë ne vërtetë ishim shumë, shumë të përgaditur, edhe me menjanimin e dokumenteve, dorëshkrimeve, të librave të rrallë. Pra në fazën e parë kemi qenë shumë, shumë të sukseshëm, e pastaj çka ndodhi? Ndodhën tjera. Erdhi vendimi prapë me tri vija të kuqe, veç na zuri viti ‘94, ne këtu, e kalum ‘93 po.
Domethanë ky Institut atë periudhë të, të pushtimit të institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore në Kosovë pra deri në Akademinë e Shkencave, ky Institut mbijetoi falë asaj kambëngulsie që të mos dorëzohet ndërtesa e Institutit. Ata dikur e humbën durimin me ne, dhe natyrisht organizonin njësi paramilitare që vinin këtu shanin, por edhe me gurë i thenin xhamat e dritareve, dhe herë-herë pastaj ka pasur një hudhje të mollotovit pra, në katin e sipërm. Domethanë, ishim vazhdimisht në shenjestër ose të rrugaqve, huliganve, si ju thonë ndryshe, ose të policisë, por megjthatë ne vazhdonim. Por, çka ndodhi? Pak para se të pushtohet Instituti ata vendosën nji pushko-mitrolez përballë Institutit, në katin e sipërm, gjysmë kat kështu {tregon me duar} të çerdhës së fëmive këtu përballë, dhe vazhdimisht nga aty na kontrollonin edhe me grykën, si i thanë të, të armës edhe njëherit me kamera. Dhe sigurisht kanë bërë çudi. “Ҫ’bëjnë kta këtu? Me një laps në dorë dhe tërë këtë rezistencë e bëjnë. Askushi në Kosovë nuk bënë rezistencë dhe këta rezistojnë”.
Ne në mbramje ishim pesë deri në mëngjes, kujdestaronim pesë kujdestarë, ndërsa deri në mesnatë ishim rreth pesëdhjetë, domethanë këtu rrinim edhe n’këtë sallë edhe në sallat e tjera. Në mëngjes vazhdojshim prapë normalisht, policia natyrisht na vëzhgonte dhe ditën e 8 marsit, ‘94 e hetuam se puna ndryshoi. Unë isha kujdestar atë natë, kujdestar kryesor dhe në mëngjes nuk shkova për t’fjetur në banesë, por qëndrova këtu deri në tre. Dhe thamë ç’po ndodh? Po ndodh diçka. Domethanë e hetuam dhe në tre më thanë, “Shko flej pusho pak”. Tha, “Nëse ndodhë diçka na të thrrasim me telefon edhe t’thomë ata erdhën”. Dhe unë shkova në banesë, hoqa vetëm pallton dhe ashtu siç isha rashë dhe e zuna pak, si thonë (buzëqesh) pak gjum. Por nuk zgjati aq shumë, zgjati shumë pak, tepër pak sepse gruja më zgjoi edhe po thotë, “Po të thërrasin, ata erdhën”. Ajo nuk e dinte çka domethanë, “Ata erdhën”(buzeqesh). E kom marr atë palltë në dorë e kom zanë autobusin e parë në lagjën “Qafa”, kom ardhë këtu.
Po, erdha këtu veç i gjeta para dere rreth dhjetë të tjerë kishin ardhur, ata kishin hyrë mrenda, i kishin rrah punëtorët, këta t’shërbimit po, dhe kishim marrë një zinxhir të madh, të trashë dhe nji dry të madh, dhe e kishin vendosur aty dhe e kishin mbyllur Institutin. Dhe pastaj ç’bëmë ne? E thyem drynin (buzëqesh), hymë mrenda, blemë një dry tjetër, e mbyllëm na derën prapë vet me një tjetër. Domethanë, ky ishte veprimi tjetër. Këtu në sallën poshtë u thamë grave dhe disa burrave të moshuar, ndër ta edhe profesori Idriz Ajeti, që ka qenë drejtor i këtij Instituti, profesor ynë pra, ai u ba edhe rektor i Univerzitetit, edhe i thamë, “Profesor, shkoni”. Po, i thamë edhe profesorit Anton edhe disa të tjerve, “Shkoni”, kishim me t’meta, që çalonin. Nji nga punëtorët shkencorë dhe nji tjetër nga administrata, dhe, “Ju, shkoni”. Thanë, “Jo, çka t’bahet me ju, le t’bahet edhe me neve”. Edhe gratë edhe burrat, dhe nuk u largu askush. Ishim mbi 44-45, saktësisht m’duket kanë qenë 43 nëse nuk gaboj tash. Dhe në zyrën time ishim diku rreth 15 duke pirë kafe dhe duke biseduar dhe atje u ndi, nji britmë shumë e madhe poshtë në hymje.
Ata e kishin thyer tash derën për herën e dytë, derën që ne ia thyem, derën që e mbyllen ata, tash e kishin thyer ata mbylljen tonë (buzëqesh). Po, dhe u kanë sjellë, si me thanë, këtyre punëtorve që i kanë takuar aty, ndër ta drejtori, thotë, “Unë jam drejtori.” “Ti je?” “Po”. Edhe drejtorit i bien, e përgjakin, ia thejn nofullën, ia thejnë dhambët, hundën dhe e bajnë njeriun krejt të larë me gjak, ashtu edhe të tjerët. Pastaj u ngjtën lartë këtu te biblioteka ku ishit ju {ju referohet intervistueses dhe personit në kamerë}, aty e banë rresht si i thonë, szpaler[1] në t’majtë dhe të djathtë dhe aty ti duhej kaluar, dhe natyrisht i ndëshkonin të gjithë ata që kalonin aty pari. Ne u mundonim, bie fjala, të mbrojmë një kolege tonën aty me nji koleg, dhe natyrisht i ranë asaj pak ma pak, ne pak ma shumë. Kështu deri te shkallët. Te shkallët aty gjeta profesorin Anton, në pushimorën e parë i kishte mbetur koka poshtë kështu, kambët këndej {tregon me lëvizje} edhe e ngrita, atij kolegut i thomë, Eminit, “A p’e merr profesorin?” Thotë, “Po”. Edhe u nis në drejtim të oborrit.
Në pushimorën tjetër poshtë takoj profesorin Idriz, “Profesor, a je mirë?” Tha (buzëqesh), “Po, po, ku o dera?” {shpjegon me dorë} Dera ish aty, ish afër. E atij i kishin ra në katin e tretë, ku jemi ne këtu, domethanë në zyrën e drejtorisë. Një prej asistenatave, “Nemojte profesora!”, domethanë, “Mos sillni profesorit”. Ata e kapin për flokve ia dredhin krytë kështu {shpjegon me duar}, e rrxojnë edhe atë. Edhe kjo ishte përgjakja e Institutit domethanë, me datën, datën domethanë, 9 mars, i binte 1994 kur dolëm te dera. Një prej kolegëve, Ragip kështu quhet pra, Ragip Mulaku, një prej punëtorëve ma t’tmirë në Degën e Gjuhësisë, sigurisht duke u mbrojtur, ata mendojnë se donë të kacafytet me ta, ia kapin duart ia dredhin {shpjegon me duar}, ia kthejnë mbrapa, e lshojnë poshtë, e qesin kambën edhe e ndëshkojnë shumë, shumë randë.
Prapë një kolege tjetër, Myzafere quhet, Myzafere Mustafa, thotë “E mytën Ragipin”. Sadri Fetiu drejtori, me hy mrena, ne ishim ende këtu domethanë nuk kishim dalë, dhe i thomë, “Nuk bon me dalë!” “Jo,” thotë, “du. Le t’më vrasin”. Ai ishte krejt n’gjak i larë dhe bashkë me Myzaferin dhe me, na tretë hijmë, por ata me Ragipin kryen punë. Nuk e lshunë pse himë na, por megjithatë e lëshuan. Kur u afrum te xhamat, te dera, na dhanë një përplasje shumë të madhe, sa për fat unë i ngrita të dy duart {shpjegon me gjeste} edhe e mbrojta këtë pjesë kështu. Dhe kështu dolëm prej atyhit të përgjakur, me dhëmb të thyer, me nofulla të thyera, me dur të thyera, me kambë, me trup të lënduar, dulëm jashtë. Ata e kishin mbyllë këtë hyrjen ktu te semafori lart te menza e studentëve dhe semafori tjetër poshtë nuk kishte qarkullim të veturave po as të njerzve.
Por kur dulem poshtë, sa u nisëm për shpi të shëndetit, te ndihma e parë, kur dulëm aty plot rruga njerëz, qarkullonin njerzit, o Zot thojshe ti o festë. Ne ishim natyrsht të përgjakur, vazhduam rrugën deri në shpinë e shëndetit ku kishte nevoj për ndihmë të parë gati secili dhe kështu domethanë. e kaluam ri-pushtimin e Institutit dhe nuk na lanë për t’u kthyer këtu ma. Pastaj me do marrëveshje që ish edhe lojë e Serbisë dhe të tjerëve sigurisht, na lshunë Institutin pak para se të fillojnë, pak para se të filloj lufta. Mirëpo edhe ajo nuk zgjati shumë, deri në atë kohë ne vepruam në “Kodër të Dillit”, kabineti im që ishta përgjegjës i degës me dymbëdhjetë punëtor, ka pasur dymbëshjtë metra katrorë, aq të takon edhe në burg bie fjala nëse shkon. Por, aty punohej me tri ndrresa, prandaj thashë kemi pasur shumë rezultate, rezultate të jashtëzakonshme dhe kemi merituar të kemi një status pak ma të mirë sot (buzëqesh) në vitin 2016, sesa që e kemi.
Erëmirë Krasniqi: A flasim për luftën qysh keni kalu ju dhe familja juaj?
Zymer Neziri: Po familja ime, natyrisht familja e gjerë dhe e ngushta këtu në Prishtinë nuk kaloi mirë, për shkak se këso kohe, shumë familje dhe shumë njerëz që duhej të largoheshin nga Prishtina, sidomos na që i kishim punët ma keq se të tjerët. Së paku për biografinë që e kishim, por edhe një aktivitet në rrethana shumë të thella, si i thonë, të asaj që quhet lidhje me shtabe të brigadave, lidhje, lidhje me luftëtarët në front, duhej, duhej të ruheshe shumë. Bie fjala, mua më sugjeruan që të largohesh thashë, “Jo, nuk do të largohem, se unë do të jem shembull i keq për gjashtë qind familje në lagjën ‘Qafa’, nuk do të largohem”. Dhe merre me mend aso kohe vjen një fatkeqësi familjare, jo shumë e vogël, gruja e then krahun, po, duke u munduar t’pastroj bojlerin, i rrëshet kama edhe bjen poshtë edhe e zenë këtë pjesë {tregon me dorë}, dy copash. Dhe tash, ajo ishte krejt në gips {shpjegon me dorë} e mobilizuar. Fëmija të vegjël, njoni dhjetë vjeç djali, tjeri njëmbëdhjetë, vajza qaty dikun afër me ta, domethanë ishte një familje që nuk mund të përballej me Serbinë, po me durë thatë.
Po jepnim një shembull moral edhe një shembull kombëtar pra, që të mos largohemi. Dhe kjo zgjati aq sa zgjati. Dhe e dini filluan pastaj bombardimet e NATO-s, në kohën e bombardimeve, në natën e parë e kaluam në banesë. Po, pata thirrje nga Gjermania, nga Amerika, nga Zvicra nga viset e tjera. “Amon mos i merr fëminë në qafë, nëse shkon ti, bile këta le t’shpëtojnë se i merr n’qafë ata”. Mirë, dola anej rruge te një i anës sime atje, bamë natën e dytë edhe m’u mush mendja, dojmë me dalë prapë m’u kthye n’banesë. Edhe dalim, pesë sa ishim: unë, gruja, tre fëmijët. Kalum rrugën hyjmë, kur vijmë knej djali i madh thotë, “Babë, milicia janë te hymja jonë”. Mirë, u kthyem hymë n’hymje tjetër, u ngjitëm në katin e parafundit m’duket, te një shok dhe nejtëm një kohë aty.
Pas dy ore, trive, dolëm. I thomë djalit, “Vazhdo ti knej, unë po shkoj anën tjetër”, kqyrim domethonë a jonë hymjet e lira apo ka policë. Edhe del djali thotë, “Jo,” thotë, “nuk ka”. Ata paskan pa hy policët mrenda, ngjitën nëpër kate edhe kanë marrë, kanë lype karrika për mu ulë, po, dhe domethanë s’ka pasë polic deri n’katin e dytë. Thotë djali, “S’ka”, dhe ne u ngjitëm. Kur u ngjitem, thotë gruja (buzëqesh), “Milicia jonë hi mrenda.” “Ku janë?” Thotë, “Kenë te dera.” “Çka lypën?” “Karrika.” Tha, “Iu kanë vyjt në strehimore”. Se s’kemi pas naj karrikë t’mirë kumedit çfare, tha, “Edhe shkun përpjetë”. Dhe na nuk e dishim ç’po ndodh, fare. Ata paskan pa ardh dy patrolla të policisë 24 orëshe domethanë, edhe të patrollojnë edhe të rujnë.
Njo, një hyrje edhe një tjetër në katin e gjashtë, po kanë ardh shkaku i katit të gjashtë, shkaku se, katin e gjashtë qenka vendosur një komandat i policisë, policisë të veprimeve të shpejta një që nuk e harroj emrin e tij natyrisht me mbiermin, Bajraktarević. Dhe tash shkaku i tij domethanë, t’rujnë këta poshtë edhe njëherit roje atij lartë atje. Dhe tash domethanë kanë vendosur një shtab, sepse si duket miqët e tyre në NATO pra i kanë lajmëruar për ditën e sulmeve dhe këta i kanë hequr disa komanda nga ajo pikë aty ku kanë sulmuar pra, në qendrën e komandimit në oborrin e Ministrisë së Brendshme tash. Dhe ai njeri domethanë, është vendosur aty para sulmeve të NATO-s, po, domethanë ata veç e kanë ditur e më vonë doli se një gjeneral fancez ka tradhtuar pra, dhe e ka lamëruar domethanë Jugosllavinë aso kohe domethanë të mbetur dhe u ka thanë që, u ka thanë që domethanë do t’ketë sulme mbi, mbi Serbinë.
Tash ishte problemi si t’dalim nga, nga, nga, nga ndërtesa. Dhe gruja ime me gruen e atij shokut që ishte i vetmi që na hapi derë ni kat më poshtë nën ne, sepse lartë nuk ngjitej kush, domethanë pa dijën e policisë, dhe ato dilnin njëra te furra, “Te Sahiti” kështu quhet dhe tjetra… pak bërllog dhe u bamë aty një banesë e vogël me 30 e sa metra u bamë, u bamë domethanë dy familje. Plus e kishin një të smurë nga veshkat aty, një plak domethanë dhe ishte në nji, nji gjendje jo aq të mirë. Dhe kaloi edhe dita e katërt, dhe ditën e katërt, domethanë krejt qëllimi ishte me m’nxjerrë mu prej aty, jo familjen, por unë me dalë sepse i rrezikojsha t’gjithë.
Edhe ka qenë nji polic i Bosnjës të cilit ia dhanë një banesë si shpërblim aty, domethanë nji polic që sigurisht ka masakruar njerëz në Bosnje, dhe ai ishte nji, nji njeri që s’dinte ç’është policia, ai tamon si qeni kur të shihte vinte mas teje. Po, po, jo si një polic që t’kqyrë në një mënyrë profesionale dhe t’kqyr manej me shpinë t’përcjellë, po. Dhe ishte rrezik, bie fjala, ai të di se jam aty. Bie fjala, se ndonji tjetër nga policët… kështu që thonë, “T’shohim, t’bajmë diçka dhe dolëm nga aty”. Dola unë në t’vërtetë dhe kjo gruja e këtij shokut tim, mikut tash, po thom një njeri që i kam borxh, si thonë, tanë jetën dhe fëmit e mij, që pati guximin me m’marrë mrena me familje. Ka qenë ni pikë t’cilën e fiksonim ne, domethanë nga pamja e dritareve dhe në qoftëse nuk nalesh aty, domethanë, nuk ka rrezik [në] qoftëse nalesh vazhdimisht duhet mu ndalë aty n’atë pikë.
Dhe ne i përcjellshim edhe gruen time edhe gruen e tij, se në qoftëse domethanë ka rrezik, e hetojshim rrezikun. Dhe unë morra sinjal, domethanë shejë që nuk, nuk jonë policët te dera, sepse krisi një pushkë. Ata lshuen pikën kalunë në mes, se n’mes t’oborrit ka qenë edhe një makinë e kështu e, e pa mbulume me një pushko-mitrolez që sillej aty. Prapa njësia tjetër, se ata e mbushën poshtë atje depotë, depon e armëve domethanë e banë atje poshtë ku i kishim ne domethanë garazhdë ku jonë tash. Dhe unë dola, kur dola asaj gati e lshunë kambët dhe thotë, “Kuku për mu,” thotë, “na qujnë tradhëtarë për jetë t’jetëve,” thotë, “me bo me t’zanë.” “Po, hiç mos ki gajle”, kalova aty nëpër tunel. Kalova rrugën, dola n’atë familjën ku ishim vendosur domethanë ma herët, quhet familje Iberdemaj, i kom edhe nga ana ime atje nga Shtupeqi dhe mund t’merrni me mend në një largësi prej tetëdhjetë metrash vi ajrore. Domethanë mbi tetë orë, familja ime është zhvendosur nga kjo pikë, në pikën tjetër. Domethanë, që t’mos biem në sy. Shko te buka merre një fëmi, kthehu këndej dej te skaji lsho fëminë, me dalë anej, hajde vet këndej, del mas dreke me tjetrin, tjetrin domethanë t’mos biem n’sy.
Shkum atje, u vendosëm, na pritën mirë, hapsinë kishte mjaft dhe mirë kaluem vetëm dy-tri net dhe erdhën nji bandë paramilitarësh e plaçkitën familjën që kishte punët mirë, na plaçkitën edhe neve çka kishim me dokumente, me tytën e automatikut këtu n’zverg {shpjegon me dorë}, bile une morra këtë djalin e vogël, u tuta i madh pak, i thashë, “Lema mu këtë t’voglin”, grusë, “Merre atë tjetrin”. Po… dhe kryen punë dhe mas një kohe thanë, “Hupni, delni, kini pesë minuta!” Dhe dolëm ne diku nja 17, se aty ishin tri familje tash u bamë, dolëm, na ndalën patrulla, “Ku po shkoni?” S’dishe ku me thanë ku po shkoj, tregum që na kanë qitë tha, “Në orë policore?” Shkuen ata, atëherë na vendosëm m’u kthye. Por, jo m’u kthye me na hetu ata, por m’u çkepë nëpër atë lagje aty “Tophane”, dhe me hy ka pak, ka pak si me hi me vjedh, edhe hymë u bomë bashkë dikur.
E kryem atë natë, e kryem edhe ni natë tjetër, po çka ndodhi erdhën të tjerët. Ata erdhën n’uniforma, n’uniforma ushtarake, kishte edhe paramilitarë me ta, edhe veprunë si këta t’parët, po thanë, masi kryen punë thanë, “I keni vetëm tre minuta! Nuk jemi ata t’pesë minutave”. Domethanë, ata e dinin se ka qenë dikush para tyre aty dhe dolëm përsëri, dhe përsëri na ndodhi e njejta prapë, na ndalën patrullat thanë, “Është orë policore ushtarake, nuk ka lëvizje”.
Erëmirë Krasniqi: A nuk ju drejtojshin ka trenat, a najkun?
Zymer Neziri: Po dëgjo, kjo patrulla menjëherë (buzëqesh), domethanë me dalje prej shpije, me dalje prej shpije… jo na s’ishim nisë te treni, ne vendosëm, ne vendosëm, vendosëm t’mbesim aty, por vendosëm që fëmitë edhe ato dy gratë t’shkojnë. Por natyrisht, kur patëm një rast ashtu kqyrëm doli se makina bënë me ecë, po nuk bënë me ecë se goma ishte e shpërthyme, ai skishte një rezervë dhe kshtu domethanë u kriju kjo situata e re tash. Dhe pastaj përsëri kemi vepruar si herën e parë prapë kemi hy aty si t’gjallë, a si t’dekun dhe nuk kemi dhanë kurrfar shejash mas mesnate. Dhe kaluam aty prapë një natë.
Natën tjetër ndodhi diçka e papëlqyeshme aty, shkaku im pra, me ni tjetër që erdhi aty. Dhe filloi me lujt mendsh dhe paska pasë thanë, “Që shkaku i Zymerit mu kanë me ma vra gruen, kanë me i vra fëminë, kanë me m’vra edhe mu”, se domethanë, “Zymeri s’ka nejtë mirë, ka ba sherr, i ka ba sherr Jugosllavisë,” dhe Jugosllavia me bo me hetue që unë jom këtu, “na vret edhe neve”. Dhe mu gjumin e parë vjen gruja m’thërret thotë, “U tranue Filani”. Atëherë shkova fola me të thashë, “Unë pak i kom bo Jugosllavisë çka e ka lypë, po s’kom mujtë me i ba ma shumë, pra ba i kom, po sa kam mrri me i ba, pra ti paç shëndetin, edhe gruja, edhe fëmija edhe keni me shpëtu me siguri sepse unë s’ju rrezikoj”. Edhe i kom thanë grues, “Si t’dahet pak agu, si t’del, unë t’përcjelli domethanë prej tavanit naltë, ke me dalë ke me marrë djalin me veti, t’madhin po, edhe ke mu nisë drejt furrës të bukës”. Domethanë, i binte diku ora pesë mëngjes edhe, “Në qoftëse nuk nalesh te stopi, unë e di që rruga është e çelun”, edhe unë po dalë me këtë djalin ma t’voglin, ai dhjetë vjeç, thashë edhe, “po dalim prej ktuhit”.
E kisha një lidhje në “Qafë” me hy në një familje që vinte nga Vushtrria dhe që kishin ni, ni njeri prapë të pa lëvizshëm n’familje, vetëm ata kishin mbetur në “Qafë” në këtë, në ndërtesën e tretë dhe grueja takohej me gruen që ishte, ishe motra e grues t’ni shokut tim dhe ka thanë nëse u vjen puna ngushtë dine që te na e keni ni strehë. Edhe unë u nisa aty. Dola, gruja nuk dha shejë qe o policia, dola me këtë t’voglin si i kemi afruar kësaj ndërtesës A, t’parës, domethanë bamë rrugë krejt nja 50 metra, e u nisëm n’drejtim të B-së, “Babë,” më thotë, “milicia,” djali… andej ka shkoi gruja, ka u nisë me shku te buka një truq polic nja gjashtë-shtatë, thashë, “S’kanë punë me ne”. Vazhdum, atyne nuk ua ka marrë mendja që n’atë kohë jem dalë, edhe u afrumë, himë te ajo ndërtesë, te C-ja. Në atë banesë na pritën mirë, tash gruja kur u shku herën e dytë e ka çu fminë tjetër, tjetër, tjetër. Prapë ni ditë rrugë kemi ba, domethanë m’u ba bashkë në dyqind metra rrugë.
Po… dhe u bamë bashkë n’mramje, n’mramje, n’mramje… sa u shtrue sofra troket dera edhe bukur si shumë, del ky i zoti i shpisë edhe unë e pashë atje n’derë ni kapelë policore ose ushtarake kështu {shpjegon me dorë}, e pashë, domethanë njeri i unifo… uniformum, domethanë vetëm kapelën e pashë, po ma shumë manej nuk pashë, se ata gjatë bisedës sigurisht që është largu nga ai kandi ku unë mund ta shihja. Ai paska qenë një boshnjak i cili paska punuar aso kohe në doganë, doganier, i thotë, “Kojshi,” thotë, “i keni punët keq,” thotë, “edhe na boshnjakët” thotë, “s’i kemi aq mirë,” thotë, “por, i keni punët shumë keq, vetëm një përparësi e keni se grupi i cili ka plaçkitë dhe ka dhunuar në drejtim të stadiumit dhe kësaj pjese të stacionit,” thotë, “ai grup nuk osht’ ma, e kanë menjanu vetë policia, tjetër gja,” thotë, “s’keni ma shumë.” Thotë, “Këtu s’keni të nejtun!” Edhe u detyrum në mëngjes me dal prej atyhit domethanë nga lagjja “Qafa”, natyrisht me dhimtë shumë të madhe dhe jemi nisë në drejtim t’stacion të trenit. Dy-tri patrulla policore i kemi taku nuk na nali kush. Në stacion të trenit njeri i gjallë hiç, dhe me ardhjen e trenit sigurisht nuk e di sa mund të ketë 30-40 minuta jo ma shumë, si prej toke u dukë se po bijnë njerëz.
Erëmirë Krasniqi: Cila ditë e bombardimeve ishte?
Zymer Imeri: Kjo ka qenë data, data 3, 3 prill po. Dhe na kemi hyp normalisht në kupe, po jo normalisht kanë hyp të tjerët dhe u kam ndihmuar që të hypim dhe jemi ba në kupe diku mbi 20 e sa vetë domethanë në një si furrik, po. E kështu ishte ky rrugëtim, domethanë një prej rrugëtimeve ma të vështira në jetën time, jo për veti pra, po them, po për shkak të grus që thashë ishte veshun krejt njanin, {tregon me dorë} këtë rend domethanë me gips, fmitë e vegjël, domethanë të moshës shumë të vogël dhe natyrisht dhimbja tjetër ishte edhe për Prishtinën edhe për Kosovën. Dhe kështu rrugëtum kalum Fushën [Kosovën], kalum Ferizajin, kalum Kaçanikun deri në Bllacë. Bllacën e kalova pesë ditë e netë gati kom ba aty dhe ishte mjerimi ma i madh, domethanë i asaj që quhet prapë Evropë, me policinë e Maqedonisë sidmos me ata, me vdekjet e njerzëve pra, kanë vdekur me dhjeta, dhjeta njerëz. Aty janë mbi njëqind e sa vorre që u banë, ka pas edhe lindje, çka nuk ka pasë?! Ka qenë tmerr, ka qenë ferr.
Dhe prej atyhit manej thanë, “Jo, ka ra, ka ra kolera. Edhe po i lëshojmë të gjithë”, se nuk lëshojshin, nuk lëshojshin dhe kemi udhëtu tanë natën deri në Korçë, në stadium të Korçës. Aty autobusët janë kthyer prapa. Në kushte shumë të rënda në autobusa, ka qenë edhe aty prapë mu lëshue në tregime e drama. Muni me marr me mend njerëzit nuk kan mujt me kry nevojën dhe u dasht me marrë shishe, dhe në shishe kryhet nevoja, me gjujt jashtë, po e tjera e tjera. Domethanë, ke pas një status ma zi se me kanë i burgosun. Dhe rrugëtimi ka qenë shumë i gjatë, nuk e di ka i kanë ra, sigurisht kanë shku anej ka Ohri po m’duket, dhe Korçë.
Pastaj duhej m’u afërue te mjeku, për punë të grues shkum aty. “Jo, duhet me i nxjerr letrat administrata”, deri na i bani gati letrat për me shku ose në Tiranë ose në Durrës, por nuk kish banesa në Tiranë e në Durrës. E gjetem nji banesë të cilën e pagum si në kohën e pushimeve verore (buzëqesh), po bile futbollist ishe ai tipi [pronari i shtëpisë] që jetonte në Itali, njëfarë familja Qendro. Por na nuk kishim të holla, mirëpo mundësitë për me pasë i kishim, se e kisha vëllaun në Gjermani, i kisha nipat në Zvicër e në Amerikë e domethanë mundësitë për me pasë ishin.
Se na pak patëm, edhe qato çka i patëm na i murrën natën e parë në atë bastisjën e parë, dhe natyrisht pastaj në spitalin e Durrësit atje ishte një trajtim i mirë. Unë vazhdova në Tiranë kom shku ma shpesh në Institut, kom taku këta djemtë e luftës që lëvizëshin, kom mbajt lidhje me ta. Pastaj dulën këta të brigadës tonë 136 Rugova dhe e sollën spitalin ushtarak aty, me ndihmën, prapë të tij, Gjeneralit që thashë të Kudosit. Dhe kjo ishte ajo pjesa që natyrisht dhemb, por pjesa ma e dhimbshme ishte se Prishtina nuk pat organizim për vetëmbrojtje, Prishtina nuk kishte. Ata djemtë e njësitit BIA, që quhej njësiti ishte shumë pak dhe nuk kanë pasur me çka, dhe kjo pjesë nuk është planifikuar fare se duhet të zbrazet Prishtina. Dhe ishte ajo pjesa shumë e dhimbshme, shumë e dhimbshme, por lufta ashtu si ishte tash mund t’i qiten bishta, “Ka mujt kështu, kështu ajo… ”, është e përfundume domethanë si proces historik, është i mbyllun. Por kjo nuk do të thotë se u mbyll problemi i shqiptarëve me serbët.
Erëmirë Krasniqi: Kur u kthyt prej Shqipnisë?
Zymer Neziri: Po u kthyem… po, përfundun bombardimet, unë isha në një ekspeditë që e organizuan me të ikurit nga Kosova nga Akademia e Shkencave dhe Institutet, isha disa ditë në ekspeditë me ta dhe u kthym këtu natyrisht në atë kohën e kthimit. E dini në çfarë gjendje ishte edhe në këto familjet tona jashtë Prishtinës? Familja ime kishte dy të vrarë. Në rrethin e gjërë të familjes kështu kusheri, si i thonë, ishin poashtu edhe katër të masakruar. Njëri nga ta ka qenë i burgosus politik dhe i dënuar me vdekje pas Luftës së Dytë Botërore, ka mbajtur burgun, ka dalë, dhe e kanë marrë. Djali i madh thotë, “Mos ma merrni babën”, ai diku rreth shtatëdhjetë vjeç. Thotë, “Jo, baba po flet shumë.” E vërtetë baba ka fol shumë, se ishte i shurdhër, se nga rrahjet e mëdha nga burgu domethanë e kanë shurdhuar, nuk dinte tonalitetin si ta kordinoj me të tjerët kur fliste. “Po, po flet shumë plaku, hajde edhe ti”, çohet djali i dytë. “Lemni babën edhe vëllaun se janë të moçëm, qe po vij unë”, omethanë, në pushkatim. “Ani hajde, po na nuk po i lëshojna”. Çohet ky tjetri që ka qenë moshatarë i imi, Shaqir e ka pas emrin, edhe thotë, “M’i lëshoni, qe po vij une”. Edhe i thojnë, “Hajde edhe ti”. Edhe e marrin domethanë edhe babën me tre djem i masakrojnë aty në hyrje të Zahaqit në një shpi, me sy me… e pastaj edhe i djegin kështu qe kur i kemi varros domethanë u dasht vetë t’i bësh domethanë katër kufoma.
E kjo ishte ajo pjesa që e kanë përjetuar shumë familje shqiptare në luftën e fundit, është një luftë që ka përfunduar, por nji luftë që si konflikt me Serbinë shumë shekullor me ta, e pastaj shumë lufta, shumë beteja. Nuk ka përfunduar sepse Serbia nuk po donë me u nal dhe nuk po din edhe nuk e ka as vullnetin më të vogël me thanë, “Kom bo keq shumë, po nalna”, qysh ka ditë me thanë një Gjermani pas Hitlerit, po e zamë.
[1] Polonisht: Szpaler, gardh. Përndryshe, mënyrë ceremoniale e rreshtimit në dy rende ballë përballë njëra tjetrës.