Nevenka Rikalo

Uglar | Date: 22 nëntor, 2014 | Duration: 79 min.

Kjo është pritë veçanërisht mirë nga banorët e Uglarit, sepse kur nisëm të organizonim këso lloj takimesh, takoheshim në një kafene ku vetëm burrat shkonin, gratë nuk shkonin. Mund t’a merrni me mend kur e organizuam takimin e parë, të gjitha gratë e fshatit erdhën dhe burrat thonin ‘Shihni këto gra të paturpshme hynë në kafene. Kushedi se për çka do të flasin, e të na ligjërojnë kur të shkojmë në shtëpi!’ (buzëqeshë) Burrat kishin një filozofi ku kafeneja veçanërisht ishte vendtakimi i tyre për marrjen e shkëmbimin e informative, dhe se vendi i gruas është në shtëpi. Përfundimisht, ata miratuan punëtoritë tona, takimet, vizitat, ekskurzionet dhe udhëtimet tona të shpeshta në Prishtinë, dhe vizitat në Rrjet [Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës] e në organizata të tjera. Më vonë, ata thanë se më nuk dinin se ku shkonin gratë, se kishin filluar të mos u bindeshin. Ata kuptuan se ajo situatë duhej të ndërrohej.


Alisa Fejzi (Intervistuesja), Jeta Rexha (Intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamerë)

Nevenka Rikalo u lind në Prishtinë me 1957. Angazhimi i saj në resturimin e marrëdhënieve, edukimin dhe mbrojtjen e gruas në Kosovë filloi në vitin 2000, kur nisi bashkëpunimin me Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës dhe organizata të tjera. Nevenka është krytare e “Dora Dorës”, OJQ e cila mbron të drejtat e grave dhe të rinjëve. Nevenka u diplomua nga Shkolla e Lartë e Biznesit, Departamenti i Informatikës dhe Statistikës. Jeton në Uglar që nga viti 2004. Është nënë e tre fëmijëve – dy djem e një vajzë.

Nevenka Rikalo

Fëmijëria

Nevenka Rikalo: Unë jam Nevenka Rikalo, jam drejtoreshë e shoqatës së grave për ofrim të ndihmave “Dora dorës” nga Uglara. Jam e lindur në vitin 1957 në Prishtinën tonë dhe tërë jetën e kam realizuar ose në Prishtinë ose në afërsi të Prishtinës. E kam kryer shkollën fillore, si dhe e kam kaluar fëmijërinë në Fushë Kosovë, pastaj shkollën e mesme e kam kryer në Prishtinë në Qendrën teknike. Pas mbarimit të shkollës së mesme, e kam regjistruar fakultetin, por për shkak të disa arsyeve nuk e kam përfunduar, por për këtë arsye më vonë kam arritur që në moshën pak më të vjetër të përfundoj shkollën e lartë të biznesit, dega informatikë dhe statistikë.

Sa i përket fëmijërisë sime, mud t’ju them që ajo ishte shumë e bukur. Kemi jetuar në një mjedis ku jetonin njerëzit nga viset e ndryshme të Serbisë, Kosovës. Babai im ka qenë shofer i trenit me profesion, punonjës hekurudhash, ashtu që kemi jetuar në një ndërtesë të hekurudhës dhe kishte njerëz nga vise të ndryshme. Janë gërshëtuar kultura të ndryshme dhe ndikime të ndryshme. Mund të them që kemi pasë fat që kemi qenë në afërsi me fqinjë shqiptarë me të cilët kishim marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Ndoshta falë asaj që nëna ime është me origjinë nga Podujeva, dhe fqinja e cila ishte e martuar në atë familje është gjithashtu nga Podujeva, ashtu që ne me vite jemi shoqëruar dhe kemi zhvilluar miqësi të përbashkët. Fëmijët shqiptarë janë shoqëruar me fëmijë serb dhe me ne, kemi luajtur dhe jemi shoqëruar normal, me atë që një kusht ishte që fëmijët shqiptarë të dijnë gjuhën sërbe sepse ne në atë kohë ne as nuk mendojshim që duhet të dijmë shqip (buzëqeshë).

Alisa Fejzi: A keni ndonjë tregim interesant të fëmijërisë?

Nevenka Rikalo: Kemi pasur një plakë nga Kroacia, e cila i strehonte macet dhe e cila kishte shumë kujdes që rreth ndërtesës sonë, e cila përndryshe ishte e përbërë nga tri ndërtesa në të cilën jetonin të paktën 50 familje, gjithmonë të jetë pastër, dhe çdo herë organizonte ndonjë fushatë ekologjike. Ashtu që ne së bashku me të vazhdimisht merrnim pjesë në pastrimin e mjedisit tonë dhe gjithmonë kemi pasur terren të rregulluar bukur përreth ndërtesës sonë. Ajo, edhe pse ne rregullisht e kemi ruajtur pastërtinë, na ofronte ëmbëlsira dhe kështu thjesht na edukonte që ne duhet të jemi të pastër, që duhet të respektojmë të moshuarit, dhe njëkohësisht të shoqërohemi dhe së bashku, në mënyrë ekipore të bëjmë ndonjë punë.

Alisa Fejzi: Si ishin prindërit e juaj?

Nevenka Rikalo: Çfarë t’ju them, prindërit e mi për mua janë veçanërisht të dashur, si do që e kthejmë, ne të gjithë i duam nënat dhe babatë tanë. Nëna ime është nga Serbia, babai është nga Kosova, të dytë janë lindur më 1934. Kur ata u martuan, mund t’ju them se nëna ishte shumë më përparimtare në shumë mendime sepse ajo erdhi nga një familje që tashmë kishte traditë të shkollimit të fëmijëve, të punësimit, ndërsa në familjen e babait shumë pak njerëz ishin të shkolluar. Nën ndikimin e nënës babai e ka përfunduar shkollën e mesme, dhe më pas ai u bë një nga mjeshtërit e dalluar në hekurudhë. Ashtu që sa herë u paraqitke ndonjë lokomotivë e re, ndonjë seri e re e autobusëve hekurudhorë, lokomotivave, dizell makinave, lokomotive me avull, baba im gjithmonë shkonte në trajnim profesional për të mësuar se si ngasën ato makina që më pas njohuritë e tij t’ju përcjellë kolegëve  të vet.

Nëna kishte një ndikim të madh në babain, sepse babai ishte i edukuar në mënyrë mjaft patriarkale, ndërsa nëna me botëkuptime përparimtare, kështu që, kur u bonën me tre bija ishte pyetja a do të kenë më shumë fëmijë apo jo. Dua të theksoj se në vitin 1957, kur më morrën mua nga spitali, dhe kur ktheheshin në shtëpi nëna dhe babai, babai më mbante nëpër fshat, kështu që shumë njerëz ishin të habitur dhe thojshin, “Shikoje këtë, e mbanë vajzën nëpër fshat!” Mashkulli mund të mbante vetëm djalin, si krenari, atëherë vetëm djali llogaritej si fëmijë.

Alisa Fejzi: Si ishte jeta kur ishit të rinj?

Nevenka Rikalo: Edhe pse ishte vetëm një pagë, vetëm babai punonte, nëna jo, ne të katër e kemi respektuar shumë dhe e kemi mbrojtur, që mos të punonte shumë punë që një mashkull ndoshta duhet t’i bëjë në shtëpi sepse vetëm ai sillte rrogë. Ashtu që ne nuk mendonim se a është punë për mashkull apo femër, ne kryesisht i përfundonim të gjitha – qoftë të copëtohen drunjët, të sjellet qymyri, të ushqehen kafshët shtepiake, të përpunohet toka, çfarëdo… Nuk i jepnim shumë vëmendje kësaj ndarje të punës… Mund të them se fëmijëria jonë ishte e lumtur sepse kemi pasur mundësi të shkojmë çdo vit në det, edhe pse ishte një rrogë, që të ndërtohet edhe një tjetër objekt banimi, edhe pse kemi pasur banesë, ndërtonim shtëpi…

Pastaj, kishim mundësi normalisht të dalim për vallëzim, në shetitore, të shetisim nëpër Prishtinë, të shkojmë në kinema, të vishemi bukur… Dua t’ju them se në atë kohë nuk kishte asnjë dallim klasor, të gjithë kemi pasur pothuajse njëjtë. Sot ju mund të shihni se fëmijët të cilët janë më të pasur kanë atlete prej 100 ose 200 euro. Prestigj i tillë dhe modë e tillë nuk ekzistonte. Dihej, të gjithë kishim atlete universale, sandalle, qe disa modele ishin të veçanta për ne të ri, por të gjithë ne ishim në të njëjtin rang.

Një nga ngjarjet që ishte interesant për mua ishte kur një ditë me shi ktheheshim nga shkolla, unë gjithmonë mbi shpinë e kam pasur çantën {tregon me duar}, sepse nëna praktikonte që kurrizi ynë të jetë i shëndetshëm dhe i drejtë, çdo here na merrte çantë shpine. Duke u kthyer kështu nga shkolla, së bashku me fëmijët shqiptarë dhe serbë, më kujtohet që isha në klasën e tretë, kemi kaluar afër një pellgu, ku një djalë më ka shtyer, unë kam marrë në thua dhe kam ra në ujë (buzëqeshë), atëherë Sanija, fqinja jonë, e ka marrë çantën time dhe e ka marrë në shtëpi, por nuk ma ka dhënë mua për ta mbajtur, por e ka marrë në shtëpinë e saj, m’i ka tharë fletoret dhe m’i ka kthyer librat dhe fletoret e thara (buzëqeshë). Kjo ishte për mua disi diçka më interesante, dhe kur nëna ime pyeti, “Çfarë ka ndodhur?” Ajo ka thënë, “Po qe u shtyem nga pak, kështu që Nena ra në ujë”. “Mirë, Nena ka ra, po ti?” Ka thënë, “E di çfarë, mos na pyet më teta Bina, na jep për të ngrënë atë bukën tënde që e ki pjekë, unë preferoj të ha bukën tënde, më shumë se te nënës sime kur ajo e pjekë!” Pra, ne i ndanim edhe të mirat edhe të këqijat, më kuptoni, ne kurrë nuk i kushtonim vëmendje a do të ha unë tek ata apo ata tek ne. Ne shoqëroheshim, ne shkonim tek ata për të uruar Bajramin, ata vinin tek ne në sllavë[1]. Kjo ishte një miqësi e sinqertë, ndoshta për shkak se ato dyja ishin gra nga i njëjti vend dhe preferonin të shoqëroheshin.


[1] Slava është pjesë e traditës ortodokse serbe. Njëherë në vit çdo familje e feston ditën e një të shenjti specifik i cili besohet se është patroni mbrojtës i familjes.

Rinia

Gjatë rritjes sonë, përveç nënës së përgjegjshme e cila e dinte saktësisht se çfarë dëshiron dhe çfarë dëshiron të bëjë nga ne, vazhdimisht na udhëzonte që ne duhet të mbështetem në njëra-tjetrën, mendoj ne motrat. Këto dy motra janë më të reja se unë, njëra dy vjet e gjysmë, tjetra pesë vjet më e re se unë, unë isha më e vjetra. Nëna gjithmonë ka thënë, “Ke kujdes, ti je më e vjetër, duhet të jesh shembull për to, duhet të dish se çfarë duhet të bësh dhe si do ta bësh atë. Duhet të mbështeteni në njëra-tjetrën, të dëgjoni njëra-tjetrën, të merreni vesh.” Ndoshta kjo më vonë më ka ndihmuar në jetë, që unë çdo herë të kem ndonjë mbështetje dhe gjithmonë të kërkoj mbështetje. Jo vetëm që e jap, por kërkoj për dhe nga të tjerët të japin. Ashtu ishim edhe të edukuara.

Ndarja e detyrave në shtëpi ishte e jashtëzakonisht, e rreptë. Nëse një javë njëra gatuante, tjetra rregullonte, e treta pastronte, ky rend ndryshonte, kurrsesi nuk bënte që të gatuante vetëm njëra ose të rregullonte vetëm njëra. Për nënën paraqiste kënaqësi që kur ne i përfundonim të gjitha këto punë mundeshim pastaj të shoqërohemi me shokët dhe shoqet tana. Ishte e veçantë kjo tek ne që njëjtë jemi shoqëruar me mashkujt dhe me femrat. Pastaj përmes këtij shoqërimi shkonte edhe marrëveshja për shkuarje ose në korzo[1] në Prishtinë të shetisim prej shtëpisë së vjetër të mallërave deri tek “Avala”, ashtu u quante kafeneja, në shëtitore.

Ose nga shtëpia e vjetër e mallërave deri tek shtëpia e re e mallërave, ai relacion na ishte ashtu, interesant (buzëqeshë). Në atë shetitore ishin dy kolona. Në anën e majtë {tregon me duar}, nëse niseni nga shtëpia e re e mallërave kah shtëpia e vjetër e mallërave, shëtiste popullata shqiptare, ndërsa kah ana e djathtë jemi ne. Ashtu që kishin dy rreshta – njëri që shkonte afër skajit, prej shtëpisë së vjetër të mallërave kah shtëpia e re e mallërave, ashtu ktheheshin, dhe ne ashtu njejtë shëtisnim kah ana e djathtë. Bëjmë dy-tre rrathë dhe pastaj shkojmë në shtëpi me autobus për Fushë Kosovë.

Mund të shkonim në cilën do kafene, edhe që atëherë rrallë u shkojke në kafene, por për atë arsye ëmbëltorja ishte interesante dhe normal afër monumenteve të rëndësishme të cilat ishin në mjedisin tonë. Mund t’ju theksoj që edhe unë isha njëra nga aktivistet e cila vallëzonte gjatë në folklor, dhe kam marrë pjesë në paradë e cila është përgatitur për 25 maj, për ditëlindje të shokut Tito, ky ishte një nder i veçantë dhe manifestimi që ne të marrim pjesë në stadion në Beograd dhe t’i dorëzohet stafeta shokut Tito, kjo ishte në vitin e largët 1974 (buzëqeshë). Kështu që unë edhe këtu jam krenare, edhe në këtë aktivitet, ku në këtë manifestim ishin së bashku edhe fëmijët serbë edhe shqiptarë dhe të gjithë përpiqëshim të kryejmë punën ashtu siç duhet, të respektojmë njëri-tjetrin, të mbahemi për dorë. Nuk ka pasur ashtu: {tregon me duar} ai është shqiptarë, nuk do t’ja zgjas dorën, ose ajo është shqiptare, nuk dua të flas me të. Kishim koreografë të shquar të cilit çdo herë na thonin, siç kishte me thënë shoku Tito, që vëllazërimi dhe bashkimi duhet të ruhen si bebëza e syrit. Ashtu sillëshim dhe na edukonin që të vlerësojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin.

Alisa Fejzi: Cilat ishin sfidat e të rinjëve në Jugosllavi?

Nevenka Rikalo: (psherëtinë) Sfidat… E dini si, ishte interesant, ju kam theksuar më parë, kushdo që ishte i interesuar të mësonte, kishte mundësi të mësonte, shkollimi ishte falas, i flas ato gjëra pozitive, sepse ato gjëra pozitive edhe i kanë udhëzuar njerëzit që të kenë jetë cilësore dhe shumë më të mirë. Mos mendoni që në atë kohë nuk kishte sekte, që nuk kishte drogë, që nuk kishte dhunime, që nuk kishte vrasje, por ato ishin në një masë shu22më më të vogël se sot. Unë mendoj që shkaku i vet izolimit të njerëzve, shkaku i obligimeve të shumta të prindërve, që nuk mund të jenë me fëmijët, që nuk mund të flasin, t’i përcjellin, që të shohin se çfarë bëjnë fëmijët e tyre është sfidë e madhe që fëmijët ta humbasin atë rrugën e drejtë kur duhen të edukohen dhe të fitojnë një besim edhe tek prindërit edhe në mes vete. Kishte sfida të provojmë drogën, ajo ishte ajo hajde të qesim bensedin në verë, ose në koka kollë, të shohim si do të reagon.

Të gjithë këtë e kemi provuar, e kami parë që nuk është diçka interesante por nuk kemi vazhduar më tutje sepse si të keni ju ndonjë aktivitet tjetër, ku merreni me sport, që duheni të shkoni në folklor, në ushtrime… Atëherë kishim mbledhje rinore si anëtarë të rinisë, pastaj Lidhjes së Komunistëve. E dini çfarë do të thonte të jeni i propozuar për të qenë anëtar i rinisë? Duhet të jemi shembull, nxënës të mirë, të respektojmë njëri-tjetrin, mos të grindemi, mos të bëjmë probleme, mos të gënjejmë, mos të vjedhim. Njeriu duhet të jetë pozitiv në të gjitha fushat që të bëhet anëtar i rinisë. Më vonë jam bërë edhe anëtare e Lidhjes Komuniste edhe që ajo nuk ishte për mua shumë e rëndësishme sepse nuk e dua politikën (buzëqeshë), më shumë e dua atë punën praktike dhe shoqërimin në mes të njerëzve dhe të kemi prapë atë lidhje të cilën duhet të kultivojmë dhe ruajmë.


[1]Rruga kryesore, e rezervuar për këmbësorë.

Aktivizmi

Nevenka Rikalo: Kemi filluar me edukim të grave së pari me qepje dhe prerje të rrobave (buzëqeshë), ky ishte një kurs fillestar ku na ka ndihmuar Violeta Selimi. Ajo sot punon në OSBE, ajo ishte kordinatorja jonë e parë, ja shqiptare, prapë shqiptare e cila na ka ndihmuar … Ajo na ka ndihmuar që të organizohemi, na ka sjellur materialin nga Prishtina, qoftë ai material për qepje ose për thurrje, ajo na ka ndihmuar që të fillojmë me ato aktivitetet tona. Mund t’ju them që rol të veçantë në punën tonë ka pasur Igballe Rogova, përndryshe kryetare e Rrjetit të Grave të Kosovës. Ajo ka kërkuar takim me neve për të parë ku punojmë, çka punojmë, si punojmë dhe pastaj të na thërret që t’ju bashkangjitemi, që ne normal e kemi bërë. Në vitin 2000 dhe 2001 ne tashmë ishim aktiviste të cilat bashkëpunonim me Rrjetin e Grave të Kosovës. Unë këtë me krenari e them që kjo ishte njëra nga masat pozitive të cilat, jo vetëm Igballja e ka ndërmarrë por edhe anëtaret nga organizatat tjera, sepse kjo nënkuptonte shtrierjen e dorës së pajtimit në mes të komunitetit serb dhe shqiptar.

Mund t’ju theksoj që kemi bashkëpunim shumë të mirë me organizatën joqeveritare “Open Door,” me Belgjyzare Muharremi, ashtu quhet gruaja e cila udhëheqë atë organizatë joqeveritare. Me të organizojmë punëtori të tjera që promovojnë të drejtat njerëzore të grave. Kemi pasur aktivitete me gratë dhe të rinjtë. Periudha 15 vjeçare është një kohë e gjatë kur ne edhe vetë kemi menduar dhe kur kemi dëshiruar të zgjedhim shumë probleme në komunitet. Problemi më i madh në fillim, në vitin 2001, ishte ruajtja e shëndetit të grave. Kishte mjaft sulme ndaj njerëzve të komunitetit serb. Duke falenderuar organizatën “Kvinna till Kvinna” ne kemi organizuar qendra në fshatra ku kemi ftuar mjeken e cila bënte vizitën dhe kontrollin e grave që jetojnë në fshatra. Pastaj kemi organizuar punëtori mbi edukimin parandalues të grave lidhur me ruajtjen e shëndetit të tyre.

Kemi ndjekur gjendjen e tyre psiqike sepse nga viti në vit shëndeti i grave ështe rënuar. Nëse ju vazhdimisht jetoni nën ndonjë presion, tension, çfarë do të jetë nesër, pa mbështetje financiare, në një ambient të mbyllur ku nuk keni informacione normale. Një izolim informativ, lëvizje nën stres të vazhdueshëm – a do të shkatërrohet autobusi, përcjellja e KFOR-it, mungesa e mjekëve, mungesa e barnave, të gjitha këto kanë ndikuar në vet shëndetin e grave.

Falë Kvinnës kemi organizuar pesë qendra shëndetësore ku na kanë siguruar bashkëpunimin drejtorët e shtëpive të shëndetit nga komuniteti serb dhe kemi kontrolluar të gjitha këto gra. Kështu gratë pas kontrollit i kanë marrë recetat, kështu që ne ju kemi siguruar ilaçet, qoftë në Uglarë ose Fushë Kosovë apo nga Mitrovica, por grave u janë siguruar ilaçet. Pastaj doktoresha Zorica Joviq ka kushtuar vëmendje në përdorimin e qetësuesve, sepse kemi vërejtur që shumë gra kanë kërkuar barërat Bromazepam, Bensedin, ose ndonjë ilaç i cili do t’i relaksonte për të fjetur më mirë. Pastaj sidomos i kemi kushtuar vëmendje kancerit të mitrës, kancerit të gjirit, diabetit, sëmundjeve të fshehura të shkaktuara nga stresi dhe kontrollet e parregullta të mjekut.

Gajtë punës tonë me gratë në zonat rurale besoni që nuk ishte punë e lehtë. Duheshim të adaptonim kohën e vizitës sonë dhe organizimit të aktiviteteve tona sipas kohës së grave në fshat. Dhe mos të flasim që këto gra janë nga zonat ku ato nuk shoqërohen shumë me njëra-tjetrën, ato kanë vetëm një ose dy shoqe tek të cilat shkojnë. Kur i ftoni në një takim 15 gra ky ishte problemi që ato të kyqen dhe të flasin hapur. Normalisht në fillim deri sa nuk kemi arritur t’i organizojmë, që ato të hapen, të munden të bisedojnë mes vete dhe të tregojnë çfarë kanë, procesi ishte mjaft i vështirë dhe i gjatë. Neve na u deshtën rreth shtatë-tetë muaj për të punuar me këto gra që ato mos të mendonin që ne mendojmë diçka fyese për to apo që kemi ndonjë dobi nga ajo që kemi ardhur tek ato.

Shpesh ka ndodhur më vonë se kur ndonjë grua ka folur ose pyetur për ndonjë sëmundje atëhere i ishte ekspozuar talljes së grave tjera në fshat sepse ato kanë menduar në këtë mënyrë, “Aha, ajo është e sëmurë nga kjo dhe ajo. Nëse them që jam e sëmurë nga diçka, i tërë fshati do ta dinë që unë jam e sëmurë nga tensioni, zemra ose diçka e ngjajshme.” Në atë kohë është konsideruar turp që të shprehet në publik nga çka vuan. Kështu që ne ashtu pa këmbëgulje përmes disa pyetësorëve dhe analizave tona kemi ndjekur gjendjen e tyre dhe kemi filluar t’i hapim ato, që ato të janë më të hapura për bisedë. Përmes bisedës kemi mësuar se shumë prej tyre janë të ekspozuara si ndaj dhunës fizike ashtu edhe ndaj dhunës psikologjike.

Pastaj u kthyem për t’i këshilluar përmes edukimit shëndetësor që të njohin dhunën, që të njohin se ndaj çfarë lloji të dhunës janë të ekspozuara. Tek ato [gjëra si] burri ta shajë, ta godasë, ta dëbojë nga shtëpia, dhe ajo më pas të kthehet, ajo ishte dukuri normale. Por, kur kemi filluar të flasim për llojet e dhunës, për ndarjen, cilat janë sanksionet, si veprohet, atëherë ato u mbyllën përsëri (buzëqeshë). Kemi kuptuar se nuk mund të shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ngadalë, gradualisht.

Kemi punuar me to edhe fuqizimin ekonomik, pikërisht për atë që të forcojnë vetëdijen e tyre dhe mënyrën e të menduarit, që të mund të fitojnë jo vetëm njohuri por edhe vetëbesim që gruaja mund të bëjë diçka edhe vetë. Ishin shumë të guximshme kur është dashur të qitet produkti i qumështit, qoftë djathi, qumështi ose vezët, në treg, gjithmonë në treg kishte më shumë gra seburra. Por parat të cilat ato kthejnë në shtëpi nga tregu duheshin t’ja japin burrit. Kemi filluar të flasim me to që edhe ato duhet të jenë ato që marrin vendime si duhet të shpenzohen paratë. Të gjitha ato kanë folur që edhe se kanë para për çfarëdo aktiviteti, apo ndonjë gjë, në rend të parë ishte shëndeti i fëmijëve dhe edukimi i tyre. Për fëmijën femër a ka të holla apo jo, do të shohin, por për fëmijën mashkull kanë bërë përpjekje të dërgohet jashtë Kosovës, të shkoj në Mitrovicë për të studiuar, ose në ndonjë qytet tjetër, të sigurohet akomodim privat, ndërsa për fëmijën femër kjo nuk ishte me rëndësi në atë masë.

Kemi filluar në këtë mënyrë të ndikojmë në ato që ato së pari vijnë në edukim, që të mund të fillojnë ndonjë biznes. Dhe mund t’ju them se kemi organizuar rreth dhjetë gra që punonin në prodhimin e petëve për pite, prodhim të mjaltit, kanë fituar serra, kështu që kanë mundur së bashku me burrat dhe anëtarët e familjes të prodhojnë domate, speca, turshi dhe pastaj këto produkte t’i shesin në treg (psherëtinë). Më interesante është se kur e pyesnim një grua se si ndjehe tani kur ka fituar serrë në emër të saj, ajo do të thoshte, “Tani burri më dëgjon më mirë!” (buzëqeshë). Kjo për neve do të thoshte që rezultati është arritur, që vetëdija është duke ndryshuar ek ajo , sepse nëse gruaja ka mbështetje ekonomike dhe mbështetje familjare, shumë më mirë dhe më lehtë do të përmbushë disa synime të saja se kur është pa kurrfarë mjete.

Pastaj së bashku jemi nisë drejtë mbrojtjës së grave nga dhuna në familje ku kemi pasur shumë problem, për këtë aktivitet, por kurrë nuk kemi folur haptaz se kjo mbrojtje duhet të bëhet, por gjithmonë përmes një shembulli, gjatë punës në punëtori, takime, konferenca, kemi treguar përvojat e grave të tjera që ato përmes këtyre përvojave t’i njohin nevojat e tyre dhe problemet e tyre. Mjaft është ky mjedis në të cilin gruaja vështirë guxon të thotë që vuan një lloj të caktuar të dhunës për shkak të vetë traditës dhe edukimit, për shkak të vetë qëndrimit ndaj dhunës, kjo është turp. Edhe nëse ndonjë familje nuk jeton mirë, edhe nëse gruaja dhe fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës, më shumë ka gjasa që vetë komuniteti ta fajësojë gruan, se ajo nuk është në gjendje ta organizojë jetën, që të jetë më pak e keqtrajtuar, që duhet të jetë e ndëgjueshme. Këtë mbështetje gruaja kurrë nuk e kishte, dhe madje edhe kur e ka lajmëruar atë dhunë nga burri saj, apo nga familja, nga vjehrri ose kunati i saj, nuk kishte atë mbështetje as nga prindërit e saj, prindërit e kanë konsideruar se ajo është një fëmijë femër në shtëpi të huaj dhe që ajo duhet të sillet në përputhje me rregullat dhe masat që përcakton ajo familja tjetër në të cilën vajza e tyre jeton.

Duke parë se me gratë kemi rezultate (psherëtinë) kemi nisur një iniciativë të punojmë jo vetëm në Uglarë, jo vetëm në territorin e Fushë Kosovës, por kemi nisur një aksion të përbashkët me një organizatë joqeveritare “Shtëpia jonë” nga Novobërda dhe organizatën joqeveritare “Luna” nga Priluzhja. Tani tri organizata kanë krijuar një koalicion për mbrojtje të grave nga dhuna në familje. Ne u bëmë të njohura që mund të japim këshilla sepse në vitin 2009 kemi hapur SOS këshillimore dhe mund t’ju them se kemi pasur shumë sukses me këtë. Kemi pasur juriste dhe psikologe të cilat kanë ofruar ndihmë edhe juridike edhe psikologjike edhe sociale për gratë kur ato vinin dhe kërkojshin nga ne të jenë të mbrojtura. Në veçanti mund t’ju them se kemi arritë bashkëpunim me zyrtarë të policisë së Kosovës dhe zyrtarë të qendrës për punë sociale të cilët janë vizitorë të rregullt në punëtoritë tona që i mbajmë me gratë.

Gjatë vitit 2013 kishim gjashtë punëtori me gratë nga komuniteti serb në zonat rurale ku ju kemi treguar për Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe gjithashtu për mekanizmat që mund t’ju ndihmojnë për mbrojtje nga ana e Qeverisë së Kosovës. Sa i përket vetmbrojtjes rezultatet janë shërbimet tona të ofruara, të them ashtu, ku gruaja është këshilluar se si ajo mund të mbrohet dhe çfarë mjete mund të përdorë. Më besoni, edhe pse ato kanë ardhur për ndihmë ligjore dhe psiko-sociale, rrallë ndonjë prej tyre ka vendosur për të dalë nga ky cikël i dhunës. Por ne kemi pasur edhe mënyra të tjera të punës, për shembull me komunitetin…

Gjatë vitit 2013 i kemi pasëtë organizuara gjashtë punëtori me gratë nga mjediset rurale në njohjen e dhunës në familje. Në këto punëtori domosdo kanë marrë pjesë zyrtarët e qendrës për punë sociale dhe përfaqësues të policisë së Kosovës. Përfaqësues nga gjyqësori nuk kemi ftuar sepse gratë kishin frikë nga avokatët dhe gjykatësit sepse vetë procesi i divorcit nënkupton një periudhë nepër të cilën gruaja e kalon me vështirësi. Ne kemi shikuar t’ju ndihmojmë me këshilla që vetë gruaja të fiton besimin dhe të vendosë a do të divorcohet apo jo. Në përgjithësi, e kemi përforcuar vetëdijën rreth asaj që nuk duhet të vuajë dhunën dhe që duhet të tregojë mirëkuptim, që mos të grindet, që mos ta ngrisë tensionin, dhe të shfrytëzojë mënyrën që mund ta qetësojë burrin e saj dhe të përfitojë fëmijët si bashkëpunëtorë të saj në mbështetje kundër dhunës në familje.

Kjo është pritë veçanërisht mirë nga banorët e Uglarit, sepse kur nisëm të organizonim këso lloj takimesh, takoheshim në një kafene ku vetëm burrat shkonin, e gratë nuk shkonin. Mund ta merrni me mend kur e organizuam takimin e parë, të gjitha gratë e fshatit erdhën dhe burrat thonin ‘Shihni gjithë këto gra të paturpshme që hynë në kafene. Kushedi se për çka do të flasin, e të na shesin mend kur të shkojmë në shtëpi!’ (buzëqeshë) Burrat kishin një filozofi sipas të cilës kafeneja ishte vendtakimi i tyre eksluziv për tu mbledhur e shkëmbyer informata, dhe se vendi i gruas ishte në shtëpi. Përfundimisht, ata pranuan punëtoritë tona, takimet, vizitat, ekskurzionet dhe udhëtimet tona të shpeshta në Prishtinë, dhe vizitat në Rrjet [Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës] e në organizata të tjera. Më vonë, ata thanë se më nuk dinin se ku shkonin gratë, se kishin filluar të mos u bindeshin. Ata kuptuan se duhet ta ndërronin qëndrimin”.

Këto gra ishin të moshës ndërmjet 30 dhe 40 vjet, kjo është gjeneratë që vështirë i pranon ndryshimet, mos të flas për gratëe etë moshës sime, unë kam gati 60 vjet. Këto gra tashmë kanë një mendim që nuk ka nevojë për të ndryshuar disa gjëra, unë jam çdo herë për këtë, pse të mos të bëhen disa ndryshime, sepse çdo ndryshim, qoftë i mirë apo i keq, sjell një përvojë të re, një sfidë të re. Kështu që ne thyem këtë paragjykim, këtë stereotip se vetëm burrat duhet të jenë në kafene. Tani është normale që kur ne organizojmë takim, askush nuk reagon, e marrë këtë si sukses tonin, sepse në fillim ne duheshim t’i lusnim gratë për të ardhur në takim, tani vetëm i informojmë se kur është takimi dhe ato vijnë.

Përveç grave dhe mbrojtjen e tyre ndaj llojeve të caktuara të dhunës në familje, ne kemi kuptuar se edhe të rinjtë janë të ekspozuar ndaj dhunës, dhunës së moshatarëve, në mes të rinisë. Se edhe ata kanë problemet e tyre, se ata kanë shumë kohë të lirë, se jeta e tyre sociale është e organizuar keq në zonat rurale, se nuk i kanë disa kushte normale që ne i kemi pasur në të kaluarën, për shembull që të jenë në gjendje të zhvillohen në mënyrë sportive dhe të përparojnë shoqërisht. Në një fshat ju as nuk keni qendër të kulturës, shtëpia e shëndetit është në shtëpi private, stadiumet sportive nuk i kemi të mbuluara, që të kemi sallë tende [të përkohshme] ku mund të mbahen aktivitetet në ambient të mbyllur. Tek katër vite më parë, kemi marrë një sallë tende [të përkohshme] në lagjën Begren, aty janë të vendosur personat e zhvendosur nga Kosova në strehim kolektiv.

Pastaj së bashku me të rinjtë përmes hulumtimeve kemi vërejtur se ata nuk i njohin llojet e caktuara të dhunës midis së moshatarëve tek të rinjtë. Kemi filluar së pari me pyetësorë në mënyrë që të marrim disa informacione, në vendin e parë të cilat tema u interesojnë atyre. Atëherë janë shprehur që u interesojnë rolet gjinore, sëmundjet etransmetueshme seksualisht, pastaj kemi pasur probleme me shtatëzëninë e hershme, me martesat e hershme, nuk i kanë njohur termet gjini-seks, sjellja asertive, mos të flasim për disa aktivitete të tjera që të rinjtë duan të fillojnë dhe në çfarë mënyre mund t’i organizojnë ato. Falë entuziazmit të këtyre të rinjve, të cilët kanë marrë pjesë në folklor si unë, është formuar një grup i djemve dhe vajzave kështu  që ata tani ushtrojnë folklorin. Këtë vit ishin në gara në Bullgari, kanë fituar vendin e parë (buzëqeshë). Problemi është se të rinjtë tani kanë shumë kohë të lirë, shkojnë në kafene, pihet duhani, pihet, luhet bixhozi… Falë ligjit, tani në afërsi të shkollave nuk mund të ketë bastore, dhe tu shiten cigare personave të mitur. Kemi vërejtur se këto ligje respektohen, të rinjët nga pak protestojnë, por mirë është, sepse duhet të kuptojnë se duhet të kujdesemi për sistemin e vlerave dhe ai duhet të respektohet.

Në këtë vitin 2014 ne kishim tri punëtori multietnike me të rinjtë. Janë shoqëruar fëmijët e Prishtinës, Gjilanit dhe nga mjedisi ynë serb nga Novobërda, Priluzhje, Dobrotini, do të thotë nga territori i komunës së Fushë Kosovës, Graçanicës, Prishtinës dhe Novobërdës dhe Vushtrrisë. Këto tri punëtori multietnike na treguan se të rinjtë kanë problemet e tyre, pavarësisht a vijnë nga zonat rurale apo urbane. Së bashku kanë vërejtur që ju mungojnë punëtoritë për internet dhe informatikë, që nuk kanë kabinete të fizikës, kimisë dhe biologjisë. Që kanë shumë kohë të lirë, sidomos fëmijët nga komuniteti serb, që nuk munden të përdorin fusha tenisi apo të organizojnë ndonjë garë tjetër. Ashtu që, çfarëdo që të bëhet ajo duhet të jetë e lidhur me vetë vendin ku ka shtëpi të kulturës apo fushë të rregulluar sportive. Në pyetje se çfarë ne mund t’ju ndihmojmë, ata propozuan që ata vetë të shkruajnë një kërkesë Ministrisë së Arsimit për të siguruar mjete për të përmirësuar njohuritë e tyre, qoftë në fizikë, kimi, bilologi ose edukatë fizike. Ata kanë kërkuar që t’ju instalohen tualetet, që të kenë ujë rregullisht në tualete, që ato mos të janë tualete jashtë, por brenda shkollës. Atëherë ishin interesant nxënësit tanë të cilët thanë se nuk kanë hapësirë të rregulluar, që e kanë ftohtë, që nuk ka dru, që në disa shkolla nuk ka ngrohje me avull…

Kështu, ky ishte takimi i parë dhe shkëmbimi i mendimeve mes fëmijëve serbë dhe shqiptarë, çfarë bëjnë në kohën e tyre të lirë dhe çfarë vërejte kanë në sistem arsimor. Në pyetjën tonë se çfarë ata dojnë t’ju organizojmë, a dëshirojnë vizitë kështjellës së Novobërdës apo dëshirojnë ndonjë shëtitje në natyrë, thjeshtë vetëm të njihen mes veti, që të krijohet një atmosferë miqësore dhe pastaj të bisedojnë me njëri-tjetrin… Një vajzë sugjeroi: “Përse nuk bëjmë shëtitje në Serbi? Ne kurrë nuk kemi qenë në Serbi.” Ne u gjetëm të habitur, unë e shikoja Sevdije Bunjakun nga shoqata “Kalabrija”, e ajo më tha, “Nevenka, unë jam e shokuar se fëmijët kërkojnë të shkojnë në Serbi, më ka befasuar.” (buzëqeshë) Unë kam menduar të organizojnë një takim në Kosovë, kam llogaritur të shkojmë deri tek kalaja apo nëpër Prishtinë të bëjmë një shëtitje apo diçka ashtu, megjithatë, kolegja me të cilën unë punoj tha, “Por pse jo? Qe unë kam një propozim.” Unë them, “E pra, thuaje.” “Mund të shkojmë në vizitë manastirit të Deçanit, te Peja një manastir, Patriarkana e Pejës, Prizreni dhe vende të tjera, kullën në Gjakovë… Mund ta bëjmë këtë rreth dhe të shohim vlerat serbe dhe shqiptare” (psherëtinë). Fëmijët u menduan dhe unë them, “Le të merremi vesh kështu. Shkoni në shtëpi, bisedoni me prindër a dëshironi të vizitojmë Kosovën apo të shkojmë në Serbi. Nëse prindërit vendosin që të qëndrojmë në Kosovë, shkojmë në vizitë nëpër Kosovë.” Por ajo vajza thotë, “Unë do t’i them nënës dhe babait që dua të shkoj në Serbi!” Pastaj kam biseduar me Betin dhe Sevdën çfarë mendojnë ato, dhe ato thonë, “Të dëgjojmë çfarë thonë prindërit.” Neve na u bashkua një tjetër organizatë joqeveritare, kjo është organizata “Partnerët në Veprim” të cilën gjithashtu e udhëheqë Sevda, por nga Gjilani. Ajo thotë, “Unë i kisha marrë fëmijët, mund të shkojmë, por vetëm ata që kanë letërnjoftime.” Sevda Bunjaku thotë, “Nuk janë vetëm letërnjoftimet, por vetëm ata që kanë pëlqimin mund të kalojnë kufirin”buzëqeshë). Pastaj kemi biseduar me prindërit, prindërit na dhanë pëlqimin, ne organizuam transportin, dhe shkuam një ditë në Prolom bajë, dhe aty është një fenomen natyror që quhet Qyteza e Djallit. Më vjen keq që nuk ju kam përgatitur fotografitë, kam fotografi nga ajo shetitje ku të gjithë fëmijët janë së bashku, ku shkojnë së bashku kah ai mal dhe shtyllat që natyra i ka bërë, me një gur në krye të shtyllës i cili qëndron si kapelë {tregon me duar}. Ashtu na ka kaluar një shëtitje dhe një përvojë që në qoftë se deshirojmë të ndryshojmë diçka, ne mundemi së bashku, të marrim vendime dhe të punojmë së bashku në përmirësim dhe ndërtim të paqës. 15 vjet është periudhë e gjatë e jetës jo vetëm për komunitetet shqiptare dhe serbe individualisht, por duhet të vazhdojmë së bashku në të njëjtin drejtim. Nuk është bukur të jetohet as në izolim as pranë njëri-tjetrit.

“Dora dorës” në shtator kishte një punëtori ku morrën pjesë përfaqësues nga Qendra për punë sociale, nga policia e Kosovës, nga Agjencia për Barazi Gjinore, nga zyra e Avokatit të Popullit, erdhën shumë organizata joqeveritare të cilat merren me mbrojtjen e grave nga dhuna dhe me mbrojtjen e të drejtave të njeriut të grave. Arsyeja për këtë punëtori ishte pyetja: çfarë pas largimit nga shtëpia e sigurt? Ne flasim gjatë tërë kohës që gratë serbe mund të vendosen në shtëpi të sigurta, edhe pse kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me OJQ-në “Liria” e cila kishte një shtëpi të sigurt në Gjilan, dhe kur kemi pyetur disa herë për të na ndihmuar për të akomoduar një grua që dëshiron të shkojë në shtëpi të sigurtë, vite më parë ishte çështja se si të pranohet një viktimë e kombësisë serbe në mjedis shqiptar.

Duke ju falënderuar Nazës [Nazlie Bala] e cila e udhëhiqte shtëpinë e sigurt dhe e cila haptas ka thënë: “Nevenka, për çdo grua që vjen tek ne pengesat janë të mëdha. Së pari, çështja është ndryshimi i mjedisit nga serb në atë shqiptar, a do e kuptojë komuniteti juaj strehimin e saj, pyetja e dytë është se sa gratë e mia të cilat ofrojnë ndihmë juridike dhe psikologjike e njohin gjuhën serbe, pyetja është nëse ne e bashkojmë shqiptaren e serben të cilat u janë ekspozuar dhunës se sa ato do ta respektojnë njëra-tjetrën… Do të shfaqej diskriminimi nëse ne do të kujdesemi pak më shumë për një grua serbe e cila është e vendosur tek ne në krahasim me një grua shqiptare. Unë nuk dëshiroj të kem probleme të tilla.”

Ashtu që ne pastaj menduam se grave që kanë një problem të tillë të mos ju rekomandojmë të shkojnë jashtë shtëpisë së tyre dhe të shkojnë në shtëpi të sigurt, por të luftojmë në ndonjë mënyrë tjetër. Kjo është bërë me ndihmën e mediave dhe të vetë komunitetit. Shpesh kemi pasur takime edhe me burrat, me udhëheqësit e fshatit dhe pastaj kemi biseduar për ndëshkime dhe për mënyrat se si mund të ndikojnë në burrat që rrahin gratë e tyre. Normalisht që nuk i kemi publikuar emrat e viktimave, dhe të themi ky është burri që e rrahë gruan e tij, por kemi biseduar për atë se cilat janë sanksionet, dhe se si përdoret urdhëri i mbrojtjes, kufizimi i afrimit të viktimës… Kjo ka bërë një ndryshim të vetëdijes në mesin e meshkujve, jo aq shumë sa ne kishim dëshiruar, por ka ndryshime.

Mund t’ju tregoj një rast ku plaki dhe plaka janë të martuar për gati pesëdhjetë vite. Plaku është pijanec dhe kur pinë, e merr një shkop dhe e ndjekë plakën nëpër oborr ose nëpër shtëpi që ta rrahë atë. Me një rast e shoh unë ai bërtiti shumë asaj, e shajti, ajo del jashtë shtëpisë dhe hesht. Në atë moment unë afrohem dhe i them, “E dini çfarë, në qoftë se ju nuk qetësoheni unë do të thërrasë policinë dhe t’ju lajmëroj sepse keni kryer abuzim psikologjik mbi plakën.” Ai më thotë, “Kush je moj ti që të ndërhysh në jetën time dhe në atë çfarë unë bëj? Gruaja ime, oborri im, shtëpia ime, mund të bëj çkado që dua unë!” Unë them, “Nuk mundeni,” dhe e thërrasë kolegun tim polic.” Ai vjen, e merrë plakun dhe plaku kthjellet në burg, (qesh) kështu që kur e kuptoi që dikush mund ta lajmërojë, atëherë u qetësua. Më vonë e njëjta grua më thotë se ai nuk e ndjekë më, vetëm më shanë, këtë mund ta duroj. Unë i them asaj, “As këtë s’do ta duroni më, vetëm i thoni që do të më thërrisni, që unë do ta paraqes dhunën.”

Ky tregim u dëgjua në fshat dhe veçanërisht më ka befasuar kur një grua nga Priluzhja e cila ka marrë pjesë në një nga punëtoritë tona tha në takim: “Unë i kam thënë burrit tim, ‘Kur ka filluar të më bërtasë , unë do ta thërras “Dora dorës” e e sheh ti, nuk guxon as me më bërtitë!’ Ai më pyeti, ‘Si nuk guxoj me i bërtitë gruas sime?’ ‘Nuk guxon të ushtrosh dhunë psiqike mbi mua, tash do të tregoj se çfarë lloje të dhunës ezistojnë, më kanë folë për këtë’” (buzëqeshë).

 

Te gruaja është bërë ndryshimi i vetëdijes, ato pranojnë diçka, por ende nuk guxojnë të qëndrojnë vet pas qëndrimit të tyre, por thonë “Tani do të thërras Dora dorës!” (buzëqeshë) Kjo më vinte shumë mirë sepse kam menduar që qe jemi duke punuar tre vite, e unë nuk shoh ndonjë ndryshim tek gratë. Megjithatë, vetëm kur ndonjëra prej tyre thotë diçka dhe kur e kuptoni që atë e ka thënë në publik para grave të tjera, atëherë kjo është një satisfakcion i madh. Të flasish për dhunë, tortura fizike, kur një burrë i ri nuk i lejon gruas ta vizitojë familjen e saj, ose kur e zhvlerëson ekonomikisht, ia përcakton shumën e parave që ajo guxon ta shpenzojë për një ditë, ky është vërtetë denigrim dhe vështirë për tu duruar (psherëtinë).

Alisa Fejzi: Kemi parë se keni pasur shumë sukses me këtë organizatë, çfarë plane keni, cilat janë ëndrrat tuaja?

Nevenka Rikalo: Mund t’ju them këtë, “Dora dorës” duke ju falënderuar organizatës suedeze “Kvinna till Kvinna” dhe mbështetjës së saj është zhvilluar në një organizatë vërtetë serioze e cila punon me gratë. Falë mbështetjes së Kvinna, me mbështetjen e Violeta Selimi, me takime në “Rrjet”, kontakteve me OJQ të tjera, qoftë ajo “Aureola” ose “Open door” ose “Motrat Qiriazi”, për mua Marta [Prekpalaj] është person veçanërisht i dashur, edhe pse është në Has, kam qejf ta takoj dhe të bisedoj me të… Këto aktivitete na kanë hapur dyert ku kemi gjetur forcën për të shkuar së bashku në promovim të ligjeve për barazinë gjinore, dhe i kemi mekanizmat se si mund ta arrijmë atë. Dhuna si dhunë është vetëm një nga hallkat të cilës gruaja i është e ekspozuar, ne duhet të mendojmë edhe për pozitën e grave në politikë, në arsim, në shëndetësi, ekonomi. Kështu që Ligji për barazinë gjinore na ka hapur derën dhe mundësinë që ne mund të punojmë së bashku me organizatat shqiptare në promovimin e këtij Ligji, gjë që e kemi filluar tashmë, dhe për të përgatitur aktivitete të përbashkëta të grave shqiptare dhe serbe për të paraqitur vetë gjendjen dhe problemet e grave që jetojnë në Kosovë. Duke ju falënderuar këtij projekti të fundit të cilin e mbështetë “Rrjeti i Grave të Kosovës” ne kemi promovimin e Ligjit për Barazi Gjinore, ku në komunat e Graçanicës dhe Prishtinës kemi pasur takim me nëntëdhjetë gra, dhe kemi zgjedhur nga nëntë gra të cilat do të flasin për problemet e grave nga komuniteti serb dhe shqiptar. Për disa ditë do të organizojmë takimin me gratë asambleiste, ku ato do të dëgjojnë problemet e të dy komuniteteve dhe pastaj të bëjmë aktivitet të përbashkët për të parë se si do t’i zgjedhim këto probleme. Pra, për mua kjo është ajo dëshirë dhe ajo ëndërr, që ne bashkërisht të ndikojmë në përmirësimin e pozitës së gruas qoftë në komunitetin serb qoft në atë shqiptar. Ne këtë mundemi vetëm nëse së bashku ulemi dhe flasim, shkëmbejmë përvoja, marrim vendime dhe, kur tashmë kemi mekanizmat dhe ligjet, e bëjmë këtë së bashku dhe i detyrojmë të tjerët të na dëgjojnë në mënyrë që ta përmirësojmë pozitën tonë në komunitetet tona (buzëqeshë).

Lufta

Në vitin 1999 kur shqiptarët u larguan nga Kosova, ishte një kohë e çuditshme, kjo situatë politike nuk ishte e mirë as për shqiptarët as për serbët. Ka pasë ardhë mjaft deri tek përçarja dhe jo-toleranca dhe janë humbur shumë kontakte në mes të miqve dhe në mes të komuniteteve serbe dhe shqiptare. Ne nuk kemi menduar të ikim nga Kosova. Familja ime në veçanëti. Burri im ishte punëtor arsimi, ka punuar në Shkollën Fillore “Aca Maroviq,” tre fëmijë së bashku këtu i kemi lindur, edukuar, drejtuar në rrugë të drejtë. Vajza jonë e ka përfunduar pedagogjinë, të dy djemtë më të rinj e kanë përfunduar shkollën e mesme teknike dhe ata janë tani të zhvendosur. Më vjen keq që ashtu ka ndodhur, por njeriu kurrë në jetë nuk i di të gjitha që do i përjetojë.

Unë që nga viti 1991 kam punuar si nëpunëse në komunën e Fushë Kosovës dhe kam qenë e informuar për vetë situatën. Kam pasur edhe kontakte të mira me njerëz për shkak të natyrës së punës sime sepse kam punuar në dhënien e lejeve të ndërtimit. Kudo që është dashur të lëshoj ndonjë dokument, së pari kam shkuar të bisedoj me njerëzit rreth asaj se cilat janë dëshirat e tyre, si mendojnë ta ndërtojnë shtëpinë, në cilën pjesë të truallit dëshirojnë të vendosin atë shtëpi. Ne i kishim disa kushte tona, por dëshironim t’i respektonim kushtet e qytetarëve. Deri në vitin 1999 ishte ajo marrëdhënie në të cilën jemi respektuar dhe nderuar. Pas kësaj fqinjët tanë e kanë lëshuar Kosovën dhe kanë shkuar në Maqedoni. Pas kësaj erdhi një periudhë e keqe në të cilën shtëpitë e tyre janë djegur dhe shkatërruar, por edhe kur janë kthyer, ne atëherë kemi biseduar njejtë me ta (psherëtinë). Megjithatë, kjo ishte një situatë e vështirë, kishte akuza, e keni marrë këtë apo atë.

Fqiu shqiptar i cili ka qenë afër neve në lagje, gjithmonë ka thënë se ne mund të hyjmë në shtëpi, që aty i kanë të gjitha që i kishin edhe më parë, bile as perdet nuk janë ndryshuar. Kjo për mua ka qenë gjithmonë një kujtim i këndshëm, sepse kjo më ka dhënë shpresë se ka ende njerëz të cilët i besojnë njëri-tjetrit. Më vinte keq për këta njerëz që kanë humbur gjithçka, por ja me kohë… Dikush nga familja ndoshta ka shkuar jashtë vendit, dikush është kthyer dhe ka marrë ndihmë, dikujt i është dhënë mundësia për të ndërtuar shtëpi të re, por shumë prej tyre kanë marrë objekte shumë më të mira se që kishin. Askush nuk mund të thotë se sa është pikëllimi dhe sa mjerimi për kujtimet dhe për atë që njeriu bartë në shpirt kur lëndohet dhe lë gjithçka çfarë ndoshta me vite e ka fituar.

Ne kemi kaluar atë periudhë në vitin 2004 kur na është djegë shtëpia. Ashtu që me 17 mars 2004[1] kemi kaluar nga Fushë Kosova të jetojmë këtu dhe kemi mbetur këtu. Në ndërkohë, neve na kanë ndërtuar shtëpinë. Ja, rastësisht, unë kam qenë në atë panel për vlerësim të dëmit, për evidentim se sa njerëz janë vrarë, sa janë rrëmbyer, sa shtëpi janë djegur, sa objekte ndihmëse janë shkatërruar… Ashtu që me ndihmën e komunës sonë dhe të Komisionit Evropian prapë kam marrë objekt të ri, por para se të hyjmë në të ai objekt është djegur. Ashtu që, ai qëndron ashtu në Fushë Kosovë, ne nuk jemi kthyer, jetojmë ende këtu privatisht…

Nga 17 marsi 2004 kemi kaluar këtu për të punuar në këtë fshat, dhe besoni që vetë fillimi i punës në këtë hapësirë ka qenë mjaft i vështirë dhe i rëndë. Në Fushë Kosovë në vitin 1999 pikërisht për shkak të mënyrës së jetës në komunitet kishim dëshirë që të mblidhemi dhe të ndryshojmë diçka. Që nga shtatori kur shqiptarët u kthyen në shtëpitë e tyre, pavarësisht a ishin në strehim privat apo në Prishtinë, dhe nga aty vinin për të ndërtuar objektet e tyre në Fushë Kosovë, ka pasur mjaft sulme, ka pasur mjaft ofendime, ka pasur mjaft njëfarë heshtje të pakëndshme mes nesh, sepse duheshim përsëri të takoheshim me këta njerëz dhe të flisnim për atë që ka ndodhur. Ne pesë gra kemi bërë iniciativën për të formuar një shoqatë ashtu që të mbledhim gratë pikërisht për shkak të kësaj frike e cila është reflektuar në mënyrën se si të dërgohet fëmija në shkollë, si të pritet, si të mendohet në atë që a do të kidnapohet, a do të sulmohet sepse kishim një seri sulmesh, sidomos nga ana e fëmijëve shqiptarë kur kemi kaluar afër shkollës fillore “Aca Maroviq” e cila ishte e përbashkët, edhe serbe edhe shqiptare. Por, me kalimin e kohës, nga 1981 nëpër 1982 deri 1989, fëmijët shqiptarë janë tërhequr nga shkollat serbe, dhe kanë shkuar në shkolla në shtëpi private, për sigurinë e tyre, asi soji ishte politika. Shqiptarët e kanë bërë programin etyre kosovar, ne kemi punuar sipas programit të Republikës së Serbisë, kështu vitet kalojshin, (psherëtinë) dhe ne nuk ishim së bashku.

 

Mund t’ju them se, njëherë kur e kam përcjellur djalin tim në shkollë, ishte i organizuar transporti nga Fushë Kosova në Uglarë,  ishte viti shkollor 2000-2001, të gjithë fëmijët serbë e kanë lënë shkollën “Aca Maroviq” nga Fushë Kosova dhe kanë kaluar këtu në shkollën fillore në Uglarë. Këtu janë organizuar tre ose katër ndërrime që të pranojnë fëmijët serbë nga mjediset serbe, të edukohen këtu në këtë shkollë të vjetër. Kur i kam thënë djalit tim se unë do ta përcjelli në autobus, që mos të frikësohet, sepse është dashur të kalojë në afërsi të shkollës fillore dhe stacionit hekurudhor ku kishte gjithmonë të rinjë të kombësisë shqiptare të cilët gjithmonë e kanë shrytëzuar rastin kur dinin që ishim serbë të na gjuajnë dhe fyejnë. Djali më tha, “E ti më je siguri e madhe qëe do të më percjellësh, kur njëjtë frikësohesh si unë.” Unë i them, unë frikësohem por është ndryshe kur jemi së bashku se kur shkon vetëm.

Ishte kjo periudhë e tmerrshme kur (psherëtinë) edhe nënat shqiptare edhe ato serbe ishin të shqetësuara për sigurinë e fëmijëve të tyre. Tërë kohën ishim nën presion dhe tension që diçka mos të ndodhë dhe të mos vie deri te konflikti. Ju e dini se gjatë asaj fushate në media kur fëmijë të kombësisë shqiptare janë mbytur në Mitrovicë, dhe pastaj e kanë akuzuar popullatën serbe… Ajo valë ka ardhur me 17 mars 2004 ishin ato demonstrata në Çagllavicë dhe Prishtinë, u organizuan protestat… Ashtu që, kur të rinjët kteheshin nga ato demonstrata pranë shtëpisë sonë, hidhnin gurë dhe i thyenin dritaret tona patjetër. Ne duheshim të mbanim kapakë të drurit në dritare, sepse më nuk ia vlente të blenim xhama dhe t’i vendosim në dritare dhe dyer. Kjo ishtë një frikë e cila tek gratë ka krijuar një revoltë, sepse ne nuk mundnim ta linim fëmijën të luajë vetëm në oborr. Ne kishim për shembull tabelën e basketbollit dhe atë shtyllën, ku unë kam qëndruar në portë duke pritur që fëmiu im të lozë pak, dhe nëse vinin fëmijët shqiptarë atëherë unë bërtitsha që të hyjë në shtëpi që mos ta gjuajnë. A e dini se sa ka pasur urrejtje dhe jo-tolerancë në mes të fëmijëve serbë dhe shqiptarë? Pastaj ja ne pesë gra u dakorduam se më nuk do të flasim vetëm se sa vështirë e kemi por do të organizohemi pak, do fillojmë me ndonjë punë, që të kemi ndonjë aktivizim publik, dhe kështu kemi filluar me punë.


[1]Në mars të vitit 2004, si rezultat i thashethemeve se serbët kishin mbytur dy fëmijë në lumin Ibër, shpërthyen protestat. Edhe pse prova e vetme për këtë ishte dëshmia e njërit nga djemtë e mbijetuar, frika dhe armiqësia janë përhapë shpejt, mijëra njerëz janë mobilizuar kundër serbëve dhe pasurisë së tyre. Diplomati norvegjez Kai Eide më vonë e ka kryer një hetim të detajuar për ndodhinë nën patronazhin e OKB-së.

 

Download PDF